Po i vazhdoj shënimet dhe përshtypjet për artikullin në “Science” duke vënë në dukje se studimi – ndryshe nga si u paraqit nga disa dhe si u kuptua nga disa të tjerë – nuk i kushtohet gjuhës shqipe dhe as moshës së saj. Siç e tregon qartë edhe titulli, qëllimi i studimit është të mbështetë hipotezën e një modeli hibrid për origjinën e gjuhëve indoeuropiane.
Artikulli merret, pra, me origjinën e gjuhëve indoeuropiane dhe provon – ose të paktën autorët e studimit besojnë se kanë provuar – një hipotezë se indoeuropianishtja e përbashkët flitej diku në jug të Kaukazit, nga ku u shpërbë në dy faza madhore: në krye disa gjuhë u shkëputën dhe filluan të zhvendosen drejt Perëndimit, ndërsa grupi tjetër u zhvendos pastaj së bashku në stepën ukrainase dhe që andej degët e shkëputura filluan të lëvizin drejt Europës, përkatësisht Azisë. Kjo hipotezë e origjinës së gjuhëve indoeuropiane quhet “hibride” sepse bashkon në vetvete edhe hipotezën “anatolike”, edhe atë të “stepës”.
Modelin hibrid të artikullit e mbështetin “pemët gjuhësore me stërgjyshë të kampionuar” (language trees with sampled ancestors). Çfarë janë këto? Pema gjuhësore është një mënyrë për të treguar marrëdhëniet që kanë mes tyre gjuhët me origjinë të përbashkët, nëpërmjet një paraqitjeje vizuale që i ngjan pemës, por që mund të abstragohet edhe matematikisht (kladistika). Për shembull, pema krejt e thjeshtuar më poshtë ilustron si italishtja e sotme, bashkë me spanjishten, rrjedhin nga latinishtja, e cila i përket familjes së gjuhëve italike, që rrjedhin, në analizë të fundit, nga gjuha e përbashkët indoeuropiane.
Pema tregon nga njëra anë afërsitë relative të gjuhëve (italishtja është më e afërt me spanjishten se me danishten në sinkroni dhe me latinishten se me norvegjishten e vjetër në diakroni) dhe kronologjinë e thjeshtuar të ndryshimit të tyre – sipas aksit vertikal.
Gjuhët e cilësuara si sampled ancestors, nga ana tjetër, siç e shpjegon vetë artikulli, janë drejtpërdrejt pararendëse (“prind”) të gjuhëve moderne – për shembull, latinishtja mund të merret, në vija të trasha, si “ancestor” e italishtes. Termi vetë, sampled ancestors ka të bëjë me metodën e inferencës filogjenetike bayesiane dhe pikërisht me mënyrën e kampionimit të gjuhëve prind; unë nuk do ta shpjegoj më tutje, sepse nuk më takon.
Për studimin e tyre, autorët kanë shfrytëzuar dhe përshtatur një dataset të leksikut themelor të 161 gjuhëve indoeuropiane. Për shqipen, ky dataset mund të ilustrohet me tabelën që vijon, e cila përmban 170 fjalë:
Tabela tregon, mes të tjerash, se ndonjë nga fjalët shqipe të datasetit, p.sh. hi (“ash”) është identifikuar tashmë si fjalë e trashëguar (proto-indoeuropiane), nga një rrënjë *(s)ken(H)-; të tjera, si (i) keq, identifikohen thjesht si proto-shqipe, sepse me etimologji të paqartë (i kanë krahasuar me greqishten κακός); dhe disa të tjera, si shpinë, janë identifikuar si huazime – kjo shpinë nga latinishtja spīna (khs. Italishtja: spina dorsale). Këto të dhëna mund të shihen duke klikuar mbi secilën fjalë, tek tabela në faqen ueb (jo në imazhin më lart).
Këto tabela leksikore, ose lista fjalësh themelore, përbëjnë lëndën e analizës në artikull, ose pikënisjen; mbi të cilën janë zbatuar kalkulimet dhe modelimet statistikore që kanë çuar pastaj në llogaritjen e moshës së përafërt të shkëputjes së grupeve të gjuhëve/përkatësisht të gjuhëve, nga trungu i përbashkët.
Indoeuropianistët dhe në përgjithësi gjuhëtarët specialistë të historisë së gjuhëve nuk kanë qenë kurrë entuziastë me metodat e analizës statistikore, sado të rafinuara (ashtu ka ndodhur, bie fjala, me glotokronologjinë); gjithë duke qenë të vetëdijshëm se metoda historike-krahasuese nuk jep dot kontribute të sigurta dhe të sakta, për moshën e dukurive gjuhësore. Për shembull, një historian i shqipes mund të thotë relativisht me siguri se shpinë është huazim nga latinishtja ose, e shumta, italishtja mesjetare spīna, por nuk e përcakton dot me saktësi kohën kur ka hyrë fjala në shqipe – përveçse në mënyrë të përafërt dhe relative (duke arsyetuar se huazimet e shqipes nga latinishtja e kanë shndërruar grupin nistor sp- në shp-; një përfundim tjetër, do të ishte se fjala shpinë ka hyrë në shqipe para se fjala special, sepse kjo e fundit nuk e ka pësuar shndërrimin sp > shp).
Të gjitha këto i them, për të treguar se analiza të tilla, si kjo e artikullit, vërtet mund të shënjojnë një shmangie nga metodologjia standard e studimeve indoeuropianistike, por edhe ato kanë nevojë jetike të mbështeten në metodën historike-krahasuese dhe rezultatet e rindërtimit të rrënjëve indoeuropiane, të cilat dëshmojnë, mes të tjerash, të përbashkëtat leksikore që kanë gjuhët indoeuropiane mes tyre.
Qëllimi i qasjeve të tilla, sot për sot jo-standard, është që të kapërcehen disa pengesa objektive të metodës historike-krahasuese në përcaktimin e datave të eventeve në indoeuropianistikë; dhe jo që të zëvendësohet kjo metodë me një tjetër, dhe as që të “hidhet poshtë”, siç e brohoritën disa prej nesh. Në këtë fushë, si kudo gjetiu, dija serioze procedon duke ndërtuar mbi rezultatet e mëparshme – dhe ashtu, përparimet në leksikologjinë historike indoeuropiane ndihmojnë drejtpërdrejt në rafinimin e filogjenetikës bayesiane, duke i dhënë “motorit” të dhëna më të pasura dhe më të sakta.
Po të shohim, për shembull, shpjegimet e dhëna për rrënjën indoeuropiane të fjalës zog, atje do të gjejmë të dhëna që nisin me Gustav Meyer-in dhe vazhdojnë pastaj me trajtesa nga Pokorny, Huld, Demiraj, Holm, Schumacher & Matzinger dhe Orel. Mungon – për fat të keq dhe dua të besoj vetëm për arsye mirëfilli praktike – Çabej, por Demiraj 1997 i ka pasur parasysh trajtesat e gjera etimologjike të këtij të fundit.
Në thelb, artikulli i “Science” mund të shihet si orvatje për të shkuar më tej, nëpërmjet zbatimit të një metode inovative, në një fushë ku indoeuropianistika tradicionale (standard) e ka të vështirë të ecë përpara me metodat e veta të provuara. Edhe datimi që i bëhet atje degës së shqipes nuk e “rrëzon” modelin teorik të gjuhësisë historike-krahasuese, aq më tepër që shqipja dhe datat e saj luajnë rol jo të dorës së parë në analizat dhe përfundimet e artikullit, për shkak të dokumentimit të varfër: në vija shumë të trasha, mund të “matet” distanca e shqipes së sotme nga gjuhët e tjera indoeuropiane dhe nga familja mëmë e rindërtuar, por jo të rindërtohet pamja e (leksikut të) shqipes në kohën kur ajo gjendej ende në Anatoli.
Një nga arsyet themelore, që i bën indoeuropianistët “klasikë” të ndihen skeptikë ndaj metodave si kjo e përdorur në artikullin e “Science” ka të bëjë me natyrën e datasetit: për komparatistët, veçoritë fonologjike dhe gramatikore të gjuhëve janë më thelbësore dhe të qëndrueshme se leksiku; dy gjuhë që e formojnë rasën dhanore njëjës me të njëjtën mbaresë, ka më shumë gjasë të jenë të afërta mes tyre se dy gjuhë që përdorin të njëjtën fjalë për ujkun ose për thikën (shqipja nuk është klasifikuar si gjuhë indoeuropiane, ngaqë ka leksik indoeuropian; po të ishte për leksikun, shqipja do të ishte gjuhë gjysmë e romanizuar, si anglishtja). Skepticizmi lidhet edhe me një arsye tjetër, më teknike: që me Brugmann-in në shekullin XIX, komparatistët janë mësuar të besojnë se ato elemente që gjuhët i kanë të përbashkëta, sepse i kanë trashëguar nga një periudhë më e vjetër, janë më pak të rëndësishme për historinë e një gjuhe dhe afritë e saj me gjuhë të tjera, se ato elemente të përbashkëta, të cilat u detyrohen risive të njëkohshme.
Për ta përmbledhur: edhe nëse konfirmohet dhe bëhet pjesë e dijes standarde indoeuropianistike, artikulli nuk është se mbështet asnjë nga hipotezat alternative, që qarkullojnë këto kohë, për lashtësinë e thellë, primatin kronologjik dhe mesianizmin e shqipes; dhe as ato të tjerat, që e lidhin shqipen me gjuhë jo-indoeuropiane, si etruskishtja, shumerishtja dhe hebraishtja. Edhe pse me interes për historianët e gjuhës, mosha gjashtëmijëvjeçare e shqipes nuk përthyhet në asnjë formë në funksionet dhe përdorimet e shqipes sot, sikurse nuk mund të importohet drejtpërdrejt si argument, në debatet tashmë të vulgarizuara, rreth autoktonisë së shqiptarëve në Ballkan.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Photo by Marcus Ganahl on Unsplash.
Holm, Hans J. (2011b): “Swadesh lists” of Albanian Revisited and Consequences for Its
Position in the Indo-European Languages. The Journal of Indo-European Studies 39-1&2.
Nuk jane edhe aq te rrokshme keto persiatjet e tjera. Ne cilet elemente ”klasike” calonte datimi i shqipes nuk u kuptua. Qe metoda filogjenetike ( apo sido ta quajne) ka probleme kjo dihet, por si ndikojne konkretisht keto probleme ne kronologjine e shqipes nuk u vu ne dukje.
Fakti i pahnjerre qe ne fjalet e shqipes qe jane perdorur ka huazime me logjikisht do te dilte qe perzgjedhja e huazimeve eshte tendencioze se ka ulur moshen e shqipes dhe jo e kunderta( nqs ndokujt do t’i shkonte cuditerisht mendja).
Nuk e di per gjuhet e tjera, por per shqipen duket qarte qe fjalet jane zgjedhur random, apo edhe kap e fut, pra mbreti eshte rastesia, gje mjaft e dyshimte ne vetvete, meqenese shqipes per moshen e saj i duhen perzgjedhur fjale qe nisin me laringale, ato qe deshmojne 3 vserite e dorsaleve dhe ato qe ruajne ë-në indoeuropiane.
Pra, studimi duhet vleresuar si shume negativ ne lidhje me vjetersine e shqipes, pasi me ate dataset skandaloz ia ul kushedi mesa shekuj vjetersine.
Kuptoj se artikullshkruesi nuk ka arritur të kuptoje tabelat e Science dhe sjell tabela nga Arshiva e tij për të ilustruar idietë kundërvënëse ndaj arritjeve të fundit. Sqaroj se grafiku bazë i Science thotë se shqipja zë vendin e tretë në gjuhët indoevropiane pas asaj Anatolian dhe Tocharian, këtë e ka konfirmuar dhe me emrat në të majtë të tabelës. Sipas paraqitjes vjen interpretimi, shqipja nuk ka si të ketë huazuar nga greqishtja dhe për më tepër nga Italiket, ato janë më të voneshme! Prandaj rropatja për të shpjeguar fjalë të shqipes, e renditur e para në të folura gjuhë sot, me Italiket e vendit të dhjetë nuk qëndron. Kjo dhe për një arsye tjetër. Gjuhëtarët shqiptarë në mangësi elementare në shkencat ekzakte nuk njohin as veprën e parë shkencore në gjuhësi e shekullit 18- të, me dokumente të publikuara nga austriakët në shekullin e 19-te dhe interpretime të Hahn, shtjelluar nga unë të libri Akademizmi Voskopojar. Nëse do ta njihnin atë do të shihni se tingujt: sh, sht, nd, mb, të as etj më parë janë renditur në mijëvjeçarin e dytë B.C. dhe sjell për ne nga voskopojarët.
Zotëri i mirë, jeni futur gabim këtu.