– përfytyrimet e munduara të shqiptarit për botën.
(pjesa III)
Nga vendet e Europës Lindore, Shqipëria kish qenë – ndoshta me përjashtim të Jugosllavisë së Titos – më e ekspozuara ndaj Perëndimit, veçanërisht Italisë; falë radios dhe televizionit italian, u rritën breza shqiptarësh, veçanërisht në qytetet e Ultësirës Perëndimore, që e adhuronin kulturën italiane dhe e shihnin si portëkalim drejt Europës dhe vlerave të qytetërimit europian. Ishte pikërisht emigrimi drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian i qindra mijëra qytetarëve të Shqipërisë, që i zhgënjeu pritjet dhe shpresat e tyre të kultivuara prej dekadash; teksa edhe ndikimi kulturor italian ndaj Shqipërinë erdhi duke u venitur. Shumë shpejt Italinë e zëvendësuan Gjermania dhe Zvicra, si vende të preferuara për të jetuar dhe punuar; dhe tani gjithnjë e më shumë shqiptarë pëlqejnë Mbretërinë e Bashkuar, për arsye të komplikuara.
Një lajm i vitit 2006 e ilustron këtë raport dashurie: në një bar në Salce, afër Belluno-s, në veri të Italisë, fill pas ndeshjes Gjermani-Argjentinë të çerekfinaleve të Botërorit 2006, ndodhi një incident i rrallë: grupe tifozësh të të dy skuadrave u përleshën mes tyre dhe policia shoqëroi në kuesturë disa prej fajtorëve, në një kohë që të tjerë më pak fatlumë përfunduan infermierive. Gjatë këtij ri-simulimi të dhunshëm të takimit të sapopërfunduar, interesat e Argjentinës i mbronin të mërguarit prej atij vendi, në një kohë që pala tifoze e kombëtares gjermane, e përfshirë në zënie, përfaqësohej ekskluzivisht nga shqiptarë. Sot e kësaj dite, në Tiranë, nuk gjen bar anës rrugës pa një ekran ku të luhet të paktën një nga ndeshjet e shumta të futbollit anembanë Europës – shqiptarët mbështetin me pasion skuadrat e tyre në kontinent, teksa mbeten relativisht indiferentë ndaj kampionatit të tyre kombëtar. Megjithatë, tifozllëku i dikurshëm për përfaqësueset e Gjermanisë, Italisë, Anglisë, Holandës dhe Francës, tani e ka kanalizuar energjinë e vet masive drejt kombëtares shqiptare të futbollit – nëse deri dje ishte bota që e sillte futbollin në Shqipëri, tani e ka radhën Shqipëria që t’ia kthejë botës, madje me interes.
Në pamundësi për të marrë pjesë drejtpërdrejt, si spektator, në eventet e mëdha futbollistike të kontinentit dhe të botës, shqiptari u mësua, për dekada, që t’i shijonte këto si një lloj spektakli teatral të konfliktit mes së mirës dhe së keqes, virtytit dhe vesit. Kështu, te Gjermania (aso kohe vetëm Perëndimore) rregullisht do të admirohej energjia e pashtershme, atletizmi dhe ndershmëria mashkullore; superioriteti pothuajse “arian”, fizikaliteti i kulluar dhe hiperkinetizmi; madje edhe simbolizmi i së bardhës në fanellat. Anglia do të imponohej, përkundrazi, si mishërim i burrnisë, i fair play-t dhe i traditës aristokratike; përfaqësuese e një futbolli romantik që kërkonte ta ruante klasin e pashoq duke i mbetur besnike origjinës dhe vlerave të vjetra të sportivitetit britanik. Brazili, perceptuar si skuadër e Botës së Tretë ose e Jugut, do të përfaqsonte futbollin e kthyer në art; vetvetishmërinë e elegancës ose të sambas së lojtarëve në fushë; talentin në “gjak”, ose fitoren si improvizim yjesh dhe individualitetesh; e më në fund lojën të konceptuar si një shfaqje cirku ose apoteozë të zbavitjes e të haresë nëpërmjet virtuozitetit të pafre; njëfarë revanshi intuitiv të varfërisë dhe të rrugës, ndaj disiplinës shkencore pothuaj ushtarake të shkollave evropiane. Italia, last not least, ishte trashëgimtarja e vetme e frymës mesdhetare të Uliksit, ose të fitores me stratagjemë e dredhi; ambasadore e një futbolli detyrimisht inferior, të mbështetur në fatin, takticizmin e tepruar, teatrin viktimist, lojën e rëndë në mbrojtje dhe goditjen me kundërsulm pas shpine. Përfytyrime të tilla, krijuar pikërisht në ato vite kur shqiptarët për herë të parë nisën t’i ndjekin në ekran ndeshjet e Botërorëve, u kanë mbijetuar dekadave dhe gjëllijnë për bukuri edhe sot e kësaj dite, paçka se tani pak po u përgjigjen realiteteve në fushë.
Çfarë na dallonte ne shqiptarëve prej të tjerëve nuk ishte aq personifikimi etik i superfuqive të futbollit botëror, as fraksionimi i publikut nëpërmjet identifikimit me këtë apo atë skuadër; por intensiteti i këtij përkushtimi, ose pasioni me të cilin futbolli i një Botërori shndërrohej në një alegori sa të thjeshtë, aq edhe universale, të forcave etike elementare të jetës së përditshme. Marrosja pas futbollit ndërkombëtar në shqiptarët do shpjeguar më tepër me kombinimin, vërtet djallëzor, të vullnetit totalitar për izolim me pozicionin gjeografik dhe virtual të Shqipërisë në zemër të kontinentit evropian, në udhëkryq të trafikut kulturor, në kullën e vrojtimit. Pikërisht ky dyzim i pagjasë midis afërisë dhe distancës, përmbytjes së kulturës shqiptare nga mediat perëndimore dhe memecërisë së imponuar me dhunë ndaj shqiptarëve vetë prej kryetotalitarëve të Hoxhës, dëshirës për të qenë kudo dhe pamundësisë për të qenë qoftë edhe në shtëpinë tënde, mund të shpjegojnë disi edhe investimin grotesk, paradoksal, madje absurd të publikut dhe të mediave në Shqipëri, por edhe të shqiptarëve kudo në planet, ndaj një evenimenti të tillë objektivisht kaq të largët për ne, si futbolli botëror.
Megjithatë, kur është fjala për adhurimin prej shqiptarit të rrugës, asnjë vend në Europën Perëndimore nuk konkurron dot me “Amerikën” – vend që bashkon në vetvete, i soditur për së largu, fuqinë ekonomike, forcën ushtarake, dollarin, spekulimin financiar (kumarin) dhe kapacitetin për të urdhëruar botën; dhe që është, në thelb, gjithçka që Shqipëria nuk mund të jetë. Kështu Amerika, edhe pse ende njihet fare pak nga qytetari në Shqipëri, duket sikur ia ka zënë vendin virtualisht Perandorisë Osmane, dhe po këqyret si alternativa ndaj arrogancës dhe sidomos snobizmit europian, të shfaqur edhe në refuzimin e përsëritur të Bashkimit Europian, për ta pranuar Shqipërinë në gjirin e vet.
Ashtu, nga një sondazh i kryer, në vjeshtë të vitit 2022, nga Barometri dhe EuroNews, me një kampion prej 1000 vetësh, rezultoi se të intervistuarit kishin besimin më të madh, mes institucioneve, te Ambasada e SHBA (33.2%), te Delegacioni i BE-së në Tiranë (30.7%) dhe te OSBE-ja (29.7%). Për krahasim, vetëm 6% deklaruan se u besonin partive politike, 7.4% gjykatave, 7.4% parlamentit dhe 18.5% qeverisë. Besimi tek ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim luhatej mes 59.1% të votuesve të partisë në pushtet (PS), dhe 15.8% të votuesve të partisë kryesore të opozitës (PD); ndërsa te kryetarja e delegacionit të BE-së, Christiane Hohmann, mes 59.6% të votuesve të partisë në pushtet (PS), dhe 23% të votuesve të partisë kryesore të opozitës (PD), çfarë tërthorazi konfirmon edhe hipotezën time, për Shqipërinë si provincë të perandorisë zero të përshkruar më lart.[1]
Njëkohësisht, brezat e rinj të shqiptarëve, sidomos ata që e kalojnë kohën në rrjetet sociale dhe atje edhe i krijojnë dhe i mirëmbajnë komunitetet e tyre, po fillojnë ta këqyrin Europën Perëndimore si territor për të plaçkitur – dhe te ky grup përfshihen si ata që duan të përfitojnë nga nevojat e disa shteteve të BE-së për profesione të caktuara (si Gjermania për mjekë dhe infermierë), ashtu edhe të tjerët, që e shohin kontinentin si hapësirë për gjithfarë tregtish të paligjshme. Edhe pse ekonomia e rrobave të përdorura, shitblerjes së makinave të vjedhura dhe importeve të paligjshme mbetet e shëndetshme dhe fitimprurëse, koha kur emigrantët nga Shqipëria okuponin rangjet më të ulëta në hierarkitë sociale të vendeve pritëse, tashmë ka kaluar. Çfarë ka mbetur pa ndryshuar, është bindja se marrëdhëniet e shqiptarëve me botën mund jenë me përfitim për këta të fundit, vetëm në qoftë se mbështeten mbi diferencën radikale mes palëve.
Deri në fillim të viteve 1990, ose pa u intensifikuar kontaktet njerëzore të shqiptarëve me botën, besohej lirisht – në Shqipëri – se e vetmja pengesë, midis dashurisë sonë për Tjetrin dhe dashurisë së Tjetrit për ne, ishin politikat e regjimit totalitar të Tiranës dhe izolacionizmi që ia kish imponuar vendit Enver Hoxha. Besohej – me shpresë irracionale – se Europa, me t’u shpërthyer kufijtë, do t’i priste shqiptarët krahëhapur, si të ishin këta viktima të ndonjë kampi torturash a të ndonjë gulagu. Ky iluzion nuk e pati jetën të gjatë, që pas ekzodit të dytë të madh drejt brigjeve italiane, kur shteti fqinjë i ktheu në Shqipëri pothuajse të gjithë ata që i kishin trokitur në derë dhe imponoi pastaj, në Adriatik, një regjim të rreptë filtrimi dhe kontrolli, që shumë shqiptarëve u kujtoi kohët kur nuk lejoheshin të dilnin nga vendi. Emigrantët edhe në Itali, edhe në Greqi, edhe në vende të tjera, u përballën me një refuzim kapilar, që nuk ishte thjesht ksenofobik, pse kish atje edhe një përbërëse të fortë fetare. Dukej sikur Europa nuk i donte shqiptarët, sepse “i shihte si myslimanë”. Konstatime të tilla zhgënjenin edhe ngaqë shqiptarët vetë, të brezit të parë të emigrimit, pothuajse nuk e dinin që i përkisnin asaj feje: Enver Hoxha i kish mbyllur institucionet fetare që në 1967-ën, masë kjo që e kish dobësuar ndjeshëm identitetin fetar të brezit të ri; aq sa shumë prej atyre që emigronin, ishin gati edhe të pagëzoheshin lirisht si të krishterë – për hir të integrimit në shoqëritë pritëse, duke lënë të kuptohet se identiteti fetar u restaurua në krye në formën e vet transaksionale. Për elitat kulturore në Tiranë, pjesërisht ende produkt i ateizmit shkencor dhe i materializmit dialektik dhe promotore – mbase edhe pa e kuptuar – të formave më crudo të orientalizmit, Islami dhe islamizimi ishin një lloj mbishtrese e shtuar vonë, në mos edhe një lloj ekzeme kontakti e identetit kombëtar – këto elita toleronin me lehtësi të madhe identitetet e pakicave të krishtera, gjithë duke predikuar sloganin “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, të trashëguar nga Rilindja Kombëtare e shekullit XIX dhe bazë për një religjion civil të identitetit kombëtar. E megjithatë, tre dekada pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, psikoza e “nuk ka duan se jemi myslimanë” qarkullon ende gjerësisht mes shqiptarëve, aq më tepër që tani edhe Islami, si besë dhe si praktikë fetare, është rikthyer.
Përçmimin prej Perëndimit, herë real, herë produkt i paranojës kolektive a i kompleksit të inferioritetit, shumë shqiptarë – tashmë duke përfituar edhe nga rrjetet sociale – po rreken ta kundërshtojnë, duke ushqyer një mit kompleks të prejardhjes “hyjnore” të gjuhës dhe të “racës” së tyre; mit që e paraqet shqipen si gjuhën më të vjetër në Europë, në mos gjuhën e Perëndive; dhe shqiptarët si një lloj populli të zgjedhur, meqë pasardhës të “pellazgëve hyjnorë” (të Homerit). Kjo lëvizje kulturore, e nisur nga poshtë, ende nuk i ka kapur institucionet akademike dhe universitare; edhe pse publiku po i sheh këto institucione, veçanërisht ato që merren me historinë dhe gjuhësinë historike, si “të shitura” ndaj interesave anti-shqiptarë të fqinjëve. Kjo megalomani bie, megjithatë ndesh, me obsesionin e letërsisë dhe të kinemasë vendëse, për t’ia paraqitur shqiptarët botës si bizarrë, të egër, robër të kodeve zakonore, relike të historisë – në emër të një ekzotizmi ende romantik.
Dëshira e shqiptarëve për Perëndimin nuk është venitur; por ka marrë trajta të reja, ndonjëherë të vështira për t’u rrokur: le të kujtojmë se anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektivi kryesor jo vetëm i politikës së jashtme, por edhe i krejt programit të qeverisë shqiptare sot, të drejtuar nga europianisti i flaktë Edi Rama. Po ajo Luftë e ftohtë që e pat ndarë prerazi Shqipërinë nga Europa, njëkohësisht i pat bërë shqiptarët që ta përfytyronin hapësirën përtej kufirit si hapësirë të Lirisë; gjithë duke mbajtur gjallë besimin, se vetëm nga Europa do të na vinte shpëtimi. Pas 1990-ës, zhgënjimi kulturor i emigrantëve dhe ballafaqimi me refuzimin ndihmuan për kristalizimin e një metafore të karantinës: tani ishte bota, që po e rrethonte Shqipërinë me gardh, për të mos lejuar daljen dhe përhapjen e kaosit. Me fillimin e shekullit XXI, prania e të huajve – si biznese dhe si institucione dhe si shoqëri civile – në Shqipëri mori epërsi, ndaj pranisë së shpërndarë të shqiptarisë në botë; çka edhe bëri të dukej se vendi e kish marrë tashmë statusin e predestinuar, të një province të vogël të perandorisë. Nëse totalitarizmi i kish mëshuar për dekada nevojës “për ta mbajtur Shqipërinë të pastër”, duke pasur këtu parasysh pastërtinë e kulturës dhe të gjuhës, por edhe të ekonomisë nga investimet dhe ndërhyrjet e huaja, tani paraja që vjen nga jashtë është shndërruar në formën kryesore të komunikimit të Perëndimit, dhe të botës mbarë, me Shqipërinë. Paranoja dhe autarkia e djeshme, janë kthyer kështu kokëposhtë.
Rrethanat kur duket sikur asgjë nuk ndodh dot, në jetën publike të vendit, pa injektimin e fondeve të huaja – në trajtë ndihmash, grantesh, subvencionesh, sponsorizimesh dhe financimesh të tjera – ia kanë dobësuar logjikën edhe aktiviteteve të shoqërisë civile. Por financimet nga bota, pavarësisht nga rruga që ndjekin për të hyrë në Shqipëri, janë edhe ato mishërim i aktualizuar i modelit të shkëmbimeve të llojit ekskremental: a nuk patën thënë disa nga të urtët e Krishterimit, nga Shën Vasili i Cesaresë te Shën Françesku i Assisi-t, se “paraja është bajga e djallit”? Kjo metaforë, që e ruan vlerën pedagogjike edhe përtej një ligjërimi mirëfilli religjioz, duket tani sikur e rimerr frymëzimin nga korrupsioni i elitave lokale, në Shqipëri, nëpërmjet parasë; përfshi këtu edhe paranë e huaj, që riqarkullon, pastrohet dhe riciklohet në ekonominë e vendit. Skemat që i prezantohen publikut për pasurim të shpejtë, nëpërmjet koncesioneve dhe kompromiseve që e bëjnë Shqipërinë përjashtim brenda ligjshmërisë europiane, dëshmojnë se komunikimi përmes valutës së jashtëqitjes ende nuk është ndalur. Kjo, paçka se krimi i organizuar shqiptar, që i ka shtrirë tentakulat anembanë botës, përfshi edhe tregun e drogës në Amerikën Latine, po gjeneron ai vetë sasi marramendëse parash, një pjesë e të cilave përfundon në Shqipëri: ndryshe nga ajo e lopës, bajga e djallit nuk mban erë.
Është në natyrën e kapitalizmit që të gjenerojë tepri dhe mbetje, si depozita të entropisë. Vetëdija identitare e shqiptarit, përballë botës, u krijua dhe u riprodhua edhe nëpërmjet negocimit dhe rinegocimit të vlerave të përdorimit, madje edhe në vitet kur Shqipëria u vetëmbyll në karantinë, kinse për t’u mbrojtur nga eskrementet e Tjetrit dhe për të ruajtur “pastërtinë”, çfarë edhe e shndërroi vendin në një lloj rezervati politik dhe ideologjik, mu në zemër të Europës. Vitet e karantinës menjëherë u përthyen në një décalage kohor, që i pengoi dhe i përçudnoi kontaktet me botën në atë kohë, dhe njëfarësoj vazhdon t’i pengojë dhe t’i përçudnojë edhe sot – sa kohë që shqiptarët e kanë pranuar tashmë që, në ballafaqim me Tjetrin, janë ende produkte të diferencës, të vonesës dhe të refuzimit. Shqiptari ka vite që nuk thotë më JO, por tani nuk orientohet dot mirë dhe nuk di se kujt duhet t’i thotë PO. Nëse është e vërtetë që post-kapitalizmi dhe shfaqja e Inteligjencës Artificiale do ta reduktojnë edhe më numrin e atyre që janë mirëfilli të integruar (ose të paktën të punësuar), në sistemin e ri ekonomik të bazuar në dijen, atëherë ka vend për alarm, sidomos po të mendosh se ky post-kapitalizëm do të ketë edhe nevojë edhe më të madhe, për landfill-e, dhe jo vetëm për mbetjet materiale; çfarë rrezikon edhe që vetë identiteti kombëtar, i atyre që mbeten pas, si në rastin e qytetarit shqiptar, të kthehet në mbetje, hedhurinë, tepri. Për fat të keq, deri më sot, vetëm krimi i organizuar ka arritur t’i përgjigjet në mënyrë efikase kësaj krize ekzistenciale.
(fund)
© 2025 La Maleta de Portbou. Për këtë version që nuk është i njëjtë me atë në spanjishte, © Ardian Vehbiu 2024. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney.
[1] I njëjti sondazh, tregoi se 96.6% i të intervistuarve i besojnë familjes, ndërsa 89.3 të afërmve; por vetëm 29.3% kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, shifra që të sjellin në mend, jo pa alarm, tezën e studiuesit amerikan, Edward C. Banfield, për familizmin amoral si shenjë dalluese madhore të një shoqërie të prapambetur (The Moral Basis of a Backward Society, Free Press, 1958).