Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

LIRIA AKADEMIKE PËRBALLË DISIPLINIMIT KOMBËTARIST

– përsiatje –

Tkurrja deri në humbje e paskajores ndeshet në shumë gjuhë të Ballkanit, aq sa të konsiderohet si një tipar i lidhjes gjuhësore ballkanike. Është afërmendsh që historianët e gjuhës të jenë interesuar për shkaqet që e kanë përftuar dhe për origjinën e saj, duke supozuar se dukuria ka ndodhur më parë në njërën nga gjuhët dhe pastaj ka kaluar tek të tjerat.

Ashtu edhe e kanë kërkuar këtë origjinë te greqishtja, te shqipja dhe, më tej, te trakishtja ose ndonjë substrat tjetër në gadishull.

Të supozojmë tani se një historian i gjuhës kërkon të eksplorojë, me argumente të reja, hipotezën se zhdukja e paskajores në Ballkan e ka zanafillën te greqishtja. Pyetja që më lind këtu është nëse kjo përpjekje e tij do të miratohet dhe do të gjejë mbështetje institucionalisht.

Le ta ndryshoj tani hipotezën e këtij albanologu: ai kërkon të eksplorojë, me argumente të reja, se zhdukja e paskajores në Ballkan e ka zanafillën te shqipja e vjetër. Sërish do të pyes nëse kjo përpjekje e tij do të miratohet dhe do të mbështetet institucionalisht.

Kam frikë se hipoteza e dytë do të ketë më shumë shanse se e para, që të çohet deri në fund (në botim). Dhe jo sepse është më shkencore, por sepse, në dukje, ka të bëjë me historinë e shqipes, e cila është objekt i albanologjisë.

Thashë “në dukje”, sepse hipoteza e dytë ka të bëjë, gjithsesi, me historinë e gjuhëve ballkanike – dhe, aq më tepër, nëse zhdukja e paskajores e ka zanafillën në shqipe, atëherë kjo hipotezë prek drejtpërdrejt historinë e greqishtes, të bullgarishtes, të maqedonishtes, të arumanishtes si gjuhë ballkanike që e kanë humbur paskajoren.

Ajo që e privilegjon hipotezën e dytë është paraqitja e shqipes si “zanafillë” e një dukurie ballkanike.

Të marr tani një rast tjetër hipotetik: një historian të Ballkanit, i cili mendon se mund të argumentojë, në mënyrë shkencore, ose me dokumente të zbuluara rishtas, se shqipja është vazhduese e gjuhës së Besëve, një fis trak. Kjo hipotezë shfaqet për herë të parë në veprën e historianit gjerman Gottfried Schramm “Anfänge des albanischen Christentums: die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen” (Freiburg im Breisgau 1994). Cilat janë gjasat, që ky historian të fitojë mbështetje institucionale për kërkimet e tij?

Edhe këtu kam frikë se mbështetja institucionale ithtarit të Schramm-it do t’i jepet me shumë rezerva. Dhe kjo sepse nga albanologjia në Shqipëri priret të kryejë kërkime që nisen nga premisa se shqiptarët janë autoktonë që në antikitetin e hershëm dhe shqipja rrjedh prej një dialekti ilir; këtë ia kërkon edhe opinioni publik, politika dhe autoritetet administrative të dijes.

Le të përfytyrojmë tani një studiues që merret me historinë e librit të parë shqip, “Mesharit” të Buzukut, dhe kujton se ka zbuluar prova që ky libër është fabrikim.[1] A mund t’i bëjë ky prova të tilla publike, në botimet e ASA-s ose të Akademisë së Shkencave? A mund të mbështetet me fonde, që të kryejë kërkime në bibliotekat italiane?

Shembujt që solla më shërbejnë për t’iu përgjigjur një pyetjeje tjetër: sa dhe si përputhet orientimi i kërkimeve albanologjike në Shqipëri me parimin e lirisë akademike, gjithë duke pasur parasysh se kjo është koncept kompleks, që nuk mund të likuidohet me pohimin se “kërkimi shkencor nuk duhet të pengohet për arsye politike ose ideologjike”.

Edhe rrezikimi i lirisë akademike, i përvijuar në shembujt hipotetikë më lart, do të shpjegohet – besoj – me atë që nga albanologjia institucionale në Shqipëri pritet të kombinojë sistematikisht dijen me ideologjinë kombëtare zyrtare, e cila identifikohet me një grand narrativë të trashëguar, ku – mes të tjerash – historia e kombit shqiptar rrëfehet duke i marrë disa opsione dhe hipoteza themelore për të mirëqena dhe duke i përjashtuar disa opsione dhe hipoteza të tjera: ilirë PO/ trakë JO; autoktonë PO/ të ardhur JO, etj.

Ky kombinim i dijes me ideologjinë nuk më duket i shmangshëm; çfarë mund të shmanget, dhe duhet të shmanget, është që ideologjia kombëtare të sundojë dijen dhe t’i diktojë kësaj rezultatet.

Albanologjia nuk lëvrohet vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe gjetiu në Europë dhe në botë; dhe studiuesit në disa universitete të huaja nuk i përjetojnë kufizimet e kolegëve të tyre shqiptarë – në kuptimin që një albanolog si Matzinger-i mund të përpiqet lirisht që të kritikojë me themel argumentet onomastike-historike të Çabejt, për autoktoninë shqiptare gjatë vijës bregdetare, pa rrezikuar të përballet me rezistencë institucionale.

Me këtë nuk dua të them se kritika e Matzinger-it është bindëse (mua nuk më është dukur e tillë, shih Protoshqipja në Ballkan I, Protoshqipja në Ballkan II), por sepse ai e ka formuluar atë me një liri (akademike) që një gjuhëtari shqiptar mbase nuk do t’i garantohej në atë masë.

Se si reagon sot opinioni publik drejtpërdrejt, ose tërthorazi nëpërmjet kontrollit që ushtron mbi autoritetin institucional ndaj studimeve që devijojnë nga rruga e grand narrativës albanologjike të mbështetur institucionalisht në Tiranë (dhe besoj edhe në Kosovë), një ide mund ta japë reagimi i një intelektuali të njohur, si Përparim Kaboja, ndaj një koleges së vet që kish “guxuar” të krahasonte fonetikën historike të shqipes me atë të gjuhëve sllave.

Prof. Kaboja, me një status në Facebook para ca ditësh, kish shprehur shqetësimin qytetar pse “një shqiptare në Gjermani paska mbrojtur tezën shkencore duke e nxjerrë fonetikën e shqipes të ngjashme me atë të sllavishtes…!”, meqë “si ka mundësi… që një popull i ardhur në shekullin e 6-të pas Krishtit t’i zhdukë popullit autokton pothuaj gjithfjalësinë, dhe mandej t’i modifikojë dhe tingëllimin e fjalëve të mbetura.” Profesori shkonte edhe më tej, duke e quajtur autoren e studimit “dijetare” e paguar, dhe pastaj “të shitur te “Dora e zezë”.

Natyrisht, një studiuese – madje edhe shqiptare – mund ta kërkojë ngjashmëri në fonetikën historike të shqipes dhe të sllavishtes (dy gjuhë motra të familjes indo-europiane), edhe pa u shitur te “Dora e zezë” dhe pa marrë para në dorë nga armiqtë e shqiptarisë. Reagimi i prof. Kabos nuk është prej dijetari, por prej ideologu që kërkon të disiplinojë dijen. Aq më tepër që, nga sa u duk prej ca komenteve që pasuan, profesori nuk e kish marrë vesh mirë as se çfarë kish zgjedhur të studionte albanologia shqiptare, as se çfarë përfundimesh kish arritur (ky konstatim i fundit nuk u ndryshon gjë përfundimeve të mia, që kanë të bëjnë me pretekstin dhe tonin e ndërhyrjes).

Çfarë e ka frymëzuar prof. Kabon në këtë dalje publike nuk mund të ketë qenë dija dhe as dëshira për të hyrë në debat me kolegen “shqiptare në Gjermani” – atij nuk i buron autoriteti nga kompetenca në fushën e fonetikës historike (kjo duket vetiu nga lloji i argumentimit që sjell), por nga kompetenca tjetër prej ideologu të kombëtarizmit, shqytari të grand narrativës kombëtare. As që mund të përfytyrojë njeriu që kolegia në fjalë t’i kthehet prof. Kabos dhe ta quajë këtë, për shembull, “dijetar të paguar”, ose “të shitur” te ky ose ai, për ta kundërshtuar: do të ishte sikur heretiku t’i hakërrehej inkuizitorit. Marrëdhënia mes tyre është jokalimtare (asimetrike).

Që dikush me emër të mirë e influencë, e që gëzon respekt në qarqet elitare të Tiranës, e sheh normalisht veten në këtë rol prej polici ideologjik, kjo më thotë – mes të tjerash – se studimeve albanologjike sot në Shqipëri, të paktën në nivelin institucional, u vihet liria akademike në rrezik: studiuesit në lëmin e dijes humane druhen se shmangiet e tyre nga dogma dhe vija kombëtariste do të ndëshkohen me argumente populiste, ata vetë do të akuzohen si të shitur dhe puna e tyre do të nëpërkëmbet, sado e përkryer të ketë qenë metoda e tyre e punës dhe sado rigoroz testimi i hipotezës.

Natyrisht, liria akademike ka shumë anë të tjera që nuk po i cek në këtë shkrim; prandaj po mjaftohem të them që, sa i përket albanologjisë institucionale në Shqipëri, kjo nuk mundet veçse të ruajë ekuilibrin mes dijes dhe dogmës, çfarë do të ishte në vetvete arritje. Aq më tepër që, për periudhën e tanishme, studiuesve të fushës – qofshin këta gjuhëtarë, historianë, arkeologë a antropologë – duket se do t’u kërkohet angazhim i fortë në projektet e mëdha të Akademisë së Shkencave, prej të cilave të paktën ato të Fjalorit të shqipes dhe të Fjalorit enciklopedik i përkasin dijes së aplikuar, jo kërkimit shkencor të mirëfilltë.

Rrjedhojë logjike e këtij argumenti është se, si dije që kërkon të vërteta gjuhësore, historike dhe arkeologjike, albanologjia ka shanse me të mëdha të përparojë në periferitë asnjanëse – ose larg kontrolleve ideologjike institucionale. Nuk më duket rastësi që kolegia e fshikulluar nga prof. Kaboja e pat kryer studimin e vet në Gjermani: në Shqipëri me gjasë do ta kishin penguar që pa nisur akoma, qoftë edhe vetëm për të shmangur kritikat nga opinioni publik dhe të vetë-shpallurit komisarë të kombëtarizmit në albanologji. Ajo që ndodhte këtu e njëqind vjet më parë, kur studiues të huaj hidhnin dritë mbi të panjohurat e mëdha të gjuhës dhe të historisë kombëtare, duket se është kthyer tani sërish: atëherë shqiptarëve u mungonin institucionet e dijes, ndërsa tani i kanë dhe i gëzojnë, por të tilla që gjithnjë rrezikojnë të përdoren ideologjikisht.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Thomas Kelley on Unsplash.


[1] Janë sjellë argumente serioze se ajo që njihet si Formula e Pagëzimit, ndoshta teksti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është datuar gabim. Megjithatë, nuk më rezulton që këto argumente të jenë përfillur nga albanologjia institucionale në Shqipëri.

3 Komente

  1. Profesori ka bërë autogol sepse ka rënë në nivel rruge në një debat për një temë profesionale, e jo për ndonjë çështje private a ndonjë sulm personal ndaj tij. Po shkëpus nga fletërrufeja digjitale e P.K. ndaj studiueses:

    … një shqiptare në Gjermani…
    … moj (!) “dijetare” e paguar…
    … s’je gjë para atij…
    … more shpirt i kapur rob që në rininë tënde…
    … dhe ti moj shkencëtare…
    … mjaft u shitët te “Dora e Zezë”…
    … hidhuni përpjetë, nuk keni çi bëni shqipes…

    Reagimi i P.K., në stil dhe në ton, është i tillë sa të bën të dyshosh nëse është vërtet ai që ka shkruar kështu në FB, apo mos është gjë garipi i lagjes që ia ka vjedhur login-in dhe po abuzon me llogarinë e Kabos në Facebook. Ka ngelur vetëm t’i thotë fjalën e fundit “shqiptares në Gjermani”, ose ta shajë nga nëna!

    Por shpërthimi patetik i profesorit është më shumë se sa një rrëshqitje verbale apo një shkarje dore në FB: është simptomë e një kompleksi inferioriteti i një populli ende të pakonsoliduar në vetvete, që legjitimitetin e ekzistencës së vet nuk e kërkon te e sotmja, te këta që jemi dhe kështu si jemi, por te e historia, te lashtësia, autoktonia, Skënderbeu etj. Këto janë të rëndësishme për vetëdijen kombëtare, qofshin këto edhe mite – masat mund të bëjnë edhe pa mite, popujt nuk bëjnë dot pa to – por nuk janë vendimtare e aq më pak të vetme. Përndryshe gjermanët do të ishin sot inferiorë ngaqë paraardhësit e tyre ishin barbarë, apo afrikanët duhet të ishin elita e botës, se Afrika ishte djepi i njerëzimit – konkluzione absurde.

    Këtë besim te vetja ne nuk mund ta fitojmë dot sa kohë që nuk jemi të konsoliduar si komb në Ballkan – në një shtet sovran -, dhe si shoqëri e zhvilluar kapitaliste, që mundëson mirëqënie dhe stabilitet, që krijon hierarkinë e domosdoshme sociale-ekonomike dhe politike. Në vend të tyre ne sot kemi një shoqëri-ekonomi trafiqesh dhe oligarkësh, dhe dy shtete gjysmake: njëri shtet vasal, tjetri protektorat. Mungesa e sovranitetit kombëtar sjell me vete edhe mungesën e sovranitetit personal para të huajve, na bën me hije, të tillë që trembemi nga rezultatet e studimeve shkencore, se ato mund të na heqin legjitimitetin historik (sepse na mungon ai faktik), sepse ato mund të përdoren politikisht – siç edhe janë përdorur, në fakt** – nga serbi, greku apo turku, për të na dëmtuar e për të na shuar. E për këtë e gjejmë zgjidhjen te mbyllja e gojës së tjetrit apo tjetrës, te kapardisja e gjelit, te rrahja e gjoksit. Ndërkohë që shqiptarët ikin nga sytë këmbët, ndërkohë që komandon në shtëpi na e bëjnë ambasadorët dhe mafiozët, ndërkohë që i ulim brekët për dreqin e për të birin.

    Fletërrufeja patetike e profesorit? Një pozë folklorike, asgjë më shumë !

    [**Shkenca neutrale është një mit. Sa kohë që ajo bëhet nga njerëzit dhe për njerëzit, shkenca nuk mund të jetë apolitike, ajo mund dhe do të përdoret apo keqpërdoret – nga ideologët, politikanët, biznesmenët, grupet e interesit për përfitimet e veta – edhe nëse studiuesi/-ja vetë është objektiv.]

  2. ”Të supozojmë tani se një historian i gjuhës kërkon të eksplorojë, me argumente të reja, hipotezën se zhdukja e paskajores në Ballkan e ka zanafillën te greqishtja. Pyetja që më lind këtu është nëse kjo përpjekje e tij do të miratohet dhe do të gjejë mbështetje institucionalisht.”’

    Ku ta gjejme ate qe di greqishten e lashte dhe ate mesjetare, pa te tjerat rregullohen. Ne ditet e sotme vetem prifterinjte dhe hoxhallaret kane kohen e duhur, gjithnje nqs nuk jane te dypunesuar.

    ”’Fletërrufeja patetike e profesorit? Një pozë folklorike, asgjë më shumë !”’

    Ne nuk e dime cfare di Kaboja. Mund edhe qe te dije me shume sesa thote dhe cfare thote te jete e bute. Ose Kaboja mund te kete dicka personale, ose mund te kete kthyer ca gota etj.
    Ajo qe mund te thuhet me siguri eshte qe studimi eshte dicka me serioze sesa njefare krahasimi fonetik me sllavishten ( se mos na del me serbishten apo bullgarishten qe jane gjuhe qe s’kane bere as 1 mije vjet jete).

    1. Shkruan:

      Ajo qe mund te thuhet me siguri eshte qe studimi eshte dicka me serioze sesa njefare krahasimi fonetik me sllavishten…

      Është normale të krahasosh mes tyre dy gjuhë që kanë qenë për një kohë të gjatë në kontakt. Shkëmbimet që mund të kenë ndodhur, huazimet dhe replikimet nuk kanë të bëjnë me atë që një gjuhë mund të jetë më e vjetër dhe tjetra më e re, sepse e vjetra mund të marrë lirisht nga e reja dhe vice versa.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin