Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

ILUZIONE TË KUJTESËS (I)

  1. Shvejku nën Efektin Mandela

Para disa vjetësh, pata vënë re, me një shkrim këtu në Peizazhet (Shvejku juaj apo yni), se një thënie që i atribuohej shpesh Shvejkut në mediat – “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë” – ishte në fakt apokrife; pa çka se po i nxirrte kryet praktikisht kudo.

Njëlloj kam parë t’i bashkëngjitet heroit të Hashekut edhe një shprehje si “arsyeja e mos-arsyes sime”, e cila me gjasë i përket Don Kishotit.

Tani po shoh që Shvejkut t’i dhurohet – pa pikën e mëdyshjes – një batutë tjetër: “Të gjitha rrugët të çojnë në Bugjejovice.”

Zanafilla e këtij operacioni të fundit mund të ndiqet: në hyrje të kapitullit për anabasin, Hasheku përmend thënien latine se “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, dhe pastaj e përdor këtë për të komentuar bindjen e çuditshme të Shvejkut se ky do të mund të arrinte në Bugjejovice pavarësisht nga drejtimi që zgjidhte për të ecur.

Te shkrimi i lartcituar, pata pyetur – në mënyrë retorike – se ç’i bënte bashkatdhetarët e mi t’i vinin Shvejkut në gojë batuta të rreme, në një kohë që romani vetë është aq i pasur me batuta të vërteta.

Gjithë duke supozuar se këta keq-citues besonin vërtet se këto fjalë vinin prej Shvejkut. Pse vallë? Ngaqë dëshironin t’u jepnin një mbështetje a një autoritet batutave që krijonin ata vetë? Apo mos dukuria i ka rrënjët më thellë, në psikologjinë kolektive?

Në mediat perëndimore diskutohet prej vitesh për të ashtuquajturin “efekti Mandela” – një patologji e kujtesës që e merr emrin nga bindja e shumëve prej nesh që Nelson Mandela pat vdekur në burgjet jug-afrikane dikur në vitet 1980. Fiona Broome filloi të mblidhte dëshmi rreth këtij “kujtimi të rremë” dhe t’i publikonte në një sajt të posaçëm (The Mandela Effect). Sipas saj, ishin me mijëra ata që besonin kështu.

Të gjithë kemi kujtime që nuk i përgjigjen realitetit: mjaft të krahasojmë se çfarë mbajmë mend nga shkolla e mesme, gjatë një përvjetori të Maturës. Por efekti Mandela shfaqet atëherë kur i njëjti kujtim i rremë shfaqet në një masë njerëzish, ose bashkëndahet prej shumëve.

Shpjegimet që i janë dhënë këtij efekti marrin në vështrim deri edhe ekzistencën e universeve paralele, ose mundësinë e “editimit” të së shkuarës – nëpërmjet kryqëzimit të historive nga këto universe. Nuk do të merremi këtu me këto hipoteza; por do të pranojmë se efekti i kujtesës kolektive të rreme mund të ketë të bëjë me përshtatjen – e pavetëdijshme – që i bën kolektiviteti narrativave historike reale, për t’i “normalizuar”.

Shembullin më lart, me citatet apokrife nga Shvejku, e solla për të ilustruar një efekt Mandela vërtet minor, por të shpjegueshëm relativisht lehtë: njerëzit, madje edhe pa e lexuar romanin e Hashekut, kanë një ide për Shvejkun si personazh dhe autor batutash, të cilën pastaj e zbatojnë ndaj thënieve që atyre vetë u pëlqejnë, ose që u duken si të Shvejkut. Me gjasë, kjo ndodh ngaqë Shvejku e ka kapërcyer tashmë kufirin që ndan personazhin letrar nga personazhi mitologjik, si aktor i teatrit mitologjik bashkëkohor – duke u bërë, si me thënë, më real edhe se vetë Hasheku.

Sajimi i batutave do kuptuar kështu si një mënyrë e përvetësimit të Shvejkut nga vetëdija kolektive – diçka e ngjashme do të ketë ndodhur, bie fjala, edhe me Hoxhë Nastradinin.

Ashtu kemi shpjeguar edhe atribuimin e remë, Fan Nolit, të një vjershe me titullin “Merr e zgjidh”, strofat e së cilës kanë qarkulluar me frenezi të pazakontë në mediat shqip vitet e fundit (lexoni Mandela në ndihmë të Nolit te sajti ynë). Patëm shkruar, atëherë, se kjo vjershë, në pasion e sipër, mund të rrezikonte të katandisej në të vetmin krijim të “Nolit” i njohur nga masa kulturë-dashëse, ngjashëm me batutat apokrife të Shvejkut.

Në fakt, atribuimet e rreme i bashkëlidhen ngushtë përshtypjes kolektive se copëza ligjërimore – që mund të jetë vepër letrare, thënie, proverbë ose batutë – i përgjigjet me përsosmëri shijeve popullore të momentit. Një origjinal nuk mund të konkurrojë dot, kundër këtij lloji të ekspediencës, aq më tepër në ekosisteme të kulturës orale, si yni, ku roli i shkrimit (dhe i teksteve) si arkiv i dijes ende nuk është konsoliduar. Në një mjedis të tillë, personazhe si Shvejku marrin atributet e një “nomen agentis” – në kuptimin që Shvejk do të quhet kushdo që thotë një batutë me karakteristika të caktuara (absurde, paradoksale, etj.); dhe anasjelltas, çdo batutë që përmbush kritere të caktuara, do t’i atribuohet këtij Shvejku (në retorikë, kjo mund të merret edhe si një formë a efekt i antonomazisë).

Diçka e ngjashme me “efektin Mandela” ndodh edhe kur disa copëza letrare, zakonisht poezi kitsch ose letra sentimentale, ose aforizma të caktuara, u atribuohen gabimisht autorëve të njohur, shpesh edhe me ndërmjetësimin e rrjeteve sociale a të Internetit në përgjithësi (ku autoritetit vertikal ia zë vendin shpërndarja horizontale ose bashkëndarja – sharing). Kështu bëri, bie fjala, ish-kryeministri italian Renzi kur, gjatë një lectio magistralis në Universitetin e Buenos Aires-it, deklamoi vargje nga një poemë, sipas tij, e Borges-it (kemi folur për këtë farsë këtu: Punë etiketash), të marra nga Facebook-u a nga Instagrami.

Më shpesh se ç’mund të tolerohet i gjen këto lajthitje në fjalimet e vona të Ramës (shembuj këtu: Kundera kundër dhe këtu Gjenerali i citueshëm). Natyrisht, edhe Renzi, edhe Rama i kanë mundësitë për t’i verifikuar burimet e citimeve të tyre “kulturore”, ndryshe nga qyqarët e gjynahqarët që redaktojnë Shvejkun. Nëse nuk e bëjnë, kjo gjithsesi pak lidhje ka me përçudnimet e kujtesës kolektive.

Në vija të trasha, efekti Mandela ka të bëjë edhe me një përplasje midis mbingopjes me informacion dhe përpjekjeve kolektive për t’i dhënë kuptim realitetit, duke vënë rregull te ky informacion. Shembujt më lart kanë natyrë më shumë ilustruese, dhe i solla sepse janë të lehta për t’u rrokur dhe verifikuar; por shtrembërimi i vizionit tonë kolektiv për të shkuarën duhet marrë seriozisht, sidomos kur përzihet dhe ndikon në debatin politik.

[vijon]

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.

1 Koment

  1. Mbaj mënd, kam patur një shokë me të cilin më lidhte puna që bënim. Ndonse ai merrte pjesë me një zell të parrëfyer në çdo diskutim që mund të bënim, nuk di, por edhe sot vazhdoj me bindjen që ai vështirë se mund të kish patur kurajon për ti shkuar një libri nga fillimi në fund. Nuk e harroj, sa herë që shfaqte një mendim, për ta bërë të besueshëm, e kish bërë zakon të thoshte, p.sh., se “Gorki ka thënë”, “Tolstoi ka thënë”, apo ku di unë dhe më pas këpuste një broçkull kaq të hatashme sa nuk kish kandar që ta ngrinte. Natyrisht, kur ne me shaka i kundërviheshim dhe e pyesnim se ku e ka thënë Gorki këtë që ju thoni, ai i largohej përgjigjes pa më ë voglin skrupull moral. Ishte vërtetë defiçent dhe thirrjen në ndihmë të personave influent e ndiente si nevojë. Për të, kjo mënyrë sjellje ishte e vetmja rrugë për të fituar qoftë dhe një respekt minimal në ambientin që e rrethonte.. Pra, ishte një veprim për tu ndjerë sadopak i barabartë në ambientin rrethues, por në një mënyrë fare të pa merituar.
    Unë e kam rilexuar Shvejkun edhe një herë më tepër (ndoshta për të tretën herë) vetëm për të gjetur shprehjen që rëndom kish filluar të përdorej :”Ç’më duhet mua, se çfarë bëjë unë.” dhe kërrkund nuk e kisha hasur në botimin e tij në shqip këtë thënie të vënë në gojën e këtij personazhi me përmasa të përbotshme. Pas kësaj, sa herë e dëgjoja nga dikush, nuk di, por mëndja më shkonte kurdoherë te shoku im i punës.
    Sidoqoftë, kjo nuk është asgjë në raport me ndonjë diskutim politik që bënim në kohën e diktaturës. Sekretari i Partisë së repartit apo njësisë administrative, këpuste hajvanllëqe të asaj shkalle sa të linin pa fjalë, por kur ai thosh se “shoku Enver ka thënë” dhe më pas vinte ligjërata e tij ulëritëse për nga idiotësia, të gjithë aprovnim pa më të voglin diskutim dhe askujt nuk i binte ndër mënd të pyeste se ku shoku Enver e kish thënë këtë që ai thoshte. Sepse, kuptohet, një pyetje e tillë shkonte pas asaj që thoshte :” Hajde moj bela dhe krruam aty ku më ha.”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin