Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion

TOKË E NDALUAR, TOKË E PREMTUAR (ii)

– përfytyrimet e munduara të shqiptarit për botën.
(pjesa II)

Simbolikisht, kjo dalje e parë e refugjatëve politikë por edhe ekonomikë nga Shqipëria, që do të pasohej nga eksodet e mëdha drejt Italisë dhe Greqisë në fillimvitet 1990, do të ofronte edhe përgjigjen ndaj idesë se Perëndimi e kish më të lehtë të komunikonte me Shqipërinë në nivelin eskremental: ju na jepni mbetjet dhe hedhurinat e tregut tuaj, gjëra që juve nuk ju hyjnë më në punë (plaçkën), ndërsa ne mbetjet dhe hedhurinat tona sociale. Kaq pjellor do të rezultonte ky model, sa do ta gjeje, vite më pas, edhe në gatishmërinë për adoptim, në Shqipërinë tashmë “demokratike” dhe “pluraliste”, të ideve eksperimentale dhe gjysmake, për ekonominë e tregut, resetimin total dhe terapinë e shokut, që vinin nga qarqe radikale dhe ekstreme, të neoliberizmit Perëndimor.

Më se tre dekada kanë kaluar nga ajo kohë, dhe modeli i transaksionit në nivelin ekskremental ka rezistuar – madje duke u imponuar si i suksesshëm. Vetëm pak javë para momentit kur po i shkruaj këto radhë, kryeministri i Shqipërisë Rama dhe kryeministrja e Italisë Meloni lidhën një marrëveshje, për të ndërtuar, në bregdetin shqiptar, një kamp ekstra-territorial ku të strehohen dhe të përpunohen refugjatët politikë që rikuperohen në Mesdhe, rrugës për të zbarkuar ilegalisht në territorin italian.

Bëhet fjalë për masa afrikanësh të gjorë, që duan të kapërcejnë Mesdheun, për të mbërritur në BE, nëpërmjet Italisë – por që Italia NUK DËSHIRON t’i përpunojë në territorin e vet, sepse ashtu legjislacioni i BE-së do t’ia komplikon shumë gjërat. Që këtej, zgjidhja për t’i transferuar, përkohësisht, në një vend të tretë.

Për arsye të ndryshme, refugjatët dhe në përgjithësi emigracioni përmes Mesdheut kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në Itali, duke krijuar mes të tjerash edhe tensione me superfuqi të BE-së, si Franca dhe Gjermania. Këta njerëz, viktima politikash dhe ekonomish dhe shtetesh të dështuara, nuk janë më të mirëpritur në kontinent – edhe pse legjislacioni i BE-së e imponon njëfarësoj edhe formalisht mirëpritjen.

Shqipëria nuk vjen në vështrim në këtë mes, përveçse si territor jo-BE, si djerrinë.

Për shumë e shumë kohë, Perëndimi – me mallrat, teknologjitë dhe idetë e veta – ka ardhur në Shqipëri për të vdekur. Ose, në rastin më të mirë, për të mbijetuar në trajtë të një zombie, siç ndodh sot e kësaj dite me sistemin politik që Shqipëria ka adoptuar, dhe që nuk funksionon më, përveçse si performativ i dobët.

Në të njëjtën mënyrë, për shumë e shumë vjet pas 1990-ës, Shqipëria u përdor si landfill për makinat e përdorura, teknologjitë e vjetruara dhe toksike, vjetërsirat gjithfarësh, mu kur një pjesë e madhe e infrastrukturës industriale ekzistuese në vend u demontua dhe u shit si skrap, duke marrë edhe ajo – paraprakisht – trajtën terminale të mbetjes a të ekskrementit.

Ky eksportim i skrapit, ose i mbetjeve të infrastrukturave të ekonomisë së djeshme autarkike, erdhi edhe si kundërpërgjigjja shqiptare ndaj “GABIT” dhe tregut të ushqimeve dhe barnave të skaduara; të dyja si operacione zhvarrimi që mishërojnë jo aq ringjalljen dhe rehabilitimin, sesa zhvdekjen. E çuditshme të mendosh që kjo skemë funksionon prej vitesh, në kontekstin e përpjekjeve për të mbrojtur mjedisin dhe për të kundërshtuar efektin serrë, në emër edhe të asaj emergjence “për të shpëtuar planetin”.

Dikur në fillim të viteve 2000 u pat bërë zhurmë e politizuar në mediat shqiptare, për një projekt të ndërtimit të një impianti për shkrumbimin e plehrave që do të vinin nga Italia. Pak vite më pas, mediat në Tiranë folën për një TEC me qymyr, që do të ngrihej në Porto Romano, për të furnizuar me energji Italinë e Jugut; dhe që do të ngrihej pikërisht në Porto Romano pikërisht sepse ligjet e Europës përballë janë të tilla, që ua bëjnë pothuajse të pamundur këtyre gërdallave karbonike, që të ngrihen gjetiu tjetër. I ngjashëm me këtë makth, ishte projekti tjetër për të ngritur në territorin shqiptar centrale atomike (“që legjislacioni italian nuk i lejon”). Porto Romanoja, një vend afër Durrësit, tani po përmendet sërish në lajmet, si pjesë e një ftese zyrtare që po i bëhet NATO-s, për të ngritur aty një bazë ushtarake. Ndërkohë, një projekt tjetër famëkeq, për të sjellë dhe çmontuar në Shqipëri armë kimike nga Siria në 2014-ën, pat dështuar falë protestave grassroots në Tiranë.

Të gjitha këto sikur sugjerojnë se një pjesë e mirë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Perëndimin mbështeten në konceptin e RICIKLIMIT; çka do të thotë se Perëndimi po depoziton në Shqipëri mbeturinat e metabolizmit të vet ekonomik, ose ekskrementet e veta. Dhe a nuk ka këtu një rregullsi, një “pattern”, që nxit në perceptimin e Shqipërisë si një vend që edhe thith toksicitet nga vendet përreth – në trajtë mbeturinash, vjetërsirash dhe plehrash; edhe emeton toksicitet, në trajtë veprimtarish ekonomike të kundërligjshme, përfshi trafikun e drogës dhe të njerëzve, pastrimin e parave të pista dhe gatishmërinë për t’u ofruar si bazë gjeografike për operacione ndërkombëtare të pashijshme ose të padëshirueshme nga vendet e qytetëruara?

Ose edhe më keq, si një Çernobyl social – që kombinon elemente të krizës mjedisore, shkatërrimit të natyrës dhe të cilësisë së ajrit, të ujit e të ushqimit; me elemente të paligjshmërisë dhe të krizës së besimit, e cila krizë nuk është vetëm problem etik (çfarë nuk do të ishte pak) por edhe prek drejtpërdrejt ekonominë dhe tregtinë, duke i vështirësuar shumë transaksionet në të gjitha nivelet; dhe me elemente të paqëndrueshmërisë demografike dhe të një popullsie duke u analfabetizuar funksionalisht, për shkak të degradimit të sistemit arsimor dhe të mediave.

Shumë kohë ka kaluar, që nga këshilla që ia dha Enver Hoxhës Hrushovi në 1959, për ta shndërruar Shqipërinë në një kopsht me ullinj dhe agrume që t’i shërbente krejt kampit socialist; kish më shumë logjikë ekonomike dhe premtim mirëqenieje kapilare tek ajo batutë, se te të gjitha programet grandioze në mos megalomane, që ia kanë kundërvënë për gjysmë shekulli e kusur.

Refugjatët që pritet të vijnë tani nuk janë veçse kapitulli i fundit, i trishtuar, i përdorimit të Shqipërisë si landfill për produktet terminale të metabolizmit social të Perëndimit – ardhacakët e padëshiruar nga Afrika. Pas më se 30 vjetësh, marrëdhënia mes Shqipërisë dhe botës, aq e keqtrajtuar nën totalitarizëm, ende nuk është stabilizuar, aq sa pati zëra nga politika dhe mediat e afërta me pushtetin, në Shqipëri, që i krahasuan këta refugjatë me shqiptarët që patën marrë dikur Adriatikun, për të zbarkuar në brigjet e Puglia-s italiane.

Në fakt, ishin me dhjetëra mijëra ata që, në pranverë dhe në verë të vitit 1991, u përfshinë në një eksod spektakular, me anije tregtare të sekuestruara, nga portet e Shqipërisë drejt Barit dhe rrethinave. Po të lexoje shtypin italian dhe të dëgjoje radion dhe televizionin e atyre ditëve, të krijohej përshtypja e panikut para një invazioni barbar. Italia u kap e papërgatitur, nga ana logjistike, për t’i bërë ballë kësaj dyndjeje, edhe pse paqësore: të ardhurit u sistemuan me ngut në kampe të ngritura dhe të mirëmbajtura nga Kryqi i Kuq, me ndihmën e karabinierëve. Fill pas mbërritjes së shqiptarëve, dhe në atmosferën e një solidariteti popullor të mirëfilltë, shoqatat e ndihmës dhe ato të bamirësisë i mbushën magazinat e kampeve me pallto të përdorura, batanije, peshqirë, pastë dhëmbësh dhe lloj-lloj vitaminash dhe produktesh kozmetike në prag të skadimit: me gjithë qëllimet e mira, komunikimi në nivelin e mbetjeve nuk u shmang dot. Refugjatët, nga ana e tyre, përfshi këtu edhe ata që kishin ardhur në Itali të joshur nga kënga e sirenave të Perëndimit, u zhgënjyen shpejt, teksa erdhën duke u kthjelluar, për vendin që i priste në shoqërinë mikpritëse. Ëndrrave ua zuri vendin vullneti mbijetues, por edhe sipërmarrës për të fituar pará dhe sidomos, për të bërë “plaçkë” dhe për ta dërguar në dheun mëmë: në atë kohë Shqipëria po kalonte një periudhë varfërie dhe kaosi të frikshëm. (Unë vetë, që jetoja aso kohe në Napoli, dërgoja herë pas here në Tiranë pako me makarona).

Në Shqipëri gjithnjë ka qarkulluar bindja – sado absurde – se Perëndimi është njëfarësoj i detyruar, të paktën moralisht, që t’i mbështetë shqiptarët me fonde dhe, mundësisht, me investime (fundja, edhe me lëmosha). Që në kohën e marrëdhënieve të mbretërisë zogiste me Italinë e Mussolinit, ndihma italiane shërbente jo vetëm për ta mbajtur gjallë shtetin e brishtë shqiptar, por edhe për të penguar aleanca të mundshme me rivalët e Italisë në Mesdhé dhe në Ballkan. Më pas, Shqipërinë e mbështetën ekonomikisht Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe vendet e kampit socialist, dhe pastaj Kina Popullore. Në fund të viteve 1980, mu në mes të krizës ekonomike dhe para se të rrëzohej regjimi totalitar në Tiranë, masat u kullandrisën me legjendën se mund të na shpëtonte ekonomikisht Gjermania Federale; pas shembjes së regjimit Alia, zuri të qarkullojë sakaq legjenda tjetër, e “çekut të bardhë” që kish premtuar Perëndimi, me kusht që të iknin “komunistët” nga pushteti. Me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të, u ngjall edhe shpresa madhështore se shteti më i fuqishëm në botë, “Amerika”, mund ta fuste Shqipërinë në sqetull dhe ashtu t’i shpëtonte shqiptarët përfundimisht nga skamja, poshtërimi dhe irrelevanca. Këto legjenda urbane i bënin jehonë perverse një thënieje tjetër proverbiale, të Hrushovit: “aq grurë sa ka nevojë Shqipëria, e hanë minjtë në hambaret e Bashkimit Sovjetik.”

Si herë të tjera në të kaluarën, kur u ndie në vështirësi, shoqëria shqiptare dhe elitat e saj e perceptuan veten të përfshirë brenda një perandorie imagjinare, ose një “perandorie zero”; e cila i referohet një autoriteti përtej horizontit, i cili mundëson arbitrimin e nevojshëm, duke legjitimuar elitat. Shumë shqiptarë e dhe sot i shohin politikanët e tyre të suksesshëm thjesht si mëkëmbës të fuqive të mëdha, sikurse i shohin intelektualët e tyre të suksesshëm si mëkëmbës të superfuqive kulturore[1]; dhe shtetin si të ishte një agjenci në mos e huaj, të paktën e përtejme, e cila thjesht nuk i lë të bëjnë atë që duan të bëjnë.

Historikisht, kjo psikozë e perandorisë zero, që ushqen njëherazi kompleksin e inferioritetit dhe megalomaninë, i ka rrënjët te roli që u ishte besuar shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane dhe te konceptimi i trojeve shqiptare si borderland, çfarë i mbante këto troje edhe në periferi, edhe në qendër të vëmendjes politike të Portës së Lartë. Kjo mendësi u dobësua mjaft, gjatë periudhës së krijimit dhe të konsolidimit të shtetit shqiptar gjatë shekujve XIX-XX, në bazë të nevojës për t’iu larguar modelit perandorak dhe statusit prej periferie të vogël një qendre të madhe – por vetëm për t’u rikthyer, kur Shqipërisë iu desh t’i rivlerësonte dhe t’i riformulonte politikat dhe aleancat e saj, pas lëvizjeve të mëdha tektonike në fillimvitet 1990.

(vijon)

Pjesa e parë
Pjesa e tretë

© 2025 La Maleta de Portbou. Për këtë version që nuk është i njëjtë me atë në spanjishte, © Ardian Vehbiu 2024. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney.


[1] Ky rol i është mveshur rregullisht shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që është përshëndetur si modernizuesi dhe europianizuesi i kulturës kombëtare; por edhe është akuzuar pastaj, nga e majta radikale, si GABI i po kësaj kulture, meqë “qëmton nëpër Europë gjithë idetë e vjetëruara dhe i sjellë t’ua shesë shqiptarëve.”

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin