Në dermatologji, alopecia areata quhet një lloj sëmundjeje që shoqërohet me rënien e plotë të qimeve në zona të caktuara të skalpit, zakonisht në formë të rrumbullakët; prej kohësh kemi kërkuar që në fjalorët të shtohet edhe një kuptim i dytë i kësaj fjale, i cili t’i referohet haptazi Sheshit Skënderbej në Tiranë.
Me sheshin janë marrë rregullisht të gjitha regjimet dhe pushtetet që ka njohur Tirana si qytet dhe si kryeqytet; dhe tani i ka ardhur radha Bashkisë së Erion Veliajt, me mbështetjen bujare të kryeministrit Edi Rama, për të paraqitur projektin n+1 për ta rishkruar palimpsestin.
Si edhe herë të tjera kjo u shoqërua me disa nga ato vizatimet me bojëra, të cilat të gjithëve na pëlqejnë pa masë; dhe me shifra quasi teknokratike, të tipit:
[P]rojekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh.
(U përpoqa të përfytyroj 4400 shkurre të ulëta, por nuk ia dola dot.)
Te projekti u ndal edhe vetë kryeministri Rama (me cilësinë e kryebashkiakut të dikurshëm), për ta quajtur “ndërhyrje dhe transformim të jashtëzakonshëm të Tiranës”. Po t’i besoje titullit të gazetës “Dita”, kryeministri kish thënë edhe se sheshi do të kthehej në identitet, çfarë më acaroi menjëherë si shprehje; por nuk e gjeta këtë “kthim në identitet” gjëkundi, në tekstin e fjalës së Ramës.
Në fakt, identiteti i vetëm i sheshit Skënderbej, përtej faktit që ky gjendet në qendër të Tiranës dhe mban emrin dhe statujën e Gjergj Kastriotit, ka qenë që të shndërrohet në diçka tjetër, sipas mundësive dhe orekseve të pushteteve.
Nga vizatimet me ngjyra të sjella për të ilustruar projektin e ri, më krijohet përshtypja – qoftë e gabuar – se edhe ky projekt nuk arrin ta kuptojë se çfarë e integron një shesh në strukturën urbane dhe çfarë e bën këtë strukturë tërheqëse për njerëzit.
Dhe pikërisht: çdo përpjekje për rehabilitimin e një sheshi, duhet të marrë parasysh (1) se çfarë e rrethon sheshin, ose përdorimin publik të ndërtesave që ka sheshi përreth dhe (2) çfarë do të bëjnë njerëzit në këtë hapësirë, e cila do të jetë fatmirësisht pedonale.
Nuk pashë në vizatimet as pemë, as stola, as pellgje dekorative as struktura të tjera që ta thyenin hapësirën e rrafshtë dhe që t’i ftojnë qytetarët të kalojnë pak kohë atje; në verë ma merr mendje se vapa do të jetë e papërballueshme, sikurse në dimër do të jetë i papërballueshëm të ftohtit.
Sot për sot, sheshin e vret amortizimi i rëndë i Pallatit të Kulturës dhe kotësia e krejt zonës midis Muzeut Historik dhe Bankës së Shtetit; ka shumë hapësirë të kotë, agorafobike, e cila nuk shërben për asgjë dhe duhet mbushur me diçka. Sikurse e vret edhe ajo gjëja e gjelbër dhe qesharake, me të cilën e kanë rrethuar statujën e Skënderbeut.
Siç e mendoj unë, sheshi ka nevojë urgjente të zvogëlohet dhe alopecia të mjekohet në mënyrë agresive.
Në fjalën e vet, kryebashkiaku Veliaj nuk arriti dot të shmangë kitsch-in kombëtarist, duke shpjeguar se
sheshi do të përfaqësojë unitetin kombëtar, jo vetëm se gjendet në zemër të Tiranës, por edhe për faktin se konceptimi i tij e përfaqëson totalisht unitetin tonë kombëtar.
Kjo nuk ka natyrisht lidhje me sheshin si element urbanistik, por me simbolikën e sheshit si monument të diçkaje tjetër, këtë herë të “unitetit kombëtar”; sheshi është i Tiranës dhe i qytetarëve të Tiranës, jo në funksion idesh abstrakte dhe populiste.
Dhe aq më tepër që:
Elementët kryesorë të këtij projekti, janë gjelbërimi, gurët natyralë, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vetë sheshit. Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit, me trashësi 10-12 cm, që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj.
Sërish prezantimi rrëshqet nga rrafshi funksional dhe urbanistik drejt rrafshit simbolik dhe në thelb kitsch: guri është gjë pa jetë, nuk merr pjesë as në histori as në kulturë, dhe nuk ka kuptim që të thuash se ky gur vjen nga Gjirokastra ose nga Bilishti, meqë guri ka qenë atje para se të ekzistonin Gjirokastra dhe Bilishti; dhe atje do të mbetet edhe kur Gjirokastra dhe Bilishti të mos jenë më.
Vetë fjalia e parë, e paraqitjes së projektit në faqen e Bashkisë Tiranë, dëshmon për një konceptim ende të sipërfaqshëm:
Tirana do të ketë një shesh të sajin qendror, kushtuar tërësisht këmbësorëve, me gurë dhe bimësi nga të gjitha krahinat shqiptare.
Në fakt, Tirana e ka sheshin e vet sikurse edhe e ka pasur, por nuk arrin ta mbushë me kuptim; sepse ky i tanishmi nuk është shesh, por sëmundje e lëkurës urbane – ose rënie masive qimesh; dhe sa për gurët dhe bimësinë nga të gjitha krahinat shqiptare, kjo nuk më duket aq e rëndësishme, sa të përmendet që në krye; meqë sidoqë të jetë ky shesh i rikonceptuar, ai nuk do të jetë as park gjeografik, as monument i topografisë kombëtariste.
Përndryshe, disa elemente të projektit duhen përshëndetur menjëherë, që nga pedonalizimi – i domosdoshëm, te kthimi i ujit në shesh.
Por a mjafton kjo për t’i kthyer tiranasit në sheshin Skënderbej? Kam frikë se jo, në qoftë se nuk ndërhyhet në strukturat përreth sheshit për t’i rehabilituar, ose edhe në vetë hapësirën tashmë të dëmtuar nga sëmundja, për të ngritur struktura qoftë edhe të përkohshme – përfshi ato komercialet.
Kryebashkiaku tha gjithashtu se:
“[S]heshi do të kthehet në një pedonale dhe do t’u ofrojë mundësinë banorëve që të shkëputen për një moment nga jeta e përditshme e qytetit.”
Me një formulim që lë të kuptohet sikur jeta e përditshme e qytetit fillon dhe mbaron me automobilin; dhe sidomos, që kundërshton atë çka mua do të më dukej premisa elementare e çdo projekti që ka të bëjë me qendrën e Tiranës: sheshi Skënderbej duhet absolutisht të kthehet dhe të mbetet pjesë integrale e jetës së përditshme të qytetit; dhe jo një mundësi për t’u shkëputur prej saj.[1]
Frekuentimi i vendeve të tilla kërkon edhe krijim të zakonit; dhe kjo nuk bëhet me marifete si ato të gurëve dhe të shkurreve të ulëta; çfarë do t’i bëjë tiranasit të kthehen në shesh, dhe jo vetëm për ta kapërcyer?
Deri më tash, nga sa pashë nga materialet e vëna në dispozicion për publikun, përfshi këtu edhe vizatimet me ngjyra, kam frikë se koncepti i ri për sheshin Skënderbej nuk është ende urbanistik, as funksional, por thjesht skenografik; ku sundojnë, për fat të keq, elementet simbolike dhe fjalë politikisht të dëshiruara si “gjelbërimi” etj.
Kryebashkiaku Veliaj dhe ekipi i tij kanë ende mjaft kohë për t’u konsultuar me grupet e qytetarëve të Tiranës, për të marrë vesh nëse ky projekt u pëlqen apo jo atyre dhe se çfarë mund të përmirësohet ende; ka rëndësi kritike që këto këshillime dhe debate të mbahen larg pseudo-përplasjeve partitokratike, që deri më sot ia kanë nxirë jetën shoqërisë civile.
[1] Qofsha i gabuar, por më duket se ky koncept i Veliajt për jetën e përditshme të qytetit si diçka përherë në lëvizje lidhet edhe me kultin e punës, të cilin ai e ka fort për zemër. Por qyteti nuk mund të jetë vend pune, përveçse për ata që merren me mirëmbajtjen e tij. Në këtë kuptim, një stol në park është më thelbësisht pjesë e qytetit se një zyrë.
Mos e ngateroni skenografine pasi ajo eshte art dhe prodhon rezultante shume here me te avancuara, ne kritiken e arkitektures fjala “schenografi”perdoret per te thene diçka mbi arkitekturen pra nje arkitekture qe shkeputet ne art ose ka vlera artistike brenda saj.
Keni të drejtë. Duhet të kisha përdorur fjalën operetë.
Eshte interesante sesi ka ndryshuar shija estetike e Rames nga ala kurasao ne ala abu dhabi ,me hapesira te shkreta ne mes te qyteteve mesdhetare , mermer te bardhe, palma e pellgje efemere. Ngelet per te thene vetem nje gje: Allah Allah! C’e ka gjetur ate qytet qe mire qe e kane keqtrajtuar por qe s’duan as ta lene asnjehere rehat.
Pa dyshim qe Bashkim Zahaj e di se per çfare flet. Por ne kete shkrim, me sa kuptoj skenografia sillet “ne skene” per te qartesuar me mire strukturen e mashtrimit me te cilen i mbushin plendesin e trurit publikut ne Shqiperi. Dihet me se miri (dhe Zahaj nuk ka nevoje t’ia them une kete) se efektet e skenografise arrihen nepermjet nje koncepti simbolik, ne ndonje rast mjaftojne nja dy ristela te vena shtrember per te arritur nje rrethane trishtuese dhe efekt dramatik ne skene. Pra ne rastin tone jemi para nje abuzimi te pamoral qe behet me mjetet dhe efektet simbolike te skenografise per te lebyrur publikun qe ne realitet kerkon nje vizionim realist te asaj se si do te jete ai shesh te cilin do ta shkele per dite me kembe, ku do te kaloje kohen e lire, ku do te dale te shlodhet dhe nuk do ta shikoje se largu si objekt dekorativ nen efektin e dritave te skenes. Ne kete kuptim, nuk eshte faji i skenografise si art, por i atyre qe abuzojne me te, duke pranuar se dashje pa dashje, edhe vete skenografia bie viktime dhe paraqitet ne driten e saj me te keqe.
Sepse, midis te tjerash edhe vete simbolika e skenografise eshte perdoruar per te krijuar nje lloj mirazhi, qe floton mbi nje realitet me vlera shume te diskutueshme.
Te rrish e te pershkruash druret e pyllit, shkurret dhe origjinen e tyre, si nje fare tapicerie qe do t’i vishesh sheshit te nje kryeqyteti ne shek XXI eshte njera ane. Ana tjeter eshte simbolika e ketij “brezi te pyllezuar” m’u ne zemer te kryeqytetit qe te pergatit per nje surprize qe do te shfaqet “pas pyllit” . Dhe surpriza eshte… boshlleku, hiçi.
Nese me kete autoret duan te tregojne se brodhen gjithandej neper Tirane, po nuk u ngeli syri gjekundi, se folen me kryetarin, por ai vetem sa u tregoi se dikur kishte shitur fiq (thone se disa kokrra i ruan ne nje kavanoz ne zyren e tij) se folen me njerez te ndryshem dhe i gjeten te pa shprese e pa besim te e adhmja, se kerkuan elemente arkitektonike origjinale dhe nuk gjeten, se deshen te dine si e perfytyrojne politikanet te ardhmen dhe perceptuan vetem nje grykesi galaktike, atehere ky boshllek angeshtues, kjo gjeometri pikellimi e ketij sheshi mbase, ne fund te fundit flet ne menyre inkoshiente, pra, nuk eshte aq pa domethenie.
Kryeministri perdor argumente te vjetra kur flet per vizionin qe kerkon t’i jape sheshit: nga njera ane thote se “Një qytet pa shesh si Tirana është në fakt një qytet pa komunitet, një qytet identiteti i të cilit është goditur mu në zemrën e vet. Në vend të një sheshi, ne kemi një zgjidhe shkel e shko, për të siguruar kalimin e makinave dhe një udhëkryq ku njerëzit nuk kanë asnjë sekondë për të qëndruar e për t’u takuar me njëri-tjetrin, po ku vetëm duhet të vrapojnë për të kaluar rrugën, ndërkohë që makinat presin të vazhdojnë rrugën”.
Nga ana tjeter thote gati te kunderten: “Fati i Tiranës, ndryshe nga ai i qyteteve të tjera, është se Tirana nuk duhet të ndërtojë një shesh nga e para. Tirana vetëm duhet të demokratizojë një hapësirë të konceptuar kohë më parë nga dy arkitektë të famshëm, ata të cilët i solli këtu Ahmet Zogu. Ne e nisëm këtë projekt pikërisht me këtë ambicie; Të demokratizojmë vizionin që është aty dhe të transformojmë hapësirën e trashëguar, në një hapësirë ku e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë me njëra tjetrën dhe ku kushdo që bëhet pjesë e asaj hapësire për një orë, për një ditë apo për gjithë jetën, të ketë sensin se nga vjen, ku është e ku shkon…Ky shesh nuk mund të jetë një udhëkryq, por duhet të jetë një pikëtakim me historinë, me njerëzit dhe me refleksin e ambicies së këtij komuniteti dhe këtij vendi për të ardhmen”.
Me siguri qe nuk e ka shkruar vete kete qe thote. Vizioni totalitar i sheshit u godit nga nje akt i papritur i qytetareve me rrezimin e monumentit te Enver Hoxhes, njesoj si nga braktisja e funksioneve politike primare. Sheshi u be simbol i kaosit te tranzicionit, sidomos atij demografik. Ambicja demokratizuese e sheshit qe kerkon kryeministri krahas “nevojes per nje shesh te ri si simbol dhe katalizues identiteti e komuniteti” e rikrijojne nje lloj vizion centralizues per te cilin mungon edhe momentumi por edhe prirja. Tirana pagoi shume nga ana estetike dhe ne disa aspekte funksionale si qytet, me dyndjen demografike, por sa mund te flisnim sot per nje vizion demokratizues me Tiranen e ngulitur ne vitin 1990?
Se dyti sheshi si identifikim i nje komuniteti me teper sesa vizion i kryeministrit eshte nje ushtrim nostalgjik i nje Tirane qe perftoi sheshin si vazhdim te sistemit kolektivizues te qendrave te punes ne nje hapesire te perbashket, ku paradoksalisht u shtjellua ndjesia e opozites ndaj atij totalitarizmi qe misherohej mu ne shesh. Nga sa kam lexuar xhiroja e famshme ne bulevard kultivoi raportin e qytetarit me qytetin por edhe ndaj pushtetit, nderkohe qe Tirana gjate kesaj kohe u rindertua dhe e zgjeroi identitetin e vet. Sot struktura demografike pasqyron hierarki te tjera dhe ndjesia e komunitarizmit kalon nga te tjera filtra dhe nuk sintetizohet dot kaq kollaj ne nje projekt te tille. Mjafton te shohim se festimi masiv ne bulevard e ben ate te huaj per nje pjese jo te vogel njerezish. Ndoshta kryeminstri ka deshire te lere nje gjurme ne Tirane qofte dhe duke zhvilluar me bujari per te ardhurit koncesione folklorike si druret dhe guret e ardhur nga gjithe vendi, meqe keshtu edhe krijojme pika referimi. Nje mozaik shesh, apo nje shesh mozaik, krejt i kote dhe qe per aq sa ma merr mendja do te krijoje edhe probleme shume te medha higjene.
Eshte shume e veshtire te merresh me kete shesh ne gjendjen qe ai ka ardhur deri me sot, sepse per mire a keq ai eshte nje shesh mozaik si nga stilistika arkitekturore e godinave rreth tij, ashtu edhe nga funksionaliteti i tij. Nderhyrja qe kerkohet t’i behet sheshit mua me duket me shume demtuese sesa cliruese. Nje shesh i tille me mire pranon kaosin organik sesa unifikimin steril.
Plani qe ofrohet per sheshin eshte deshtak qe ne konceptim. Motoja eshte “sheshi per kembesoret” nderkohe qe duhet te ishte “sheshi per qytetaret”. Ideja e mbylljes se sheshit vetem per kembesoret duket bukur. Por vetem teorikisht. Praktikisht si dhe historikisht, ky shesh nuk ka qene asnjehere i konceptuar vetem per kembesoret. Mbaj mend qe kur u be konkursi disa vite me pare, fitues i te cilit qe plani qe Rama kerkon ta ribeje me disa ndryshime, kishte edhe nje projekt konkurues nga nje studio hollandeze. Ky projekt propozonte nje nderthurje te hapesirave per kembesore me transportin publik. Sigurisht qe ky projekt nuk fitoi.
Por projekti qe kerkojne te vene ne jete tani ka dhe nje problem shume te madh funksional. Ai kolapson levizjen ne qytet, sepse orienton gjithe trafikun e makinave ne nje unaze te ngushte e te pamjaftueshme rreth sheshit. Mbi te gjitha ne nje qytet me nje transport publik ne kufijte e mjerimit qe perdor vetem nje mjet (autobuzet), ky shesh ne formen qe propozohet tani nuk do t’i sherbeje asnje lloj qytetari, madje as kembesoreve vete. Ose do te sherbeje sic sherbejne oazet jashte Tirane sot per sot ne fundjave: hiqen te zinjte e ullirit te shkohet deri atje, pastaj qetesohesh nja dy ore e pastaj stresi i qarkullimit prape andej nga erdhe.