Shkaqet dhe arsyet e masakrës së tanishme në Mynih ende nuk janë sqaruar – por duket sikur autori, Ali Sonboly, ka pasur probleme mendore, është kuruar për depresion dhe, sikurse e formulon një e përditshme e Tiranës, “ka vuajtur nga bullizmi.”
E theksoj këtë formulim të fundit, sepse lë të kuptohet – për një moment – sikur bullizmi të jetë ndonjë lloj sëmundjeje, e ngjashme me epilepsinë ose skizofreninë ose psoriasis-in; teksa është në fakt sëmundje, por aspak e viktimave të veta. Është patologji sociale, që përcjell vuajtje të pashembullta në ata që rrëzon përdhé, pikërisht në një moshë kur këto – viktimat – duhej ta gëzonin jetën si kurrë, në shoqërinë e moshatarëve.
Për bullizmin është folur dhe do të flitet shumë; ka qenë gjithnjë i pranishëm në mjediset shkollore, por kam përshtypjen se në disa shoqëri më i pranishëm se në disa të tjera; dhe sidomos, atje ku kultura i kushton vëmendje obsesive sa konformizmit fizik, aq edhe shpirtit kompetitiv dhe sforcimit seksual të sublimuar.
Ka diçka primitive, te bullizmi; kur një grup kthehet kundër pjesëtarëve të vet më të dobët, fëmijëve të sëmurë, me probleme mendore, me defekte të foluri, me “theks” të huaj në shqiptim, me orientim seksual të lëkundur, me deformime a gjymtime trupore, obezë, miopë, disleksikë; kthehet kundër tyre, i përqesh, i përndjek ndonjëherë me dhunë të mirëfilltë, tallet me ta, i shndërron në kanale ku të çlirohet, i pandëshkuar, brutaliteti i turmës. Është një lojë ku praktikohet, ditën për diell, fashizmi dhe arroganca e turmës.
Gjithnjë them me vete: sikur të isha mësues, do t’ia kisha kushtuar gjithë ditën kujdesit për fëmijët viktima të bullave e të grupeve që koagulohen rreth bullave dhe që, si grupe, prej bullave marrin zemër për të përçuar dhunë; dhe për të “eliminuar” nga gjiri i tyre më të dobëtit, më të ndryshmit; ata që nuk përshtaten, që nuk i konformohen një modeli social a një mode të çfarëdoshme, ata që vishen keq, që kanë shije të çuditshme, që nuk dinë të flasin, që djersijnë shumë, që nuk qeshin me barcaletat e ditës.
Ky iraniani, që pas gjase masakroi të pafajshëm në Mynih, gjeti një mënyrë për t’ua transmetuar të tjerëve gjithë dhimbjen dhe frustrimin dhe përçmimin, me të cilin e kish shpërblyer jeta që fëmijë. E kishin “vrarë” simbolikisht përditë, në shkollë a kushedi ku tjetër; tani vrau edhe ky. Bëri një passage à l’acte, që qindra mijëra fëmijë të tjerë, të shtyrë dhe të pështyrë dhe të përqeshur dhe të përndjekur anembanë botës nuk do ta bëjnë; por përndryshe vetëm sa e ri-shpërndau, në mënyrën e vet perverse, një padrejtësi gati kozmike.
U tha se kishte probleme mendore; ndoshta këto e bënin të dukej i ndryshëm prej të tjerëve, e veçonin si të çuditshëm, si “weirdo”, si “freak”; e pikturonin si shënjestër të “gallatës” së shpenguar; por ndoshta e kundërta pat ndodhur: tortura e përditshme, në shkollë, e kish lënduar, ia kish thyer besimin tek jeta, duke e gjunjëzuar para këtij fati, që asnjë fëmijë, në asnjë skutë të globit, nuk duhet ta provojë: veçimin, ostracizmin, persekutimin e dhunshëm prej moshatarëve të vet.
Dhimbje e vjetër që shkakton dhimbje të reja; ja një spirale që mund të shpjegojë shumëçka, pa çka se ajo vetë ka më shumë se kurrë nevojë për t’u shpjeguar dhe, kushedi, edhe ndalur në gjarpërimin e vet absurd.