Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

FISI EMËROR

Eseja e Arben Dedes për adashin a emnakun (Fije nga jeta VII), më çoi mbrapa në kohë, shumë mbrapa, në një periudhë të fëmijërisë kur habitesha që kish edhe të tjerë në botë, që e kishin emrin Ardian si unë. Natyrisht, për fëmijën emri është shtyllë e identitetit, që mezi po e ndërton; dhe përballja me një adash sjell shpesh me vete një lloj kërcënimi, një krisje në strukturën e shtyllës, një dyshim se mos vetë identiteti është vënë në rrezik.

Brezi im ka qenë i Ardianëve, të paktën në Shqipëri; kur familjet sikur u dashuruan pas thesarit me emra ilirë, që u zbuloi arkeologjia dhe albanologjia – t’i vije djalit emrin Ardian (dhe vajzës Ardiana) ishte si të shpallje përkatësinë te një shqiptari e çliruar nga dasitë fetare. Emrat ilirë ishin me përkufizim laikë. Ky imi ishte i një fisi që jetonte – sipas disave – në një pjesë të mirë të territorit të Shqipërisë së sotme, fisi i ardianëve, i njohur përndryshe me emrin Ardiaei dhe VardiaeiArdian duhet të jetë një formë e rindërtuar; gjithsesi, bashkësia e Ardianëve të rinj, në Shqipërinë e viteve 1950-1960 dhe më pas edhe në Kosovë, mund të shihet edhe si një rikthim simbolik i një fisi të rëndësishëm.

Emri, të paktën në Shqipëri, i përket një brezi të caktuar – sepse më pas erdhi duke u rralluar. Ardianët modernë kanë mes tyre të përbashkët edhe një lloj përkatësie në brezin shqiptar të boomers-ëve, dhe kjo e zbut edhe më kufirin semantik mes arbitraritetit të emrit të përveçëm dhe emrit të një fisi a populli. Po të dish që dikush e ka emrin Ardian dhe ka lindur në Shqipëri, mund t’ia lejosh vetes edhe ndonjë supozim për profilin e personit, madje edhe të familjes së tij. Emri vetë u përhap në formë virale, aq sa shumë prindër që filluan ta zgjedhin nuk e dinin që ishte emër ilir, i nxjerrë nga nëntoka; thjesht e konsideronin si emër të bukur dhe të modës dhe, sidomos, shqiptar.

I vogël, më është dashur të luftoj – ndonjëherë dhëmb për dhëmb – me versionin e shtrembëruar Adrian, emër latin (Adrianus/Hadrianus), me gjasë nga emri i një lumi, Adria, dhe i shpjeguar ndonjëherë nga fjala ilire adur, me kuptimin “det” ose “ujë”: që këtej edhe emri i Adriatikut. Në fëmijërinë time kish edhe Adrianë sa të doje; dhe kaq e kaq herë i kam korrigjuar ata që më quanin Adrian ose ma shkruanin emrin kështu. Veç kësaj, u rrita me një Adriano që më këndonte nga radioja – Celentanon, të preferuarin e brezit të sime mëje. Por, si pa e kuptuar, e kam parë Adrianin si një etiketë të një identiteti hije, që edhe ia pranoja vetes; sot e kësaj dite, miqve hispanikë e latino që kam në NYC, ua lejoj të më quajnë Adrián, madje pa e konsideruar fare koncesion.

Në shqip të pyesin si e ke emrin, çfarë nënkupton se emri është “prona” jote; por të pyesin edhe si të quajnë, çfarë nënkupton, përkundrazi, që emri yt është ai me të cilin të quajnë të tjerët (*si quhesh nuk është shqip), të cilët edhe “ta japin” sikurse edhe ta kanë dhënë, në lindje. Kur ende fëmijë, ti beson se emri që të kanë vënë është po aq unik sa edhe vetja jote, pa e kuptuar që emri ka edhe funksion klasifikues, të përfshin në një grup. Mbaj mend, pak turbullt, kur prindët e mi takoheshin me familjen e një shoqeje të sime mëje, të cilët kishin edhe ata një Ardian, pak më i madh se unë. Dhe më thoshin: rrini bashkë ju të dy, se e keni edhe emrin njëlloj. Gjë që unë e urreja. Ai tjetri nuk kish gjë të ngjashme me mua. Emri i rrinte keq. Për më tepër, edhe ai më përçmonte, sepse ia kisha “marrë” emrin. Mëri të tilla mund të përfundojnë edhe në mënyrë tragjike. Një herë na vunë që të bëjmë një garë, se cili prej nesh “dinte” më shumë. Garën e fitoi ai, sepse bëri hile. Identiteti im u fut në krizë dhe unë veç doja të ikja në shtëpi dhe të gjeja një emër tjetër – qoftë edhe Miço ose Gani.

Presim gjithnjë diçka nga adashi, një afërsi që pastaj na zhgënjen me mungesën e vet; teksa e refuzojmë instinktivisht, duke e konsideruar impostor. Ky ankth antroponimik ka shumëçka të përbashkët me atë që provojmë – si rregull në imagjinatë – përballë një sozie a një kipci; dikujt që është identik me ne, jo vetëm në emër por edhe fizikisht, madje aq identik sa mund të na zëvendësojë në jetë dhe të na nxjerrë të tepërt. Vetë fjala sozi e ka prejardhjen nga një personazh i komedisë Amfitrioni të Plautit; shërbëtor i Amfitrionit që u ndesh me kopjen e vet, të personifikuar përkohësisht nga Merkuri; teksa një kopje e të zotit të shtëpisë, Amfitrionit, po ndan shtrat me gruan e këtij të fundit, Alkumenën (nga ky kopulim do të vinte në botë Herkuli). Këtë ballafaqim me kopjen e vet Sozia e përjeton si të ishte asgjësim i identitetit, aq sa fillon të shpresojë se tash e tutje nuk do të jetë më skllav, por mund të shkojë në port, të kërcejë në një anije dhe të zhduket në botë, anonim mes anonimëve, sa kohë që vendin ia ka zënë Sozia tjetër.

Temën e kipcit (doppelgänger) e kanë lëvruar shkrimtarët dhe psikanalistët; rreziku i një situate, kur dikush gjendet përballë me kopjen e vet, ka të bëjë edhe me frikën viscerale se ai tjetri mund të jetë më i mirë, më i fortë, më i zoti, më i fismë se ti, duke të hequr çdo arsye për të vazhduar ekzistencën. Përballja me kipcin është përballje me vdekjen tënde – edhe kjo e ndërlidhur me bindjen primordiale se nuk mund të ketë veçse një prej teje në botë.

Çfarë shpjegon edhe frikën aq të rrënjosur nga pasqyrat dhe idenë – sado irracionale – se imazhi që të sheh nga pasqyra mund të jetë diçka më shumë se një shenjë ikonike, një fotografi e lëngshme.

Më kujtohet si, në tetor të vitit 1990, kisha shkuar të takoj prof. Gradilonen, tek Istituto di Lingua e Letteratura Albanese, në universitetin La Sapienza në Romë. Ndenjëm pak bashkë, shamë gjithë ata që mund të shaheshin, takuam edhe studentët e kursit, dhe pastaj u ndava me të, dola nga universiteti dhe i hipa një autobusi që do të më çonte në qendër. Atje më afrohet një alamet vajze, që nuk e njoha. Më thotë me një shqipe të kulluar: mos jeni gjë Ardian Klosi ju? Duke precipituar një situatë ku tema e adashit i afrohet më shumë se ç’duhet temës së kipcit. Me atë vajzë u sqarova, por më pas mendova se çfarë mund të kish ndodhur, po t’i kisha thënë: po, unë jam. Duke futur në krizë jo aq veten time, sa Ardian Klosin vetë, që në atë kohë ishte i angazhuar fort në politikë, në Tiranë. Çfarë do të bëja unë, i maskuar si adashi im? Do t’i flisja kësaj vajzës me gjermanishten time të çalë? Do ta ftoja për një birrë, tek Taverna Franz në Prati, përbri Castel Sant’Angelo-s? Më saktë akoma – çfarë do të kish bërë adashi im Dan Klosi, në ato rrethana?

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading