Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PSE CASTIGAT (IV)

Në krahasim me edhe vetëm gjysmë shekulli më parë, letërsia shqip – të paktën në Shqipëri – ka ndryshuar fort, dhe jo vetëm në tematikë: përqendrimi në temat është tipik për një lloj kritike sipërfaqësore, sociologjike, që e gjykon veprën letrare në perspektivën e funksioneve të saj utilitare: edukative, patriotike, gjuhësore e kështu me radhë. Madje, atyre që ende e ushtrojnë këtë lloj kritike (zakonisht ngaqë nuk dinë më shumë) do t’u thoja se zhurma për tematikën shpesh vetëm sa mbulon idenë – tashmë të diskredituar – se letërsia ndryshon dhe rinovon veç në atë masë që pasqyron “realitetin” që evoluon. Por ato ndryshime në të bërit letërsi shqip, për të cilat e kam fjalën, kanë lidhje – të paktën për mua si autor – me intertekstualitetin; dhe pikërisht me faktin që, sa më “të lexuar” të jenë autorët dhe publiku, aq më e pashmangshme bëhet prania e veprave të mëparshme në veprat e krijuara rishtas; dhe që sot vetëm një naiv mund të kujtojë se bën letërsi të pafajshme, që nuk merr parasysh se çfarë është bërë tashmë. Për ta ilustruar këtë ide me një shembull: nëse të gjithë e kanë lexuar Çehovin, atëherë ti si tregimtar nuk i shmangesh dot, madje edhe sikur ta refuzosh estetikën e atij autori; edhe sikur ti të vendosësh ta shpërfillësh, Çehovin do ta gjejë në tregimin tënd lexuesi. Intertekstualiteti letrar nuk është vetëm bezdi, a diçka për t’u negociuar me kujdes nga autori, madje as rreshtim i vetëdijshëm i autorit me këtë apo atë shkollë, qasje, stil dhe përpjekje letrare (“unë jam modernist!”) por edhe përftesë mirëfilli estetike; dhe nuk e kam fjalën për pastiche-in ose parodinë, por për atë tjetrën, që shumë vepra letrare nuk shijohen dot mirë, pa marrë parasysh marrëdhëniet e tyre me vepra të tjera, paraprijëse. Një shembull mes shumëve: “Uliksi” i Joyce-it në raport me Odisenë e Homerit; por edhe letërsia distopike, anti-totalitare e shekullit XX, në raport me “Procesin” e Kafkës. Aq e vërtetë është kjo, sa shumë lexuesve që, për arsye të ndryshme e kanë zbuluar Kafkën vonë, u është lexuar “Procesi” si vepër e njohur, e pritshme, madje e domosdoshme.

Megjithatë, në shekullin XXI as autori as lexuesi nuk mund të mjaftohen me intertekstualitetin mirëfilli letrar; sepse trysnia e diskurseve të treta – politike, mediatike, e rrjeteve sociale, e reklamave – është aq e fortë, sa i ka shpërthyer barrierat mbrojtëse të narrativave personale dhe tashmë po i flet subjektet, duke i ndërtuar si fragmente të grand narrativës së Rrjetit. Duke përfituar edhe nga arritjet teknologjike, pushtetet nuk kanë lënë hapësirë të ligjërimit publik pa e nginjur me diskursin e tyre: mjaft të hysh në një stacion metroje çfarëdo, në NYC, për t’u rrethuar nga qindra tekste, që nga udhëzimet si të lëvizësh, te rregullat për t’u ndjekur, ftesat për të denoncuar sjellje të dyshimta, këshillat mjekësore, reklamat dhe zërat e shtrupëzuar, që japin informacion për sistemin vetë. Deri edhe shkallët lëvizëse (eskalatorët) kanë gjëra për të të thënë, madje të urojnë ditë të bukur. Edhe politika nuk mbetet prapa: televizioni, faqet online, portalet dhe mediat sociale marrin e rimarrin, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, narrativat që u duhen, madje edhe duke i kombinuar në mënyrë domethënëse. Ky pandemonium diskursiv, i thjeshtuar sipas parimit të emëruesit më të vogël të përbashkët në mënyrë që të manipulojë një numër maksimal subjektesh, synon – në analizë të fundit – të disiplinojë sjelljen e masës, duke i vënë njerëzit në rresht dhe duke induktuar sinkronizim të proceseve mendore (të ngjashëm me çfarë ndodh në stadium, kur shënohet goli). Edhe ngjarjet e mëdha të ditës – si vrasja e një fëmije ose një aksident me shumë të vdekur – narrativizohen dhe përcillen me synimin për të sinkronizuar reagimet e publikut anonim, duke e stërvitur këtë publik që të mendojë në mënyrë kolektive. Letërsia vërtet që nuk është e detyruar t’i ndjekë këto narrativa dhe as t’u bëjë jehonë, por edhe nuk mund t’i shpërfillë, sa kohë që u drejtohet lexuesve tashmë të kushtëzuar nga diskurset sunduese (dominante). Dilema e autorit është e njëjtë me dilemën për të shkruar në gjuhën amtare – sa kohë që gjuha nuk është vegël neutrale, por sjell me vete një estetikë, madje edhe një etikë, me të cilën autorit gjithnjë i duhet t’i bëjë llogaritë. Ashtu ndodh edhe me “gjuhën” e diskursit mediatik – nëse ti si autor refuzon që ta flasësh, me bindjen se ajo është e huaj për letërsinë që kërkon të bësh, do të përfundosh i folur prej saj. Përkundrazi, nëse autori gjykon se ka një rol për të luajtur, në riprodhimin e lirisë së fjalës brenda hapësirës së komunikimit publik, atëherë herët a vonë do ta mishërojë këtë rol jo aq duke ndërhyrë drejtpërdrejt në këtë hapësirë publike si zë i pavarur, intelektual publik, etj., sa duke e parë veprën e vet si kundër-narrativë, ose si alternativë të narrativave të pushtetit. Në fakt, jo dhe aq shumë gjëra kanë ndryshuar, sa i takon rolit të letërsisë, në krahasim me vitet e totalitarizmit dhe të realizmit socialist; atëherë shkrimtarit i kërkohej të ishte ndihmës i Partisë për edukimin e masave punonjëse, por sot i kërkohet të marrë një qëndrim, në raport me narrativat e normalizuara të pushtetit (politik, ideologjik, ekonomik, kulturor): a do t’i bëjë këto narrativa të vetat dhe të kurorëzohet si shkrimtar “oborri”; a do t’i injorojë dhe të vihet në dispozicion si makinë riprodhuese e narrativave jo-letrare që i shërbejnë në fakt statu quo-së; apo do të angazhohet në krijimin dhe mirëmbajtjen e kundër-narrativave, duke përpunuar një diskurs mirëfilli letrar si alternativë ndaj totalitarizmit mediatik.

Te CASTIGAT jam përpjekur që ta bëj timin këtë rol të subversionit intertekstual, kryesisht nëpërmjet dekonstruktimit të diskursit zotërues (dominant) – gjithë duke mbajtur parasysh se ky diskurs dominant ka trupëzuar në vete edhe një pjesë të traditës letrare, sidomos të asaj me valencë kombëtariste. Është një përftesë që e pata përdorur rregullisht te “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit”, për të larë hesapet me shqipen totalitare dhe zhargonin totalitarist të enverizmit; edhe pse tanimë më e vështirë për t’u bërë zap, në rrethanat e një diskursi sundues të super-mediatizuar, që ka arritur ta shndërrojë pluralizmin e subjekteve në kakofoni dhe instrument të censurës.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kjo është pjesa e katërt dhe e fundit e kësaj eseje. Pjesët e tjera mund të lexohen këtu (I), këtu (II) dhe këtu (III).

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin