Rruga Kont Urani dhe ish-Radio Tirana: çfarë i lidh këto të dyja, veç hartës së Tiranës, ose faktit që Radioja e kish dikur selinë te kjo rrugë? Natyrisht, nuk ka pasur arsye simbolike, që zyrat dhe studiot e Radios të vendoseshin pikërisht te Kont Urani – vendimi do të jetë marrë sepse aty kish ndërtesa të përshtatshme, se vendi ishte relativisht afër qendrës, ose për ndonjë motiv tjetër trivial. Dua të them, nuk ka pasur dhe as ka ndonjë gjë “radiofonike” te rruga jonë. Por është mendja e banorit që kërkon t’i identifikojë vendet urbane sipas kujtesës (memories) ose historisë së tyre.
I nisur nga një synim mirëfilli propagandistik, dhe pikërisht nevoja për ta mbajtur historinë e vonë “të shkruar” në fytyrën e Tiranës, regjimi totalitar e pat mbushur qytetin me pllaka përkujtimore dhe vepra të tjera arti ose muzeale, që i shënjonin ngjarje “me rëndësi” që kishin ndodhur në vendet përkatëse. Ashtu hapësira urbane shërbente edhe për rivënien e përsëritur në skenë të narrativës standard që duhej mbajtur gjallë: themelimi i PKSH-së, ilegalët, lëvizja, atentatet, guerrilasit, aksionet kundër regjimit fashist, bazat e Luftës NaÇL, shtëpitë ku kishin lindur, jetuar ose vdekur heronjtë dhe udhëheqësit… Të gjitha këto me idenë për t’i dhënë qytetit një përmasë ose kuptim historik.
Më kujtohet sa më ka bërë përshtypje, kur kam vizituar Salzburg-un, në Austri, obsesioni, më shumë komercial se kulturor, i atij qyteti me Mozartin: shtëpia ku kish lindur Amedeusi dhe shtëpia ku kish jetuar, të dyja tashmë muze; muzika e Mozartit që luhej në çdo cep rruge dhe në kafetë e teatrot; përmendoret kushtuar atij dhe varret e familjarëve të tij; vendi në katedrale ku ishte pagëzuar; deri edhe kukullat shembëlltyra të tij, bombonet dhe çokollatat, dhe lodra të tjera dhe muzikantët virtuozë që ekzekutonin këtë apo atë pjesë të famshme me gota kristali (e ashtuquajtura harpë prej qelqi) dhe vajzat e veshura me kostume personazhesh operash si “Flauti magjik”, që shisnin bileta për shfaqje me muzikë të Mozartit.
Ky identifikim i qytetit me njeriun e vet të madh – sado i ekzagjeruar – të bën të harrosh, qoftë edhe për një moment, se ajo që admirojmë te muzika e Mozartit nuk ka shumë të bëjë me krevatin e tij origjinal, as me portretin e tij në çokollatat; dhe se idolatria – e maskuar si e pafajshme për hir të komercializmit – i shërben edhe ajo jo aq artit, sa një hierarkie vlerash artistike, që ndjek logjikën e pushtetit të vet. Edhe kjo hierarki i referohet një regjimi, pa të cilin nuk do të mbahej dot në këmbë; në një kohë që muzika e Mozartit vetë, si kombinim tingujsh dhe traditë e të bërit art, mbase do të kish mbijetuar.
Nga kjo traditë, që i ka rrënjët kulturore tek adhurimi i shenjtëve të krishterë dhe më gjerë i figurave të shenjta, u frymëzua edhe regjimi i Hoxhës, në Tiranë dhe gjetiu, për të ndërtuar atë që e kanë quajtur “religjion civil”, ose “sakralizim të politikës” në Shqipërinë socialiste[1]; nga i cili këtu po dua të veçoj krijimin e vendeve “sakrale” në qytet, të tilla që të rikrijonin ose të riprojektonin në hapësirat urbane të përditshme përmasën kohore të historisë, duke shërbyer sipas rastit edhe si vende pelegrinazhi në shërbim të indoktrinimit masiv.[2]
Mes qindra, në mos mijëra vendeve të tilla, të shpërndara dhe të lajmëruara me kujdes në Tiranë, po përmend atë cep të rrugës së Durrësit, ku Vasil Laçi qëlloi me revolver kundër Perandorit Vittorio Emmanuele III, në 17 maj të vitit 1941; dhe që më pas u shënjua me mënyra të ndryshme, derisa u arrit te bareliefi i sotëm me atentatorin heroik dhe atletik, që ngrihet mbi një kalldrëm helmetash fashiste, për të shkrepur armën kundër perandorit; dhe ku lexohet ky mbishkrim: “atentati i djaloshit shqiptar që qëlloi Viktor Emanuelin III ishte fillimi i një kryengritjeje të madhe që po përgatitej”. Këtu shprehja “djaloshi shqiptar” tingëllon pak e çuditshme, për rrugën e Durrësit (nga të kish qenë tjetër “djaloshi”? Abisin?); dhe komenti pasues, “fillimi i një kryengritjeje të madhe që po përgatitej”, nuk i përgjigjet ndonjë realiteti historik – është thjesht propagandë.
Regjimit i duhej memoria e këtij atentati, për të mbajtur gjallë idenë se rezistenca kundër pushtuesit italian filloi në Shqipëri që herët; pyetja që kam është nëse kjo memorie i duhej në ndonjë farë mënyre Tiranës. Sa do të mbahej mend atentati, dhe aq më pak vendi se ku ndodhi, sikur këtë kujtim të mos e kish ushqyer me këmbëngulje aparati propagandistik i Hoxhës? Një atentat kundër një perandori, aq më tepër në krye të një perandorie të fuqishme si ajo e Italisë fashiste, meriton të mbahet mend; por pllaka, me mbishkrimin e vet, i thotë qytetit edhe pse dhe si duhet ta mbajë mend; jo aq si rebelim ndaj vullnetit nënshtrues nga Roma, sa në funksion të së ardhmes, ose “kryengritjes së madhe që po përgatitej”. Në fakt, në maj të vitit 1941, askush nuk po përgatiste asnjë “kryengritje të madhe” në Shqipëri.
Mënyra që pat zgjedhur regjimi, për ta ushqyer memorien e këtij atentati, është duke i dhënë atij një vend në topografinë e qytetit. Ndryshe nga ngjarjet, të cilat kalojnë sakaq nga e tashmja në të kaluarën dhe fillojnë të harrohen ose të rishkruhen nga kujtesa individuale ose kolektive, vendet nuk ndikohen aq lehtë nga rrjedha e kohës – janë dhe mbeten aty, pavarësisht nga marrëdhënia domethënëse ose jo që vendosin me ngjarjet. Vasil Laçi do të ketë pasur arsyet e veta, që zgjodhi atë vend për ta qëlluar perandorin; një prej tyre, është se Perandori ishte njëfarësoj i detyruar të kalonte nga Rruga e Durrësit, dhe jo nga Rruga e Dibrës apo e Elbasanit. Po ashtu, qytetarët kishin dalë ta përshëndesnin Perandorin në të dy anët e kësaj rruge, çfarë edhe ia bënte më të lehtë Vasilit që të afrohej dhe të maskohej në mes të njerëzve. Asnjë nga këto rrethana nuk është domethënëse, për atentatin; prandaj ankorimi i tij, pas vendit ku ndodhi, i detyrohet propagandës dhe ka, në thelb, natyrë irracionale, madje magjike.
[1] Doan Dani, Sakralizimi i politikës në Shqipërinë Komuniste (1944-1991), Pika pa sipërfaqe, 2024.
[2] Po të shohim kuptimet që mbulon sot mbiemri i shenjtë në shqipe, do të vërejmë se aty shkrihen kuptime të dy mbiemrave të italishtes, santo dhe sacro, të cilëve u përgjigjen mbiemrat sanctus dhe sacer të latinishtes. Në italishte santo dhe sacro kanë megjithatë përdorime të ndryshme, të cilat pjesërisht i kanë trashëguar nga latinishtja e vonë. Për shembull, sacro i referohet eksperiencës së një realiteti krejt të ndryshëm, ndaj të cilit njeriu ndihet inferior, njëkohësisht i tmerruar dhe i mahnitur; në Romën e lashtë sacer i kundërvihej profanus, për të shënjuar çfarë i përkiste Hyut dhe çfarë jo. Nga ana tjetër, sanctus vjen etimologjikisht nga sacer dhe sot priret të shënjojë një atribut të Hyut, veçanërisht në Krishterim. Duket sikur sacer lidhet me një koncept më të hershëm të marrëdhënieve të Zotit me njeriun; dhe gjendet, si rrënjë, edhe në emrin sacrificium. Shqipja e teksteve të vjetra fetare e ka pasur një fjalë për sacer, të dallueshme nga i shenjtë: edhe Buzuku, edhe Bardhi edhe Bogdani kanë i shëkruem, që të çon te një folje me shëkrue it. consacrare. Sot e kësaj dite, kjo folje ka mbijetuar si shuguroj, me kuptimin “shenjtëroj” – por lidhja me sakrament, sakrificë dhe me vetë kuptimin bazë të sacer ka humbur (nëse ka ekzistuar ndonjëherë në shqipe). Kjo shuguroj jeton sot si performativ, duke iu referuar “shenjtërimit” ose “konsakrimit”, si akt formal – pa e përçuar idenë e sacer. Megjithatë, nëse fjala sacer dhe kuptimet e saj bazë të diçkaje të ndarë veç, që i përket një fuqie më të lartë dhe që ngjall njëherazi admirim dhe tmerr nuk ka vazhduar të përdoret në shqipe, kuptimet vetë janë ruajtur duke marrë veshje të tjera leksikore dhe kulturore.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Ky shkrim është pjesë e një cikli shkrimesh nga Ardian Vehbiu synon të ilustrojë si identiteti personal dhe kolektiv, kujtesa dhe trashëgimia e së shkuarës totalitare të Shqipërisë ndërthuren dhe ndikojnë mbi të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Seria e shkrimeve do të botohet si kolanë speciale e revistës Peizazhe të Fjalës.
Mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autorit dhe në asnjë rast, nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse.