Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI

NGA ZËDHËNËS NË ZËVENDËS

Rritet numri i teksteve shqip që ende mbajnë emra autorësh, por që duket sheshit se janë hartuar me një LLM (zakonisht, me ChatGPT). Veçanërisht po i ndesh këto tekste si statuse në Facebook, por edhe si opinione dhe editoriale në media më solide. Nuk është se unë përdor ndonjë vegël heuristike për t’i identifikuar – më mjafton veshi, siç i mjafton veshi një kitaristi për ta kuptuar se kitara i është çakorduar.

Megjithatë “veshi” nuk mjafton, për të treguar me gisht a akuzuar dikë se po i jep lexuesit një produkt tekstor të cilin nuk e ka krijuar vetë, por ia ka besuar një softueri, gjithë duke e paraqitur si origjinal të vetin; dhe ato pak vegla që sot përdoren, për të matur autenticitetin e teksteve, (ende) nuk funksionojnë me shqipen (mes delegimit të mundimit dhe mashtrimit autorial, kjo e dyta është më e dënueshme). Edhe te “Peizazhe të fjalës” më ndodh që të lexoj një tekst – ose të paktën një fragment teksti – që më tingëllon si artificial; por jo aq shpesh sa gjetiu në rrjet ose në mediat sociale. Për momentin, kur futem në rolin e redaktorit, po bëj sikur nuk kam kuptuar gjë.

Çudia – nëse mund ta quaj kështu – është se dukurinë e gjej edhe në autorë me qasjen ligjërimore të së cilëve isha mësuar, aq sa ta konsideroja pjesë të “fytyrës” së tyre publike. Dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për stilin e tyre, por edhe për atë që Barthes-i e quante écriture dhe që u referohet zgjedhjeve ideologjike dhe sociale që bën një shkrimtar, gjatë “endjes” së veprës dhe që, me kohë, konstituojnë profilin e tij ideal.

E kam fjalën, pra, për manifestimin tekstual të autorit. Për shkrimtarë të konsoliduar, edhe në fiction edhe në jo-fiction, ky manifestim lejon që të identifikohet autori i një teksti thjesht nga mënyra si shkruan, nga referimet sociale dhe kulturore, nga fjalët që zgjedh, nga ritmi i frazës dhe kombinimi i njësive më të mëdha të tekstit e kështu me radhë.

Duke e identifikuar autorin, edhe lexuesi e ka pastaj më të lehtë ta kuptojë tekstin, ta kornizojë dhe ta vërë në lidhje me atë çfarë ai di dhe pret; madje edhe t’i shtojë tekstit kuptime që, për një lexues tjetërlloj, nuk ekzistojnë fare.

Në përgjithësi, kushdo që i afrohet një teksti online e bën me supozimin se teksti ka dalë nga një mendje njeriu; dhe ky supozim nuk është hiç naiv. Teksti i hartuar me LLM (AI) e shkel këtë pakt të heshtur, sepse është produkt i një procesi të ndryshëm nga ai që ndodh në mendjen e hartuesit njeri.

Por sot nuk dua të diskutoj këtë – preferoj të ndalem te aspekti tjetër i dyndjes së teksteve të tilla online: maskimi i individualitetit. Nëse dy autorë me të cilët jam familjarizuar fillojnë t’ia besojnë tekstet e tyre ChatGPT-së, atëherë këta heqin dorë nga individualiteti. Mund të ndodhë që një tekst i hartuar nga AI-ja të jetë më logjik dhe më i kthjellët, se ai që do të nxirrte nga dora ky apo ai autor – por logjika dhe kthjelltësia nuk janë tipare të stilit, as të écriture-s.

Efekti parësor i përdorimit të gjerë të LLM-ve është njëtrajtësimi: të gjitha tekstet duket sikur i ka shkruar e njëjta dorë. Paradoksalisht, si ilustrim për këtë mund të shërbejnë imazhet e krijuara tani masivisht, me ChatGPT, për të shoqëruar tekste të ndryshme ose si posterë a kopertina: unformiteti i stilit të imazheve duket qartë.[1]

Efekti pasues, që mua më duket edhe më i rrezikshëm, ka të bëjë me rrafshimin e shijeve, në mos edhe të pritjeve të lexuesve. Nëse ti u jep këtyre me këmbëngulje tekste të cilat i binden një bashkësie të ngushtë parametrash stilistikë dhe strukturorë, atëherë këta lexues do të fillojnë të mësohen me stilin e ri të teksteve dhe do ta përjetojnë si normë tekstuale dhe stilistike. Brezi i atyre lexuesve – ku bëj pjesë unë – që ende e pikasin autorësinë e LLM-së do të zëvendësohet nga një brez që tekstet e krijuara me LLM do t’i marrë si default. Nëse duam, edhe si shkallën zero të écriture-s (për të cilën flet Barthes-i), teksa shndërrimi nga stili në normë vepron si një thirrje mirëfilli për disiplinë.

Nëse ndodh, kjo mund t’i reduktojë zërat individualë në kuvendin e ligjërimit publik, dhe bashkë me zërat individualë do të varfërojë edhe diversitetin. Kushedi edhe vetë pluralitetin. Ata autorë që nuk janë të sigurt në dorën e tyre ose në rendimentin prodhues, i përdorin veglat LLM për të rritur cilësinë e produktit që i japin publikut; por kjo sjell rrezikun që dallimet e djeshme në stil dhe në qasje të perceptohen tani si dallime mes të shkruarit mirë dhe të shkruarit keq. Kush nuk di ose refuzon të përdorë një LLM do të perceptohet si autor tekstesh (produktesh ligjërimore) inferiore, që nuk e arrijnë dot normën e re. Ashtu edhe i afrohemi momentit fatal kur norma stilistike të veprojë edhe si normë “ideologjike”.

Efekti i tretë, që po më duket distopik, është që brezat e rinj, të mësuar me normativitetin e ri, të përpiqen t’i përshtaten, duke e moduluar ligjërimin e tyre sipas ligjërimit të makinës – të paktën kur duan të nxjerrin nga dora një tekst normal, neutral, pa synime për të marrë në pyetje a shkelur normat tashmë të kristalizuara. Kjo po ndodh që tani, në atë masë që LLM-të që shkruajnë shqip priren të zgjedhin, sistematikisht, jo vetëm një leksik tejet të kufizuar në numër dhe në larmi, por edhe një sintaksë, e pikërisht një rend fjalësh në fjali që ndjek formulën standarde SVO (kryefjalë-kallëzues-kundrinë), duke e varfëruar shqipen, e cila lirisht i nis fjalitë me kundrinë, edhe të drejtë edhe të zhdrejtë.

Dua të them: makina do të na mësojë si ta shkruajmë shqipen, duke përfituar nga aftësitë e njeriut për t’u përshtatur, të cilat janë – besoj – më të mëdha se aftësitë përkatëse të makinës. Ky efekt nuk është i lig në vetvete, sepse shqipja e LLM-ve, edhe pse disi fëminore, është tashmë relativisht e qëruar dhe korrekte (shumë më e qëruar dhe korrekte se shqipja e shumicës së shqipshkruesve); por rrezikon diversitetin ligjërimor, ose rrafshimin e individualiteteve shprehëse.

Sa shkrova, vlen për ata autorë që po zgjedhin tranzicionin nga mendja e tyre, te mendja e AI-ve, për lehtësi ose ngaqë u duket se LLM-të shkruajnë më mirë; por nuk vlen plotësisht për ata autorë të tjerë, të cilët po e nisin tani përvojën e tyre, si zëra në ligjërimin publik, dhe që nuk dinë mënyrë tjetër të ndërtimi tekstesh publike, nga ajo që u mundëson LLM-ja. A do të arrijnë ndonjëherë këta të kenë individualitetin e tyre krijues, stilin e tyre, “aromën” e tyre të tekstit? Mbase do të arrijnë, por duke ia kërkuar makinës ta shtojë. Siç ka programe inteligjente krijuese imazhesh që imitojnë Magritte-in ose Dali-në, do të ketë programe që specializohen që të shkruajnë në stilin e këtij apo atij autori të njohur. Ashtu individualiteti i një zëri të ri do të përcaktohet nga zgjedhja e tij fillestare, ose nga udhëzimi që ky do t’i japë LLM-së, për autorin e traditës që do të imitohet. Individualiteti do të bëhet çështje intertekstualiteti, dhe me kohë kushedi do të mësohemi edhe me këtë…

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™ & Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


[1] Fajin për këtë katastrofë estetike e kanë më shumë vetë përdoruesit, të cilët nuk lodhen që t’ua përpunojnë parametrat stilistike imazheve, por mjaftohen me vlerat default, duke bërë që shumë nga këto imazhe të vijnë e të duken si versione ilustrimesh të broshurave të Dëshmitarëve të Jehovait.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

1 Koment

  1. Zylo dhe Demka. Zyloja apo Demka?

    Kur një politikan mban një fjalim që ia ka shkruar dikush nga stafi i vet, p.sh. sekretari (speechwriter), kush është autori: politikani apo sekretari, Zylo apo Demka? Natyrisht, është ai që e ka porositur, që e ka lexuar dhe që mban përgjegjësine për fjalimin, pra autor është politikani (Zyloja). Ose, kur një personalitet boton kujtimet e veta, që i ka shkruar me ndihmën e një ghostwriter, kush është autori i librit, personaliteti apo shkruajtësi i heshtur në prapaskenë? Kështu edhe me AI: autori është ai që vendos kriteret e shkrimit me AI, që përcakton tendencën (ideologjinë) e shkrimit, që e kontrollon rezultatin dhe që, në fund të fundit, mban përgjegjësinë për shkrimin final. Por kur të gjithë – si Zyloja ashtu edhe shefi i Zylos – përdorin inteligjencën artificiale (Demkën), për të bërë shkrimet e tyre, lindin problemet që përmbledh AV më lart. Uniformitet, monotoni, varfërim dhe varfëri në shumë plane; motorizimi i komunikimit me shkrim.

    Por dallimi rrënjësor, besoj, është te natyra letrare përballë asaj jo-letrare të shkrimeve: letërsia e mirëfilltë kundrejt të gjitha shkrimeve të tjera që nuk janë letërsi e tillë p.sh. shkrimet me natyrë shkencore, teknike, ekonomike etj., publicistika në përgjithësi dhe shkrimet e gazetave, bashkë me opinionet, në veçanti. Vlera e shtuar e AI është te këto të fundit, te publicistika.

    Ndërsa mjeshtëria e inteligjenës artificiale në lëmin e letërsisë është mjeshtëri epigoni, është imitim; asnjë origjinale. Letërsia vërtet e lartë, ajo sublime, është vetëm dhunti e njeriut – e gjeniut. Të tjerat – fus këtu edhe letërsinë mediokre – mund t’i bëjë makina shumë mirë e shpesh më mirë edhe se njeriu.

    Në një rrafsh më të përgjithshëm, LLP (AI) mund të kenë edhe pasoja të tjera, edhe pse në terma relative, jo absolute, si:

    – zhvleftëson krijimet e sotme dhe të ardhme, duke ua vënë në dyshim autorësinë, por u rrit vlerën krijimeve të shkuara, atyre të para 2022.

    – zhvleftëson publicistikën, sidomos gazetarinë e opinioneve, por i rrit vlerën krijimit të mirëfilltë artisik, kulturor dhe filozofik.

    – zhvleftëson letërsinë mediokre dhe mesatare, por i rrit vlerën krijimit të gjeniut, që mund të bëhet vetëm nga njeriu, jo nga makina.

    – zhvleftëson shkrimin dhe, bashkë me të, edhe leximin, por u rrit vlerën oratorisë dhe komunikimit verbal, aty ku origjinaliteti nuk mund të fshihet, të dyshohet apo të manipulohet. (mos po hyjmë gjë në një epokë të re të krijimtarisë orale, si në traditën e hershme të letërsisë së recituar/ treguar/ kënduar, si në kohët e rapsodëve? Lexo dhe shkrimin e fundit kritik të AV te “Menditime”).

    – zhvleftëson komunikimin indirekt, atë nëpërmjet teknikës së shkrimit apo të regjistrimit, por i rrit vlerën komunikimit të drejtpërdrejtë, live: në intervistë, në skenë, në studio, në rrugë. Psh. aktorit të teatrit mund t’i rritet vlera, atij të kinemasë/ të filmit ndoshta i bie (së shpejti AI ka për të gjeneruar filma televizivë të standarteve aq të larta, sa të mos dallojmë dot më aktorin person real nga aktori virtual.)

    – zhvleftëson më tej shkollimin e detyruar (bashkë me diplomat), por i rrit vlerën vetëshkollimit, të mësuarit me dëshirë.

    [Lista pa dyshim që mund të zgjatet; shumë efekte nga përdorimi i IA nuk arrijmë t’i shohim ende.]

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading