Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion / Udhëtime

TOKË E NDALUAR, TOKË E PREMTUAR (i)

– përfytyrimet e munduara të shqiptarit për botën.
(pjesa I)

Dy-tri herë në vit, Zana – një e afërmja ime në Tiranë – ndërmerr një udhëtim për në Itali, zakonisht në Napoli ose në Romë, me një furgon të vogël, të cilin e mbush me veshmbathje të përdorura ose të zhvlerësuara që i blen me shumicë në tregjet e specializuara të këtyre metropoleve të vendit fqinjë. Mallin që ka blerë e sjell pastaj në Shqipëri dhe fillon ta shesë, te një dyqan i vogël në një rrugë qendrore – të cilin ia kam parë gjithnjë të mbushur me klientë.

Tregjet ku shiten mallra të tilla, në Tiranë, njihen me emrin GABI: askush nuk e di se nga vjen kjo fjalë, që ndoshta ka të bëjë me gabel, term përçmues që përdorin për romët. E vërteta është se shumë romë i sheh të merren me këtë lloj tregtie, që nuk është pa fitim. Gjërat që sjell Zana nga Italia tërheqin vëmendjen e lloj-lloj kalimtarëve – përfshi edhe turistët e vizitorët italianë, që tani i gjen kudo në kryeqytet. Çmimet e lira i lejojnë edhe njerëzit me të ardhura të pakta të shijojnë rroba, këpucë e sandale të cilësisë, markave dhe modeleve që ndryshe nuk do t’i kishin përballuar dot.

Shqipja ka një fjalë idiomatike për llojin e mallit që shitet te GABI – e quan plaçkë. Përveçse emër gjenerik për çdo send dhe orendi që dikush ka në shtëpi ose merr me vete kur udhëton, plaçkë është edhe veshmbathja që një tregtar ka në magazinë ose që transporton poshtë e lart, duke shënjuar kështu pasurinë materiale të dikujt dhe duke iu afruar kuptimit të pasurisë së tundshme. Njëherazi, plaçkë shënjon edhe gjithçka që i merret dikujt me dhunë, përfshi edhe armët dhe sendet e tjera që i kapen armikut në luftë: në anglishte kjo do të ishte loot, në spanjishte botín, despojo, presa; khs edhe foljen plaçkit (angl. to loot). Që e njëjta fjalë, në shqipe, përdoret për të shënjuar edhe pasurinë, edhe diçka që i kapet a i rrëmbehet një armiku a një viktime, fton për reflektim; të paktën, mund të shohësh atje sugjerimin se pasuria që rrëmbehet me dhunë a dredhi, mund të hyjë në punë edhe për të filluar një aktivitet tregtar.[1]

Gjatë viteve të regjimit totalitar në Shqipëri, tregu i brendshëm në vend erdhi duke u varfëruar dhe dyqanet duke u zbrazur nga malli; aq sa vetë varfëria, si gjendje ekonomike e një personi a një familjeje, të perceptohej si mungesë e mallrave a e sendeve të ndryshme, jo e parave. Ngaqë në treg nuk gjeje dot asgjë, dhe ngaqë industria e lehtë tashmë në krizë nuk prodhonte veç pak artikuj të zbërdhylur që nuk i donte askush, të gjithë ata që kishin fatin të udhëtonin jashtë, zakonisht për punë ose me shërbim, i përdornin edhe qindarkat e fundit të dietave për të blerë sende të ndryshme, që do t’ua jepnin të afërmve të tyre në Tiranë – nga jeanset te çakmakët e stilolapsat, nga rrobat e banjës te sandalet e sapunët e tualetit. Kush kish më shumë mundësi, dhe kush guxonte të merrte me vete valutë ose florinj – duke shkelur ligjin dhe duke rrezikuar arrestimin në kufi – mund të sillte “nga jashtë” edhe pajisje të rënda elektroshtëpiake, si televizor me ngjyra, magnetofon ose impiant hi-fi, ose një motoçikletë.

Të gjitha këto sende, që hynin në Shqipëri nga bota dhe që lakmoheshin nga të gjithë, njiheshin si plaçkë – dhe shënjonin edhe statusin e lartë të kujt i kish sjellë dhe të kujt po i shijonte. Për të sjellë sa më shumë plaçkë nga qëndrimet e tyre “jashtë”, shqiptarët – përfshi këtu studentët dhe specializantët, por edhe sportistët dhe artistët, dhe më në fund personelin e ambasadave – vizitonin rregullisht tregjet e rrobave të përdorura në periferitë e metropoleve (të njohura edhe si pleshti, frëngjisht les puces), që u ngjanin panaireve gjigante të plaçkës, dhe ku mund të gjeje gjithçka lirë, nga mallrat firmato te rrobat dhe sendet e vjedhura. Një arsye për joshjen pas këtyre hapësirave të tregut, ishte edhe mungesa e valutës: leku, ose monedha shqiptare e atyre viteve, nuk kish asnjë vlerë jashtë kufijve të vendit dhe as mund të këmbehej gjëkundi në bankë, kundrejt dollarëve ose monedhave të tjera.

Që në vitet 1980 filloi të merrte kështu formë një lloj ideje, sado e mjegullt, se midis dëshirës së panginjur të shqiptarit për plaçkë dhe bollëkut të tregut në shoqërinë e konsumit, kudo në Evropë, kish një zonë të ndërmjetme, një zonë gri, ku dallimi mes mallit dhe mbeturinave, plehrave dhe mbetjeve të tjera, vinte dhe e humbte kuptimin; dhe ku nevojat materiale të individit në Shqipëri mund të përmbusheshin lirisht me artikuj dhe sende, të cilat e kishin mbyllur ciklin e dobisë gjetiu. Çfarë ishte hedhurinë (junk) për ata andej, do të vlente akoma si plaçkë për ne këtej, dhe ato pak kanale komunikimi mes Shqipërisë dhe botës do të shërbenin edhe për të transportuar, drejt Shqipërisë, gjëra që, në thelb, tregut dhe konsumatorit në Perëndim nuk i duheshin më.

Sa më shumë kontakt që kishte, mes shqiptarëve dhe Perëndimit në vitet 1980, aq më shumë shtohej numri i të gjithë atyre që botës – Europës, Perëndimit – ia lakmonin pasurinë dhe mirëqenien, por jo vetëm në trajtën e plaçkës që vinte që andej. Breza të tërë ishin rritur, në Shqipëri, me dëshirën për botë – një dëshirë që nuk e realizonin dot, sepse regjimi totalitar i mbante kufijtë të mbyllur dhe nuk lejonte askënd që t’i kapërcente pa autorizim zyrtar; dhe aq më pak që të emigronte. Kjo mbyllje totale, ky qarkim i territorit me gardh dhe tela me gjemba dhe ushtarë të armatosur, ky amputim i vijueshmërisë gjeografike mes Shqipërisë dhe vendeve me të cilat shqiptarët kishin komunikuar dikur lirisht, si Italia, Greqia, Turqia, Austria, Franca, Gjermania dhe të tjera, po kombinohej tani me frustrimin prej varfërisë dhe mungesave në treg, për të krijuar një mishelë eksplozive. Njerëzit donin të dilnin nga territori ku i mbante shteti forcërisht të mbyllur, dhe këtë dalje po e perceptonin si liri.

Në verën e vitit 1990 me mijëra qytetarë shqiptarë mësynë oborret e ambasadave në Tiranë, për të kërkuar të largoheshin nga vendi. Kjo lloj proteste nuk kish ndodhur ndonjëherë: kryeqyteti natën buçiste nga thirrjet LIRI DEMOKRACI, të atyre që kishin hyrë tashmë në oborret, teksa diplomacia ish vënë në punë, për t’i gjetur një zgjidhje krizës. Pas pak ditësh, regjimi i Ramiz Alisë u tërhoq, i pajisi rebelët me pasaporta dhe lejoi largimin e tyre nga vendi. Atë natë Tirana e mban mend për korteun e autobusëve, që i çuan refugjatët në portin e Durrësit, ku i prisnin tragetet, për t’i çuar përtej detit, drejt lirisë dhe demokracisë. Kjo ngjarje do të shënjonte edhe fillimin e rrëzimit të regjimit totalitar në Shqipëri – edhe pse për këtë do të duheshin edhe disa muaj.

I poshtëruar nga çfarë kish ndodhur, regjimi organizoi menjëherë një miting të madh, në qendër të Tiranës, ku u dënuan të gjithë ata që kishin zgjedhur largimin. Ish një miting ku folën politikanë, militantë partiakë dhe intelektualë të regjimit, dhe ku u thanë gjëra që pritej të thuheshin – por që edhe u bë shkas për përhapjen virale të një metafore, e cila iu atribua në mënyrë të gënjeshtërt shkrimtarit Ismail Kadare. U tha se ky i kish quajtur refugjatët e ambasadave “jashtëqitja e kombit.” Edhe pse mund të konfirmohej lehtë që Kadareja nuk kish marrë fare pjesë në miting, ky cilësim – mbase edhe me nxitjen e organeve të policisë sekrete – mori dhenë, dhe do të përdorej për të baltosur Kadarenë edhe për shumë vjet më pas.

Ja si e përshkruante gazeta zyrtare e PPSH-së, “Zëri i Popullit” e atyre ditëve, futjen me forcë të turmave në ambasada:

Në mbrëmje të datës 2 korrik në Tiranë, rreth orës 22:00, një grup vagabondësh, ish të burgosur për faje të vogla, ordinere si vjedhje, llotarira klandestine, kumar, si dhe disa adoleshentë të mashtruar, kërkuan të hyjnë forcërisht në një ambasadë të huaj, duke goditur me gurë, tulla e mjete të tjera forcat e rendit.

Qartazi, masa e të rebeluarve po përshkruhej këtu si pleh (lumpen, junk), në thelb si jashtëqitje e shoqërisë, të përfytyruar si organizëm i gjallë, në kuptimin që jashtëqitja është sa e pashmangshme aq edhe e dobishme për trupin biologjik, dhe eliminimi i entropisë (i “vdekjes”) – nëpërmjet “qitjes jashtë” – vjen natyrshëm në mendje, meqë jetës, për të vazhduar, i duhet ta largojë aktivisht vdekjen prej vetes.

Prandaj edhe metafora zuri vend mirë, në ligjërimin e atyre muajve; sepse pak gjë e ndante, semantikisht, ikjen jashtë nga qitja jashtë; me përjashtim që kjo e dyta bëhej me pëlqimin e pushtetit, i cili një akt të paprecedent rebelimi, si ai i dy korrikut, u përpoq ta ri-kornizojë si efekt të vullnetit të pushtetit, për ta mbajtur vendin “të pastër”. Çfarë ishte disfatë fatale e regjimit, do të duhej riparaqitur si “fitore”, meqë Shqipëria “hoqi qafe” elementët e padëshiruar, turbullues, “llumin” (një cilësim tjetër i parapëlqyer nga propaganda dhe psy-op-et e Sigurimit të Shtetit), duke ia “bërë dalje” Perëndimit. Merrini këto plehra, meqë i paskeni kaq merak! Cilësimi u orientua kështu sipas dy akseve kuptimore: BRENDA <-> JASHTË dhe PASTËR <-> PIS; meqë ata që u futën në ambasadat kërkonin të kalonin nga “brenda” Shqipërisë (së mbyllur) “jashtë”, ndërsa regjimi u mundua që largimin e tyre ta paraqiste si një lloj “pastrimi” a higjienizimi, nëpërmjet nxjerrjes së papastërtive nga brenda jashtë, ose jashtëqitjes.

(vijon)

Pjesa e dytë
Pjesa e tretë

© 2025 La Maleta de Portbou. Për këtë version që nuk është i njëjtë me atë në spanjishte, © Ardian Vehbiu 2024. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney.


 

[1] “Prona është vjedhje (La propriété c’est le vol!)” thoshte edhe filozofi anarkist frëng Pierre-Joseph Proudhon, në titullin e një libri që pat botuar në 1840; edhe pse ai e kish fjalën për pasuritë e patundshme; Marksi e pat kritikuar këtë formulë, si vetë-kundërshtuese: meqë vjedhja, si akt, e parakupton ekzistencën e pronës.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin