Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

GËZUAR VITIN E RI 2025

Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,

Një përshëndetje, kjo e këtij fundviti, që e duam të jetë e ndryshme nga të tjerat; dhe jo ngaqë synojmë origjinalitet (edhe atë e synojmë), por sepse revista “Peizazhe të fjalës”, bashkë me ne të redaksisë, autorët e saj dhe lexuesit, nuk është më ajo e një viti më parë, dhe aq më pak ajo e viteve të shkuara. Ditë pas dite krijimtari, punë në redaksi, punë administrative – që shtohen në mënyrë të pakontrollueshme; punë me autorët e rinj dhe më pak të rinj, punë me faqen, të gjitha këto nuk të lënë të ndalesh dhe të shohësh rrugën që ke bërë. Dhe vjen dhjetori, kërkon të reflektosh sado pak në krahasim edhe me një vit më parë, dhe nuk di nga ta nisësh.

Revista ka jetën e saj autonome, në hapësirën mes autorëve, drejtuesve dhe lexuesit; si prani solide dhe e qëndrueshme në firmamentin mediatik-kulturor online dhe më tej: gjatë 2024-ës botuam mbi 349 shkrime origjinale nga 86 autorë, nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Më poshtë po sjellim një përzgjedhje shkrimesh që përfaqësojnë disa prej preokupimeve tona intelektuale të këtij viti.

Dy kanë qenë temat më të mëdha, rreth së cilave e kemi thurur pëlhurën e prurjeve tona: albanologjia, sfidat që i vijnë prej alternativëve dhe sidomos të ashtuquajturve “turbologë” në lidhje të ngushtë me autoritetin e institucioneve, të dijes dhe të ligjërimit shkencor në hapësirën kulturore shqiptare; dhe riprodhimi i së shkuarës nëpërmjet mediave dhe artit (letërsisë, teatrit, kinemasë), në ballafaqim e ndonjëherë në kundërvënie me diskursin historiografik.

Albanologjia, veçanërisht sa i takon historisë së gjuhës shqipe, ka qenë gjithnjë në vëmendje të revistës, falë edhe orientimit profesional të disa prej autorëve kryesorë; por 2024-a ishte viti kur artikuluam një qëndrim më sistematik ndaj dukurisë turbologjike, të parë në vetvete, por edhe në kontekstin e nxitjes së saj prej masmediave dhe pafuqisë së institucioneve – nga Akademia e Shkencave te Universitetet – për të dalë në publik me qëndrime dhe mesazhe të qarta dhe pozicionime proaktive.

Deri në vjeshtë të këtij viti, botuam me dhjetëra artikuj, ese dhe polemika kushtuar albanologjisë alternative, nga autorë profesionistë të fushës; ashtu u mundësua botimi i esesë monografike “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”, nga Ardian Vehbiu (recensioni nga Teuta Toska); dhe i përmbledhjes me ese e studime “Në mbrojtje të arsyes albanologjike” me kontribute nga Bardhyl Demiraj, Dhori Qiriazi, Aristotel Spiro, Mimoza Kore, Edon Qesari, Enkeleida Kapia, Marek Majer dhe Ardian Vehbiu, të gjitha të botuara më parë në “Peizazhe të fjalës” (parathënia e librit). Kështu revista “Peizazhe të fjalës” u shndërrua në forumin dhe tribunën kryesore e këtij debati me vlerë të madhe për të ardhmen jo vetëm të studimeve albanologjike në hapësirën shqiptare, por edhe për statusin dhe autoritetin e shkencës dhe të dijes, në një atmosferë mediatike dhe kulturore të kërcënuar seriozisht nga nacionalizmi populist, padija dhe irracionalizmi.

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 filluam të punojmë edhe për projektin “E shkuara është vendi ynë”, një nismë shumë planëshe që përfshin edhe një seri esesh kushtuar kujtesës urbane, mikro-historisë dhe pranisë së të shkuarës në të tashmen, parë edhe në ndërthurje me redaktimin që ia bën arti – letërsia, filmi, artet vizuale – kujtesës kolektive. Ajo çfarë i lidh këto dy projekte me njëri-tjetrin – sfidat e albanologjisë përballë agresivitetit populist dhe praninë ndonjëherë po aq agresive të së shkuarës në të tashmen – është pikërisht synimi i revistës “Peizazhe të fjalës”, si përpjekje kulturore e përditshme, që kërkon të ngrihet ajo vetë dhe lexuesit e saj mbi rutinën letargjike të masmediave dhe të rrjeteve sociale, për të kërkuar një dekodim, sado të pjesshëm, të ndodhive në kulturë dhe në dije, përndryshe të lëna në të errët nga pushtetet e interesuara.

Si edhe më parë, vazhduam të bëjmë edhe miq, edhe armiq; disa na duan sepse gjejnë te ne veten, ose të paktën shpresën për një ligjërim kulturor që të jetë edhe tyri; disa nuk na duan, sepse ndihen të sulmuar nga ky apo ai shkrim polemik, por ka edhe që nuk na duan, sepse u cenojmë vetëkënaqësinë dhe iluzionin se janë në kontroll. Armiku ynë më i madh mbetet indiferenca dhe shqetësimi mos disa nuk na lexojnë thjesht ngaqë nuk kanë informacion për ne, ose kanë krijuar një imazh të shtrembër dhe të gabuar, falë abuzimit prej mediave sensacionaliste; prandaj edhe shpresa jonë më e parë është ta ndryshojmë këtë imazh, duke e zëvendësuar me çfarë është revista në realitet.

Si pjesë e strategjisë sonë për të qenë të pranishëm me lexuesit përtej tekstit dhe mjedisit online, këtë vit u takuam me lexues e dashamirës në disa aktivitete në Tiranë e Shkodër, prej të cilave veçojmë takimin “Reader, where art thou?”, ku në vëmendje ishte akti i leximit kritik, gjë që jemi përpjekur ta kultivojmë nëpërmjet revistës që 18 vjet. Një tjetër takim, këtë herë në Bibliotekën Kombëtare, na dha mundësinë për të diskutuar rreth krizës së autoritetit në albanologji (fjala e mbajtur). I veçojmë këto dy evente si shëmbëlltyra të veprimtarisë tonë në vite, për ta problematizuar marrëdhënien mes lexuesit të angazhuar, autorit dhe autoritetit.

U jemi mirënjohës të gjithë atyre që na kanë ndjekur dhe janë bërë pjesë e veprimtarive tona të formateve të ndryshme; dëshmi se përveçse revistë, “Peizazhe të fjalës” është tashmë edhe komunitet – autorësh, lexuesish dhe mbështetësish, por sidomos komunitet mendjesh, që ka gjetur dhe gjen veten te revista dhe që merr pjesë në jetën e saj.

Nuk do t’i çonim dot përpara këto nisma me frymëmarrje të gjerë, pa bashkëpunimin me një grusht bashkëpunëtorësh të vyer, të cilët e pasurojnë revistën me çdo prurje të re dhe i japin fisnikërinë e nevojshme për të komunikuar me një shtresë të zgjedhur lexuesish; kemi edhe autorë të cilët bashkëpunojnë me ne sporadikisht, por po aq të vlefshëm. Megjithatë, ende nuk po arrijmë ta bashkërendojmë potencialin e madh të autorëve që shkruajnë për ne, si influencues për ta rritur dukshmërinë e revistës, në një kohë kur censura – pavarësisht nga vjen – synon pikërisht t’i shtyjë prani si e jona në periferi të vëmendjes së algoritmeve.

Mbetemi të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunime që na mundësojnë të angazhojmë mendjet dhe penat më të mprehta në shërbim të dijes publike, gjithnjë me shpresën për të gjetur formula dhe mundësi praktike, për t’i paguar disa prej autorëve më cilësorë dhe më të rregullt, për të cilët revista të jetë jo vetëm vitrinë, por edhe strehë. Edhe më shumë na shqetëson sfida e qëndrueshmërisë a mbajtshmërisë (sustainability) të revistës sonë, në një periudhë kur edhe thjesht rritja e angazhimit tonë dhe e vetë profilit tonë si media kulturore shoqërohet me rritje të shpenzimeve edhe redaksionale, edhe të mirëmbajtjes teknike edhe të mbështetjes së disa nismave që i kemi për zemër. Ka një grusht mbështetësish bujarë të përpjekjeve tona, të cilët kanë dhuruar me zemërgjerësi të admirueshme këtë vit, si edhe më parë, dhe të cilëve u shkon mirënjohja jonë pakufi. Këtij modeli të dhurimit nga lexuesit dhe dashamirësit e revistës, por edhe përkrahësit e misionit që ndjekim tashmë që prej vitit 2007 i kemi besuar gjithnjë, të vetëdijshëm se financimet institucionale, sado të nevojshme, janë zakonisht afatshkurtra dhe lidhen me projekte specifike.

Kush e shfleton rregullisht uebin këtë periudhë, do të ketë parë se modeli i aksesit me pagesë, nëpërmjet abonimit, tashmë po adoptohet gjerësisht – nga media të mëdha dhe me miliona lexues, te revista online si jona dhe organe edhe më të personalizuara, si substacks. Abonimi sjell me vete edhe një lloj të ri të angazhimit edhe të revistës me të abonuarit, edhe të lexuesve të abonuar me revistën; por i përket një modeli financiar të cilin ne ende nuk e njohim mirë, meqë do të sillte me vete një shndërrim të vetë statusit të “Peizazhe të fjalës”. Por shpenzimet që kemi dhe të tjera që do të kemi, nëse i realizojmë planet dhe dëshirat për vitet e ardhshme, na detyrojnë që – të paktën – të fillojmë të mendojmë për një model të financimit të rregullt nga lexuesi; sepse modeli i dhurimit, aq i çmuar dhe i domosdoshëm sa është, nuk arrin ta mbulojë aktivitetin tonë dhe as të sigurojë profilin që duam të kemi; aq më tepër kur duam që të vazhdojmë ta mbajmë faqen e revistës pa reklama.

Këtë vit ia ndryshuam edhe dizajnin revistës, por këtë e kemi menduar vetëm si një hap të parë drejt ndryshimesh të tjera, edhe në përmbajtje; dhe duke marrë parasysh edhe çfarë lexuesit vetë na kërkuan në anketën që organizuam para pak muajsh. Konstatojmë ndërkohë se një numër vizitorësh në rritje konsultojnë dhe shfrytëzojnë arkivin e revistës – ku ruhen me mijëra e mijëra ese, studime dhe shkrime të tjera, origjinale, për çështje me interes të madh të kulturës dhe të dijes. Disa breza nxënësish e studentësh nga gjithë hapësira shqiptare kanë përfituar nga ky arkiv, që u ofron një model serioz të publicistikës dhe të shkrimit shkencor, përballë pisllëqeve dhe sensacionalizmave të portaleve; por institucionet publike, nga Ministria e Arsimit tek ajo e Kulturës tek Universitetet dhe Akademia e Shkencave nuk janë kujtuar dhe as ofruar për të bashkëpunuar me ne, dhe aq më pak për të na mbështetur financiarisht. Edhe pse “Peizazhe të fjalës” është një projekt idealist, që nuk ka synuar monetizimin, lexuesi duhet të paktën ta dijë dhe ta mbajë parasysh se çfarë pune, përpjekjesh dhe ndonjëherë sakrificash kërkohen, për ta mbajtur të hapur dhe me materiale të reja çdo ditë.

Modeli i mbështetjes për nisma si jona varet nga bujaria e lexuesve meqë kjo hapësirë na përket të gjithëve, pavarësisht se shumica dërrmuese janë vetëm lexues. Prandaj konsideroni të dhuroni jo vetëm tani përmes kësaj thirrje, por sa herë që të keni mundësi, pasi mbështetja financiare është vetëm një nga mënyrat si mund të ndihmoni që kjo përpjekje të jetë e përbashkët. Do ta vlerësonim shumë edhe çdo ndarje që do t’u bënit shkrimeve tona me miqtë në rrjetet sociale, diçka që nuk ju kushton asgjë, përveçse ju “zbulon” si përkrahës të revistës, që jeni.

Po e mbyllim këtë shënim të redaksisë me një vlerësim nga një prej bashkëpunëtoreve më të hershme të revistës, me shpresën se do ta gjeni dhe ju veten në këtë përpjekje të përbashkët, duke u angazhuar të na mbështesni.

Gëzuar, pra, Vitin e Ri 2025: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që e urojmë të jetë për të gjithë produktiv, i lirë, i shëndetshëm dhe i mbarë.

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira
Peizazhe të fjalës

 

“Për mua Peizazhet janë i vetmi medium jetëgjatë dhe kompetent i rezistencës për progres, që ne kemi prodhuar në fushën e kulturës kombëtare në vitet e demokracisë.”

Eda Derhemi


Shkrime të zgjedhura nga ky vit

  • E SHKUARA ËSHTË VENDI YNË (I)

    E SHKUARA ËSHTË VENDI YNË (I)

      nga Ardian Vehbiu Shtëpinë e kam pasur, që fare i vogël, te një rrugëz e qendrës së Tiranës me emrin e çuditshëm “Kont Urani”. Këtë rrugë, Kont Urani, nuk e njihnin mirë në dje dhe as sot nuk e njohin. Ishte emëruar…

  • VEXATIONS (I)

    VEXATIONS (I)

    nga Elsa Demo Për të luajtur tetëqind e dyzet herë motivin e pjesës “Vexations”, Eric Satie sugjeron: …il sera bon de se préparer au préalable, et dans le plus grand silence, par des immobilités sérieuses. Do kisha dashur që, gjendja ku më mban muzika…

  • KRISHTI ËSHTË NDALUR NË DET

    KRISHTI ËSHTË NDALUR NË DET

    SHËNIME MBI FASHIZMIN, QYTETIN-KOPSHT DHE FUQINË PUNËTORE nga Marson Korbi Akti I 33 vjet më pas ngjarjes historike të 8 gushtit, imazhi i anijes “Vlora” qarkullon në vetëdijen kolektive si i mistifikuar, romantizuar, por edhe ‘komercializuar’. Përdorimi i menjëhershëm i imazhit nga fotografi…

  • SHËN IRINI QIRJAKO

    SHËN IRINI QIRJAKO

    nga Elson Zguri Para disa muajsh një video u bë virale në TikTok, ku protagonisti hyn në zyrën e punës plot vetëbesim, duke mbajtur kufje dhe duke dëgjuar muzikë. Slogani ishte “çfarë mendojnë të tjerët se po dëgjoj”, ku dëgjohej një hit ndërkombëtar…

  • NUSE, KU KALLE KËMBËT, ATY TË RËNÇIN DHËMBËT!

    NUSE, KU KALLE KËMBËT, ATY TË RËNÇIN DHËMBËT!

    nga Jonida Xhyra-Entorf Ftesa për të marrë pjesë në një dasmë shqiptare me rreth 300 të ftuar në Elbasan zgjoi një kureshtje të paparë tek fëmijët e mi, lindur dhe rritur në Mynih. Veçanërisht ime bijë filloi shumë herët planet për fustanin, sandalet,…

  • BOTËNDËRTUESI

    BOTËNDËRTUESI

    nga Elidor Mëhilli 18 maj 1971 Një 23-vjeçar blen një roman. Kopertinën e ka të thjeshtë: fragmente gri dhe të verdha mbi një sfond të çelur. Siç e ka bërë zakon, çdo libër që merr e nënshkruan me datë, vend, dhe firmë. Në…

  • FJALËT SHQIPE – LISTA DHE PËRDORIME

    FJALËT SHQIPE – LISTA DHE PËRDORIME

    (Shënim i autorit: Këtë ese e kam botuar pjesërisht dhe në një formë tjetër, por tani po ia sjell lexuesit të zgjeruar dhe të ripunuar, në kontekstin e debateve të muajve të fundit rreth historisë së gjuhës shqipe.) Një nga kritikat më të zhurmshme…

  • KRYQËZIMI I NJË PETICIONI

    KRYQËZIMI I NJË PETICIONI

    nga Edon Qesari Besoj se shumëkush mes lexuesve të përhershëm të kësaj reviste, por dhe përtej, është vënë në dijeni të një peticioni të firmosur nga emra të ndryshëm të kulturës dhe kërkimit shkencor shqiptar në lidhje me atë që gjykohet si prani…

  • QASJE NDAJ ETIMONIT TË FJALËS SHQIPE (I)

    QASJE NDAJ ETIMONIT TË FJALËS SHQIPE (I)

    nga Bardhyl Demiraj Me këtë titull i përcjellim lexuesit sado thukët objektin e shkrimit tonë, ndërsa synimin që sendërtojmë në të lejohemi ta sythojmë paraprakisht me do sqarime të rastit: Prashtu duam thjesht dhe vetëm të përditësojmë lexuesin me etimologjinë si disiplinë ase…

 

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin