Sa herë më ka ndodhur që, i mbresuar nga energjia e disa bëmave dhe eventeve letrare, të kem pyetur me vete nëse kemi autorin me miqtë, bashkëpunëtorët dhe kolegët që po promovon veprën, apo kemi veprën që po promovon autorin, dhe grupin a klikën e asociuar me të.
Si kulturë ende infantile që jemi, ne vazhdojmë të pompojmë kudo që mundemi persona gjithfarësh – në kontekstin letrar, duke përdorur si pretekst diçka që ata mund të kenë bërë, p.sh. një lloj shalli që kanë vendosur të lidhin në qafë, ose librin që kanë shkruar. Këtë e kam parë qartë në panaire, ku kulti i personit “autor” përdoret haptazi si vegël për të nxitur shitjet, por edhe në krejt sjelljen e mizave që i bashkëngjiten veprës ekskrement në muajt pas botimit (merde d’artiste).
Jo vetëm aq: një libër që del, dhe që zakonisht mbetet i palexuar, përdoret si “farë” për të kristalizuar rreth tij një klan të caktuar, i cili eventit letrar i bën jehonë, por pa e përfillur tekstin që duhej të ishte në qendër të eventit dhe të promovimit vetë. Në fakt, ndodh e kundërta: një klan i caktuar, një klikë, një coterie studiosh televizive dhe kafenesh, e shtien librin e ri në punë, për t’u riprodhuar ata vetë në skenën kulturore.
Nëse kjo vjen dhe i ngjan në mënyrë të papërballueshme lehtësisë me të cilën vendoset një “like” në Facebook, ngjashmëria nuk është e rastit.
Zukatja rreth një libri të ri, angazhimi i V.I.P.-ave dhe televizioneve, recensionet qoka, rrëmbushjet e heronjve mediatikë e kështu me radhë, gjithnjë kushtojnë, paçka se për evente të tilla fondet nuk mungojnë kurrë. Por le të mos gabohet kush dhe të kujtojë se këto fonde shkojnë për “letërsinë”: nëse krijohet përshtypja se për një vepër po flitet pak si tepër, besojini instinktit dhe intuitës: nuk ngre peshë vepra, për të cilën flitet, por akti i të folurit vetë, performativi; bashkë me ata që flasin dhe rolet që i japin vetes, duke folur.
Të vjen në mendje shkalla e Wittgenstein-it, një metaforë interpretative për të cilën kam shkruar, dhe që mund të përshkruhet kështu:
Nëse ti kërkon të hysh në një kopsht, sepse të pëlqen gjelbërimi, por kopshti është i rrethuar me mur, atëherë je i detyruar të përdorësh një shkallë për ta kapërcyer murin, por pastaj shkallën mund ta hedhësh tutje, sepse në vetvete, ose si vegël, ajo nuk ka ndonjë lidhje të brendshme (intrinseke) me marrëdhënien mes teje dhe gjelbërimit.
Vepra letrare, teksti, do të ishte – në këtë rast – shkallë e Wittgenstein-it, një mjet që përdoret për të arritur një synim dhe që pastaj hidhet tej, sepse nuk i duhet kujt më.
Kjo vepër shpesh përfundon në pretekst për të projektuar autorin, personazh nyjë brenda një sistemi marrëdhëniesh të pushtetit kulturor, që kontrollon – mes të tjerash – shpërndarjen e çmimeve, fondeve, bursave, emërimet në juri, në borde, në komisione, përkthimet në gjuhë të huaja, dhe të tjera gjëra të mërzitshme, me të cilat merret burokracia e kulturës (ose kultura e burokracisë).
Dhe pse i them këto? Sepse nuk ka nevojë të jesh specialist i vlerësimit letrar, për të kuptuar se veprat që ndonjëherë promovohen me frenezi të madhe – dhe me shpenzime të kalibrit pornografik – janë në thelb mediokre dhe, brenda sistemit letrar, thjesht betonojnë konvencione nga më banalet. Vepra të shkruara keq, nga autorë që nuk kanë gjë për të thënë dhe që nuk thonë asgjë, që nuk rrëfejnë asgjë – përveç ambicies zhgënjyese, siç është shpesh ambicia, të autorit të tyre. Atëherë kush i zgjedh këto maska për t’i pompuar dhe pse, në mos për synime dhe pretendime jashtëletrare?
Dikur flitej për “vdekje të autorit” – nevojën për ta ndarë tekstin nga fytyra dhe ngërdheshja e mërzitshme e autorit fizik (ndonjëherë që nuk do të doje ta kishe as në lagje), ndërfutja e tij banale në raportin aq intim të tekstit me lexuesin, pa folur pastaj për shpurën e zhurmshme që e ndjek pas, që nga dera që e lë gjithnjë hapur. Ka qenë i urtë ai propozim, sidomos po të kornizohej si metaforë. Sot jo vetëm që tani autorët nuk pranojnë “të vdesin” kur u botohet vepra, por edhe bëjnë çmos që veprën ta përdorin si platformë, për ekzibicionet e tyre të pahijshme.
Mbase nga ky qorrsokak nuk dalim dot, sepse na pëlqen shumë të jemi kulturë e provincës, që riprodhohet në kafenenë e vetme të qytetit – me shkrimtarin lokal të ulur në krye të vendit, cigaren në dorë, gotën përpara, batutën bajate gati dhe gjithnjë në pritje të mikrofonit dhe të fotografit. Kështu kemi qenë, me të vetmin përjashtim se dikur, në këto qytete me një kafene institucionale, qëllonte të kishte tek-tuk edhe ndonjë librari.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Photo by Kelly Sikkema on Unsplash