Më ka tunduar gjithnjë ngjashmëria mes pllakave përkujtimore dhe shenjave të ngjashme të vendosura në hapësirën publike – të tilla si barelievet, lapidarët dhe bustet a përmendoret e kushtëzuara nga vendndodhja – dhe varreve. Në kulturën shqiptare varri vjen me një mori kuptimesh dhe shtresimesh kulturore, por mua këtu më intereson funksioni i tij si orientues i hapësirës a i gjeografisë kulturore – tek e fundit ka gjithnjë arsye pse dikush është varrosur këtu dhe jo atje; dhe funksioni tjetër, si stabilizues i kalendarit. Në një pllakë varri standard sot do të shënohen emri i plotë i personit të varrosur dhe vitet kur jetoi; sipas rastit, do të vendoset atje edhe një foto dhe do të shtohen elemente të ndryshme ornamentale, duke përfshirë thënie, citate, zbukurime, gdhendje, barelieve deri edhe statuja, rregullime lulesh e kështu me radhë. Por nëse këto të fundit më shumë flasin për marrëdhënien e të afërmve a ndërtuesve të varrit me të vdekurin, emri dhe mosha e identifikojnë këtë për këdo, si një antenë që transmeton të njëjtin mesazh në eter.
Regjimi totalitar gjithnjë u kujdes për t’i krijuar dhe pastaj mirëmbajtur dhe sidomos normalizuar ato që i quante “varrezat e dëshmorëve”; dhe ishin vendosur eshtrat kryesisht të së rënëve gjatë Luftës II Botërore, të përzgjedhur sipas një kriteri rreptësisht ideologjik.[1] Ndryshe nga ç’ndodhte në një varrezë të zakonshme, si ajo e Kombinatit, ku çdo familje ishte e lirë të ngrinte varrin në atë formë që dëshironte, në varrezat e dëshmorëve varret ishin të uniformuara, si ushtarët në paradë: të organizuar në radhë dhe kolona të rregullta, ndiqnin të njëjtin dizajn dhe jepnin të njëjtin informacion për personin përkatës. Prania nën strukturë e eshtrave të një personi – në thelb, e indit organik të identifikueshëm – i jepte varrit një legjitimim që shkonte përtej lapidarit ose përkujtimores çfarëdo, nëpërmjet një fetishizimi të eshtrave që e lidhte praktikën laike të përkujtimit me praktika të tjera, duke filluar nga ajo e trajtimit të mbetjeve të shenjtëve, në fenë e krishterë.
Varrezat e dëshmorëve shërbenin si central i sakralizimit; ose si bateri ku prodhohej energjia e kapitalit simbolik, që i duhej regjimit jo vetëm për të mbajtur të gjallë të shkuarën, karshi së tashmes, por edhe për të shpërndarë privilegjet në masën e njerëzve; me mijëra familje (“familje dëshmorësh”) jetonin me këto privilegje dhe përfitonin prej tyre, duke i përdorur të vdekurit si konstante në ekuacionet e statusit biografik.
Ky model, i një të shkuare të sanksionuar edhe në gjeografi dhe me tekst të gdhendur në gur, zbatohej pastaj edhe në hapësirën urbane; ku shumë rrugë e rrugica, shtëpi dhe vende të tjera, të identifikueshme gjeografikisht dhe kartografikisht, i shërbenin së djeshmes për të sunduar mbi të sotmen, tendencialisht duke i shndërruar disa zona të qyteteve në varreza të historisë; jo në kuptimin se aty kish vdekur kjo apo ajo ngjarje historike, por sepse vdekja e kish sanksionuar si të vërtetë.
Si hapësirë me relevancë historike, Tirana ishte dhe pjesërisht edhe mbetet produksion i një rendi politik, ideologjik dhe kulturor me fillimet në Rilindjen Kombëtare, por të konsoliduar gjatë viteve të regjimit totalitar, 1945-1990, kur qytetit iu mbivendos një hapësirë simbolike e sakralizuar, e nevojshme që regjimi vetë të funksiononte dhe të riprodhohej – për shembull, nëpërmjet ritualeve të ditëve përkujtimore dhe të festave. Por kjo nuk i ka penguar qytetarët që të vazhdojnë, me mënyrat e tyre, ta prodhojnë ata vetë – jashtë ideologjisë sunduese – hapësirën e qytetit ku jetojnë; siç ka ndodhur me ruajtjen këmbëngulëse të disa emrave të vjetër të vendeve (odonime), të tipit “rruga e Fortuzit”, “Zogu i zi”, “rruga e Kavajës”, “rruga e Bogdanëve”, “Varri i Bamit”, etj., të cilat edhe ato projektojnë mbi Tiranën qytet një hapësirë të tyre simbolike, jo vetëm pa lidhje me atë që synonte dhe kish realizuar regjimi i Hoxhës, por edhe sfiduese ndaj saj, aq sa ç’mund të jetë sfidues një qytet që i kundërvihet kryeqytetit parazitues mbi të.
Kjo i jep shpjegim, besoj, edhe mbijetesës së emërtimit “ish-radio Tirana”, që i mbeti bashkëlidhur rrugës Kont Urani dhe mëhallës sime; ngjashëm me emërtime të tjera me -ish, të tilla si “ish-Ekspozita Kineze”, “ish-Pallati i Pionierëve”, “ish-gazeta Hosteni”, “ish-Lidhja e Shkrimtarëve”, të gjitha shenja të një hapësire urbane që tashmë nuk ekzistonte më, përveçse kur prodhohej në memorien e qytetarëve, ose në hartat e ruajtura – dhe të riprodhuara – në mendjet e tyre; çfarë mund të shërbejë edhe për të provuar se qytetarët nuk jetojnë ekzaktësisht në të njëjta koordinata kohore dhe hapësinore, pavarësisht nga kronologjitë dhe kalendarët. Mbaj mend që kish banorë të Tiranës që i referoheshin ndërtesës së Lidhjes së Shkrimtarëve te rruga e Kavajës si “Progresi teknik”, për shkak të një institucion që kish qenë vendosur atje përkohësisht në vitet 1960; siç kishte banorë – përfshi këtu edhe tim atë – që i referohej një zone te rruga e Elbasanit si “Libri sovjetik”. Për tiranasit e viteve 1960, vendi në sheshin “Skënderbej” ku u vendos në 1968 monumenti i Gjergj Kastriotit mbeti për një kohë të gjatë i njohur si “Te Stalini”.
Këto emra vendesh që kanë qenë por që sot nuk janë, njëlloj si imazhet në fotografitë, funksionojnë edhe si varre ndërtesash dhe selish të ndryshme, që për një arsye a një tjetër kanë qenë relevante për qytetin; sepse atje ruhet esenca e amshuar e ndërtesës vetë. Radio Tirana mund të jetë zhvendosur me lehtësi te një seli tjetër, por ish-Radio Tirana është sakralizuar tashmë, në rolin e saj si ndërtesë simbolike në historinë e një lagjeje dhe ndoshta të qytetit vetë; dhe jo ngaqë banorët e atjeshëm kishin ndonjë marrëdhënie të posaçme me institucionin e radios, por thjesht ngaqë ai institucion e dallonte rrugën dhe mëhallën nga rrugë dhe mëhalla të tjera të ngjashme, duke e identifikuar me një aktivitet unik që kryhej atje. Në këtë kuptim, kur një institucion si Radio Tirana zhvendoset gjetiu, ai lë pas zhguallin e vet, që qytetarët të vazhdojnë t’ia përdorin për orientim dhe identifikim. Po të duan.
Qytetin mund ta kundrosh si strukturë statike, si zhguall të banuar nga qeniet e veta, qytetarët, dhe të tillë që të mund të identifikohet dhe të funksionojë si qytet vetëm në masën që nuk ndryshon, që mbetet i barabartë me veten. Madje qytetarët vetë i kundërvihen çdo ndryshimi të planimetrisë së qytetit të tyre, sepse e përjetojnë edhe si atentat ndaj identitetit të tyre, individual dhe kolektiv. Për ta pranuar këtë, mjaft të mendojmë për indiferencën me të cilën i përcjellim lajmet për ndryshime të mundshme në qytete të tjera – dhe që zakonisht na dëgjohen si gjëja më normale. Në fakt, ndryshimi i qytetit është jo vetëm i pashmangshëm, por edhe i natyrshëm – dhe duhen përpjekje titanike, si ato që bëhen me qendrat historike të qyteteve kulturorisht dhe arkitekturisht të çmuara të Europës, për t’i mbajtur gjërat “siç kanë qenë.”
Në rrugën time Kont Urani nuk është vetëm Radio Tirana, që ka lënë pas zhguallin e vet, për t’u zhvendosur gjetiu; në krahasim me fëmijërinë time, shumëçka tjetër sot nuk gjendet më – shtëpitë janë prishur ose janë duke u prishur, familjet janë larguar dhe disa pak struktura që kanë mbijetuar – si Heminguej – sot funksionojnë kryesisht si shenja të vetvetes. Edhe sheshi që e ndan rrugën nga shpina e Ministrisë së Arsimit nuk është më i njëjti. Në brendësi të mëhallës, pallatet e reja kanë modifikuar pamjen e horizontit dhe të qiellit: nga ballkoni i shtëpisë sime, në kat të dytë, jo vetëm që Dajti ka kohë që nuk duket më, por edhe minaresë së xhamisë Dine Hoxha i duket vetëm maja. Natën duket sikur deri edhe yjet kanë ndërruar vend. Te rrugica ime shumë familje kanë ikur, madje ka deri edhe porta që janë muruar, teksa era e luleve përzihet me atë të plehrave dhe të kockave të djegura. Të njohurve të dikurshëm, banorëve që i shihja përditë edhe kur nuk ua dija emrat, tani ua identifikoj shtëpitë që kishin duke i vendosur etiketa boshllëkut, si të isha duke u shkruar emra rrasave të varreve.
[1] Shih për këtë temë Doan Dani, vep. cit., kapitulli Dinamika të kultit, 4.1. Kulti i heroit të luftës, ff. 181-189, ku gjenden referenca të shumta edhe drejt studimeve paraprijëse.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Ky shkrim është pjesë e një cikli shkrimesh nga Ardian Vehbiu që synon të ilustrojë si identiteti personal dhe kolektiv, kujtesa dhe trashëgimia e së shkuarës totalitare të Shqipërisë ndërthuren dhe ndikojnë mbi të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Seria e shkrimeve do të botohet si kolanë speciale e revistës Peizazhe të Fjalës.
Mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autorit dhe në asnjë rast, nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse.

Shume e trishtuar.