Shkruan Çabej, në vëllimin hyrës të Studimeve Etimologjike (I):
“Ka disa fjalë, trajta fjalësh dhe mënyra të thëni me një përhapje territoriale të kufizuar, të cilat meritojnë vëmendjen e veçantë të historianit të gjuhës, meqë na dalin në dy zgripet më të largëta të trevës gjuhësore të shqipes, në gegërishten veriore e në toskërishten jugore”[1]
Lidhur me këtë konstatim, J. Thomai vëren sa më poshtë[2]:
Ato që dalin në dy zgripet më të largëta të trevës gjuhësore të shqipes, duket, kanë qenë të mbarë gjuhës e janë bërë dialektore nëpërmjet rrudhjes së truallit gjuhësor të përdorimit të tyre. Edhe pse gjenden në të folme të të dy dialekteve dhe dikur do të kenë qenë të mbarë gjuhës, në gjendjen e sotme janë kthyer në dialektore. Dëshmimi te këto të folme, tek autorët më të vjetër dhe te ngulimet shqiptare jashtë vendit (Itali, Greqi) është tregues i një shtrirjeje të dikurshme më të madhe, në territor dhe në gjuhë, por nuk duhet marrë si kriter absolut për të thënë se kanë qenë të mbarë shqipes.
Tani, për të kuptuar më mirë se çfarë ka parasysh Çabej, kur konstaton praninë e këtyre fjalëve që “dalin në dy zgripet më të largëta të trevës gjuhësore të shqipes”, le të kujtojmë se ai studiues procedonte shpesh me kriteret dhe metodat e gjeografisë gjuhësore (neolinguistikës, të Matteo Bartoli-t), sipas të cilave (1) në zonat e izoluara gjenden forma gjuhësore të mëhershme (më arkaike) dhe (2) në zonat anësore ruhet një fazë gjuhësore më e lashtë, se ajo që gjendet në zonat e ndërmjetme. Sipas kësaj skeme, ngjashmëritë – edhe në leksik – të toskërishtes së skajit jugor të shqipes me gegërishten e skajit verior i detyrohen konservacionit, karakteristik për zonat laterale (anësore, periferike) të shtrirjes së një gjuhe, zona në të cilat janë “ruajtur” forma që gjetiu kanë inovuar.
Te studimi i hershëm Për gjenezën e literaturës shqipe, pasi përmend disa ngjashmëri mes Veriut dhe Jugut të trojeve shqiptare, Çabej shkruan (theksimi im):
Këto përkime (konkordanca) midis Veriut e Jugut mund t’i spiegonim pjesërisht me shtegtime të fiseve gege në Jugë… Këtij faktori i duhet shtuar dhe një element konservues i vëndit vetë, i pamvarur nga shtegtimet: Thelbi i thjeshtë i shqiptarizmit të moçëm, i cili në Shqipërinë e mesme pjesërisht u zhduk, në malet anësore të Veriut e të Jugut i mbeti besnik vetvetes…
Ky shpjegim ndjek – hap pas hapi dhe besnikërisht – modelin neolinguistik të variacioneve dialektore, me qendrën si vend të risive gjuhësore dhe periferitë si zona konservacioni.
Por ky nuk është shpjegimi i vetëm i mundshëm i përkimeve mes skajeve të shtrirjes gjeografike të shqipes. Mund të formulohen edhe të paktën dy hipoteza të tjera, të ndryshme. Mund të ketë ndodhur, për shembull, që në një periudhë më të vjetër të shqipes, gegërishtja dhe toskërishtja jugore (labërishtja, çamërishtja) të kenë qenë më shumë në kontakt mes tyre.
Duke krahasuar llojet e të kënduarit popullor në Toskëri, i njëjti Çabej dikur pat shkruar:
Është interesant që kënga e Çamëvet të fundit jugor të Shqipërisë u përngjajnë (sic) këngëve të Toskëve [në kuptimin e ngushtë të termit, duke pasur parasysh me toskë ata që jetojnë në anën e djathtë të Vjosës, A.V.]… Kësaj konkordance duket t’i kundërshtojë fakti që Toskë e Çamër sot nuk banojnë më në një afërsi kontakti me njeri-tjetrin. Po ky kundërshtim zhduket historikisht, sepse në një periodë të caktuar të historisë shqiptare fiset labe duket të jenë futur si një pykë në midis dhe të kenë ndarë kështu një njësi të hershme më dysh.
Në këtë rast, fiset labe mund të kenë sjellë me vete edhe disa tipare dialektore që i detyroheshin afërsisë së tyre gjeografike më të madhe, me gegët, në një të kaluar përndryshe për ne të pasqaruar.
Një hipotezë e dytë mund të jetë ajo e një imigrimi, të pjesshëm, nga veriu drejt jugut, me folës të gegërishtes veriore që kanë zbritur dhe janë vendosur në trojet e toskërishtes jugore; ka dëshmi onomastike, për shembull në malësinë e Vlorës e të Kurveleshit dhe në zonën e Bregut, që e mbështetin këtë hipotezë (shih për këtë parashtresat e mia Nga veriu në jug (I) dhe Nga veriu në jug (II)). Ky emigrim hipotetik, nëse ka ndodhur vërtet, mund të integrohet në emigrimin tjetër, më masiv, që çoi arbërorët në Greqi gjatë shekujve XIII-XIV dhe me ndonjë emigrim tjetër për shkak përndjekjesh fetare.
Për t’u shënuar se analizat gjenetike nuk duket të kenë gjetur përkime specifike të rëndësishme mes kësaj popullsie dhe asaj të Veriut të Shqipërisë. Kjo mund të interpretohet kështu (me kusht që të ketë pasur zbritje): ose të zbriturit kanë qenë fare të paktë në numër dhe nuk kanë lënë gjurmë në pellgun gjenetik të zonës; ose – dhe kjo më duket me rëndësi – të zbriturit e dikurshëm nga Veriu nuk kanë sjellë me vete ato karakteristika gjenetike të cilat sot i gjen në popullsitë e Veriut. Pra, jo vetëm ka pasur një infiltrim të Kurveleshit dhe të zonave të afërta nga Veriu, por edhe të infiltruarit kanë qenë gjenetikisht të ndryshëm nga Veriorët sot, pavarësisht se mund të ndajnë me ta karakteristika të tilla si strukturat onomastike.
Të dhënat onomastike nga Kurveleshi (dhe Labëria dhe, pjesërisht edhe Bregu i detit) janë të vështira për t’u shpjeguar – sepse nga njëra anë kemi emra vendesh dhe njerëzish (patronime, mbiemra) që ndjekin modelet e popullsive gege katolike të Veriut, nga ana tjetër mungojnë të dhënat dokumentare për zbritje fisesh dhe bashkësish nga Veriu në Jug, të tilla që të kenë lënë gjurmë kaq të ndjeshme në onomastikën lokale. Në periudhën kur hipotezohet zbritja e popullsive nga Veriu (shekujt XIV-XV) hinterlandi i Bregut sikurse vetë Bregu i përkisnin patrikanës së Ohrit, por me interferenca të forta nga Roma katolike (përfshi këtu edhe Himarën). Në Labëri dhe në Kurvelesh ka shumë rrënoja kishash dhe dëshmi onomastike për shumë të tjera, por këto nuk më rezulton të jenë studiuar mirë. Për fat të keq, për malësitë e Shqipërisë së Jugut ka munguar interesi kulturor dhe historik përndryshe aq i gjallë për malësitë e Shqipërisë së Veriut – ky i fundit, i ushqyer fort nga interesat politike austro-hungareze dhe e ashtuquajtura “albanologji gjermane” e kohës, por edhe nga priftërinjtë katolikë në Veri.
Për ta përmbledhur: afritë leksikore mes dy skajeve të arealit të shqipes mund të jenë vërtet dëshmi e një periudhe të hershme, kur dialektet e shqipes nuk dallonin mes tyre aq sa sot, por mund t’u detyrohen edhe imigrimeve të brendshme, të cilat e kanë trazuar evoluimin e rregullt të gjuhës shqipe në gjeografi.
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
[1] E. Çabej, Studime Etimologjike në fushë të shqipes (SE), 1, f. 49. Po e citoj nga një burim i ndërmjetëm, sepse nuk e kam librin në dorë këto ditë.
[2] Te J. Thomai, Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme, Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 2022, f. 29.