Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

ATENTATORI PA EMËR

Pak ditë pasi botova pjesën e 11-të të serisë E shkuara është vendi ynë, shoku im i lagjes dhe i shkollës në Tiranë, Gëzim Ç., i njëjti që më kish dërguar foton e pllakës përkujtimore, më tha në telefon diçka që deri atëherë na kish shpëtuar të dyve, dhe kushedi sa të tjerëve: që te bareliefi kushtuar Vasil Laçit, në rrugën e Durrësit, emri i atentatorit NUK PËRMENDEJ.

Dhe në fakt mbishkrimi lexon kështu: “ATENTATI I DJALOSHIT SHQIPTAR QË QËLLOI VIKTOR EMANUELIN E III ISHTE FILLIMI I NJË KRYENGRITJEJE TË MADHE QË PO PREGATITEJ.”

Më ishte dukur, që në fillim, pak i çuditshëm ky mbishkrim, sepse ndryshe nga çfarë thonë pllakat përkujtimore standard, nuk fokusohej tek atentati në vetvete, por e përdorte këtë si pikënisje për të kaluar te “kryengritja e madhe që po pregatitej”; një lidhje që nuk më bindte, sepse – me aq sa e njoh unë historinë e atyre viteve – atentati nuk la ndonjë gjurmë dhe as u pasua nga akte të tjera rebelimi, që t’i referoheshin. Ishte më tepër një akt i izoluar, i një të riu të revoltuar; dhe, sërish me sa dihet, i papërgatitur dhe i paplanëzuar nga ndonjë grup antifashist.

Dhe gjithsesi, nga ajo pllakë do të priste kalimtari një mbishkrim pak a shumë të këtij lloji: NË KËTË VEND, I MË 7 MAJ 1941, RIU VASIL LAÇI QËLLOI KUNDËR PERANDORIT VIKTOR EMANUELI III, ku atentatit t’i jepeshin koordinatat kohore dhe hapësinore, si dhe ato identitare (kush qëlloi, kush u qëllua). Por në pllakë edhe data mezi lexohet, e strukur në cepin lart djathtas. Për një sy naiv, kjo përmendore i ngjan më shumë një pllakati, se një pllake të mirëfilltë, që e vendos vendin në histori.

Njëlloj më pat bërë përshtypje cilësimi “djaloshi shqiptar”, për atentatorin; ngaqë “djalosh” sot është fjalë me ngjyrim stilistik, që nuk përdoret në ligjërim përveçse po të duam të arrijmë një efekt të caktuar, p.sh. duke “e ngritur” pak stilin; nuk themi dot “ishte një djalosh te rruga që po pyeste për ty”, pa shkaktuar hilaritet. Dhe sidomos, ngaqë nuk arrija dot të përligjja mbiemrin “shqiptar”; se ç’mund të ishte tjetër atentatori në rrugën e Durrësit? Abisin?

Po ashtu, sa kohë që mbishkrimi në pllakë nuk ia bën “ankorimin” atentatit, duke e lidhur me emrin e personit që përkujtohet, duket sikur ai mbishkrim i bashkëngjitet jo aq eventit që synon t’i referohet, sa imazhit të paraqitur në pllakë – një barelief i një personazhi stereotipik të arteve figurative të realizmit socialist, me flokët të qethura me stil atletik-sovjetik dhe muskuj prej notari, që vringëllin revolverin mbi një det helmetash pluskuese të armikut; dhe nëse është kështu, ajo “djaloshi shqiptar” të çon jo te Vasil Laçi real, por te ikona e tij në pllakë, që është integruar tashmë në sistemin shenjik të ideologjisë totalitare, duke përcjellë mes të tjerash edhe imazhin e një kryengritësi hero, përballë masës impersonale të kokave të mbuluara me hekur. Edhe pse në dukje pllaka është vënë në nderim të atentatorit, ajo riprodhon dhe mishëron versionin tërësisht të sanitizuar dhe të stilizuar të ngjarjeve historike gjatë viteve të Luftës II në Shqipëri.

I ngacmuar nga toni disi pompoz i mbishkrimit në pllakë, dyshova se mos ky ishte marrë nga ndonjë tekst me pretendime për të fiksuar të vërtetën; dhe, vetvetiu, se mos ky tekst vinte nga burimi par excellence i të vërtetave historike gjatë viteve të totalitarizmit – Enver Hoxha dora vetë. Kërkova në indeksin e veprave online, për të gjetur aty se Vasil Laçi përmendet në veprat vetëm dy herë – dhe ashtu e gjeta edhe tekstin burimor të mbishkrimit, te një INTERVISTË DHËNË GAZETËS «BASHKIMI» MBI DISKUTIMET NË LONDËR RRETH PRANIMIT TË SHQIPERISË NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA, e datës 31 janar 1946 (Vepra 3, f. 238 e vazhdim), ku Hoxha argumenton pse Shqipëria duhet pranuar në OKB, sa kohë që populli shqiptar ka marrë pjesë që herët në luftën antifashiste, për të vazhduar:

[p]opulli ynë që më 1939 e filloi luftën e tij të shenjtë. Gjaku u derdh në Durrës, në Vlorë e gjetkë. Demostratat dhe përleshjet në rrugët e qyteteve me karabinierët dhe me njerëzit e Vërlacit e të kuislingëve të tjerë që i deklaruan luftë Greqisë dhe ATENTATI NË TIRANË I DJALOSHIT SHQIPTAR QË QËLLOI VIKTOR EMANUELIN NË RRUGËN E DURRËSIT, ISHTE FILLIMI I NJË KRYENGRITJEJE TË MADHE QË PO PREGATITEJ.

Ai përmend pastaj një operacion të “partizanëve të Pezës”, dhe më tej, me dezertimin e ushtarëve shqiptarë të dërguar në frontin grek nga italianët, e kështu me radhë. Asgjëkundi në këtë tekst nuk përmendet emri i VASIL LAÇIT – madje redaktorët e Veprës 3 cilësimin “djaloshi shqiptar” e kanë shoqëruar me një fusnotë, ku shpjegojnë se “është fjala për atentatin që kreu punëtori Vasil Laçi në maj 1941, kundër mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III” – edhe këtu më duket pak e çuditshme që atentatori të cilësohet, këtë herë si “punëtor”, mbase për të treguar që revolta anti-italiane i kish rrënjët te proletariati.

Dihet edhe se administrata fashiste u rrek të provonte se atentatori – tashmë i arrestuar – ish ndikuar nga idetë komuniste; disa burime në Romë e akuzuan Greqinë si nxitëse e atentatit dhe e identifikuan Laçin si “greko-maqedonas të quajtur Mihailoff Vasillaci” (sipas Wikipedia-s, këtë e përmendin historianët Bernd Jürgen Fischer, Owen Pearson, Antonio Spinosa); kjo kushedi mund të ketë ndikuar në atë që Hoxha e quan Laçin “shqiptar”. Edhe historianët gjatë viteve të totalitarizmit përmendën, veç patriotizmit dhe antifashizmit si motive të atentatit, gjithashtu kontaktet e Laçit me idetë dhe militantët komunistë; një narrativë që pastaj u rimor dhe u konsolidua nga letërsia dhe filmi i atyre viteve.

Sipas kujtimeve të botuara rishtas, të 90-vjeçarit Genc Koka, i biri i Sami Kokës ish-shef i shtatmadhorisë së mbretit Zog (Dëshmia e rrallë e 90-vjeçarit nga SHBA: “Unë i’a dhashë Vasil Laçit revolverin që qëlloi Mbretin Viktor Emanuelit III-të, sepse ai…”/ Historia e panjohur e atentatit, botuar në Memorie.al nga Dashnor Kaloçi), motivi i atentatit mund të ketë qenë “adhurimi i thellë që kishte Vasil Laçi ndaj Mbretit Zog”, krahas “urrejtjes ndaj Italisë fashiste”; dhe propagandistët e regjimit nuk kanë qenë gati që të nderojnë, duke e emërtuar në pllakë, një rebel monarkist (zogist).

Pavarësisht interpretimeve që janë sjellë, lënia e emrit jashtë nga Enver Hoxha gjatë intervistës së lartcituar, dhe pastaj edhe nga autoritetet që miratuan tekstin e pllakës përkujtimore, mund të ketë ardhur edhe për një arsye banale – Hoxhës nuk i është kujtuar emri, në momentin kur po jepte intervistën; por kushedi edhe ngaqë ai nuk ishte i sigurt për integritetin e Laçit si “hero” antifashist, por mbase duke qenë në dijeni të bindjeve monarkiste të këtij të fundit. Nëse është kështu, edhe autorët e pllakës nuk kanë dashur të futin duart në citimin nga Hoxha, dhe as kanë mundur të vënë një tekst shpjegues të tyrin, përbri atij të Hoxhës.

Përndryshe, kjo “harresë” e emrit mund të interpretohet tani edhe si pasojë e vullnetit retorik dhe ideologjik të Hoxhës, për ta de-individualizuar gjestin e Laçit dhe për ta paraqitur si mishërim të një vullneti kolektiv të qytetarëve të Tiranës, që e refuzonin pushtimin italian dhe Imperon; pra duke e paraqitur atentatin jo si veprim impulsiv, i një personi të çekuilibruar a të shtyrë nga arsye personale, por si “fillimi i një kryengritjeje të madhe” – dhe nëse është kështu, atëherë mbishkrimi në pllakë e zhvendos shpjegimin e atentatit – siç e pamë – nga çfarë e frymëzoi atentatorin te efekti i tij simbolik, përgatitja e kryengritjes “së madhe” që po afrohej. Kësisoj, retorika në fjalën e Hoxhës amplifikohet deri në absurditet.

Për ta ushqyer memorien e këtij atentati, regjimi i dha atij formalisht një vend në topografinë e qytetit. Ndryshe nga ngjarjet, të cilat kalojnë sakaq nga e tashmja në të kaluarën dhe fillojnë të harrohen ose të rishkruhen nga kujtesa individuale ose kolektive, vendet nuk ndikohen aq lehtë nga rrjedha e kohës – janë dhe mbeten aty, pavarësisht nga marrëdhënia domethënëse ose jo që vendosin me ngjarjet. Vasil Laçi do të ketë pasur arsyet e veta, që zgjodhi atë vend për ta qëlluar perandorin; një prej tyre, është se Perandori ishte njëfarësoj i detyruar të kalonte nga Rruga e Durrësit, dhe jo nga Rruga e Dibrës apo e Elbasanit (me intuitë, por pa e vrarë shumë mendjen, gjithnjë kam kujtuar se Perandorin e goditën kur po hynte në Tiranë; ose gjatë mikpritjes, edhe pse, në realitet, atentati ka ndodhur kur ai po largohej nga kryeqyteti drejt aeroportit. Kjo nuk ndryshon gjë në dinamikat e ngjarjes, por vetëm sa më dëshmon se shumë nga gjërat që kujtojmë se dimë, ngaqë i marrim për të mirëqena, meritojnë në fakt të vihen në dyshim dhe të merren në pyetje – për të zbuluar edhe një fakt trivial, si ai i kahut të kortezhit perandorak, edhe një fakt mbase jo-trivial, si ai që Vasil Laçi paska qenë monarkist me zemër).

© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

8 Komente

  1. Me ç’kuptoj une nga shkrimi, citimi ne pllake eshte nga fjalimi I Enverit, qe ishte nderimi me I madh qe mund te behej asokohe. Termi djaloshi shqiptar me duket I justifikueshem ne nje fjalim ne OKB. Vasil Laci ishte hero lokal, jo nderkombetar si Skenderbeu te themi.

      1. Kjo e nderlikon punen edhe me shume. 🙂 Kam idene qe Adriani I shtoi disa paragrafe shkrimit duke e plotesuar ate. Megjithate misteri I mungeses se emrit me duket se doli ne pah.

  2. I morën aktin, i “harruan” emrin. E kush tha që plagjiaturë paska vetëm në shkencë dhe në art?! Sot pasardhësit e Vasilit kanë të drejtë ta hedhin në gjyq shtetin shqiptar për abuzim me heroin, për plagjiaturë në Histori dhe të kërkojnë dëmshpërblim: Na vodhët atentatin!

    [Interpretim mbi temën, në frymën e epokës së Tranzicionit..:)]

  3. Ah desha te shtoj qe Vasil Laci ky djalosh I thjeshte nga Piqerasi qe punonte si pjatalares ne Durres nuk ishte komunist. Shume shume mendoj une ka qene nje anarkist, sic ishte moda atehere. Gavrilo Princip ishte modeli qe asokohe adhurohej nga shume te rinj. Si puna e Luigit sot. 🙂 Po komunistet ishin mjeshtra te propagandes.

    1. Ka shume mundesi qe Vasili kishte si shenjester te atentatit shoqeruesin shqipetar te Viktor Emanuelit me te cilin kishte hatermbetje per aresye banale dhe qe nuk justifikohen kurresesi me tentativen per vrasje.

  4. Konfiskim i aktit të monarkistit, greko-maqedonsit apo anarkistit, në emër dhe në shërbim të Partisë dhe të popullit.

    [Interpretim mbi temën, në frymën e kohës totalitare.]

  5. Pushtimi italian ne pergjithesi u prit mire nga popullsia .U bashkua Shqiperia me Kosoven dhe pati nje bum ekonomik .Vete Ramiz Alia pohonte ne kujtimet e tij se pas nje rezistence te vogel nga disa forca monarkiste jeta vazhdoi si zakonisht pas pushtimit taliann.Rezistenca filloi pas hyrjes se Britanise se Madhe ne lufte te cilet nepermjet jugosllaveve financuan bandite ordinere si Myslym Peza dhe Haxhi Lleshi .Motivet e verteta te Vasil Lacit nuk dihen .Deri tani nuk ka ndonje evidence se ai u nis nga ato qellime te larta qe i veshi propagana komuniste .

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin