Produkti i brendshëm bruto (GDP) ka vite që është në qendër të vëmendjes së politikës e të opinionit publik. Le ta pranojmë se botimi i shifrave të produktit të brendshëm bruto pritet me ankth nga të gjithë, sepse tek ai numër ne kemi lënë peng gjykimin për mbarëvajtjen e ekonomisë. PBB-ja është pasqyra, e njëkohësisht busulla e sfera jonë e kristaltë.
Megjithatë, siç e kemi shpjeguar gjetiu, PPB-ja tregon vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda shtetit në një periudhë të caktuar kohore, por nuk mund të tregojë mirëqenien e një popullsie. Aktiviteti ekonomik, në përgjithësi, nuk mund të shihet jashtë etikës dhe marrëdhënieve shoqërore.
Lajmet se disa veprimtari ilegale do të përfshihen nga institutet statistikore në përllogaritjen e PBB-së kanë kohë që qarkullojnë, mirëpo këto ditë ka bërë shumë zhurmë ndërkombëtare njoftimi i Istat italian se nga viti që vjen, do të fusë në shifrën e famshme, në trajtë vlerësimi, trafikun e drogave, të cigareve, alkoolit, prostitucionin, etj. Instituti i statistikave e ka marrë vendimin në bazë të udhëzimeve të Eurostat, i cili u kërkon vendeve anëtare të Bashkimit Europian të fusin edhe këto vlerësime. Lajmi të vjen në vesh me një forcë brutale që nuk e kupton menjëherë.
Po ta shikojmë çështjen me ftohtësinë mekanike të ekonomistit cinik, njoftimi do të na dukej praktikisht banal. Çdo aktivitet ekonomik duhet përllogaritur, thotë kompjuteri i qendrës, i cili nuk e ka aftësinë të dallojë llojin e veprimtarisë, përveçse t’i kushtojë një rresht në faqet monotone të elaboratorëve. Në këtë mënyrë jo vetëm prostitucioni, por edhe kontrabanda e tritolit, mund të llogaritet e të futet në vlerësimin e përgjithshëm të PBB. Ky i fundit, sipas gjasës, do të rritet ndjeshëm, për harenë e ekonomistëve dhe politikanëve që presin prej kohësh ndonjë lajm të mirë nga shifra që lëngon në shtratin e krizës.
Mirëpo edhe fëmija i lagjes sime, që shkon në fillore, e di fare mirë se ka veprimtari ekonomike të mirë e të keqe. Kjo ndarje duket vërtet fëmijërore, e me siguri do të shkaktojë ndonjë buzëqeshje tek ekspertët e fushës, që punojnë me grafikë dhe të dhëna të ndërlikuara, që japin e marrin me Excel e Access gjithë ditën për të na dhënë dy shifra dhjetorë. Anipse naive, ndarja është thelbësore, ngaqë ekonominë njerëzore nuk mund ta shikojmë jashtë etikës që bashkësia përdor.
Do të më thuhet se atje ku kanabisi lejohet është aktivitet i ligjshëm, ndaj edhe matet; kurse në vende të tjera nuk pranohet nga ligji, por duhet matur meqë “pare e madhe” qarkullon. Këtu kemi të bëjmë me një farë hipokrizie institucionale, sepse normalisht aktiviteti duhej të ishte rregulluar me ligj, pastaj të matej me parametra statistikorë. Për shembull, në rast se prostitucioni legalizohet, atëherë mund të matet nëpërmjet shërbimeve dhe pasurisë që krijohet nga shërbimi i prostitutave. Në rast të kundërt, ai mbetet aktivitet ilegal, që teorikisht nuk duhej të ekzistonte (edhe pse është zanati më i vjetër në botë). Kjo s’do të thotë se mund të mos bëhen vlerësime, por me qëllime të tjera, ta zëmë luftën ndaj dukurisë negative, pa i futur solemnisht në statistika zyrtare.
Futja në listën e aktiviteteve që përbëjnë PBB-në nuk është veprim neutral. Vetë prania, ta zëmë e kontrabandës së cigareve, në listën e institutit statistikor përshenjon një farë qëndrimi të komunitetit, sepse e pranon atë, e normalizon dhe e përfshin në veprimtaritë e zakonshme ekonomike. Që veprimi është problematik mjafton të sjellim ndonjë shembull të skajshëm, që bazohet në të njëjtën logjikë. Ta zëmë se vendosim të fusim në përllogaritje edhe trafikun e qenieve njerëzore, ose shërbimin që japin vrasësit me pagesë. Produkti i brendshëm bruto do të pësonte rritje e ndoshta do të kishim ndonjë deklaratë kënaqësie nga qeveria, por në realitet vetë qeveria duhet të punojë që ta ulë PBB-në duke luftuar fenomenin e trafikimit e të vrasjeve. Por kjo është kundërshti e vogël përballë asaj që i vendos në të njëjtën listë me shërbimet shëndetësore, ose prodhimin e barnave jetëshpëtuese.
Nuk është vështirë ta pranojmë se edhe sot ka kundërshti në përllogaritjen e PBB-së. Mjafton të marrim prodhimin e armëve, që nuk mund të themi se kanë peshë të vogël në ekonomi, megjithatë shkaktojnë vdekje. Mirëpo prodhimi i armëve, edhe pse etikisht i diskutueshëm, mund të justifikohet me mbrojtjen, ose me misionet e paqes. Gjithsesi, prodhimi i armëve nuk është ilegal, ndërsa i drogës po (çështjen e llojit e lëmë mënjanë).
Mund të ketë shpjegime ekonomiko-statistikore që e mbështesin përfshirjen e këtyre aktiviteteve në përllogaritjen e PBB-së. Ndoshta janë edhe të nevojshme, porse argumentet vështirë se bindin për sa kohë lënë jashtë aspektin e qëndrimit tonë ndaj këtyre fenomeneve, që normalisht nuk duhej të ekzistonin. Nga ana tjetër, vetë koncepti i PBB-së vjen e komprometohet, sepse nesër nuk do të dimë si ta vlerësojmë rritjen e PBB-së. Deri më sot shenja plus para shifrës së produktit të brendshëm bruto është konsideruar me entuziazëm. Po nesër? A nuk do të ishte për t’u shqetësuar rritja e tij, meqë brenda janë futur edhe aktivitete të rrezikshme shoqërore?
Në këtë kuadër, shqetësuese paraqitet edhe situata shqiptare, jo vetëm për qëndrimet e saj akritike për çfarë vjen nga jashtë dhe nga Bashkimi Europian, por edhe për traditën e veprimtarive të jashtëligjshme që justifikohen nga opinioni publik dhe nga politika. Mjafton të kujtojmë në vite një sërë aktivitetesh të paligjshme si kontrabandën e karburantit, të cigareve, larjen e parave të pista, shkeljet e së drejtës së autorit, gomonet e emigrantëve, por sot mund të kujtojmë kultivimin dhe trafikun e drogës, shfrytëzimin e prostitucionit, trafikun e armëve, lojërat e bixhozit, shfrytëzimin e krahut të punës, etj. Të gjitha këto veprimtari “ekonomike” në mos janë pranuar si normale, janë toleruar në një farë mënyre, sipas periudhave historike, nga opinioni e nga institucionet. Në këtë kuadër të psikologjisë kolektive, nuk do të ishte e vështirë që udhëzime të tilla, si ato të Eurostat-it, që e rrisin produktin e brendshëm bruto pa lodhje të madhe, të mirëpriten e të konsiderohen si zgjidhje për t’u mburrur me rritjen ekonomike nëpër ekrane e tribuna europiane.
Ndoshta duket si ide e vjetruar, por ekonomia e mirë dhe e ligjshme ekziston ende në mendjen e njerëzve, edhe pse niveli etik ka rënë deri në atë pikë saqë veprimtarisë shumëkush i gjykon vetëm mbiemrin “fitimprurëse”, pa pyetur shumë se nga se dhe si vjen ky fitim. Problemi është se dallimi i aktiviteteve të këqija ka lidhje direkt me të kundërtat e saj. Përndryshe, nesër, kur të jenë të homologuara e në rresht, do ta kemi shumë të vështirë t’i dallojmë njëra nga tjetra, çka do të shënojë edhe disfatën e kulturës qytetare dhe pengmarrjen e së mirës kolektive. Por edhe koncepti i produktit të brendshëm bruto nuk del i përforcuar.
Kjo puna e PBB eshte shume interesante. Çdo vend e ka nje prodhim te brendshem, prodhon disa gjera ne saje te te cilave perligj mjetet e jeteses.
Sa here qe shkoj ne Shqiperi ia bej vetes pyetjen: me se jetojne shqiptaret? Ngado te hedhesh syte dhe gjithçka qe prek eshte prodhuar jashte Shqiperise: karriget ku ulesh, luget e pjatat me te cilat ha, ushqimet, frutat dhe zarzavatet, gruri dhe mielli i bukes, cigaret, rrobat qe veshin dhe kepucet qe mbathin njerezit, mobiljet… Gjithçka! Gjithçka ! Veshtire te gjesh diçka qe eshte prodhuar ne vend.
Te njejten pyetje ia kam bere vetes kur kam shkuar ne Greqi. Edhe atje, perveç njefare prodhimi bujqesor dhe blegtoral, pak gjera me dilnin te ishin “made in Greece”. Por se paku, thosha me vete, keta kane ca turizem, qe ne nuk e kemi.
Ndryshe qendron puna me vende te tjera, si Italia, Franca, Gjermania, Turqia etj. ku pergjithesisht je i rrethuar nga prodhime vendi.
Atehere me se jetojne shqiptaret? Si mund te mbahet nje vend vetem me tregti, sherbime dhe parà emigracioni, pa prodhuar vete asgje?
Ndoshta vetem per t’iu pergjigjur kesaj pyetjeje duhet perllogaritur pesha qe zene veprimtarite ekonomike ilegale. Keshtu te pakten behemi me te vetedijshem per çka jemi vertet, ç’i japim e ç’i marrim kesaj bote.
Ka zera te arsyeshem qe thone qe sistemi i sotem i llogartijes te kontove kombetare (national accounts) me ane te cilave arrijme te PBB, eshte lajthitje totale se llogarit si pozitive: divorcin, prostitucionin, problemet shendetsore, aksidentet e makinave etj etj(dmth cdo aktivitet ku shkembehen para).
Nje punetor krahu ketu ku jam me tregoi nje pale cizme pune te cilesise te larte ‘made in Albania’. U habita, se si ju mendoja qe prodhimi atje eshte zero absolute. Ne fakt manufaktura qenka gjalle, dhe fshati ende prodhon (qofte sa per vete).