nga Ardian Vehbiu
Kur jam në Tiranë dhe kaloj përbri Kont Uranit pothuajse përditë, dua të thërras në përfytyrim pamjet e dekadave më parë, kur këtu ende jetonin komshinjtë e mi, familje me plaka, teze dhe nuse, fëmijë që luanin në oborret, erë specash të skuqura por edhe vajguri të djegur keq nga furnelat; megjithë rrëgjimin, ka mbetur një farë hijeshie tek-tuk, madje edhe në vende të cilave dikur u mungonte; një derë paska qenë me hark, një shkallare me konfiguracion gati kubist, një çati së cilës nuk i qenka prishur rreshti i tjegullave, paçka se dhoma poshtë është mbytur në qese plastike mbeturinash, si të shpërthyera lart nga dheu. Pak më tutje, nga një shtëpi e tërë dykatëshe, që e mbaj mend të mbushur me qiraxhinj dhe zhurmë gjellësh, ka mbetur në këmbë vetëm fasada, e thjeshtë dhe dy-përmasore, me zgavrat e dritareve si të prera me gërshërë; dhe me një ballkon minimal, ku tani mbështillen, si gjarpërinj, degët e pemëve të egra. E kisha fotografuar gati 12 vjet më parë, që atëherë me shqetësimin se fasada jetime do t’u shembej mbi kokë kalimtarëve; por ja, atje është akoma, duke i pasë mbijetuar edhe tërmetit të para 4-5 vjetëve, që nxori jashtë përdorimit ndërtesa deri edhe të dinjitetit dhe kalibrit të Galerisë së Arteve, në qendër.
Ato shtëpi unë ashtu i kujtoj edhe nga fëmijëria dhe rinia ime, me shenja të plakjes së parakohshme, njolla të lagështisë, zhvoshkje të suvasë dhe të tjera rrjepje të pahijshme. Shteti ua kish marrë pronarëve të dikurshëm dhe ua kish dhënë të tretëve me qira, mbase edhe duke i ndarë me mure çfarë kishin qenë hapësira të bollshme brenda vilave, duke prishur shkallare dhe duke ndërtuar dyer atje ku nuk kish pasur veçse kalime të lira. Gjyshja ime, me motrën e saj dhe të ëmën, jetonin në një banesë të ngjashme, në rrugën e Kavajës, mu përballë vilës së Radio Tiranës, atje ku sot gjendet “Hotel Vila 1928”; u kishin dhënë për banim katin e dytë të vilës, ku thuhej se në kohën e Luftës kish banuar Drejtori i Bankës Turke. Shtëpia ish djegur gjatë një bombardimi anglez dhe në dyshemenë e sallonit kish mbetur gjurma e errët që kish lënë një kolltuk në flakë; më pëlqente jashtëzakonisht ajo gjurmë katrore dhe madje e përfytyroja edhe drejtorin turk kapitalist barkmadh me puro, të zhytur atje, katatonik dhe indiferent ndaj zjarrit. Të gjitha këto shtëpi duhet të kishin qenë dikur të hijshme, në mos të bukura; atje banonte ajka e kryeqytetit të mbretërisë dhe pastaj të Shqipërisë së pushtuar; më kujtohet një fqinjë e gjyshes, teze N. siç e quanim të gjithë, të cilën e doja shumë; grua e një tregtari të pasur, të cilin pastaj e kishin burgosur dhe torturuar për t’i marrë florinjtë, edhe atë e kishin nxjerrë – bashkë me katër fëmijë të vegjël – nga vila e madhe ku banonte, për ta hedhur në rrugë. Një tirons zemërmirë, të cilin ne e njihnim si Tata, kur e kish parë në atë gjendje, i kish liruar një dhomë minimale, në shtëpinë e tij prej qerpiçi; dhe atje i kish rritur teze N. fëmijët e vet; ngjitur me vilën ku kish jetuar dikur, dhe që tani ia kishin “marrë” familjet e afërta me pushtetin (mes tyre edhe një përkthyese e glorifikuar e rusishtes, në Radio Tirana).
Kur vinte për vizitë te gjyshja, teze N. vishej gjithnjë elegante, me rroba të zeza nga “koha tjetër”; mua më kujtohet një peliçe e zezë, e ndritshme, e një lloji që isha mësuar ta shoh në skenën e teatrit dhe në ekranin e kinemasë – peliçe të atilla vishnin gratë e armiqve dhe të tradhtarëve, të ministrave kuislingë dhe të atyre që “rripnin popullin”; me gjasë, i gjeje me bollëk edhe në vilat afër Radio Tiranës, edhe në valixhet e të pasurve të kryeqytetit që vendosën të largohen, ndonjëherë në panik, kur u mor vesh se atje po hynin forcat e Frontit. Ashtu i tregon këta njerëz filmi “Radiostacioni”, në panik, por edhe të veshur me sqimë, teksa protestojnë për fatin e tyre dhe u bien burive të makinave të rekuizitës, nervozë me trafikun e ngadalësuar. Këta janë pronarët e vilave të cilat pastaj u përfshinë në dekorin statik të Kont Uranit; ndërtesa që nuk bashkëjetonin lehtë me shtëpitë prej qerpiçi të tironsve dhe që vazhdonin, me gjuhë arkitektonike, atë luftë klasash që ua kish dëbuar pronarët, për të sjellë atje banorë të rinj. Pasardhësit e atyre pronarëve sot janë kthyer për t’i marrë në dorëzim trojet e tyre; dhe tani janë ish-qiraxhinjtë që protestojnë për fatin e tyre. Kjo betejë sado e ngadalësuar dhe sado e luftuar jo me tanke dhe mitralozë, por me tapi dhe prokura, ndoshta nuk ka lënë të vrarë si ajo tjetra, e Radiostacionit; por ka shkatërruar njëlloj, në mos më tepër. Vilat ndërkohë janë ende aty, edhe pse të pabanuara dhe, në thelb, të pabanueshme; për shkak të dëmtimeve, shqepjeve dhe shembjeve, ato sa vijnë e shndërrohen në elemente skenografie dy-përmasore, si trompe-l’œil që vetëm sa krijojnë efektin e një hapësire brenda. Aq sa të vjen të dyshosh se hijeshia dhe eleganca e tyre, që me siguri e kanë pasur, janë edhe ato efekt skenografik i synuar, që krijon një të kaluar imagjinare, për romantikët e apasionuar pas Tironës dikur.
Shesh xhirimi, vërtet, Kont Urani i sotëm; madje edhe më i përshtatshëm se ai që u pat gatitur për “Radiostacionin”, në vitin 1978; sepse atëherë një pjesë e skenografisë u desh sajuar nga artistët, me karton e kompensatë, ndërsa sot gjithçka është gati; për ndonjë film mbase për epopetë e tërbuara në mos të marrjes së Berlinit në 1945, të paktën të luftës ruso-ukrainase, në mëhallat e rrugicat e ndonjë qyteti të humbur në vijën e frontit. Çfarë artilerie ka goditur këtu? Çfarë tanku ka çarë rrugën mes për mes? Çfarë bombash kanë shpërthyer? Çfarë zjarresh janë lejuar të bëjnë shkrumb gjithçka? Çfarë dronësh kanë fluturuar sipër? Apo shesh xhirimi i katandisur në shesh ndërtimi?
Thashë që sa herë jam në Tiranë dhe kaloj përmes saj, rruga “Kont Urani” më duket si film set: vetëm kamerat mungojnë. Te sheshi “Bukureshti”, që dikur ishte fusha jonë e improvizuar për futboll, shkopa cinglash dhe lojëra të tjera, tani janë derdhur karriget dhe tavolinat e bareve dhe të kafeneve rreth e rrotull, si vende ku njerëzit rrinë. Ai shesh ashtu ka qenë, gjithnjë i gjerë dhe absurd, i rrethuar me qerpiç, bahçe ndonjëherë të degraduara dhe dyqane çerturinash; absurd, sepse nuk i kuptohej funksioni urbanistik. Nuk ia dinim emrin, e quanim thjesht sheshi (kur nuk e quanim, edhe më thjesht, rruga). Merrte ndonjëherë jetë ditëve të zgjedhjeve, kur të parët e lagjes dilnin artificialisht me kostume dhe u buzëqeshnin votuesve, nën tingujt e çjerrë të muzikës popullore; votimi, siç e mbaj mend unë, bëhej te kopshti pa drekë, në rrugën Mihal Duri, ku edhe unë kisha shkuar ca pak javë; prandaj akti i votimit më kthente mbrapsht në fëmijëri, dhe m’i bënte më të pranueshme detyrimet për të ndenjur në rresht dhe për të zbatuar, jo pa entuziazëm, komandat e mbikëqyrësve të procesit (vetëm të mbaronte!). Por në shesh, nga ditë votimi tek tjetra, nuk ndodhte pastaj asgjë, edhe pse vetë hapësira induktonte suspense dhe sikur ftonte të prisje që diçka të ndodhte. Kalamajtë luanin futboll, ndonjëherë me porta të shënjuara me çanta shkolle dhe xhupa; e ndalonin lojën kur qëllonte të kalonte ndonjë makinë. E çuditshmja këtu ishte se sheshi nuk ishte përftuar nga ndonjë demolim a sheshim; atje kish qenë gjithnjë, alopeci e lindur e mëhallës, më shumë tokë e askujt, se vend publik; dhe me këtë karakteristikë, nuk përfshihej dot në “sheshin e xhirimit” virtual.
Përndryshe, rrugës “Kont Urani” dhe sheshit vetë tani i mungojnë dhimbshëm fëmijët. Siç i mungon edhe rutina e dikurshme, sado modeste, e këmbimit të rregullt të orëve të kaluara përjashta, me orët e kaluara në shtëpi. Aso kohe – dhe flas për vitet 1960 – mëhalla ishte e gjitha e orientuar, të paktën gjatë ditës, për nga furra e pjekjes. Furrxhiu, një burrë gjithnjë i zemëruar dhe flakë i kuq në fytyrë për shkak të temperaturës, jepte e merrte me një lopatë të gjatë, për të futur dhe nxjerrë tava në furrë, dhe për t’u ndërruar vendet. Kur e shpije tavën, ai ngulte aty një copë teneqeje trekëndëshe, me një numër të stampuar; të cilin pastaj e kopjonte te dëftesa e lyrshme që të jepte. Në raftet e ngushta përbri mund të shihje tavat që kishin sjellë të tjerët, dhe që tani ishin gati për t’u ngrënë: nuk di pse, por ato tava gjithnjë më dukeshin si të pangrënshme, dhe nuk kisha asnjë tundim që të merrja ndonjërën me vete në shtëpi, “gabimisht”, në vend të sonës. Zhapat e rreshkura në zjarr mezi mbulonin ndonjë femur masiv kau a dashi; ndoca pak patate të nxira në anë; speca të shfryrë, pse të mbushur vetëm përgjysmë; domate që pikonin gjak; llahtaria e një koke dhie, me syrin të çakërryer e me dhëmbë të shtrembëruar; gjela oborresh me qafat e kuqe tullë, të spërdredhura nga torturat e flakëve; sheqerpare butaforike, si pllakëza druri; patëllxhanë peshq të ngordhur, ndoshta edhe peshq patëllxhanë të ngordhur. Mëhalla ishte ende e varfër, por e mbante kokën lart; dhe furra, çfarëdo që të thoshe për produktet që hynin e dilnin, të hapte oreksin me aromat. Kur furrxhiu e fikte zjarrin dhe e mbyllte lokalin, dikur nga 5-a e pasdites, sheshin e përfshinte një si pikëllim; dhe aq më keq po të ish ditë me shi, ose kur errej shpejt.
Edhe vetë emri i këtij personazhi – furrxhi – kombinonte një temë shqipe (furrë) dhe prapashtesën -xhi, të profesioneve, që kish ardhur në gjuhën tonë me një numër të madh fjalësh turke, por që ish bërë pastaj tek-tuk produktive, duke iu bashkuar edhe temave jo-turke, për të formuar fjalë hibride, si hekurxhi, shkresaxhi, mullixhi, plehraxhi, arixhi, trapaxhi, rrëmujaxhi, poterexhi, fshesaxhi, lustraxhi, qerrexhi, sharrëxhi, biçikletaxhi, akullorexhi – fjalë të brezit të dytë, të dala nga nevoja praktike. Kjo veti, e të qenit njëherazi pjesë e të dy bashkësive gjuhësore, i bënte fjalë të tilla mishërime të liminales, si të përftuara atje ku të dy gjuhët, shqipja dhe turqishtja, ishin përpjekur të linin “fëmijë”. Liminaliteti i kalonte pastaj edhe personazhit, furrxhiut që mishëronte një stil të jetuari në komunitet të varur pezull midis amvisërisë shtëpiake dhe shërbimit publik. Askush nuk do të guxonte ta quante furrtar, sepse furrtarët ishin të romaneve të realizmit socialist, ndërsa furrxhiu do të mbetej yni, derisa t’ia mbyllnin furrën.
Me të rënë muzgu, në mëhallë nuk do të mund të xhiroje më – llambat e rralla mezi e pikonin dritën dhe kalimtarët ndryshonin shpejtësinë e hapit. Në dimër, melankolinë e lajmëronte era e tymit të sobave; por ngushëllimin mund ta gjeje gjithnjë, duke soditur Dajtin ende e kaltër, por të përgjumur. Tani Dajti nuk duket, sepse duken pallatet; dhe tymin e sobave e ka zëvendësuar duhma, herë-herë e largët, e plehrave që digjen. Vjen mbrëmja dhe njerëzit fillojnë të mblidhen te Bar Hemingway, në gjysmerrësirë; në verë projektori i barit shfaq filma vintage te muri përballë, si për të konfirmuar historinë në vazhdim të kësaj mëhalle me filmin d’auteur.
Rruga vetë tani shërben edhe si vijë fronti, për luftën mes Tiranës së vjetër të qerpiçit, dhe qytetit nesër, me pallate, parkime dhe komshinj të rinj. Në kafenetë e ditës shtohen juristët, përkthyesit, noterët dhe pronarët, të rinj e të vjetër; flitet lirshëm për tapi dhe shitblerje dhe kontrata dhe leje ndërtimi; ankimime dhe përmbarime. Vendoset e ardhmja e së djeshmes. Edhe tërheqja graduale, por e pandalshme, e pikave të shitjes së rrobave të përdorura dhe pirgjeve me këpucë, atlete e pantofla plazhi, më parë nga trotuarët pastaj edhe nga zgëqet e pabanuara anës rrugës, ta forcon ndjesinë e një beteje që ndërkohë disi po zhvillohet, përtej horizontit tënd të perceptimit. Pastaj ti kthen kokën pa dashur dhe vëren se edhe gërmadhat janë shtuar, kushedi gjatë natës, dhe të duket sikur po të fillosh të rrëmosh, mes mureve dhe çative të shembura, mund të gjesh trupa të vdekurish, viktimat e një dhune përndryshe sekrete.
Në Google Maps (kontrolluar së fundi më 21 tetor 2024), rruga Kont Urani është shënjuar edhe si “Rruga e Mimozave”; një emër pak kitsch, por që të paktën kuptohet më mirë se Kont Urani, personazh i historisë mesjetare pa lidhje me Tiranën. Të paktën mimozat janë aty vërtet, dhe rriten vit pas viti, duke ofruar hije të bollshme për kafetë. Po te Google Maps, ndërtesa e vjetër e Radio Tiranës është emërtuar si “Ish-Radio Tirana e Vjetër”, me një overkill fjalëformues, që sikur të sugjeron se tani ka një tjetër “Radio Tirana e Vjetër”, që e ka zëvendësuar të parën. Por, të paktën, pleonazmi arrin të shprehë moshën jo vetëm të vilës, por edhe të emrit të saj shëtitës.
© 2024 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Ky shkrim është pjesë e një cikli shkrimesh nga Ardian Vehbiu synon të ilustrojë si identiteti personal dhe kolektiv, kujtesa dhe trashëgimia e së shkuarës totalitare të Shqipërisë ndërthuren dhe ndikojnë mbi të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Seria e shkrimeve do të botohet si kolanë speciale e revistës Peizazhe të Fjalës.
Mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autorit dhe në asnjë rast, nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse.