Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

PUERTO RICO-N KU TA GJEJMË

Nga Gjilpëra

Puerto Rico-n ku ma gjen, që të bëhemi si ata! Të ardhurat për frymë, të korrigjuara për fuqinë blerëse, te 24 mije USD në vit, para Polonisë, Rusisë dhe Hungarisë, pothuajse në nivelin e Greqisë dhe Portugalisë. Krahasuar me 10 mije dollarë për frymë te shqiptarët.

Politikisht pjesë e SHBA, me shtetasit e tij njëkohësisht edhe qytetarë amerikanë, edhe pse jo me të drejta të plota, por të lirë për të shkuar dhe punuar në SHBA, me industri dhe turizëm të konsiderueshëm, edhe pse të pamjaftueshme për të siguruar nivelin e mirëqenies të shteteve të tjera të Amerikës – një Puerto Rico në Evropë nuk do të ishte, si destinacion, mundësia më e keqe për Shqipërinë… Besoj që një pjesë e madhe e shqiptarëve do e mirëprisnin një rezultat të tillë, të ndërgjegjshëm që “ka dhe më keq”.

Sa për elitat drejtuese shqiptare, për këtë jam i sigurt, modeli puertorikan do të ishte zgjidhja ideale: edhe pjesë e Evropës, me lirinë e lëvizjes dhe punësimit, që do të shërbente si valvula shkarkuese për kohortat e të papunëve të rinj shqiptarë, me ca investime periodike nga Evropa në infrastrukturë, por dhe me një lloj pavarësie politike dhe juridike nga Evropa, mjaftueshëm për elitën që ajo të ketë se ku “ta ngjyejë gishtin në mjaltë”, pa patur frikë që t’i duhet të japë llogari për këtë. Ideale fare!

Por kam frikë, se gjasat janë më të mëdha që Shqipëria të ndalet rrugës shumë më parë se të arrijë nivelin e mirëqënies dhe statusin e një Puerto Rico. Ose të marrë ndonjë monopat që e nxjerr diku krejt tjetër, psh. në një lloj Mezzogiorno të Ballkanit, një vrimë e zezë për paratë dhe investimet e hedhura aty, me struktura mafioze dhe para-mafioze, që të kenë kapur jo vetëm politikën dhe shtetin, por që të kenë depërtuar gjithë kapilarët e shoqërisë.

Ndërsa për ekonominë shqiptare, qasja e klasës politike shqiptare ndaj saj, sidomos pas 2010-ës, i ngjan ecjes së njeriut somnambul drejt greminës, i cili sytë dhe veshët i ka hapur, por as shikon, as dëgjon e as kupton gjë nga ato që ndodhin rrotull tij dhe që rrezikon të rrokulliset në humnerë, pa parë e pa kuptuar asgjë. Kush dyshon për këtë, le të shohë befasimin, panikun dhe reagimin kuturù të qeverisë aktuale ndaj shifrave ekonomike më të fundit, të 6 mujorit të kaluar, me pikiatën në të ardhurat nga taksat, tatimet, doganat, me rënien e depozitave dhe të kredisë bankare. As nuk e prisnin këtë “rrufe në qiell të pastër”, as dinë çfarë të bëjnë për të dalë nga situata. Njëri thotë të ulim shpenzimet, tjetri do të rritë taksat, i treti do të luftojë evazionin, i katërti përmend burgun…

Si një ekonomi pa bazë prodhuese, pa industri, pa specializim në një ose disa sektorë ekonomikë, që nuk eksporton pothuajse asgjë, por që importon pothuajse çdo gjë që konsumohet aty, me një sektor tepër modest shërbimesh dhe turizimi, aty kapitali as mund të krijohet, as mund të shtohet, as mund të mbahet brenda vendit. Është pikërisht mungesa në rritje e kapitalit, pas 2010-ës, që po e asfikson ekonominë shqiptare. Më saktë, e kapitalit që hyn nga jashtë vendit.

Deficiti shumëvjeçar dhe në nivele alarmante i llogarisë korrente të vendit, duhet të ishte, në fakt, një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, por, siç duket, ajo nuk dëgjon nga ai vesh. Ky deficit ka vite që tejkalon 10% të PBB-së dhe aktualisht është, në terma absolute, mbi 1.5 miliardë euro në vit. Dhe, meqënëse me përkufizim llogaria korrente e një vendi përfshin edhe dërgesat nga emigrantët, duke zbritur këto dërgesa prej saj, deficiti i jashtëm i vendit i kalon 2 miliardë Euro në vit.

Janë dy miliardë Euro kapital që Shqipërisë i duhet të tërheqë çdo vit nga jashtë vendit për të financuar ekonominë dhe për të mbajtur standartin e jetesës. Këto dy miliardë po bëhen gjithnjë e më vështirë për t’u financuar. Nëse para 2010 ky deficit u mbulua nga dërgesat e emigrantëve, nga investimet e huaja direkte dhe nga paraja e zezë e trafiqeve, kjo u vështirësua shumë pas krizës financiare dhe ekonomike në Evropë, dhe sidomos në Greqi dhe Itali, destinacionet kryesore të emigrantëve shqiptarë por edhe investorët më të mëdhenj në Shqipëri. Kjo krizë u përkthye në Shqipëri në më pak konsum, më pak investime, më pak të ardhura nga doganat, taksat, tatimet, më shumë kredi të këqija të firmave ndaj bankave.

Për të mbyllur “gropën” që lanë efektet e krizës në financimin e deficitit të jashtëm (llogarisë korrente), qeveritë shqiptare pas 2010 zgjodhën fillimisht rrugën rritjes së deficitit të brendshëm (buxhetor) dhe shtimin e borxhit publik, duke katapultuar borxhin shtetëror brenda 5 vitesh nga 55% në mbi 70% të PBB në 2014. Fatkeqësisht – disa mund të thonë dhe miopisht – këto borxhe nuk shkuan në stimulimin, mbështetjen dhe rritjen e prodhimit industrial dhe atij bujqësor, nuk shkuan në investime në degë të reja të industrisë, në ato që krijojnë dhe u shtojnë vlera reale produkteve dhe që mundësojnë eksporte përtej lëndëve të para dhe të papërpunuara. Por paratë shkuan ose për shpenzime korrente ose, për qëllime elektorale, u hodhën në investime autostradash e tunelesh gjigandomane apo ndërtime rrugësh fshati, leverdia ekonomike e të cilave ose është zero, ose do të kërkoj dekada për t’u realizuar.

Por dhe sektori privat vazhdoi, në anën tjetër, edhe pas fillimit të krizës, që të investonte në po ato sektorë si para 2010, në ndërtim dhe në tregëti, pa marrë parasysh as ngopjen e tregut me shtëpi e dyqane e mallra importi, as kërcënimin e krizës evropiane, sidomos asaj në Greqi dhe në Itali, mbi të ardhurat dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve shqiptarë (Xhanëm, se mos dinin të bënin gjë tjetër oligarkët shqiptarë, të mësuar prej dy dekadash me norma të larta fitimi, pa mundime të mëdha, që u vinin nga ndërtimi dhe tregëtia. Për më tepër që këto sektorë kanë si karakteristikë krijimin e shpejtë të vendeve të punës në tregëti, shërbime dhe ndërtim, ç’ka u vinte shumë përmbarë elitave politike, të preokupuara në rradhë të parë me krijimin dhe shtimin e mirëqënies së vet, se sa me modelimin ekonomik, me krijimin e fundamenteve të shëndosha ekonomike-financiare për vendin dhe me mirë-administrimin e kapitalit që hynte në Shqipëri.)

Edhe përshkallëzimi i fundit i krizës në Shqipëri ka lidhje direkte me uljen (e pritshme) të kapitaleve hyrëse në vend, shkaktuar nga acarimi rishtaz i krizës greke këto 8-9 muajt e fundit dhe nga pasojat e fushatave anti-drogë të qeverisë në vitin e kaluar.

Aktualisht, që të katër sektorët përbërës makroekonomik – konsumi, sektori publik, ai privat dhe eksporti – ose bëjnë në-vend-numëro ose janë duke u tkurrur, duke e lënë ekonominë shqiptare pa asnjë motor të ndezur, që të mund ta tërheq vagonin përpara.

Konsumi, si sektori kryesor, është dhe më i godituri nga rënia e dërgesave të emigrantëve, nga papunësia në rritje, por dhe nga aksioni masiv i fundvitit të kaluar për likuidimin e pagesave të prapambetura të korrentit. Shanset që ky sektor ta marrë veten së afërmi janë pothuajse zero.

Sektori i dytë më i madh në vend, ai i sipërmarrjes private, jo vetëm që është i lidhur me konsumin si mishi me thoin, dhe nuk ka gjasa që ta marrë veten pa e liruar dorën konsumatorët, por po vuan dhe pasojat e investimeve të gabuara të viteve të fundit, me kapitalet të bllokuara në investime pa leverdi, në borxhe të ndërsjella mes vetë sipërmarrëve dhe kundrejt bankave (ky sektor madje paraqet dhe rrezikun më të madh të ndonjë aksidenti të mundshëm në ekonomi, në formën e falimentimit të ndonjë kompanie të madhe, i cili mund të shkaktoj nje reaksion zinxhir në firma të tjera ose, larg qoftë, të ndonjë banke kredidhënëse.) Për më tepër, kredibiliteti i sipërmarrjes pranë bankave duhet të jetë në minimum, me kreditë e këqija pothuajse sa çereku i totalit të kredive…

Eksporti, që për vende të vogla është rruga kryesore dhe më e shpejtë për të dal nga vështirësitë ekonomike (nëpërmjet zhvlerësimit të monedhës vendase, duke “eksportuar” edhe krizën, bashkë me mallrat dhe shërbimet) në Shqipëri nuk mund që ta luaj këte rol, si sektor që nuk ngre peshë, i një ekonomie që prodhon shumë pak produkte që mund të eksportohen. Për më tepër që vendet fqinje, destinacionet kryesore të eksporteve modeste shqiptare, janë vet në krizë, duke ulur dhe atë pak kërkesë ekzistuese për produktet shqiptare.

Kështu që barra i ngelet sektorit publik, që të kompensojë rënien e konsumit dhe të investimeve, të shkaktuar nga tkurrja e tre sektorëve të tjerë të ekonomisë, nëpërmjet investimeve direkte dhe indirekte në ekonomi dhe/ose uljes së taksave personale dhe tatimit mbi fitimet e sipërmarrjeve. Problemi me sektorin publik në Shqipëri sot është se ky, pas 25 vitesh krasitjesh, shkundjesh dhe reformash alla-shock-therapy, liberalizimesh absurde dhe privatizimesh pa kuptim, jo vetëm që është i vogël, anemik, i korruptuar deri në qelizë, por për më tepër, ai është dhe i mbytur deri në grykë me borxhe dhe pothuajse pa asnjë hapësirë manovrimi, për të ndihmuar ekonominë kombëtare në kohë krize. Përkundrazi, pas shifrave të alarmante ekonomike të 6 mujorit të parë të vitit, dhe me FMN-në çekan te koka, pritet që qeveria të marrë masa të reja shtrënguese për të ulur deficitin e pritshëm në buxhet, ose duke shkurtuar shpenzimet, ose duke rritur taksat mbi konsumatorët, punonjësit apo sipërmarrjet. Duke fundosur kështu më keq si konsumin, ashtu dhe sektorin privat.

Paralelisht, sistemi bankar i vendit është praktikisht jashtë loje: me 25% kredi të këqija në llogari dhe pothuajse komplet në duar të bankave të huaja, pa ndonjë interes për të riskuar kapitale të mëtejshme në vende periferike evropiane, bankat nuk pritet që të luajnë asnjë gisht për të financuar dhe kredituar ekonominë shqiptare në krizë.

Ndonjë zgjidhje e shpejtë e situatës as duket në horizont, as është në dorën e klasës drejtuese të vendit. Në këtë gjendje, qeverisë nuk i ngelet gjë tjetër për të bërë, veçse “t’u bjerë telefonave” të BE-së, Kinës apo ndonjë despoti të Azisë Qëndrore me “xhepa të thellë”, në kërkim të ndonjë “shpëtimtari” me pará, me shumë pará, që të mbyllë gropën e kapitalit të munguar, nëpërmjet kredive të buta dhe afatgjata për Shqipërinë ose më mirë, nëpërmjet investimeve direkte në vend. Në mungesë të tij, vështirë që ekonomia shqiptare të shënojë rritje në 2015 dhe në vitet që vijnë. Madje do të jetë me fat, nëse arrin të shmangë rënien në recesion dhe uljen e standarteve të jetesës.

Në mungesë të tij, emigracioni i muajve të fundit, jo vetëm që nuk do të fashitet, por mund të kthehet në pararojë të valëve të reja emigrantësh drejt Evropës. Po nëse Evropa vendos të mos hapë as “qesen” për Shqipërinë e as kufijtë për të punuar shqiptarët? Atëherë…

E, meqë u krahasuam me Puerto Rico-n, tamam para një jave PR nuk mundi të shlyente një obligacion të borxhit publik dhe shpalli falimentimin. Të shpresojmë, që të paktën në këtë pikë, ne të mos i ngjajmë Puerto Rico-s.

Pa Komente

  1. Duke pasur parasysh mundesite e epokave dhe brenda sistemeve perkatese (komunizem vs demokraci), kush e ka neglizhuar me shume menaxhimin e shtetit shqiptar, politikanet e tranzitokracise apo ata te monizmit?

    Turp qe e bej(me) kete pyetje 25 vjet pas rrezimit te cmendurise “monizmi shqiptar”, por besoj duhet shqyrtuar per ta bere konkrete se sa pak eshte bere ne keto 25 vjet, e me kryesorja, sa shume eshte humbur, pasi cdo zgjidhje e cdo neglizhim ka kosto oportuniteti, pervec kostos aktuale mbi vendin e popullin.

    1. “…kush e ka neglizhuar me shume menaxhimin e shtetit shqiptar, politikanet e tranzitokracise apo ata te monizmit?”

      Pyetje me vend, edhe pse, natyrisht, retorike. Problemi është se ne, ekonomikisht, kaluam nga njëri ekstrem në monizëm, në ekstremin tjetër në kapitalizëm: nga manaxhimi total i ekonomisë dhe i pronës prej shtetit (i cili drejtonte, rregullonte dhe kontrollonte deri dhe qelizën e hallkën më të fundit të veprimtarisë ekonomike, çka dhe e mbyti më në fund ekonominë dhe mirëqënien atëhere), tek liberalizimi po aq total i pronësisë dhe ekonomisë, në një kapitalizëm të shfrenuar e të dal jashtë cdo kontrolli shtetëror e civil. Skandalin unë e shoh sa tek gabimet e shock-“terapisë” famëkeqe të viteve të fillimit, me pasoja katastrofale për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare atëherë e më vonë, po aq dhe te këmbëngulja e mëvonshme e klasës drejtuese për të vazhduar në të njëjtën rrugë privatizimesh kuturù dhe liberalizimesh të-dal-ku-të-dal, te cilat u shitën për politika ekonomike dhe madje ende sot quhen si garante te mirëqënies dhe të prosperitetit të vendit
      (në këtë varg çudirash, dhënia me koncesion e doganave një firme private ishte kokra e qershisë mbi tortë… dhe kjo pas fiaskos disa qindra-milionë-eurosh me CEZ-in dhe privatizimin e ri-shtetëzimin e OSSH-së).

      “besoj duhet shqyrtuar per ta bere konkrete se sa pak eshte bere ne keto 25 vjet, e me kryesorja, sa shume eshte humbur, pasi cdo zgjidhje e cdo neglizhim ka kosto oportuniteti, pervec kostos aktuale mbi vendin e popullin.”

      Mua më interesante më duket shqyrtimi se sa është fituar dhe kryesorja, KUSH ka (për)fituar në këto 25 vjet… për të humbur, kemi humbur të gjithë ne të tjerët… : -)

  2. Shqiperia mund te dale nga qorrsokaku ekonomik e mund te behet fare mire backoffice e dy tre vendeve me te medha ne Europe. Specifikisht, e Italise dhe Gjermanise nese popullsia do te ishte e edukuar mire. Afersia me Europen dhe kostoja e ulet e fuqise punetore jane atraktive. Po lexoja nje profil ne Frankfurter Allgemeine para disa kohesh per emigrantet shqiptare te kthyer se fundmi dhe permendte nje sipermarres, sic duket i madh, qe kishte nga aktivitetet me te medha ne Shqiperi me call-center dhe me rreth 3-mije te punesuar (3-mije te punesuarit e benin nga punedhenesit me te madh ne vend).

    Edhe pse call-centers jane fundi i fundit ne hallkat e sherbimeve e ato prodhuese (praktikisht jane zhdukur si me magji brenda 2-3 viteve ne Europe e USA mbas hyrjes se internetit masivisht), fillimisht eshte drejtimi i duhur per Shqiperine. Ka shume industri dhe procese prodhimi qe kane nevoje qe hallka te caktuara ku duhet vetem pak specializim te jene te lira, ne IT psh ka “quality assurance”, “support” etj etj sot kryhen nga India e Kina. Por fjala vjen, “Customer Support” duhet te jete sa me afer klientit pra ne te njejten zone kohore dhe Shqiperia mund ti beje keto nese e ka te edukuar me gjuhe dhe specializim te mesem popullsine. Turizmi natyrisht te ndihmon por Shqiperia e ka humbur rastin dhe ka derrmuar ambientin e saj.

    Receta per krizen shqiptare mund te jete te lene menjane ndertimet e shkaterrimet e plazheve dhe te fillojne te permiresojne shkollat e te fusin kurse ne gjermanisht masivisht. Kjo nuk te nxjerr nga bataku menjehere, por te nxjerr brenda nje gjenerate, le te themi 10 vjet. Nderkohe mund te mbahet me permiresime ne infrastrukture dhe permiresime ne sherbimet e turizmit.

  3. Mua më bën përshtypje indiferenca me të cilën trajtohet rritja e borxhit të brendshëm. Vërtet Shqipëria nuk është në nivelet e borxheve të tjera, që shkojnë edhe më lart me përqindje, por edhe nuk ka ekonomi për ta përballuar larjen e tij. Gjithsesi, ritmi i rritjes së borxhit është tejet alarmant.

    1. Është provë, mes shumë të tjerash, se mediat në Shqipëri kanë dështuar në mënyrë spektakulare në misionin e tyre si pushtet i katërt. Nuk merren me çështje kritike, për jetë a vdekje, por rreken veç të dëfrejnë publikun duke i rrëfyer çdo ditë e nga një budallallëk të ri, të cilin ia kalojnë pastaj njëra-tjetrës, pasi e kanë marrë nga Facebook-u. Polarizimi dhe radikalizimi – artificialisht – bëjnë që çdo lloj diskursi kritik ndaj vijës politike të shumicës të interpretohet si i ardhur ose i paguar nga Sali Berisha: dhe ashtu edhe të skualifikohet vetvetiu.

    2. Pikërisht. Për borxhin vlen, sa më i pazhvilluar dhe më i varfër të jetë një vend, aq më i ulët kufiri i tolerueshëm i borxhit. Aty ku SHBA, GB apo Gjermania mund të jetojnë shumë mirë me një nivel borxhi 80, 90 apo mbi 100% te PBB-së, për vende të varfëra si Shqipëria borxhi fillon e bëhet problematik kur i kalon 50-60%. Arsyet janë të kuptueshme: mungesa e një ekonomie me bazë të gjerë dhe me sektorë të diversifikuar, tregu i brendshëm i varfër, baza fiskale e vogël, evazioni i lartë, risku i lartë politik, risku valutor etj.

      Rëndues për borxhin e Shqipërisë nuk është vetëm niveli i lartë aktual (70% e PBB-së), por dhe stagnacioni ku është futur ekonomia prej disa vitesh, me rritje vjetore rreth 2%, ç’ka është më pak se interesi vjetor i borxhit dhe që çon në marrjen e borxheve të reja vetëm për të paguar interesat e borxheve ekzisuese (të ardhrat shtesë nga rritja 2% e PPB-së nuk mjaftojnë për mbulimin e interesit). Kuptohet, një rënie në recesion do ta acaronte në ekstrem problemin e borxhit, pasi me rënien e PBB, rritet automatikisht raporti borxh/PBB dhe me këtë vetë borxhi.

      Dhe shifrat e të ardhurave të buxhetit në 6-mujorin e parë tregojnë të paktën një frenim të fortë, në mos një tkurrje të ekonomisë. Shenja aspak të mira këto se çfarë po ndodh në brendësi të ekonomisë shqiptare, përtej formulave të politikanëve për evazion fiskal apo sezonalitet të dhënash.

    3. Për gjëndjen ku ndodhet ekonomia kanë kontribuar të dyja palët, si opozita në rolin kryesor në rritjen e nivelit të borxhit, ashtu edhe pozita me politikat e veta tërësisht anti-rritje.

      Këtyre nuk u intereson të flitet, dhe po e zhysin kokën si struci në rërë. Një burracakëri e pashoqe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin