Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Teatër

RE NË PANTALLONA

përgjigje Altin Bashës dhe motorit të zhvillimit për teatrin publik

nga Elsa Demo

Qënkej ç’na qënkej. Na qënkej njëherë një plak dhe një plakë. Gjithçka që kishin në këtë botë ishte një mace dhe një gjel. Ata ishin të varfër dhe të uritur dhe si u grindën keqas me njëri-tjetrin, vendosën që të ndaheshin përgjithmonë. Plaka mori macen, ndërsa plaku mori gjelin. Macja kapte zogj të vegjël dhe plaka i piqte zogjtë, e kështu kishte diçka për të ngrënë. Por plaku i gjorë nuk kishte asgjë për të ngrënë. Kaloi një farë kohe dhe një ditë ai shkon te gjeli dhe i thotë: “Më vjen keq or mik… nuk kam ç’bëj, do të të ndaj në gjysmë dhe do të ha gjysmën tënde.” Dhe gjeli pranoi. Plaku e ndau gjelin në gjysmë dhe që nga ajo ditë u quajt Gjysmagjel. Pas ca kohësh Gjysmagjeli vendosi të shkojë për kësmet që të fitojë para. Rrugës takoi një bretkosë, një dhelpër, një ujk dhe një mi, të cilët i premtuan që, nëse ai i merrte me vete në bark, do ta ndihmonin në rrezik. Kur Gjysmagjeli hyri në kopshtet e pallatit të mbretit, zëri i tij e bezdisi naltmadhninë dhe ky urdhëroi t’ia mbyllnin gojën…

Një drejtor heq dorë nga një teatër kombëtar për t’u bërë drejtor i një tjetër teatri kombëtar[1], teatro që ndajnë të njëjtën çati, oborrin me Touareg, zgëqet e administratës, banjat pa letër higjienike[2].

Po nisem nga të vërtetat sipas Altin Bashës në tekstin “Gjysmagjeli i Elsa Demos”, të cilin e shpërndau në facebook e më pas këtu, te “Peizazhe të Fjalës”, pa u tharë boja e shkrimit tim “Konkursi për Teatrin Kombëtar dhe kohëngrënësit”. Nga replika e tij kuptoj se e vërteta matet edhe me mënyrën si e shkruan gjuhën shqipe dikush e se ajo, e vërteta, shfrytëzohet si ashensor për t’u ngjitur lart e më lart. Përgjigjet e tij po i përdor për të zbritur teposhtë, për të tejshpuar, nëse shkrimi ia del, vatrën e qelbit që ntrashet në emër të teatrit.

Do doja të mos merresha fare, por puna më shtyn t’i përgjigjem lexuesit ashtu si e njoh unë situatën, të hyj në detaje e raporte të mërzitshme, në ligje, e dokumente, në deklarata të thëna poshtë e përpjetë, përpos energjisë për t’u hedhur në rrugë e për të ndjekur ngjarjet e artit dhe kulturës ku kuntribuon edhe prralltari ynë i “gjysmagjelit”.

M’u kujtua prralla e vërtetë, figura kryesore e saj, që ish-drejtori i sapozgjedhur drejtor ia përdor kuptimin sipas  avazit në këtë vend.

Më shtyu mesazhi i tij, me gishtin paralajmërues, drejtuar “Peizazheve të Fjalës” dhe Swiss Culture Foundation që kanë bërë gabim në mbështetjen dhe publikimin e çfarë kam shkruar. Ankesat i bëri dhe në rrugë zyrtare.

Ndaj, o lexues, bëj cazë durim.

 

Emërim pa garë

Ai thotë se u zgjodh drejtor i Eksperimentalit me konkurs dhe se e kundërta është gënjeshtër. Emërimi i Altin Bashës, në dhjetor 2020, erdhi pa garë. Thirrja e Ministrisë së Kulturës ishte e hapur, gara ishte e mbyllur. U ftuan kandidatë, por i vetmi që mbërriti ishte Basha. Tjetri, Kiço Londo, drejtori që po e largonin me konkurs, nuk përbënte më një kandidaturë. Dyshja u intervistua me dyer të mbyllura. Për këtë arsye e kam quajtur fitore pa konkurrencë, pa transparencë. Po të kishte pasur Basha një platformë të vërtetë, përtej fjalëve prej iluzionisti, po të kishte ndier një grimë përgjegjësie, do kishte sqaruar publikisht dorëheqjen, premtimet e lëna rrugës, përfshirë këtu pritshmëritë e ministres Margariti, e cila pat thënë: “Jam e bindur se Basha do të vërë në jetë platformën fituese, me të cilën u paraqit në thirrjen e hapur për pozicionin e drejtuesit të TKEKS. Eksperienca e tij e gjatë dhe e suksesshme do të shërbejë si një motor zhvillimi për këtë institucion të rëndësishëm.”

Një ministre që e riciklon newspeak-un si për teatrin, edhe për rilindjen urbane dhe zhvillimin rural si motor zhvillimi, nuk zhgënjehet për dorëheqjen e një vartësi të besuar.

“Është pozicion ku kam njëfarë eksperience. Ka ndikimin e frymës së kërkimit. Është gjenerator i ditëve të reja dhe për një kohë të gjatë kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar në mënyrë që të fuqizohet alternativa. Ky element ndoshta është arsyeja që mora pjesë në konkurs. Për 10-15 vjet kam punuar me artistë të rinj për ta çuar më tej frymën që ka ky teatër.” Këto pat thënë drejtori i Eksperimentalit në prezantimin gazogjen (motor, gjenerator, ditë të reja) duke evokuar gjuhën agjitative të realizmit socialist dhe peizazhin post-socialist në krizën e energjisë elektrike.

Basha kërkon për Teatrin Kombëtar reformën që ka premtuar për Eksperimentalin:

ka nevojë për reformim të thellë, jo vetëm sistemi, po estetika dhe mënyra e të bërit teatër; reforma duhet nisur nga identiteti i regjisorëve më shumë sesa nga menaxhimi; TKEKS-i duhet të marrë rolin e solistit edhe të filozofisë së të bërit teatër, të jetë pararojë e këtij procesi, të dalë në identitetin e teatrit që krijoi Kujtim Spahivogli; ky është një teatër që iu takon të gjithë shqiptarëve; duhet një laborator për dramën shqipe; iu duhet dhënë mundësia regjisorëve të rinj; duhet diskutuar çështja e të ardhurave nga biletat; teatrot duhen rinovuar nga pikëpamja teknologjike; duhet menduar për turnetë, pjesëmarrjet në festivale të huaja, kooproduksionet si marrëdhënie normale, bashkëpunimet me Kosovën dhe Maqedoninë… kudo ka talente.[3]

Konkluzionet me “duhet” i parashikon në fakt Ligji “Për Artin dhe Kulturën” (Neni 6, pika 2)[4]. Detyrat që shtron ligji Basha i quan reformë.

Si ishte kjo reforma e tij?

 

Statistikat janë të verbra

E quan gënjeshtër konstatimin tim se prodhimi i Eksperimentalit zbriti në një prodhim në vit dhe përgjigjet se, bazuar në Institutin e Statistikave, ky teatër “ka pasur numrin më të madh të produksioneve nga të gjithë teatrot e sistemit”.

I hedhim një sy raportit të INSTAT-it për institucionet qëndrore të artit gjatë vitit 2021:

     Teatri Kombëtar – 57 shfaqje/ premiera[5], 6.446 spektatorë
     Teatri Kombëtar Eksperimental – 159 shfaqje/premiera, 11.981 spektatorë
     Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor – 99 shfaqje/premiera, 7.151 spektatorë
     Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave – 146 shfaqje/premiera, 10.149 spektatorë
     Cirku Kombëtar – 51 shfaqje/premiera, 2.364 spektatorë

E vërtetë, TKEKS-i ka më shumë shfaqje se të tjerët (dhe jo produksione siç shkruan Basha). Por, në raport me cilët teatro, me çfarë kapacitetesh, me cilën periudhë? Është prodhim i Eksperimentalit ky?

Deri në vjeshtën e 2021-shit nuk kishin aktivitet dy skenat kryesore, Teatri Kombëtar dhe ai i Operës dhe Baletit. Në kushtet e zbutura të pandemisë, TK-ja nisi sezonin në shtator me “Ferma e kafshëve” e Orwellit. Kishte pasur aktorë deri atëherë, që ngulnin këmbë të shtyhej kjo punë dhe iu dukej acaruese që konkurrenti i tyre, Eksperimentali nën Kiço London, që një vit para kishte nisur aktivitetet në mjedis të hapur.

Ndërsa kolegët në Itali i protestonin Franceschinit, ministër i Kulturës, “Nuk duam ndihma, duam të punojmë!”, nga TK-ja e Tiranës vinte parrulla: “Nuk duam punë, rrogën e marrim, flluska në facebook bëjmë!”

Sa për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, trupa mundi të kthehet në skenën e rikonstruktuar, pas 3 vitesh e gjysmë, në shtator 2021.

Pra, Eksperimentali i Bashës mund të matet me Qendrën e Fëmijëve dhe Teatrin e Kukullave.

Të dhënat për shikueshmërinë e TKEKS-it duken edhe më pozitive për vitin kritik 2020, 16.044 spektatorë, sepse ishte teatri i parë që u hap, pas tolerimit të masave kufizuese ndaj Covid-19. Drejtori Londo riktheu në skenën e hapur të Universitetit të Arteve tragjedinë e Shekspirit “Jul Cezar”, me regji të Ivica Buljan-it. Premiera u shfaq në 2019-ën në territorin e Teatrit Kombëtar. Aktet zhvendoseshin nga pishina, te parku mes kompleksit të vjetër teatror, në oborrin e Ministrisë së Brendshme më pas për vrasjen e Jul Cezarit dhe mbyllej në sheshin ku protestohej kundër shembjes së kompleksit.

Ç’u bë kjo vepër? Ç’u bë me aktorët Ervin Bejleri, Romir Zalla, Ermira Hysaj, Adriana Tolka, Mateo Dervishaj, Endri Çela, pjesë e trupës së Eksperimentalit, që nuk i shohim më në këtë skenë? Përse nuk pati vazhdimësi repertori i Londos, kur krijuesit janë paguar për një numër shfaqjesh të detyruara? Shteti paguan për vite me radhë disa artistë dhe ata investojnë energjinë e tyre për të mirën publike dhe vjen po ky shtet, nëpërmjet një drejtori, i nxjerr jashtë në bllok.

Në gjashtë vitet e Londos, TKEKS-i ishte si i shqyer mëngësh në infrastrukturë, pa kalendar, por, kohë pas kohe, të detyronte ta mbaje hapin e të shihje shfaqje të një teatri gjenuin, të pastër, të paprekur nga presioni i oborreve politike-artistike. E kam përmendur se, ka pasur tekste dramatike dhe vënie regjisoriale që më kanë nxitur rrahje pulsi ndijesor e mendor: performancat “Presidentet” e Werner Schwab-es, “Pas derës” e Wolfgang Borchertit, po edhe “Jul Cezari”. Të tjerët mund t’i shtonin listës “Medean” e Euripidit, “Antigonën” e Jean Anouilh-it apo “Hedda Gablerin” e Ibsenit, të gjitha propozime të regjisorëve të huaj, të rinj, kërkues të një gjuhe moderne.

130 mijë spektatorë pati ky teatër për vitet 2018 dhe 2019. Në publik thuhej se ishte Bordi Artistik (anëtarët nuk ishin njohës të teatrit) që zgjidhte pjesët dramaturgjike dhe më pas regjisorët propozonin konceptin e vënies në skenë, model që nuk ka qenë i qartë ndonjëherë.

Në vendimin e bordit për sezonin artistik 2020-2021[6] nën drejtimin e Londos, gjen: projektin “Hedda Gabler” nga Botond Nagy (aktualisht regjisor në Teatrin Kombëtar të Budapestit); autorë të rinj; punishten dramatike[7]; projekte për fëmijë. Të erren sytë kur sheh tri vepra me firmën e Londos, një shpërdorim i detyrës së drejtorit dhe regjisorit.

Megjithatë, repertori kishte krijuar pritshmëri dhe në suksesin që Basha llogarit ka pjesë paraardhësi i tij.

Sipas informacionit nga Drejtoria e Zhvillimit pranë TKEKS-it[8], plot 37 shfaqje, produksione nga skena e pavarur, teatrot e rretheve dhe Kosova, u pritën nga Eksperimentali. Gjatë 2022-shit numri i këtyre prodhimeve të gatshme shkoi në 90. Shto këtu punët e diplomës nga studentët e fakulteteve të Artit Skenik dhe të Gjuhëve të Huaja, që shfrytëzuan skenën, kostumet, rekuizitën sipas marrëveshjes “Pakti për Universitetin”, nënshkruar mes TKEKS-it, Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Arteve. 45 shfaqje kapën performancat “Hansel dhe Gretel” me regji të Mateo Dervishajt dhe “Drejt Imagjinatës” me regji të Endri Çelës, sadoqë prodhime të bartura nga repertori i kaluar për fëmijë.

Nuk e harroj debutimin e Mateos, rrëfimin e tij personal integruar në tragjedinë “Pas derës”, as debutimin absolut të Endrit, protagonist në të njëjtën vepër. Ata nuk e dinë që i kanë përcjellë diçka me vlerë publikut, atij publiku që i kërkon aktorit më shumë se vetëm aktrimin: të qenët qytetar dhe të qenët aktor, që nuk mund të jetojnë copash në një Shqipëri të pazhvilluar e udhëhequr me harbutëri. Dy djemve që u rritën artistikisht në këtë teatër, e që u përfshinë si autorë, aktorë, asistentë regjisorë, regjisorë, ua zunë vendin të tjerë.

“Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Sphivogli” është i vetmi institucion teatror në Shqipëri ku aktorët i marrin rolet me audicion, sepse paguhen për të punuar dhe jo për të ndenjur”, thotë ai që zhbëri trupën e aktorëve bashkë me atë pjesë të mirë të axhendës artistike paraardhëse.

 

Njerk me të vetët, bujar me të pavarurit

Për sa kohë drejtoi Basha, nuk afishoi kalendar me datën e saktë të premierës, me shfaqje nga e enjtja në të diel, nuk e bëri publik në faqen zyrtare të teatrit apo para medias, nuk prezantoi sezon artistik ku të tregonte kriteret në zgjedhjen e pjesëve dhe autorëve dhe të ishte i hapur për pyetje. E la institucionin pa një program 2022-2023 për pasuesin e tij. Mbi këto rregulla ngrihet funksionimi i një teatri kombëtar, i cili i jep prioritet prodhimit, pastaj bashkëprodhimit dhe mikpritjes së atyre që kërkojnë para shtesë nga fondet publike për projekte. Tek prodhimi qëndron vizioni i një drejtuesi. Për një teatër i prirur ndaj të resë, prodhimi është proces, ndonjëherë edhe më i rëndësishëm se rezultati i spektaklit në skenë. Teatri sakrifikon në këtë drejtim për hir të disa vlerave që i konkurron komercialja dhe gjithpërfshirja në skenën e artit e aventurierëve dhe spekulantëve.

Bashkëprodhimi nuk është plotësisht shprehje e vullnetit të institucionit publik, e shijeve dhe e politikave për një teatër kombëtar. Privati përdor principin e tij me paranë publike që shpesh nuk përputhet me principin e teatrit publik. Kur teatri shtetëror bën thirrjen e hapur për projekte dhe mbledh aplikantë që kanë garantuar burime të tjera financiare, thotë “pse jo”, sa më shumë kalim në paradë duhet.

Prej këtej zbres te gënjeshtra ime për “një prodhim në vit”.

Sipas vendimit[9] të Bordit Artistik të ri rezulton se “Makbethi i rivizituar”, me regji të Enton Kacës, është i vetmi prodhim i Eksperimentalit për vitin 2021, premierë në dhjetor. Kaca e kishte rikonceptuar për gjashtë aktorë, me buxhet 1.6 milionë Lekë. Dy produksionet për fëmijë nuk i llogaris, sepse një teatër kombëtar që mban emrin eksperimental për më tepër, nuk mund të identifikohet me këtë kategori prodhimi që lëvron prrallën. Ekziston në Tiranë një Qendër Kombëtare për Fëmijë (aktualisht në rikonstruksion) dhe Teatri i Kukullave. Ka një teatër bashkiak me repertor për fëmijë, Teatri i Metropolit. Kam parë që e nderuara Shegushe Bebeti, artiste karriere në fushën e vet, përshatjen e përrallës së Andersenit “Lulet e Idës së Vogël”, pas Eksperimentalit, po e shëtit ku të gjejë sallë, sepse nuk ka hapësira, ato që janë nuk administrohen si duhet, kanë dhe ato drejtorët e tyre. Kështu, në vend që TKEKS-i të jetë “solist” siç thotë Basha, orientues me një program të menduar, bëhet populist dhe pritës i halleve që ka sistemi teatror në infrastrukturë dhe në klimë krijuese.

Projekti “Shkundem”, prodhim i Festivalit të Dance Theatre-it, që organizon prej vitesh koreografi Gjergj Prevazi, u shfaq premierë më 19 tetor 2021. Vendimi i bordit është i disa ditëve më vonë. Pra, të bashkëprodhosh me Eksperimentalin, si në këtë rast, do të thotë që vepra realizohet një herë, pastaj bordi vendos!

“Unë, Mefisto” me regji të artistit bosnjak Dino Mustafic, ishte premiera ditëve të fundit të dhjetorit. Superbashkëprodhimi njëqindmilionësh (10.765.000 Lekë) tregoi sa e zonja dhe e shkathët për të ngritur buxhete di të jetë një shoqatë kulturore e pavarur, i tillë buxhet që tejkalon vlerën totale që jep TKEKS-i për projekte.

Basha e quan akuzë pikëpyetjen time se ç’qëndrim do të mbajë ndaj “të pavarurve” kur të jetë drejtor i Teatrit Kombëtar, duke ditur pretendimin e tij për teatrin alternativ dhe ngurtësinë e TK-së. Kur kritikonte nga jashtë sistemit, deklaronte se “kualitetet më të mira të artit shqiptar nuk janë brenda institucioneve, janë jashtë tyre, madje kanë aftësinë për të penetruar atje ku asnjë institucion shtetëror nuk penetron më, në media, për të bërë marketing të shpejtë, turne, për të tërhequr publikun etj.” Këtë pikë nuk e preku para jurisë në konkursin për kreun e Teatrit Kombëtar. Konstatimit tim iu përgjigj te “Gjysmagjeli” me listën e projekteve dhe bashkëprodhimeve “me kompanitë e pavarura teatrore në dy vjetët që kam drejtuar këtë teatër”. Listën po e ribotoj me të dhëna të plota, për të parë si janë shfrytëzuar burimet financiare dhe njerëzore, si është shpërndarë paraja publike dhe sa është angazhuar personeli krijues i Teatrit[10]. E quaj me rëndësi, sepse, së pari, ai pat premtuar që “reforma duhet nisur nga identiteti i regjisorëve më shumë sesa nga menaxhimi”; së dyti, tregon për llojin e menaxhimit që ka ndjekur ky institucion kombëtar me fonde të pamjaftueshme. Nëse ishte kjo reforma që deshi të kryejë, përse nuk e bëri publike strategjinë? Përse nuk e bëri problem buxhetin e padenjë për teatër kombëtar?

Viti 2022 mbyllet me 3 prodhime për të rritur, 2 për fëmijë dhe 5 bashkëprodhime me OJQ-të.

Prodhimi është rrudhur në buxhet, në personel, në përmasë spektakli. Buxheti minimal për spektakël është 450 mijë lekë, ai maksimal 1 milionë. Dy janë me nga 2 aktorë, tjetra me 8 aktorë. Një pjesë Eksperimentali i ka kontratuar për aq kohë sa ka zgjatur projekti.

Për prodhimet e veta teatri angazhon minimumin e stafit krijues, një skenograf diku, një kostumograf aty, pak aktorë. Estetikisht është një gjuhë tradicionale, nuk e tejkalojnë çfarë ka shfaqur në të shkuarën kjo skenë dhe nuk maten me nivelin që pritet nga një teatër kombëtar, pretendues i novacionit dramaturgjik, regjisorial, aktorial.

Këtë aspekt, që në diskutim duhej të ishte mbi të tjerë, ish-drejtori nuk e prek sepse e merr të mirëqenë cilësinë e skenës që ka drejtuar.

Basha e imagjinon teatrin si prrallë që ka brenda magjinë dhe që kjo magji të ndodhë, ka nevojë për para që të arrihet cilësia skenike e duhur e kostumeve, ndriçimit, zërit etj. Shpërndarja e buxhetit për prodhim përgënjeshtron pretendimin e tij për teatrin prrallë. Ky nuk është buxhet për të krijuar vazhdimësi vlerash. Kjo është mbijetesë.

Dhe këtu TKEKS-i sillet si Ministria e Kulturës, stili i Kumbaros ky, që në thirrjen e projekteve gjithëfarësh përfshiu financime 5-lekëshe për teatrin. Në vend që të ndërtonte politika, u kthye në qendër financuese për prodhim kulturor, rezultatin e të cilit as e kontrollon. Janë mbështetur me dhjetëra projekte teatrale edhe nga Bashkia e Tiranës. Të prodhuara me pak para, në afate të ngushta, me kushte të papërshtatshme të kontratave të punës, krijuesit i është dashur të bëhej edhe producent, veprat ngjiteshin në skenat e teatrove kombëtare për një a dy net dhe harroheshin.

Bashkëprodhimi “Unë, Mefisto” është mbështetur nga TKEKS-i me 3.5 milionë Lekë, me pagesa regjisor apo drejtues projekti, të cilat ndryshojnë nga kategoritë e zakonshme të pagesave për projekte të tjera. Është e vërtetë që Mustafic është një emër i vlerësuar për skenën teatrore në rajon e më gjerë, dhe që “Unë, Mefisto” ka qenë një projekt angazhues. Ai ka punuar në Teatrin Kombëtar, në teatrot bashkiakë. Korça dhe Shkodra u vunë në garë në festivalin e “Moisiu on”, se cili Mustafic ishte më i mirë. Të dy teatrot konkurronin me pjesë nga i njëjti regjisor.

Financiarisht, një projekt me këtë kosto nuk i qëndron kredos etike të teatrit të pavarur. Estetikisht është spektakli më i mirë gjatë drejtimit të Bashës, por në kontekstin e vetë krijimtarisë së Mustaficit nuk kishte të re. Ai ka venë në skenat publike dhe alternative në Shqipëri rreth 7 vepra. “Unë, Mefisto” ishte një spektakël ku operacioni postmodern ishte kthyer qëllim në vetvete.

Bashkëprodhimet “Çimka” me regji të Zana Krasniqit, në kuadrin e kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë dhe “Përvjetori i ditëlindjes” me regji të Besmir Bitrakut, po ashtu janë financuar më tepër se një prodhim i TKEKS-it me pothuajse të njëjtin numër aktorësh.

Buxheti total i Eksperimentalit është 29 milionë Lekë, nga të cilat rreth 9 milionë për projekte, vlerë e vogël për një teatër kombëtar. Ligji “Për Artin dhe Kulturën” i jep teatrit të drejtën për të siguruar të ardhura nga burime të tjera të ligjshme, nga sponsorizimet dhe donacionet.

Pra, që të kuptohemi, skema e bashkëprodhimit është pozitive, është e ligjshme, por ajo nuk mund të dominojë skemën e prodhimit nga buxheti i shtetit dhe as të imponojë politikën e repertorit për një teatër kombëtar.

Një pjesë e mirë e shoqatave kulturore që kanë hyrë në bashkëprodhim me Eksperimentalin, NUK janë kompani teatrore që të kenë në fokus kërkimin teatror, të kenë prodhim të vazhdueshëm, botime, diskutime, pjesëmarrje në festivale, debate publike për teatrin. Në rastin e TKEKS-it bashkëprodhimet janë mes individëve jo mes institucioneve. Janë ata që e zgjedhin teatrin. Propozon spontaniteti privat, jo teatri publik.

Po ta shtynim më tej këtë çështje, nëse flitet për nevojën e zbatimit të ligjit për sponsorimin privat në art dhe kulturë, duhet mbajtur parasysh se në biznesin privat, qarkullojnë para të fituara nga burime të paligjshme dhe që mund ta përdorin artin si mjet publiciteti për përmirësim apo shpëlarje të imazhit. Studimet për këto çështje thonë se, plutokracia gjeneron të ardhura nga investimet, por një pjesë e mirë e fitimeve të tyre, si në rastin e bankave që mbështesin artin, vjen edhe nga tarifat që u ngarkojnë klientëve të tyre.

Ndaj është normale të shtrojmë pyetjen: nga vijnë paratë e shoqatave që kanë statusin e OJQ-ve? Në skenën e artit bashkëkohor, për shembull, vepron fuqishëm një subjekt si Qendra “Harabel” nën drejtimin e bashkëshortes të kryetarit të bashkisë së Tiranës. “Harabel” investon në qytet vepra arti që zënë territor publik, me vlerën e mijëra eurove prodhim dhe shpërblim për artistët. Kush janë investitorët, nga vjen kjo para? Asgjë e bërë publike.

Një spital privat ka sponsorizuar (një bankë vazhdon ta bëjë) deri vonë Teatrin e Operës dhe Baletit, pronari i të cilit kishte edhe një kanal televiziv. Media e tij duhej të mbulonte me reklamë aktivitetin e TOB-it, përfshirë këtu promocionin për rikonstruktionin miliardësh të TOB-it.

Arti ka funksion publik dhe përgjegjësi publike. Institucionet kulturore kanë një përgjegjësi morale ndaj qytetarëve dhe për këtë duhet të jenë transparente deri në fund.

 

Konflikti i interesit

Në kohën që drejtonte Eksperimentalin, Basha punonte paralel për spektaklin televiziv “Kosherja”, për “Koriolanusin” në Teatrin Kombëtar dhe për premierën “Gjâja” në Teatrin “Migjeni”. Ai ia pat bërë të qartë ministres për kulturën e motorave që të mos i shkonte mendja kujt që t’i vishte atij kostumin e drejtorit për të hequr dorë nga krijimtaria, përndryshe, “unë ika”.

A thua funksionon ndonjë ligj në këtë vend për konfliktin e interesit apo konkurrencën që drejtues dhe nëpunës të shtetit i bëjnë institucionit publik, që të kenë pastaj ndonjë vlerë shantazhet?

A mund të punojë në teatro të tjerë një drejtor i teatrit kombëtar, të punojë në teatrin konkurrent, të përfshijë në teatrin publik që drejton vetë artistë të punësuar në projektet e tij private?

Ligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”[11] parashikon që (perifrazoj), zyrtari i lartë, i mesëm apo në pozicionin e drejtorit, pra një nëpunës që ka një përgjegjësi apo ushtron një kompetencë, duhet të dijë edhe kufizimet e interesave vetjake, si masë për parandalimin e konfliktit të interesave. Konflikt interesi përbëjnë raportet preferenciale, negocimet për marrëdhënie me interes privat për zyrtarin, pas lënies së detyrës ose gjatë ushtrimit të detyrës. Konflikt interesi është kur zyrtari angazhohet në veprimtari private me qëllim fitimi që krijon të ardhura. Nga ky kuadër nuk përjashtohen anëtarët e bordeve, këshilltarët.

Bordi i Teatrit Eksperimental përbëhet nga: Petrit Malaj (kryetar), Gazmend Leka, Gazmend Gjoka, Luiza Xhuvani, Baftjar Luzati, Andi Qinami, Kostandine Dorri.

Gazmend Gjoka dhe Luiza Xhuvani ishin aktorë protagonistë në veprën “Koriolanus” prodhim i Teatrit Kombëtar, me regji të Altin Bashës kur ky ishte drejtor i Eksperimentalit.

Luiza Xhuvani dhe Petrit Malaj ishin aktorë protagonistë në veprën “Festa e ditëlindjes”, prodhim i Teatrit Eksperimental dhe Teatrit Kombëtar, projekt i miratuar nga Bordi Artistik i  TKEKS-it me firmat e Xhuvanit dhe Malajt.

Luiza Xhuvani, akoma anëtare e Bordit të TKEKS-it dhe aktore e trupës stabël të Teatrit Kombëtar, mori pjesë në jurinë e konkursit për drejtorin e Teatrit Kombëtar që zgjodhi fitues Altin Bashën.

Më e pakta që mund të bënin anëtarët e bordit, do të ishte që të mos merrnin pjesë në procesin e vendimmarrjes, sepse kështu do të ishin të paanshëm në kryerjen e detyrës. Përndryshe, e gjitha kjo është “shpërblim për mënyrën e kryerjes së detyrës zyrtare”.

Këtu ka sindakata fantazmë që nuk e vënë para përgjegjësisë një drejtor për vendimet që merr kur krijon bordin, kur vendos vetë shfaqje në teatër apo përfshin familjarë, kur bën zgjedhjen e regjisorëve, apo kur jep hapësira me qira. 

 

Është Kombëtar Teatri Eksperimental[12]?

Po a mund të reformohet për çdo herë që ndërron drejtuesi një model teatri si TKEKS-i, i cili u krijua mbrapsht që në themel?

Që një teatër të jetë kombëtar, ka nevojë për disa norma e kapacitete. Të ketë: një sallë ose numër sallash, me minimum prej 500 vendesh; një kalendar artistik; një program produksionesh të vetat bazuar në vepra nga klasikët tek autorët bashkëkohorë, mundësisht disa nga këta të gjallë; të ketë të punësuar një personel administrativ, teknik dhe artistik që financohet 100% nga kontributi i shtetit.

Teatri Kombëtar Eksperimetal “Kujtim Spahivogli” nuk i përmbush kriteret.

Objekti ArTurbina, ish-Instituti i Hidrometereologjisë për eksperimentet e hidrocentraleve, ku qeveria “Rama” investoi 3 milionë e 300 mijë euro (vlera fillestare e projektit), ka një sallë me kapacitet 400 vende që i takon Teatrit Kombëtar dhe një tjetër me 180 vende që i takon TKEKS (Londo e zgjeroi deri në 220 vende, jo pa deformuar hapësirën e sallës së re). Nuk kanë hapësira për dekore, garderobë, nuk plotëson kërkesat me dhoma për aktorët.

Që prej fillimit, TKEKS-i nuk ka pasur personelin që i duhet një skuadre kombëtare në teatër përbërë nga aktorë, mjeshtër ndriçimi dhe zëri, garderobier, rekuizitier, teknikë skene, jurist dhe pastrues. Marrëdhëniet e punësimit janë karakterizuar nga kontrata afatshkurtra dhe shumë afatshkurtra. Gjendja e pasigurtë dhe e rrezikshme veçanërisht për trupën krijuese, e përbërë nga 10 artistë me kontrata deri në 1-vjeçare, ka ardhur dhe për shkakun se TKEKS-i nuk ka një statut dhe rregullore të brendshme siç e parashikon ligji. Aty do të përcaktohej ndërtimi dhe organizimi i trupës stabël me aktorë të punësuar, ndarja e tyre në kategori në bazë të meritave, hyrja në trupë ose humbja e të drejtës për të qenë pjesë e saj, roli i drejtorit dhe i komisioneve përzgjedhëse në këto procese. Të paktën përpara ligjit dhe rregullave, teatri do detyrohej që t’iu ofronte aktorëve kushte për punë dhe mundësi për t’u angazhuar. Edhe subjektet private të artit dhe kulturës, të cilat përfitojnë financime nga fondet publike, kur hyjnë në bashkëprodhim me teatrin publik, janë të detyruara të kontraktojnë artistë dhe bashkëpunëtorë për realizimin e projektit, gjë që nuk ka ndodhur sa kohë ka drejtuar Basha.

Mungesa e rregullave e ka mbajtur TKEKS-in në gjendjen e një programi pilot, që vepron si t’i vijnë rrethanat.

TKEKS-i është bir i pjellë nga sistemi teatror publik dhe jo bir plëngprishës, një teatër pa identitet, mes traditës dhe paaftësisë për inovacion.

 

Mund të jetë Eksperimental një institucion?

A mund të jetë Eksperimental një institucion teatri, kombëtar apo bashkiak qoftë?

Përpjekjet për t’i dhënë institucionit dhe objektit teatror atributet e funksionit për kërkim teatror shfaqen në vitin 1994. Në saje të donacionit nga Fondacioni Soros për krijimin e një teatri eksperimental me teknikë bashkëkohore, u përshtat salla Black Box në mjediset e Akademisë së Arteve, e cila u hap në vitin 2000. Kishin filluar të përktheheshin dhe të viheshin në skenë pjesë nga dramaturgjia e Teatrit të Ri, e Beckettit e Ionescos (në Kosovë kishin ardhur në vitet ’70), e bashkë me to të hynin konceptet e gjuhës së modernitetit si refuzim i teatrit të së shkuarës[13]. Nga ana tjetër, vazhdonte edukimi artistik klasik.

Për t’i shërbyer formimit teorik të studentëve nuk pati përkthime dhe botime nga literatura botërore teatrore, nga literatura për aktorin në veçanti, deri në vitin 2010[14]. Black Box-i sot, i amortizuar, e vetmja studio për studentët e Fakultetit të Artit Skenik, është provë miopie e drejtuesve të Universitetit të Arteve, mësimdhënësve, njëherësh artistë të skenës dhe ekranit.

Në vitin 2010 u hodh ideja për krijimin e Teatrit të Komedisë[15] që mendohej se do të hapte vende pune dhe do të nxiste konkurrencën me vëllain e madh, Teatrin Kombëtar. Përveçse i mori njërin krah kompleksit, Teatri i Komedisë, i kufizuar vetëm në këtë zhanër, rezultoi krijesë po aq e gabuar sa shndërrimi në Teatër Eksperimental[16]. Të dy nuk u mbështetën mjaftueshëm financiarisht. Dimensioni kombëtar i teatrit nuk i interesonte qeverisë.

Vazhdimisht është thënë që në Teatrin Kombëtar duhej të krijohej studioja eksperimentale për të kultivuar format e reja teatrore, krahas veprimtarisë klasike teatrore. Hervin Çuli ka qenë ndër të fundit që e ka lakuar. Teatri Kombëtar i Kosovës ka arritur ta realizojë, të ketë përbri të quajturën Studio e vogël.

Nuk qëndron pagëzimi me emrin Kujtim Spahivogli, të cilit i atribuohen cilësitë e eksperimentuesit[17] për një estetikë të re në teatër, kur kriptokomunizmi në kulturë dhe arte kishte prekur zenitin. Metoda e Spahivoglit bazohej në sistemin e Stanislavskit[18]. Me të ashtuquajturin Teatër i të Rinjve në ILA, sipas dëshmitarëve të kohës, ai ka bërë një punë të admirueshme me studentët, gjë që u pa si vënie përballë Teatrit Popullor. Kjo nuk kishte të bënte me ndonjë metodë eksperimentale të punës kolektive.

Basha ka punuar dikur me studentët “Banjën” e Majakovskit, shfaqje që Spahivoglit ia pezulluan. Ai u dënua, u dëbua nga Tirana dhe nga skena e teatrit, deri në vdekje. Basha e përmend si reformator, novator, por nuk u kujtua që viti 2022 ishte momenti për të reflektuar për artistin në 90-vjetorin e lindjes dhe në 35-vjetorin e vdekjes (1932-1987). Janë gjallë bashkëkohësit dhe studentët e Spahivoglit.

Nuk më duket se kthimi i Bashës në këto referenca ka të bëjë me pretendimin e tij për një rend të ri në teatër që të ndajë të kaluarën nga e ardhmja, sidoqë deklaron se është në krahun e të rinjve dhe për hir të tyre deshi ta drejtonte Teatrin Eksperimental.

 

Thirrja “për të rinjtë” ka dy fytyra

“Hapat”, 30 nëntor-14 dhjetor 2022, ishte festivali teatror për të rinjtë nën drejtimin e Bashës, një projekt i kahershëm që ishte ndërprerë për 10 vjet. Festivali meriton një analizë më vete, tjetër herë, por këtu është fjala për tezën në emër të të rinjve. Eksituese në vetvete, kjo tezë-parrullë mbulon rropullitë e sistemit teatror dhe atij universitar që u lidhin këmbët të rinjve në rrugën drejt njohjes së artit dhe gjuhës së modernitetit. Festivali shihet si urë kalimi nga auditori në skenë.

Këta të rinj formohen në një universitet artesh që ka mbetur në nivelin e edukimit dhe nuk përmbush nivele të tjera si krijimtaria, prodhimi artistik dhe kërkimi shkencor. Sipas raporteve[19] për performancën e UA-së, infrastruktura, mjetet e kërkimit, sallat e shfaqjeve, atelierët, laboratorët, nuk janë në normë; UA-ja djeg fonde financiare të vëna në dispozicion për aktivitet shkencor pa qenë e aftë të ngrejë projekte trajnimi, specializimi[20]. Në këtë drejtim nuk praktikohet ardhja e specialistëve të huaj për shkëmbim përvojash, mbajtje ligjëratash apo që pedagogët shqiptarë të qarkullojnë jashtë në universitete homologe; të njëjtët pedagogë janë pasivë në debate që kanë të bëjnë me artin e kulturën; UA-ja nuk përgatit kritikë profesionistë[21].

Prej këtej, i diplomuari nga Fakulteti i Artit Skenik hidhet në një treg pune që nuk bazohet në konkurrencën e ku në pjesën dërrmuese, nuk gjen kolegë të një niveli të lartë për nga formimi dhe kualifikimi artistik. Janë disa dhjetëra që diplomohen çdo vit, e që aspirojnë të jenë artistë po dhe mësues ndoshta. Ku do të shkojnë?

Më njërën anë, nuk ekzistojnë kompani të pavarura ku teatri si proces përfshin zhanre dhe media të ndryshme e ku i riu të njihet dhe aplikojë kërkimin teatral, dhe më anë tjetër, një kompani shtetërore rrallë kalon nëpër këto sfida. Programet e sistemit parauniversitar, ku një i sapodiplomuar nga Arti Skenik mund të punësohej si mësues, e kanë rrudhur lëndën e arteve.

Nëse punët shkojnë keq në këtë territor universitet-teatër, është falë edhe kësaj hierarkie profesorësh e pedagogësh që i gjen në skenë, në borde, në drejtim të pëjetshëm si rektor dhe dekan, pa dy radhë të shkruara dëshmi për teatrin, individë me pozicione politike të shpallura[22].

Te “Gjysmagjeli” Altin Basha thotë se “Fondi për artistët e rinj” është një sukses i rëndësishëm personal i tij si drejtor i TKEKS-it. Zgjedhja e 14 projekteve nuk pati transparencë. U tha që i zgjodi bordi, por asnjë prej anëtarëve nuk ishte prezent para medias, veç Bashës dhe Margaritit.

Ai thotë se “janë punësuar rreth 90 të rinj”, pra kontraktimi afatshkurtër për dy-tre shfaqje teatri që këta të rinj dhanë, quhet punësim dhe quhen rrogë 100 mijë Lekë (po marrim një mesatare për shpërblimin e aktorëve, regjisorëve, kostumografëve, skenografëve etj.) për angazhimin në një projekt që nisi në qershor dhe përfundoi në dhjetor.

Festivali i të rinjve është një kuadër në miniaturë i sistemit shtetëror teatror, në drejtim të trajtimit, zgjedhjes, selektimit të burimeve njerëzore dhe patjetër shijeve estetike. E vështirë të besosh që festivali të lërë pas një efekt të qëndrueshëm, për shkak të numrit të madh të shfaqjeve të përnatshme, mbi të gjitha, për shkak të mungesës së forumeve ku të diskutoheshin aspekte të teatrit, si, fjala vjen, gjuha vizuale që ishte një pikë e dobët e shfaqjeve dhe ku të rinjtë u prezantuan po aq pleq sa krijuesit me karrierë.

Duke lënë Eksperimentalin, Basha bëri një gjest të fundit: pastroi muret në hollin e teatrit nga fotot e shfaqjeve të prodhuara gjatë Londos drejtor. Në vend të tyre vendosi foto nga shfaqjet e të rinjve në festival, akt që e paralizon imagjinatën për një të nesërme, për një të ardhme.

 

Vetëpastrimi

Do ta doja ta mbyllja këtu, duke shpresuar se u dhashë përgjigje çështjeve me interes publik ku Altin Basha përfshihet si subjekt me përgjegjësi publike. Nuk do doja të merresha me të tjera “gënjeshtra” të miat, sipas tij, për artistin dhe personin Basha. Është qesharake që ai e fut te dekalogu i gënjeshtrave dhe keqdashjeve faktin që unë nuk përmendkam veprat e tij si regjisor. Përgjigjja është e thjeshtë: nuk ishte ky qëllimi i shkrimit tim “Konkursi për Teatrin Kombëtar dhe Kohëngrënësit”; dhe, nuk kam tërheqje pas krijimtarisë së Bashës, jo më, që pas “Vita brevis”, “Keq e më keq”, “Dashuri në furgon”. Pas vitit 2002 a diçka e tillë, ai nisi të sjellë gjigantizmin dhe thatësinë në skenë, teprimin në imazh, kostume, efekte, ndërkohë që aktori në shfaqjet e tij është një pjastër hekuri e ftohtë[23].

Kur vuri në skenë “Rojat e Taxhit”, e intervistova për herë të parë pas shumë vitesh, sepse po shihja një moment përputhjeje mes artistit dhe qytetarit Basha, e kur, ndër të tjera, u fol se kishte ardhur koha “t’i rikthehem dashurisë time më të madhe, teatrit”[24]. Besova kritikën e tij kundër vrasjes të së bukurës, kundër peshës shtypëse të autoritetit. Nuk është fjala për pozicionin e tij në çështjen e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar ishte shembur së brendshmi kohë më parë, prandaj u shemb së jashtmi. Teatri u godit nga njerëzit që bëjnë teatër. Politika e ka pasur të lehtë të dëmtojë në sajë të kompromisit me komunitetin teatror. Si mund të shkohet te kombëtarja nëpërmjet kompromisit?

Lustracioni për të djeshmen nuk u arrit. Sot kemi ditën për diell bashkëpunim me regjimin dhe duket normale. Shpërblehen me hapësirë në teatër si drejtues, si artistë po edhe në media. Një ndjekësi të jetës kulturore apo atij që nuk mund t’i shkëputet nga balta syri i rënduar, do thoshte Majakovski, nuk i shpëton pse një regjisor karriere është në skenë edhe kur nuk ka gjë për të thënë, pse një aktor që nuk e ka as për vokacion, as për profesion ekranin, është në programin e televizionit publik në prime time, i merr kohën televizive një gazetari profesionist?

Jemi në pikën ku arti, në rastin më të mirë, nuk ndikon në sferën publike dhe në rastin më të keq, bëhet shërbëtor i politikës, e kur lakeun e quajnë shërbëtor të popullit. Jemi kthyer mbrapsht në atë epokë kur u krijua modeli i shkrimtarit që, pasi flirtoi me pushtetin, denoncoi me alegori regjimin dhe shpëtoi pjesën tjetër të veprës. Vetëpastrim quhet ky fenomen. Po sa të gjejnë formula akademikët dhe profesorët për raportin artist/pushtet, një brez i tërë do vazhdojë të mbetet nën hijen e monumenteve që kanë fytyrat e kurtizaneve të artit. Kompromisi është kohëvrasës.

Paskësha bërë pis atë dhe familjen e tij, thotë ai.

Lexuesi e di se, në botën e realitetit që krijon spektakli dhe në nivelin e medias televizive që kemi, artistët dhe familjet e tyre ftohen dhe ata pranojnë me kënaqësi, të tregojnë në pazar që nga gjella që hanë te puthjet me pështymë. Ama, nuk i gjen në hapësirat mediatike për të dhënë llogari për punët publike.

Unë do duhej ta akuzoj këtë njeri që më vrau kohën gjithë këto ditë. M’u desh të provoj me fjalë atë që ai bën me vepër.

Pritet që ministrja për kulturën e motorëve të përsëritë para kamerave skenën e dhjetorit 2020: Altin Basha prezantohet si drejtor i ri i Teatrit Kombëtar, pasi u shpall fitues për të dytën herë kundrejt të njëjtit kandidat. Në krahun tjetër të ministres do të jetë ish-drejtori Çuli, që nuk ka gjasë të ligështohet e të thërrasë: “Rroftë teatri!”[25], veç të tërhiqet nga skena kavalier. Të dy këta, kanë kohë që e kanë mbyllur në dollap grindavecin për politikat ndaj teatrit, sepse, me sa duket, e majta dhe udhëheqësi i saj, do të jenë gjatë në pushtet.

© 2022 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] Ky shkrim ishte në të përfunduar kur Altin Basha u konfirmua drejtor i Teatrit Kombëtar dhe Ministria e Kulturës, prej pak ditësh, kishte shpallur thirrjen për drejtor të Teatrit Eksperimental.
[2] Fronti që mbronte idenë se, për të ndërtuar një teatër të ri, duhej prishur një ndërtesë historike, e llogariste mosmirëmbajtjen e objektit si një e keqe e parikuperueshme, jo si përgjegjësi e politikës indiferente. Edhe mungesa e kushteve higjienike në tualete ishte në morinë e mosmirëmbajtjeve. Në platformën për drejtor të TK-së, 2014, Hervin Çuli përmend që banjat në teatrin e vjetër nuk kishin letër higjienike. Nuk kanë as në ArTurbinën e 2022-shit.
[3] https://www.youtube.com/watch?v=-vBDfUPCdAg
https://www.youtube.com/watch?v=ZyvUot04VZk
https://bulevardionline.com/altin-basha-jemi-ne-fazen-kur-nuk-kemi-problem-produksionesh-teatrore-    por-te-menaxhimit-te-produkteve-nxitja-e-turneve-neper-rrethe-do-te-ndihmoje/
[4] Me vullnetin e qeverisë “Berisha” u krijua një institucion i ri, Teatri Kombëtar i Komedisë, në bazë të ligjit (2010). Pas ndryshimeve në ligj nga qeveria “Rama”, në vitin 2014 ndodhi kalimi në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
[5] INSTAT e shënon “shfaqje/premiera”, por e saktë do të ishte thjesht “shfaqje”. Krijohet përshtypja sikur teatrot kanë bërë namin me prodhim të ri. Për shembull, Teatri Kombëtar ka dy premiera për vitin 2021 (INSTAT-it i ka mbetur ora në komunizëm që TK-në e quan Teatri Kombëtar Popullor).
[6] Vendim i Bordit Artistik më 14.10.2019, protokolluar me nr.549
[7] “Punishtja dramatike 1” u mbajt në vitin 2017 nën drejtimin e shkrimtarit Stefan Çapaliku. Hera e parë që ndiqej një praktikë e tillë që ftonte këdo që mund të shkruajë një tekst dramatik. Nisur nga një fabul u shkruan vepra të mirëfillta dramatike. Tre autorë që vinin nga fushat e letërsisë, teatrit, filozofisë, punuan për disa muaj pranë Eksperimentalit. Prej këtej doli fituese “E vërteta e Marias”, dramë e autorit Lisandri Kola, e cila vu në skenë nga Besfort Idrizi.
[8] Përgjigjja e TKEKS-it dt. 30.11.2022, me nr.protokolli 715/1.
[9] Vendim bordi nr.2, dt. 22.11.2021, protokolluar me nr.208.
[10] Vendimi i Bordit Artistik për projektet artistike 2022, sipas zërave financiarë. Vendimi nr.4, dt.28.12.2021, protokolluar me nr.457:

1.“Të zhveshur, por bashkë”, regjisor dhe autor Leonard Bombaj, bashkëprodhim i “SIREA” Film dhe TKEKS. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 2 persona. Kostoja e projektit financuar nga TKEKS: 626,000 Lekë.
2.“Pak Pakt”, regjisor dhe autor Ledian Gjeçi, prodhim i TKEKS. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 5 persona. Kostoja financiare nga TKEKS: 1,054,000 Lekë.
3.“Pa zë”, regjia Klaudia Piroli, autore Norah Sadava dhe Amy Nostbakken, prodhim i TKEKS. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 1 person. Kosto e projektit financuar nga TKEKS: 450,000 Lekë.
4.“Dita më e bukur”, regjia Ledio Topalli, autor David Foenkinos, bashkëprodhim i shoqatës së artistëve të rinj të skenës dhe TKEKS, në kuadër të Pranverës së Frankofonisë 2022. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 1 person. Kosto e projektit financuar nga TKEKS: 510,000 Lekë.
5.“Dhimbje e lehtë”, regjisor Valdrin Hasani, autor Harold Pinter, bashkëprodhim i aplikantit dhe TKEKS. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 1 person. Kosto e projektit financuar nga TKEKS: 33,000 Lekë.
6.“Çimka”, regjia Zana Hoxha, autor Shpëtim Selmani, bashkëprodhim i TKEKS dhe Artpolis. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 1 person. Kosto e projektit financuar nga TKEKS: 2,540,000 Lekë.
7.“Kukulla”, regjia Elma Doresi, autor Miro Gavran, prodhim i TKEKS. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 4 Persona. Kosto e projektit financuar nga TKEKS: 940,000 Lekë.
8.“Përvjetori i ditëlindjes” – regjisor Besmir Bitraku autor David Eldrige.  Projekti është bashkëprodhim i shoqatës së artistike “Pulcinela”, TKEKS dhe Teatrit Kombëtar. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 4 persona. Kosto e projektit financuar nga TKEKS 1,200,000 Lekë.
9.“Luka” – autor dhe regjisor Klejdi Meta. Prodhim i TKEKS për fëmijë. Artistë të angazhuar nga TKEKS – 2 persona. Kosto e projektit financuar nga TKEKS 551,250 Lekë.
10.“Lulet e Idës së vogël” – autor dhe regjisor Shegushe Bebeti. Prodhim i TKEKS për fëmijë. Artitë të angazhuar nga TKEKS – 2 persona. Kosto e projektit financuar nga TKEKS 596,000 Lekë.

[11] Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike
[12] Të njëjtat principe dhe kërkesa vlejnë edhe për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë
[13] “Në vitet gjashtëdhjetë në Institutin e Lartë të Arteve përpiqeshin të zbërthenin dhe zbatonin sistemin e Stanislavskit, ndërsa sistemi i Brehtit nuk njihej. Sistemi i stanislavskit bazohej në parimin e psikologjisë krijuese të aktorit dhe regjisorit.” Drita Agolli, “I paemri – Kujtime”, Tiranë, Albin, 1997, f.301.
[14] Vit kur del në dritë “Hapësira boshe” e Peter Brook-ut, përkthyer nga Sesilia Plasari. Botimi hapi serinë “Kolana e të mësuarit”, nismë e Teatrit të Metropolit me Kiço London drejtor. Vijoi me “Teatrin e varfër” të Grotovskit përkthyer nga Mehmet Xhelili, i cili ka sjellë dhe “Sistemin” e Stanislavskit (2018). Botohet “Arti i aktorit” nga Stela Adler (2018), përkthim i Adriana Tolkës dhe së fundi “Actor’s Studio” i Strasbergut (2020), përkthyer pjesërisht nga Andon Pano në vitet ’70 dhe pjesa tjetër nga Alert Çeloaliaj, i cili përgatiti dhe botimin. Nga Eugenio Barba ka ardhur në shqip “Kanoa prej letre” përkthyer nga Romeo Kodra.
[15] Në shkrimin “Ëndrra që ka lexuar kryeministri”, Shekulli, 2010, përshkruaj se si u prezantua për herë të parë në publik ideja për krijimin e Teatrit të Komedisë.
[16] “Teatri eksperimental nuk është as zhanër, as lëvizje artistike. Është një koncept për përpjekjet indviduale heterogjene, që nuk përfaqësojnë asnjë unitet estetik dhe nuk i ngjasojnë asnjë shkolle. Dallohet nga teatri i avangardës. Nocioni i teatrit eksperimental (ose i kërkimit) është shumë më i ri. Nuk ka vokacion as komercial dhe as për publik të gjerë. I vetmi princip themelor i tij është pretendimi për inovacion sistematik duke përmbysur të gjitha kodet. Brehti flet për teatrin eksperimental në një konferencë në vitin 1939.” Michel Corvin, Dictionnaire Encyclopédique du Théâtre, Bordas, Paris, 1995, p.340.
[17] Zyra e shtypit i ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, kur u përgjigjej reagimeve kundër për Teatrin Eksperimental, e përmendte Kujtim Spahivoglin “si një martir i teatrit shqiptar, që u ekzekutua nga diktatura sepse guxoi të eksperimentonte idetë e tij liberale, është nder për çdo artist që do të ngjitet në atë skenë”. Spahivogli nuk u ekzekutua. U dëbua nga Tirana dhe u dënua me punë të detyruar fizike.
[18] “Fryma liberale u ndje në regjisurë dhe spektakël dhe në përgatitjen e talenteve të reja në shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Mosiu” që drejtohej nga Bardhyl Kosova – dekani i parë i saj – Piro Mani, Esat Oktrova, Kujtim Spahivogli që kishin studiuar në Moskë. Po edhe Drita Agolli, Andon Pano, Andrea Malo, Xhemal Broja, Mihal Luarasi. Në mendimin kritik dhe estetik, biseda, debate, dallohen Xhemal Broja, Mihal Luarasi, Kudret Velça që mbaheshin si brehtian dhe Kujtim Spahivogli i stanisllavskian.” Mexhit Prençi, “Drama dhe spektakli i ndaluar”, Tiranë, Ombra GVG, 2010, f. 305.
[19] Në një nga emisionet e mia televizive, 2018, i kam trajtuar këto çështje si kërkesa që duheshin përmbushur me kalimin e Akademisë së Arteve në Universitet i Arteve.  Këtu dhe këtu mund të gjeni raportet e fundit mbi Universitetin e Arteve.
[20] “Ky zë nuk u realizua pasi nuk pati kërkesë nga ana e fakulteteve për prodhim librash dhe publikimesh profesionale në funksion të kërkimit shkencor.”
[21] http://www.uart.edu.al/media/Analiza%20vjetore%20e%20UART%202019-2020.pdf
“Stafi akademik që mbulon formimin teorik me lëndë të fushës së teorisë së artit ka vazhduar edhe në vitin shkollor 2019-2020, përpjekjet për rritjen e nivelit të përmbajtjes së leksioneve. Kjo përpjekje është realizuar nëpërmjet futjes së një një literature bashkëkohore që ndihmon rritjen me njohuri bashkëkohore të studentëve të artit skenik. Standartet cilësorë të mësimdhënies në lëndët teorike kërkojnë rritjen e peshës së shfrytëzimit të bibliotekës nga studentët. Më gjithë rritjen e prezencës së bibliotekës, madje edhe bibliotekës online, ende duhet vazhduar përpjekja për të pasuruar më tej brendinë e leksioneve në lëndët teorike… Rritja e vazhdueshme e infrastrukturës dhe mjediseve më të përshtatshme për zhvillimin e orëve mësimore teorike, ngelet gjithnjë përparësi për të ndihmuar një mësimdhënie sa më efektive.”
[22] Në raportet e Univeristetit të Arteve është për të qeshur e për të qarë prezantimi i aktivitetit krijues të pedagogëve nga Artet Skenike. Disave iu llogaritet si aktivitet krijues edhe angazhimi politik me shkrime në gazeta e portale.
[23] Majakovski, Re në pantallona, përkthim i Faslli Halitit
[24] Arkapia ; Altin Basha: Ministria e Kulturës një mullar me gabime injoranca, Teatri Kombëtar totalisht i izoluar dhe poshtërues me regjisorët
[25] Fjalët e Kiço Londos ndërsa i dorëzonte detyrën Altin Bashës si drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental.

 

(c) Elsa Demo, Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

(Imazhi në kopertinë shkëputur nga kjo video. Credits @arditistefi)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin