Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI / Filologji / Filozofi

SUBJEKTE DHE ALGORITME

Të nisemi nga premisa se krejt aktiviteti i një përdoruesi online gjurmohet dhe interpretohet nga softuerë të ndryshëm, për t’u shfrytëzuar për arsye komerciale; edhe pse jo vetëm. Çdo klikim imi në Google ose në Amazon regjistrohet dhe pastaj përdoret për të ndërtuar një profil timin, i cili tregon se cili jam unë, si internaut dhe si blerës. Nëpërmjet shfletuesit Chrome, Google e di se cilat gazeta lexoj, çfarë mallrash blej dhe cilat rrjete sociale frekuentoj. Në parim, ky informacion pastaj vlen për të personalizuar reklamat që më shfaqen gjatë shfletimit – në kuptimin që ka më shumë gjasë të shoh reklama për gjëra që softueri përkatës i ka identifikuar si interesat e mi.

Dallimi mes këtij algoritmi të përgjithshëm dhe atij që përdor një media sociale – si Facebook-u – është se, kur jam në Chrome, unë vizitoj ato faqe që zgjedh unë të vizitoj, pavarësisht nga interesat dhe pasionet që kam; për shembull, mund të shkoj 2-3 herë në ditë në faqen e Corriere della Sera ose të Le Monde, për të marrë vesh se ç’po ndodh; dhe mund të rri edhe 2 javë pa klikuar në asnjë sajt të specializuar në turnetë e shahut, edhe pse shahu më intereson më shumë se Meloni ose Macron-i. Përkundrazi, kur në Facebook, më del përpara një feed të cilën e ka “hartuar” algoritmi, në bazë të interpretimit që i ka bërë veprimtarisë sime. Me fjalë të tjera, algoritmi në mediat sociale shkon një hap më tej se ai i shfletuesit Chrome ose edhe i një sajti komercial si Amazon.com; sepse merr përsipër të zgjedhë paraprakisht për mua; duke ma uzurpuar, sado pjesërisht, agjencinë.

Në Facebook unë menaxhoj jo vetëm faqen e profilit, por edhe atë të revistës “Peizazhe të fjalës”; por shumicën e aktivitetit – klikimet, pëlqimet, komentet – i bëj te profili. Për këtë arsye, zgjedhjet që bën algoritmi për mua te profili janë më të “arsyeshme” se ato që bën te faqja e revistës; ku më nxjerr përpara gjithfarë budallallëqesh, ngaqë nuk ka informacion të mjaftueshëm për përdoruesin (klikuesin) specifik. Te feed-i i profilit kryesor më dalin shpesh foto dhe video kafshësh, nga macet e insektet tek ato më ekzotiket; sepse statuset për kafshët unë i shoh më shpesh, madje disa prej tyre i ndjek dhe ndalem atje më gjatë; por kjo nuk ndodh te feed-i në Facebook i Peizazheve, sepse si “Peizazhe” unë mjaftohem me rregullime të vogla, që kanë të bëjnë me statuset lajmëruese të shkrimeve.

Në çdo rast, algoritmi i Facebook-ut ka aq material për mua, sa të ketë krijuar një diçka si “avatar”, të bashkëlidhur me llogarinë time; dhe këtë “avatar” mund ta mendoj si kopje a simulakër të zbehtë të vetes sime dhe që merr “vendime” dhe “zgjedh” mes alternativave në bazë të zgjedhjeve që kam bërë unë në të kaluarën. Nëse unë kam ndenjur pak më gjatë se zakonisht te një problem shahu, duke u menduar për zgjidhjen, algoritmi do të më sjellë në të ardhmen probleme të tjera shahu; nëse unë lë komente te statusi i një miku (friend), algoritmi do të fillojë të m’i nxjerrë statuset e këtij në krye; e kështu me radhë. Softueri e përllogarit “të ardhmen” time si projeksion të vendimeve që kam marrë në të kaluarën.

Kjo nuk është se ndodh vetëm në mediat sociale. Përkundrazi, është karakteristikë e çdo agjencie që kërkon të anticipojë vendimet që do të merren nga një subjekt i caktuar. Për shembull, pasi dhuroj diçka për bamirësi, te një spital ose institucion tjetër i ngjashëm, këta do të më bombardojnë me letra dhe e-maile, për të më kërkuar që të dhuroj sërish. Pasi blej një kapelë plazhi në Amazon, do të më mbushet faqja hyrëse atje me sugjerime për kapela të tjera gjithfarësh. Kur ndjek një video nga një muzikant në YouTube, për të mësuar akordet e një kënge, faqja do të më rekomandojë video të tjera të ngjashme, nga muzikantë të tjerë. Edhe pse njeriu e mendon veten si subjekt me vullnet të lirë, të gjithë ata, të cilëve mbijetesa e suksesshme u varet nga aftësia për të parashikuar vendimet e të tretëve, nisen nga parimi se sjellja në të kaluarën është premisë e kënaqshme për të parashikuar sjelljen në të ardhmen.

Kam shkruar disa herë për dallimin mes një librarie reale dhe një dyqani librash “online”. Në të parën ti futesh dhe shëtit në korridoret mes rafteve dhe kullot sytë në titujt e librave që gjenden atje – ashtu mund të ndodhë që të zbulosh diçka për ty krejtësisht të re, që nuk e dije as që ekzistonte, por të tillë që mund të ta riformulojë jetën intelektuale. Unë ashtu kam zbuluar edhe Borges-in, edhe Stanislaw Lem-in, sa për të përmendur ndonjë emër; kur kisha hyrë në librari për të diçka tjetër. Ndonjëherë madje kam menduar se ajo ka qenë e vetmja mënyrë edhe që Borges-i dhe Lem-i, si agjenci minimale, të më zbulonin mua. Natyrisht, duke jetuar në Perëndim, dhe si student e më pas studiues i semiotikës letrare, këta do të më dilnin përpara herët a vonë; por a do të kishin pasur të njëjtin efekt tek unë?

Përkundrazi, kur futem sot në një dyqan librash online, si Amazon.com, dhe hap faqen informative për një libër të Borges-it, motori i kërkimit i sajtit do të më japë dy lloj sugjerimesh: vepra nga autorë të ngjashëm, si Cortazar ose Bioy Casares; dhe vepra pa lidhje me Borges-in, por të ngjashme me ato që unë kam blerë tek ai sajt më parë. Duke më këqyrur si klient, algoritmi i faqes i referohet “avatarit” primitiv që ka ndërtuar për mua, një automat që merr vendime të ngjashme me ato që ka marrë më parë. Nuk ka fare gjasa, përkundrazi, që të më rekomandojë një manual të drejtimit të varkës me vela, edhe pse – kushedi – ky lloj lundrimi mund të kish qenë çelësi i lumturisë sportive për mua që nuk e dija se po kërkoja. Ngaqë kam blerë me qindra libra në Amazon, që nga viti 1998 kur hapa llogarinë atje, “avatari” i bashkëlidhur llogarisë sime i njeh zakonet e mia blerëse më mirë se ç’i njoh unë vetë. E di që unë blej relativisht shpesh fantashkencë dhe herë pas here horror, por që nuk blej kurrë fantasy ose historical romance; prandaj edhe nuk m’i sugjeron. Jo vetëm pret që unë të përsërit vetveten, por edhe kërkon që të ma imponojë këtë me mjetet e veta – për shembull, duke më tunduar me zbritje për vepra dhe artikuj të ngjashëm me ato që kam blerë më parë.

E vetmja gjë që algoritmi zgjedh ta injorojë – sepse është tejet e vështirë për t’u marrë parasysh – është ndryshimi në agjencinë time; i cili shfaqet si një devijim nga lakorja e rregullsisë. Për atë algoritëm, dhe sa i përket vendimeve që pritet prej meje që të marr, unë jam produkt dhe projeksion i çfarë pata vendosur të bëj në të kaluarën. Dhe meqë blerjet e mia të librave online kanë nisur dikur në 1997 ose 1998, atëherë ai algoritëm – i Amazon-it – nuk e ka idenë që unë kam lexuar dhe i njoh mirë shumë autorë frëngj, rusë dhe anglezë, të shekullit XIX, nga Dickens-i te Stendhal-i dhe Turgenjevi dhe Hugo-i e Tolstoi e me radhë, por që nuk i kam blerë online.

U ndala më gjatë tek algoritmi i Amazon-it për blerje librash, sepse ky është relativisht i thjeshtë; por parimi i ndërtimit të avatarit, në bazë të sjelljes në të kaluarën, vlen edhe për mediat sociale, si Facebook-u. Dhe meqenëse në një media sociale algoritmi regjistron çdo veprim që unë bëj, çdo klikim, çdo pëlqim, çdo koment, çdo sekondë më tepër se minimumi që kaloj me një status a me një video, atëherë avatari që ai ka krijuar dhe ruan për mua është shumë më i pasur, se ai i një sajti blerjesh. Dhe jo vetëm kaq. Në atë masë që ky algoritëm niset nga një masë e madhe të dhënash për sjelljen time dhe e analizon këtë në mënyrë statistikore për të parashikuar se çfarë do të vendos që të bëj unë më pas, atëherë ai fillon t’i ngjajë, tipologjikisht, një LLM-je, si Claude ose ChatGPT. Atje ku LLM-ja arrin të prodhojë me porosi vargje (stringa) gjuhësore të pranueshme nga përdoruesit, duke zgjedhur mes probabiliteteve të okurrencave, algoritmi i medias sociale prodhon një model timin si përdorues, duke parashikuar veprimin tim pasues.

Që këtej mund të hipotezohet se algoritmi i rrjeteve sociale, si një formë e inteligjencës artificiale me modus operandi të krahasueshme me softuerin që luan shah ose me një LLM, e këqyr subjektin – individin – si tekst, ose më mirë si një rrëfim të gjithçkaje ai ka bërë në jetën e vet. Subjekti si narrativë nuk është ndonjë gjë tmerrësisht e re, po të mos ishte për çfarë mbetet jashtë: liria e zgjedhjes, il libero arbitrio, që për disa është manifestimi epror i unit të vetëdijshëm, por që nuk varet nga narrativa jetësore. Dikush mund të ketë rënë në lumë, kur ka qenë i vogël, dhe të ketë parë vdekjen me sy; por kjo nuk përcakton gjë që ky do t’i shmanget ujit në të ardhmen – mund të ndodhë edhe e kundërta, që ta kërkojë ujin, dhe të bëhet notar ose marinar; ose fundja edhe një serial killer, që t’i mbysë viktimat e veta në vaskën e banjës.

Në vështrim të parë, duket sikur kjo mangësi të modeleve stokastike (si LLM-të) mund të kompensohet disi duke futur në program një variabël randomizues. Ashtu, një feed në Facebook mund t’i tregojë reklama të mishit të gjahut edhe një përdoruesi që është frekuentues i çmendur i sajteve vegjetariane; ose t’i sugjerojë alpinizëm dikujt që ndjek faqet për paraplegjikë. Jo gjithnjë, por herë pas here, madje rrallë e tek, duke lejuar rrjedhjen – e kufizuar – të ngjarjeve me probabilitete të ulët. Por kjo nuk është e njëjta gjë, me evoluimin e subjektit në bazë të zgjedhjes së lirë; sa kohë që kjo e fundit nuk është efekt i rastësisë dhe as i gjërave që i ndodhin subjektit.

Me gjasë, avatarët e krijuar dhe të mirëmbajtur nga algoritmet e tanishme jo vetëm që nuk i afrohen dot shumë subjektit të vetëdijshëm, por edhe nuk munden që t’i afrohen. Le të marrim shembullin e një LLM-je të cilën përdoruesi e ushqen dhe e trajnon me tekstet e një shkrimtari – për shembull me të gjitha veprat në prozë që ka botuar deri më sot Stephen King – dhe pastaj i kërkon që të krijojë një tekst të ri, në bazë të trajnimit që ka marrë. Kjo vepër do t’i ngjajë në stil, në rrëfim dhe në ritëm prozës së King-ut, aq sa të “gënjejë” një numër jo të vogël lexuesish. Megjithatë, nuk do ta ketë atë extra që autori i shton çdo vepre të krijuar rishtas. Këtu mbase është vendi për të kujtuar edhe Pierre Ménard-in e Borges-it, i cili e kopjoi fjalë për fjalë Don Kishotin, për të krijuar një vepër tërësisht të re; por krahasimi do të na largonte disi nga tema. Po mjaftohem të them se një shkrimtar apo artist nuk mund të kopjojë besnikërisht veten edhe sikur të dojë, për shkak të kundër-efektit intertekstual; teksti a krijimi i ri do të krahasohet me të vjetrin për të gjetur jo vetëm ngjashmëritë, por edhe dallimet; dhe në këtë kontekst edhe identiteti material do të interpretohet si risi.

E megjithatë, sot e kësaj dite jo vetëm muzetë janë plot me vepra të rreme, por edhe në raftet e bibliotekave nuk mungojnë fabrikimet e gjithfarshme. Ka diçka, në thelbin e individit si konsumator të tekstit kulturor, që e nxit të ndjekë një rrugë të shkurtër dhe ta interpretojë përsëritjen si autenticitet, madje që ta përdorë si validim të artit, duke u sjellë si automat.

Gene Wolfe, shkrimtar i njohur i prozës fantashkencore soft, me elemente spekulative dhe filozofike, ka dy romane të vona, A Borrowed Man (2015) dhe Interlibrary Loan (2020) ku protagonisti është klon i një autori të vdekur, që e kalon jetën në raftet e bibliotekës, derisa dikush ka nevojë për të dhe e tërheq për ta “përdorur”. Në romanet nuk tregohet se me ç’mënyrë është programuar kloni i një autori; por me shumë gjasë tekstet e veprave të tij kanë luajtur rol qendror në proces. Gjithsesi, klientët e bibliotekës ku “jeton” protagonisti, e marrin këtë hua njëlloj siç do të merrnin dikur një libër.

Edhe më mirë i përshtatet argumentit të këtushëm romani Strange Bodies nga Marcel Theroux, i botuar në 2013 – gati një dekadë para se debati rreth marrëdhënies me LLM-ve dhe subjektit (identitetit) të dilte në qendër të skenës. Protagonistin e romanit, një Nicholas Slopen, filolog dhe ekspert i veprës dhe jetës së dr. Samuel Johnson-it (të shekullit XVIII), e thërrasin privatisht për autentifikuar një koleksion letrash, me gjasë të shkruara nga dr. Johnson-i. Slopen i analizon këto letra dhe konstaton se ato i përgjigjen në mënyrë të përsosur stilit dhe personalitetit autorial të Johnson-it, deri edhe në kaligrafi, por materialisht – për nga materiali dhe boja – nuk i përkasin shekullit XVIII, prandaj duhet të jenë të fabrikuara. Në fakt ato i ka shkruar një person i sëmurë rëndë, gjysmë-komatoz, që pronarët e letrave e mbajnë të fshehur në një bodrum. Me kohë, Slopen mëson se shkruesi i letrave është produkt i një teknologjie sekrete, të zhvilluar në Bashkimin Sovjetik dhe të njohur me emrin Procedura Malevin, e cila në thelb “dekodon” personalitetin e një autori duke studiuar gjithçka ky ka shkruar, dhe pastaj e “implanton” këtë personalitet te një trup i ri i vënë në dispozicion (“karkasë”). Personi që mbahej i mbyllur në bodrum ishte “ndërtuar” në bazë të teksteve historiografike të Johson-it. Ndërkohë vetë Slopen-i vdes në një aksident dhe miqtë e tij vendosin ta restaurojnë, duke ia koduar personalitetin në bazë të çfarë ka lënë të shkruar dhe pastaj t’ia implantojnë te një trup i ri, që e blejnë te një morg në Rusi. I kthyer në jetë, por me pamje fizike krejtësisht tjetër, Slopen-i kërkon të rivendosë lidhjet sociale që kish pasur para vdekjes, por pa sukses, teksa e vuan tmerrësisht shqitjen e pariparueshme mes mendjes së tij të krijuar rishtas dhe trupit që nuk mund ta njohë si të vetin (a strange body).

Edhe pse nuk shpjegohet mirë se në çfarë konsiston kjo procedurë Malevin, në vija të trasha bëhet fjalë për distilimin e një personaliteti specifik, në bazë të analizës statistikore të teksteve që ky ka shkruar; në bazë të premisës se njeriu është i përbërë nga fjalët. Edhe pse e ka trashëguar krejt “pasurinë” gjuhësore të Slopen-it origjinal, i riu nuk arrin të pajtojë kujtesën e enkoduar në gjuhë, qoftë kjo edhe në trajtën e monologut të brendshëm që përfton subjektin, me sinjalet që merr nga trupi i vet fizik, i cili deri dje i “përkiste” dikujt tjetër. Dy semanticienë, George Lakoff & Mark Johnson, me teorinë që kanë formuluar, mes të tjerash në veprën e tyre seminale Metaphors We Live By (1980), kanë treguar tashmë se sistemet metaforike mbi të cilat themelohet kuptimi e kanë origjinën në perceptimet tona trupore; prandaj romani Strange Bodies i Theroux-it ka të drejtë epistemologjike të pyesë – perceptimet e cilit trup?

Algoritmin e krijuar në bazë të analizës statistikore të teksteve – mbi të cilin e ndërton ligjërimin e vet çdo LLM – disa studiues të inteligjencës artificiale e kanë quajtur papagall stokastik (“stochastic parrot”); sepse, sipas këtyre studiuesve, sado në mënyrë të përsosur që të shprehet, LLM-ja nuk e kupton se çfarë po thotë, por thjesht parashikon fjalën pasuese me probabilitet më të lartë për t’u shfaqur, në bazë të rregullsive statistikore. Këtë mund ta ilustrojmë me një shembull nga një algoritëm shumë më i thjeshtë, që është ai i tekstit parashikues që na ndihmon kur shkruajmë në telefon a në kompjuter: kur shkruajmë “u vonova pak sot në mëngjes, sepse m’u desh të çoj fëmijën në” modeli parashikues mund të sugjerojë spital, shkollë, kampin veror e kështu me radhë; një LLM mund të trajnohet që të marrë parasysh edhe kontekstin, ose për çfarë është folur deri atëherë – nëse shkruesi ka thënë se e ka fëmijën të sëmurë, atëherë gjasat janë që të sugjerohet fjala spital. Gjithsesi, zgjedhjet leksikore kufizohen vetvetiu nga fjalë si u vonova, mëngjes, çoj, fëmijën, çfarë e bën të pagjasë që të zgjidhen fjalë si floktore, burg, metalurgji ose Romë; ndërkohë, algoritmi gramatikor imponon që pas parafjalës të vendoset një emër, jo një folje a një pasthirrmë.

Megjithatë, vetë metafora e papagallit stokastik krijon iluzionin se njeriu e kupton mirë funksionimin e mendjes së vet, përfshi edhe mënyrën si i prodhon thëniet. Kur një gazetar i pat vërejtur se “LLM-të nuk mendojnë realisht, thjesht parashikojnë fjalën vijuese”, Geoffrey Hinton, një nga krijuesit e AI-së gjenerative, iu përgjigj kështu: “po ti si e gjen fjalën vijuese?” (shembullin e kam gjetur këtu).

Vlera e romanit të Theroux-it për debatet e sotme lidhet ngushtë me supozimin – apo hipotezën – se personaliteti i dikujt është i kodifikuar në gjuhë; teksa tekstet e përftuara edhe nga LLM-të më të avancuara vazhdojnë të kritikohen si “pa jetë”, edhe kur i plotësojnë kushtet e nevojshme për t’u konfirmuar si të një stili autorial individual specifik.

Unë vetë besoj se gjurma që lë një subjekt autorial në tekst nuk kufizohet me intertekstualitetin, por edhe distancën e re (këtu më vjen në mendje termi gioco, që përdorin ndonjëherë mekanikët) që krijon çdo tekst, çdo paragraf, madje çdo fjali individuale, nga çfarë është thënë më parë; në kuptimin që subjekti i vetëdijshëm fshihet pikërisht në hapësirën midis çfarë përsëritet (produktit të rregullsisë) dhe çfarë shkon përtej (produktit të risisë).

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading