Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Politikë

HISTORI (SELANIKU) E TATËPJETË

nga Edon Qesari

Nuk i shpëtoi as ky rast kryeministrit Rama, në takimin e Selanikut, pa e pajisur ligjërimin e tij elektoral të atjeshëm me udhëpërshkrime historike. Një pjesë e madhe e fjalës së tij, në trajtë intro-je, ishte ngopur me data, personazhe, zhvillime dhe interpretime të nyjeve historike që lidhin—a merret me mend se kanë lidhur—shqiptarë të njohur e/a të panjohur me qytetin disa shekullor të Greqisë veriore. Një pjesë e madhe e filipikës së Ramës u ndal me nge në pikturimin e një Selaniku shumë-etnik, në të cilin roli i shqiptarëve, “herë si ushtarë, herë si tregtarë”, ka qenë i spikatur në nyjet që e lidhin qytetin mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhjetra minuta të një përshkrimi në të cilin thelbi ishte nxjerrja në dukje e një kombi madhështor, i cili pavarësisht se shpeshherë në heshtje, mund të identifikohet me personazhe, familje dhe ngjarje pa të cilët Selaniku nuk do të ishte ky që është sot.

Asgjë e pazakonte te ky theks tek e shkuara sidoqoftë, ngase Rama e ka ndërmarrë këtë lloj roli prej docenti lëvizës edhe në vizitat e tjera që ka bërë pranë mërgatës/diasporës, ku një pjesë e bëshme e fjalimeve të tij, në të vërtetë, i ngjan më tepër himneve që thuren, zakonisht, në kremtime dëshmorësh apo, pse jo, përkujtime datash të cilat zhvillohen zakonisht në shkollat e ciklit të ulët. Më duket e rastit, megjithëkëtë, që të tërheq vëmendjen te dy aspekte.

Së pari, Rama pohon njëfarësoj rregullin e kahershëm të vendosur edhe nga pararendës të tij në krye të ekzekutivit shqiptar (Berisha in primis), e që ka të bëjë me vendosmërinë e pushtetit në Shqipëri për t’u vërdallosur, si dhe për të ndërhyrë në historiografi. Pushtetit i ka pëlqyer dhe i pëlqen, shumë përpara se t’i vente nëpër mend Ramës, të japë versionin e vet për të shkuarën. Duket si një lloj passatempo. E bën këtë jo vetëm për qëllime të shkoqura elektorale; e bën sepse edhe në kohën tonë, kur lidhja mes vendimmarrjes politike dhe hulumtimit shkencor do të dukej më e çlirët se më parë. (Seriozisht tani, nuk janë vërtet kohë, këto tonat, të ngjashme me ato kur Enver Hoxha udhëzonte historianët sesi i duhej qasur figurës së Haxhi Qamilit.) Prapë së prapi, pushteti e di se mbikëqyrja e narracionit të të shkuarës është shumë e rëndësishme për paraqitjen e tij, të vetë pushtetit, në të tashmen. Ramës sot, siç Berishës dje, i intereson ta lexojnë historinë përmes thjerrës së vet historiografike. Nëse kryeministrin e djeshëm e kaplonte dëshira për të udhëzuar studiuesit sesi të rishkruhej lënda e historisë për çiliminjtë, këtë të sotmin e kapin ethet e dijes për t’i treguar të huajve, fqinjëve veçanërisht, sesa për nder duhet t’ua kenë shqiptarëve nëse sot janë atje ku janë. Pak dallim ka në fakt, se në thelb bëhet fjalë për të njëjtën prirje politikanësh për të qenë historianë—që nuk është larg një lloj prirjeje historianësh (bashkë me një aradhë tjetër intelektualësh) që vdesin për t’u marrë pak me politikë (për pak deputetllëk, pak drejtorllëk…).

Por politikanët e dinë se të jesh mjeshtër i hartimit të historisë jep frytet e veta kësi kohësh; çka më shpie, pa i marrë shumë kohë lexuesit, te pika e dytë. Rama e njeh mirë irracionalen e turmës, brenda sferës së të cilës gatuhet edhe çorba e shijeve që mbisundojnë në publikun e gjerë. E merr këtë të fundit ashtu siç është, pa e paragjykuar; madje e përkëdhel, e ushqen, e kreh (sidomos bishtin e saj), e lyen me livando dhe i vë një kravatë ofiqari. Nuk është e vështirë të shquash—është para syrit rrjetsocials të kujtdo—se ky popull i ka shumë për zemër temat e historisë: veçanërisht kur janë objekt debati gladiatorësh në TV, veçanërisht ato që marrin trajta teatrore të një eposi kreshnikësh, me sojlinj, patriotë të mëdhenj, të anashkaluar dhe të keqtrajtuar nga bota, por që në shpirtin e tyre ishin dhe mbeten shqiptarë të mirë. Kryeministri e di se veçanërisht në mërgatë/diasporë këto linja narracioni, pse jo të shoqëruara me një mbarështim të përditësuar viktimologjie, gjejnë mbështetje.

Para do ditësh flisnim dhe vlerësonim, bashkë me Arbër Zaimin, se kjo dukuri, të cilën ai e përkufizonte pak a shumë si etje për identitet, nuk është vetëm për vetëm shqiptare. Dhe është e vërtetë; turrja për përpunime populiste të historisë, për “when we were kings” (si titulli i një dokumentari të famshëm në të cilin boksi dhe nevoja për rrënjë pleksen), për rizbulime epokash ari, kur NE i jepnim jetë një gjuhe hyjnore, një populli të përzgjedhur apo një kulture qiellore—të gjitha këto, do të ishim të pandershëm, nëse do t’i veçonim vetëm ndër shqiptarë. Natyrisht Rama e di që janë thjesht budallallëqe; ai nuk shkon të riprodhojë saktësisht këto që renditëm, por e vë theksin, përkundrazi, në histori bashkëjetese shpesh të zbukuruar enkas, te lulëzimi i përbashkët dhe te mirëqenia e ndërsjellët mes shqiptarësh dhe fqinjësh—pavarësisht se heroizmat dhe përplasjet e bujshme, turbofolku dhe pellazgjizmat, i pëlqejnë më tepër një lloj mërgate/diaspore e cila sheh rreth e rrotull saj veç identity politics dhe culture war, dhe kërkon për pasojë që të ketë një copëz tokë për ta lëruar në përfundim të luftës që pritet të vijë.

Rama e di se historiografia është më e rëndësishme se historia; se mënyra sesi e shpjegojmë atë që ka ndodhur është më e rëndësishme se ajo që faktikisht ka ndodhur. E shkuara nuk është e rëndësishme per sé: është e rëndësishme për të tashmen. Po të ishte për të shkuarën në vetvete—për të shkuarën si e shkuar dhe vetëm aq—ajo nuk do t’i hynte në punë as dreqit. Sidomos në një fushatë elektorale. Rama e di se nuk mjafton t’u diktosh historianëve atë që duhet të shkruajnë; ai e di se duhet një hap cilësor: duhet të përveshësh mëngët dhe të bëhesh vetë historian, sidomos në këto kohë, kur historianët vdesin për t’u bërë një çikë politikanë. Ngase sot, të qenit historian është një lloj zanati ngushëllues, një lloj kualifikimi priftëror. I tregon mëkatarit se në ç’Eden kanë qenë të parët e tu, i paraqet çmimin e indulgjencës (me postë, në rastin e votuesëve në mërgatë/diasporë), me shpresën e një shëlbimi që do të vijë dikur.

(c) 2024 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin