Pas çështjeve drejtshkrimore, dhe lidhur fort me këtë edhe statusi i standardit, çështja më e rëndësishme nga pikëpamja e interesit të publikut sot është “mosha e shqipes” dhe “vendi i shqipes në raport me gjuhët e tjera të botës”. E përcaktuar kështu, me sintagmat e diskursit shkencor dhe me mënyrën se si ne i parashtrojmë dijet për shqipen në auditorët universitarë, nuk po them atë që, në fakt, publikut i intereson apo e zbavit më shumë. Publiku sot shpreh interes e njëherësh e zbavit uniciteti i shqipes, karakteri i saj i pashoq, dhe mundësia e saj për të shpjeguar gjithçka. Përdora fjalën “zbavit”, sepse të kuptuarit e shpejtë dhe zbërthimi fëtefët i karakterit të ndërlikuar të një thellësie të padepërtueshme, siç është parahistoria e një gjuhe, e tërheq shumë publikun amator, sikur të ishte duke zgjidhur një fjalëkryq.
Po e nis paraqitjen time të librit Përrallëtarët e gjuhës shqipe të Ardian Vehbiut (Naimi, 2024) me një ngjarje personale: isha e ftuar në burgun e lagjes “Mine Peza” për të folur në një orë edukative për historinë e shkollës shqiptare dhe pasi e mbarova prezantimin, ishte radha e të burgosurve për pyetje. Për habinë (por edhe mërzinë time) pyetjet të gjitha lidheshin me: “A është e vërtetë që shqipja është në gjendje të shpjegojë të gjitha gjuhët?”. Pas politikës, ky ishte debati më i nxehtë në burg. Një ish-emigrant nga Londra, me origjinë shkodrane, taksist në profesion, prej disa muajsh i zbaviste të burgosurit me rreshtat e librit Thoti fliste shqip i Xhusepe Katapanos. Kishte aq sukses me këtë, sa kishte nisur edhe vetë të zbërthente fjalë të gjuhëve të tjera me shqipen, dhe ua servirte në orët e ajrimit të burgosurve të tjerë. Ishte si një predikues fetar dhe nervozohej pas çdo kundërshtimi timin. Të burgosurit që dëgjonin ishin ndarë në 3 grupe: shumë e mbështesnin me pasion, capak ishin skeptikë dhe e ndiqnin me shumë kureshtje debatin, dhe pjesa më e shkolluar e të burgosurve (capak edhe ata) e shpërfillnin shkodranin gjuholog dhe e vinin në lojë. Aty kuptova se kisha përpara një mikrobotë të publikut shqiptar. Për fat të keq, edhe të auditorëve tanë në universitet.
Prej disa vitesh jam përpjekur të gjej mënyrën se si mund të paraqitet dija shkencore gjuhësore në klasë në atë mënyrë që të jetë në gjendje të demontojë gabimin që po pëlqehet. Arsyeja ka qenë se kam parë me shqetësim se një pjesë e ish-studentëve të mi ndjekin me qejf dhe pranojnë ligjërimet fantazmagorike të folkalbanologëve në lidhje me origjinën e shqipes dhe me mënyrën se si shqipja mund të jetë në gjendje të shpjegojë gjuhë të tjera të kësaj bote (në fakt vetëm fjalë të veçuara). Si shpjegohet që dija e mësuar në universitet nuk i ka pajisur me antidotën kundër gabimit dhe manipulimit të trilluesit? Si shpjegohet që ka profesorë të nderuar (në fusha të tjera të studimit) që mbështesin gabimin shkencor në gjuhësi dhe madje shpjegojnë pikëpamje të tyre në auditor, në librat e tyre dhe para publikut me trillime të imagjinatës së tyre? Para disa vitesh lexova një nga librat më interesantë në fushë të filozofisë politike (kombëtariste), E pafilozofuara e prof. Hysamedin Feraj (Zenit Editions, 2011). Libri më entuziazmoi shumë atëherë, mendoj se është një tekst-traktat për një lëvizje të përhapur politike sot ndër shqiptarë. Dhe në faqe të këtij libri lexon: “Rënia nga mesi i shek.XIV i perandorive dhe mbretërive bizantine, serbe, bullgare etj…, i la shqiptarët pa logosin që u jepte kuptimin e vetes. Në një kaos, hapësirë, domethënë në humnerë. Në të dy kuptimet që ka kjo fjalë në shqipen: si humbje në terr, në errësirë, hum(b)n’errë, edhe si humbje në erë, hum(bë)n’erë.” (f.129-130) Dhe më tej filozofi vijon të shpjegojë figurën që ia dha zbërthimi që ai vetë ia bëri fjalës, sipas fantazisë së vet. Një paragraf i tërë me këtë shpjegim. Nuk është i vetmi rast ky, e bën këtë edhe me fjalën “autokton” (autokto(a)në prej “k’to-anë”, f.122), ose “skandal” diku tjetër. Krijon një argument nga një analizë e gabuar e fjalës në shqip.
Si mund të “shërohet” mjedisi universitar nga kjo përhapje e gabimit shkencor, e mbështetjes së një arsyetimi shkencor mbi një gabim? Si mund të “shërohet” opinioni publik nga ky deformim që prodhon edhe pikëpamje të gabuara kolektive? Vetëm duke shpjeguar në mënyrë sistematike dije të historisë së gjuhës shqipe, por edhe të gjuhësisë së sotme (sinkronike), të cilat si parime mund të përdoren për të njohur dhe përjashtuar gabimin. Dhe me aq sa unë e njoh kurrikulën universitare të programit të gjuhësisë shqiptare, nuk ka asnjë kurs që të “shënjestrojë”, në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë mënyrë të gabuar të qëndrimit ndaj shqipes. Kurset tona synojnë parashtrimin e njohurive shkencore sipas disiplinave përshkruese që studiojnë sistemin dhe strukturën e shqipes, por edhe të përdorimit të saj. Por, me sa duket, paska ardhur koha që të kemi edhe një kurs me një, si të thuash, apologjetikë sistematike të gjuhësisë.
Dhe unë mendoj se vlera më e madhe e këtij libri është se na paraqitet si një apologjetikë sistematike e shkencës në përgjithësi dhe e gjuhësisë shqiptare në veçanti. Një libër ku parashtrohet një METODOLOGJI e dekonstruktimit nga pikëpamja gjuhësore e arsyetimit të gabuar dhe një MËNYRË se si dija gjuhësore e parashtruar në një kurrikulë universitare të mund të ketë një tjetër finalitet – mbrojtjen e karakterit shkencor, të vërtetën që është arritur të zbulohet deri më tani dhe udhën drejt kësaj të vërtete.
Artikujt “Sharmi i etimologjisë”, “Masivizimi i etimologjisë”, “Dy artikulimet dhe lineariteti gjuhësor”, “Fjalët shqipe – lista dhe përdorime”, “Menyja albanologjike” janë një parashtrim i mënyrës se si mund të përballet dija shkencore me alternativEn e shumëllojtë tejet të pranishme në mediet tona dhe në diskutimet publike për gjuhën.
Kështu, analiza e fjalës duhet të fillojë nga shqyrtimi i strukturës trajtëformuese dhe fjalëformuese të fjalës në shqipe, duke nisur nga struktura që ka fjala sot, duke ndjekur analizën strukturore që përdoret në gjuhësinë e sotme dhe gjedhet strukturore të fjalës. Në këtë analizë duhet bërë dallimi mes njësive të niveleve të ndryshme (të artikulimeve), të njësive me kuptim (rrënja, parashtesa, prapashtesa, tema) dhe të atyre pa kuptim (fonema/tingulli) me funksione të ndryshme brenda strukturës së fjalës. Po ashtu fjala duhet parë brenda kontekstit të vet (në shoqëri, grupin shoqëror që e përdor, mjedisin e veçantë që shenjon, koha kur përdoret etj.).
Njëherësh me këtë paraqitje të metodologjisë se si mund të demontohet gabimi, analizohet gjerësisht në libër mënyra joshkencore e qasjes ndaj gjuhës e lëndës gjuhësore të turboalbanologëve a folkalbanologëve, analizohen gabimet logjike të arsyetimeve të tyre, gjykohet produkti që sjellin (që në të vërtetë nuk e sjellin) për gjuhën dhe kulturën shqiptare, heterogjenitetin e prurjeve që i karakterizon dhe shpërfilljen, në të vërtetë, të përmasës historike në analizë e metodë.
Sipas autorit, “… etimologjizimi – siç kuptohet sot – është gjithnjë ZBULIM (theksimi im, TT) i procesit të shndërrimit të një fjale në rrjedhë të kohës, në formë dhe në kuptim; çfarë përfshin edhe ndriçimin e shkaqeve të ndryshimeve që ka pësuar fjala, sërish në formë dhe në kuptim”. Kurse etimologët popullorë synon “të SENDËRTOJNË (theksimi im, TT) një etimologji të fjalës, nëpërmjet aftësive TË TYRE (theksimi im, TT) rrokjezuese, kombinative dhe asociative, ose në bazë të zotësisë për të pikasur identitete a ngjashmëri formale mes dy a më shumë fjalëve, brenda një gjuhe ose midis gjuhëve të ndryshme”. Kështu autori vjen me të drejtë në përfundimin se ajo që u intereson këtyre etimologëve popullore nuk është shqipja, zbulimi i historisë së saj, njohja e ligjësive të saj të zhvillimit dhe funksionimit të strukturës së saj. “…Në të gjitha këto orvatje, shqipja përdoret si madhësi e njohur; ndërsa albanologjisë i intereson pjesa e panjohur e shqipes dhe e historisë së shqiptarëve, jo e njohura!”. Shkurt, nuk u intereson ta njohin shqipen më mirë, por të dëshmojnë superioritetin e saj mbi të tjerat, në një kohë që shkenca e gjuhësisë i ka vlerësuar që në fillim të gjitha gjuhët me të njëjtën vlerë dhe interes shkencor.
Në libër kemi edhe një oponencë të monografisë Shqipja dhe sanskritishtja, të Petro Zhejit, në dijeninë time e para që kryhet prej një studiuesi për këtë vepër. Isha studente kur e pashë për herë të parë në librari librin me këtë titull shumë tërheqës për një që sapo kishte nisur të studionte gramatikën historike. Shkova tek profesori i historisë së gjuhës (profesor Albert Riska) dhe ia tregova titullin e librit dhe më kujtohet shpjegimi i shkurtër dhe bindës për anakroninë e atij libri dhe të atyre ideve. Nuk iu afrova më dhe as pata kureshtje. Kuptova se rruga e shkencës kishte një drejtim tjetër.
Mirëpo para pak muajsh pashë një veprimtari kushtuar atij libri me njerëz të nderuar dhe profesorë nga fusha të tjera, të cilët i thurnin lavde punës së Petro Zhejit. Në fakt, nuk është e para herë që njerëz mblidhen dhe lëvdojnë libra që nuk i kanë lexuar, ose nëse i kanë lexuar nuk i kanë kuptuar, por veç nderojnë autorin dhe emrat që lidhen me të. Unë e vlerësoj guximin e autorit për të shkruar një oponencë të tillë dhe për t’i dhënë kulturës sonë një qëndrim shkencor dhe kritikë për të tillë libra që po botohen në sasi aq sa botojnë edhe institucionet tona shkencore. Guxim në një kohë kur asnjë institucion shkencor nuk e vlerëson si punë të vetën leximin kritik të librave të tillë dhe asnjë specialist i historisë së gjuhës (për ata pak që kanë mbetur në gjuhësinë shqiptare, shumë pak, aq më tepër në universitete) nuk shprehet publikisht (konferenca, media etj.) për këtë prurje të kulturës shqiptare.
Mungesa e vlerësimit, kritikës, analizës së vërtetë prej mjedisit shkencor (universitar etj.) të produktit shkencor brenda e jashtë sistemit është një faktor tjetër që e ka ushqyer këtë sukses mediatik të folkalbanologjisë apo folkgjuhësisë. Dhe ky libër i Ardian Vehbiut e mbush një zbrazëti dhe u jep përgjigje pyetjeve të studentëve e dashamirëve të shqipes që e dyshojnë vlerën e këtyre ideve, por nuk janë të pajisur me argumentin bindës.
Një tematikë tjetër që autori e ka sqaruar mirë e bukur në libër, është “mosha e shqipes” dhe raporti i saj (apo më mirë raporti ynë) me ilirët dhe ilirishten. Duhet thënë se nga pikëpamja epistemologjike, diskutimi për çështjen e origjinës së gjuhës ka dalë (përjashtuar) nga fusha e gjuhësisë që në fund të shek.XIX. Që me Sosyrin, i cili e deklaroi në Kursin e vet çështjen e origjinës së gjuhës si “joshkencore” për gjuhësinë, gjuhësia ka synime të tjera. Lënda dhe detyrat e gjuhësisë vërtet ripërcaktohen me çdo drejtim e shkollë shkencore në këto dy shekujt e fundit, por ato largohen nga spekulimi, arsyetimi për një realitet ku mungon fakti, është i pamundur vëzhgimi, hulumtimi dhe nuk i shërbejnë së tashmes me asgjë.
Leximi i këtij libri e pajis dashamirin e shqipes, studentin e gjuhësisë me një metodë se si mund ta demontojë gabimin dhe të mbrojë mënyrën shkencore se si e bën këtë demontim. E ndihmon të përdorë njohuritë bazike nga kurse edhe të gjuhësisë sinkronike, për më tepër të gjuhësisë diakronike, si mjet analize e kritike. Ky libër duhet të nxisë ata që merren me hartimin e kurrikulave universitare të kuptojnë nevojën e studentëve, studiuesve e intelektualëve të ardhshëm për njohuri të shkencës së gjuhësisë shqiptare, veçanërisht të atyre që studiojnë shkencat humane (histori, arkeologji, sociologji, pedagogji, antropologji, etnologji, filozofi, gazetari etj.). Por edhe ne që merremi me mësimdhënien universitare të gjuhësisë duhet ta pajisim studentin me dijen e domosdoshme që ai/ajo të qëndrojë në karakterin shkencor të dijeve mbi gjuhën dhe për të dekonstruktuar informacionin alternativ nga folketimologët.
Dhe, si për ironi, për këtë libër kaq të vlefshëm duhet të falënderojmë edhe ata, më guximtarët e përrallëtarëve, të cilët kanë dialoguar në distancë dhe dialogojnë e ftojnë në debat publik gjuhëtarë, akademikë, studiues të shqipes.
Dhe ky libër është një provë (e tharët) se sa e rëndësishme është në një shoqëri liria e fjalës, edhe kur ajo është e çartur dhe e ngjyer në marrëzi. Sepse kështu do të mund të thellohemi edhe më shumë në të vërtetën, të ripërcaktojmë synimet dhe detyrat tona shkencore dhe të njohim edhe më mirë atë që na intereson më shumë – shqipen.
© 2024 Teuta Toska. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: një version i këtij teksti u lexua, nga autorja, gjatë prezantimit zyrtar të librit Përrallëtarët e gjuhës shqipe, në selinë e Akademisë së Shkencave, Tiranë.
Nga KAVALIOTI I PAFAN (IV) Peizazhe të fjalës 17 Dhjetor 2017, them të sjell një vlerësim të autorit për Xh. Lloshi e Sh. Rama “…. edhe dijetarë dhe studiues profesionistë dhe kompetentë, si të dy këta, vazhdojnë t’i japin përparësi ideologjisë ndaj objektivitetit, në çështje të historisë dhe të historiografisë; madje deri në atë masë sa të meritojnë të studiohen ata vetë, për këto qëndrime.” Them se qëndrimi duhet të klasifikoi edhe përrallat fetare në mres të studiuesve.