DËSHMI AUTOKTONIE NË PETRESH TË ELBASANIT

nga Albert Riska

Megjithëse do të gjykojmë vetëm në aspektin gjuhësor, që në nisje duhet të vëmë në dukje se të dhënat faktike që do të shfrytëzojmë në këtë shkrim i përkasin dy sektorëve të ndryshëm të dijes: nga njëra anë kemi prurje interesante gjuhësore nga mikrotoponimia e zonës dhe, në anën tjetër, kemi të dhëna arkeologjike të një rëndësie të veçantë.

Pra, kemi në dorë gjetje prej dy sferave që e kanë bërë Petreshin e Elbasanit një terren të rëndësishëm kërkimesh.

Në planin gjuhësor, si gjithandej, edhe në Petresh mund të gjurmojmë një sistem mikrotoponimik zonal.

Është pranuar se për studimin e historisë së gjuhës shqipe, por edhe të shqiptarëve si popull, në kushtet e mungesës së dokumenteve të mirëfillta historike, të dhënat e onomastikës së lashtë, kryesisht toponimet, fitojnë një vlerë të jashtëzakonshme.

Veçse, në diskutimet mbi çështje të autoktonisë dhe të vijimësisë së popullit tonë, në gjuhësinë historike është besuar, përgjithësisht, se nga sfera e toponimisë duhet të gjykohen emërtimet më të rëndësishme, ato të qendrave të mëdha të banimit, pra, makrotoponimet, sepse ato janë më të vlefshme, duke qenë më të qëndrueshme në kohë.

Normalisht kjo ide është për t’u parë si e drejtë, por nuk duhet të shpjerë në një qëndrim injorues ndaj mikrotoponimisë, apo të emërtimeve “të vogla”.

Madje, në rastin e një vendi shumë të shkelur, si Shqipëria, rezulton që makrotoponimet krijojnë edhe probleme, dhe nga më të ndryshmet, siç mund të shohim kur flitet për origjinën e emrit apo për evolucionin gjuhësor, mjafton të kujtojmë rastet Durrës e Shkodër, por edhe të tjera.

Sa për mikrotoponimet, do pranuar se vërtet janë të lëvizshme, por ato janë edhe të pafundme e të pashtershme, si rëra, dhe mund të vlejnë si burime të shumta informacionesh, jo thjesht e vetëm si një emër.

Për Petreshin do të duhej të përmendnim, së pari, një listë me emra vendesh që burojnë nga kishat e dikurshme, si: Shamarina, Shamathe, Qafa e Shëmërtinit, Shënkoll, Shëmhill, Shëmitri, Shtëmaj, Shijon etj.

Pa u zgjatur në analizat e tyre, do të mjaftohemi këtu vetëm me faktin që Shijon, sot emër fshati, duhet të ketë mbetur nga faza e parë, shumë e hershme, e një kishë që duhet të ketë njohur më pas edhe dy faza të tjera historike, siç tregojnë emërtimet e mëvona Shëngjon dhe Shëngjon Vladimiri (ky i fundit me atribut sllav të shenjtorit të shtuar nga shekulli XIV).

Një masë të mirë evolucioni gjuhësor, pra vjetërsi, do të lexonim edhe në mikrotoponime të zakonshme, si: Mërsesh, M(b)arriç, Lamkuqmurga, Lukshqefën, Gropa e Gubitrit, Çesma e Gushtefinit etj., pavarësisht burimit të rrënjëve apo të ndonjë fjale përbërëse.

Si me interes të veçantë, ndër mikrotoponimet, do të veçonim Shkami i Shlliut, që i bashkon këto dy grupe dhe që lidhet me zemrën e fshatit.

Notrmale që Shkami duhet të jetë pagëzuar i Shlliut kur aty u ndërtua kisha qendrore e zonës që i dedikohej sant Elias. Në qoftë se emri i kishës nuk është transferuar nga diku tjetër, kuptohet bashkë me kishën, zhvillimi fonetik nga sant EliaShlli do të kërkonte një kohë relativisht të gjatë, duke qenë trajta Shlli më e evoluuara e vargut: sant Elia > Shëndëlli > Shënlli > Shlli.

Në planin arkeologjik studiuesit kanë sjellë dy të dhëna me shumë interes.

Mbi Shkamin e Shlliut gjenden ende sot gjurmët e një kalaje ilire që rrethon një territor jo shumë të gjerë (një “sofër” mbi Shkamin e Shlliut), por të përshtatshëm për banim. Nga tri anë vendi është i mbrojtur natyralisht nga faqe të thepisura shkëmbore, ndërsa në anën veriore gjenden gjurmët e dy kullave të ndërtuara me gurë të punuar me cilësi të lartë.

Në bazë të dhënave arkeologjike, historianët janë shprehur se vendbanimi i fortifikuar i Shkamit të Shlliut duhet të kishte fituar privilegjin për të qenë një nga qendrat politike e ekonomike të krahinës, të paktën që nga koha helenistike, deri aty nga fillimi i kohës së Augustit (jo më parë se viti 37 p.e.s.).

Më pas, me ndërtimin e Via Egnatia-s nga romakët, lind nevoja dhe janë kushtet për krijimin e një qendre të re politike a administrative, dhe, në fushë, pikërisht në vendin ku takoheshin dy linjat kryesore të rrugës, që vinin njëra nga Durrahu e tjetra nga Apolonia, u themelua Scampa. Mund të supozohet që romakët nuk bënë veçse transferimin e qendrës që ndodhej në Shkamin e Shlliut e që kishte kontrolluar prej shekujsh luginën, dhe, bashkë me të, duhet të kenë transferuar në fushë edhe emrin e atëhershëm të fortesës, Skampa, fenomen që mund ta hasim rëndom kur është fjala për toponime.

Kuptohet se një fakt i tillë na bën të mendojmë se emri i hershëm Skampa do të lidhej me trajtën e sotme të toponimit, Shkamb/shkam.

Në mbështetje të kësaj ideje mund të vijë edhe fakti gjuhësor që pikërisht ky vendbanimi pranë Shkëmbit të Shënlliut mban sot emrin Petresh, normalisht nga Petra + esh, dhe rrënja e këtij toponimi duhet të jetë thjesht një përkthim i emrit ilir të kohës antike, Skampa = Petra, kuptohet gjatë periudhës bizantine.

Me dy fjalë, emri antik i Elbasanit, Scampa, i ka përkitur Petreshit të dikurshëm.

Si e një rëndësie të veçantë do të sillet këtu edhe një gjetje tjetër. Në vitin 1967, pranë Shkamit të Shlliut, është zbuluar rastësisht një varr i periudhës antike. Prof. N. Ceka ka përshkruar materialin e këtij varri dhe ka treguar se qeramika që gjendet në sipërfaqe është kryesisht e periudhës helenistike dhe se monedhat e gjetura në varr vijnë nga Durrahu, nga Maqedonia e nga Athina, dhe janë të shekullit IV.

Çka është me interes të veçantë, arkeologu shënon se “ky inventar i pasur i përket varrit të një ushtaraku ilir, emrin e të cilit e mësojmë nga mbishkrimi i përkrenares (e cilësuar si përkrenare ilire e tipit “këndngushtë”): në gjenitiv ΚΑΙΙΛΑΟΥ (e Kaiillës).

Pra kemi një emër ilir, Kailla.

Duke parë përqasjet e mundshme me gjuhët e tjera indoevropiane, mund të besojmë se ky emër ilir duhet të lidhet me lemën indoevropiane, *kailo-.

Supozuar kjo me theksin në zanoren nistore /a/, *kάil-, siç besohet të ketë qenë normë për ilirishten, në gjuhën shqipe duhet të prisnim fonetikisht një *kal-.

Këtë rrënjë duket se e gjejmë në kompozitën shqipe gurkali, elementi i dytë i së cilës duhet të ruajë njërin nga kuptimet e supozuara për lemën indoevropiane, “qiell”, por vetëm në kuptimin derivativ të ngjyrës “bojëqielli”. Me shumë mundësi kjo rrënjë e lidhur në këtë kompozitë na vjen si shumës i singularizuar edhe në trajtën kaje, që e gjejmë në toponimi.

Nuk ka dyshim se kal ka shërbyer si bazë edhe për formimin e emrit të ngjyrës i kaltër.

Do të thoshim se i kaltër, gurkali dhe kaje do ta lidhnin bazën kal- vetëm me kuptimin e ngjyrës, por, duke qenë ky një kuptim derivativ, nuk ka të dyshuar se pararendësja e kal- duhet të ketë qenë bazë edhe për fjalën e vjetër shqipe që shënjonte qiellin, realien që karakterizohet nga kjo ngjyrë.

Në këtë mënyrë emri i luftëtarit ilir që lexohet në helmetën e Petreshit, Kaila, do të lidhej me apelativin ilir që shënjonte “qiell”, ashtu sikurse emri Enkel do të lidhej me apelativin që shënjonte “ngjalë”, emri Gent me atë që shënjonte “njerëz, popull, gjindje”, Skerdi me atë që shënjonte “çerdhe, bari apo tufë” etj.

Me pak fjalë, Skampa, Kailla, Shlliu e Shijoni do të mjaftonin për ta shpallur Petreshin një simbol të vijimësisë iliro-shqipe dhe të autoktonisë sonë, pavarësisht emrit të sotëm.

 

(c) 2024 Albert Riska. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.

Titulli i autorit: PETRESHI I ELBASANIT – SIMBOL I VIJIMËSISË DHE AUTOKTONISË

2 Komente

  1. Përshëndetje, Albert!

    Shoh që e lidh emrin ilir Kailla me me lemën indoevropiane, *kailo-, dhe pastaj shkruan:

    Këtë rrënjë duket se e gjejmë në kompozitën shqipe gurkali, elementi i dytë i së cilës duhet të ruajë njërin nga kuptimet e supozuara për lemën indoevropiane, “qiell”, por vetëm në kuptimin derivativ të ngjyrës “bojëqielli”.

    Në fakt, gjithnjë kam kujtuar se “gurkali” ose “guri i kalit”, si emër popullor i sulfatit të bakrit, lidhet me përdorimin popullor të kësaj kripe për të kuruar disa sëmundje të kalit:

    Shih këtu.

  2. Me gjasa emri i përveçëm është një lexim i CEKËt i emrit grek ΧΑΡΙΛΑΟΣ (emërore), ΧΑΡΙΛΑΟΥ (gjinore), në vend të një hapax legomenon të supozuar ΚΑΙΙΛΑΟΥ. Pjesa e dytë e emrit është diçka e rëndomtë në fjalëformimin e emrave të greqishtes, TΙΜΟΛΑΟΣ, ΝΙΚΟΛΑΟΣ, ΑΡΧΕΛΑΟΣ, ΧΑΡΙΛΑΟΣ, ΕΡΜΟΛΑΟΣ, etj.

    Një X në helmetë u lexua K, një R që në fakt duhet ishte me viza dhe jo e rrumbullakët u lexua I sepse ka qenë e korruptuar.

    Natyrisht, mendimi im personal pa e parë mbishkrimin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin