nga Bardhyl Demiraj
Me këtë titull i përcjellim lexuesit sado thukët objektin e shkrimit tonë, ndërsa synimin që sendërtojmë në të lejohemi ta sythojmë paraprakisht me do sqarime të rastit: Prashtu duam thjesht dhe vetëm të përditësojmë lexuesin me etimologjinë si disiplinë ase nëndisiplinë e veçantë që ngërthen spektri studimor i gjuhësisë diakronike, përkatësisht i leksikologjisë historike të gjuhës shqipe në tërësinë e vet së bashku me kriteret e punës shkencore që i sigurojnë asaj këtë status në kohën tonë. Vijojmë të ecim kështu në një hulli të mirënjohur në historinë e albanologjisë, parë kjo si shkencë komplekse rajonale e që ravijëzon si e tillë natyrën empirike-zbatuese të kërkimit shkencor – në rastin tonë – gjuhësor-diakronik, duke iu përshtatur herët a vonë gjithë atyre zhvillimeve që ka përjetuar dhe përjeton në vazhdimësi qoftë baza teorike ashtu edhe aparati i saj metodik. Janë bash kjo bazë dhe ky aparat, ku jemi fokusuar më fort në këtë shkrim, gjë që na lejon të bëjmë sa të dukshme aq edhe bindëse gjithë ato ndryshime që janë përftuar me kohë dhe ndërkohë në qasjet ndaj etimonit të fjalës shqipe, çka parakupton njëherësh njohjen dhe miratimin e nevojshëm të rezultateve të hulumtimit etimologjik bashkëkohor.
Asgjëmangut, në emërtimin terminologjik të zgjeruar ‘etimologji shqipe’, bashkëjeton specifikja: (gjuha) shqipe me të përgjithshmen: etimologjinë, e cila në kohën tonë mëton statusin e saj po aq specifik si “shkenca mbi prejardhjen, kuptimin themelor dhe shndërrimin (semantik e formal) të fjalëve të veçanta [në një gjuhë – B.D.], sikurse mbi lidhjet e tyre farefisnore me fjalë të të njëjtit burim në gjuhë të ndryshme [indoeuropiane – BD].”[i] Prej këtij përkufizimi tejet të thjeshtëzuar[ii] mësojmë së paku që objekti i hulumtimit të kësaj disipline gjuhësore jet dhe mbetet ‘fjala’ e në një kuptim kolektiv ‘leksiku’ si tërësi e fjalëve të veçanta në një gjuhë të caktuar, në rastin tonë të shqipes. Njohja dhe mirënjohja e kësaj ndërlidhnie qenësore midis fjalës dhe kuptimit të saj burimor lejon tash t’i anashkalojmë pa vrasamendje gjithëfarë mëdyshjeje ndaj përkatësisë (ose jo ?) të ‘etimologjisë’ si disiplinë apo nëndisiplinë e ‘leksikologjisë’ (së gjuhës shqipe), parë kjo edhe si shkencë diakronike, që plotëson kuadrin e gjuhësisë historike të shqipes. Përndryshe zbërthimi i mëtejshëm i strukturës fjalëformuese dhe me motivacionin burimor përkatës, d.m.th. i vetë emërtimit të pazgjeruar: shq. etimologji si fjalë-term ndërkombëtar prej gr.vj. ἐτυμολογία /etymología/, fjalë kjo e përbërë prej (gr.) λογία /logía/ “shkencë” dhe (gr.vj.) το ἔτυμον = /to étymon/ “etimon”, na kumton natyrshëm përbërësit e saj burimorë që janë mbiemri (gr. vj.) ἔτυμος /étymos/ “i vërtetë, i mirëfilltë” në rolin e përcaktorit të emrit gr.vj. λόγος /lógos/ “fjalë, kuptim” si gjymtyrë kryesore brenda sintagmës së përcaktuar prej tij. Falë këtij zbërthimi jemi tash në gjendje të këqyrim edhe detyrat me syzimin themelor të hulumtimit etimologjik në periudhën e mesjetës deri thellë në antikitet, kur – fillimisht te stoikët (Chrysippos) – ky term njihej dhe këqyrej si “shkenca e kuptimit të mirëfilltë (burimor) të fjalëve”, që vjen me thënë “e përmbajtjes së vërtetë [d.m.th. burimore] të një fjale”[iii].
Mjafton tash një përqasje sado e përciptë e dy përkufizimeve të cituara më lart me ngjëruar mirakandshëm ato ndryshime thelbësore që ka përjetuar hulumtimi etimologjik prej periudhës së antikitetit deri në kohë tonë. Si sinor orientues shërben edhe në këtë rast, si gjithkur në gjuhësinë diakronike, fillimi i shekullit XIX, i cili dallon me pak a shumë siguri dy faza zhvillimi edhe në trashëgiminë e hulumtimit etimologjik: I. periudhën para fillimeve të shekullit XIX, e ashtuquajtur kjo si ‘parashkencore’, kundrejt II. të mëpasshmes, asaj ‘shkencore’, e cila gëzon sot e gjithë ditën zulmën e seriozitetit shkencor-intelektual. Pa dashur të ndërkallim patjetër shenjën e kundërvënies ndërmjet këtyre koncepteve me emërtime disi jofatlume, e sidomos joetike, sa i përket përcaktorit ‘parashkencor’, që vjen me thënë ‘joshkencor’ (kundrejt atij ‘shkencor’), lejohemi të shpejtojmë me qetësuar gjakrat ndër lexuesit potencialë të këtij shkrimi, se cakun kohor të kësaj kundërvënieje e tumir në instancë të fundit lindja dhe konsolidimi në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIX i ‘gjuhësisë historike-krahasuese’ – e përfaqësuar më së ploti me indoeuropianistikën –, çka kushtëzoi ndryshimin cilësor të paradigmës së kërkimit shkencor edhe në hulumtimin etimologjik, përkatësisht pajisjen e tij me një aparat të cemtë e gjithnjë drejt përsosjes në metodat e kërkimit gjuhësor.
Prashtu ndërsa në antikitet, sikurse edhe në mesjetë, qëmtimi i kuptimit “të vërtetë, të mirëfilltë” të fjalëve i përshtatej kryesisht kërkimit drejt “thelbit të qënies dhe burimit të sendeve”, që shënjonin fjalët në vetvete, lindja dhe konsolidimi i gjuhësisë historike-krahasuese, e cila fillimisht e perceptonte gjuhën si dukuri natyrore e më pas si akt njerëzor, e orientoi hulumtimin etimologjik në tjetër drejtim: tash ai përqendrohet kryesisht në shtjellimin e fazave të mëhershme pa dokumentim shkrimor në një gjuhë të caktuar, sindëkur, në rastin e familjes gjuhësore indoeuropiane, në rindërtimin e së ashtuquajturës gjuhë mëmë ‘indoeuropianishte’. Këtë aspekt pune dhe perceptimi e mësojmë më së miri në prurjet e Jakob Grimm-it, si njëri ndër bashkëthemeluesit e gjuhësisë historike-krahasuese, për të cilin qëllimi i kërkimit gjuhësor-historik është: “të çkopsisë atë ndërlikë të gjuhëve njerëzore e të hedhë dritë aty ku neve nuk na shpie asnjë histori e shkruar.”[iv]
Lidhur me hulumtimin etimologjik në fushë të shqipes vëmë oroe paraprakisht që të dyja këto faza, më saktë edhe faza e tij e parë është e dëshmuar relativisht mirë, ndërkohë që cakun kohor mes sish lejohemi ta zhvendosim me pak vullnet të mirë aty pranë, më saktë menjëherë pas gjysmës së shekullit XIX, bash në një periudhë kur shqipja u rrok seriozisht në fokusin e gjuhësisë së re historike-krahasuese, që vjen me thënë se erdhi e zuri vend përfundimisht në qerthullin e atyre gjuhëve dhe degëve gjuhësore që formëzonin së bashku ‘familjen gjuhësore indoeuropiane’.
Gjithsesi edhe në këtë fazë të dytë nuk është se hulumtimi etimologjik i gjuhës shqipe gëzon dhe shijon gjithherë – madje sidomos në mjediset ‘akademike alternative’ e sosh ‘turbo-albanologjike’ në kohën tonë (!!!) – vetëm frutat e Edenit albanologjik. Përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XIX e në vazhdimësi në shekullin e XX e deri në ditët tona, që i takojnë shekullit të ri, nuk ka munguar, sikurse nuk mungon një tjetër debat në diskursin intelektual, i cili u anashkalon me ose pa vetëdijen e të bërit shkencë prurjeve të albanologëve të mirëfilltë shqiptarë e të huaj që janë afirmuar me kohë dhe ndërkohë në gjuhësinë historike-krahasuese dhe indoeuropiane.
Përpjekja me klasifikuar këtë grupim tejet heterogjen premton sukses, vetëm në rast se mbajmë parasysh faktorin ‘kohë’, i parë ky gjithherë në ndërvarësi me paketën e interesave që ndjek një debatues qoftë brenda grupit që përfaqëson, qoftë thjesht në rolin e individit në veçanti. Prashtu bëjmë dallim p.sh. për synimet etimologjizuese në grup të një numri intelektualësh aktivë në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe fillimet e shekullit XX, të cilët rrokën tezën e pavërtetuar atë kohë lidhur me prejardhjen e përbashkët ilire, maqedonase dhe epirote të shqiptarëve, madje duke depërtuar deri thellë në rrënjët e burimit të tyre pellasgjik, i cili u vërtetuaka lehtë me bashkëlidhje ndër më të ndryshmet si-etimologjike, deri edhe në shpjegimin me material shqip të nomenklaturës së toponomastikës së lashtë në Ballkan e gjetkë, deri edhe në atë të mitologjisë greke antike (Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Sami Frashëri, Naim Frashëri, etj.). Këto përsiatje bëheshin atë periudhë në funksion me kornizën etnonacionale të programit politik-ideologjik të Rilindjes, d.m.th. me synimin e saj final të themelimit të shtetit nacional shqiptar, ndërkohë që prurjet e mëvonshme në këtë drejtim (Spiro Konda, Nermin Falaschi, etj.) kushtëzohen deri diku vetëm me formimin intelektual të njërit apo tjetrit autor.
Të tjera kushte dhe rrethana përjetojmë në kohën tonë, kur deduktime të kësaj natyre parakuptojnë në rastin më të mirë një fantazi të sëmurë disadrejtimëshe (Petro Zheji, Mathieu Aref e shumë të tjerë), aq sa është tejet e vështirë t’i trajtosh të gjithë bashkë në një grup, përpos emëruesit të përbashkët që askush nuk ishte/është i formuar në lëmenjtë e gjuhësisë historike-krahasimtare. Shkruesi i këtyre radhëve shpejton t’i referohet me këtë rast një rrëfimi të mëhershëm se ka hequr dorë prej çdo synimi a dëshire të mundshme me ndërmarrë një klasifikim të detajuar, sa i përket sidomos drejtimit antishkencor dhe antihistorik që synojnë debatet e natyrës ‘akademike alternative’ dhe ato ‘turboalbanologjike’ në dhjetëvjeçarët të fundit[v].
Pasi lamë e lyem vetëdijshëm ndërgjegjen para lexuesit për këtë qëndrim, le të vijojmë tash rrugëtimin tonë në shtjellimin e secilës fazë zhvillimi në hulumtimin etimologjik të gjuhës shqipe, pra duke iu përmbajtur dashur-padashur (vetëm) kundërvënies sado të pabukur, për të mos thënë të pagjetur, si: ‘parashkencore’ vs. ‘shkencore’.
Periudha parashkencore e hulumtimit etimologjik
Kjo periudhë karakterizon përgjithësisht të gjithë ata autorë që i janë përkushtuar sado skajshëm gjuhës shqipe e pa qenë patjetër gjuhëtarë albanologë. Madje nuk gabojmë aspak po të mëtojmë tash që interesi ndaj gjuhës shqipe përmban në vetvete qysh në zanafillë e thuajse në çdo rast atë komponent hulumtimi etimologjik që konfiguron gjithë këtë fazë, bash ashtu siç e përshkruam më lart, se si: qëmtimi i kuptimit “të vërtetë” të fjalëve i përshtatej kryesisht kërkimit të thelbit të qenies dhe burimit të sendeve, që shënjonin fjalët në vetvete. Dëshmitë e para na përshfaqen në këtë fazë në dokumentin më të hershëm historik që njohim deri sot, datuar më 1308, si i pari që na përcjell një imazh të plotë të matriksit të kulturës etnike shqiptare me përbërës themelor edhe gjuhën, e cila e dallon katërcipërisht këtë bashkësi me vendbanim në Dheun e Arbënit (Albania) prej simotrave fqinjë që flasin tjetër gjuhë. Lidhur me toponimin <Albania> autori anonim mëngon të shtojë edhe mendimin, pas gjase, mbizotërues në diskursin intelektual të kohës se si domethënia e tij me kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë *“Bardhësia” buron prej një dhuntie të natyrës gjenetike që gëzonte vetë bashkësia në fjalë, meqë banorët e saj lindin me “flokë të bardhë”, duke bërë kështu shoqërizim konceptual-logjik me lat. (m.) albus, (f.) alba “i bardhë”[vi]. Një rrugëzgjidhje e ngjashme, por e njëjtë në thelb, është edhe shpjegimi rreth katër shekuj e gjysmë më vonë i eruditit arbëresh Nikollë Keta (= Niccolò Chetta), sipas të cilit top. <Albania> bashkë me banorët e saj <albani> janë thjesht dhe vetëm ekuivalentë të emrave anas <Skip,-i> “Shqipëria” dhe <skiptari> “shqiptarët”, të cilët emërtonin atëbotë një krahinë të tërë etnografike me qendër kryesore urbane Shkodrën dhe banorët e saj. Këta dalloheshin e njiheshin gjithkund prej skep-it (shami koke arbëreshe) me ngjyrë të bardhë, që ishte karakteristik edhe në ato zona me emrin <skepe> (: /sképë/ f.), krahas variacioneve të saj në krahina të tjera si <chete> (: /kétë/) apo <chæse> (: /kézë/ “keza arbëreshe”).[vii]
Asgjëmangut, këto deduksione logjike-gjuhësore i kanë mposhtur motet dhe shekujt, duke u shfaqur herë pas here e rast pas rasti në mjedise të ngjashme gjuhësore-kontekstuale, si p.sh. në një pasazh të Akteve shqip të Kuvendit të Arbënit (Romë 1706), ku autori Visk Zmajevich i thur lavde Papë Albanit (Klementit XI) me rrënjë e degë shqiptare, si “…ndë Papë Arbëneshë qi latinisht do me thanë të bardhë” (KA 1706 f. 8), ndërsa më parë Frang Bardhi në fjalorin e tij, pasi ka latinizuar emrin e vet në titullin e veprës “Dictionarium latino-epiroticum per Franciscus Blanchum” (Romë 1635) firmos pa një e pa dy parathënien shqip të fjalorit, duke ripërkthyer në shqip variantin e latinizuar po prej tij, si: “Frangu i Bardhë” (fol. Vv).
Aradha e autorëve aktivë të kësaj periudhe, shqiptarë e të huaj, që në veprat e tyre synojnë të depërtojnë deri në kuptimin “e vërtetë”, të mirëfilltë, pra në burimin e thelbin e fjalëve, është e gjatë, tejet e gjatë. Për të dhënë një plotësi të saj do të ishim të detyruar të kalonim në revistë prurjet e të gjithë atyre që janë fokusuar në veprat e tyre në përshkrime, ngjarje e kërkime historike që kanë të bëjnë me Shqipërinë, shqiptarët dhe gjuhën e tyre, të tillë si: Marin Barleti, Marin Biçikemi, Pjetër Mazreku, Gottfried Wilhem Leibniz, Gjergj Guxeta, Nikollë Keta, Johann Thunmann, Engjëll Mashi, Karl Ritter von Xylander, Johann Georg von Hahn e shumë e shumë të tjerë. Duke qenë se e gjithë kjo aradhë autorësh që feksin me hulumtimet dhe përsiatjet e natyrës etimologjike në gjuhën shqipe është vështirë të rroket në detaj në kuadrin e një shkrimi, lejohemi, qoftë edhe për arsye të mospërsëritjes, të referojmë lexuesin te shkrime të mëparshme në faqet e kësaj reviste[viii], ku jemi marrë hollësisht me koncepcionin dhe prurjet e filozofit dhe enciklopedistit të njohur gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz (1.7.1646 – 14.11.1716) në studimin historik dhe etimologjik të gjuhës shqipe, i cili përfaqëson njëherësh autoritetin intelektual në Perëndim që bëri emër të madh në kohën e vet edhe si etimolog i spikatur e si i tillë përcaktoi dhe saktësoi metodat dhe qëllimin e studimit etimologjik, që ishte qëmtimi dhe klasifikimi i fondit burimor, parë ky si dhunti hyjnore, në leksikun e gjuhëve njerëzore.
Kalojmë kështu natyrshëm në fundin e kësaj periudhe, kur hulumtimi etimologjik vjen e përballet gjithnjë e më fort me një detyrë aspak të lehtë, siç ishte dallimi i fondit të trashëguar prej atij të huazuar në një gjuhë, çka lejonte të depërtohej thellë e më thellë në prejardhjen e gjuhëve dhe të bartësve të saj. Sa i përket shqipes, si gjuhë me dokumentim shkrimor jo më të hershëm se shekujt XV-XVI ishte pikërisht Leibniz-i i pari që pikasi këtë kërkesë si premisë metodike, kur shkruan se do të ishte mirë të dallohej në shqipen, çfarë i takon, prej asaj të huazuar ndërkohë që në letrën e mëparshme mëton një numër të madh latinizmash, por pa hyrë në hollësi lidhur me to. Veçse kjo kërkesë vjen e bëhet gjithnjë e më e pranishme në studimin historik-etimologjik të shqipes sidomos në vitet 30’ të shekullit XIX. Le të përmendim këtu ndër të tjerë Karl Ritter von Xylander që mbahet njëherësh edhe si pararendës i periudhës ‘shkencore’ të hulumtimit historik të shqipes. Prashtu në veprën e tij “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren” (= Gjuha e albanezëve ose e shqiptarëve. Frankfurt am Main 1835) ai përmbledh në një paragraf të gjitha tezat mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe gjuhës tyre, që qarkullonin atëbotë, duke u rrekur të provojë më pas edhe vërtetësinë e secilës syresh për nga perspektiva gjuhësore. Siç shkruan në parathënie të veprës:
“Prejardhja dhe gjuha e albanezëve, arnautëve ose shqiptarëve – siç vetëquhen –, janë të dyshimta dhe pak të njohura. Ndërsa disa te albanezët gjejnë pasardhësit e ilirëve të lidhur farefisnisht me trakasit, që u shfaqen në ato vise qysh në agimin e historisë sonë, të tjerë rreken të njohin një fis të ardhur (aty) më vonë, ose një fis tatar, e përsëri të tjerë i mbajnë ata si pasardhës të mbetjeve të ushtrish të ndryshme, që duhet të jenë arratisur në viset e atyshme dikur para 700-800 vjetësh, pra duke e shpjeguar gjuhën e tyre si një përzierje pa formë e greqishtes, latinishtes dhe e gjuhëve të reja romane. Përcaktimi i argumentuar i prejardhjes së këtij populli dhe i gjuhës së tij do të kontribuonte jo vetëm qartësimin e historisë tërësisht të errët të këtyre viseve, por ndoshta edhe diçka prej historisë sonë më të hershme, sikurse në përgjithësi informacionin tonë gjuhësor…” (f. III)
Për këtë ndihmon, sipas Xylander-it, hulumtimi etimologjik i leksikut të shqipes të njohur deri më atëherë, me të cilin ai rreket të fiksojë marrëdhëniet e afrisë farefisnore të gjuhës shqipe. Gjithsesi, meqë nuk kishte përvetësuar ende sa e siç duhet metodat e punës në gjuhësinë historike-krahasuese të porsathemeluar, Xylander-i për shumë njësi të shqipes nuk mundi të dallonte burimin autokton prej atij të huaj. Megjithatë rezultatet e arritura më fort në mënyrë intuitive lidhur me prejardhjen e shqipes ruajnë sot e gjithë ditën aktualitetin e tyre, meqë erdhën e u vërtetuan dhe plotësuan më vonë në gjuhësinë historike të shqipes. Prashtu Xylander-it i rezulton në përfundimet e tij pikërisht:
- Që shqipja nuk është një përzierje pa formë prej gjuhëve të reja romane;
- Që ajo nuk do vështruar si një degë e gjuhës tatare, siç e lidh ndokush;
- Që nuk mund të flitet për asnjë material bazë të rëndësishëm, por të panjohur të saj, sepse materiali bazë i rëndësishëm i shqipes është ai indian-europian [= indoeuropian – B.D.]
© 2024 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet riprodhimi pa leje.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
[i] Hadmund Bußmann: “Lexikon der Sprachwissenschaft”. Stuttgart 19833, f. 131.
[ii] Një përkufizim më të plotë do ta zhdrivillojmë në detaj kryesisht në pjesën e dytë të punimit tonë (§§3-3.3).
[iii] Jürgen Untermann: “Etymologie und Wortgeschichte” [= EW], Arbeitspapier Nr. 25 des Instituts für Sprachwissemschft – Univ. Köln, 1975, f. 1vv.
[iv] Jakob Grimm: Über etymologie und sprachvergleichung, në: “Kleinere Schriften”, bl. I, bot. 2, Berlin 1879, f. 303.
[v] Shih për qëndrimin e shkruesit të këtyre radhëve ndaj së ashtuquajturës “Akademi alternative shqiptare” në: Bardhyl Demiraj: Gottfried Wilhelm Leibniz (III) – mbi leksikun e shqipes, në: “Peizazhe të fjalës” (8 jan. 2022) https://peizazhe.com/2022/01/09/leibniz-i-mbi-leksikun-e-shqipes/ .
[vi] Hollësisht Bardhyl Demiraj: Kumte domethënëse dhe kundërthënëse mbi albanët e dy Albanive, në “Anonymi Descriptio Europae Orientalis” (1308), në: “Hylli i Dritës” 3-4 [2013] 204-216.
[vii] Niccolò Chetta “Tesoro di notizie su de’ Macedoni” (drsh. – 1777; ed. critica a cura di Matteo Mandalà & Giuseppa Fucarino). Contessa Entellina 2002, f. 172v.
[viii] Bardhyl Demiraj në PTF 7.1.2022 dhe 9.1.2022.
Ju meruni me etimologjinë e gjuhës shqipe në mungesë të dëshmive të shkruara, unë, sipas porosisë amanet të `prof. Çabej, dhe “vathit në vesh” vënë te unë nga prof. Demiraj, kërkoj plot sukses dëshmi të shkruara të gjuhës shqipe në shkrimet e lashta me alfabet fonetik të Mesdheut. Unë jamë thjesht një koleksionist. Ju në se ju duhen deshmitë e mija, shkoni dhe i gjeni në Bibliotekën Kombëtare, aty ku sipas ligjit, ruhen dëshmi me interes per historinë e gjuhës shqipe, edhe pse ende të pa verifikuara si të tilla, si ligji e kerkon, thjesht per mungese te specialisteve te fushes, në Komisionin e ngarkuar nga ligji per atë verifikim.
Falemnderit për informacionin, por këtu nuk është vendi për të prezantuar veten dhe kërkimet tuaja (mos e trajtoni hapësirën e komenteve si chat room, sepse nuk jemi në dispozicionin tuaj). Duhet të komentoni për shkrimin më lart, që komenti i ardhshëm t’ju kalojë.
Pjesa e fundit e shkrimit, që prek kontributin e çmuar të Xylanderit është një sinjalizuese e dobishme, që shqipja si një formë e shpëtuar e një dialekti të një ilirishte jugore të supozuar, nuk ka ndonjë marrëdhenie gjenetike të ngushtë gjaku me gjuhët rrethuese, veçanërisht greqishten, siç supozohet se kishte thrakishtja me greqishten, ku kontributi e trashëgimia e saj në greqishten helene ishtë më e dukëshme. Kjo tregon gjithashtu, se thrakishtja s’ka patur ndonjë lidhje të ngushtë gjenetike me ilirishten, të paktën me ilirishten e mbijetuar në shqipen e sotme.
Gjithashtu Xylander, siç shkurtimisht përmëndet në tre pikat sipër, arriti me mjete modeste të pakta, të vendoste paralele krahasuese si “banchmarks” midis reciprocitet në marrëdheniet e shqipes me të gjithë derivativet e gjuhëve europiane të asaj, që dikur ka qënë trungu kryesor i indo-europianes. Midis tyre edhe fjalë të veçanta bazike ku përfshihet edhe sanskriti, që provonin ngjashmërinë e çka ishte e përbashkët me shumicën e këtyre gjuhëve.
Kjo qasje profesionale, siç ky kontribut, vetvetiu bëhet një barrierë natyrale, për turbo-etimologët, që duan të kanalizojnë gjithçka në etmologji në një përafrim simplicist, që shpërfill mekanizmat e ligjësitë bazë të evoluimit historik gjuhësor.