Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Kulturë

DANTJA IM PERSONAL

Bukё shpirti. Ditari im në lidhje me Komedinё Hyjnore.

 Kur një mëngjes fundgushti, ndërsa reflektoja mbi artin e letrave dhe mbi autorët më gjenialë të saj, nisa tё bёj njё klasifikim mbi autorёt mё tё shquar. Mes gjenive tё letrave nuk mund të rrija pa futur, me katër titanët e paarritshёm, edhe poetin fiorentin; të madhin Dante Aligeri.

Ky poet hyjnor, ky gjigand i letrave, i përket çdo stine, çdo kohe, çdo epoke, çdo kulture, çdo mendësie dhe botëkuptimi mbi tokë. Dante Alighieri është krijuesi i botëve të gjalla mes të vdekurve. Ai krijoi realitete emocionale nga më të çuditshmet dhe më sugjestionueset që mendja e njeriut ka pjellë ndonjëherë. Ai me veprën e tij i ka shërbyer mbarё njerёzimit. Si botës evropiane kristiane, e cila e lindi, e formoi, e frymëzoi. Por gjithashtu edhe pjesës tjetër të saj. Duke filluar që nga stepat ruse, ato kaukaze dhe aziatike. Po ashtu edhe popujve të Amerikave, përtej oqeanit. Iu ka nevojitur ai popujve të Afrikës, skandinavëve, në të njëjtën formë, përmasë dhe shtrirje kohore, deri edhe Australisё.  Dantja është i përhershëm, i përjetshëm, i pashmangshëm.

       Disa citime mbi figurёn e Dantes.

Borges shkruan pёr tё: “Dante krijoi një libër që ne të gjithë duam ta lexojmë dhe ta kuptojmë. Asnjë njeri tjetër nuk ka pasur këtë nder… Pas Dantes, asnjë poet nuk mund të ketë kotësi. Të lexosh Danten është të kuptosh se ke bërë gjithçka keq.” T.S. Eliot e quan mësuesin e tij: “Dante dhe Shekspiri e ndajnë botën mes tyre. Nuk ka një të tretë.” Në esenë e tij thotë se Dante ishte poeti më i qartë që ka ekzistuar ndonjëherë, ndërsa ne modernët jemi të paqartë, dhe se duhen 50 vjet punë për ta kuptuar se sa i madh është. James Joyce thoshte: “Dante është babai im shpirtëror. Ai shkroi në gjuhën e një qyteti dhe e bëri gjuhë të botës. Unë po përpiqem të bëj të njëjtën gjë me Dublinin.” Osip Mandelstam thotë: “Dante nuk është pikturë, është kristal. Vargu i tij është formulë kimike.” Primo Levi shkruan: “Do ta jepja ditën e supës në Aushvic për ta kujtuar një varg më shumë.” Italo Calvino: “Dante është universi. Të tjerët janë vetëm planetë.”

       Në thelb, të gjithë bien dakord për një gjë: Dante nuk është vetëm një poet italian. Është momenti kur gjuha njerëzore ka arritur kulmin e saj dhe ka thënë: ja, kaq larg mund të shkojë një njeri me fjalë.

Ai i nevojitej njeriut, jo aq shumë si ideologji a botëkuptim, sesa si një vepër e mirëfilltë letrare, e cila prek thellë sferat e ndjenjave dhe emocioneve të mbarë njerëzimit. “Nëse do të shkoja i vetëm në një ishull, libri që do të merrja me vete do të ishte Komedia Hyjnore,” shprehet Borges në një intervistë. Ka pra, një Dante të veçantë dhe special për çdo lexues, studiues apo shkrimtar. Ashtu siç, në rrafshin e kohës, ka pasur një Dante për shumë artistë nga sferat më të ndryshme të krijimit. Duke filluar me gjeniun Michelangelo, i cili e adhuronte dhe frymëzohej nga vargjet e tij. Duke vazhduar me Botiçelin, i cili e ka ilustruar Komedinë Hyjnore. Me Boccaccio-n që e vlerësonte aq shumë. E kështu me radhë: Gustave Doré, Rodin… deri edhe Dalí, Serafini dhe regjisorë të sotëm si Sorrentino, Fincher e Nolan. Është e pamundur t’i përmendësh të gjithë.

Besoj se t’i afrohesh a jo Dantes, varet nga humori i shpirtit të lexuesit. Varet se si njeriu ndihet brenda vetes. Gjithashtu, adhurimi për këtë Poet Universal varet edhe nga nevojat dhe kërkesat e brendshme që njeriu ka. Dante i ngjan pak të dashurës së fshehtë dhe të përjetshme, së cilës, sa më shumë mundohemi t’i shmangemi, aq më shumë ajo na përndjek si hije. Më ndodhte shpesh. Kur ndihesha i lodhur, i stërmbushur me mërzi, me lexime të detyrueshme universiteti, atëherë më ndizej dëshira që të çlodhesha me diçka e cila vërtet më argëtonte me artin e saj të madh.  Ndaj, indiferent dhe mospërfillës karshi detyrimeve akademike, i afrohesha raftit të madh të bibliotekës dhe tërhiqja që andej vëllimin e trashë të “Komedisë Hyjnore”.

         Kishte shumë vëllime me shpjegime dhe komente të Poemës, por më shumë më tërhiqte botimi modern i Mondadorit, i cili kishte edhe komentin më bashkëkohor. Ishte ky gjest i zgjatjes së dorës drejt vëllimit, si një dhuratë e bukur që priste gjithmonë aty. Ishte qershia mbi tortë. Apo pjata e fortë me të cilën nuk mërzitesha kurrë dhe gjithashtu nuk ngopesha kurrë.

Me librin në dorë, kthehesha tek këndi im i përhershëm ku studioja prej vitesh dhe, me një kafe në dorë, nisja t’ia shijoja vargjet. Një ritual krejt i shenjtë, për mua.

         Dante nuk lexohet. Ai studiohet, aq e dendur dhe intensive është vepra e tij. E studioja, duke shijuar çdo varg, çdo tercinë, sikur të ushqehesha me havjar me shampanjë. Ndaj ndjeja pak nga pak se si mbushesha, se si përthithja nektarin e tij; ushqim i çmuar shpirtëror, krejt i brendshëm dhe i nevojshëm. Poema e tij më vinte në mendime, herë-herë edhe më trazonte. Kishte raste që e vlerësoja më shumë si poet, si letrar, sesa si demagog në shërbim të krishterimit. Por kishte edhe raste kur ndihesha përdhe shpirtërisht. Kur kërkoja në palat e padukshme të jetës një kuptim më të thellë, më transhendental, ndaj ai, herë-herë edhe më trembte. “Po sikur kjo të jetë e vetmja e Vërtetë Universale e njeriut?!” i thosha vetes duke vënë gishtin në kokë. Në këto çaste ai më trondiste, më fuste në të thella.

Ç pendesë, ç vrasje ndërgjegjeje, ç magmë që ziente për hakmarrje, ç delir madhështie a zhgënjim kozmik e kishte pjellë atë vepër, në trurin plot ethe të Dante Alighierit?”E kishte pjellë Dashuria apo Urrejtja?!” mendoja. “Kish lindur ajo nga dashuria për Biçe Portinarin, apo nga mllefi për armiqtë e tij, kundërshtarët politikë, të cilët jo vetëm e kishin dëbuar nga Firence, por gjithashtu e kishin poshtëruar duke e njollosur me vulën e mashtruesit dhe të matrapazit politik?”

       Pasi mbushesha me të, duke shteruar krejt kohën në dispozicion, duke fërkuar sytë nga lodhja, e lija Poemën mënjanë. Trazimi më kalonte.

       Por muajt iknin, stinët, vitet.

Dashuria për Danten kthehej gjithmonë. Siç dukej, zbrazëtia brenda meje niste ta kërkonte rishtas. Ndoshta ndjeja nevojën e kësaj pene të fuqishme rishtas. Ishte kjo nevojë për të forcuar brenda meje besimin në Hyjni, a thjesht dëshira për të shijuar letërsi të mrekullueshme? Prapë ngrihesha nga karrigia ime e studimit, në fund të sallës, dhe me hapa të lehtë i afrohesha Veprës së Dantes. Herë herë, ndihesha si ai qeni i uritur, i cili i hidhet kockës me mish që i zoti bëhet gati t’ia japë. Kjo ndodhte zakonisht të shtunave në mëngjes, në dimër, kur ende i freskët pas gjumit, në heshtjen mëngjesore të sallës krejt bosh, me një kafe me qumësht marrë me xheton tek automati, ulesha dhe shfletoja Poemën.

         A imagjinohet dot një minierë, ku sapo ti ke ngulur kazmën e parë, dhe mes copëzave të gurit të thërrmuar, bien për tokë edhe ashkla të shndritshme ari? Ashtu ishte për mua çdo varg i Dantes, të cilin e zbuloja me ëndje dhe padurim. Arsyen e vërtetë të kësaj nevoje shpirtërore nuk di ta shpjegoj. Herë-herë, tek e lexoja, mbyllja librin dhe i thosha vetes: “Kështu është! Kjo është e vërteta e vetme shpirtërore e njeriut!”

       Koha kalonte. Vërtet, nuk e njihja arsyen e thellë të nevojës sime. Kjo dashuri kaq e thellë, krejt personale dhe private ndaj këtij poeti me dimension kozmik, i ka rrënjët shumë të ndërlikuara. Ndoshta sepse jetoja në të njëjtin qytet ku ai kishte lindur dhe ishte rritur. Ndoshta sepse edhe unë, si hyjnori Dante, kisha vuajtur nga plagët e një dashurie të pamundur. Ndoshta sepse e dashuroja aq thellë letërsinë. Ndoshta sepse brenda nesh, të gjithë bëjmë një udhëtim imagjinar përtej jetës, zonë e cila ende trand, i trigon dhe turbullon ndërgjegjen e njerëzimin. Nuk e di.  Ndoshta, sepse në Poemë përshkruhet i tërë shtegtimi njerëzor. Udhëtimi i tij shpirtëror, i cili fillon nga errësira, humbja dhe shkon drejt dritës, shpëtimit. Udhëtimi i Dantes është një udhëtim iniciatik drejt njohjes dhe përmirësimit të vetvetes.

       Nëse do të sforcohesha të kujtoja kur e kam pasur takimin e parë me poetin, do të kujtoja një paradite shkollore, 16 vjeç. Rrija i ulur në bankën e shkollës, kur mësuesja e letërsisë na foli për herë të parë për Komedinë Hyjnore. Jetonim nën thundrën e regjimit, por çuditërisht, sistemi, edhe pse nuk e pranonte përtejjetën, Dantja nuk ishte cenuar. Ai mbijetonte në tekstet e letërsisë në shkollat e mesme.

         Ekzistonte asokohe përkthimi i plotë i Pashk Gjeçit, botuar nga Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë, 1960. Një përkthim i cili e ruante rimën e Dantes, tercinën e tij të famshme. Ishte ky – siç mësova vite më vonë – një përkthim i bërë me gjak dhe mund, gjatë viteve të burgimit politik të përkthyesit. Libri e kish parë vërtet dritën e botimit, por nuk shtypej më. Ndaj ai ekzistonte në formë gjysmë të censuruar, natyrisht pas plenumit të vitit 1973. Vepër e cila gjendej veç nëpër skedarët e bibliotekave shtetërore.

Në mes të shtegtisë së kësaj jete

U gjeta në një pyll krejt errësie,

Se kisha humbur rrugën e vërtetë.

Si ish ta them sa kam vështirësi

Ai i egri pyll, i ashpër, pyll hata,

Sa ta mendoj më kall frikë përsëri!…

         Kujtoj se si në ndërgjegjen time të atëhershme, e cila ishte e pushtuar nga arti i skulpturës dhe i vizatimit, kishin bërë përshtypje disa skena të Ferrit, përshkruar aq bukur nga Dantja. Por, ende Poema ishte krejt e huaj për mua.

        Takimin e vërtetë me Danten e kam pasur kur mbusha 19 vjeç. Asokohe kërkoja me çdo kusht të shkruaja poezitë e para në rimë, gjithashtu doja të përvetësoja gjuhën italiane. Përveç një kursi privat intensiv, kujtoj, shkoja te Biblioteka e Qytetit dhe rëmoja te librat e huaj. Aty gjeta shumë libra dhe poetë. Si Lorka, Alberti, Machado, Petrarca e tjerë. Gjeta gjithashtu edhe variantin origjinal të “La Vita Nuova”. Natyrisht, nuk e njihja ende italishten standarde, jo më italishten vulgare të Dantes, e cila ishte akoma edhe më e vështirë.

Kujtoj, i kopjova poezitë e Dantes për Beatriçen dhe ia çova një fqinjit tim 50-vjeçar, i cili kishte punuar në ambasadën italiane në Romë dhe e njihte mirë atë gjuhë. Për të mos ma ndalur entuziazmin, mi përshtati disi. Pak a shumë, vargjet tingëllonin bukur. Ndërsa më zgjaste fletët me përkthimet e poezive, më shihte me sytë e tij të zmadhuar nga lentet prej miopi.”Dante nuk ka pasur një histori dashurie të vërtetë,” më tha. “Ai më tepër se një gruaje, i ka kënduar idesë së një gruaje!”

       “Prandaj është interesant për mua!” kujtoj ia ktheva. Edhe unë gjithashtu, në atë moshë të ngathët dhe të turpshme, digjesha nga flakët e një pasioni të fortë.

Ndërsa kontaktin e vërtetë me Danten e kam pasur në qytetin ku vendosa të jetoj: Në Firence. Ishin ditët e para të emigrimit. Isha i trishtuar, i heshtur, disi i çorientuar nga kthesa 360 gradëshe që kish marrë jeta ime atë nëntor të largët të vitit 1992. Ndaj rrija në dhomën e hotelit, i zhytur në kotësinë më absurde. “Pse nuk më shoqëron në një koncert me violinë? E bëjnë te Kisha e Dantes!” Më pyeti një i saponjohur në hotel.

“Kisha e Dantes?” ia ktheva i habitur. Djali qê ma kishte propozuar ishte një i ri boshnjak, i cili, si unë, ishte larguar nga qyteti i tij. Ishte i gjatë, me një zë fisnik. Edhe ai, si unë, kish emigruar nga vendi i tij Bosnja. Tokë ku lufta mes etnive kish filluar të bënte kërdinë mes popullsisë civile.

“Pse jo,” ia ktheva.

Ishte pasdite. U nisëm mbasi mbrëmja ra mbi qytet. Pasi brodhëm gjatë me hartë në dorë, e gjetëm më në fund Kishën e Dantes. Ishte një kishëz e vogël dhe fare intime, brenda një rrugice akoma edhe më të ngushtë. Si e krijuar posaçërisht për dy të dashuruar.

Mbaj mend, kisha ishte plot me njerëz. Sa mezi çamë mes turmës, ndaj arritëm të futeshim brenda. Ndërsa dëgjoja violinistin vetmitar, tingujt e përgjumur, ktheja kokën anash dhe këqyra muret, tavanin, trarët, kolonat plot njolla shekujsh. Të njëjtat që kish prekur edhe dora e Dantes kur kish qenë gjallë. Ndërkohë kishin kaluar pak a shumë 708 vjet. “Këtu!” mendoja krejt kurioz, “ka ngjarë që poeti, fshehurazi, i hidhte vështrime plot dhimbje dhe dashuri Biçes!” Po aty, siç mësova më vonë, preheshin edhe eshtrat e Biçe Portinarit, muzës së Dantes.

Shumë muaj më pas, nisa të ndjek Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Firence. Kujtoj, herë pas here, siç e thashë, i futesha leximit të Komedisë në origjinal.

Gjuha vulgare e Dantes është e vështirë për t’u përtypur. Ndaj leximi i origjinalit bëhet natyrshëm i vështirë edhe për fiorentinët. Kjo lind nevojën për një sërë shpjegimesh në fund të faqes, përndryshe Komedisë nuk ia merr dot kuptimin e vërtetë. Edhe pse Dante quhet me të drejtë babai i gjuhës së sotme italiane, prapë, gjatë 700 viteve që mungojnë, gjuha italiane ka pësuar ndryshime të konsiderueshme. Pra, gjatë pauzave, nga njëri provim te tjetri, në vetminë e Bibliotekës Universitare tek Piazza Brunelleschi, i lodhur me filologjinë romane, nxirrja nga rafti “Komedinë Hyjnore” dhe e shfletoja. E prekja gjithmonë atë libër si të ishte një thesar i rrallë, një kod universal shpirti, i cili ishte plot enigma dhe kurthe. Plot dhimbje, lot, klithma, por gjithashtu plot shpresë, dritë dhe shpëtim.

Nel mezzo del cammin di nostra vita…

         Dëshiroj ta lë mënjanë moralin e Poemës dhe të merrem me veprën letrare. Me këtë monument të pavdekshëm të letërsisë botërore. Dantja është një titan mes titanësh. Edhe pse ndiqja një kurs letërsie krahasuese mbi autorët bashkëkohorë, prapë, Dantja ishte Dantja.

        Honi i krijuar prej tij. Zgafella me 9 spirale, si një gropë thithëse në det, edhe më frikësonte me ndëshkimet e ashpra, por gjithashtu edhe më intrigonte, tërhiqte pa fund. Gjithçka ishte magjepsëse te figura e Dantes. Historia e tij intime. Veli i misterit që e mbështillte. Udhëtimi në botën e përtejme. Vetë fakti që dihej aq pak për jetën e tij, e fuste Danten në një zonë miti, legjendash. E bënte gati të pamundur që ai të kishte qenë një person real, me mish dhe me kocka. Njeri i cili kish vuajtur nga sëmundjet, kish pasur frikë dhe ish zhgënjyer aq shumë në jetë. Dante, njihte shumë mistere për kohën e tij. Një nga çuditë që mora vesh për të, ishte njohja që Dante kishte për yllësinë e Kryqit të Jugut? Një bashkësi yjesh të cilat ishin zbuluar nga Amerigo Vespucci dhe Magelani vetëm 200 vjet më pas. Purgatori, Kënga e I, vargjet 22-27.

U solla djathtas, sytë i çova lart

Në polin tjetër, katër yje pashë,

Që s’i kish parë njeri, veç fisi i parë.

Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë i afrohesha këtij titani të letërsisë italiane. I vetmi. Italia e ndritur ka njohur shumë gjeni dhe artistë, por në universin letrar, përveç Dantes, i cili pa dyshim qëndron në majë të Tempullit, shkrimtarët dhe poetët e tjerë që kishin ardhur dhe ikur, nuk e kishin pasur kurrsesi dritën, forcën, gjenialitetin e Dante Alighierit. Duke filluar me Virgjilin, Senekën, as Boccaccio-n. Ariosto e Tasso. As Foscolo, Leopardi e Manzoni. E kështu me radhë: Moravia, Calvino, Buzzati, Sciascia, Eco etj.

Dante qëndron i palëvizshëm, që prej 7 shekujsh. Nëse do të bëja një top 5 në piramidën e gjenive në letërsi, mes Homerit, Servantesit, Shekspirit, Dostojevskit, do të vendosja pa dyshim Danten. Do të ishte më e drejtë, që mos t’ia haja hakun askujt, të bëja një Top 20. Aq shumë gjeni letrarë ka njohur bota.

 I hyra Dantes siç duhej rreth të 30-ave. Kur nisa ta studioj seriozisht, me laps në dorë.

Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë vepra e tij, si një mirazh në detin e hapur të jetës, ikte dhe kthehej vazhdimisht. Varej kjo nga gjendja shpirtërore. Nga shijet letrare. Varej nga koha, nga rrethanat. Por gjithmonë, ai ka qenë i pranishëm. Të merresh me Danten nuk është aspak e thjeshtë. Komedia Hyjnore, mes kryeveprave të tjera, qëndron si një zonjë e rëndë, e cila, nëse kërkon të merresh me të, ka nevojë për kushte të veçanta. Kërkon prej teje: kohë, nge, durim, dashuri dhe sidomos përkushtim total.

Kishte raste kur e harroja. Kalonin muaj të tërë. Stinë. Edhe vite. Pastaj, ndodhte diçka. Një imazh kopertine frymëzuar nga Ferri, një film, një dokumentar, një shkrimtar që thjesht citonte vargje nga Komedia. Një aktor i njohur që recitonte këngë nga Poema dhe Dante zgjohej përsëri.

Si hija që e ndjellim gjatë seancës spiritiste, ndjeja se si shpirti i Dantes, nga hiçi i madh, vinte në formë tercinash të mrekullueshme.

Niste kështu përsëri pasioni im i vjetër për këtë poet. Për ata që e duan librin, Dante, siç shkruan Kadare: është i pashmangshëm. Ai, herët a vonë, do të hyjë me arrogancë në jetën e lexuesit.

Kjo ka ndodhur me mua për 35 vjet rresht, do të vazhdojë të ndodhë shpresoj edhe në të ardhmen.

Kujtoj, ishte viti 2020, gjatë Kovidit, kur e gjeta poemën në internet. Ishte një variant i plotë i Komedisë Hyjnore, përshtatur në prozën e sotme italiane. Natyrisht më i thjeshtë për t’u kuptuar. E kishin publikuar në YouTube. “Do ta dëgjoj!” ishte mendimi i parë. “Të paktën do të mund ta kuptoj tërësisht!” Recitimi zgjaste dhjetë orë e gjysmë. 

Ndaj, tek bëja ecje varavingo në shtëpi, ndërsa pastroja dhomat a thjesht qëndroja shtrirë, nisa t’i dëgjoj nga e para të njëqind këngët e poemës.”Dante është shumë i dendur!” i thosha vetes. “Por do ta shijoj!” Sa herë që i kthehesha, aq herë pasurohesha. Mbushesha me bukë shpirti. Ai këndonte muzikën që veshët e mi kërkonin. Dhe unë kryeja një nga udhëtimet më të çuditshme që njeriu mund të bëjë me imagjinatën e tij.

Poema është edhe minierë reflektimi. Është një vepër e mbushur plot me xhevahire, brilante, diadema që ndrijnë që larg. Një libër, i cili, si ato të Homerit, Shekspirit, Servantesit a Dostojevskit, lexuesi rri më shumë me libër të mbyllur duke reflektuar, sesa me librin e hapur përpara tij.

    Ky është Dantja im personal.

(c) 2026 Artur Spanjolli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading