Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media / Politikë

STREHA E FUNDIT E POLITIKANIT

Është bërë tashmë traditë – nga më domethënëset, do të shtoja – që mediat online dhe kushedi edhe ato televizive, ta fillojnë ditën pas seancave rutinë të Kuvendit me rubrikën “Batutat në parlament.”

Këtu e kanë reduktuar jetën dhe veprimtarinë e legjislativit, sa i vetmi aspekt që pritet, që supozohet, që shpresohet t’i interesojë publikut janë batutat që shkëmbehen mes deputetëve dhe politikanëve.

Batuta që në vetvete nuk kanë ndonjë përmbajtje të thellë, as vlerë morale; nuk ndryshojnë gjë në debatet, përveçse riprodhojnë raporte forcash dhe personazhe të një teatri komik, me të cilat populli dëfrehet.

Kanë thënë prej kohësh që mediat e komunikimit masiv, veçanërisht ato elektronike, e kanë shndërruar politikën në spektakël. Jo se politika nuk ka qenë art skenik edhe më parë (mjafton publiku për ta përftuar skenën); por se tashmë kjo lloj shfaqjeje i zgjedh modelet e saj në format më të thjeshta të spektaklit.

Vëruni veshin batutave që shkëmbehen mes “liderëve” dhe “përfaqësuesve të popullit”: unë kam mundur t’u identifikoj dy burime madhore: (1) estradën në sallë dhe në TV; dhe (2) filmat e realizmit socialist(*). Ky është intertekstualiteti i diskursit politik spontan – ose së paku i atij diskursi që protagonistët mendojnë a shpresojnë se mund të bëjë për vete pasuesit e tyre dhe masat e gjëra.

Estrada e Shtetit, produktet e kinostudios “Shqipëria e Re”: po të kishte pasur cirku tekst, do të dëgjonim edhe batuta të klounëve. Sikur deputetëve dhe liderëve politikë do t’u duhej të këndonin në mikrofon, do t’i zbavitnin dëgjuesit me tallava ose këngë “jevgjish.”

Ky është niveli. Nuk di nëse ky është niveli i autorëve të batutave, apo niveli që autorët e batutave shpresojnë se do t’u pëlqejë ndjekësve të tyre, ose do të veprojë më mirë me kundërshtarët e tyre. Sa kohë që bëhet fjalë për aktorë që luajnë vetveten, ka arsye për t’u alarmuar edhe nga pikëpamja thjesht metafizike.

Na thuhet ndonjëherë: këto shkëmbime bëhen për sytë e të tretëve; ose për atë masë edhe të padukshme edhe të pranishme, që mendohet se kushtëzon gjithçka thuhet në foltoret, në prani të kamerave.

Sikurse na thuhet: ky që praktikohet në Parlament është, në fakt, diskursi i të tretit të (pa)përjashtuar. “Populli” (il popolino) të cilit elitat politike duan t’i largohen, për t’u identifikuar si pari kombëtare, e merr hakun duke ua uzurpuar diskursin, ose duke i detyruar të bëjnë të tyret dhe të përdorin kodet e shqipes së rrugëve.

Mundet të jetë kështu; aq më tepër që disa prej batutaxhinjve i kemi dëgjuar të flasin edhe ndryshe, në kontekste dhe kuvende të tjera; në kuptimin që i kemi parë, si me thënë, të kapardisur edhe me rroba jo të blera te GABI.

Por kjo nuk e përgënjeshtron dot faktin që protagonistët vetë zbaviten pa masë, teksa i drejtohen njëri-tjetrit me shakatë e konsumuara të filmave propagandistikë dhe të skenës së varietesë (shaka të cilat e gjejnë rrugën deri në Kuvend pikërisht ngaqë janë konsumuar tashmë). Veçanërisht kur shkëmbimet vijnë pasi janë lexuar materiale teknike, të shkruara prej të tjerëve; dhe që rrezikojnë t’i mërzitin të pranishmit, pa folur pastaj për publikun që menjëherë do të ndërrojë kanal (ujërash të zeza).

Natyrisht, humori – edhe ai i gjirizit – shërben për të çliruar tensione armiqësore dhe vrastare, që përndryshe mund të shprehen nëpërmjet fyerjeve patetike ose edhe thjesht grushtit (plumbit).

Dhe kur vjen fjala për humor të tillë, në mos terapeutik të paktën paqeruajtës, më shkon mendja te dialogu politik i “Vitit 93” të Hugo-it, në të gjitha pasazhet dhe kapitujt e atij romani që i referohen asaj koshereje bletësh të politikës, që ishte Konventa Kombëtare në periudhën e Revolucionit Frëng.

“Viti 93” është vepër arti jo kronikë politike as emision lajmesh; mbase i përgjigjet disi realitetit të atyre viteve, por me siguri i përgjigjet vizionit që kishte Hugoi vetë, për atë parantezë të furtunshme të historisë dhe për institucionin ku revolucioni u luajt në sallë, si të ishte pjesë teatrale.

Ka diçka heroike dhe tragjike në dialogjet mes parlamentarëve, në sallë dhe në korridoret; ka diçka lapidare, madje edhe po të përfytyrohen ato dialogje si të një pjese teatrale – të shkon mendja te Shekspiri, teatri klasik frëng, Plutarku dhe senati romak.

Nuk dua të mendoj se ky heroizëm i shprehur në ligjërim ka të bëjë me faktin – të mirënjohur nga Hugo-i dhe të mishëruar në roman – se shumë prej këtyre virtuozëve të fjalës, oratorëve të përkryer dhe demagogëve pas pak muajsh do t’u pritej koka.

Nuk dua të mendoj, me fjalë të tjera, se dinjitetin atij parlamenti ia jepte prania virtuale por pothuajse rutinë e gijotinës në sallë.

Ndërkohë e di, sepse ma thotë romani vetë, që kur Hugo-i kërkoi t’u jepte një intertekst, një referencë, një kod të përbashkët, këtyre shkëmbimeve mes burrave të shtetit, shkoi dhe e gjeti në të folurit e lartë dhe lapidar të dramës klasike dhe të filozofisë, jo në tavernat e Parisit dhe në argalisjet e rrugës.

Por si t’i përfytyrosh këta tanët, që të kacafyten mes tyre së paku me një farë stili, dhe t’i lënë mënjanë batutat me naftalinë të Pandi Raidhit dhe të Kadri Roshit, për t’i zëvendësuar me referenca disi më të denja – gjithë duke iu shmangur efektit ultra-komik të pakërkuar, ose a posteriori?

Mos vallë e kanë të pamundur tashmë këta elitarë të kombit, që të komunikojnë mes tyre në publik ndryshe nga ç’ua imponon regjistri i estradës dhe i humorit të mejhanes, sa kohë që ky komunikim u ndërmjetësohet nga mediat, ose nga ato media të cilat funksionojnë sipas parimit të emëruesit më të vogël të përbashkët?

Apo ky të jetë niveli që i dëshiron “populli” përfaqësuesit e vet të aktrojnë në publik?

S’u përgjigjem dot këtyre pyetjeve – por gjithnjë më mundon, madje më kërcënohet, identiteti i modeleve të zgjedhura; të cilat nuk është se thjesht i përkasin një regjistri të ulët, ose “fshatçe” të komunikimit dhe të riprodhimit të subjekteve në komunikim. Në të vërtetë, si estrada ashtu edhe filmat e Kinostudios janë të vetmet burime që u ofrojnë një sfond diskursiv të përbashkët si politikanëve, ashtu edhe zgjedhësve të tyre.

Dhe kur flas për “sfond diskursiv” kam parasysh jo vetëm materialin ose lëndën e batutave dhe referimin e drejtpërdrejtë dhe haptazi ndaj këtij apo atij filmi, këtij apo atij skeçi; por edhe llojin specifik të humorit, ku ironia shfaqet zakonisht si një afterthought, ose vetëm si vulë e pushtetit; dhe ku stilemat komike mbeten gjithnjë elementare.

Në fakt, sikurse edhe gjetiu në kulturë, ne ende nuk kemi mësuar ta integrojmë traditën në bashkëkohësi, në mënyrë të tillë që kjo ta katalizojë të renë; prandaj ose mbetemi robër të saj dhe veç e riprodhojmë, ose e mohojmë brutalisht, për t’iu falur sakaq dhe krejt mekanikisht një tradite tjetër.

Nuk prisja ta gjeja këtë në diskursin politik publik të improvizuar; por me sa duket shumë prej protagonistëve e kanë marrë seriozisht rolin e tyre prej agjentësh argëtues të njëri-tjetrit dhe të masës.

(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi në mediat pa lejen e autorit ose një administratori të blogut.



 

(*) Nuk përjashtoj të ketë burime të tjera intertekstuale, të cilat unë nuk i njoh, ose nuk i njoh mirë – si referencat pop-televizive të vjetra ose të reja. Nuk po flas as për maninë, në fakt jo dhe aq të çuditshme, të përfaqësuesve të popullit për t’iu drejtuar njëri-tjetrit sikur të ishin anëtarë bandash mafioze ose kriminelë të vegjël – p.sh. me nofka gjithfarësh. Kjo do të kërkonte trajtim më vete.

4 Komente

  1. Xha Xha, prej kohësh nuk dija t’i vija emrin shqetësimit që më krijon ky lloj ligjërimi, përveç atij, që e zhyt literalisht dhe simbolikisht qytetarin në rolin e vështruesit skopofil, sidomos se si e ndryshon konceptin e ideologjisë.

    Tani pas përqasjes tënde, po kuptoj se ka një përmbysje të roleve të strategjisë “jepi plebus-it bukë dhe lojra”: në Capitolin politik shqiptar, gladiatorët janë vetë klasa pushtetare, ata që përleshen dhe bëjnë sikur i lënë popullit mundësinë ta ulë a ta ngrejë gishtin, t’ua falë jetën a t’i fshijë nga arena politike. Gjë që është iluzion, ideologjia e cinikëve, të cilët e dijnë seç farsë vihet në skenë dhe prapë e vënë, pra s’kemi më vetëdije të rremë, por cinizëm. Cinizëm, aq më therrës, sepse një pjesë e shqiptarëve kanë vetëm lojra dhe spektakël, ndërkohë që s’po dinë si të nxjerrin bukën e gojës.

    1. Vërtet – madje edhe duke pasur parasysh se këta gladiatorë të batutës argëtimin më të madh po ia bëjnë njëri-tjetrit!

  2. kam qene njehere i perfshire ne nje fushate elektorale, dhe me kujtohet se njerezia keto gjera diskutojne – e me flisnin per Berishen qe inkriptonte fjalimet e tij plot me nenkuptime. Kuptohet keto sinjale i perceptonin kryetaret e degeve dhe deputetet, te cilet i sqaronin per popullin neper kafe, e keta te gezuar se tashme ishin pjese e grupit te bekuar me keto mencurira e sekrete nuk mund se te besonin ne dijen e udheheqesit te madh. Ne kete aspekt duhet pare edhe humori, jo vetem si epersi per romuze ndaj kundershtarit, por si nje komunikim i fshehte shantazhi: une e di se c’ke bere veren e kaluar.

  3. Cfare kemi mangut ne shqiptaret ne krahasim me rumunet?

    C’na ben ne te ndryshem nga ata apo te tjeret me te cilet kemi pasur histori te ngjashme, sa i perket mardhenieve me shtetin, ne kete rast dhe historive te aferta moniste e tranzito-korruptive?

    Edhe pas doreheqjes se qeverise rumune, dhjetra mijera qytetare rumune kane protestuar duke e pare doreheqjen e qeverise jo si fundi por si fillimi i reformimit te klases se korruptuar politike te vendit te tyre.

    Shikoni kete artikull per me shume info: http://www.aljazeera.com/news/2015/11/romanians-hold-mass-protests-pm-resignation-151105012032886.html

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin