Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Filozofi

I KUJT ËSHTË CITATI?

Një aforizëm që më doli përpara sot më tërhoqi vëmendjen, sepse më ndihmoi për ta përmbledhur – me një fjali – diçka që e mendoja prej kohësh:

Every society honors its live conformists, and its dead troublemakers

(Në shqip: Çdo shoqëri nderon konformistët e vet të gjallë dhe rebelët e vet të vdekur)

Thënia i atribuohej teoricienit kanadez të mediave Marshall McLuhan.

Ngaqë më pëlqeu, menjëherë shkova te quoteivestigator.com për ta verifikuar – hap i detyrueshëm sot, kur e sheh njeriu veten të rrethuar nga fabrikime, gënjeshtra dhe sajime.

Natyrisht thënia s’kish të bënte me Marshallin e mediave – dhe them “natyrisht” jo pse këtij s’mund t’i kish shkuar në mendje, por ngaqë sot atribuimi online është, si rregull, i gënjeshtërt.

I përkiste, në fakt, një gazetareje dhe publicisteje amerikane, Mignon McLaughlin, i nxjerrë nga libri i saj The Neurotic’s Notebook.

Sipas sajtit që citova më lart, kjo ngatërresë mund të ketë ardhur ngaqë në disa libra citatesh dhe aforizmash thëniet prej këtyre autorëve – McLuhan dhe McLaughlin – i gjen afër njëra-tjetrës, për arsye si me thënë alfabetike.

Thënies i mbetet forca dhe bukuria, edhe kur nuk vjen nga McLuhan-i; nuk është se i referohet drejtpërdrejt teorive të këtij për mediat. Autorja e saj, Mignon McLaughlin, ishte për mua e panjohur, dhe u desh një keq-atribuim, që të bëhesha kurioz për veprën e saj.

Jam ndërkohë i bindur se për shumë lexues, edhe të këtyre rreshtave, McLuhan dhe McLaughlin nuk janë më tepër se dy vend-mbajtës (placeholders).

Kultura është e pasur në thënie dhe grimca urtësie që mbijetojnë të lidhura pas një autori të rremë; njerëzit që apasionohen pas citateve dhe aforizmave e paskan – me sa duket – më të lehtë që t’ia bashkëlidhin këto dikujt tjetër nga autori burim.

Aq më tepër kur, për lexuesin mesatar, marrëdhënia e autorësisë mes Mignon McLaughlin-it dhe aforizmit më lart nuk do të thotë gjë.

Veçanërisht Interneti është i pasur në thënie, aforizma dhe poema që tërheqin pas vetes autorin e gabuar. Ndonjëherë, si në rastin e Borges-it, emri i autorit të supozuar mëton t’ia shtojë fisnikërinë citatit, çfarë më tregon që edhe vetë sjellësi nuk ndien siguri.

Ashtu Borges-i vihet të flasë me zërin e Paulo Coelho-s, tamam siç ia kërkon masa nazike e lexuesve sentimentalë.

Por le të kthehemi te aforizmi në krye:

Every society honors its live conformists, and its dead troublemakers

Duke supozuar se këtë herë autorja është identifikuar drejt, si Mignon McLaughlin; një emër që për shumicën dërrmuese prej nesh nuk përfaqëson gjë.

Madje i tillë që të mos na lejojë as të marrim me mend nëse është i një burri a i një gruaje (unë vetë u ngatërrova).

Si do të reagonim, përballë informacionit se aforizmi vjen nga një pothuajse anonim anglo-sakson?

Thënia vetë nuk ka nevojë për emrin e autorit, që të na përcjellë urtësi, ose një të vërtetë ngushëlluese ose të pakëndshme.

Nuk i duhet një autoritet i jashtëm, për të na u imponuar si e denjë për vëmendje.

Por le të përfytyrojmë edhe një atribuim tjetër, këtë herë absurd, të llojit:

Every society honors its live conformists, and its dead troublemakers – Diego Armando Maradona.

Asnjë fjalë nuk ka ndryshuar; megjithatë, menjëherë do të fillojmë të justifikojmë, në mendje, pranëvënien: si ndodhi, që Maradona ta thoshte këtë gjë?

Dhe pastaj: a mund ta ketë thënë Maradona këtë?

Nëse nuk e vëmë në dyshim autenticitetin e burimit, do të fillojmë të rimendojmë gjithçka kemi ditur për futbollistin argjentinas dhe, dora-dorës, të krijojmë një model të ri personaliteti për të.

Si dikush që paska gjetur kohë, në jetën e vet, për reflektime të tilla.

Ashtu citati do të na flasë më pak për veten, dhe më shumë për autorin të cilit i atribuohet (gabim).

Mbase do të mendojmë edhe që Maradona vetë adhurohej si rebel dhe kontrovers sa ishte gjallë, edhe pse vetëm pas vdekjes i bëri të gjithë të bien dakord për shkëlqimin e tij si futbollist.

Një version tjetër eksperimental:

Every society honors its live conformists, and its dead troublemakers – Deng Xiaoping.

Ata nga ne që dinë diçka për këtë kinez të shquar, do të fillojnë të identifikojnë lidhjet – e arsyeshme – mes përmbajtjes së citatit dhe historisë politike të Deng-ut, si burrë shteti, pastaj si gjysmë i internuar në një fabrikë traktorësh, dhe më pas udhëheqësi që modernizoi ekonominë dhe shtetin kinez.

Do të mjaftojë, në këtë rast, emri i autorit për ta ngjyrosur me një dritë të veçantë mendimin që përcjell aforizmin, duke e vendosur në skenën e teatrit politik kinez të shekullit XX.

Do të mendojmë se, kur është shprehur kështu, Deng-u është bazuar në përvojën e vet të kacafytjes, shpesh gjakësore, me rivalët; në intrigat që qarkullonin në oborrin grotesk të Maos; në konformizmin që diktonte veprimin politik në një shoqëri totalitare, si ajo e Kinës Popullore në gjysmën e dytë të shekullit XX, ku çdo rebel detyrohej t’ia gdhendte vetes gurin e varrit.

Ka pastaj edhe një mundësi të tretë interpretimi – që, pasi të njihemi me tekstin, autoren Mignon McLaughlin të fillojmë ta mbajmë mend vetëm falë atij citati. A nuk ka mbetur vallë emri i poetes Emma Lazarus i gdhendur në kulturën kolektive të Amerikës, falë sonetit të gdhendur te Statuja e Lirisë, në New York:

[…] Give me your tired, your poor,
Your huddled masses yearning to breathe free,
The wretched refuse of your teeming shore […]

Mundësia e tretë e identifikon autorin – të mishëruar te një emër i përveçëm dhe ndoshta një grusht të dhënash biografike – me gjërat që ka thënë e shkruar; pra, me subjektin e ligjërimit të tij total. Ashtu edhe një aforizëm i atribuuar do të shërbente si shtegu drejt mbushjes së një subjekti (kulturor) me përmbajtje.

Përsiatjet më lart më kujtojnë – nëse më falet një notë personale – edhe një bashkëstudent timin, tip i vetmuar dhe melankolik, që e kalonte ditën duke gërvishtur vargje me laps, në një bllok shënimesh të rrjepur. Dhe kur e pyesnin: “A ke shpresë që ndonjë gjë nga këto që shkruan të botohet një ditë, o njeri?” përgjigjej: “Sikur vetëm një vjershë të më botohej dikur në një antologji!”

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading