Biblioteka e Faik Konicës (BFK) është ndër vlerat e çmuara të trashëgimisë kombëtare që ende konsiderohet e humbur. Në vitin 2016 u zbulua një sasi e konsiderueshme librash, të cilët iu besuan me 16 nëntor 2016 Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (BKSH). Ndryshe nga biblioteka të tjera të pasura private të personaliteteve shqiptare, që për arsye të ndryshme kanë humbur, biblioteka e Faik Konicës paraqet vlerë të veçantë edhe për faktin se është ndërtuar dhe pasuruar jashtë kufinjve të Shqipërisë.
1.Përbërja – Nga të dhënat e deritanishme mund të themi se BFK ishte ndër bibliotekat më të pasura private të ndonjë personaliteti shqiptar brenda dhe jashtë shtetit. Ajo, madje mbahej si një ndër më të çmuarat edhe nga personalitete amerikane që e njihnin Konicën personalisht, dhe që e kishin vizituar atë.[1]
Konica mbahej si bibliofil i mirëfilltë, që e dashuronte librin. Ai u miqësua me librin qysh në moshë të njomë, dhe filloi ta ndërtojë bibliotekën kur ishte me studime në Francë dhe mandej si botues dhe redaktor përgjegjës i revistës “Albania” në Belgjikë e Angli.
Ecejaket nëpër botë, Lufta Botërore, ngulja përfundimtare në Amerikë, duhet ta kenë vështirësuar përpjekjen e Konicës për ruajtjen, pasurimin dhe bartjen e bibliotekës së tij. Megjithatë, pikërisht këto itinerare të pashtershme, ku ai e zgjeroi më tej rrethin e dijes, njohurive dhe të njohurve, si dhe interesat e tij të larmishme, e shtojnë edhe më shumë vlerën e librave, që u bënë shoqëruesit e shokët më të mirë të tij deri në fund të jetës.
Përbërja lëndore e BFK-së përfshin libra në gjuhë të ndryshme, në fushën e letërsisë, historisë, gjuhësisë, filozofisë, diplomacisë, jurisprudencës etj. Librat janë shumë të çmuar. Si shembull përmendim se, në pjesën e gjetur më 2016 është edhe një libër i autorit arbëror Nikollë Leonik Tomeu, i vitit 1532.
Sa i takon përbërjes sasiore të BFK-së, të dhënat janë deri diku të papajtueshme. Peter Tyko dhe Vasil Pani ishin përfaqësues të Vatrës që numëruan të parët librat e BFK-së në Uashington pas vdekjes së Konicës në fund të vitit 1942. Ata patën deklaruar se sasia ishte përmbi 3000 blenj.[2] Pas sjelljes së tyre nga kryeqyteti amerikan dhe vendosjes në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston në vitin 1954, numri i raportuar në Dielli jepet si 1929 libra.[3] Deri në momentin e sotëm, shtator 2026, janë gjetur 280 libra të Bibliotekës së Konicës. Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë i janë kthyer 279. Mbeten ende pa u gjetur edhe 1649 libra të tjerë…
2. Çështja e lënies trashëgim tek BKSH-ja – Dëshira e Konicës që biblioteka e tij e pasur t’i besohej pas vdekjes BKSH-së është e vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të pakontestueshme. Kjo provohet nga dëshmitë e Charlotte Graham, sekretare e Konicës deri kur ai vdiq,[4] dhe u konformua më tej nga Fan S. Noli. Për ruajtjen e saj dhe përmbushjen e dëshirës së Konicës kontribuan dhjetra antarë të Vatrës nga e gjithë Amerika. Emrat e këtyre burrave të shndritshëm u botuan në një numër të posaçëm të Diellit në vitin 1943.[5] Kontribut të veçantë dha “shoku i armëve”, Fan S. Noli.
Për arsye objektive – mungesa e marrëdhënieve diplomatike SHBA – Shqipëri – amaneti i Konicës mbeti i panjëmendësuar për një kohë shumë të gjatë. Pesha e pamëshirshme e kohës, ndryshimi i brezave brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe faktorë të tjerë sollën si pasojë humbjen e gjurmëve të kësaj pasurie me vlera të jashtëzakonshme. Gjetjet e vitit 2016, dhe aktet përkatëse të kthimit dhe besimit të librave tek BKSH konfirmojnë më tej amanetin e Konicës dhe mishërojnë realizimin praktik të tij.
3. Si dhe ku u gjet pjesa e njohur e BFK-së: Hollësirat për gjetjet historike të BFK-së jepen në librin “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati”.[6] Këtu mund të përmbledhim si më poshtë:
- Libri i parë: Storia e Letteratura del Popolo Albanese, nga Gaetano Petrotta – u gjend në zyrat dhe bibliotekën e Vatrës në NYC në vitin 2004;
- Tre libra të tjerë u gjendën tek sendet e Sarah Panarity-t në rrethet e Bostonit në vitin 2006;
- 272 libra të tjerë u gjetën në pranverën e vitit 2016, të ruajtura me përkushtim nën kujdestarinë e familjes së ish-Kryetarit të Vatrës dhe udhëheqësit legjendar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Andon Athanas;
- Sikurse përmendëm, nga 1929 libra të ruajtur fillimisht në Kishën e Shën Gjergjit në mesin e viteve 1950 sot janë gjetur gjithsejt 280 blenj.[7] Përveç librit të fundit, të gjetur në zyrat e Vatrës me 11 shkurt 2017 me rastin e aktivitetit për 100 vjetorin e Musine Kokalatrit, të gjithë librat e gjetur deri tani tashmë janë kthyer në BKSH, duke vënë në jetë amanetin e Faik Konicës.
Dëshmi interesante na jep Ardian Klosi, i cili vizitoi Bostonin në nëntor-dhjetor 1992 me bursë nga IREX. Ardiani shkruan se ai gjeti një dosje të vjetër të Faik Konicës “në një papafingo magazine”, pa na e sqaruar më tej vendin.[8]
4. Ku mund të ndodhet pjesa tjetër e BFK-së, e përbërë prej 1649 librash?: Nga gjetjet e deritanishme mund të arrihet në përfundimin se BFK ka qenë në masë dërrmuese në rrethet e Bostonit deri të paktën mesin e viteve 1990. Po ashtu, me probabilitet të lartë mund të konkludohet që librat të kenë qenë në ruajtje, përdorim apo administrim të këtyre tre palëve:
-
- Kisha e Shën Gjergjit – kjo vërtetohet nga fakti që librat u vendosën fillimisht në mjediset e kësaj kishe kur u tranportuan nga Uashingtoni, si dhe nga fakti tjetër që, pikërisht në Kishën e Shën Gjergjit u ndodh edhe shtampa e famshme EX LIBRIS F.K, me të cilën Konica përgatiste etiketat që i ngjiste në kapakun e brendshëm të librave[9];
- Qerim Panariti – kjo vërtetohet nga gjetja e tre librave të Konicës në sendet e fundit të Sarah Panaritit, të shoqes së Qerimit, libra që iu kthyen BKSH-së më 13 janar 2016;
- Familja e Andon Athanasit – Kjo konfirmohet nga libri i parë dhe i fundit, të gjetur në zyrat e Vatrës në Nju Jork përkatësisht më 2004 dhe 2017, që ishin pjesë e materialeve dhe arkivave të ruajtura prej shumë vitesh në magazinat e Athanasit në rrethet e Bostonit. Kjo vërtetohet më tej, madje katërcipërisht, nga fakti se gjetja e fundit e rëndësishme e BFK-së prej 272 librash është nga Paul Athanas, djali i katërt i Andon Athanasit.
5. Libri më i fundit, i identifikuar, por ende i pakthyer:
Më 11 shkurt 2017 u zhvillua tek selia e Vatrës në Bronx, NY, një seminar për 100 vjetorin e Musine Kokalarit. Në mbyllje i nënshkruari gjeti kohë për të bubërruar në raftet e bibliotekës së Vatrës, në bodrumin e ndërtesës.
Ishte pikërisht tek ajo zyrë ku më 1 maj 2004 pata gjetur librin e partë nga Biblioteka e humbur e Faik Konicës. Ky ishte Popolo Lingua e Letteratura Albanese” 2a Tiratura con aggiunte e correzioni, me autor Prof. Papas Gaetano Petrotta, Palermo 1932. Libri ishte sjellë në New York rreth vitit 1996 nga magazinat e Andon Athanasit në Masaçusets, bashkë me një tufë materialesh dhe librash të tjerë të Vatrës Libri kishte shtampën e famshme Ex Libris, si dhe një përkushtim nga autori: “Shkëlqesis s’Tij, Z. Faik Konitza, në shenj nderimi, Prof. Papas Gaetano Petrotta, 28/6/32”.
Menjëherë e mora në dorë dhe iu drejtova Kryetarit të atëhershëm të Vatrës, Z. Agim Karagjozi. “Z. Agim, ky libër është i bibliotekës së Konicës, i cili ia la trashëgim Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. A më jepni leje ta marr unë dhe t’ua kthej atyre?”
“Pa tjetër”, më përgjigjet ai, “veç më lësho një deklarim që more librin në dorëzim”.
Trembëdhjetë vjet më vonë, më 11 shkurt 2017, po aty gjej një libër tjetër, që ishte pa dyshim i Faikut.
Libri titullohej Saga of Coffee, the Biography of an Economic Product, by Heinrich Eduard Jacob, përkthyer në anglisht nga Eden dhe Cesar Paul, dhe botuar nga George Allen & Unwin Ltd, 1932.
Tre ishin elementët që na bënë ta përcaktojmë si libër të Faikut.
Së pari, shtampa EX LIBRIS nuk ishte ngjitur. Mirëpo jo të gjithë librat e Faikujt e kanë të ngjitur shtampën.
Së dyti, element tjetër i pakontestueshëm janë fletë-shoqërueset e librarisë botuese në Angli. Librat e Faikut përmbanin shpesh fletë palosjet apo fletë shoqëruese me informacion për librarinë apo shtëpinë botuese. Edhe ky ishte rast i tillë.
Së treti, Konica ishte edhe autor një eséje të shkurtër e të shkëlqyer, në anglisht, për kafenë alla-turka, çka përforcon argumentin e interesit të tij si bibliofil. Po ashtu, Faiku ishte terjaqi i kafesë. Janë të njohura fotot e një fotografi amerikan në apartamentin zyrë të Faikut në Mayflower Hotel duke bërë kafenë alla turka. E kush tjetër ndër rrethet shqiptare të kohës, përveç Konicës, mund të blinte dhe lexonte libër të tillë?
Së fundi, libri është pjesë e kontingjentit të sjellë nga magazinat e Andon Athanasit. Pra, kjo përmbushte kriterin e provenance-s.
Menjëherë i thashë Dalip Grecës, atëbotë K/redaktor i Diellit dhe përgjegës për bibliotekën e Vatrës. Z. Greca më premtoi se do t’ia kthente BKSH-së librin e Konicës në rastin më të parë.
Kaluan 5 vjet. Për arsye të ndryshme kthimi nuk u njëmendësua. Në maj 2022 z. Greca ndërroi jetë në Nju Jork.
Në maj 2026 i bëj me dije sa më sipër z. Pashko Camajt, Sekretar i Vatrës, i cili më siguroi se do ta ndiqte me përparësi këtë çështje.
- Përfundime:
Së pari, pjesën e gjetur deri tani përbën rreth 15% të Bibliotekës së Konicës siç shpallet në Dielli në v. 1954, kur ajo ruhej në Kishën e Shën Gjergjit në S. Boston.
Së dyti, deri tani janë në gjuhën shqipe vetëm 3 libra. Duke supozuar me njëfarë sigurie se Konica do të ketë pasur një numër të konsiderueshëm librash të çmuar në shqip, mungesa e tyre nënkupton një trajtim deri diku sistematik të pjesës ende të pagjetur.
Së treti, të dhënat e tërthorta se një sasi librash nga Biblioteka e Konicës mund t’i janë dhuruar bibliotekave të Universitetit të Çikagos dhe të Universitetit të Harvardit nuk janë konfirmuar, dhe nuk vlejnë të ndiqen si shtigje hulumtimi.
Së fundmi, duke analizuar rrethanat e adresës së fundit të librave të gjetur, mund të konkludohet se edhe pjesa tjetër, ende e humbur, e BFK-së, nuk mund të ndodhet larg vendit e mjedisit të lidhur me aktorët e mësipërm, pra duhet të gjendet në rrethet e Bostonit.
Në bashkëpunim me Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, qeveria shqiptare mundësoi në vitin 1995 kthimin në atdhe të eshtrave të Faik Konicës. Dy dekada më vonë, bashkëpunimi midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve të shtetit shqiptare ndihmoi në gjurmimin e kthimin në atdhe të një pjese të bibliotekës së humbur të Faik Konicës, duke nderuar edhe kujtimin e Fan S. Nolit si dhe kontributin e dhjetra antarëve të Vatrës, që dhanë kursimet e tyre për ruajtjen dhe shpëtimin e BFK-së.
Le të shpresojmë se, ashtu sikurse eshtrat e Faikut të madh u kthyen të plota në atdhe, edhe biblioteka e tij të mos mbetet e gjymtuar, por të gjurmohet dhe kthehet një ditë e plotë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, duke përmbushur më në fund amanetin, ende të patretur, të këtij rilindësi të shquar të kombit dhe shtetit shqiptar.
(c) 2026 Agron Alibali, LL.M. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] …Father Cartwright, of the Immaculate Conception Church in Washington, who was a great friend of Mr. Konitza, knows something of the value of the library…” Charlotte Graham, [Faik Konitza, Selected Correspondence, Ed. B. Destani,, London, p. 139.
[2] Peter Tyko, Libraria e Faik Konitzës, Dielli, 1943.
[3] “Librat e F. Konicës. Librat e të ndjerit Faik Konica, rreth 1929 blej të fushave të ndryshme, u vunë në kuti metalike dhe ruhen në Katedralen e Shën Gjergjit”. Dielli, vëll. 45, nr. 49, Boston, MA, 19 January 1955, 45th Year, Front Page.
[4] “…many times Mr. Konitza told me that he wanted [the books] to be part of the Albanian National Library…” Charlotte Graham, Letter by C.G. to the Swiss Embassy, December 19, 1942 – Naçi Collection, SSEES, UCL
[5] Dielli, Numër i Posaçëm, Nr. 5571, Boston, Mass, June 19, 1943, Vol. XXXVI, 36th Year, tashmë është në koleksionin e BKSH-sê
[6] Agron Alibali, “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Argeta, Tiranë, 2016.
[7] Tre libra të tjerë u identifikuan në bibliotekën personale të të nënshkruarit në qershor 2017, të dhuruar në gjallje nga z. Athanas. Kurse libri i fundit, nr 280, u gjend në zyrën e Vatrës me 11 shkurt 2017 dhe titullohet The Saga of Coffee, the Biography of an Economic Product, by Heinrich Eduard Jacob, London, George Allen & Unwin, Ltd, 1935.
[8] “Quo Vadis Shqipëri”, Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi. Botimet Albania, 1993, Tiranë, Munih.
[9] Shtampa EX LIBRIS F.K prej aliazhi metalik iu kthye BKSH-së në shtator 2016.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.