Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antropologji / Kulturë / Shkencë / Sociologji

DRITËHIJET E HISTORISË DHE SFIDAT E SHOQËRISË

nga Albert Doja

Debati i ditëve të fundit mbi dritëhijet e historisë lidhur me tipare “të pazbuluara” për figura të tilla si Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk është një çështje e re. Gjatë qëndrimit tim në Harvard në vitin 2017-2018, jam takuar me Agron Alibalin aty rreth tetorit 2017 për një drekë pune në Harvard Faculty Club ku ai më ka treguar një seri dokumentesh që kishte zbuluar, duke më kërkuar mendim mbi lidhjet agjenturore të intelektualëve shqiptarë në mërgim. Disa muaj më parë, në Mars 2017, Salih Mehmeti kishte botuar tashmë në portalin Konica.AL dokumente që tregojnë se si figura të tilla si Martin Camaj dhe Hasan Kaleshi janë rekrutuar dhe kanë punuar në strukturat subversive të shërbimit sekret jugosllav (UDB),[1] ndërsa shkrimi i Agron Alibalit mbi inteligjencien shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë botohet tek Peizazhe të Fjalës në Janar 2020 pa e identifikuar Martin Camaj me emër.[2] Por mund të thuhet se shkrimi i fundit në këtë vazhdë, botuar nga Auron Tare tek Peizazhe të Fjalës,[3] riprodhon të njëjtat dokumente dhe me përjashtim të ndonjë hollësie apo saktësimi të rastit nuk sjell asgjë të re që nuk dihej më parë. Megjithatë, pikërisht tani, ky shkrim ka hapur një debat publik që duket se ka mbërthyer arenat e nxehura të mediave të shkruara, vizuale e portuale, i cili është bërë edhe më i nxehtë nëpërmjet jehonës që ka përftuar në rrjetet sociale. Sidoqoftë, autorët ndoshta duhen përgëzuar për këto shkrime të mirëdokumentuara që mund dhe duhet të kishin hapur një debat intelektual me më shumë interes.

Për fat të keq, ky debat ka marrë një karakter thelbësisht anti-intelektual, në kuptimin që nuk ka krijuar mundësi të prodhojë ide. Debati publik është reduktuar në një kundërvënie midis partizanëve të shurdhët që luftojnë me çdo kusht për të bërë të ditur idenë e tyre për drejtësinë e mohuar apo të vërtetën e amshuar. Në këtë kuptim, pikësynimi i vetëm i këtij debati është të dënojë e të poshtërojë trashëgiminë politike e morale, komuniste apo kolaboracioniste, si dhe të vlerësojë e të idealizojë kontributin e përfytyruar kombëtar, historik apo kulturor, intelektual, artistik apo shkencor të këtij apo atij protagonisti. Kjo do të thotë përqendrim në trajtimin dhe paraqitjen e çështjes në fjalë në përputhje me ndjenjën personale se si duhet të jetë e drejta dhe e vërteta, ku nuk kemi të bëjmë me ekzaminim faktesh e të dhënash por thjesht me konfirmim bindjesh. Ky lloj partizanizmi ideologjik ka pasoja të dëmshme intelektuale që pengojnë prodhimin e ideve pavarësisht se sa dhe si pretendimet vërtetohen nga provat apo konfirmohen nga bindjet.

Në parim, partizanët e drejtësisë dhe të së vërtetës marrin me shumë zell një qëndrim që është haptazi anti-intelektual, meqë ruajtja e pastërtisë ideologjike mbetet boshti kryesor i punës dhe i jetës së tyre. Për ta, çdo shkrim, çdo media, çdo koment është një mundësi për të treguar virtytin e tyre, që në shumicën e rasteve është kombëtarist ose kulturalist. Kjo e shndërron diskutimin në një debat të shurdhët, pasi është e vështirë për këdo që t’u kthehet atyre me ndonjë koment kritik pa e treguar veten se është komunist, antikomunist, kolaboracionist, kombëtarist apo krahinarist, anti-katolik apo anti-verior. Në një terren të lartësuar ideologjik, është e lehtë të mbrosh qëndrimin që ke zgjedhur pa qenë nevoja të bazohesh në fakte e të dhëna të logjikshme apo të pakundërshtueshme. Në fund të fundit, faktet nuk kanë asnjë rëndësi, ato mund të minimizohen pa problem dhe të konsiderohen të pasakta, selektive apo të pakontekstualizuara. Në këto kushte, nëse dikush kërkon të vërë në dyshim këtë lloj qëndrimi ideologjik, ky ose ajo nuk tregon veçse që është në krahun e gabuar ideologjik. Kështu mund të hidhet poshtë pa hezitim çdo lloj shkrimi apo argumenti, autori i të cilit mund të akuzohet se është i njollosur politikisht e moralisht, nga ideologjia komuniste, antikombëtare, anti-krahinore apo anti-klerikale. Në fund të fundit, nga dikush që konsiderohet se është i keq apo i njollosur asgjë me vlerë nuk mund të pritet por veç makinacione dashakeqëse. Prandaj sharjet dhe fyerjet personale (ad hominem) nuk kanë munguar edhe në këtë debat. Për partizanët ideologjikë, kjo u thjeshton jetën dhe i bën të kërkojnë dhe të diskutojnë vetëm me mendje që kanë të njëjtën mendje. Madje edhe një historian profesionist, pa u interesuar për përmbajtjen e fakteve por me sa duket i verbuar nga bindjet ideologjike, mund të shkojë deri aty sa të akuzojë Auron Taren se i ka konsultuar dosjet arkivore në mënyrë të paligjshme! Sikur kjo të kishte rëndësi për çështjen në diskutim.

Në vështrim të parë mund të duket e çuditshme, madje e pabesueshme, por e njëjta gjë mund të thuhet, në parim, edhe për ekspertët teknicistë që synojnë të dëshmojnë praninë apo mungesën e këtyre apo atyre fakteve të pakundërshtueshme që nuk shterojnë asnjëherë. Për këta, kjo do të thotë përqendrim në evidentimin e fakteve dhe të dhënave të pakundërshtueshme, ku qëllimi është që çështja të paraqitet në funksion të gjetjeve e të fakteve të grumbulluara. Por edhe në këtë rast qëndrimi është thelbësisht anti-intelektual, pasi interesi intelektual kufizohet me kërkimin dhe gjetjen e fakteve në dëm të angazhimit me idetë që mund të ngjallin këto fakte. Në këtë kategori hyjnë pa dyshim, siç e kam vënë në dukje me kohë, shumë studiues të kulturës popullore apo traditave kulturore që kufizohen me hulumtimin e të dhënave etnografike-folklorike të terrenit. por edhe historianë “profesionistë” që kujtojnë se e “vërteta” historike gjenden në burimet arkivore apo sociologë që rëndom pretendojnë se çelësi i “shkencës” qëndron tek faktet e nxjerra nga statistikat apo nga anketat dhe intervistat. Në çdo rast, ekspertët profesionistë që merren vetëm me grumbullimin dhe evidentimin e fakteve dhe të dhënave më janë dukur gjithnjë se ngjajnë me ata që Edmund Leach i ka quajtur “koleksionistë fluturash”, sidomos kur nuk shkojnë përtej përvojës tekniciste e empiriciste që pengon ato lloj hamendësimesh të frymëzuara për shpjegime dhe përgjithësime që mund të kapërcejnë të dhënat faktike.[4]

Kështu, për shembull, Auron Tare është akuzuar vazhdimisht se shkrimi i tij nuk është i bazuar në fakte të qëndrueshme por në aludime dhe hamendësime që dy rreshta më poshtë paraqiten si të vërteta historike të provuara. Po kështu edhe ai vetë vazhdimisht ka përsëritur, ndoshta me një modesti të tepruar, se shkrimi i tij nuk është studim, në kuptimin se nuk pretendon të tregojë të vërtetën apo të gjykojë figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Sipas tij, qëllimi i shkrimit të tij është thjesht të ngrejë disa pyetje që mund të ndihmojnë studimet e mëvonshme për të kuptuar më mirë këto figura. Në fakt, me përpjekjet e tyre të lavdëruara për të mbledhur dhe për të përshkruar faktet arkivore, ekspertët profesionistë kanë prirje të harrojnë se ajo që dallon imagjinatën intelektuale të punës kërkimore nuk është një përshkrim sado i plotë dhe sado i hollësishëm apo i mbështetur në fakte empirike dhe në hulumtime sado shteruese, por sa të rëndësishme dhe sa pjellore bëhen idetë e përftuara nga një studim për të shpjeguar përse gjërat janë ashtu si janë, si dhe për të kuptuar dukuri të tjera të ngjashme dhe gjithnjë e më të koklavitura.

Është folur dhe flitet shumë se kushtet e kohës kanë përcaktuar dhe mund të justifikojnë sjelljen e këtyre studiuesve, shkrimtarëve apo intelektualëve të përmendur, të cilët mund të jenë detyruar të veprojnë kundër vullnetit të tyre ose që mund të kenë vepruar të udhëhequr nga një ideal i lartë siç mund të jetë lufta kundër regjimit komunist apo në mbrojtje të një ideologjie tjetër imagjinare më të vlerësuar. Sigurisht, nuk është e mundur të mendosh thjesht që shkrimtari, studiuesi apo intelektuali nuk mund dhe nuk duhet t’i lejojë vetes të jetë pjesë e peizazhit politik në të cilin jeton e punon. Po ashtu është e papërshtatshme t’u tregosh atyre se çfarë duhet apo nuk duhet të trajtojnë në veprat e tyre letrare apo shkencore. Shpesh shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët janë të hapur për t’u angazhuar politikisht në problemet e shoqërisë ku jetojnë apo që studiojnë. Në fakt, nuk ka mundësi për askënd që të kryejë studime shkencore apo vepra letrare pa patur apo pa marrë një qëndrim publik e politik. Shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët janë gjithnjë e më shumë të interesuar për një angazhim publik, ndërsa kush këmbëngul se ata duhet të jenë politikisht neutralë, në rastin më të mirë mashtron vetveten por edhe të tjerët.

Me këtë rast, më e drejtë më duket paraqitja në hyrjen redaksionale nga Ardian Vehbiu për shkrimin e Auron Tares,[5] që fton për një debat intelektual lidhur me fatin e intelektualëve shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Diasporë, të cilët shpesh mbijetuan si figura publike vetëm nëpërmjet gjithfarë kompromisesh politike me autoritetet përkatëse, policore agjenturore e totalitare, nën trysninë e sponsorëve të ndryshëm “kulturorë” që ishin të interesuar për shërbimet e tyre jo detyrimisht kulturore.

Në fakt, problemi është shumë serioz. Shpesh studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët vendas apo të mërguar kanë kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen e politikës dhe administratës shtetërore, policore e agjenturore, për t’i siguruar vetes një pozitë të rehatshme akademike apo intelektuale. Në përgjithësi, suksesi fulgurant në Perëndim i një numri relativisht të madh studiuesish të famshëm nga Europa Lindore i detyrohet deri diku edhe flirtimit të tyre me shërbimet sekrete të vendeve nga vinin apo ku ishin vendosur.[6] Së fundmi, këtij numri i është shtuar edhe Julia Kristeva, studiuesja e njohur bullgare e vendosur në Francë në mes të viteve 1960, e cila është rekrutuar si agjente sekrete në qershor të vitit 1971 nga Sigurnost i regjimit komunist bullgar.[7] Kështu duket se ka ndodhur edhe me disa nga shkrimtarët e intelektualët e përmendur shqiptarë të mërguar në Perëndim, që janë përgojuar e janë persekutuar nga regjimi komunist i kohës dhe që sot janë rizbuluar e rivlerësuar, shpesh edhe janë idealizuar, si Ernest Koliqi apo Martin Camaj. Me shumë gjasë, “kjo lagje studiuesish informatorë siguronte mbështetje edhe për avancim në karrierat e tyre akademike, si dhe merrte mbështetje e ndihmë të prekshme përmes financimeve e sponsorizimeve të ndryshme”.[8]

Në debatet e sotme midis partizanëve ideologjikë dhe ekspertëve profesionistë flitet shumë për ndarjen e qëndrimeve politike nga veprat letrare apo shkencore të protagonistëve. Për këtë qëllim bëhen edhe krahasime me figura të shquara të letërsisë apo filozofisë botërore si Ezra Pound dhe Martin Heidegger, edhe pse një krahasimi të tillë mund t’i qëndronte vetëm Ismail Kadaré si një figurë e letërsisë shqiptare me përmasa botërore.[9] Nga pikëpamja e sociologjisë së veprës, impakti kulturor i Ernest Koliqit apo Martin Camajt, pavarësisht nga vlerat letrare e artistike sado të vlerësueshme e të rivlerësuara, ka qenë dhe do të mbetet vetëm një impakt margjinal e lokalist, i kufizuar në një cep të Ilirisë së Poshtme. Sigurisht, nëse ka prej tyre ndonjë impakt kulturor, ky nuk mund të jetë veçse në fushën e zhvillimit institucional të studimeve albanologjike, përderisa Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ishin titullarë të albanologjisë, përkatësisht në Universitetin e Romës në vitet 1939-1970 dhe në Universitetin e Mynihut në vitet 1965-1990.

Nëse është kështu, atëherë problemi shtrohet njëlloj edhe për studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët që kanë mbajtur poste dhe ofiqe të rangut të lartë dhe kanë qenë të lidhur me pushtetin komunist në Shqipëri, siç ishte rasti me pothuajse të gjithë drejtorët e instituteve kërkimore dhe institucioneve letrare e kulturore në çdo kohë gjatë regjimit komunist (një situatë që vazhdon të jetë e pandryshuar edhe sot). Megjithatë, askush nuk ka mundur të diskutojë rolin e tyre gjatë viteve të diktaturës komuniste, ndonëse ata janë deri diku përgjegjës që në krye të herës për ripërpunimin e parimeve vetë-kolonizuese, vetë-izoluese, ekskluziviste dhe nacional-komuniste gjatë regjimit komunist, ku përfshihet jo vetëm karakteri totalitarist për projektimin dhe legjitimimin e njeriut të ri dhe të transformimeve socialiste të shoqërisë shqiptare, por edhe metodat dhe argumentet që karakterizohen nga teknicizmi, empiricizmi, historicizmi dhe folklorizmi në studimet shqiptare.

Në një seri studimesh mbi lindjen dhe zhvillimin e studimeve albanologjike në përgjithësi dhe studimeve të kulturës popullore në veçanti kam argumentuar se origjina ideologjike e paradigmës albanologjike në studimet shqiptare duhet kërkuar në mënyrën se si është zhvilluar tradita e vjetruar e shkollës kultural-historiciste gjermano-austriake, së cilës i përkasin edhe studimet historike misionare italiane, në shërbim të politikës kolonialiste, nacionaliste dhe nazi-fashiste.[10] Sigurisht, ky kuadër është historik dhe i ndryshueshëm, prandaj edhe ka ndryshuar për të kaluar nga ideologjia kolonialiste tek ideologjia nazi-fashiste dhe ideologjia nacional-komuniste, ashtu si kam treguar gjetiu karakterin kolonialist të albanologjisë që në fillimet e veta në shkrimet gjermano-austriake,[11] si dhe ripërpunimin e karakterit totalitarist të studimeve albanologjike gjatë regjimit komunist.[12] Kështu, motivimet ideologjike dhe kushtet politike të trashëguara nga e kaluara, si kolonializmi, fashizmi dhe nacional-komunizmi, kanë mundësuar edhe formimin dhe zhvillimin e albanologjisë si kuadër ideologjik për studimet shqiptare sipas disiplinave shkencore përkatëse si gjuhësia, historia, arkeologjia, filologjia, trashëgimia kulturore, etj.[13] Në këtë kuptim, jo vetëm ky kuadër është përcaktuar nga parimet vetë-kolonizuese, vetë-izoluese, ekskluziviste dhe nacional-komuniste, por edhe ka përcaktuar domosdoshmërisht metodat dhe argumentet e karakterizuara nga teknicizmi, empiricizmi, historicizmi dhe folklorizmi.

Studiuesit dhe elitat kulturore, si në Shqipëri edhe të mërguar në vendet e Europës Perëndimore, normalisht kanë qënë dhe janë të interesuar për studimin e gjuhës, historisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare në një mënyrë të tillë që i ka penguar ata të zhvillojnë një kuptim kritik të ndikimeve politike, ku përfshihet si ndikimi supra-kolonial i Europës Perëndimore edhe ndikimi totalitarist i regjimit komunist. Ky qëndrim është artikuluar duke portretizuar agresivisht një lloj kulture kombëtare që t’u përshtatet modernizmit perëndimor dhe folklorizimit socialist me pikësynimin për t’i vendosur shqiptarët në piedestale kulturore, që me gjasë janë promovuar nga modelet e traditës italiane apo gjermano-austriake.[14] Ky lloj qëndrimi ka karakterizuar albanologjinë në përgjithësi nëpërmjet kërkimit dhe idealizimit të veçorive kulturore të ngrira që provokojnë, pavarësisht nga deklaratat kombëtariste, perceptimin e nënkuptuar të një populli të vjetër, mentaliteti primitiv i të cilit ka mbetur në thelb i pandryshueshëm.[15]

Megjithatë, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm me një situatë kripto-koloniale të modernizimit shoqëror,[16] apo vetëm me një situatë nacional-komuniste të revolucionarizimit kulturor. Krenaria kombëtare e studiuesve vendas e të mërguar për të treguar origjinalitetin e traditave kulturore duke i reduktuar ato në mentalitetet e tyre specifike apo të vjetruara e të prapambetura është para së gjithash shenjë e një domosdoshmërie politike. Në këtë kuptim, nga pikëpamja antropologjike, puna nuk qëndron tek keqpërdorimi ideologjik i shkencës, por pikërisht tek nxjerrja në pah se si motivimet ideologjike dhe kushtet politike kanë promovuar teknicizmin, empiricizmin, historicizmin dhe folklorizmin, të cilët kanë çuar në qorrsokak zhvillimin zyrtar të studimeve albanologjike dhe vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara siç janë edhe sot në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Gjatë analizës së trashëgimisë ideologjike të paradigmës albanologjike në studimet shqiptare, duke u mbështetur më shumë në intuitën antropologjike, kam konstatuar se “me një qëndrim tipik vetë-kolonizues, pikërisht Martin Camaj … ka mbajtur gjallë me shumë dëshirë esencializmin folklorik të filologjisë empiriciste” në studimet shqiptare.[17] Në dritën e të dhënave të reja mund të thuhet se nuk qenkam gabuar dhe se nuk është thjesht rastësi që pikërisht Ernest Koliqi apo Martin Camaj, të cilët me shumë gjasë janë mbështetur e përkrahur përkatësisht nga regjimet fashiste para dhe gjatë Luftës se Dytë Botërore dhe pastaj nga shërbimet sekrete gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kanë kontribuar dhe kanë përjetësuar këtë karakter tipik për studimet shqiptare, në përputhje me kuadrin ideologjik të traditave studimore italiane dhe gjermano-austriake në shërbim të politikave të tyre të kahershme kolonialiste dhe nacionaliste.

Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për dijetarë shumë të respektuar dhe me nderim të lartë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, sidomos për arsimin e tyre italian e gjermano-austriak, të cilët mund të mos jenë përfshirë në dukje apo drejtpërsëdrejti në politikë. Në fakt, gjatë regjimit komunist në Shqipëri kuadri ideologjik i paradigmës albanologjike në studimet shqiptare u ripërpunua në përputhje me kushtet politike të nacional-komunizmit që favorizonte terrorin revolucionarizues të spastrimeve vrastare të kohës. Në këto kushte studimet shqiptare kanë arritur majat më të larta pikërisht sepse kuadri i tyre ideologjik përputhej plotësisht me problemet shkencore që ato kanë trajtuar.

Mes të tjerash, modeli i shtetit dhe i shoqërisë socialiste si dhe pikëpamja teleologjike e historiografisë zyrtare shqiptare, të fiksuar me trashëgiminë ilire dhe me transformimet socialiste, u zhvilluan në atë kohë (si dhe vazhdojnë të pandryshuara edhe sot), siç shprehet Oliver Schmitt, falë “Shokut Aleks dhe Partisë së tij”.[18] Po kështu, zhvillimi zyrtar i filologjisë historike dhe studimeve albanologjike në tërësi i detyrohet shumë veprimtarisë së Qendrës së Studimeve për Shqipërinë në Romë gjatë viteve 1939-1944. Sipas studiuesve italianë Donato Martucci dhe Monica Genesin, një rol të rëndësishëm në këtë veprimtari ka luajtur edhe Eqrem Çabej,[19] para se të luante rolin vendimtar për zhvillimin e paradigmës albanologjike gjatë regjimit komunist.

Fenomeni vazhdon edhe sot, kur shumë studiues e shkrimtarë të rinj mundohen të arrijnë apo të mbajnë poste të lakmuara në universitetet apo institucionet perëndimore, falë nënshtrimit dhe përshtatjes instrumentale ndaj politikave të diktuara nga ideologji të ndryshme fondamentaliste. Mes të tjerash, si rregull, trashëgimtarët e përfaqësuesve të komunizmit dogmatik, të frustruar nga pushtetet e humbura, kanë përqafuar më shpesh islamizmin radikal por edhe fondamentalizmin katolik apo evangjelik, ndonëse ka edhe ndonjë trashëgimtare të përfaqësuesve të shquar të partisë popullore liberale të paraluftës që ka përqafuar me shumë zell dogmatizmin komunist aktual në shkencë e në politikë. Mëkati i tyre më i vogël mund të mos jetë përfshirja në politikën administrative, policore e agjenturore të kohës apo të vendndodhjes së tyre, por me dashje ose pa dashje, ata mund të uzurpojnë një pozitë intelektuale, shkencore apo kulturore, me mjete dhe në rrugë që nuk janë as intelektuale, as shkencore, as kulturore.

Një debat intelektual mbi problematika të tilla si legjitimiteti publik, shkencor apo kulturor, i shumë intelektualëve shqiptarë të “respektuar” apo të “rinj”, si sot edhe në të kaluarën, do të ndihmonte për të kuptuar rrënjët e problemeve societale me të cilat përballet shoqëria e sotme shqiptare. Në radhë të parë duhet hequr dorë nga këto lloj debatesh të ushqyera nga partizanizmi anti-intelektual si ky i kohëve të fundit lidhur me figura të tilla si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, sepse këto debate po shndërrohen në aventura kundërproduktive për përballjen me këto sfida.

Kjo është e rëndësishme dhe e ngutshme sidomos në kushtet kur ish-komunistët kanë uzurpuar pozita të rëndësishme në shoqërinë e sotme, ndërsa përfaqësuesit e ndershëm të rezistencës ndaj komunizmit jo vetëm që injorohen dhe mënjanohen gjithnjë e më shpesh por edhe ngatërrohen, me dashje ose pa dashje, me përfaqësues të korruptuar. Në fakt rezistenca ndaj komunizmit është reduktuar kryesisht tek promovimi i trashëgimtarëve të komunizmit që mund të jenë persekutuar deri diku nga sivëllezërit apo si-etërit e tyre komunistë (Lubonja, Shehu, Bekteshi, Klosi, Kapo e të tjerë si këta), por me sa duket edhe tek promovimi dhe idealizmi i disa figurave që kanë bërë kompromise politike me autoritetet policore agjenturore e totalitare. Si rezultat, nuk ka më nge për t’u marrë me heronjtë e shumtë të anti-komunizmit që mbeten të panjohur, të paparë e të paditur.

Për më tepër, një debat i diktuar nga partizanizmat ideologjike mbi figura të tilla si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ka mundësi të favorizojë dhe të përforcojë esencializimin e fetarizmit dhe krahinorizmit në shoqërinë e sotme shqiptare, ashtu si dikur politika kulturore komuniste me luftën për revolucionarizimin socialist ka sendërtuar imazhin e një kulture prapanike dhe populli të prapambetur, të përçarë nga dallimet fetare, krahinore dhe ideore. Pasoja më e pritshme e këtij esencializimi nuk mund të jetë veçse izolimi i mëtejshëm i kulturës dhe shoqërisë shqiptare jashtë kufijve të Europës dhe të Perëndimit.

Sfida më e rëndësishme intelektuale për shoqërinë e sotme mbetet çlirimi nga partizanizmi ideologjik dhe nga teknicizmi skolastik, si dhe përpunimi i një paradigme të re ideologjike si për politikat kulturore e sociale edhe për studimet shqiptare, në mënyrë që mund t’i çlirojë nga ideologjitë e dikurshme (vetë)kolonializuese, fashistoide ekskluziviste dhe nacional-komuniste që kanë të përbashkët krijimin e një Shqipërie imagjinare që jeton në një kohë tjetër të së shkuarës pa të ardhme. Për këtë qëllim është e domosdoshme një kritikë gjenealogjike radikale e paradigmës së vjetër si hap i parë në rrugën e vetme për t’u shkëputur plotësisht e përfundimisht nga trashëgimia ideologjike që vjen nga përfaqësuesit e vjetër e të rinj të mënyrave të vjetëruara të debatimit e të shkencërimit.

Shtojcë

Afro dy muaj pas këtij debati, nuk është rastësi që Kryeministri Edi Rama duket se i paska zgjidhur të gjitha kontradiktat kur bëri një mbrojtje “brilante” si ndaj vetes edhe ndaj trashëgimisë së vet politiko-shoqërore duke shpërdoruar një figurë si Martin Camaj.[20] Këtu nuk është fjala vetëm për abuzimin me ndjenjat e ndershme dhe zemëratën e ligjshme të njerëzve të vuajtur e të persekutuar nga Sigurimi i Shtetit komunist, por sidomos për dizinformimin dhe për mbylljen e gojës së politikës opozitare dhe të gjithë studiuesve e intelektualëve që tani nuk kanë tjetër mundësi veçse të heshtin, ndërkohë që kjo çështje tregon se shoqëria jonë ka sfida të rëndësishme me të cilat duhet të përballemi detyrimisht. Në fakt, ndërhyrja e Kryeministrit në këtë çështje tregon edhe një herë se hierarkitë politiko-intelektuale kanë qenë të lidhura me pushtetin, si në vend edhe në mërgatë, madje vazhdojnë edhe sot të mbahen lidhur domosdoshmërisht. Nuk është fjala vetëm për faktin jo të rastësishëm që pikërisht pinjollët e nomenklaturës politiko-letrare si Rama e Klosi, për shembull, ishin të parët që vrapuan të lajkatojnë Camajn, të cilin etërit apo sietërit e tyre e konsideronin dhe e përndiqnin si armik të popullit, si dhe faktin që pinjollët e hierarkisë së dikurshme politiko-shkencore si Bardhyl Demiraj u grupuan rreth Kryeministrit për të vazhduar ta mbrojnë Camajn nga sulme që ata i konsiderojnë të padrejta, por kjo tregon edhe faktin se Camaj që dikur konsiderohej e përndiqej si armiku i popullit nuk duhet t’i ketë ndërprerë asnjëherë dhe vazhdon të mbahet i lidhur nga marrëdhëniet me pushtetin dhe pinjollët e tij.

© 2020, Albert Doja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Salih Mehmeti, “Si i rekrutonte UDB-ja intelektualët shqiptarë në vitet ’50: Rasti i Martin Camajt dhe Hasan Kaleshit”, Konica.AL, 13 Mars 2017.

[2] Agron Alibali, “Inteligjencia shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë”, Peizazhe të Fjalës, 28 Janar 2020.

[3] Auron Tare, “Dritëhije në Histori: Martin Camaj & Ernest Koliqi të pazbuluar”, Peizazhe të Fjalës, 05 Korrik 2020.

[4] Edmund Leach, Rethinking anthropology (London: Athlone, 1961), p. 2.

[5] Ardian Vehbiu, “Hyrja redaksionale: Dritëhije në Histori”, Peizazhe të Fjalës, 05 Korrik 2020.

[6] Daniel Golden, Spy schools: how the CIA, FBI, and foreign intelligence secretly exploit America’s universities (New York: Henry Holt, 2017).

[7] Shih: “Julia Kristeva avait été recrutée par les services secrets communistes bulgares”, Le Nouvel Observateur, 28 mars 2018. Dosja e agjentes sekrete me pseudonimin “Sabina” (Julia Kristeva) gjendet në Arkivin e Komisionit Shtetëror të Shërbimeve Sekrete Bullgare.

[8] Agron Alibali, “Inteligjencia shqiptare në tehun e Luftës së Ftohtë”, Peizazhe të Fjalës, 28 Janar 2020.

[9] Shih: Albert Doja, “Mithat Frasheri dhe Ismail Kadare për kombin shqiptar: Nga një veprimtar në tjetrin”, Gazeta Shqiptare 24 (7713) – Milosao (362), 18 Nëntor 2018; Albert Doja, “C’est juste «un bon écrivain»: pourquoi le Nobel de littérature pose question”, The Conversation, 11 Novembre 2019, Përkthyer në shqip: Gazeta Si, 15 Nëntor 2019.

[10] Një pjesë e këtyre studimeve janë përkthyer në shqip dhe janë përfshirë përmbledhtas në librin e botuar vitin e kaluar nga Akademia e Shkencave: Albert Doja, Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri: Shkrime të zgjedhura në 60-vjetorin e lindjes, ed. Enika Abazi (Tirana: Academia e Shkencave, 2018).

[11] Albert Doja, “From the German-speaking point of view: Unholy Empire, Balkanism, and the culture circle particularism of Albanian studies“, Critique of Anthropology 34, no. 3 (2014), pp. 290-326, doi:10.1177/0308275X14531834.

[12] Enika Abazi and Albert Doja, “From the communist point of view: Cultural hegemony and folkloric manipulation in Albanian studies under socialism“, Communist and Post-Communist Studies 49, no. 2 (2016), pp. 163-178, doi:10.1016/j.postcomstud.2016.04.002.

[13] Shih edhe: Albert Doja, “Gjuhësia shkencore dhe ideologjia albanologjike”, Gazeta Liberale, 17 Dhjetor 2019, pp. 10-11.

[14] Albert Doja, “The Beautiful Blue Danube and the Accursed Black Mountain Wreath: German and Austrian Kulturpolitik of Knowledge on Southeast Europe and Albania“, Soziale Welt: Zeitschrift für sozialwissenschaftliche Forschung und Praxis 65, no. 3 (2014), pp. 317-343, doi:10.5771/0038-6073-2014-3-317.

[15] Albert Doja, “From the native point of view: An insider/outsider perspective on folkloric archaism and modern anthropology in Albania“, History of the Human Sciences 28, no. 4 (2015), pp. 44-75, doi:10.1177/0952695115594099.

[16] Michael Herzfeld, “The Absent Presence: Discourses of Crypto-Colonialism”, South Atlantic Quarterly 101, no. 4 (2002), pp. 899-926.

[17] Doja, “From the German-speaking point of view”, p. 311.

[18] Oliver Schmitt, “Genosse Aleks und seine Partei: Zur Politik und Geschichtswissenschaft im kommunistischen Albanien (1945-1991)”, in Beruf und Berufung: Geschichtswissenschaft und Nationsbildung in Ostmittel- und Südosteuropa im 19. und 20. Jahrhundert, ed. Markus Krzoska and Hans-Christian Maner (Münster: LIT-Verlag, 2005), pp. 143-166.

[19] Donato Martucci / Monica Genesin, “Gjuha dhe kultura shqipe në veprimtarinë e Qendrës së Studimeve për Shqipërinë (Centro Studi per l’Albania, 1939-1944)”, in Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit – Albanian and Balkan Languages, ed. Rexhep Ismajli (Prishtina: ASHAK, 2012), pp. 595-607.

[20] Edi Rama, “Terrin mes dy dritave s’e duron ylli që shkoqet, as njeriu”, Hapet dosja e Sigurimit të Shtetit për një prej figurave të shkëlqyera të botës shqiptare: Martin Camaj, Konferencë jubilare organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Pallati Brigadave, 28 gusht 2020, https://youtu.be/MmtWWweAf40?t=1267.

34 Komente

  1. Ketu hidhen shume teza. Mua do me interesonte ndonje evidence mbi ate qe pasardhesit e komunisteve dje, diktojne te njejtin ligjerim sot ne universitete perendimore etj. Qe ka lidhje me ate me te renden, qe albanologjia nuk ka mundur te emancipohet nga “vezhgimi kolonial”, edhe pse une keto me “gaze” e post-moderne a poste te tjera, nuk i honeps dot. Ndoshta e bija e Solnit i ka ne menyne e saj ditore, vegjetariane besoj.

    Nese e kam kuptuar qarte, se ky eshte ca i veshtire me thene te drejten, prof. Doja leshon nje akuze te rende, qe e ka konceptuar prej 2016: perzgjedhja e metodave, tematikave, qasjeve, motivohet nga lidhjet familjare e me pushtetin. Nuk ndryshon shume nga dekonstruktivistet. Por ne kete menyre eshte ndertuar biografia e secilit prej nesh. Njeriu eshte rob i rrethanave. Problemi eshte se me kete hidhet si i thone foshnja me gjithe uje. Shkenca e shoqeria e hapur andaj lejon alternativa.

    Nuk pash pergjigje te ndonje albanologu ndaj ketyre akuzave. A mund te flitet p.sh. per dominimin e nje paradigme, ate kolonialiste? Vehbiu diku shkruan per ate gjuhesine e Sovjetikut Marre[?], nje alternative idiote si biologjia e Lysenkos ne B.S. Cfare tregon se alternativat kane ekzistuar, ca nuk i kane qendruar debatit shkencor. Por nuk mund te futen ne nje rrafsh diskutimi, shkenca me pop-kulturen. Dmth. kritika ndaj albanologjise eshte e vlefshme me instrumentet dhe brenda sistemit te mendimit shkencor te gjuhesise. Nje kritike nga jashte duhet te jete me e elaboruar e te merret me shkencen, metodat, argumentet, jo motivet e aktoreve qe angazhohen aty. Ndryshe trajtimi eshte thjeshte polemik dhe albanologet mund ta injorojne. Une sugjeroj nje angazhim me te thelle me metodat e gjuhesise, nje dekonstruktim i tyre, jo thjeshte i premisave kombetare apo personale te aktoreve te perfshire. Se si ithone llafit, njeriu mund te qendroje edhe shtrembert kur flet drejt.

  2. Zhurma qe provokoi ky studim, ka ne esence si underlying cause percaktimet bardhe e zi qe iu bejme figurave tona publike “tradhetar apo patriot” e jo “shqiptar i nisur nga qellime te mira mund te kete marre vendime qe historia i ka provuar me vone gabim”. Vendimi i shume patrioteve per te mbeshtetur pushtimin italian on account te bashkimit te shqiperise me kosoven eshte i falshem per shkak te rrethanave te asaj kohe .Denoncimi pas lufte i ketyre si kuislinge e tradhetare te cilet nuk kishin mandatin e popullit ishte i nevojshem per ta cliruar Shqiperine nga detyrimet ligjore si pjese e mbreterise se bashkuar me Italine. Por pasi kjo situate u kapercye keto figura vazhduan te anatemohen duke iu mbajtur nje meri te gjate e te panevojshme.
    https://history.state.gov/historicaldocuments/frus1946v03/d46

  3. Persa i takon pjeses se pare debati kthehet me shpejtesi ne lufte llogoresh te vjetra e te vjetruara, sepse Tarja perceptohet si njeri i qeverise qe mbron trashegimine komuniste, keshtu qe askush nga pala kundershtare nuk e gjen te udhes te besoje ne sinqeritetin dhe vertetesine e studimit apo te qasjes. Keshtu pala kundershtare perpiqet thjesht ta eliminoje ose anulloje pa u marre me thelbin e ceshtjes. Persa i takon studimeve albanologjike qe analizohen ne pjesen e dyte, cdo diskutim kritik mbi karakterin ideologjik ne te vertete synon pozicionimin e nje ideologjie te re dhe te bartesve te saj ( rrjedhimisht edhe mbeshtetesi). Vecse nuk kuptohet pse autori nuk e ben te qarte pozicionin e vet ideologjik.

  4. Cudi qe kane terhequr kaq pak vemendje tezat e Prof. Dojes. Se ketu po diskutohen nje sere, ku nder me kryesorja i tund themelet albanologjise dhe etnografise, ose cdo disipline qe merret me dallimin e kombit shqiptar nga te tjeret.

    Në këtë kuptim, nga pikëpamja antropologjike, puna nuk qëndron tek keqpërdorimi ideologjik i shkencës, por pikërisht tek nxjerrja në pah se si motivimet ideologjike dhe kushtet politike kanë promovuar teknicizmin, empiricizmin, historicizmin dhe folklorizmin, të cilët kanë çuar në qorrsokak zhvillimin zyrtar të studimeve albanologjike dhe vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara siç janë edhe sot në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

    megjithese fillojme nga e para.

    1. Thote profesori, por duke e pergjithesuar, dhe lipsen ca shembuj konkrete per rastin e Shqiperise.

    Shpesh studiuesit, shkrimtarët dhe intelektualët vendas apo të mërguar kanë kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen e politikës dhe administratës shtetërore, policore e agjenturore, për t’i siguruar vetes një pozitë të rehatshme akademike apo intelektuale. Në përgjithësi, suksesi fulgurant në Perëndim i një numri relativisht të madh studiuesish të famshëm nga Europa Lindore i detyrohet deri diku edhe flirtimit të tyre me shërbimet sekrete të vendeve nga vinin apo ku ishin vendosur.

    Une mund te ofroja p.sh. disa raste kur intelektuale shqiptare te favorizuar nga sistemi kane bere karriere jashte vendit (p.sh. F. Tarifen, ose nga ata studentet qe studiuan ne France si A. Fugen, e nuk e di nese edhe vete prof. Doja eshte nga ata qe jane diplomuar jashte para 1990, se gjykuar nga CV e ka mbaruar doktoraturen ne 1993), por pjesa me e madhe e tyre, besoj une, kane perfituar nga bashkepunetoret ne universitetet europiane dhe meritat e tyre. Nga sa kam gjurmuar une disa, kane pasur karriere te suksesshme inxhinieret, sidomos kimiste, matematika e aplikuar, e ata te naftes. Do te ishte nje studim interesant, dhe teresisht i mundeshem, thjeshte duke pare bibliografine dhe affiliation, per te gjurmuar karrierat e shqiptareve neper universitete.

    2. E ngjashme, me te paren, eshte edhe kjo e dyta, e po aq interesante per tu provuar.

    Fenomeni vazhdon edhe sot, kur shumë studiues e shkrimtarë të rinj mundohen të arrijnë apo të mbajnë poste të lakmuara në universitetet apo institucionet perëndimore, falë nënshtrimit dhe përshtatjes instrumentale ndaj politikave të diktuara nga ideologji të ndryshme fondamentaliste.

    Por une do e kundershtoja profesorin ketu. Se mua me shkojne ndermend pikerisht agjendat e kerkimit te disa studiuesve jashte vendit, te cilat perkojne shume me trendet mbi anti-radikalizmin (islamin ne Shqiperi, nacionaizmin, radikalizimin e djathte etj.). Edhe eshte e vetekuptueshem, se me thene te drejten, patjeter qe agjendat e kerkimit jane te influencuara nga politikat e parate qe i gjemojne keto. Cdo te bejne studiuesit e shkrete per temat e tyre? Me nje burim parash paguajne se paku dy kerkime, e tre artikujsh blogjesh per qejfin e tyre.

    3. E per te mos e zgjatur, te vijojme te kryesorja. Prof. Doja e ka leshuar kete tezen mbi albanologjne ne 2016, ne nje artikull (Doi: https://doi.org/10.1016/j.postcomstud.2016.04.002), qe mua me duket se eshte influencuar nga teorite post-strukturaliste e post-kolonialiste. Sikur e pame edhe ne rastin e E. Koliqit, qe merrte para nga CIA nepermjet programeve te kultures gjate asaj qe cilesohet Lufta e Ftohte Kulturore (F.S. Saunders), nacionalizimi u instrumentalizua si prej komunisteve, edhe opozites ne mergate matane Adriatikut (edhe pse edhe kjo ishte trend edhe ne vendet e tjera te evropes lindore). Albanologjia, si shkence e inkurajuar dhe e mbeshtetur nga Italianet, Austriaket, Amerikanet e Sovjetiket (madje edhe Jugosllavet), i ka sherbyer jo vetem shqiptareve gjate nation-building, por edhe projekteve te te huajve. Veshtrimi kolonial, si e kuptoj une prof. Dojen, eshte konfirmuar e rikonfirmuar si pasoje e ketyre projekteve: shtet-formuese dhe kolonizuese ne te njejten kohe (futur brenda edhe konceptin e kolonizimit te brendshem – ne fakt ky termi kolonizim eshte bere llastik fare, keshtu qe le te themi: shtet-formuese, vete-kolonizuese, e kolonizuese ).

    Per konferencat e albanalogeve qe fillojne e mbarojne me levedata per punen e njerit a tjetrit, kjo teze, nese e kam kuptuar qarte, duhej te goditej ne cdo seance, ne forme rituali madje. Ndoshta e kane bere.

    Por edhe ketu une shoh problem. Se kritika eshte nga jashte, jo brenda sistemit te mendimit shkencor albanologjik, Ajo nuk perballet me metodat shkencore te disiplines, por me motivet e profilet e individeve. Ne New Yorker, nje profesor hidhte po kaq teza interesante mbi antropologjine e Mead, qe pervojat e saj seksuale e martesore kishin ndikuar ne vezhgimet e saj. Por kjo nuk do te thote se nuk ka bere shkence. Studiuesit dine ti filtrojne keto pervoja. Vete Vehbiu ketu eshte marre disa here me pop-albanologjine e rrenat e tyre. Dmth. CIA apo regjimi komunist mund te paguajen shkencen, e te mundohen ta ndikojne ate, por sistemi i kerkimit shkencor, qellimi i saj per te gjetur te verteten (folur ketu me gjuhen e Luhman) arrijne qe ti pastrojne keto elemente. Tani i ngelet nje albanologu te pergjiget nese albanologjia eshte nje rast suksesi i triumfit te shkences mbi profanen e politiken.

    1. Ato që thotë Doja më kanë hapur edhe mua punë: ka kohë që kam menduar të shkruaj. Ndoshta mund ta bëjmë në formë debati, sepse përndryshe nuk di do të arrij të artikulohem mirë. Por statusi i albanologjisë meriton vëmendje totale. Dhe ai është i vetmi që e ka ngritur, në atë nivel. Kjo edhe lidhet edhe nuk lidhet me pop-albanologjinë.

  5. Në rrethana të tilla jo të thjeshta nuk shoh asnje arsye që esde sot të mos shërbejë si pikë orientimi një model, për mua arketip i pasionit për krijimtari e shkencê dhe difraksionit që imponojnë rrethanat shtypëse e ndragëse të një politike a mendim zyrtar.

    Natyrisht, nuk ka asnjë dëshmi bashkëkohore që të provojë se G. Galilei ka shqiptuar frazën e tij të famshme, por ka katër shekuj që njerëzimi këmbëngul në të si shenjë e mirëkuptimit të “përthyerjes” së tij, si dëshmi se ajo që duhet vlerësuar është ajo që mbetet, që shërben, akti artistik e shkencor i individit dhe jo kompromiset rrethanore.

  6. Faleminderit Arian që tërheq vëmendjen për një sërë tezash “ku ndër më kryesorja, sipas teje, i tund themelet albanologjisë dhe çdo disipline që merret me dallimin e kombit shqiptar”. Megjithatë, teza ime bëhet vërtet një “akuzë e rëndë”, siç e quan Durimpaku kur mendon se “përzgjedhja e metodave, tematikave, qasjeve, motivohet nga lidhjet familjare e me pushtetin”. Në fakt, qëllimi im, të cilin e kam shprehur shumë herë, nuk ka qënë asnjëherë të merrem me pop-evidencë mbi këtë apo atë person, qofshin këta edhe mërgimtarë të përmendur apo pasardhës të komunistëve, respektivisht të persekutuar apo të favorizuar nga sistemi. Me fjalë të tjera, qëllimi im nuk është as të jap mendim, siç mëton i quajturi apo e quajtura alba, për përcaktimet bardhë e zi që u bëhen figurave publike “tradhëtar apo patriot” e jo “shqiptar i nisur nga qëllime të mira i cili mund të ketë marrë vendime që historia i ka provuar më vonë gabim”. Në këtë rast më duket se e kam bërë mjaft të qartë se çështja Camaj & Koliqi nuk më intereson veçse për të vënë në pah disa sfida me të cilat duhet të përballet shoqëria e sotme.

    Së pari, duhet vënë në dukje se përsa i përket përmbajtjes, debati në fjalë nuk ka asgjë për t’u shënuar dhe nuk është gjë tjetër veçse një “luftë llogoresh të vjetra e të vjetruara”, që ka marrë “një karakter thelbësisht anti-intelektual, në kuptimin që nuk ka krijuar mundësi të prodhojë ide”, apo thënë më troç, është kthyer në një debat pa tru, të paktën deri tani. Me fjalë të tjera, sfida më imediate mbetet domosdoshmëria e çlirimit nga partizanizmi ideologjik dhe nga teknicizmi skolastik.

    Së dyti, nëse nuk ka asgjë për t’u habitur me rastin Camaj & Koliqi dhe nëse çështja e tyre është më se e zakonshme, atëhere shoqëria jonë duhet të përballet edhe me legjitimitetin e figurave të përmendura në kulturë apo shkencë. Një rast i ngjashëm është edhe debati i kohëve të fundit mbi studiuesen bullgare Julia Kristeva në Francë. Edhe në këtë rast, me sa di unë, nuk ka ndonjë fakt të vërtetuar bashkëpunimi konkret me shërbimet e fshehta të Bullgarisë apo të Vendeve të tjera, si dhe as ndonjë dëshmi indirekte të ndikimit agjenturor të veprimtarisë së saj informative, që mund të reduktohet në informacione të thjeshta mbi jetën dhe mendimet e intelektualëve francezë të kohës, ashtu si dhe informatorët e Sigurimit shqiptar apo të shërbimeve sekrete agjenturore përgjonin dhe informonin mbi jetën dhe mendimet të popullit apo të mërgatës shqiptare. Sigurisht, në një kohë kur mungonin rrjetet sociale, wikileaks apo big data, kjo ishte e rëndësishme për regjimet komuniste të matnin pulsin e popullsive dhe mërgatave të tyre, si dhe të inteligjecies europiane gjatë Luftës së Ftohtë. Julia Kristeva është sot me famë botërore dhe askush nuk e vë në diskutim këtë, por kush ka një njohje minimale për Ballkanin apo Europën Lindore gjatë komunizmit e kupton fare mirë se suksesi i saj fulgurant i detyrohet edhe flirtimit të saj me shërbimet sekrete të vendit nga ka ardhur apo ku është vendosur. Ka edhe shumë shembuj të tjerë studiuesish dhe figurash mediokre që kanë bërë një farë emri kulturor apo shkencor në publik, por që nuk do ta kishin bërë pa shërbyer me mjete dhe në rrugë që nuk janë as kulturore as shkencore.

    Nëse është kështu atëhere çështja nuk duhet shtruar vetëm lidhur me qëndrimin politik e shoqëror në raport me veprën kulturore apo shkencore të kësaj apo asaj figure, por edhe në raport me përpjekjet dhe mundimet e pafund të sivëllezërve apo simotrave të tyre të ndershme që nuk mbështeten tek padronët e tyre shtetërorë e klanorë, policorë apo agjenturorë, apo nuk u nënshtrohen dhe nuk përshtaten ndaj politikave të diktuara nga ideologjitë dominante, për të nxjerrë në pah meritat e tyre kulturore apo shkencore. Sigurisht, Ariani ka të drejtë sepse kjo është lidhur deri diku edhe me mënyrat se si financohet kultura apo shkenca që nuk është aspak pa probleme, por në shumicën e rasteve, studiuesit dhe praktikuesit e ndershëm injorohen e mënjanohen me mjete ideologjike që nuk janë as kulturore as shkencore. Kjo duhet të na bëjë para së gjithash të kuptojmë se sa e mundimshme është rruga pa kompromise gjithfarësh e atyre që kanë mundur të afirmohen falë punës së tyre kulturore apo shkencore.

    Me këtë rast, është me shumë interes që Ariani ofrohet për të hulumtuar raste të tilla që ai vetë i përmend nga radhët e intelektualëve shqiptarë që kanë bërë karrierë jashtë vendit, duke më përfshirë edhe mua. Me këtë rast jam plotësisht i gatshëm t’i vë në dispozicion çdo lloj informacioni apo interviste të detajuar dhe jam i bindur se ai do të jetë në gjendje të më përcaktojë me saktësi kategorinë që më përket.

    Së treti, duhet të përballemi jo vetëm me vlerën e amshuar por sidomos me impaktin kulturor të krijimtarisë letrare apo shkencore. Sigurisht, mund dhe duhet të analizohet kontributi i krijimtarisë letrare e artistike të figurave të tilla si Camaj & Koliqi, por mendoj se kontributi dhe impakti i tyre kulturor është më i rëndësishëm në institucionalizimin e studimeve albanologjike në Itali dhe Gjermani.

    Prandaj analiza e studimeve albanologjike në këtë rast nuk është qëllim në vetvete, por argument për të vlerësuar pikërisht kontributin e tyre në këtë fushë, me përpjekjen pët të evidentuar praninë apo mungesën e atij modeli, që kërkon Lyss si në rastin e thënies së Galileos, i cili mund të na lejojë të konsiderojmë nëse kemi të bëjmë me një “arketip të pasionit për krijimtari e shkencë” apo me “difraksionin që imponojnë rrethanat shtypëse e ndragëse të një politike a mendimi zyrtar”. Me fjalë të tjera, nëse ka apo jo ndonjë dëshmi në krijimtarinë apo në aktin shkencor të këtyre individëve, që duhet vlerësuar, që mbetet dhe që shërben apo ka shërbyer, në këtë rast, për zhvillimin e studimeve albanologjike pavarësisht nga kompromiset rrethanore.

    Sigurisht, në këtë argument si dhe në raste të tjera, mbështetem detyrimisht në studimet e mia të kahershme. Përsa u përket referencave, ma merr mendja se Dies Irae duhet ta dijë po aq mirë sa kushdo tjetër se referencat piketojnë kontekstualizimin e qasjes në literaturë, ndërsa referencat e punimeve vetjake ftojnë të interesuarit për thellim në argument me qëllim që kur të diskutojnë të mos ja fusin kodra mbas bregut. Me këtë rast, ndonëse edhe unë mendoj se është për të ardhur keq që askush nuk sheh askund ndonjë reagim të ndonjë albanologu ndaj “akuzave” siç i quan Durimpaku, edhe Ariani sheh përsëri një problem të paqënë. Në debatin Gjuhësia shkencore dhe ideologjia albanologjike mund të shihet, për shëmbull, se kritika bazohet në një diskutim të drejtpërdrejtë me albanologët, përkatësisht gjuhëtarët, se ajo nuk është nga jashtë, por nga brenda sistemit të mendimit shkencor albanologjik, dhe se përballet pikërisht me metodat shkencore të disiplinës së gjuhësisë dhe jo me motivet e profilet e individëve.

    Pa dyshim që studiuesit dinë t’i filtrojnë e t’i përdorin përvojat e tyre personale me objektivitet shkencor, ashtu siç ka treguar shëmbulli klasik i përvojës seksuale dhe martesore të Margaret Mead e shumë shëmbuj të tjerë në antropologji refleksive dhe eksperienciale. Por çështja nuk qëndron këtu dhe nëse “synimi i diskutimit kritik mbi karakterin ideologjik synon pozicionimin e një ideologjie të re dhe të bartësve të saj”, siç mëton Dies Irae, pozicioni ideologjik i autorit është i panevojshëm dhe nga pikëpamja e analizës antropologjike nuk ka asnjë kuptim. Nëse po, ky është dhe duhet të jetë problemi i bartësve dhe i praktikuesve të albanologjisë, por jo i analistit të saj.

    Në fakt, studimet albanologjike i kam konsideruar si çdo lloj fenomeni tjetër kulturor që mund të studiohet së jashtmi dhe prej së largu, jo duke u nisur nga motivimet e aktorëve apo praktikuesve të tyre, por në krahasim me tradita studimore të ngjashme në vende të tjera të Ballkanit dhe të Europës Lindore, si dhe me traditën e studimeve gjermanistike prej të cilave ka lindur vetë albanologjia dhe studimet e tjera ballkanike dhe europiano-lindore. Kjo lloj qasjeje është një nga parimet metodologjike elementare në antropologji që më ka lejuar të evidentoj në mënyrë kritike karakterin e tyre ideologjik, i cili mbetet i pavëzhgueshëm dhe i paperceptuar së brendshmi apo prej së afërmi. Me karakterin ideologjik të paradigmës albanologjike nënkuptoj kuadrin filozofik në të cilin bëhet shkenca e praktikohet kërkimi në disiplinat shkencore të gjuhësisë, filologjisë, historisë, arkeologjisë, etj. në studimet shqiptare. Pikërisht ky kuadër filozofik që jemi mësuar ta quajmë “albanologji” është përcaktuar nga parimet vetë-kolonizuese, vetë-izoluese, ekskluziviste dhe nacional-komuniste, si dhe ka përcaktuar domosdoshmërisht metodat dhe argumentet e karakterizuara nga teknicizmi, empiricizmi, historicizmi dhe folklorizmi.

    Në kundërshtim me sa mendon Ariani, këtu nuk ka asgjë të ngjashme me teoritë dekonstruktiviste, post-strukturaliste e post-kolonialiste. Madje mund të them se edhe unë nuk i honeps dot këto gaze-rat post-moderniste e post-e të tjera si këto. Por kjo qasje, apo këto teza të guximshme për albanologjinë, siç i quan Ariani, bëjnë të mundur të kuptojmë se përse “konferencat e albanalogëve fillojnë e mbarojnë me lëvdata për punën e njërit apo tjetrit”, si dhe përse janë ngritur e mbahen në piedestalet e sotme kulturore të shoqërisë shqiptare pikërisht ata që kanë zbatuar si Camaj & Koliqi apo që vazhdojnë të mbajnë gjallë dhe të ndjekin me fanatizëm kuadrin filozofik të paradigmës albanologjike.

    Propozimi që bën Ardiani, meqë i paskam hapur punë për të shkruar dhe propozuar një formë debati mbi këtë çështje, që edhe sipas tij meriton vëmendje totale, më duket me rëndësi të dorës së parë, sidomos tani kur Akademia e Shkencave ka në planet e saj të organizojë një Konferencë madhore pikërisht mbi “paradigmën albanologjike në studimet shqiptare”.

  7. Skender Gjinushi i tregua me i shkathet se Ceka, se ky e kembeu partine per nje trevjecar ambasador ne Rome ( dhe tani po ben shou neper emisione si me qene Muc Nano apo Kac Myftaraj), kurse Gjinushi e kembeu per Akademine e Shkencave. I takonte thone, se Gjinushi eshte Gjon Neshi shqiptar dhe se eshte reformator. Per mua, si per shume te tjere, eshte deshmi e katandisjes se Akademise, si lope per t’u mjele e bere ndere, pertej problemeve te paradigmave dhe ideologjive.

    A mund te ndryshohet paradigma me Skender Gjinushin ne krye ? Aq sa mund te ndryshohej politika.

    Mandej, duke nisur me vitet 70, na braktisen te huajt, se u zhvendos fokusi indoeuropian, E cmund te bejme ne, vetem apo me ndihmen e ndonje capaculi te ambjenteve perendimore.

  8. (Nëse është hequr kushti i komentimit me mbiemër.)

    Me sa kuptova, ideja është të shkëputim gjuhësinë, dhe jo vetëm atë, nga qerrja e Albanologjisë.

    Pa hyrë në implikime konkrete, në rrafsh teorik, kjo përpjekje për ta futur shkencën shqiptare në bashkëkohësinë perëndimore, ndërsa natyrshëm ajo nuk don të hyjë, a s’është gjithaq një qasje kolonialiste? Shembull i antropologut që përpiqet të shpëtojë subjektin e vet nga primitiviteti (ose gjendje të tjera të papranueshme për Kulturën e tij), ndërsa do të duhej thjesht ta vëzhgonte?

  9. Paraprakisht do ishte e preferueshme të diskutohej me emër (në mos me fytyrë) të hapur, pasi është e vështirë të flasësh me muret. Merret me mend sa e vështirë bëhet të flasësh me hënë, me yje a me pulsar! Ndërsa të njihesh nga afër me bashkëbiseduesin ka meritën e krijimit të një farë empatie në diskutim që besoj se e lehtëson kuptimin. Anyway, the show must go on!

    Sado i largët apo i pakapshëm qoftë bashkëbisedimi, “shembulli i antropologut që përpiqet të shpëtojë subjektin e vet nga primitiviteti” është një kuptim i vjetëruar dhe reduktues për antropologjinë, që me dy fjalë ka të bëjë më shumë me nxjerrjen në pah të botëkuptimit që njerëzit krijojnë nëpërmjet produkteve kulturore dhe dukurive shoqërore që rrethojnë botën e tyre, siç mund të jetë rasti p.sh. me domethënien dhe rolin që kanë luajtur studimet shqiptare apo albanologjike njëherazi si një produkt kulturor dhe si një dukuri shoqërore. Por kjo është një çështje tjetër që do të na largonte nga tema e këtij diskutimi. Nëse është nevoja mund të hapim një diskutim tjetër ose më mirë të konsultojmë çdo lloj manuali të thjeshtë antropologjie ose edhe pjesën e parë të librit tim të përkthyer në shqip e botuar vitin e kaluar.

    Përsa i përket thelbit të çështjes, nuk është ideja ime “të shkëputim gjuhësinë (dhe shkencat e tjera) nga qerrja e albanologjisë”. Kjo mund të jetë ideja e kujtdo, madje kjo mund të jetë edhe ideja e albanologëve, por jo imja. Në diskutimet që kam pasur me albanologët është ngritur pa dyshim edhe çështja e ideologjisë që ata e shohin si një ndikim të jashtëm që thuhet se ka shtrembëruar metodat dhe rezultatet e tyre shkencore. Prandaj edhe kujtojnë me naivitet se tani që janë shkëputur nga ideologjia komuniste atëhere edhe studimet e tyre kanë hyrë detyrimisht në rrugën e duhur.

    Ndërsa teza ime mëton të konsiderojë paradigmën albanologjike si një “kuadër filozofik në të cilin bëhet shkenca e praktikohet kërkimi në disiplinat shkencore të gjuhësisë, filologjisë, historisë, arkeologjisë, etj. në studimet shqiptare”. Në këtë kuptim, “ky kuadër është historik dhe i ndryshueshëm, prandaj edhe ka ndryshuar për të kaluar nga ideologjia kolonialiste tek ideologjia nazi-fashiste dhe ideologjia nacional-komuniste”, ndërkohë që mund të thuhet se albanologët e konsiderojnë paradigmën albanologjike në mënyrë ahistorike si të pandrysheshme e të amshuar.

    Nëse e pranojmë këtë tezë, atëherë nuk ka nevojë për shumë mend dhe as për deklamacione emfatike mbi domosdoshmërinë e hulumtimeve konkrete e të detajuara për të kërkuar, për të gjetur e për t’u çliruar nga faktorët ideologjikë, sepse praktikisht nuk ka faktorë ideologjikë, ndërkohë që duhej të kishte. Ajo çka përbën problem dhe që mungon sot lidhet pikërisht me mospërputhjen e kuadrit ideologjik me problemet shkencore që trajtohen nga studimet shqiptare. Kuadri i dikurshëm ideologjik nacional-komunist kushtëzohej nga krijimi i një njeriu të ri dhe një shoqërie të re “kombëtare në formë dhe socialiste në përmbajtje” (sipas formulës staliniste). Pikërisht ky kuadër përligjte fiksimin me gjetjet që provonin në të njëjtën kohë si autoktoninë dhe parësinë kulturore për të cilat luftohej të krenoheshim, por edhe primitivitetin dhe prapambetjen të cilat duhej t’i luftonim dhe t’i shkulnim nga rrënjët së bashku me bartësit e tyre. Ndërkohë kemi hedhur poshtë kuadrin e dikurshëm ideologjik, por studimet shqiptare vazhdojnë të trajtojnë njëlloj të njëjtat probleme. Pikërisht, mospërpunimi i një kuadri të ri ideologjik përbën atë “problem” që rrëzon studimet e sotme. Me sa duket akoma nuk e kemi gjetur pse duhet të kemi një kuadër të ri ideologjik dhe cili duhet të jetë kuadri ideologjik që duhet t’u japë një drejtim të ri studimeve shqiptare, madje akoma nuk e dimë se çfarë kuptojmë me këtë dhe akoma nuk e kemi të qartë se çfarë duhet të kërkojmë dhe si ta kërkojmë e ta gjejmë. Ndërkohë kjo kthehet në domosdoshmëri për studimet shqiptare sidomos në kushtet kur në tregun botëror të ideologjive ka një mori modelesh të gatshme paradigmatike. Kështu, në kuadër të çoroditjes së përgjithshme botëkuptimore jo vetëm të studimeve por të mbarë shoqërisë shqiptare, kuadrin e zbrazët ideologjik po përpiqen ta zënë ideologjitë postmoderniste e fondamentaliste nën flamurin e dekonstruksionizmit, çmitizimit, ultraliberalizmit, multikulturalizmit, feminizmit, fetarizmit, krahinorizmit, otomanizmit, etj. etj.

    Me këtë rast kthehem përsëri nga Ardiani, nga Ariani dhe nga gjithë të tjerët për të nxitur çdo lloj forme debati mbi këtë çështje, përfshirë edhe planet e Akademisë së Shkencave për një Konferencë madhore mbi “paradigmën albanologjike në studimet shqiptare”.

    1. Z. Doja,
      Kur flisni per nje kuader filozofik te vjeteruar te paradigmes albanologjike ne fushen e gjuhesise, filologjise, historise, arkeologjise e pergjithesisht studimeve shqiptare e per domosdoshmerine e nje filozofije te re te studimeve albanologjike, duhet te jepni minimumi nje shembull ne njeren nga fushat e lartpermendura. P.sh. nga folklori, qe e late pa permendur, per te cilin keni folur, diku, ne nje interviste, por dhe aty pa shembuj. Pra gjithnje e njejta gje. Verejtaja juaj, ne mos gaboj, ishte qe studimet ne fushen e folklorit duheshin trajtuar tashme nga nje kendveshtrim antropologjik…elemente te folklorit tone duheshin pare ne korelacion me elemente te ngjashem pertej kufijve nacional etj. Per mua verejtje shume e drejte. Por aty menjehere me erdhi ne mendje Nopça, i cili gati i ka shteruar mjaft aspekte te kesaj natyre ne veprat e tij, pikerisht me menyren qe propozoni ju. Ai eshte gjithe kohen nje krahasues “i pameshirshem”i shume aspekteve te perbashketa e dalluese te kodeve zakonore shqiptare ne raport me vende te tjera; jo vetem fqinje, por deri tutje ne Kaukaz. I ideologjise kolonialiste ishte ky antropolog ne mos gaboj.
      Per t’ju kuptuar me mire, do te deshiroja, qofte dhe nje shembull te vetem, çfare konkretisht e ben kolonialiste antropologjine e ketij albanologu austro-hungarez? Flas per vepren shkencore; jo per sherbimet agjenturore, ç’ka e pohon vete, pa e fshehur aspak. Pra cili eshte konkretisht qendrimi juaj kritik ne lidhje me punen e tij.

      Sepse, jemi shume qe po ju ndjekim. Nuk eshte puna vetem ç’mendon Ardiani. Me Ardianin ju mund t’i bisedoni keto gjera dhe diku tjeter. Ne akademi p.sh.

      1. Nuk besoj se ka shembull më të bukur, se sa ky i botuar këtu mbi “vlerësimin” e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndonëse jo nga Nopça por nga Meyer:

        “Askush nuk duhet të habitet që mes një populli, tek i cili shkrimi e këndimi janë artikuj të rrallë luksi, dhe ku pushka – e çfarë pushke e lashtë dhe e nderuar me strall! – përbën shpesh pasurinë më të çmuar të një njeriu, nuk ka dalë ende një Dante apo një Luter, për t’i sjellë këtij populli të mirat e një gjuhe të shkruar”. (Gustav Meyer, “Della lingua e della letteratura albanese”, Nuova Antologia, vol. L, Serie II, 1885, pp. 585-607).

  10. Doja te perfitoja nga rasti per nja dy ceshtje te antropologjise fizike te shqiptareve.

    Duke ju falenderuar paraprakisht:

    1- Per indeksin brakiqefalik, 86 tek geget dhe 87 tek tosket, pak a shume hipoteza me e permendur ka qene ajo qe e lidhte kete hiperbrakiqefali me qendrimin e femijes ne djep. Kjo hipoteze s’me ka bindur ndonjehere, megjithate pyetja eshte, nese ka studime tek brezat e rinj qe nuk jane lidhur ne djep, a ka ndryshuar indeksi qefalik, dmth a eshte ulur ?

    2- Diferenca ne shtat per malesite mbi dhe nen Drin ( ata mbi Drin ndjeshem me shtatlarte, duke vijuar me malazezte e me tej herzegovinasit), sipas Coon-it, me shume mund te lidhej me ushqimin qe diferencohej prej gjeologjise se ndryshme te tokes, mbi Drin prani me e madhe e kalciumit ( diferencen gjeologjike, nje gjeolog shqiptar e ka pare te mjaftueshme per t’i dallluar nga Drini ne Gjirin e Korinthit si Dinariket Albanide).
    A ka studime te reja qe hedhin poshte apo konfirmojne kete hipoteze ?

    p.s ne fund fare nese ju premton koha; a ka te reja ne lidhje me origjinen e races/ fenotipit dinarike ? Mes ilireve ka nordike, dinarike e mesdhetare; a eshte i justifikueshem si pjese e evolucionit te fenotipit dinarik ky dinaricizem masiv i shqiptareve e malazezeve, ku edhe mesdhetaret jane te dinaricizuar apo kemi zhvendosje dinarikesh ne keto troje ?

  11. Prof. Doja, ka disa ditë që ju kam lexuar (lexova ç’munda edhe nga sa kishit ofruar në bibliografi), ndoqa debatin tuaj me komentuesit e tjerë, dhe nuk u përpoqa të komentoja sepse respektova zgjedhjen tuaj për të mos debatuar me maska. Komentova mbrëmë pasi vura re që shkrimi juaj ishte publikuar te gazeta “Liberale”, ku dyshoj që komentuesit moderohen.

    Sakaq, maskat për nga natyra janë të privuara nga egot, ose më saktë bashkëbiseduesi me emër e mbiemër, në këtë rast ju, u jep atyre një vlerë a priori, që në përgjithësi është e ulët (ju me sugjeruat një manual antropologjie, për shembull, për çka ju falënderoj).

    Siç e thashë, unë ju lexova me kujdes, dhe përshtypja ime ishte që ju po tregoheshit evaziv. Nuk po kuptoja, a ishte kjo delikatesa e shkencëtarit që studion një flutur pa i ngulur gjilpërën, ajo e kolegut që nuk do të fyejë bashkëbiseduesit, realpolitika e akademikut dhe bashkëqytetarit, apo ju po ofronit një paradigmë aq të re sa unë s’po e rrokja?

    Nëse përgjigja juaj është kjo:

    “Me sa duket akoma nuk e kemi gjetur pse duhet të kemi një kuadër të ri ideologjik dhe cili duhet të jetë kuadri ideologjik që duhet t’u japë një drejtim të ri studimeve shqiptare, madje akoma nuk e dimë se çfarë kuptojmë me këtë dhe akoma nuk e kemi të qartë se çfarë duhet të kërkojmë dhe si ta kërkojmë e ta gjejmë. ”

    dhe “ne” është një bashkësi ku ju e futni veten tuaj jo për hir të modestisë, atëherë them se jemi të qartë për çfarë flasim. Duke pritur me padurim përvijimin e këtij “kuadri të ri ideologjik”, ju falënderoj për shkrimin dhe që replikuat.

  12. Më vjen mirë dhe ju falenderoj që jeni shumë që po më ndiqni, siç shkruan i quajturi apo e quajtura lec, por edhe unë patjetër që u drejtohem “të gjithëve”. Nëse përmend Ardianin, por edhe Arianin, kjo është pikërisht sepse vetëm atyre ua njoh fytyrën me që më janë drejtuar pa maska, por ju “të gjithët” jeni pa dyshim të gjithë prapa maskave tuaja, ndonëse do preferoja t’u shihja edhe fytyrën. Me siguri që mund jem edhe anakronik, por s’ke ç’i bën çështje komunikimi, ju siguroj, asgjë më tepër. Kështu p.sh. mendoj se do kisha mundësi t’u thosha më lirshëm se diskutimi po rrëshqet dhe po dalim jo vetëm nga tema, por kam edhe frikë se mund t’u zhgënjej dhe të ma merrni për modesti të shtirur apo për shtirrje evazive të pasjellshme, nëse u them se nuk mund t’u përgjigjem kur më kërkoni të futem në fusha që nuk i zotëroj, për çështje që nuk kam njohuri të mjaftueshme, për çështje të ndërlikuara që nuk mund të trajtohen pa na larguar në mënyrë të panevojshme nga tema e këtij diskutimi, si dhe sidomos lidhur me pyetje që tregojnë se kemi në mendje dhe flasim për çështje të ndryshme pa lidhje që nuk kanë të bëjnë aspak me mënyrën se si njëri apo tjetri e koncepton fushën për të cilën flet.

    Këtu është rasti pa dyshim me të dhënat nga fusha e antropologjisë fizike për të cilën nuk kam asnjë kompetencë, por edhe me çështjen e ndërlikuar të shembujve konkretë. Ndonëse studimet e mia i kam bazuar në analizën antropologjike të lindjes dhe zhvillimit historik të studimeve folklorike-etnografike të kulturës popullore, apo “folklorit”, që mund të jetë e vlefshme dhe të shtrihet edhe për studimet e tjera albanologjike në përgjithësi, antropologjia për mua është një shkencë hipotetiko-deduktive që operon me ndërtim modelesh teorike për shpjegimin e fenomeneve shoqërore. Për këtë arsye nuk ka kuptim të merresh me emra dhe individë të veçantë, qoftë edhe të tillë si në rastin e Nopças. Në fakt, çfarë duhet kuptuar me shembuj “konkretë” varet nga niveli ku e vendosim analizën. Madje mund të thuhet se në varësi të këtij niveli shembulli “konkret” mund të duket “abstrakt” apo diskursi mund të duket “evaziv” nëse vendosemi në një nivel tjetër analize.

    Kështu, mund të sjell dy shembuj ndërmjet shumë të tjerësh që tregojnë karakterin kolonialist të ndikimit austriak dhe që mund të mbulojnë indirekt edhe rastin e punimeve të Nopças: 1) riorentimi drejt teorive ilirike për t’iu kundërvënë ekspansionit të ilirizmit sllav gjatë mesit të shekullit nëntëmbëdhjetë, si dhe ndikimit italian që favorizonte teoritë pellazgjike nëpërmjet dijetarëve të shquar arbëreshë të së njëjtës periudhe ; 2) tipi i komparativizmit formal dhe empiricist (si në rastin e Nopças), por jo funksional apo struktural (si në rastin e analizave antropologjike), i cili është drejtuar në mënyrë specifike për të evidentuar lashtësinë (ilirike) dhe autoktoninë e atyre traditave që përkëdhelnin (dhe përkëdhelin) sedrën e shqiptarëve për të ushqyer tek ata ndjenjat e besimit dhe besnikërisë ndaj Austrisë.

    Me këtë rast mund të krijohet përshtypje, siç ka menduar për një çast i quajturi apo e quajtura pulsar, që po tregohem “evaziv”, apo që kjo mund të jetë një “delikatesë shkencëtari që studion një flutur pa i ngulur gjilpërën, delikatesë kolegu që nuk do të fyejë bashkëbiseduesit, apo një realpolitikë akademiku dhe bashkëqytetari”. Sidoqoftë, dua t’ju siguroj “të gjithëve” se kjo nuk mund të jetë kurrsesi pikësynim për të ofruar një paradigmë aq të re sa ju të mos mund ta rrokni. Nëse me studimet e mia mund të pohoj se ndoshta dij diçka “pse” duhet të kemi një kuadër të ri ideologjik, ju siguroj se nuk mund ta dij “cili” duhet të jetë kuadri ideologjik që mund t’u japë një drejtim të ri studimeve shqiptare. Gjithashtu, “ne” është një bashkësi ku e fut si veten time edhe ju “të gjithëve”, jo për hir të modestisë, por për nevojën e një “kuadri të ri ideologjik” që nuk mund të përvijohet veçse me përpjekje të përbashkëta kolektive. Prandaj e përsëris, le të jetë ky diskutim një hap i parë për të ngjallur interes mbi këtë çështje që shpresoj se mund dhe duhet të zhvillohet me kontributet e “të gjithëve”, në forma të shumta debati, përfshirë edhe konferencën e ardhshme të Akademisë së Shkencave.

  13. Ne te vertete profesor, qe ju jeni Albert Doja kjo nuk ka te beje me cfare shkruani ju, por me sa besim kam une tek i zoti i blogut. Edhe sikur ju te nxirrni pasaporten apo karten e identitetit, pa garancine e te zotit te blogut/revistes, ju mund te jeni edhe nje punonjes i gjendjes civile qe ka vjedhur nje fotokopje te dokumenteve te z. Doja.
    Perndryshe une kam lirine e plote qe te vendos edhe emrin Ismail Kadare apo Sali Berisha, sepse nuk ka ndonje rregullore qe ma ndalon komentimin apo qe rregullon komentimin.

    Psh mua me duket e pamundur qe prof. Doja i vertete, te mos kete, as per kuriozitet profesional, shfletosur dicka nga antropologjia fizike. Pra, fakti qe ju pohoni se nuk keni asnje kompetence, as ne nivel amator kurioziteti, rreth racave/fenotipike qe perbejne kombin shqiptar, mua me ben te dyshoj qe jeni Doja i vertete. Ju s’keni asnje menyre si te vertetoni qe jeni ju, i teri dhe i beri, perpos te dale z. Vehbiu e te garantoje qe jeni i verteti.

    Gjithsesi, pertej ketij fakti te cuditshem e te sikletshem qe eshte vertetimi i identitetit ne internet ( fb rrefen shume) une doja te shprehja pakenaqesine time te vjeter qe antopologjia shqiptare nuk ka dhene asnje kontribut ne studimet albanologjike, ne nje kohe qe ka shume per te dhene, sidomos ne problemin e origjines ( llafi qe bie shqiptaret nuk mund te jene pasardhes te trakeve bese, sepse rajoni i Rodopeve ku banonin beset nuk ka qene dhe nuk eshte rajon i races/fenotipit dinarik – gje qe nuk mund te zbatohet vecse pjeserisht per dakomezet e Danubit te poshtem apo karpet e Moldavise karpatike- ).

    1. Meqë autori i shkrimit, A. Doja, e ka bërë të qartë se e ka bezdi të debatojë me njerëz që shkruajnë me pseudonim; dhe meqë kjo çështje nuk ka lidhje me temën e trajtuar në shkrim; dhe, meqë, më në fund, unë jam moderatori i kësaj hapësire, do t’ju lutesha që të respektojmë dëshirën e një autori që ndoshta nuk është i familjarizuar me debatin online, kështu siç bëhet në Peizazhet. Unë do të lutesha, në këtë rast, që “pseudonimet” që ndërhyjnë të mos angazhojnë drejtpërdrejt Dojën, të mos hyjnë në dialog me të, të mos i bëjnë pyetje të tipit “cili është mendimi juaj…” etj., por të mjaftohen duke folur për çështjet që ngrihen në shkrimin e tij dhe që më duken me rëndësi të madhe për kulturën dhe dijen sot në Shqipëri; dhe, në vazhdim të kësaj, të mos diskutohet më për identitetin e pjesëmarrësve në debat. Le të tregojmë pak kujdes, me autorë që sapo kanë filluar të shkruajnë te ne – kjo ndikon shumë edhe në reputacionin e revistës sonë.

    2. Dikur, kur kisha filluar të studioja gjuhësinë seriozisht, filloi të më tërhiqte në mënyrë “tjetër” një libër që rrinte prej kohësh në bibliotekën e tim eti: me titull “SEMIOTIKA E SËMUNDJEVE NERVORE”, autori Bajram Preza – mjek neurolog. Fjala “SEMIOTIKA”, në titull, po më ngacmonte keq, tani që isha njohur me Kursin e Saussure-it dhe kisha dëgjuar dijen e shenjave, SEMIOLOGJINË ose SEMIOTIKËN, dhe habitesha që këtë e paskësh praktikuar – të paktën në teori – edhe prof. Preza. Në të vërtetë, libri ishte një manual i diagnostikimit të çrregullimeve neurologjike, në bazë të observimit të simptomave, ose të “shenjave” të sëmundjeve – nëse nuk gabohem (sot kjo do të quhej “simptomatologji”). Nuk kish të bënte me SEMIOTIKËN tjetër, “timen”. Ose kish të bënte. Nuk di ta them. Si teori e shenjave, semiotika aplikohet edhe në praktikën e sinjaleve të trafikut, edhe në studimin e gjuhës së kafshëve, edhe në çdo fushë tjetër të dijes, ku janë të pranishme shenjat. E megjithatë, unë mund të përvetësoja nga fillimi në fund një manual të semiotikës, dhe prapë të mos dija nga ta filloja diagnostikimin e një problemi neurologjik. Sikurse prof. Preza nuk do të ndihej në elementin e vet, po t’i kërkonin të dallonte denotacionin nga konotacioni, te një fotografi në kopertinën e revistës YLLI.

      Ky muhabet m’u kujtua, tani që po diskutohet për antropologjinë fizike dhe kulturore dhe për të gjitha antropologjitë e tjera të mundshme. Doja e ka bërë të qartë se me çfarë antropologjie merret, sikurse edhe se me çfarë antropologjie NUK merret; dhe askush nuk do ta ngatërrojë punën e tij kërkimore, me atë të Aleksandër Dhimës, autor i një studimi të vëllimshëm për “Antropologjinë etnike të shqiptarëve”, botuar tani vonë nga UET-i. Para ca vjetësh, ka pasur polemika të mëdha edhe në mediat, kur Dhima aplikoi për anëtarësim në Akademinë e Shkencave dhe nuk e mori; edhe pse nuk mbaj mend që Doja të jetë përfshirë në këtë polemikë. Me aq sa mund të them, si jo i fushës dhe pa ndonjë interes specifik ndaj kësaj pune, Dhima është dijetar i ndershëm dhe kompetent, por që ka punuar me dekada në një fushë që sot mbahet e tëra si e minuar: askush nuk guxon më t’u matë kafkat njerëzve të gjallë dhe të nxjerrë nga matjet rezultate “antropologjike-historike” (jo thjesht mjekësore ose higjienike). Kjo, edhe pse ka një degë të antropologjisë, që studion origjinën e njeriut (homo sapiens) dhe evolucionin e tij, nëpërmjet gjetjeve arkeologjike, fosileve, etj. Por antropologjinë si ajo që bëhej para 100 vjetësh, kur dijetarët u matnin njerëzve këndin facial, sot nuk e qasin më në akademitë dhe universitetet, për arsye kryesisht ideologjike (nazistët digjnin njerëz në krematoriume ngaqë këta i kishin kafkat të llojit të gabuar); por edhe ngaqë disa objektiva të saj praktikë i arrin më lehtë gjenetika e popullatave; me fjalë të tjera, jo vetëm është diskredituar, por edhe është kapërcyer. Prandaj edhe tema si ajo e “racës shqiptare”, nuk mund të zihen më në gojë, dhe aq më pak nga akademikët dhe katedrat e universiteteve: i përkasin një miti tashmë të degraduar në forma mirëfilli folklorike.

      1. Falemnderit, do ta lexoj se shpejti. Sidoqofte, ne arkeoiogji matet gjithcka dhe duket si paradoksale qe nje arkeolog t’i referohet studimeve te para 100 viteve, sepse nderkohe nuk lejohen te reja.
        Po ashtu eshte qesharake qe shtetet perendimore t’i referohen, gjysherve e stergjysherve te shtetasve per te kuptuar perberjen racore/fenotipike dhe te zbatojne politikat e nevojshme ( zakonisht joeuropianet ne prejardhje jane neper periferi ku kane ngecur rendom prinderit e gjysherit e tyre, kane nevoje me shume per shtetin social, kane rroge mesatare me te ulet etj).

        Meqe po flasim per probleme dhe sfida ne albanologji, ja tek na doli nje problem, antropologjia fizike nuk na ka ndihmuar dhe nuk na ndihmoka dot as ne te ardhmen se ia kane vene vulen njehere e mire.

        Problem jo i vogel qe na del mbi siperfaqe edhe me rastin e Aleksander Dhimes, eshte qe ne ambjentet akademike studimet dhe fjalet duhen matur mire, ne rast se nuk do te ngelesh rrugeve.

        Me pak fjale problemet jane te tilla, qe cdo perkufizim paradigmatik perfundon pashmangshem ne mbikeqyres te rinj dhe kamzhike te tjere. Pra, jemi ne nje rreth vicioz, ku ka rendesi shpata e jo mendja.

  14. Faleminderit Ardian për këtë sqarim të mençur me shëmbullin e semiotikës!

    Sa për sqarim, unë e kam propozuar Aleksandër Dhimën në Akademi sepse e vlerësoj ashtu si dhe ti. Në Akademi, gjithë debatin e kam zhvilluar unë (ndonëse mediatikisht A.Fuga ishte më i dukshëm), madje vetë Dhima kur doli në shtyp ka përdorur gjithë argumentet e mia, edhe pse këto ishin konfidenciale për përdorim të brendshëm në Akademi. Sidoqoftë, mund të them se kjo ka qënë një ngjarje unike në historinë e Akademisë për të cilën edhe mund të jemi krenarë, pasi në përfundim të këtij debati Akademia u nda më dysh dhe do duhej veçse një votë e vetme që rezultati të ishte i ndryshëm. Por meqë nuk e paske ndjekur çështjen ashtu si e kam ngritur publikisht, mund ta shohësh intervistën time për Problemet e antropologjisë shqiptare përtej debatit në Akademinë e Shkencave.

    Por kam prekur gjithashtu, si aty edhe gjetiu, edhe karakterin ideologjik të antropologjisë fizike, që historikisht është përdorur nga sistemi nazi-fashist për “spastrimin” e racës njerëzore, ashtu si antropologjia në përgjithësi është përdorur nga sistemi kolonial për “mirëadministrimin” e popujve indigjene dhe ashtu si “folklori” është përdorur nga regjimi komunist për “spastrimin” e shoqërisë socialiste. Por ndonëse nuk jam “gjitholog” dhe nuk mund të shprehem për çështje që nuk i zotëroj, që nuk janë të profesionit tim apo për të cilat nuk kam kompetencë të mjaftueshme, mund të them se nuk është e vërtetë që antropologjia fizike apo biologjike, ku përfshihet jo vetëm primatologjia e paleontologjia, por edhe gjenetika e popullatave, nuk përdoret më. Përkundrazi, ashtu si dhe në rastin e diskutimit tonë, gjithçka varet nga kuadri ideologjik në të cilin zhvillohet dhe praktikohet edhe kjo fushë. Madje mund të them me siguri se me ndryshimin e kuadrit ideologjik nga mesi i shekullit të njëzetë, antropologjia evolucionare, fizike e biologjike, është kthyer në një nga shkencat më të përparuara. Siç më thoshte një koleg nga kjo fushë “kockat nuk gënjejnë kurrë”.

    Me fjalë të tjera, duhet shtuar se në shkencë nuk ka “nje rreth vicioz ku ka rëndësi shpata e jo mendja”, siç shoh tash Dies Irae të shkruajë, por sipas Thomas Kuhn por kemi të bëjmë në çdo rast me një dinamikë shkencore ku një paradigmë ideologjike zëvendësohet prej një tjetre. Prandaj, pa dyshim, nëse ngelesh në kuadrin e vjetër paradigmatik do të “perfundosh pashmangshëm nën mbikqyrës të rinj dhe nën kamzhikë të tjerë”. Kështu ka ndodhur, p.sh. me antropologun e shquar të Harvardit, Carleton Coon që ka bërë matjet e para fizike të shqiptarëve në vitin 1930. Ndërkohë që kolegët e tij po përqafonin dhe përpunonin paradigmat e reja në antropologji, ai këmbëngulte gjithnjë e më shumë, deri sa vdiq (në mos gaboj) aty nga viti 1986, në paradigmën raciste të antropologjisë.

    Prandaj besoj dhe shpresoj që edhe studimet shqiptare mund të kenë një të ardhme të paparashikuar nëse fillojmë të ndërmarrim një kritikë gjenealogjike radikale të ngjashme me atë që është kryer në antropologji prej viteve 1970, që mund t’i hapë rrugë përpunimit të një kuadri të ri ideologjik. Kjo mund dhe duhet të na bëjë të dalim nga përjashtueshmëria e një shkence shqiptare të bërë vetëm për të përkëdhelur sedrën e shqiptareve dhe që i ka vetë-izoluar dhe vazhdon t’i vetë-izolojë studimet shqiptare në ideologjitë e vjetëruara albanologjike.

    1. Albert, falemnderit, nuk e kisha parë intervistën tënde. Kam përshtypjen – por mund ta kem shumë gabim – se Dhima u dërgua për specializim, në antropologji fizike, sipas një programi në kuadrin e studimeve të etnogjenezës së “popullit shqiptar”, edhe në kuadrin e vërtetimit të autoktonisë. Në planin e folklorit kolektiv, ky program gjende shprehje në mitin e “gjakut shqiptar”. Ishte fati i keq i Dhimës që kulmi i arritjeve të tij studimore përkoi me diskreditimin e paradigmës së antropologjisë raciale (aq e vërtetë është kjo, sa po të kërkosh sot për brakicefalizëm në Google, të dalin vetëm hite për një deformim të kafkës të qenve bulldogë). Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe metodat antropometrike, që ai i përdor gjerësisht në librin e vet, tashmë më duket (sërish, e them me shumë rezervë) se janë zëvendësuar – në studimet etnogjenetike – me metodat e gjenetikës së popullatave. Gjenetika e popullatave solli në këtë fushë një revolucion të ngjashëm me atë të radiografisë, në mjekësinë e sëmundjeve të brendshme.

      Këtu po dua të shtoj edhe diçka tjetër – dhe pikërisht, që vijueshmëria gjenetike, e një popullate në një territor, nuk është e njëjtë me vijueshmërinë e gjuhës përkatëse – dhe kjo i kërkon albanologjisë të mbajë një qëndrim në lidhje me problemin e etnogjenezës: (1) shqiptarët mund të jenë më fort autoktonë si popull, se si gjuhë (në kuptimin që shqipja mund t’i jetë mbivendosur një popullsie vendëse); (2) shqiptarët mund të jenë më pak autoktonë si popull, se si gjuhë (që në trojet ku flitet sot shqipja të ketë ardhur një popullsi e re e cila të jetë asimiluar më pas nga ana gjuhësore, duke marrë gjuhën e popullsisë që ka zëvendësuar) dhe (3) shqiptarët në trojet e tanishme të jenë po aq të vjetër sa edhe shqipja. Kjo e fundit do të ishte hipoteza “e fortë”. Nuk e përjashton kush, por le të pranojmë, në parim, se lidhja mes gjuhës dhe “gjakut” (lexo: vijueshmërisë gjenetike) nuk është e pashkëputshme. Genet vërtet mund të tregojnë, me saktësi statistikore, lëvizjet e popullsive fizike dhe shkallën e përzierjeve masive në kohë, por kjo nuk mund të zbatohet automatikisht në studimet gjuhësore – dhe kulturën, të paktën për mua, e bën më shumë gjuha se “gjaku”.

    2. Carlton Coon nje antropolog i shquar amerikan i cili hulumtoi veriun e shqiperise dhe beri studime mjaft interesante per shqiptaret ketej dhe andej kufirit. u rekrutua ne sherbimin e fshehte amerikan OSS me kerkesen e vete Bill Donovan dhe punoi per nje kohe te gjate ne kete sherbim. Besonte shume ne teorine raciale te epersise se racave dhe per kete pati nje lloj paragjykimi nga shume kolege. Fakti qe sherbeu per sherbimet sekrete nuk ja uli asnje here vleren e tij shkencore ne fushen e antropologjise. Sigurisht ai i sherbeu vendit te tij do thote dikush dhe eshte e vertete por e solla si rast qe shume shkencetare, shkrimtare apo njerez publike kane qene pjese e asaj qe njihet si bota e fshehte dhe kjo nuk ja u hedh poshte vleren ne fushen ku ata bene emrin publik. Prandaj kjo histeri kolektive per Koliqi & Camaj mu duk nje reagim mjaft primitiv i nje shoqerie qe i shikon figurat e veta bardh e zi partizane apo gjermane prejardhje nga familje e jugut apo e veriut. Me shume se debati mbi faktet mua me beri pershtypje reagimi emocional nga shume njerez qe as qe e kishin lexuar materialin ne fjale. ne nje fare menyre ky reagim te ben te mendosh ne se ja vlen te shkruash per nje publik i cili nuk ka deshire te lexoje mesoje arsyetoje dhe te debatoje por te bertase me shume tek rradha e qumeshtit. mu kujtua kjo rradha e ores 5 te qumeshtit ku njerzit me jaka te ngritura i bertisnin njeri tjetrit per ndeshjen e futbollit.

  15. Faleminderit Auron për ndërhyrjen në këtë diskutim, që në fund të fundit ka marrë shkas nga shkrimi yt dhe për të cilin unë të kam përgëzuar disa herë, pikërisht lidhur me meritën për të ngjallur debate të tilla, por kam menduar se ti nuk ke pasur mundësi të na ndjekësh.

    Që në krye të herës, qëllimi im ka qënë së pari të vë në dukje pikërisht, ashtu si e karakterizon ti, atë “histeri kolektive për Koliqin e Camajn [si] një reagim mjaft primitiv i një shoqërie që i shikon figurat e veta bardh e zi, partizanë apo gjermanë, me prejardhje nga familje e jugut apo e veriut” dhe që unë e kam quajtur një debat anti-intelektual, d.m.th. “pa tru”, midis partizanizmit ideologjik dhe teknicizmit skolastik, me shpresë se publikut do t’i ngjallet “dëshira të lexojë, të mësojë, të arsyetojë dhe të debatojë”.

    Përtej kësaj, ky debat mund të tregojë se fama e Camajt apo Koliqit është ndoshta e ekzagjeruar prej partizanëve të tyre ideologjikë, jo vetëm për sa i përket krijimtarisë artistike për të cilën nuk kam parë askund se ku qëndron pikërisht vlera e paparë, prej asnjërit prej partizanëve, me përjashtim të deklamacioneve që konfirmojnë vetëm bindjet e tyre. Por gjithashtu, nuk kam parë askund të më tregohet as edhe ndonjë qëndrim antikomunist në përmbajtjen e veprës së tyre. Edhe Ilir Yzeiri, shkrimet e të cilit janë gjithmonë të spikatura, në studimin e tij të sapo botuar këtu mbi kritikat e Camajt ndaj letërsisë së realizmit socialist nxjerr në pah ndoshta pa dashur se qëndrimi kritik i Camajt duket më shumë si një përpjekje oportuniste, sidomos kur është fjala për një farë letërsie që të gjithë e njohim prej viteve shkollore kur ishim të shtrënguar ta lexonim dhe ta “vlerësonim” me detyrim. Në këtë vazhdë, mund të shtohet edhe kontributi mediokër, për të mos thënë dëmtimi, që Camaj apo Koliqi si dhe shumë të tjerë si ata u kanë sjellë studimeve albanologjike.

    Për sa i përket Carleton Coon, ke të drejtë, ai ka qënë një antropolog i shquar kur ka studiuar shqiptarët në 1930 dhe bëhet një agjent i përmendur në vitet e Luftës së Dytë Botërore në Afrikë. Veprimtaria e tij agjenturore mund të jetë e diskutueshme nga pikëpamje të ndryshme, por në rastin e tij, kjo nuk do të thotë se merita e studimeve të tij antropologjike varej apo kushtëzohej nga lidhja e tij me shërbimet sekrete. Përkundrazi, ai ishte një agjent i mbrojtur sepse nevojitej për ekspertizën e tij si një antropolog i shquar, siç ka ndodhur rëndom edhe me shumë antropologë të tjerë të shquar. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për një bursiste e thjeshtë si Julia Kristevan p.sh. që u katapultua në majat e shoqërisë intelektuale parisiane, si dhe aq më pak për një mësues fshati a një vjershërues provincialist e lokalist si Martin Camaj që kalon urtë e butë në majat e botës universitare gjermane.

    1. “Nje mesues fshati e nje vjersherues provincialist e lokalist si Martin Camaj”, te cilin elitat kulturore vanitoze te vendit e nderuan biles edhe ne nje emision pullash filatelike…. Hajde c’vete ne kete atdheun tone, hajde…

  16. Ardian, faleminderit për saktësimet dhe sugjerimet. Është e vërtetë që Dhima u dërgua për specializim në antropologji fizike sipas një programi në kuadrin e studimeve të etnogjenezës dhe të vërtetimit të autoktonisë së popullit shqiptar. Kjo është e vërtetë edhe për gjithë “të specializuarit” e tjerë të asaj kohe në Perëndim, përfshirë edhe mua, ndoshta edhe ty. Por shumë shpejt, për sa më përket mua të paktën, ndoshta edhe ty, ne u shkëputëm prej programit folklorik që gjente shprehje në mitin e “gjakut shqiptar”.

    Ndërsa fati i keq i Dhimës nuk mendoj se qëndron vetëm në faktin që “kulmi i arritjeve të tij studimore përkoi me diskreditimin e paradigmës së antropologjisë raciale”, sepse paradigma raciale kishte perënduar shumë kohë më parë. Ndoshta fati i tij i keq është i lidhur në radhë të parë me atë vetë, përderisa nuk ka mundur të shkëputet prej “programit folklorik që gjente shprehje në mitin e gjakut shqiptar” siç e quan ti, por ndoshta fati i tij i keq lidhet edhe me mjedisin ku ai kreu “specializimin” e tij. Në fakt, siç kam argumentuar gjetiu, Ostpolitika shkencore gjermano-austriake bashkëkohore ka lidhje të forta dhe nuk është shkëputur asnjëherë nga traditat e vjetëruara paternaliste ndaj studimeve shqiptare (Shih: Albert Doja, “From the German-speaking point of view: Unholy Empire, Balkanism, and the culture circle particularism of Albanian studies“, Critique of Anthropology 34, no. 3 (2014), pp. 290-326, doi:10.1177/0308275X14531834, veçanërisht f. 310-317).

    Gjithashtu, nuk mendoj se metodat antropometrike, që Dhima i përdor gjerësisht në librin e vet, janë zëvendësuar me metodat e gjenetikës së popullatave. Me sa di unë metodat antropometrike dhe studimet etnogjenetike plotësojnë njëra-tjetrën. Edhe një herë, ndryshimi qëndron jo në metodat por në pikësynimin e përdorimit të tyre.

    Këtu më duket i rëndësishëm sugjerimi i Ardianit lidhur me idenë e vijueshmërisë gjenetike të një popullate në një territor të caktuar në raport me vijueshmërinë e gjuhës përkatëse, si një çështje që i kërkon albanologjisë të mbajë një qëndrim në lidhje me problemin e etnogjenezës.

    Së pari, një nga arritjet më të rëndësishme të teorive të sotme antropologjike është të mëtojnë se ka një zhvillim paralel e të përbashkët ndërmjet tipareve gjenetike dhe tipareve kulturore. Sipas këtyre arritjeve duhet pranuar në parim një lidhje e pashkëputshme mes ndryshimeve kulturore (pra edhe gjuhësore si pjesë përbërëse të kulturës) dhe vijueshmërisë së tipareve gjenetike apo fizike e biologjike. Pra mund të kemi, në parim, edhe studime që mund të tregojnë me saktësi statistikore tiparet fiziko-biologjike dhe lëvizjet e popullsive në korrelacion me ndryshueshmërinë apo vijueshmërinë e tipareve të tyre kulturore e gjuhësore. Prandaj nuk duhen hedhur poshtë a priori punimet antropometrike të Dhimës apo hipoteza të tilla si ajo e shprehur nga Carleton Coon që lidhte një farë hiperbrakiqefalie tek shqiptarët me qëndrimin e fëmijës në djep. Kjo hedh poshtë edhe batuta të tilla si ajo që i atribuohet Fishtës (në mos gabohem) sipas së cilës “katunar bre burrë, me ndrru njëzet lëkurë, qytetar nuk bahesh kurrë”. Por me që jemi në nivelin e batutave, kjo mund edhe të vëzhgohet drejtpërsëdrejti pa pasur nevojë për matje të specializuara antropomorfike, si p.sh. në rastin e disa prej politikanëve qendrorë të ardhur para tridhjetë vjetësh nga krahina të ndryshme, apo në rastin e çifteve martesore që kanë një periudhë relativisht të gjatë harmonie familjare.

    Së dyti, nuk jam i sigurtë nëse studimet shqiptare në përgjithësi, apo më mirë çdo lloj studiues që merret me çështje shqiptare në veçanti, kanë apo duhet të kenë në qendër të vëmendjes problemin e etnogjenezës dhe të vërtetimit të autoktonisë së popullit shqiptar së bashku me gjuhën dhe kulturën e tij, me fjalë të tjera “programin folklorik që gjen shprehje në mitin e gjakut shqiptar” siç e quan ti. Në vetvete kjo s’ka asgjë të keqe, por të paktën nga pikëpamja e qasjes shkencore të dukurive shoqërore, studiuesit duhet të bëjnë të qartë në çdo rast përse kanë zgjedhur këtë “program” dhe jo një tjetër. Kështu vijmë përsëri dhe detyrimisht tek diskutimi mbi çështjet ideologjike të përcaktimit të kësaj apo asaj paradigme brenda së cilës studimet dhe kërkimet e gjithë secilit marrin kuptim.

    Me këtë rast, nëse më lejon, le ta zgjerojmë diskutimin duke futur edhe çështje të tjera që po ndiqen këtej pari, me sa kuptoj pothuajse nga të njëjtët lexues e komentues. Kështu p.sh. në një nga përgjigjet që ka sjellë Anila Omari për komentuesit e shkrimit të saj mbi historinë e fjalës “zdromë” në shqipe, më ka pëlqyer pa masë fakti që Eqrem Çabej nuk është shprehur për formulën e mallkimit, pasi “ai zakonisht nuk shprehej kur nuk kishte diçka të re për të thënë“. Gjithashtu, kohë më parë, Anila më ka përcjellë edhe shkrimin e Bardhyl Demirajt në mbështetje të një diskutimi tjetër të mëparshëm. Pasi e kam lexuar me shumë vëmendje atë shkrim të gjatë dhe teknikisht të ndërlikuar, në fund kam parë me shumë kënaqësi se qëllimi i tij (të paktën me sa kam kuptuar unë) ishte për të provuar se në atë kohë kur Skënderbeu dhe bashkëkombasit e tij thoshin se jemi Epirotë me këtë nënkuptonin se ishin Shqiptarë. Me sa di unë, këtë ekuacion të përmbajtjes etnike të emërtimit “epirot” të asaj kohe nuk e ka vënë në diskutim askush, por ndoshta unë e dij gabim sepse interesi i këtij argumenti ishte për t’iu kundërvënë tezave të Oliver Schmitt mbi Skënderbeun. Në fakt, prandaj edhe më ka pëlqyer argumenti i Bardhit sepse edhe unë i kam kundërshtuar ato teza, ndonëse nga drejtime të tjera, mbështetur më shumë në argumente të metodologjisë historike sesa në të dhëna të përmbajtjes etnike (Shih përsëri: Albert Doja, “From the German-speaking point of view: Unholy Empire, Balkanism, and the culture circle particularism of Albanian studies“, Critique of Anthropology 34, no. 3 (2014), pp. 290-326, doi:10.1177/0308275X14531834, veçanërisht f. 314-315). Sidoqoftë, kjo është edhe arsyeja pse e lexova me shumë interes shkrimin e Anilës, sidomos pas rreshtave të parë kur ajo shprehet se po “jep mendimin [e vet] mbi dokumentimin e kësaj fjale në shqipe, mendim të cilin me këtë rast po e bën publik“. Pavarësisht nga interesi im, ndoshta edhe nga që mund të mos e kem kuptuar sa dhe si duhet, nuk e gjeta dot cili ishte pikësynimi i këtij shkrimi dhe i komenteve që e shoqërojnë, si dhe për çfarë mendimi e ka fjalën Anila, “mendim të cilin me këtë rast ajo po e bën publik”.

    Gjithashtu, për t’u kthyer tek pikësynimi i ideve të Ardianit mbi autoktoninë e shqiptarëve si popull në raport me vjetërsinë e gjuhës së tyre, le të marrim në konsideratë mendimet e tij të shprehura në shkrimin mbi historinë e dialekteve të shqipes, përkatësisht nëse ato kanë qënë historikisht “shumë më pranë njëri-tjetrit sa janë sot”. Për këtë qëllim, Ardiani privilegjon “në vija shumë të trasha” dallimet në kohëzgjatjen relative të ekspansionit të gjuhës, për të nxjerrë në pah, për çudi, një korrelacion të zhdrejtë midis dallimeve dialektore dhe vjetërsisë së gjuhës. Unë nuk i zotëroj argumentet e gjuhësisë diakronike dhe mendimet e mia i paraqes me shumë rezerva, por me sa di unë nga pikëpamja e gjuhësisë së përgjithshme si dhe nga pikëpamja shkencore në kuptimin e shkencave sociale e politike, ka një korrelacion të drejtpërdrejtë midis unifikimit të dialekteve apo krijimit të koinève gjuhësore dhe rendit politik të centralizuar, autoritar e diktatorial, një korrelacion që është konfirmuar që nga krijimi i koinèsë së greqishtes së lashtë nën regjimin e Perikliut e gjer në gjuhët e sotme, me sa di unë pa ndonjë përjashtim, përfshirë edhe standardizimin e shqipes nën regjimin komunist.

    Nëse është kështu, atëhere në vend që studimet e historisë së dialekteve të shqipes, apo albanologjia në përgjithësi, të orientohen nga “programit folklorik që gjen shprehje në mitin e vjetërsisë dhe të autoktonisë së gjuhës, të kulturës dhe të gjakut shqiptar”, të paktën për sa më përket mua, do të ishte më mirë që këto studime të orientohen me pikësynimin për të ndriçuar historinë e formimit dhe konsolidimit (ose jo) të rendeve politike në territoret ku është folur shqipja dhe është formuluar kultura që konsiderohet si shqiptare. Kjo do të na ndihmonte për të kuptuar dhe zgjidhur në rrafsh gjuhësor e kulturor edhe një sërë problemesh me të cilat përballet shoqëria shqiptare në kuadër të çoroditjes politike dhe botëkuptimore gjatë këtyre viteve që i quajmë në tranzicion. Sigurisht, këtu e kam fjalën për gjithfarë partizanizmash krahinoriste e dialektaliste që lulëzojnë pa të keq në dëm të konsolidimit si të shtetit edhe të gjuhës e të kulturës, përfshirë edhe debatin që është bërë shkas i këtij diskutimi.

    Por, për hir të liberalizmit demokratik, ndoshta këto nuk duhen konsideruar të rëndësishme, por kalimtare e tranzitore, apo ndoshta shumëkush mund të mendojë edhe se është më mirë kështu se sa të kemi shtet, gjuhë e kulturë të konsoliduar e të afirmuar!

  17. Duke lexuar artikullin e autorit “Gjuhësia shkencore dhe ideologjia albanologjike”, si dhe diskutimet e paradisamuajve në statusin FB të Lejda K., po shoh se ka një konfuzion lidhur me kuptimin dhe përdorimin e termit albanologji, pra jo të gjithë kuptojnë të njëjtën gjë.
    Nëse ju kujtohet, para viteve ’90 tek ne nuk përdorej aspak termi “albanologji” për Studimet shqiptare, dhe asnjëri nga gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë e të kulturës popullore, historianët, arkeologët shqiptarë nuk quheshin albanologë. Ky term përdorej për studiuesit e huaj që merreshin me studime shqiptare. Ai është përdorur vetëm me rastin e dy konferencave të para të studimeve “albanologjike” (1965, 1968), për të shënuar me një term përmbledhës shkencat që merren me studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e të kulturës shqiptare, një përkufizim ky që e ka edhe Fjalori i 1980-s. Fjalët “albanologji” dhe “albanolog” filluan të përdoren pas ’90, në të njëjtën mënyrë siç hynë në përdorim me shumicë fjalët e huaja, dhe tani po përdoren edhe për studiuesit shqiptarë, pa bërë dallim mes tyre dhe të huajve. Në këtë kontekst nuk ka vend për shpjegimin e albanologjisë si sistem ideologjik gjithëpërfshirës i ngjashëm me një lloj filozofie të kërkimit shkencor. Problemet e etnogjenezës së shqiptarëve apo të formimit të gjuhës shqipe janë vetëm një aspekt i studimeve albanologjike. Madje në ditët e sotme nuk ka më studime serioze për çështjen e filiacionit të shqipes nga njëra prej gjuhëve të lashta të Ballkanit apo të shqiptarëve nga njëri prej popujve të Ballkanit antik, përderisa nuk është zbuluar as edhe një tekst sado i shkurtër që të dëshmojë në mënyrë të sigurt ndonjërën nga këto gjuhë. Me argumenta vetëm gjuhësorë nuk është e mundur të zgjidhet problemi i origjinës së shqipes, prandaj duhen vlerësuar të gjitha të dhënat e dijeve të ndryshme albanologjike, si historia, arkeologjia, antropologjia dhe të gjitha këto shkenca duhet të bashkëveprojnë në këtë drejtim. Për këtë arsye theksohet gjithmonë se albanologjia është një dije e përbërë, ndërdisiplinore.
    Nga ky shpjegim i albanologjisë del se ajo nuk është një shkencë alternative ndaj gjuhësisë, historisë, antropologjisë etj., por është një term përmbledhës për të gjitha këto shkenca, të cilat në rastin specifik merren me botën shqiptare, ashtu siç merret, ta zëmë, romanistika me gjuhët, letërsinë e kulturën e gjuhëve dhe qytetërimeve neolatine, anglistika, gjermanistika apo sllavistika me të vetat etj. Në vend të albanologji madje mund të përdoret edhe termi albanistikë, siç kanë zgjedhur ta përdorin në Kosovë e në ndonjë vend tjetër perëndimor. Për të qenë më konkretë, me shembujt që sillen në artikull, tekstet e vjetra shqipe sigurisht që i studion filologjia, çështjet e fonetikës apo të gramatikës shqipe, qoftë të sotme qoftë historike, i studion gjuhësia, çështjet e gjuhësisë së zbatuar shqipe po ashtu i studion gjuhësia, historinë e gjuhës shqipe gjithashtu e studion gjuhësia, dhe jo patjetër në funksion të autoktonisë së shqiptarëve: këto studime, të paktën në albanologjinë shqiptare, kanë shteruar me artikujt e Çabejt për vendin dhe kohën e formimit të shqiptarëve etj., dhe po ashtu historinë e shqiptarëve e studiojnë historianët, apo antropologjinë shqiptare antropologët, etj., por të gjitha këto hyjnë në albanologji, me një term përmbledhës, që përdoret vetëm kur duam të përgjithësojmë studimet për botën shqiptare.
    Sa për nacionalizmin, ky është gati i pashmangshëm në fusha studimi që lidhen me identitetin kombëtar, siç janë shkencat albanologjike, dhe për këtë mjafton të shohim studimet historike të vendeve fqinjë të Ballkanit ku në kohën e sotme, më keq se në të kaluarën, vihen re ekstremizma nacionaliste. Kjo nuk ka lidhje me ndonjë ideologji të caktuar, por është e vetvetishme tek studiuesit si individë që i përkasin një kombi, të cilit i studiojnë përbërësit e tij identitarë. Edhe studime që mëtojnë të jenë të zhveshura nga nacionalizmi, kur flasin për synime kolonializuese të albanologjisë së huaj, në thelb shfaqin një ndjenjë viktimizimi për kombin tonë që të çon përsëri tek ndjenja kombëtare.
    Për t’iu përgjigjur Albertit lidhur me qëllimin e shkrimit tim për historinë e fjalës zdramë në shqipe, unë thjesht gjeta rastin që u hap ky diskutim në PTF për ta shprehur një mendim që kisha krijuar lidhur me enigmën e fjalës në formulën e mallkimit të vitit 1843.

  18. Faleminderit Anila për këtë ndërhyrje që besoj se mund të shtrojë në vijë të drejtë diskutimet e shumta, më shpesh pa lidhje sesa me lidhje, në postime të ndryshme në Peizazhet e Fjalës të këtyre ditëve të fundit. Edhe unë mendoj ashtu si thua ti se “ka një konfuzion lidhur me kuptimin dhe përdorimin e termit albanologji”. Nuk më kujtohet mirë lidhur me cilën temë, por kemi diskutuar këtej pari pikërisht për këtë konfuzion. Me këtë rast edhe unë kam theksuar se nuk ka asnjë problem me termin “albanologji” kur përdoret, ashtu si thua ti, “për të shënuar me një term përmbledhës shkencat që merren me studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e të kulturës shqiptare”. Pra kur është fjala për qasjet shkencore ndërdisiplinore, konceptimi i tyre përmbledhtas nën termin “albanologji” nuk mund të jetë kurrsesi një shkencë alternative ndaj qasjeve shkencore disiplinore të gjuhësisë, filologjisë, historisë, arkeologjisë, etj., sepse pikërisht qasjet shkencore disiplinore përbëjnë dhe shkrihen në qasjet ndërdisiplinore. Ky lloj konceptimi i qasjeve shkencore në vetvete nuk përbën asnjë problem, sepse qasjet shkencore disiplinore apo ndërdisiplinore mund t’i quajmë fare lirshëm ose “albanologji”, ose “studime shqiptare”, ose qasje ndërdisiplinore që përqendrohen në studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e të kulturës shqiptare, ose të gjitha së bashku, ose çfarëdolloj emërtimi për të cilin biem kolektivisht dakord. Unë personalisht preferoj termin “studime shqiptare”, siç bëhet sot gjerësisht (me përjashtime të rralla) edhe gjetiu, pikërisht për të larguar çdo lloj konfuzioni.

    Me sa duket problem përbën konfuzioni që mund të krijohet me kuptimin dhe përdorimin e termit homonimik “albanologji” si një sistem apo kuadër ideologjik gjithëpërfshirës, apo më mirë si një filozofi e kërkimit shkencor, posaçërisht në studimet shqiptare apo në fushat disiplinore dhe ndërdisiplinore që studiojnë historisë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Në këtë mes, duhet të kuptojmë në radhë parë dhe të bëhemi të vetëdijshëm se nuk ka dhe nuk mund të ketë qasje shkencore as fushë studimore pa një kuadër ideologjik apo filozofi të kërkimit shkencor, siç quhet sot më gjerësisht. Kjo është çështje epistemologjike që me siguri nuk ka shqetësuar asnjëherë albanologët, por pikërisht këtu qëndron problemi sepse kuadri ideologjik apo filozofia shkencore përcakton pikësynimet dhe zgjedhjet metodologjike e teorike për çdo lloj kërkimi shkencor. Besoj se shumëkush është dakord që kërkimi shkencor në asnjë lloj fushe studimore nuk mund të praktikohet ashtu kuturu, pa pikësynime të qarta dhe pa bërë disa zgjedhje teorike e metodologjike dhe jo të tjera. Pikërisht këto pikësynime e këto zgjedhje përbëjnë apo përcaktohen nga kuadri ideologjik apo filozofia shkencore. Madje kjo është e vërtetë edhe kur studiuesit nuk janë të vetëdijshëm për pikësynimet dhe zgjedhjet e tyre. Por është e domosdoshme që studiuesit të ndërgjegjësohen për kuadrin ideologjik në të cilin brendashkruhen studimet e tyre, ndryshe do të mjaftohen me evidentimin dhe sistematizimin pa fund të dhënave faktike e teknike me të cilat operojnë, ashtu si me sa duket duhet të ketë ndodhur me shumicën e botimeve albanologjike që vazhdojnë prej fillimit të jenë pa fund e pa krye. Është pikërisht një vetëdije e tillë intuitive që bënte të mundur, si na kujton Anila, që Çabej p.sh. “zakonisht nuk shprehej kur nuk kishte diçka të re për të thënë”. Ma do mendja se është ndoshta mungesa e një vetëdije të tillë që bën të mundur që një profesor i nderuar në universitete europiane elitare të ngatërrojë të dhënat empirike apo teknike me empiricizmin, teknicizmin, historicizmin, folklorizmin, etj. Të dhënat empirike e teknike të çdo lloj natyre qofshin, historike, filologjike, arkeologjike, kulturore, shoqërore, demografike, etj. janë të domosdoshme për të përpunuar modelet teorike dhe metodologjitë shpjegimore që kemi zgjedhur në funksion të pikësynimeve kërkimore që përcaktohen nga kuadri ideologjik apo filozofia e kërkimit shkencor. Ndërsa empiricizmi, teknicizmi, historicizmi, folklorizmi, etj. nxjerrin krye kur nuk kemi pikësynime të qarta, por bëjmë studime për hir të studimeve, ashtu kuturu, pa ditur pse bëjmë këto apo ato zgjedhje teorike e metodologjike. Shpesh, në rastet më të mira, këtë e bëjmë në mënyrë intuitive e të pavetëdijshme, ose e marrim si të mirëqenë pa e kuptuar dhe pa u thelluar. Prandaj mendoj se ndërgjegjësimi i albanologëve mbi një çështje të tillë epistemologjike është i domosdoshëm për të krijuar kushte të reja të ecjes përpara në studimet shqiptare.

    Tani nëse paradigma ideologjike në të cilën kanë lindur dhe vazhdojnë të praktikohen e të zhvillohen studimet shqiptare mund apo duhet emërtuar apo cilësuar me termin homonimik “albanologji”, kjo është çështje më pak problematike, sepse nëse kuptohemi drejt mund të zgjedhim çfarëdolloj termi për të cilin biem kolektivisht dakord. Nëse unë personalisht preferoj termin “albanologji” për t’iu referuar kuadrit ideologjik apo filozofisë shkencore të studimeve shqiptare dhe nëse ky term më duket më i përshtatshëm se terma të tjerë, kjo lidhet më shumë me historinë e lindjes së këtij termi që mbart në vetvete një hipotekë të rënduar ideologjike të trashëguar nga tradita e studimeve gjermanishtfolëse në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Në këtë mes, vërejtja që sjell Anila lidhur me përdorimin relativ të termit “albanologji” për albanologët e huaj, por jo për albanologët shqiptarë gjatë regjimit komunist, më bën të mendoj se në atë kohë mund të ketë pasur një farë ndërgjegjësimi intuitiv kolektiv për t’u shkëputur nga ndikimi i ideologjive koloniale, që shpjegohet me imponimin e një kuadri të ri ideologjik nacional-komunist.

    Sidoqoftë, zgjedhja e termit “albanologji” për t’iu referuar kuadrit ideologjik apo filozofisë shkencore të studimeve shqiptare të deritanishme mund të ketë meritën të tregojë se qasjet ndërdisiplinore në studimet shqiptare vazhdojnë të kenë probleme të ngjashme epistemologjike, konceptuale e metodologjike, të cilat duhen diskutuar, debatuar, e shtruar për zgjidhje. Këtu nuk është fjala thjesht për ndonjë viktimizim nacionalist as për të hedhur poshtë filozofinë kombëtare në studimet shqiptare, por përkundrazi për një ndërgjegjësim të karakterit kolonizues e vetëkolonizues apo nacional-komunist e viktimizues të ideologjisë albanologjike në mënyrë që studimet shqiptare të çlirohen prej kuadrit ideologjik të vjetëruar, që me sa duket vazhdon të mbijetojë në mënyrë të pavetëdijshme.

    Në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, pavarësisht pikësynimeve kolonialiste dhe pasojave vetë-kolonizuese, albanologjia përpunoi një sërë mitesh të domosdoshme kombëtare si Skënderbeu, prejardhja, autoktonia, përparësia, veçantia, etj. Nga mesi i shekullit të njëzetë deri në vitet 1990 u përpunuan mite të reja me transformimet socialiste, revolucionarizimin e jetës, krijimin e njeriut të ri dhe arritjet teknologjike e shkencore, përfshi edhe “arritjen” e zhvendosjes së qendrës së albanologjisë nga albanologët e huaj tek albanologët vendës në Tiranë, që në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse kapitalizim i albanologjisë koloniale për ta shndërruar në albanologji nacional-komuniste. Në kushtet e çoroditjes ideologjike që ka pësuar shoqëria shqiptare në këto 30 vitet e fundit, studimet ekonomike mbështeten mbi paradigmën tranzitologjike, ndërsa një pjesë e studimeve historike, sociologjike, politike, etj. mbështeten në paradigmat postmoderniste, dekonstruksioniste apo postkolonialiste, të cilat të gjitha nuk janë pa probleme. Mandej ka një sërë studiuesish të rinj që janë edhe më të shumtë dhe kanë përqafuar paradigmat majtiste, neo-feministe apo islamiste, si dhe ekstremizma të tjera të këtij lloji, të cilat marrë veç e veç apo kombinuar, janë ndoshta edhe më të rrezikshme. Në këto kushte më duket e papranueshme që forcat më të përgatitura shkencore merren akoma, p.sh. me historinë e gjuhës si provë e autoktonisë, përparësisë dhe veçantisë së një shoqërie të imagjinuar, në vend që të merren me politikën e gjuhës apo dukurive të tjera dhe të riorientohen nga problemet dhe sfidat e historisë, kulturës dhe shoqërisë reale.

    Në këtë kontekst, më duket e domosdoshme të përpunohet një kuadër i ri ideologjik, i cili jo vetëm t’u paraprijë qasjeve shkencore ndërdisiplinore të së ardhmes, por edhe të krijojë kushte për mobilizimin e shqiptarëve rreth një projekti politik, shoqëror e kombëtar, në mënyrë që t’i bashkojë dhe t’u japë nijet e vendosmëri në kërkim të interesave të përbashkëta. Më duket se më shumë se për këdo tjetër ky pikësynim është detyrë dhe përgjegjësi e studimeve shqiptare, sepse nuk mund të kënaqemi më me konstatimin e shkërmoqjes së vlerave kombëtare dhe turravrapit për t’u larguar ku sytë këmbët.

    1. Me sa mund ta përmbledh, kemi të bëjmë me të paktën gjashtë përkufizime të ndryshme të ALBANOLOGUT dhe të ALBANOLOGJISË, si më poshtë:

      ALBANOLOG:

      1. cilido studiues (i certifikuar zyrtarisht) në fushën e gjuhësisë, historisë, filologjisë, arkeologjisë, antropologjisë, gjeografisë, etnomuzikologjisë, etj. që merret me këto fusha në kontekstin e studimeve shqiptare (gjuha shqipe, historia e shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre, folklori i shqiptarëve, arkeologjia në trojet shqiptare).

      2. cilido studiues i humaniteteve shqiptare, që zgjedh të punojë në perspektivën historiciste (diakronike, etj.).

      3. si në kuptimin 1, por “i shquar”, në kuptimin që ka dhënë kontribute të qenësishme në fushën përkatëse. Albanologu si aristokrat i dijes shqiptare (që merret me tema të mëdha, të rënda dhe me rëndësi “strategjike”, si ajo e autoktonisë ose e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët).

      4. studiues jo shqiptar i temave të përmendura në pikën 1.

      5. studiues që u qaset fushave në pikën 1 nga pozitat ndërdisiplinore (p.sh. dikush që studion etnogjenezën e shqiptarëve duke kombinuar të dhëna gjuhësore, me ato historike dhe arkeologjike).

      6. filozof i dijes që ka për objekt gjënë shqiptare (epistemolog i shqiptarisë).

      ALBANOLOGJI

      1. emër përmbledhës për dije të tilla si gjuhësia, historia, arkeologjia, filologjia, etj., që kanë për objekt gjënë shqiptare.

      2. Studimi i gjësë shqiptare, por në perspektivën historiciste (në diakroni, etj.).

      3. Ajka e studimeve shqiptare në humanitetet. Manifestimi i shqiptarisë në “akademi” ose dija në shërbim të interesit kombëtar.

      4. Studimi i gjësë shqiptare nga të huajt (në universitetet e huaja, etj.).

      5. Qasja ndërdisiplinore ndaj gjësë shqiptare.

      6. Epistemologjia e dijes rreth gjësë shqiptare.

      Unë vetë do të mjaftohesha me pikën 1, në të dy rastet, e cila do të përmblidhte edhe pikën 5.

  19. Mire pat thene ai zoteria: “Perpara se te fillojme diskutimin, duhet te merremi vesh per terminologjine”.

    Neqoftese, me gjithe perkufizimet per albanologji dhe albanolog, te dhena me siper nga Z. Vehbiu (me te cilat nuk eshte e thene qe cdo albanolog, apo pretendues si i tille te jete dakord), atehere a nuk ju duket se duhet ta ndalni pak vrapin, te merreni mire vesh me njeri tjetrin (po mundet sigurisht) se cfare eshte tamam ajo gjeja qe doni t’ia ndryshoni paradigmen e pastaj te gjeni paradigmen e re.

    Me falni per nderhyrjen si elefanti ne dyqanin e porcelaneve, por me te vertete qe ia arritet ta peshtjelloni mendjen e nje shqiptari te thjeshte, jo i fushes, rreth albanologjise. E kuptoj edhe qe para se te jete konfort per shqiptarin e thjeshte albanologjia eshte objekt i studiuesve te sofistikuar, por po ju lutem edhe nje here, nqs albanologjia mbetet vetem objekt i dijetareve te kombit, cfare po i duhet pjese tjeter te kombit?

  20. U be 1 muaj e gjys qe eshte hapur tema, po ashtu eshte trajtuar gjeresisht edhe ne tema te tjera, nuk besoj se te gjithe komentuesit rrahen uje ne hava. Me albanologji autori kupton paradigmen e studimeve shqiptare, ku peshen historike sigurisht qe e mbulon gjuhesia, sepse albanologet kryesore te huaj ishin gjuhetare. Autori e cileson ( te themeluar) si paradigme kolonialiste austriake (me shume se hungareze), barra e se ciles u cua para nga Italia fashiste ( krahas njefare trashegimie gjermano-naziste te ambicieve austriake). Autori mendon se vijimesia ne institucionet e sapokrijuara shqiptare ishte njefare fataliteti prej faktit qe njerezit e pergatitur ne Shqiperine e pasluftes i takonin asaj paradigme dhe tashme eshte koha per ndryshim . Persa i takon Italise fashiste, nuk ka dyshim se mes lufterave ajo e coi para nje albanologji kolonialiste, (Ugolini si simbol), mirepo autori duhet te argumentoje bindshem ceshtjen austriake sepse indoeuropianistet e shkolles gjermane qe jane marre me albanologji, praktikisht jane te njohur boterisht, dhe kane bere vete historine e gjuhesise se krahasuar. Dmth nuk duket nga ai lloj qe do te orientohej ne studimet e veta nga Ballplatz-i. Pra, eshte nje dyshim legjitim, se autori i ka interpretuar faktet jo ne udhen e Zotit, por qe te vadise ngastren e vet. Sigurisht qe dokumente per perfshirjen e x apo y albanologu austro-gjerman ne politiken e Ballplatz-it, si jane keto per Camajn (se Koliqi dihet) do te ishin per mendimin tim te mjaftueshme per te rishikuar ne themeli rezultatet e gjuhesise albanologjike dhe jo vetem.

    1. Më lejoni t’ju kujtoj se Bardhyl Demiraj ua ka shkruar tashmë ndoshta më qartë se unë:

      “Mundësitë e mia këto janë. E shkruaj këtë që të mos irritoheni në rast se juve a dikujt tjetër, nuk u përgjigjem dot më, pas çdo lloj reagimi. Dhe arsyeja është e thjeshtë: Unë nuk e fitoj bukën e gojës me ndërhyrjet e mia në Peizazhet e Fjalës, ndërkohë që atë pak kohë të lirë që kam mund ta organizoj krejt ndryshe, p.sh. të shkruaj diçka tjetër që kam dëshirë e më nxit ta botoj po në Peizazhet. Ju mund të shkruani sigurisht atë që e ndjeni a e shihni të arsyeshme. Në rast se unë shkruaj diçka, mund t’i përmbaheni pikërisht asaj që shkruaj. Kur nuk iu pëlqen, mos lexoni më tej. Askush nuk ju pengon as ju lutet të vazhdoni.”

      Unë mund të mos jem dakord për shumë gjëra me Bardhyl Demirajn por nëse do ta kisha shkruar unë, përsëri nuk do t’i ndryshoja kësaj asnjë presje.
      Do mund të shtoja ndoshta se zakonisht, kur studiuesit flasin në blog për diçka mbështeten detyrimisht diku dhe nuk është nevoja të përmendin në çdo rast shih punimin tim këtu e aty, sepse pasi këto janë përmendur një herë konsiderohen të njohura dhe nuk fillohet në çdo koment nga e para. Ndryshe kësaj i thonë vërtet flasim “në hava”. Në fund të fundit, besoj se këto diskutime shërbejnë për të ngjallur interes të lexojmë e të mësojmë. Prandaj, siç ju kam shkruar tashmë edhe më parë, “nuk shoh ndonjë interes intelektual të diskutojmë me “më the të thashë”, por mendoj se diskutimi mund të bëhet vetëm duke angazhuar seriozisht në diskutimet tona literaturën përkatëse, përfshi edhe punimet e mia nëse doni të diskutoni mbi idetë e mia”. Më sipër Anila Omari bëri pikërisht këtë dhe prandaj pata kënaqësi intelektuale t’i përgjigjem. Kështu, p.sh. edhe nëse dikush është i interesuar për rolin e Ballplatz në veçanti apo për historinë e traditës studimore gjermane-austriake në përgjithësi, veçanërisht kur është fjala për lindjen dhe zhvillimin e ballkanologjisë dhe albanologjisë, ka literaturë të mjaftueshme në të cilën janë mbështetur edhe studimet e mia. Po kështu, përpara se dikush të flasë apo të bëjë akrobacira semantike-leksikore, mund të lexohen paraprakisht punimet e mia dhe të kolegëve të mij, nëse jeni të interesuar për rolin e ngjashëm të Komitetit Qendror në projektin shkencor nacional-komunist në veçanti apo për konceptimin e kuadrit ideologjik të albanologjisë në përgjithësi.
      Atëherë ngelem i hapur për diskutim. Edhe një herë ju falënderoj paraprakisht për mirëkuptimin.

      1. Nqs i referoheni botimit tuaj qe gjendet ketu
        https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-01133422/document

        atehere ju me lapsin tuaj pohoni qe:

        Surely, there was no concrete political programme for an instrumental research, but a generous stimulation of Albanologie and Volkskunde, so that in a more serious situation, namely the First World War, they could be put at the disposal of the Austrian state interests.

        Pra, pohoni qe nga zyrat e Ballplacit nuk ka dale asgje konkrete ne lidhje me albanologjine, perpos nje nxitjeje/stimulimi per nevoja te ardhshme e te pritshme politike. Por kjo eshte dicka qe cdo Fuqi e Madhe e kryen ne zonat ku ushtron ndikimin e vet dhe eshte dicka e mirenjohur per shqiptaret, per te mos thene qe vrapohet kush i korr i pari frytet qe Fuqia e Madhe e interesuar i leshon sikunder fiku rrekezat e gushtit qe u kane shpetuar arzave.

        Ceshtja qe ngrihet ketu, nuk ka te beje me komentet dhe kohen, por me verifikimin, deri me tash te munguar, te pohimeve qe lidhen me rolin e Austro-Hungarise.

        Nuk mjafton vetem fakti qe Fuqia e Madhe ushtron ”soft power” nepermjet ndikimit te forte kulturor ndaj nje vendi te vogel, sepse vendet e vogla dhe te mesme gjenden vazhdimisht nen ndikimin e forte kulturor te Fuqive te Medha. Ky ushtrim i ”soft power” nepermjet kultures zbatohet normalisht prej ministrive te jashtme, ambasadave dhe spiunazhit te Fuqive te medha dhe ka per objekt shtresen intelektuale te vendit te vogel, meqenese ajo qe merret me shume me kulturen ( gjeja me banale, nje fond per perkthimin e x,y vepre qe jepet nga z ambasade apo institut i huaj kulture, apo fondacion i dyshimte ose nje fond i BE-se qe jepet per kulturen demokratike e brockulla te tilla qe edhe levruesit e dine qe jepen qe te perfundojne neper xhepa).

        Nqs, synimi juaj eshte te nxirrni qe nje pjese e shtreses intelektuale shqiptare, te kaluar dhe te sotme, ka qene dhe eshte ne nje menyre a tjetren ne borderone e ndonje Fuqie te Madhe ( ministri e jashtme, ambasade, spiunazh) apo edhe thjesht te interesuar, kjo eshte plotesisht e vertete dhe arsyeja pse ekziston koncepti i ”soft power”.

        Por, kjo eshte tjeter gje nga nje albanologji, tezat e se ciles, gatuhen ne Ballplac. Kjo, jo se s’mund te jete paraprakisht e vertete, thjesht kerkon vertetim.

  21. NGA MODERATORI: Më lini t’ju kujtoj edhe një herë se askush nuk është i detyruar të komentojë këtu (dhe as të sakrifikojë duke komentuar); sikurse askush nuk është i detyruar t’u përgjigjet interpelimeve që i vijnë nga palë të treta. Hapësira e komenteve nuk duhet përdorur dhe nuk do të përdoret për të marrë në pyetje emra të njohur të fushës, të cilët qëllon të marrin pjesë në debat. Dëshira ime, si pronar i faqes dhe moderator i diskutimeve është që t’i mbaj këto të hapura për të gjithë, por t’u jap përparësi atyre që, sipas gjykimit tim, kanë më shumë për të thënë në lidhje me temat. Kujtoj edhe se për shkak të vetë natyrës së komunikimit online, nuk mund të pretendohet që të zbatohen këtu kriteret e debateve në forume mirëfilli shkencore dhe akademike – të cilat ndonjëherë zgjatin me muaj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin