Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Folklor / Histori

EFEKTE TË FABRIKIMIT NË KULTURË

Anglishtja forgery (literalisht, “farkëtim” ose “fabrikim”, term ky i fundit që po e përdor në këtë shkrim në mungesë të një alternative) shënjon aktin e krijimit të një kopjeje ose imitimi të një dokumenti, nënshkrimi, sendi, bankënote ose vepre arti, me qëllimin për ta paraqitur si origjinalin; ose objektin që rezulton nga ky akt.[1] Mund ta sillja në shqipe si falsifikim, edhe pse as ky shqipërim nuk është pa probleme.

Ç’peshë kanë pasur dhe kanë këto fabrikime në kulturën dhe vetëdijen historike shqiptare? Këtu më poshtë do të përmendim disa të tilla, pa pretenduar t’i kemi zbuluar vetë.

Figurina të fabrikuara për t’iu shitur dorazi turistëve që vizitojnë sajtet arkeologjike të Shqipërisë. Hat tip: Iris Pojani.

Zakonisht, kur përmendet dukuria, njerëzit kujtojnë se bëhet fjalë për ikonat ose gjetjet “arkeologjike” që u shiten turistëve si autentike, por që nuk janë të tilla. Statusi i këtyre objekteve nuk ka të bëjë me karakteristikat a vetitë e tyre, por me pretendimet e atyre që i zotërojnë.

Por lëmi i veprimit të “fabrikimeve” shtrihet shumë më gjerë.

Deri edhe për dokumentin e parë të shqipes së shkruar, Formulën e Pagëzimit të vitit 1462, ka ndonjë studiues si Ilia Karanxha që dyshon se është i rremë.

I njëjti studiues, ka argumentuar se Marin Barleti nuk ia ekzistuar si autor, dhe veprat që i atribuohen këtij janë, në fakt, të Marin Beçikemit.

Disa vite të shkuara, u përhap lajmi se një studiues yni, prof. dr. Musa Ahmeti, pat zbuluar (në “arkivat e Vatikanit”) një libër shqip të shekullit XIII (vitit 1210), të dorëshkruar nga një Theodor Shkodrani.

Kur e dha sihariqin, Ahmeti botoi edhe fjalinë e fundit të këtij dorëshkrimi:

“Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t’ Lummnummitt ZOT e mbaronjj n’Vitte MCCX dittn ee IX t’ Mmarxxitee” – THEODOR SSCODRAANNITTEE.”

Bota shqiptare e priti këtë me entuziazëm (me gjithë disa rezerva të shprehura aty-këtu, mes të cilave edhe prej meje); por Ahmeti nuk e botoi kurrë dorëshkrimin që pat zbuluar. Një numër filologësh dhe historianësh profesionistë mendojnë sot se Theodor Shkodrani nuk ekziston, sikurse nuk ekziston as dorëshkrimi i tij.

Kjo nuk e bën dorëshkrimin në fjalë fabrikim(sepse që diçka të jetë “fabrikim”, duhet të ketë ekzistencë materiale, jo thjesht diskursive), por – e shumta – e nxjerr në dritë të keqe studiuesin që e pretendoi këtë zbulim. E vetmja gjë mirëfilli e “fabrikuar”, në këtë mes, do të ishte pasazhi i cituar më lart.

Përkundrazi, falsifikim i mirëfilltë do të ishte Historia e Skënderbeut e një Giammaria Biemmi, botuar në vitin 1742, dhe që u përdor në mirëbesim nga disa historianë të mëvonshëm, përfshi Fan Nolin. Biemmi pretendonte se e kish bazuar veprën e vet te një vepër e botuar në Venedik, në 1480, nga një bashkëkohës i Skënderbeut, por të cilit nuk ia kish gjetur dot autorin, prandaj iu referua pastaj si Antivarino.

Sipas historianit rumun F. Pall që ka shkruar për këtë, të dhënat për Kuvendin e Lezhës (1444), betejën e Torviollit (1444), betejën e Drinit me venedikasit (1447), paqen me sulltan Mehmetin (1451), incidentin në dasmën e Mamicës (1447), tradhtinë e Gjergj Stres Balshës (1456) e plot të tjera duhen konsideruar si fantazira të Biemmi-t.[2]

Vepra e Barletit për Skënderbeun, nga ana e vet, mund të përmbajë më tepër ekzagjerime dhe sajesa se ajo e Biemmi-t, në mos shpikje të autorit; por nuk është as mund të jetë fabrikim.

Është vendi të kujtojmë se edhe për armët e Skënderbeut, që ruhen në Vjenë, është thënë se mund të jenë fabrikime. Pa hyrë në meritën e asaj polemike, mbase duhet shtuar se, me çdo objekt të rrallë e të çmuar, rrezikun e të qenit “fabrikim” nuk e ndan dot nga dyshimi se mund të jetë i fabrikuar.

Studiuesi arbëresh Matteo Mandalà ka analizuar një numër fabrikimesh dokumentare, që i përkasin historisë së hershme të ngulimeve arbëreshe.[3]

Edhe autenticiteti i materialeve të hershme folklorike shqip është vënë në dyshim, sa herë që pasaktësitë atje rezultojnë prej qëllimeve të mbledhësit për t’i paraqitur materialet ashtu siç nuk janë.

Kështu, De Rada mund të ketë vënë dorë, në mos rishkruar disa prej Rapsodive të tij; dhe e njëjta “akuzë” bëhet edhe për Thimi Mitkon në anën tjetër të Adriatikut.

Ajo që mund të ketë bërë De Rada ka pika të përbashkëta sa me ossianizmin, aq me dëshirën për t’ua dhënë shqiptarëve një të kaluar të lavdishme.

Të plota, këngët arbëreshe për Skënderbeun u botuan për herë të parë nga De Rada, në vitin 1866, nën titullin “Rapsodi të një poeme arbëreshe të mbledhura në kolonitë e zonës së Napolit”. Është fjala për tetë këngë, me titujt “Trimi dhe vasha”, “Motra e Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe Miloshini”, “Martesa e Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe Ballabani”, “Vjehra e keqe”, “Skënderbeu dhe Vdekja”, “Vdekja e Skënderbeut.”

Siç vëren studiuesi arbëresh Francesco Altimari, i pari që e vuri në dyshim origjinën popullore të rapsodive të De Radës ishte Gustav Meyer-i, në 1883, i cili gjithashtu hoqi i pari një paralele me këngët e Ossianit. Edhe August Dozoni, shton Altimari, ka shprehur dyshime të ngjashme.[4]

Dhimitër S. Shuteriqi gjykon se këto këngë nuk janë “autentike,” por këngë të rëndomta dashurie të përhapura në gjithë Ballkanin bizantin dhe ku Skënderbeu është futur gati si një afterthought.

Disa këngë të tjera, përkundrazi, tregojnë se kush i ka krijuar, ka njohur Barletin dhe Biemmi-n (p.sh., në njërën prej këngëve, gruaja e Skënderbeut del me emrin Marina, siç e quan Biemmi); çka konfirmon se këngët nuk mund të jenë “popullore”.

Po ashtu, te “Skënderbeu dhe Ballabani”, poeti anonim përsërit disa motive të marra nga Barleti, të cilat Barleti vetë dihet se i kishte marrë madje kopjuar nga Tit Livi.

Disa prej këngëve kanë paralele të forta me epikën mesjetare greke, veçanërisht me atë akritike. Aty përmenden edhe emra vendesh të Moresë, prej nga mërguan drejt Italisë një pjesë e madhe e arbëreshëve.

Shuteriqi beson se këngët arbëreshe për Skënderbeun pjesërisht janë këngë popullore standard, të retushuara nga autorë të lëçitur, të cilët kanë shtuar aty Skënderbeun; dhe pjesërisht janë shkruar prej këtyre autorëve, sidomos De Radës.[5]

Edhe një poemë gegnisht e titulluar “Zani i kasnecave”, që pat qarkulluar në botime të ndryshme me natyrë albanologjike të shekullit XIX dhe më pas, u trajtua për një kohë të gjatë si e shekullit XVI. Ata që e (ri)botuan, dhe që ishin të shumtë, përfshi albanologë perëndimorë dhe autorë arbëreshë, e identifikuan si të mbledhur nga goja e popullit, por studimi i vargut dhe i strofës së përdorur – njëmbëdhjetërrokësh, me skemën strofike ababcc – nuk do të linte shteg për dyshime: bëhej fjalë për një vepër të një autori të kultivuar, madje të familjarizuar me letërsinë italiane. Ky tekst, edhe pse i vyer, u manipulua lirisht nga një botim në tjetrin, aq sa është sot praktikisht e pamundur të rindërtohet ndonjë version autentik.[6]

Studiuesit të sotëm i mjafton një strofë nga kjo vjershë, për të kuptuar se nuk bëhet fjalë për tekst folklorik, por – e shumta – për tekst të “folklorizuar”, ose të “oralizuar”, me origjinë një autor të kultivuar:

Eni, djelmtë e mi, dhanduert e dashtnisë,
eni t’ju shtrëngoj me mallë në krahnuer,
se pa ju kishim mbetë gjithë të robnisë,
kishim bjerrë erz e kishim mbetë të shtruer!
Eni e pushoni n’krahnuer tem e u msoni
fmive tu se sa jeni trima e si luftoni![7]

Një motiv tjetër, që do t’i ketë nxitur mbledhësit e teksteve të këngëve popullore të prekin ndonjëherë thellë materialet folklorike para botimit, ka të bëjë me dëshirën e tyre subjektive për t’i pastruar këto materiale, p.sh. nga fjalët e huaja, si ato turke, sikurse ua diktonte synimi ideologjik (p.sh. Rilindja Kombëtare).

Personalisht, dyshoj se edhe një pjesë e këngëve të Eposit të Veriut, të botuara herët, janë lëmuar e pastruar prej mbledhësve të tyre.

Ky lloj fabrikimi do gjykuar si ndërhyrje edhe artistike në origjinal, pa çka se u shkakton dëm të madh studimeve që i marrin materialet për të mirëfillta, sa kohë që shumë studiues u qasen këtyre teksteve me bindjen se ato janë autentike.

Falsifikimit gjithnjë i duhet, herët a vonë, t’i bëjë llogaritë me etikën; ai që gdhend në gur një kokë “ilire” për ta shitur në Apolloni nuk është detyrimisht mëkatar se ai që falsifikon një dokument historik, për t’ia përshtatur një politike ose një ideologjie të momentit.

Kështu, fotoja e Enver Hoxhës, anëtar i delegacionit nga Gjirokastra, që mban fjalimin për Çerçiz Topullin dhe Muço Qullin, në Shkodrën e vitit 1936, shembëllzon fabrikimin tipik për regjimin totalitar. Personat e dëbuar me retushim nga ballkoni i Bashkisë kanë qenë non grata për vetëdijen publike të kohës. Fotoja gënjen duke thënë një të vërtetë, dhe pikërisht se Hoxha ka qenë vërtet te ballkoni.


Dokumentet historike të falsifikuara, subjekte fabrikimesh gjatë viteve 1945-1990, janë me mijëra – që nga raportet e Kongreseve te Veprat e Plota të Enver Hoxhës dhe botime të tjera dokumentare. Mbase nuk do të gabonim, po të arrinim në përfundimin se çdo dokument historik i asaj kohe, me sado pak vlerë “performative”, përcjell një gënjeshtër, sepse vetëm ashtu i ka shpëtuar zhdukjes.

Meqë jemi fokusuar te kultura, le të tërheqim vëmendjen te një fakt relativisht i njohur, por fare pak i përmendur: angazhimin sistematik të poetëve “profesionistë” në hartimin e teksteve të këngëve popullore të Festivaleve Folklorike Kombëtare, në vitet e regjimit totalitar. Këta poetë e “dhuronin” anonimitetin e tyre, me urdhër nga lart.

Në thelb, vullnetin për të ndërhyrë te një dokument, objekt a vepër çfarëdo nuk duhet ta ngatërrojmë me lehtësinë me të cilën kryhet kjo ndërhyrje. Nëse edhe në kulturën e sotme shqiptare qasja ndaj fabrikimeve është tejet toleruese, në mos sipërfaqësore, kjo ndoshta shpjegohet me dy arsye të mëdha: (1) oralitetin, që vazhdon të sundojë në kulturën tonë dhe (2) de-sensitizimin ndaj rrenës publike, që ka ndodhur gjatë gjysmë shekulli totalitarizëm.

Sërish, skandal nuk është aq një fabrikim aty-këtu, sa gatishmëria për t’iu falur këtij ekspedienti, në emër të një qëllimi të gjykuar si “të denjë”, p.sh. besimi se një tekst i shqipes së lashtë bëhet më “autentik”, po të pastrohet nga fjalët e huaja, ose besimi tjetër se Theodor Shkodrani në mos qoftë, u sajoftë, sa kohë që i shtyn mbrapa në kohë fillimet e shkrimit shqip.

Në lëmin e arkitekturës, meriton të përmendet Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, vepër e përuruar në vitin 1982, në thelb një obelisk në trajtë ndërtese, që në disa sajte turistike dhe udhërrëfyes për Shqipërinë, po paraqitet tani si “kështjella e Krujës”. Edhe këtu kemi të bëjmë me një quasi fabrikim, meqë askush nuk ka pretenduar ndonjëherë, nga arkitektët dhe autoritetet përkatëse, që Muzeu është në ndonjë farë mënyre, vazhdim i një kështjelle mesjetare; por edhe askush nuk është dëgjuar të protestojë për identifikimin. Aq më tepër që, në vetëdijen turistike të shqiptarit sot, kështjellat dhe fortesat ngatërrohen rëndom, aq sa fortifikime osmane të rëndomta, të trajtohen si kështjella që i kanë treguar gjoksin “pushtuesit”. Por në raste të tilla, më shumë se me fabrikime, kemi të bëjmë me plaçkitje të historisë.

Nga pikëpamja juridike, vlerësimi i fabrikimeve është kompleks; një falsifikim që bëhet për qëllim fitimi ose mashtrimi ordiner ka status të ndryshëm nga falsifikimi për arsye “ideologjike”. Edhe një ekspert që paguhet për të lëshuar një certifikatë autentifikimi të rreme, për t’ia rritur vlerën një objekti (p.sh. një ikone) nuk mund të gjykohet njëlloj si ai eksperti tjetër, që mbyll një sy ose hesht, para një absurditeti arkeologjik, që kolegu e përdor – bie fjala – për të argumentuar se një rrënojë ose një ornament janë ilire, jo romake.

Implikimet shtrihen edhe në financimin e studimeve: asnjë institucion publik shqiptar nuk do të ishte gati që të mbështeste, financiarisht, analizën e një – të themi – shpate të Skënderbeut, nëse ekziston mundësia që kjo analizë ta nxjerrë shpatën si “fabrikim”.

Fabrikimet për qëllime “të nalta”, ose të tilla që u shërbejnë drejtpërdrejt vlerave të përbashkëta të një komuniteti (p.sh. vlerës që ka “origjina e lashtë” e një sendi, një dukurie, një zakoni, një praktike ose një institucioni), priren të zënë vend dhe të rezistojnë, edhe në qoftë se zbulohet se janë fabrikime (debunked).

Formulën e Pagëzimit askush nuk guxon ta heqë nga kryet e kalendarit të shkrimit shqip, edhe pse argumentet e Karanxhës janë bindëse; historinë e Skënderbeut të Biemmi-t e gjen edhe sot të trupëzuar në gjithfarë rrëfimesh dytësore për heroin tonë kombëtar, sepse atë histori të Nolit, ku ky mbështetet te Biemmi, nuk e vë në diskutim kush; Rapsoditë “e mbledhura” nga De Rada vazhdojnë të përdoren lirisht si prova për trashëgiminë kolektive të ngulimeve arbëreshe në Itali.

Theodor Shkodrani e ka çarë rrugën për të zënë vend deri edhe në Enciklopedinë Britanike (shih insertin përbri), në një zë të përgatitur nga Peter R. Prifti; në një kohë që edhe Robert Elsie i ka bërë vend në veprën Albanian Literature: A Short History.

Duket sikur këto sajesa, falsifikime dhe gënjeshtra, duke u bërë pjesë e traditës historiografike, filologjike, etj., fillojnë ta sekretojnë të vërtetën e vet të pakundërshtueshme, duke u mbështjellë me të, si krimbi i mëndafshit në pupë.

Ja ç’shkruan Oliver Jens Schmitt-i, për trashëgiminë e Biemmi-t në kulturën e sotme shqiptare:

Fati i falsifikimit biemmian tregon se ç’forcë të çuditshme mund të ushtrojnë rrëfime të caktuara kur ekziston një vullnet politik dhe kulturor për t’i besuar ato. Sado që historianë profesionistë të Ballkanit janë distancuar nga Biemmi, në shtresa të gjera të popullsisë por edhe në kulturën shtetërore të kujtesës (psh. në muzetë e Krujës dhe të Lezhës) fantazitë e priftit të talentuar lombard vazhdojnë të jetojnë si fakte historike.[8]

Efekti i këtij tolerimi të fabrikimit është paradoksal, sepse i relativizon edhe ato datime dhe njohuri që nuk janë të fabrikuara. Nëse vazhdojmë të pranojmë që Theodor Shkodrani është “autori i librit të parë shqip”, kjo rrit gjasat që edhe Meshari i Buzukut të jetë “fabrikim”; nëse vazhdojmë ta mbajmë Tanush Topinë si gjeneralin e fundit besnik të Skënderbeut, në bazë të rrëfimeve të Biemmi-t dhe jehonës që u dha këtyre Noli, atëherë kjo mund të tronditë dhe do të tronditë besueshmërinë e krejt kontekstit historik të atij hoax-i.

Në përgjithësi, fabrikimet që kanë zënë vend në traditën tonë kulturore dhe historiografike kanë natyrë tekstuale; ndryshe nga fabrikimet e objekteve që mund të kushtojnë shumë (përfytyroni fabrikimin e një dorëshkrimi mesjetar voluminoz), ato tekstuale kërkojnë më shumë kompetencë nga fabrikuesi. Të sajosh një armurë të rreme të Skënderbeut, dhe ta kalosh për autentike, kërkon investim të madh burimesh materiale dhe ekspertizë speciale; ndërsa një vjershë popullore për Skënderbeun mund të shkruash për një pasdite. Ka edhe shembuj ku fabrikimi individual i detyrohet një motivi meskin të autorit, por që pastaj artifakti është ngarkuar, nga ideologët, me mision sublim (rasti i Formulës së Pagëzimit, nëse është vërtet fabrikim). Dija jonë kombëtare preferon t’u rrijë larg këtyre sfidave dhe ta shmangë verifikimin e akuzave për fabrikim; çfarë tregon edhe se ajo nuk do ta arrijë dot pjekurinë si dije, sa kohë që e toleron diskursin kombëtarist si diskurs dominant. Mu për këtë arsye, përpjekje tejet profesionale, si ato të Matteo Mandalà-së në veprën e cituar, duan përshëndetur si kasnecë të një fryme të re në albanologji.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi, edhe i pjesshëm. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Për analizën semiotike të farkëtimeve (forgeries) jam mbështetur tek Umberto Eco, I limiti dell’interpretazione, La Nave di Teseo, 2016, 3.4 Falsi ed interpretazioni.

[2] Kristo Frashëri, Skënderbeu, Jeta dhe vepra, Botimet Toena, Tiranë 2002.

[3] Te Mundus vult decipi: mitet e historiografisë arbëreshe, Botimet Naimi, Tiranë 2016.

[4] Francesco Altimari, Mbi figurën e Skënderbeut në letërsinë gojore arbëreshe, Studime Filologjike 1980, 2.

[5] “Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë”, artikull i vitit 1949, i botuar në vëllimin Nëpër shekujt letrarë, 8 nëntori, Tiranë 1973.

[6] Dimitër S. Shuteriqi, Mbi datimin dhe autorësinë e “Zanit të kasnecave”, Studime Filologjike, 1976, 2.

[7] Cituar sipas tekstit që sjell Shuteriqi, në burimin më lart.

[8] Schmitt, Oliver Jens, Skënderbeu, K&B, Tiranë 2008.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë