Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

SAKRIFICA DHE HERONJ

Sakrifica individuale si mesazh ndaj publikut, popullit, shtetit ose institucioneve gjithnjë përfaqëson një dilemë morale; edhe pse heronjtë gjithnjë i admirojmë dhe përpiqemi t’ua sjellim brezave të rinj si role models, askush nuk shpreson vërtet se këtyre brezave mund t’u kërkohet, seriozisht, që të sillen heroikisht në rast nevoje.

Sakrifica, me fjalë të tjera, mund të jetë gjest i admirueshëm, por nuk trajtohet dot si imperativ moral; aq më tepër që kurrë nuk mund t’i zbulojmë dot motivet e atyre që sakrifikohen; dhe në këtë pikë të fundit propaganda nuk ndihmon shumë. Individi që vetësakrifikohet mund të jetë moralisht i përkryer dhe i bindur se, vetëm nëpërmjet sakrificës vetjake, mund ta përcjellë mesazhin e vet, të cilin e konsideron të rëndësishëm; por mund edhe të jetë i çmendur, me mani madhështie, paranojak, fanatik fetar e kështu me radhë.

Për të kuptuar sa e ndërlikuar është kjo, nuk ka nevojë të shtyhemi deri te Mic Sokoli ose Selam Musai; sepse një shembull modern e gjejmë te të ashtuquajturit suicide bombers, të cilët e flijojnë veten në emër të një ideali që, për ta, e përligj marrjen e jetëve, qoftë edhe krejt të pafajshme.

Në një nga librat e vet me kujtime, I. Kadareja tregon për një incident privat që i kish ndodhur, dikur në vitet 1980, kur i ishte afruar në rrugë një i panjohur, për t’i thënë “ç’bëni ju intelektualët, pse nuk veproni”; dhe shkrimtari i ishte përgjigjur se nuk është e thënë të jesh njeri i njohur për të bërë një gjest publik kundër regjimit, dhe se edhe një qytetar çfarëdo mund të ndiqte shembullin e çekut Jan Palach, një student 21 vjeçar që, në 16 janar 1969, i vuri zjarrin vetes në Sheshin Venceslas në Pragë, për të protestuar kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë [për fat të keq, nuk citoj dot nga burimi, sepse nuk e kam librin e IK].

Nuk është pra, e thënë, të jesh njeri i shquar dhe i njohur për publikun, për t’i dhënë publikut një mesazh të fortë; gjesti e mposht anonimitetin dhe sakrifica, nëse është menduar mirë, e bën heroin figurë publike a posteriori. Të paktën kështu duket se mendon I. Kadareja. Në thelb, sakrifica e Jan Palach i kishte të gjitha elementet e teatralitetit, të nevojshme për të përcjellë mesazhin: vetëvrasja në një mjedis publik, dhe vetë domethënia e djegies në kulturën çeke – nuk është rastësi që vetëm pak metra larg vendit ku vdiq Palach, gjendet monumenti kushtuar teologut bohem Jan Hus, i cili u dogj në turrën e druve, nga inkuizicioni, në vitin 1415.

Vetëm kështu gjesti i Palach u shndërrua në një katalizator të protestës publike, në Çeki, kundër pushtimit sovjetik.

Nëse mund të kryhej edhe në Shqipërinë totalitare një gjest i tillë, sa i dëshpëruar aq edhe simbolik, kundër regjimit, për këtë mund të diskutohet; por e vërteta është se incidente të tilla nuk pati. Një arsye për këtë zbrazëti të protestës lidhet drejtpërdrejt me viskozitetin e informacionit; meqë regjimi e kontrollonte rreptësisht çfarëdo lajmi, jo vetëm duke vendosur se çfarë do të ishte publike dhe çfarë jo, por edhe duke e rishkruar historinë sipas interesave të momentit.

Edhe veprimi i guximshëm i Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës, të cilët i shkruan KQ të PPSH një letër kundër diktatorit Enver Hoxha dhe pastaj për këtë u dënuan me vdekje, nuk jehoi dot në opinionin publik në Shqipëri, sepse pothuajse askush nuk e mori vesh. Edhe pse ne sot jemi në gjendje të kuptojmë forcën e vetëmohimit të tyre dhe t’i admirojmë për guximin, përsëri vetë gjesti i letrës mbeti akt privat, u varros në arkivat dhe në sirtaret, dhe u mbyt së bashku me vdekjen e autorëve.

Një bashkëkohës dhe bashkëvuajtës i atyre të treve, Fatos Lubonja, në një ese të tanishme për heroizmin e Kokomanit, Lezhos dhe Koprenckës, shkruan ndër të tjera:

tek ne vazhdon të dominojë kultura komuniste e tiranisë së mujsharëve dhe mashtruesve ndaj më të mirëve; kultura e pushtetit të mediokritetit dhe paaftësisë; ku mburrja dhe vaniteti eklipsojnë çdo lloj drite m[o]destie vetëkritike dhe vlere të vërtetë; ku i thurren këngë e i ngrihen monumente banditëve, mafjozëve, injorantëve; ku pendesa e ndjesa nuk njihen si vlera, por trajtohen si dobësi, ku sakrifikimi për ideale nuk çmohet e nderohet përkundrazi ku lartësohet (në fakt duke rrafshuar) aftësia për t’u shitur, për t’ua futur të tjerëve e për të dalë pa lagur; ku humanizmi përqeshet nga intelektualët siç përqeshej dje nga ata që talleshin me njeriun e thjeshtë duke i thënë: “ti, që s’vlen për asgjë, duhet të digjesh me benzinë si Jan Pala[c]h për protestë sepse ne intelektualët vlejmë për punë të tjera të mëdha.”

Nuk mund të mos i japësh të drejtë autorit për denoncimin që i bën batakut moral në Shqipëri; por sulmi ndaj I. Kadaresë, në fund të paragrafit, më tingëllon i papërligjur. Dhe më tingëllon i papërligjur kryesisht ngaqë edhe vetë fakti që në Shqipërinë totalitare nuk u gjet një Jan Palach që të therorizohej për të sfiduar pushtetin arrogant të diktaturës ka të bëjë me profilin e ulët moral qytetar të individit, ose me po atë patologji sociale që sot prodhon të gjithë atë maskarallëk që përshkruan F. Lubonja [një komentues më poshtë ka vënë në dukje se Lubonja në esenë e vet me siguri i referohej një interviste të Kadaresë me Blendi Fevziun, jo kujtimeve të botuara të atij shkrimtari. I lutem lexuesit ta ketë parasysh këtë saktësim, meqë unë intervistën në fjalë nuk e kam ndjekur, as e di ç’ka thënë Kadareja atje.]

Përsëri vijmë te çështja se kush duhet të sakrifikohet; dhe vetë shtrimi i kësaj dileme, në këtë mënyrë, tregon se sakrifica ende nuk është pjesë e kulturës qytetare shqiptare – as në kuptimin religjioz, as në kuptimin laik. Deri më sot, shqiptarët vetëm sa kanë dëgjuar liderët e tyre, paritë dhe baballarët, ideologët dhe manipulatorët, që t’i ftojnë për t’i sakrifikuar, në emër të këtij apo atij iluzioni çfarëdo: komunizmit, Europës, Kosovës, flamurit, NATO-s…

Në këtë kontekst, të gjithë presim të përjetojmë sakrificën e tjetrit, madje edhe të gatshëm për ta nderuar si idhull, e për t’i lënë lule tek busti në shesh.

Ai shqiptari anonim, që iu afrua I. Kadaresë në rrugë, edhe sikur të mos ketë qenë provokator banal i Sigurimit të Shtetit, kurrë nuk e kishte çuar në mend që të vepronte vetë kundër regjimit, qoftë edhe simbolikisht. Përkundrazi, i dukej e natyrshme që t’ia kërkonte sakrificën një figure publike, të perceptuar, me ose pa të drejtë, si alternative. Po a nuk është pikërisht këtu rrënja e maskarallëkut etik?

Ironikisht, vetë shkrimtari ynë antonomastik zgjodhi të largohej drejt Francës pikërisht në një kohë kur regjimi totalitar në Tiranë po shkërmoqej si bukë e mykur; duke ndërmarrë një gjest publik jashtëzakonisht të vonuar madje komik, imitim i një akti politik që vetëm pak vite më parë do të kishte pasur forcën e një gongu fatal për diktaturën në Shqipëri, por që askush nuk ia kishte kërkuar, as do t’ia kërkonte.

Natyrisht, aktorëve nuk ua lyp kush të rrezikojnë jetën në skenë të teatrit, edhe pse të papritura kanë ndodhur dhe vijojnë të ndodhin. Por edhe aktorët, sado të mbrojtur fizikisht nga lëndimet, rrezikojnë profesionin e tyre; në kuptimin që rruga nga sakrifica tek heroi është me një drejtim vetëm; dhe është qesharake ta përkufizosh heroin si individ publik që prodhon sakrifica, si bleta mjaltin ose krimbi mëndafshin.

32 Komente

  1. Xhaxha,

    nuk di a kuptova mire, po me duket se ai qytetari anonim i KERKOI Kadarese “te bente dicka”, dicka te perafert mbase me asgjene qe do te bente disa vite me vone Kadareja, por qe ju thoni se “askush nuk ia kishte kërkuar, as do t’ia kërkonte”.

    Pak me perpara ju do te thoshit: “Ai shqiptari anonim, që iu afrua I. Kadaresë në rrugë, edhe sikur të mos ketë qenë provokator banal i Sigurimit të Shtetit, kurrë nuk e kishte çuar në mend që të vepronte vetë kundër regjimit, qoftë edhe simbolikisht. Përkundrazi, i dukej e natyrshme që t’ia kërkonte sakrificën një figure publike, të perceptuar, me ose pa të drejtë, si alternative. Po a nuk është pikërisht këtu rrënja e maskarallëkut etik?” Por Kadareja ne fakt beri absolutisht te njejten gje, ia ktheu me te njejten monedhe homologut anonim, duke i thene-“Falemnderit per konsideraten, po pse nuk behesh vete hero? Vertet nuk te njeh askush, po edhe Jan Palach-in askush nuk e njihte deri sa dogji veten me bezine ne mes te Prages”.

    Duket se qytetari anonim (po e quajme Jani Pilaqi), mbase e dinte mire se ne Shqiperi vetem dy ishin menyrat e frymezimit publik me djegie te brendshme: ajo e qiriut naimjan qe digjet vete per te ndricuar mjedisin (kjo eshte alibia e Kadarese-u konformova, shita pak shpirtin, por u dhashe shqiptareve ushqim shpirteror te klasit te pare) dhe e dyta ajo e Ilia Kici Dashit (desha te sabotoj diktaturen duke djegur nendetesen 105, por flaka me perfshiu dhe mua vete, e keshtu me shpallen hero te rene ne krye te detyres. Partise amiqte i duhen te gjalle qe te shfryje epshin duke i denuar, ama nese vdesin, mund ti perdore duke i shpallur heronj e shembuj vetemohimi per te frymezuar masat apatike.) Dmth qytetari anonim mund te digjej sa te donte, por interpretimin e hirit do ta benin me pas shamanet e Partise. (Variant: nje qyqar i disekuilibruar, po tentonte te mbushte cakmakun me gaz mu poshte kalit te Skenderbeut, kur befas mori vrullshem flake, dhe ndersa disa shoke te Armes se Dashur, qe u gjenden aty pari, tentuan ta shuanin, ai vazhdonte te ulerinte “Poshte padija” (armiku do te kishte deshiruar qe mbase thirrja te kishte qene “poshte partia”, largqofte, ama qyqari po mallkonte padijen, injorancen e tij te deshmuar publikisht ne mbushjen e cakmakeve). Pjesa konfidenciale e raportit vazhdon fill pas shuarjes, me qytetarin ende te vaket, i cili transportohet nga shoket e Armes se Dashur ne nje bodrum te bazes N, ku qytetari, apo qyqari i siperpermendur, sperkatet nga e para me benzine, i vihet flaka nga e para, pasatj shuhet nga e para dhe dergohet ne spital, tashme teper vone per tú shpetuar.
    Ne nje shoqeri te pa destalinizuar, jo si ajo cekosllovake, mundesia qe pushteti te kthente cdo Palach ne palaco, perfundon me simbolin e hidhur te rezistences qe tashme e dijme te gjithe: me “një gjest publik jashtëzakonisht të vonuar madje komik, imitim i një akti politik që vetëm pak vite më parë do të kishte pasur forcën e një gongu fatal për diktaturën”

  2. Xha Xha,

    Kur bëhet fjalë për sakrifica morale, rolin e “excellence-ës” që trajton Lubonja në shkrim as që bëhet fjalë se duhet t’ia kërkojmë së pari élites intelektuale, sepse ndryshe ajo nuk meriton të quhet më e tillë. Për fat të keq vetë Kadareja ka kohë që e ka ndarë individin/intelektualin Kadare nga vepra e vet më e mire, duke krijuar kështu një distancë të frikshme (pikërisht atëherë kur e konsideron këtë lloj përputhje një akt të rëndomtë prej “të çmenduri”, që gjithësesi i referohet psikopatit).

    Ndërkohë akti i Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës, është një akt i mirëfilltë disidence, gati unikal, për të cilin nuk e di nëse ka ndonjë shembull të ngjashëm në diktatura aq të ashpra siç ishte ajo shqiptare. Akti i dissidences – nësë do huazoja duke perifrazuar një shprehje të Walter Benjamin që përkufizonte të tillë aktin e krijimit – nuk është një akt që kryhet para dhe për një publiku specifik, por është një akt që kryhet para Zotit. Çështja është se i kujt lloji është intelektuali shqiptar; i atij që e kryen aktin intelektual për turmat apo akoma më keq për pushtetin, apo para Zotit?

    1. Ujk, ti shkruan:

      Akti i dissidences – nësë do huazoja duke perifrazuar një shprehje të Walter Benjamin që përkufizonte të tillë aktin e krijimit – nuk është një akt që kryhet para dhe për një publiku specifik, por është një akt që kryhet para Zotit. Çështja është se i kujt lloji është intelektuali shqiptar; i atij që e kryen aktin intelektual për turmat apo akoma më keq për pushtetin, apo para Zotit?

      Unë kam disa probleme me këto pohime. Nuk jam në gjendje të them nëse “akti i disidencës” kryhet apo jo para Zotit; meqë kjo do t’i përjashtonte ateistët ose agnostikët nga mundësia për t’u vetësakrifikuar. Nuk jam në gjendje as të them nëse a mund të ketë përnjiment akte disidence, nëse këto kryhen në vetmi dhe në anonimitet të plotë. Te Pashallëqet e mëdha ka një personazh, Abdullahu në mos gabohem, kujdestari i kamares së turpit, që kërkon të bëjë diçka të madhe e të rëndë, në mënyrë që edhe koka e tij të përfundojë në kamare si e të mëdhenjve. Në të vërtetë, kur ky rebelohet, nuk ia presin kokën ceremonialisht, si pashallarëve, por e çojnë për ta mbytur me tel në një kënetë (përsëri citoj nga kujtesa).

      Ekziston pastaj edhe e ashtuquajtura “sindromë e Herostratit”, e emërtuar sipas grekut të lashtë Herostrat, që për t’u bërë i famshëm nuk gjeti mënyrë tjetër, përveçse të digjte tempullin e Artemidës, në Efes. Historia është e mbushur me këta të marrë.

      Megjithatë, objeksioni im ndaj thënies tënde më lart, ka të bëjë me vetë përkufizimin e heroit, i cili nuk mund të mjaftohet vetëm me raportin midis individit hero dhe Zotit, madje edhe brenda sferës fetare. Heroit gjithnjë i bashkëlidhet një narrativë, një histori, një rrëfenjë, një legjendë, një këngë; pa këtë narrativë heroi nuk ekziston. Mirëpo kur thua narrativë, ke thënë edhe publik, sepse narrativa jo vetëm e parakupton një publik, por edhe ekziston vetëm e vetëm në atë masë që perceptohet (lexohet, dëgjohet) nga ky publik. Prandaj unë heroin nuk mund ta ndaj nga publiku, dhe kam frikë se historia më jep të drejtë.

      Nuk dua të them me këtë se akti heroik e parakupton publikun; por vetëm që akti heroik, për t’u njohur si akt, ka nevojë të rrëfehet (narrated); dhe heroi përftohet në rrëfim e sipër. Jo më kot, në analizat e teksteve trillimtare (fictional), termat “hero” dhe “protagonist” dhe “personazh kryesor” janë shpesh të ndërkëmbyeshme.

      1. Ne vijim Xha, perseris citimin e sjell prej teje ne postimin e Ujku-t:

        “Akti i dissidences – nësë do huazoja duke perifrazuar një shprehje të Walter Benjamin që përkufizonte të tillë aktin e krijimit – nuk është një akt që kryhet para dhe për një publiku specifik, por është një akt që kryhet para Zotit. Çështja është se i kujt lloji është intelektuali shqiptar; i atij që e kryen aktin intelektual për turmat apo akoma më keq për pushtetin, apo para Zotit?”

        Pyetja ne se ka Zot, dhe i kujt eshte “publiku specifik” kane nje nderthurje qe fillojne e ekzistojne nga perceptimi individual (heroi/disidenti), por sa normal duket qe individi te presupozoj egzistencen e Zotit, aq anormale duket qe Zoti te mohoj egzistencen e nje publiku specifik e per rrjedhoj nje individi-hero/dizident.
        Me te tjera fjale; Po, ka dizident/intelektual, dhe akti i tij kryhet para individit/publikut specifik, qe mund te kete ose jo projektuar Zot, ate Zot qe ti mohoj pushtet mes llojit te tij njerzor.
        “Çështja është se i kujt lloji është intelektuali shqiptar; i atij që e kryen aktin intelektual për turmat apo akoma më keq për pushtetin, apo para Zotit?”

        Ujk, e deformon publikun specifik ne “turmat” dhe “pushtetin” ja jep krijeses se njeriut-Zotit, i cili, ky i fundit gjendet ne doren e nje publiku specifik. Eshte nje rreth viskoz ky perceptim; Individi-simbol i krijimit, por qe duhet te komandohet jo drejtperdrejt, por me Zot.

        Realiteti eshte me i thjeshte;
        Individi pranon dhe eshte pjestar i publikut specifik, dhe shohim qe ka me shume se nje publik specifik. Cdo ‘publik specifik’ eshte ne dinamike te shpreh veten ne raport me njera tjetren, duke krijuar edhe “lojen” e pushtetit. C’pune ka ne kete mes Zoti? Ne se ka Zot, AI perballet me c’eshte; ate qe shohim edhe nga kendi individual i shikimit.

        p.s.”Zoti” eshte analog me perceptimin e individit; Aq i vlersuar dhe i keqkuptuar si individ, ne te dy rastet e cfaqjes se tij.

      2. Xha Xha,

        Po e heq fjalën “Zoti” dhe po e zëvëndësoj me “vyrtytin” apo “idealin” për të vetëpërjashtuarit. Dhe nëse ata nuk i njohin apo pranojnë as këto, pra “vyrtytin” dhe “idealin”, atëherë analiza juaj është e drejtë; pork am frikë se u përket vetëm këtyre të fundit dhe përjashton ata që njohin dhe pranojnë të paktën një nga të treja.

        Ndërsa përsa i përket marrdhënies hero – publik, vetë “sindroma e Herostratit” është përfundimi llogjik i skizofrenisë që krijon kjo marrdhënie kur nuk ka asnjë lloj respekti për vyrtytin dhe idealin (të paktën nga njëri krah). Vetë djegja e tempujve është më shumë se simbolike.

        Megjithatë unë jam dakort me ty që askush nuk ka të drejtë ta gjykoj Kadarenë për zgjedhjet njerzore që ka bërë. Por kur vjen fjala për historinë ajo nuk më duket se të jëp të drejtë, sepse në këtë këndvështrim akti idealist i Kokomanit, Lezhos dhe Koprenckës nuk janë aspak më inferiorë se verpa më e mirë e Kadaresë. Përkundrazi vepra e Kadaresë ofron modele librash – shumë të vlefshëm – porse akti i Tyre ofron modele njerzish që nuk e dinim se i kishim, dhe që falë Zotit i kemi.

  3. “Deri më sot, shqiptarët vetëm sa kanë dëgjuar liderët e tyre, paritë dhe baballarët, ideologët dhe manipulatorët, që t’i ftojnë për t’i sakrifikuar, në emër të këtij apo atij iluzioni çfarëdo: komunizmit, Europës, Kosovës, flamurit, NATO-s…”

    … me kaq e ke perfunduar temen.

    Por mbase problemi eshte se ne kerkojme gjithmone zgjidhje kolektive, si pasoj edhe sakrificen. E kam idene se tek heroi respektojme vetem heroizmin, bemen e tij, cfare nuk jemi ne gjendje ta bejme, ose cfare ai ka realizuar per ne, por kursesi individin.

    Mbase ka ardhur koha qe sakrificat te behen individuale, te kerkohen individuale, ashtu si edhe fajtoret….

    1. “Mbase ka ardhur koha qe sakrificat te behen individuale, te kerkohen individuale, ashtu si edhe fajtoret….”

      Nga kush te behen e te kerkohen sakrificat, “Kapedani”, vetem nga individi!? Jo vetem nga kolektivi, do shtoja, i cili perbehet nga individ.

  4. Do ndalesha me pare tek dallimi midis heroit/trimit dhe martirit/vetesakrifikimi siperor/hyjnor.

    Heroi dallohet te famshmet ‘bema’, ai nuk kerkon vdekjen, e di se mund te vdese, por perpiqet te ngelet gjalle.

    Martiri dallohet se jep jeten, ai kerkon dhe arrin vdekjen.

    Pra Heroi e jep mesazhin e tij me bemen, ndersa martiri me vdekjen.
    Keshtu martir mund te behet kushdo, ndersa hero vetem ai qe ka cilesi te caktuara siper normales.

    Kur heroi vetevritet, si psh Oso Kuka ose Mic Sokoli, kete e ben sepse nuk arrin dot bemen pa u vetevrare. Pra me vdekjen e tij percjell nje mesazh dysh, kerkoni heroizmin(bemen) e nese nuk mjafton heroizmi atehere vdekja juaj te perbeje nje beme te re.

    Oso kuka i Lahutes, nuk ndaloi dot malazezet megjithe heroizmin e tij e me vdekjen e tij mori me vete dhjetra armiq. Po ashtu edhe Mici apo Omeri i Eposit.
    Pra martirizimi i Heroit, eshte akt ekstrem qe deshperimin e heroit e kthen ne mesazh hyjnor, dmth heroi eshte hyjnor edhe ne deshperimin e tij.

    Martiri i mirefillte, perkundrazi ska kapacitet heroik, ai vdes e mbaron aty, dmth martiri eshte nje kategori me poshte se heroi dhe zakonisht vetesakrifikohet per vlerat morale ne pergjithesi e ato moralo/fetare ne vecanti.
    Keshtu mund te permendim Rozafen apo keta 3 martiret e sipermendur, te cilet ne fakt jane veshtiresisht te shqueshem si kategori.

    Gjithsesi kultura shqiptare, nuk e levdon martirizimin pa heroizem, dmth heroit i shtohen piket kur behet martir, nderkaq martirit te mirefillte i gjendet gjithmone ndonje klecke apo mund edhe te akuzohet nga ndokush per lajthitje.

    Kjo, sepse per mendimin tim ka nje dallim thelbesor midis deshires per te jetuar qe ka heroi dhe deshires per te vdekur qe ka martiri e kultura shqiptare dallohet per deshiren per jeten, ndryshe nga kultura kristiane apo islame qe pjellin martire e te cilat dallohen per kultin e vdekjes.
    Dallimi duhet pare edhe ne kendveshtrimin politeizem- monoteizem.

    Po ashtu te mos harrojme se Trimi, Qerosi, Muji jane personazhe folkloristike heronjsh te pavdekshem, dmth asgjekundi nuk vriten.

    Keshtu besoj se sakrifica percillet si investim mundi, djerse e gjaku per te arritur nje beme heroike, dicka jashte normales, kur arrihet dicka pertej mundesive te hamendesuara me pare si reale.
    Togfjaleshi popull/komb heroik, nenkupton qe ky popull ka arritur dicka jashte normales, psh nen Skenderbeun u arrit dicka jashte normales, keshtu qe ai brez quhet me te drejte heroik e normalisht Skenderbeu hero.

    Martirin pa heroizem te sprovuar me pare, do e quaja shenje qe shpreh dobesine e asaj ideologjie, nderkaq nuk duhet harruar se sherben ne kohe si uje e pleh per pemen ideologjike.

    Njerezit, edhe me skeptiket fillojne e mendojne se perderisa ky jep jeten atehere ajo ideologji ka nje vlere.
    Kristianizmi dhe islami kane shfrytezuar kete mendesi, per tu perhapur dhe e vleresojne martirizimin si kulmin e besimit.
    Kjo eshte nje ‘fregature’ e vertete.

    Gjithsesi nuk duhet harruar se heroi dhe bemat , ngjizin nje bashkesi, deri me sot te gjitha bashkesite kane ne qender te tyre heroin (dhe heroizmin) i cili ne politeizem kthehej ne hyjni pasi kalonte neper fazen e gjysemhyjnise, ne monoteizem kthehej ne shenjtor martiri, te cilit i visheshin edhe bema heroike si vrasja e ndonje gjarperi te madh, ndalimi i nje ushtrie te pafesh a ku di une , ndersa ne boten e sotme heroi po humbet qendren, gjithnje e me teper po kalon ne periferi apo si tha kapoja me siper:

    ””’Mbase ka ardhur koha qe sakrificat te behen individuale””

    Mirepo per sakrificen individuale nuk i plas askujt, se sakrifica individuale ka qene perhere per te gjithe ne rend te dites, biles eshte absurde qe te levdoj ne publik nje te panjohur pse fale sakrificave te tij, arriti dicka per veten e tij.
    Ceshtja e sakrifices ne nivelin publik (dmth jo ate te rrethit miqesor a fisnor) ngrihet perhere keshtu:
    Mire per veten tate vjell edhe gjak , po per te tjeret , per bashkesine ca ke bere!!

  5. Nuk po e kuptoj, nga diskutimi me siper pse martiret merren parimisht si heronj ?
    Po ashtu lidhja mes disidentit dhe heroit me duket se eshte bere me fije pambuku.
    Ashtu sikunder vuri ne dukje xha xhai, heroi njihet si i tille nga rrefyesit, dmth ka nevoje ti nenshtrohet kritikes se kohes per tu njohur e percjelle si i tille. Kjo nenkupton edhe se jo cdo akt ne vetvete heroik i jep kryeresit statusin e heroit.
    Mos te perfundohet tek gjyshja e Ajola Xoxes,ndjese paste, si nderi i kombit, apo tek heronjte metropolitane, ketu e kam fjalen.

    Vertet degjohet shpesh se edhe ne te vdekshmit mund te jemi heronj psh polici, zjarrfikesi, gjakdhenesi etj, po ketu kemi metafora perkedhelese e mirenjohese, nuk kemi heronj.

    Heroi ka rol edukativ, prandaj ekziston, nuk eshte titull qe i ngjitet personit. Keta tituj, si ‘hero i punes socialiste’ i ngjiste tjeterkush.

    Vertet qe demokracia athinase krijoi besimin se edhe demosi mund te pretendoje ”’te marre”’ shembull heroin qe deri atehere ishte prerogative e aristokracise, mirepo kjo pas 2500 vjetesh po kthehet ne besim se edhe pjatalaresit e mjeleset mund, deri edhe ”’te jene”’ heronj/heroina( te punes socialiste apo kapitaliste) .

    Mund te mos e kem modernizuar une konceptin e heroit nepermjet materializimit dhe tashmerimit te heroit, po kam frike se nese e bej, i heq esencen idealiste ketij koncepti historiko-legjendaro-mitik dhe gjej perballe nje njeri prej mishi e gjaku qe rrezik ne privat mund te jete edhe pedofil,nudist,grykes,ziliqar apo edhe thjesht, cope mishi me dy sy.
    Kam pershtypjen se sot shume koncepte jane bere per tu ripare,ne menyre qe t’ju pershtaten njerezve te tashem por kjo pune me ngjan me leshtjerrjen,leshthurjen e lesh-shthurjen e Penelopes.

    1. “Hyllin”, citimi i meposhtem eshte si Autolexim, prandaj mendoj ti shtoj vetem fragmentin ne kllapa (“si une”) diku nga mesi. Ne shenje respekti per kohen per tu shkruar, dhe per tu lexuar.

      “Kam pershtypjen se sot shume koncepte jane bere per tu ripare,ne menyre qe t’ju pershtaten njerezve te tashem (“si une”) por kjo pune me ngjan me leshtjerrjen,leshthurjen e lesh-shthurjen e Penelopes.”

  6. Teme e forte. Dy pare mend qe nuk mund te jene ne nivelin e temes:

    Heroi dhe sakrifica nuk jane qellime ne vetvete, dhe Xhaxhai ben mire qe e ve ne dukje. Artikulli i Lubonjes eshte vertete per t’u vleresuar, dhe nga te rrallet ne morine e publicistikes qe i flet shpirtit te shqiptarit drejt e ne zemer. Por nese anekdoda e Palachi-t eshte ashtu si e tregon Xhaxhai, atehere nuk mund te behet me faj percmimi i Kadarese si intelektual ndaj nje njeriu tejet te thjeshte qe priste heroizma vetem nga nje figure publike. Perkundrazi, me duket se eshte pikerisht pergjigja e merituar.

    Nuk eshte pra, figura publike ajo qe e ben heroizmin, por perpjekja individuale. E pa dashur te bej loje fjalesh, virtyti mbetet gjithmone virtual, potencial, qe Xhunga e ka perkthyer mire si “persosmeri.”

    Bie dakord me Ujkun, rrjedhimisht, per sa i perket aspektit anomik te virtytit dhe heroizmit. Sa do qe heroizmi te jete i lidhur me narrativen, me publiken, ka nje moment privat ne heroizem, qe narrativa publike e njeh nepermjet arketipit te mposhtjes se demoneve personale. Kjo eshte shabllon pikerisht sepse eshte e parrefyeshme, e patregueshme, pertej cdo narrative dhe shfaqjeje publike. Keshtu, ne rastin e Herostratit, marrezia qendron pikerisht ne berjen publike te kesaj anomie individuale.

    Mirepo, jane keto demone personale, keto “frikera,” sic i quan Lubonja, qe nuk lejojne nje shoqeri te shendetshme. Ne rastin e Kadarese, ashtu si dhe ne rastin e gjithe shqiptareve, ky demon quhej “familje.” Le te mos harrojme, perfshi ketu edhe Lubonjen, qe martiret e vertete te aktit heroik ne fjale, nuk jane Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka. Keta vertete vdiqen, por nuk besoj vuajne atje ku jane, qofshin edhe pa varr. Jane familjet e tyre qe vuajten si gjithe familjet e “disidendeve,” nje vuajtje te gjalle, e jo te vdekur.

    Ajo qe vertete mbetet pike ne zemer, eshte jo me diktatura e diktatures, por diktatura e demokracise. Nderkohe qe ne diktature ka censure te fjales, censure e siguruar deri me rrezik ekzekutimi, ne diktature demokratike ka censure te aktit. Nuk eshte fjala me qe eshte ekskluzive, por veprimi, nepermjet akteve te ekzekutivit. Demoni mbetet serish familja. Por jo me nepermjet frikes se persekutimit, por frikes se mos me nderrimin e ekzekutivit, do hiqet buka e gojes se femijeve, apo do hiqen nderet qe mund t’iu behen “baxhanakeve.”

    Dhe e fundit. Nga hiri i tempujve, ngrihet gjithmone nje Feniks. Mirepo, sic thote Ujku, “vete djegia e tempujve eshte me shume se simbolike.” Nje tempull i demokracise si parlamenti, qe nuk eshte ne gjendje te mbaje ne kontroll demonin familje te ekzekutivit, nuk ka vlere pervecse hi.

  7. Ky lloj sulmi “qe meqe vuajta une,jo deri ne nivelin e heroit,pse nuk vuajte dhe ti,Ismail Kadare(Ah sa do te ishte kenaqesi!!) shpreh nje inat negativ te pakuptimte e idiotik.Pse nuk u be hero Ismaili?Dihet e kuptohet thjesht qe Heronjte e kan nje problem me nivelin e zgjuarsise vetjake.Dhe nuk jane te ralla shpotite e shqiptareve si”qe Selam Musai ishte i dehur tape kur kaloi telat me gjemba”ose..
    Dhe ne vend qe te ngelemi tek heroi i komunizmit,apo me keq tek ai i Selamit,pse nuk hidhemi tek sistemi qe aktualisht jetojme.Te duket pak si e njeanshme te shikosh vetem heroin e munguar atje larg,te nji kohe shkuar dhe te vjeteruar,ose vdekeruar e mos te shikosh te tashmen?
    Ka nevoje per heronj e tashmja e ndryshme???
    Une nuk kuptoj se ku qendron vetegenjimi njerezor.
    Tanim shikojme me shumice ne vend te heroit pozitiv,heronjt negative e droges,te cilet sfidojne ligjin,shkollen,prindin,heronjte psikopate qe vrasin neper shkolla nxenes e studente ne pune te tyre,heronjte e vraseseve seriale e psikopate pedofile qe mbushin faqet e gazetave cdo dite??
    Te gjithe keta kane te njejte dellin e heroit,te ciles vetem shenja i ndryshon.A kane keta heronj nevoje per heroin neutralizues pozitiv?
    A kane nevoje Salinjte&compani gjithe ngjyresh politikane shqiptare per heornjt e tipi antiheronj?

  8. Une nuk e di perse duhet te quhet hero nje njeri si Ismail Kadare e sidos pas botimeve te fundit.
    Ne shkrimin tuaj Xha Xha keni harruar te permendni ate qe Kadare na tha ne Shqiptareve pasi vete u sigurua ne France, permes”Zerit te Amerikes, “Ju keshilloj te mos ikni dhe te luftoni….etj etj”

    Te behesh hero apo martir, e sidomos sot, per nje ide apo kauze “patriotike” apo te pergjitheshme do te thote shume, por me e renda eshte se askush nuk te beson ne idene tende. Ne te njejten kohe, ne duam te dime nese ai qe deshiroi te vetesakrifikohet mund te jete zene me familjaret, ka bere jete te veshtire, apo ka marre borxhe apo…apo…, pra te njohim jeten e tij (asaj) personale, e pastaj ta lincojme pa fund duke e perdorur edhe si objekt propagandistik vogelsirash duke e trajtuar edhe si theksoni ne shkrimin tuaj ” i çmendur, me mani madhështie, paranojak, fanatik fetar e kështu me radhë.”

    E cfare rendesie ka ne momente te tilla, kur nje komb me halle nuk mund te hape gojen, te trajtosh manierat e maniakut. Pse nuk mendoni apo therrisni njehere ne shkrimet tuaja se AI apo AJO jane te cmendur, po kane te drejte, keshtu mendoj edhe une, kete problem kam edhe une, kurre, asnjehere (me perjashtime te rralla deri ne vitet ’90) nuk ka patur nje grup njerezish qe fundja ne emer te familjeve apo femijeve te tyre te behen heronj deri ne vetemohimin e tyre personal pavaresisht epiteteve apo nofkave.
    Behemi heronje nneper kafe, neper rruge, ne urbane por para femijeve tane asnjeri prej nesh nuk deshiron te behet hero, e kur perpara tyre ne nuk mundemi te harrojme egon tone çnjerezore, cmund te presim per nje komb Zoterinj.
    Ne ecim dhe jetojme per hir te nje turme miliardeshe, se bashku me kopene, per te mos qene kurre individe dhe per te mos vene kurre motorrin tone te mendimit dhe shpirtit ne eficience. Jemi makina fundja, qe ecim me te shtyra, dhe nuk e shtyjme vete, sepse ne “Jemi intelektuale” dhe eshte turp te na shohi turma e verber dhe te verberojme pasardhesit tane.

  9. “”Nuk eshte pra, figura publike ajo qe e ben heroizmin, por perpjekja individuale. E pa dashur te bej loje fjalesh, virtyti mbetet gjithmone virtual, potencial, qe Xhunga e ka perkthyer mire si “persosmeri.””

    E kush thote qe ai i gjori me ate qe i kerkoj Kadarese (nese ajo eshte e vertete) donte qe ta bente ate hero. Ai ndoshta kishte ne mendje qe ta bente vete ate por duke e bere I.K, do te mund te degjohej me shume dhe do te kishte me shume efekt nese ai fj.vj. do te vriste veten si Palach-u. Pastaj figurat publike nuk marin nisma te tilla, dmth, per te bere heroizma sepse ata jane te konfirmuar ne skenen e popullit/vendit keshtu qe heroizmat ne pergjithesi behen nga njerez te motivuar krejt spontanesisht. Tjeter gje eshte me martiret qe veptimtaria e te cileve eshte e shtrire me shume ne kohe dhe vleresimi i vepres se tyre behet zakonisht post-mortum.

  10. Mjerimi i Shqiperise ka qene qe krimi shteteror nuk u ndalua kur regjimi i asgjesoi armiqte e vet politike por vazhdoi per nje kohe shume me te gjate. Dhuna dhe krimet e vazhdueshme i ruajten strukturat e regjimit nga futja ne mase e njerezve me pak te indoktrinuar e me te moderuar. Ne strukturat baze dhe ato te mesme nuk kishte per kohe te gjate ngjyre “gri” dhe ky ishte problemi kryesor.

    Per mendimin tim, njerezit brenda nje sistemi totalitar qe nuk jane shume te ekstremizuar kane te pakten rol po aq te rendesishem ne procesin e reformimit te sistemit sa dhe ata pak njerez jashte tij qe gjejne kurajon e spikasin me moral e heroizem. Ata qe sfidojne hapur duke rrezikuar shumecka kthehen lehte ne simbole e mite (tema e dashur e Lubonjes). Por moderimi i brendshem i nje sistemi eshte ai qe e ndryshon ate ne menyre afatgjate. Eshte ironike por ne fakt sa me i rrezikuar te ndihet nje sistem aq me i eger e i pakompromis eshte ai. Nje sistem totalitar mund te filloje reformimin vetem pas asgjesimit te armiqeve te brendshem dhe sigurimit te mbijeteses.

    E verteta e hidhur e kesaj historie eshte qe ndryshimi e reformimi i nje sistemi totalitar ka nevoje qofte per heronjte(simbolet, mitet) si njerezit qe Lubonja perkujton me shume te drejte ne shkrimin e tij e qofte per masen statistikore anonime te me pak te indoktrinuarve, te njerezve me moral “gri”, te “mediokerve” qe veprojne brenda mekanizmave te sistemit e qe jane gjithsesi shume me te hapur ndaj reformimit e evoluimit sesa fondamentalistet/puristet.

    Ne kete aspekt aktet heroike/mitike te pak veteve jane me vlere por kurrsesi jo me te vlefshme sesa aktet anonime e jo-heroike te se perditshmes ku pragmatizmi, konformizmi dhe idealja perziehen ne mikse nga me te cuditshmet.

  11. Rrofte Zoti Filimon! Kryetari i Bashkise sone.

    Nga nje komedi qe jepej dendur ne kohen e regjimit. Filimoni shpetoi njerin nga mbytja. Pa e treguar historine si e qysh kthej vemendjen andej nga me duket si dicka nuk shkon: lidhja e heroizmit me shendetin mendor te heroit; nga nje ane ky eshte diskriminim, nga ana tjeter, mos valle heroizmi i nje heroi me kancer, prostat, kapsllik, eshte me i larte e me i vyer se heroizmi i nje heroi me te meta mendore. Mos do tu kerkojme bemetareve kartelen mjekesore para se aktin e tyre sublim ta klasifikojme? Per mua jo. Por moralin e ben bashkesia jo individi.
    Morali apo moraliteti nuk eshte pllake unike, por ngjitje flete pllakash te levizeshme. Ka pjese pllakash qe dalin jashte moralit te kohes, e ka akte heroike dhe heronj qe e kane bere kete zhvendosje. Ne gjykojme heronjte nepermjet kufirit qe ata kane percaktuar. Te hidheshe per te shpetuar njeri ne lume kur njerezimi nuk dinte not ishte budallallek me brire, por kur pjese njerezish mesuan notin, ajo hedhja e tyre budallqe, qe ka marre persiper dhe carjen e kokes nga ndonje gur i padukshem, behet heroizem; e po mos u hodhe kur shumica dine not e ti je kampioni i trampolinit turpi te rendofte me shume se medaljet. Pse te tjeret nuk u hodhen? Lehtesim i madh, per bese.
    Rekrutet marinas qe s’dinin not ne Shqiperine e atehershme i lidhnin me nje litar mbas kembe e i flaknin ne det.

  12. “Ai shqiptari anonim, që iu afrua I. Kadaresë në rrugë, edhe sikur të mos ketë qenë provokator banal i Sigurimit të Shtetit, kurrë nuk e kishte çuar në mend që të vepronte vetë kundër regjimit, qoftë edhe simbolikisht. Përkundrazi, i dukej e natyrshme që t’ia kërkonte sakrificën një figure publike, të perceptuar, me ose pa të drejtë, si alternative. Po a nuk është pikërisht këtu rrënja e maskarallëkut etik?”

    Po, dhe jo.

    1- Po, se vet Kadare bluan ne mokrren e tij kete fakt per ta shitur si miell ne publik, ekzakt ate qe beri edhe personazhi i Kadares, duke i kerkuar shkrimtarit, perfaqesues i frontit, dicka jo te zakonshme.

    2- Jo, se cdo aktivitet intelektual ne pervojen e njeriut/shoqerise ka nje mekanizem qe aktivizon per te krijuar dhe shkatrruar, qe ka zgjidhje dhe lidhje te ceshtjeve, qe fillojne nga individi por qe derdhen ne shoqeri.

    Rasti i pare, kemi; ‘I panjohuri’ derdhet tek i njohuri Kadare, dhe Kadare derdhet ne publik.

    Rasti i dyte, kemi; Zoti i vetes, dhe vetja e Zotit.

    P.S.
    Rruga paqsore eshte i vetmi drejtim qe fitohet dialog ne keqkuptim, edhe kur rrugaceria ben ligjin me gjak. Ve re se paqen (politike) e kan aplikuar me sukses politikat ne shqiperi, per te mbajtur gjalle vazhdimin e saj, ashtu si edhe ‘i pa njohuri’ u justifikua se u derdh tek Kadare e Kadare ne publik. Prandaj them se edhe eshte edhe s’eshte etike, ajo qe shihet si maskarallik nga Xha Xhai. Ndersa nga ana tjeter, nqs do te shohim se nuk aplikohet rruge paqsore ne dialog per nderrim pushtetesh, ate e vuan shoqeria e cdo pushteti ne aq histori sa njohim te shoqerise sone Shqiptare. Ka ardhur koha qe publiku te nderghegjsoje rrolin e tij te pavarur, ne politik berje, ashtu si dhe individi ne te. Kur shohim qe politikat e bejne transferimin e pushtetit te tyre, atere mbetet e njejta gje te ndodh edhe per shoqerin me individ.

  13. ”” “Hyllin”, citimi i meposhtem eshte si Autolexim, prandaj mendoj ti shtoj vetem fragmentin ne kllapa (”si une”) diku nga mesi.”””

    Art, te gjitheve! Ka nje perzierje te llahtarshme te kuptimit te pare me kuptimin e dyte dmth merret kuptimi metaforik dhe hidhet ne treg si kuptimi fillestar ashtu sikunder edhe anasjelltas.
    Te sjell vec perzierjen e konceptit te demokracise si menyre qeverisjeje dhe demokracise si teresi vlerash.
    Demokracia si menyre qeverisjeje eshte edhe kuptimi i mirefillte i kesaj fjale, nderkaq kuptimi metaforik eshte demokracia si teresi vlerash. Kjo metafore u hodh kohe me pare , ku vlerat kristiano-civile /moderne u quajten metaforikisht demokratike (barazia, toleranca, vullneti i lire,perzierja racore etj)

    Tani jane ngjizur plotesisht menyra e qeverisjes me vlerat demokratike saqe eshte bere e pamendueshme qe nje person te kerkoje si menyre qeverisjeje demokracine por njekohesisht te pranoje se toleranca nuk eshte vlere, se perzierja racore eshte e demshme , se njerezit jane te ndryshem (gjenetikisht, racialisht, kulturalisht etj).

    Ky lemsh konceptual shtrihet ne shume fusha, perfshire kete te heroit, martirit e disidentit, ku ketu u pranua gjeresisht se jane te barazvlefshme si koncepte e per ta arritur u ropen si heroi ashtu edhe martiri nga lekura fetare, ashtu sikunder fjala sakrifice nga rrenja sacro-sacrum.

    Nuk di ne mund ta quaj, pervec materializim e tashmerim edhe ateizim kete proces te cuditshem , ku konceptet po i rjepin per se gjalli e ku metaforikja ze me shkelma kuptimin etimlogjik.

          1. Po, ne kuptimin e mire te fjales; negativiteti qe i vesh Hyllini me beri ti ofroja homogjenizimin.

            p.s. kur lexoj pergjigjet e replikat (si ketu) e njepasnjeshme ne pc-ne e xhepit, keto rigat e holla vertikale ruajne te njejten largesi sa ne ekranin e kompjuterit duke shtyre e shtyre tekstin. Ky postimi im lexohet:

            Po, por
            ne kuptim
            e mire te
            fjales;
            negativite
            qe i vesh …etj, etj.

  14. Ky proces ‘homogjenizimi’ me ben, nder te tjera , te quaj artist Mikelanxhelon dhe artiste Zajmina Vasjarin, keshtu kam Mikelanxhelo+Zajmina = 2 artiste.

    Problemi me konceptet e heroit,martirit e disidentit nuk me lejon te hyj ne teme, pasi jane 3 kategori te ndryshme, 2 te parat jane modele te qarta moralo-spirituale (heroi edhe fizik) qe i dhurohen brezave, kurse i treti eshte me shume nje model i thurur ‘intelektualisht’ i cili supozon edhe vlera te larta morale te disidentit, te cilat burojne thjesht nga veprimi i disidences, pa te cilin ky supozim nuk ka perse te qendroje ne kembe.

    Ndryshimi eshte i qarte, heroi dhe martiri njihen si te tille nga brezat , ndersa disidenti politik (shtesa eshte e nevojshme) nga intelektualet e ne fakt fryhet nga ta.
    Mos te harrojme se nje komunist ne Amerike, eshte fije e per pé , disident politik.

    Tani ka 2 menyra per te sjelle me lezet, disidentin politik ne nje rrafsh me heroin (meqe me martirin ka disa lidhje sidomos nen diktatura).
    1- Terheqim zvarre heroin; e zbresim nga atje lart, keshtu mund te quajme disidente heroike nje thes me njerez.
    2- Shtojme kushtet per te quajtur dike disident, ‘fryjme motivet ne planin moral’ keshtu i japim njefare shenjterie , pra e ngreme ne nivelin e heroit.

    Mirepo, gjeresisht praktikohen te dyja, terheqja zvarre e heroit dhe fryrja e motiveve ne planin moral, keshtu arrihet qe cdo disident politik del hero.
    Epo ne Shqiperi do dalin te gjithe heronj me kete menyre; njeri hero kunder Zogut, zogisti hero kunder komunizmit, Nano hero kunder ‘salizmit’ etj.

    Dale njehere, se ‘titulli Hero’ na del si puna e indulgjencave papale ne mesjete, rrezik del ndonjeri qe fillon e shet titullin hero.

    Te mos biem ne banalizem te plote si puna e 2 artisteve, Mikelanxhelo & Zajmina.
    Ka fjale te tjera, koncepte te tjera (nese ska, krijohen), nje qe me vjen ndermend ‘pishtar i demokracise’, qe parandalojne leshtjerrjen, leshthurjen e lesh-shthurjen e koncepteve.
    Jo per gje, po dihet qe perputhja kuptimore e konceptit midis komunikuesve eshte A-ja e komunikimit.

    1. 1.
      Interesante, dhe mua me shkoi mendja tek ekuacione te ngjashme te cilat s’kam kohe ti ftilloj:
      p.sh. art+mediokritet=modernizem
      apo art+mediokritet+publik=postmodernizem

      p.s. vetem sa me shkoi mendja, e, jo se keshtu mendoj.

      2.
      Tek heroi/martiri/disidenti/deshmori etj, dallojme lehte ndryshimet, si ato te mbartura nga kohet dhe ato qe u jepet ne kohen tone.
      Keshtu, nuk eshte se duam te bejme disidentet heronj, ti barasvleresojme, thjesht duam tu njihen meritat, te vihen ne murin e te nderuarve me ate emer qe njihen.
      Nese une do te shkruaja e do te portretizoja vecmas secilin prej tyre pervec kundershtise ata nuk do te kishin asgje te perbashket:
      heroin mund ta paraqisja si trim te cartur, te burgosur por jo skllav, qe kerkon zgjidhje prej vetes;
      martirin si te urte e te duruar, me e shumta skllav te rebeluar, qe pret apo edhe s’pret fare zgjidhje;
      disidentin jo aq trim e jo aq skllav, por njeri qe sheh e flet, s’pajtohet, qe mbase edhe s’jep zgjidhje, por pohon se kjo qe eshte mund te quhet cfaredo por jo zgjidhje;
      deshmorin si njeriun qe lufton per zgjidhjen qe ofrojne te tjeret.
      Qe te mos dalin te gjithe heronj, ka nje rruge te thjeshte, hero eshte ai qe mes heronjve ka qene i pari qe ka ndermare aktin heroik; kjo rruge eshte ndjekur dhe ne kohen e komunizmit kur kerkoheshin heronj. Nje mallaxhiu im ushtar shpetoi nga mbytja ne lume disa femije. Ai vetem sa ndenji ca dite ne shtepi sa ju sheruan koskat nga guret e lumit; kur per te njejtin akt heroik ne shqiptaret kemi nje heroine (te punes sociliste), te cilen e kemi pikturuar, e kemi futur ne filateli, etj.
      Heroizmin ne vetem duhet ta tregojme, jo ta keshillojme e as ta kerkojme. Eshte hero piloti qe uli avionin ne lumin Hudson, por do te duhen 99 ulje tragjike, derisa pilotet te heqin dore nga prova te tilla.
      Per heroizmin nuk ka liber me keshilla, e mbase duhet te shprehemi: bere nga profesioniste, mos e provoni…

      1. “Interesante, dhe mua me shkoi mendja tek ekuacione te ngjashme te cilat s’kam kohe ti ftilloj:
        p.sh. art+mediokritet=modernizem
        apo art+mediokritet+publik=postmodernizem

        p.s. vetem sa me shkoi mendja, e, jo se keshtu mendoj.”

        Mire ben te shkruash se c’mendon CD, se mendja ku s’shkon, por veri veshin mire mendjes, se ku shkon, se “me ke rri (mendja ne kete rast), themi cili je”, se ajo te ben c’je, dhe je c’mendon.

    1. Në fakt nuk jam aspak i sigurt, meqë intervistën e Kadaresë te Fevziu nuk e kam dëgjuar. Por jam i sigurt se, pas 1990-ës, me daljet e veta në publik, Kadareja shpesh i ka bërë dëm reputacionit të tij si shkrimtar i madh dhe intelektual.

  15. Xhaxha,

    se sa dem i ka bere reputacionit te vet Kadareja, para dhe pas ’90, eshte nje teme e madhe. Por, ketu kemi nje situate konkrete, ku ti i ve Lubonjes, pa dashakeqesi, nga mosdija besoj une, fjale ne nje kontekst tjeter nga ai qe i referohet Lubonja. Sepse, e verteta eshte, qe Lubonja ketu i referohet intervistes tek Opinion i Fevziut (fjalet e Lubonjes).

    Vete, ti xhaxha, me je dukur shume i sensibilizuar kur njerezit te kane vene ne goje fjale qe nuk i ke thene, apo kur t’i kane vene fjalet ne kontekste qe nuk i ke pasur ndermend. Me duket me se e vetekuptueshme qe duhet t’i behet e qarte lexuesit tend qe ti, gabimisht, ja ke vene Lubonjes ato fjale ne goje ne ate kontekst qe ja ke vene.

    Nese, edhe pas leximit te artikullit te lidhjes qe ju dergova, nese edhe pas fjaleve te mia nuk je i bindur se kjo qe po them eshte e verteta, me duket e llogjikshme te pyesesh direkt Lubonjen. Une e pyeta.

    1. Anonim, unë paragrafin nga Lubonja e kam cituar të plotë. Aty nuk ka ndonjë referencë konkrete se për çfarë daljeje publike të Kadaresë e ka fjalën autori – për librin me kujtime të vitit 1991, apo për intervistën te Fevziu. Jam gati të pranoj, me ty, se Lubonja i referohet intervistës te Fevziu; por kjo nuk do të thotë se jam treguar jokorrekt me autorin (përkundrazi, nëse Kadareja e ka zënë në gojë incidentin më shumë se një herë, Lubonja do të bënte mirë që ta kish specifikuar në artikull se për cilën instancë pikërisht e ka pasur fjalën; meqë unë, si lexues, në mungesë të referencave të tekstit, kam të drejtë të përdor referencat e mia personale; dhe nuk ka pikë dyshimi që incidentin Kadareja e ka cekur së pari në veprën që përmend unë). Gjithsesi, nuk më takon mua që ta ndjek këtë çështje më tej; dhe ky shkëmbim mes nesh këtu ndoshta mjafton për ta sqaruar publikun kureshtar.

      Edhe një sqarim tjetër – kur fola për dëmin që i ka sjellë reputacionit të vet Kadareja me disa prej daljeve të veta në publik, këtë s’e bëra për të zhvendosur vëmendjen, por vetëm për të saktësuar se nuk ishte kurrë qëllimi im të mbroja Kadarenë e Fevziut.

  16. Vertet, xhaxha, paragrafin e ke cituar te plote, e vertete, nuk pohova kurre te kunderten. Megjithate, mua m’u duk e nxituar qe ti komentove duke e marre te mireqene interpretimin tend, pa dyshuar fare se mund te kete edhe kontekste te tjera.

    Arsyeja perse une pyeta Lubonjen ishte pikerisht dyshimi: m’u duk e pamundur, jo llogjike qe Lubonja te kishte rene ne nje gjaknxehtesi (banalitet) te tille.

    Une nuk e di se sa aktual ngelet opinioni yt mbas informacionit te ndare tashme. Mua me duket jo i sakte, dhe duke lexuar reagimin e komentuesve, them se eshte pergjegjesia jote t’ua qartesosh keqkuptimin.

    Ky shkembim qe behet midis nesh nuk eshte mjaftueshem informues per lexuesin e blogut:

    1. neser, mbas komenteve te tjera per tema te tjera, askush nuk do klikoje ne shkembimin tone.
    2. pasneser, kur lexuesi kalimtar te hyje ne blog e te lexoje kete artikull, nuk do kete durimin te shkoje deri tek komenti i 26te. Keshtu, qe ai do iki duke marre me vete nje informacion qe nuk eshte i vertete, ndoshta me paragjykimin e perforcuar dhe banal, Lubonja e ka inatin me Kadarene. Nderkohe, qe eshte intelektualisht e pandershme ta sygjerosh debatin e Lubonjes mbi Kadarene ne nje nivel te tille.

    Une nuk e di nese kjo qe po diskutoj ketu eshte e rendesishme per Lubonjen, dhe as nuk flas ne emer te tij: une ketu hyra thjesht per hir te ndershmerise dhe etikes se diskutimit.

    Kete debat e hape ti, dhe me duket pergjegjesi e jotja te besh sqarimet ne menyre aktive dhe te mos ja delegosh ato rastesise. Por, ky eshte vetem opinioni im.

    1. Sapo shtova një shënim, së bashku me lidhjen përkatëse, në trup të shkrimit kryesor. Ashtu lexuesi do të mund të gjykojë vetë. Megjithatë, Anonim, siç do ta kesh vënë re nga komentet, askujt prej vizitorëve nuk i ka shkuar mendja të merret me “konfliktin” Lubonja-Kadare; meqë shkrimi im prek probleme që i përkasin një klase tjetër konceptuale.

  17. ….”ku humanizmi përqeshet nga intelektualët siç përqeshej dje nga ata që talleshin me njeriun e thjeshtë duke i thënë: “ti, që s’vlen për asgjë, duhet të digjesh me benzinë si Jan Pala[c]h për protestë sepse ne intelektualët vlejmë për punë të tjera të mëdha.” – Fragment i Lubonjes.

    Vlersoj integritetin ne mendim te Xha Xhai, dhe si rrjedhoj edhe te Lubonjes. Vetem se, nje diferenc te ndjeshme mes tyre, ve re ne kete rast: Ne vezhgim te personalitetit te Kadares nga Xha Xhai, qe beri te ditur ne kete artikull, nga Lubonja ku trillon pa me te voglen pergjegjesi te shprehuri, ku cdo gje mund te jete, edhe delirium, c’shkruan Lubonja, por, jo kthjelltesi ne analizen e faktit, ketu: ““ti, që s’vlen për asgjë, duhet të digjesh me benzinë si Jan Pala[c]h për protestë sepse ne intelektualët vlejmë për punë të tjera të mëdha.”” Demagogji e shkalles akute, qe te ben te vij keq, qe duhet te sakrifikosh dicka te nje rendesie te madhe, qe te shpetosh Lubonjen nga atavizma te ketij lloji.
    Per rrjedhoj, te sa kam lexuar nga Lubonja, dal ne konkluzionin, ndofta te gabuar, se edhe ne rregjimin “popullor” u denua se Ai regjim nuk ish aq popullor sa c’e mendonte e e donte Lunonja te ish, prandaj edhe mbeshteti jo pak pas viteve 90-te regjimin aq popullor, qe beri kerdin popullore. Tani i kthyer ne nje cikel te ri deziluzioni, rrugedalje e vetme qe zgjedh eshte skepticizmi per intelektualet, dhe “babaxhanin” per ata qe “s’vlejne” ne syrin e mendjes qe i ve Kadares, qe shpresoj se Kadare, nuk e ka mundesine ta bej ate qe e akuzon Lubonja, ndryshe, Kadare nuk do ish duke vazhduar ne ato ujra qe vet Lubpnja i ka trubulluar per tu larguar tinz.

    P.S. Mendova te shkruaj personalisht per Lubonjen ne kete postim, i ngacmuar nga ngarkesa qe kerkoji ti jap dikush qe e paska diskutuar edhe me Lubonjen personalisht “padrejtesine” ne interpretimin e mendimeve te tij nga ky shkrim siper Xha.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin