Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

SHQIPËRIA 40 MILIARDË

Sheiku Abdu-Salam Bin Nizam Maghub Tusheflika i ka ofruar qeverisë dhe popullit shqiptar të blejë Shqipërinë për 40 miliardë dollarë. Me premtimin se ai mund ta qeverisë më mirë këtë vend, ai i ka propozuar qeverisë një koncesion qeverisës prej 100 vjetësh.

Qeveria e Shqipërisë e ka shqyrtuar propozimin e Sheik Abdu-Salamit dhe po përgatit ndryshimet e duhura kushtetuese për mbledhjen e radhës së parlamentit.  Partitë opozitare kanë kërkuar që koncesioni të miratohet vetëm me referendum. Kështu që fill pas ndryshimeve të duhura kushtetuese shqiptarët do të votojnë për referendumin e parë të këtij lloji.

Meqë kushtet e koncesionit dhe kontrata e synuar nuk janë publikuar për të ruajtur sekretin e biznesit, qytetarët do të votojnë vetëm në parim, pro ose kundër dhënies me koncesion të Shqipërisë. Sidoqoftë, qeveria ka bërë transparente disa përfitime që shqiptarët do të kenë nga ky koncesion.

  • Sheiku Abdu-Salam do të jetë shtetasi i vetëm në Shqipëri, e cila do të ruajë vendin e saj në organizmat ndërkombëtare dhe strukturën e organizimit politik të vendit. Ai do të zgjedhë i vetëm Bordin e Menaxhimit, ose Këshillin e Ministrave, dhe administratën që do të qeverisë Shqipërinë, që do të regjistrohet edhe si “Salam & Albania Co.”
  • Të gjithë qytetarët e tjerë do të paguhen nga $113,234.02 për të hequr dorë nga shtetësia e tyre, si dhe do të jenë aksionarë pa të drejta të “Salam & Albania Co.”
  • Shtetasit që do të largohen me vullnet e lirë do t’u paguhen biletat e avionit për vendin pritës, si edhe do të kenë liri hyrje-daljeje në Salam & Albania Co. për një periudhë 5 vjeçare.
  • Të moshuarit që nuk do të mund të largohen për shkaqe të ndryshme do të përfitojnë një pension mujor, me të cilën do të paguajnë qëndrimin e tyre në kampet e pensionistëve për një periudhë 5 vjeçare në ishullin e Sazanit. Eutanazia dhe kostot e varrimit do të merren përsipër nga Salam & Albania Co.
  • Vetëm 110 000 shtetas nga shtetasit e sotëm të Shqipërisë kanë të drejtë të punësohen në kompaninë Salam & Albania Co. dhe të jetojnë në vendbanimet e tyre aktuale, por me shtetësi të posaçme të Republikës së Burundit. Për administrimin e aplikimeve “Salam & Albania Co.” do të angazhojë kompaninë e saj të punësimit “Salam Working & Fostering”, ish-Ministria e Punës.
  • Nëpunësit aktual të administratës gëzojnë prioritet për punësimin në administratën e koncesionarit.
  • Ministritë e tjera do të emërtohen sipas funksioneve të tyre: Ministria e Arsimit do të pagëzohet me “Salam Education”; ajo e transportit do të quhet “Salam Transport & Travel”; Ministria e Bujqësisë do të emërtohet në “Agro-Salam & Production”; Ministria e Rendit në “Salam Protection” dhe Ministria e Financës dhe Ekonomisë do të shkrihen në “Salam Insertion & Friction.”
  • Nuk dihen ende masat që do të merren ndaj shtetasve që do të refuzojnë largimin nga Salam & Albania Co. dhe procedurat e çshtetëzimit të tyre.

Sheiku Abdu-Salam ka kërkuar largimin e menjëhershëm të klasës politike për të mos ndikuar në procesin e referendumit. Anëtarët e partive të përfaqësuara në parlament do të përfitojnë një shtesë prej $30,000 përveç shumës bazë. Shuma e përfitimit për deputetët nuk është publikuar.

Subjekti i vetëm politik që e ka kundërshtuar këtë koncesion është Partia Ekologjike. Ajo kundërshton shifrën e ofruar dhe kushtin për shpërblimin financiar të anëtarëve të partive në parlament. Ajo kërkon që të gjithë anëtarët e partive politike, pavarësisht prezencës së tyre në parlament, madje edhe ata anëtarë që janë në dy ose më shumë parti, të marrin bonuset përkatëse sipas përfaqësimit të tyre. Kjo, sipas kryetarit të tyre, Shingjin Nderske, është e drejtë, pasi në zgjedhjet e ardhshme ata mund të hynin në parlament.

Mbi 90% e shqiptarëve do të votojnë pro referendumit, sqaron studiuesi Aruted Lashonjza duke iu referuar një sondazhi të IKA (Instituti Karpuzian i Anketave). Sidoqoftë, siç edhe shprehet studiuesi Flamur Llakipari, referendumi duhet të organizohet nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtare, pasi besimi në infrastrukturën zgjedhore është shumë i ulët sipas anketave të shoqatës së z. Llakipari. Ky propozim mbi mbikëqyrjen është kundërshtuar fuqishëm nga partia më e madhe opozitare, PD, për arsye se nuk respekton sovranitetin e institucioneve shqiptare.

Gazetarët tanë zbarkuan në terren dhe pyetën disa prej “të intervistuarve profesionistë” se ç’mendonin mbi referendumin dhe ku dëshironin të zhvendoseshin. Këta nuk janë kalimtarë të zakonshëm por profesionistë nga anketat dhe intervistat e shumta që kanë dhënë. Ata gjenden kryesisht në qendër të Tiranës pikërisht për intervista të tilla nga gazetat dhe televizionet e ndryshme në vend. Disa prej këtyre profesionistëve me opinione të forta kanë blogjet e tyre ose prezencë të ndjeshme në Facebook e rrjete të tjera sociale, dhe shërbejnë si termometër i gjallë i opinionit publik në vend.

Qytetari 1: “Tirana është bërë lëmsh. Nuk piqet njeriu me njeriun. Nuk ka asnjë pikë reference. Më parë lije takim tek pallati i Ismail Kadaresë apo shtëpia e Berishës. Tani e dimë se ku banon Edi Rama, por Surreli nuk mund të jetë pikë reference. Prandaj unë them të jepet me koncesion. Për dreq edhe Skënderbeun na e hoqën, që kur i vunë parkingun nën këmbët e kalit kam dëgjuar ti thonë “Humnera”. Sa të marrë paratë e më prit o Kubë, me ose pa Fidel Kastron.”

Qytetari 2: “Jam dakord të jepet me koncesion. Këta dështuan në qeverisjen e Shqipërisë. Vre veç se ç’kanë bërë me pensionin tim. Më dhanë 1.5% rritje dhe më morën 1230 lekë me rritjen e taksës së gjelbërimit dhe të televizorit. Tani më refuzojnë rimbursimin. Ja ku i kam letrat në xhep. Vëreji pak se kam harruar syzet! Po ku të ikësh? Si ta lë pensionin? Më kanë thënë se andej nga Republika Domenikane mund të blejë shtetësi për $8,000, të tjerat më dalin për të ngrysur jetën.”

Qytetari 3: “Shqipëria nuk bëhet. Ëndërroi Samiu. Apo ishte Abdyli. Nuk ka rëndësi. Makth u bë. Historia e shqiptarit është histori braktisjeje. Ne veç kemi ikur. E kemi pjellë. Tani le të ikim të gjithë e të pillemi gjëkundi tjetër. Për më mirë o Zot i madh. Veç larg këtyre. Unë do të iki në ishujt Fixhi. Gruan dhe fëmijët i kam nisur.”

Qytetari 4: “Tre vjet pa punë. I kam dhënë emër kësaj bordure, ku kam 4 vjet që ulem përditë. Por shpresa vdes e fundit. Kam besim tek Abdu-Salami. Por që tani kanë filluar allishverishet me shpërblimin që jep Abdu-Salami. Kërkojnë $12,000 të marrësh paratë e tua more vëlla. Ku ti gjejmë? Nuk i kemi marrë akoma, e këta politikanët e qelbur të fusin në duart në xhep. Sekserët vëlla, sekserët e hëngrën këtë vend. Ah Abdu-Salam ç’na bëre! Po them të shpërngulem në Venezuela. Me dashnoren, se gruan do e lë këtu. Shyqyr që erdhi kjo ditë!”

Qytetari 5: “Kam filluar të mbledh plaçkat. Aq sa kam. Më kanë ngelur nja dy divane të mamasë. I kam kujtim. Të 1978. Dhe një komo, se e harrova. I kam marrë me vete kudo kam lëvizur, nga Skrapari këtu në Tiranë. Një postiqe do e lë. Por besoj se ato para të na dalin për të filluar një jetë më të mirë në Kazakistan. I bëj thirrje Abdu-Salamit që të na i japë paratë vetë, dorazi, me firmë. Nuk bëhet me këta që janë.”

Qytetari 6: “Shyqyr! Këtu vetëm grindemi. Nga mëngjesi në darkë. Grindem me gruan. Sherr me motrën. Desh u therëm më vëllain. U rraha dje me komshiun. Para një muaji theva nofullën. Sot mezi po shoh nga syri i majtë. Nuk po di nga vete. Po më vjen Tirana vërdallë nga dhembja. E ja tani, sikur ta kish hedhur Perëndia me gjyle, vjen edhe ky sihariq. Do t’i marr ato para e nga sytë e këmbët. Nuk e sheh më Mitron këtu sikur edhe me flori t’ia shtrosh. Rrofsh e qofsh o Abdu-Salam! Ku do të vete? Po ç‘të duhet ty ku do vete? Pse pyet? Ç’dreqin do? Ik or çun m’ler rehat në hallin tim!”

Opinioni qytetar është tepër pozitiv. Stafi ynë i gazetës gjithashtu uron që ky koncesion të përfundojë me sukses, edhe pse së shpejti do të ndahemi nga kolegët për të filluar një jetë më të mire në mërgim.

 

4 Komente

  1. Te gjitha i ke sakllam. Emri i sheikut eshte gabim, nuk e di e ke me qellim apo nga padia. Ah, dhe nuk eshte sheik, eshte nje miliarder me origjine hungareze dhe me rezidence ne SHBA.

    1. Nuk e di nga e keni marre ju kete informacion, por ministrja e Ekonomise Milva Ekonomi eshte shprehur per nje sheik. Ky qe thoni ju eshte Ben Soros Hungarezi, por ai humbi ne tender per koncesionin e partise socialiste.

      1. Me sa di une, ky Soros-i ka marre me koncesion vete kryetarin e PS. Po nejse ti mos i merr fare seriozisht te gjitha cfare shkruhen ne Internet.

  2. Qytetarja 7: “A do e kemi ate fat …Te shpetoj[e] ai popull nje here e pergjithmone .Une uroj me gjithe shpirt[e] …I[n]shalla[h] rroj e ta shoh ate vend ashtu si e meriton.”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin