Pjesa e dytë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.
Edhe pse libri i ndaluar mund të ishte i palexueshëm, i shkruar keq, pa virtyt estetik, sërish fati i tij do të përcaktohej nga marrëdhënia që kish vendosur me autoritetin; dhe shkrimtari, po t’i mbijetonte përndjekjes, do të ndihej pastaj krenar për ndalimin; sepse ndalimi është edhe ai një lloj vëmendjeje, një lloj pranimi i forcës që të ka vepra, një lloj konfirmimi nga një autoritet përndryshe suprem.
Me t’u dënuar me ndalim, vepra letrare transferohej praktikisht e tëra në politikë, duke u shndërruar në armë.
Çfarë i jep një farë relevance, në mos urgjence pyetjes se çfarë ka humbur letërsia, në ato kultura ku librat nuk ndalohen më; ose të paktën nuk i ndalon censura dhe autoriteti shtetëror a religjioz; dhe autorët nuk i persekuton kush, edhe kur “shkelin në dërrasë të kalbur.”
Nga ana tjetër, libra të ndaluar sot janë librat që nuk lexohen, jo sepse censura është shfuqizuar, por ngaqë është bërë tejet eficiente; duke i lënë që t’i djegë indiferentizmi ata libra të cilëve, në një kohë tjetër, do t’u kish vënë zjarrin në mes të sheshit.
Indiferentizmi dhe kulti i argëtimit, por edhe snobizmi i elitave të nginjura, ua ka hequr veprave letrare mundësinë për të rrezikuar drejtpërdrejt pushtetin dhe autoritetin; dhe ata shkrimtarë që dje rrezikonin burgun, internimin dhe përbaltjen publike, sot thjesht nuk merren seriozisht.
Gjithsesi, e për t’u kthyer te Gjykatorja e vitit 1948, librat e prekur nga ky vendim dhe vendime të tjera që dilnin periodikisht përfunduan në një limb, sa kohë që heqja e tyre nga qarkullimi nuk mund të realizohej e plotë. Mbetën në bibliotekat private, krahas shumë librave të huaj që ishin shitur në Shqipëri para Luftës, dhe filluan të përcillen dora-dorës dhe me kujdes, mes kureshtarëve dhe të eturve për diçka “ndryshe”. Ashtu mbaj mend të më ketë rënë në dorë libri Tregime të çuditshme, i Edgar Poe-s, të cilin brezi im e njihte vetëm nëpërmjet poezive që ia kish përkthyer Noli; i botuar besoj në vitin 1944, libri ish përkthyer nga Haxhi Kroi (!), të cilin në Tiranë e njihnin si sekretarin personal të Enver Hoxhës. Nuk ishim mësuar me këtë lloj letërsie “horror”, dhe as ishim të përgatitur për të mbajtur distancën e duhur nga çfarë rrëfehej atje; prandaj edhe përjetimi ishte visceral, i ngjashëm me çfarë pata ndier, kur kisha parë në TV të parin film mirëfilli horror në jetën time, Halloween të John Carpenter. Nuk prisnim nga letërsia emocione të tilla.
Në Shqipërinë e viteve 1920-1940 ishin ngritur edhe një numër bibliotekash, që erdhën duke u pasuruar me botime të huaja dhe dhurime private; pas Luftës, këto botime iu kaluan enteve shtetërore dhe përfunduan në Bibliotekën Kombëtare por edhe në biblioteka të tjera institucionesh. Vlerësimi i tyre ideologjik kërkonte kohë – por eventualisht një pjesë e tyre u lejuan të qarkullojnë relativisht pa pengesa. Kur isha unë student i Filologjikut, në fund të viteve 1970, shkoja shpesh te Biblioteka e vjetër, në rrugën e Elbasanit, ku mund të tërhiqja libra të vjetër, në gjuhët që lexoja (anglisht, frëngjisht, italisht) me temë nga gjuhësia, historia dhe kultura.
Dallimi aq delikat, edhe pse ndonjëherë mizor, mes librit të vjetër dhe librit të vjetruar më shpie sakaq tek e ashtuquajtura Bibliotekë e Vjetër në Tiranë, me selinë të Rruga e Elbasanit; dhe te fondi i saj i mistershëm, plot libra të ndaluar e të ndalueshëm. Mund të tërhiqje atje tituj, me kartën e Bibliotekës Kombëtare; dhe kureshtarët e skedarëve të indeksit i gjenin ato që dëshironin, duke rrëmuar në autorë të errët, përtej së mirës dhe së keqes, por gjithsesi të një bote që regjimi i Hoxhës i kish kthyer krahët, madje aq sa edhe të mos e luftonte hiç.
Mbaj mend që kam gjetur atje ndonjë libër të Cesare Lombroso-s, kriminologut italian që e revolucionarizoi në kohën e vet psikiatrinë e burgjeve dhe që brezi im e njihte falë teorive të tij për “tipat” e kriminelëve; dhe pikërisht një botim frëngjisht, L’Homme criminel – nuk e kishim luksin e të zgjedhurit të gjuhës atëherë. Më pas kam tërhequr ndonjë libër të Leibniz-it për gjuhët dhe gjuhësinë, edhe këtë në frëngjisht, meqë këtë autor e studionim nga pak në lëndën e Historisë së Gjuhësisë së Përgjithshme; por më tepër më ngacmonte mundësia që mund të lexoja një tekst që ishte në zonën “gri”, as i rekomanduar as i ndaluar, më shumë i harruar nga censura ose i gjykuar si i padëmshëm. Një shok imi, që lexonte gjermanisht, thoshte se kish gjetur deri edhe libra psikanalize në atë gjuhë, por që përdornin fontin fraktur, të cilin atëbotë e njihnim edhe si “alfabet gotik” dhe që ishte i vështirë për t’u shkoqitur; dhe mbase prandaj i kishin shpëtuar censorit.Librat e Leibniz-it, përveçse të botuara shumë herët, i mbaj mend për vulat e bibliotekave private, me emra njerëzish të njohur të kulturës e të politikës të Tiranës së Paraluftës; dhe sidomos për faqet e paprera.
Ndonjë nga ata që po i lexojnë këto radhë mbase nuk e di se çfarë janë faqet e paprera te një libër – sepse teknologjia e tipografisë tani ka ndryshuar. Por dikur librat prodhoheshin nëpërmjet proceseve mekanike të qepjes dhe të palosjes, prandaj i vinin lexuesit me faqe të ngjitura, që duheshin prerë. Kish madje thika të posaçme për këtë punë; por edhe çdo thikë mund të bënte punë, madje edhe vizorja. Pa ia prerë faqet, librin nuk mund ta lexoje; prandaj faqet e paprera dëshmojnë se atë libër nuk e ka shfletuar kush. Duhet të ketë një farë solemniteti, në mos privilegji, që t’ia presësh faqet një vepre kapakfortë të Leibniz-it a të Max Mueller-it; dhe të dish se je i pari që po ia merr virgjërinë. Me kusht që edhe ti ta lexosh, pasi ta kesh përfunduar prerjen. Ky ritual – prerja e faqeve – shënjonte një hap më tej, në zbutjen e librit afrimin e tij me lexuesin.[1]
Po unë, a e lexova? Disa pjesë, patjetër; më shumë se pesë faqe por pa arritur te faqja e fundit. Fati im, që Leibniz-i kish shkruar shumë dhe shpesh në frëngjishte; tek e fundit, në atë gjuhë janë edhe letrat e tij “shqiptare”. Në atë kohë nuk e kisha shumë të qartë se pikëpamjet e Leibniz-it për gjuhën, gramatikën dhe historinë e gjuhës ishin tejkaluar, dhe se vepra e tij kish nevojë për aparat kritik që të lexohej. Por mbaj mend edhe që, më shumë se teksti, më mahniste ideja që po mbaja në dorë një vepër kaq të vjetër, në mos historike; dhe që mund të komunikoja me të siç e kish shkruar autori.
Kushedi ç’politikë kishte Biblioteka e Vjetër, për librat me faqe të paprera: a lejohej që prerjen ta bënte lexuesi? Apo duhej kërkuar ndërhyrja e autoriteteve? Aq më tepër për libra ndoshta me vlerë antikuare, që prerja shkeleshko (imja) mund t’i dëmtonte? Jam i sigurt që ka akoma, në fondet e Bibliotekës së Vjetër, vëllime të tilla, në pritje të thikës; dyfish të virgjra, sepse nuk i ka lexuar kush dhe as i ka prerë kush. Ndoshta kufiri mes librit të vjetër dhe librit të vjetruar ka diçka të bëjë me këtë virgjëri, të zgjatur përtej epokës së lexueshmërisë së librit; aq sa të ketë ardhur koha kur të futësh thikën mes fletëve është si të ndërtosh një restorant sufllaqesh në mes të një teatri antik. Aq më tepër që sot botime të tilla si ato të Leibniz-it i gjen në versione të reja, kritike, të freskëta, të komentuara; dhe nuk ke nevojë të vesh dhe të trazosh origjinalet.
Dhe këtu vjen e më mundon pyetja se sa për qind e librave të shtypur mbeten pa lexuar – që nga ata në magazinat e botuesve dhe të librarive, tek ata në bibliotekat personale dhe ata të tjerët, në raftet e bibliotekave personale dhe kudo tjetër, ku ekspozohen librat si sende fizike. Në SHBA më ka qëlluar shpesh të blej libra “të përdorur”, zakonisht prej atyre që i shesin bibliotekat për të hapur vend në raftet; shumica e tyre janë të paprekur. Një pjesë e këtyre, që e gjejnë rrugën drejt bibliotekës sime, mbeten sërish të paprekur. Përfytyroj këtë qarkullim të marrë librash, që ndërrojnë mjedise, rafte dhe duar, katalogohen dhe çkatalogohen, udhëtojnë me kamionë dhe mushka, dhurohen dhe ri-dhurohen, por pa u lexuar; e vetmja shpresë e tyre, që t’u prehen kockat në paqe, është të fillojë t’i mbulojë pluhuri.
Tani ka njerëz, edhe në Shqipëri, të apasionuar pas librave të vjetër – si koleksionistë bibliofilë, si snobë, si tregtarë ose edhe thjesht si kureshtarë. Ky pasion i tyre harmonizohet mirë me kultin tonë të së vjetrës – ose me bindjen, beninje por pak naive – se në çdo libër ka nga pak Gjon Buzuk. Më duket një lloj rrëmbushjeje absurde, përballë objekteve të tilla si ky manual i recepturës, ose edhe djagaçët e ndryshkur të Enciklopedisë Sovjetike, që ende janë të parkuar në raftet. Çfarë mund të bësh me to? E shumta, libra të tillë të moshuar mund t’i shfletosh, me shpresën se mund të gjesh aty brenda, fatlumësisht, një memento: një pusullë, një lule të tharë, një fije floku, një njollë gjalpi, një shënim me dorë në anë të faqes. Një shenjë, sado të papërfillshme, të njeriut.
Që nga dita kur shteti hodhi në dorë monopolin e botimit dhe të shtypshkrimit, çdo libër që nuk ishte botuar në një shtëpi botuese a shtypur në një shtypshkronjë shtetërore gjykohej automatikisht si i dyshimtë dhe nuk mund të qarkullonte lirisht. Por njerëzit kishin ende plot libra të ruajtur në bibliotekat private, në shqip dhe në gjuhë të huaj, dhe qarkullimi i këtyre mund të kontrollohej disi, por jo të pengohej krejt. Po aq të dyshimtë, në parim, ishin edhe librat që filluan të hyjnë, në vitet 1970, nga Kosova, sidomos përkthime autorësh këndej nga ne të ndaluar dhe të demaskuar në shtyp, nga Dostojevski te Kafka; por këto në Shqipëri sikur nuk i lexonin dot, ose të paktën nuk u jepnin kënaqësi në lexim, sepse u duhej të mundoheshin për t’i shijuar. Ndoshta përkthimet ishin të dobëta (siç dyshoj unë), ndoshta ligjërimi modernist kërkonte një lloj tjetër impenjimi nga lexuesi, ndoshta intertekstualiteti ishte i vështirë për t’u identifikuar, ngaqë kontaktet letrare dhe kulturore mes të dy anëve të kufirit pothuajse nuk ekzistonin. E njëjta gjuhë shqipe, por e ligjëruar nga subjekte që nuk komunikonin dot mirë mes vedi, ngaqë të zhytur në mjedise ende të pabashkëmatshme.
Nga ana tjetër, librat në gjuhë të huaj – në çdo gjuhë të huaj – duheshin parë si subversivë në parim, pavarësisht nga përmbajtja dhe autori. Deri edhe një libër i Marksit në frëngjisht ose në italisht mund të raportohej. Një shoku im mezi arriti të kalojë, në doganë, veprën e plotë të Antonio Gramsci-t; censorët ideologjikë, në kufi, mbase nuk e dinin që Gramsci ishte nga filozofët marksistë të miratuar; mbase u ishin dukur si shumë kopje të së njëjtës vepër, të trafikuar në Shqipëri për t’u shitur në tregun e zi. I njëjti shok më pat treguar si, gjatë një kontrolli kufitar në një port të Jugosllavisë i kishin ndaluar një libër të historianit latin Tit Livi (italisht: Tito Livio), për ta pyetur se ç’thuhej në atë libër për Titon. Në thelb, njerëzit duhej ta zbatonin vetë censurën ndaj librit dhe t’i ndalonin po vetë librat që ishin për t’u ndaluar. Dikush që kishte ende në bibliotekën familjare një Biografi të Mussolini-t, shqip a italisht, nuk mund të ishte aq mendjelehtë, sa t’ua rekomandonte miqve të vet për ta lexuar; pritej prej tij që librin ta asgjësonte vetë, ose të paktën ta fshihte me kujdes. Tek e fundit, organet e Sigurimit të shtetit interesoheshin më shumë për qarkullimin e një libri subversiv, i cili mund të ndihmonte për të krijuar e shumëzuar “armiqtë”, se për thjesht zotërimin e atij libri. Ngaqë im atë ishte mjek psikiatër, ne kishim në shtëpi shumë vepra të Freud-it dhe të psikanalistëve të tjerë me zë, të cilët kishin hyrë në Shqipëri “me autorizim”; por unë nuk do të guxoja ta merrja një libër të tillë me vete në shkollë, për t’ua treguar të tjerëve.
Një kategori tjetër librash “gri”, të cilët nuk ishin as të ndaluar, as plotësisht të miratuar për qarkullim, përfaqësohej nga botime të para viteve 1964-1967, të cilat ishin edhe vitet kur u formalizua në kulturë ndarja e madhe ideologjike me sovjetikët dhe nisi i ashtuquajturi “revolucionarizim” i jetës së vendit, që përfshinte edhe luftën kundër fesë dhe asgjësimin e klerit dhe të kulturës fetare në Shqipëri. Deri në fillim të viteve 1960 ish botuar shumë letërsi e përkthyer, me tituj kryesisht nga ata të miratuarit për lexuesin sovjetik – duke shfrytëzuar kështu punën dhe njohuritë dhe përgjegjësitë e censorëve të librit në Moskë dhe gjetiu në Bashkimin Sovjetik. Sovjetikët në vitet 1950, veçanërisht pas vdekjes së Stalinit dhe fushatës së de-stalinizimit, kishin synuar të miklonin e të bënin për vete intelektualët e majtë në Perëndim, duke i ftuar të vizitonin Bashkimin Sovjetik dhe duke i përkthyer në masë; këtu kishin kontribuuar edhe lidhjet e shumta kulturore mes hebrenjve në Perëndim, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara, dhe atyre sovjetikë. Ky realitet kompleks, dhe shpesh i pakuptuar mirë, do të bëhej i huaj për Shqipërinë e viteve 1960 e më pas; dhe, paralelisht, një numër i madh titujsh të botuar te ne para “prishjes” me sovjetikët do ta shihte legjitimitetin e vet të vënë në dyshim. Kam dëgjuar njerëz që më kanë thënë se deri edhe tituj si I fundmi i mohikanëve (nga James Fenimore Cooper) Një tragjedi amerikane dhe Gjeniu (nga Theodore Dreiser) konsideroheshin tashmë si “të ndaluar”; gjë që, në ato kohë, thjesht donte të thoshte se qarkullimi i tyre kish nevojë të miratohej rishtas, mundësisht nëpërmjet një ribotimi. Duke e thjeshtuar kriterin e ndalim-qarkullimit deri në skaj, le të themi se të miratuar ishin vetëm ata libra që shiteshin aktualisht në librari – të tjerët mund të ishin me probleme.
Gjysmë të ndaluar ishin edhe librat e autorëve që sikur nuk gëzonin më besimin e pushtetit –si Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci, që studiohej vërtet në shkollë, por veprat e tij poetike nuk i shihje librarive. Kish autorë të tjerë që nuk i gjeje më, sepse kishin gabuar politikisht (si Bilal Xhaferri), edhe pse jo pikërisht me çfarë kishin shkruar; këtu do të futja edhe kosovarin Kapllan Resuli, që pati sukses të madh me romanin Tradhtia, por pastaj përfundoi në burg, i akuzuar si agjent i UDB-së. Suksesi, në raste të tilla, nuk ofronte kurrfarë garancie; madje mund ta rëndonte edhe më statusin e veprës dhe të autorit vetë.
Edhe diçka tjetër që më kujtohet mirë, nga muaji kur, student i vitit të tretë në universitet, punova si “mësues kandidat” i letërsisë, në shkollën e mesme Sami Frashëri, e njëjta që kisha ndjekur para pak vjetësh. Pashë një nga nxënëset që po i jepte shoqes së vet ca fletë me vjersha të dorëshkruara; e pyeta se çfarë ishin dhe m’u përgjigj kështu: “janë poezi të pabotuara të Ismail Kadaresë.” U bëra kurioz dhe e mora fletën ta lexoj – ishin në fakt poezi më shumë dashurie, të nxjerra nga vëllimi Shekulli im i vitit 1961, dhe të kopjuara nga një dorë kaligrafike, e denjë për temën dhe reputacionin e autorit. Atë vëllim të hershëm nuk e gjeje në librari, as e kishin ribotuar, ndoshta në pritje të autorizimit për ta pastruar nga disa gjëra sovjetike që kish brenda. Ajo vajza me siguri nuk e kish pasur kurrë në dorë dhe teksti i dorëshkruar i dukej “ndryshe” – meqë Kadareja i “Shekullit tim” vërtet tingëllon tjetërlloj nga ai i poemës “Shqiponjave që fluturojnë lart”, që na kërkonin ta mësojmë përmendësh në shkollë, për të mos folur për “Këngën e millonait”. Vajza i quante “të pabotuara”, sepse nuk gjente dot fjalë tjetër, për një lloj letërsie që dukej sikur kish ardhur, të paktën përgjysmë, nga një univers alternativ dhe tani për të manifestohej si dorëshkrim; ishin mbase të pabotuara, sepse nuk u ngjanin poezive që kërrente në ato vite “Drita” dhe, aq më tepër, poezive model të Realizmit Socialist, me oxhaqe dhe shtylla tensioni, që analizoheshin me zell, në 1981, në shkollën e mesme. Për shkak të kontrollit të rreptë ideologjik, botimi i një teksti tani nuk ishte aq datë, sa performativ që duhej kryer – dhe që kryhej vërtet rishtas – sa herë që teksti merrej në dorë në publik. Duke u privuar nga përmasa kohore dhe nga vetë ideja e “dikur-it”, letërsia e Realizmit Socialist çlirohej nga kalendari i kontingjencës historike dhe e kryente edhe më mirë misionin e vet ideologjik, si aktualizim i së domosdoshmes.
[1] Borges-i, që thoshte për veten se “si lexues jam më i mirë se si shkrimtar”, megjithatë ia pohoi Osvaldo Ferrari-t, në një intervistë, se “kam frikë se nuk kam lexuar asnjë libër nga fillimi në fund, me përjashtim të ca romaneve dhe Historisë së filozofisë perëndimore, nga Russell-i.” Dhe më tej: “Gjithnjë them se autori im i preferuar është Thomas de Quincey, dhe ja ku i kam 14 librat e tij. Dhe kur të vdes, do të merret vesh që shumë nga faqet e këtyre librave të mi të preferuar janë të paprera.”
Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.