Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

PAGA TË PRISHURA

(shënime)

Shoh një damar, një shkrepëtimë të marrëzisë totalitare, tek irritimi i tanishëm kolektiv me pagat, si jehonë të viteve kur paga ishte masa e vlerës ekonomike të një individi – sepse prona private ishte likuiduar si institucion.

Ai regjim fliste shumë por abstraktshëm për lirinë, teksa zbatonte në praktikë barazinë, duke e shndërruar zilinë në virtyt. Ishte regjim barazitist, që i jepte meritokracisë një hapësirë minimale.

Në historinë e vendimeve të PPSH-së dhe pastaj të miratuara ligjërisht dhe administrativisht, gjen rregullisht preokupimin sa me shkurtimin e diferencës mes pagave, aq edhe me shkurtimin e pagave të larta.

Pagat vetë nuk kishin të bënin me kërkesën dhe ofertën në tregun e punës (që nuk ekzistonte), por ishin në thelb një sistem klasifikimi i punonjësve, në bazë hierarkish rudimentare.

Nga njëra anë, të gjithë vareshin nga paga, për të jetuar (nuk po hyj në ndërlikimet e ekonomisë së kooperativës bujqësore); nga ana tjetër këto paga dallonin aq pak mes tyre, sa edhe të shërbenin si sistem për të imponuar dhe ruajtur barazinë.

Paralelisht, barazinë e kontrollonte edhe varfërimi progresiv i tregut – sa kohë që tregtia me pakicë i kaloi edhe ajo shtetit, dhe qytetarit i kufizohej liria e blerjes përmes reduktimit dramatik të ofertës.

Mund të ishe drejtor i një uzine të madhe, siç mund të ishe këngëtarja më e mirë e muzikës së lehtë, por të njëjtat mollë të kalbura do të blije.

Barazitizmi i vlente pushtetit edhe për të qetësuar pakënaqësitë e përditshme, në rrethanat e varfërimit të tregut.

Shteti totalitar nuk është se nuk e pranonte privilegjin; thjesht e kishte zhvendosur nga ekonomia në ideologji, duke e zëvendësuar kapitalin ekonomik të familjeve dhe të individëve me kapitalin politik.

Për të bërë përpara, në shoqërinë totalitare, duhet të kishe biografi të mirë, duke numëruar mes familjarëve dhe të afërmve të tu njerëz të lidhur me regjimin, anëtarë të PPSH-së, njerëz që kishin luftuar.

Edhe më e rëndësishme ishte që të mos kishe, në biografi, kleçka – hije të errëta, familjarë dhe të afërm që kishin gabuar, që kishin shkelur në dërrasë të kalbët, që ishin njollosur si armiq.

Atë rol që sot e luan CV-ja, ose resume-ja, në totalitarizëm e luante “(auto)biografia”, të cilën e rrëfeje ti vetë dhe që depozitohej prapa hekurave të zyrës së kuadrit, së bashku me “karakteristikën”.

Kapitali politik ia kish zënë vendin jo vetëm kapitalit ekonomik, por edhe atij moral. Një pater familias do të kujdesej që e bija t’i lidhej me dikë me “biografi të mirë”. Një dëshmor në familje luante rolin e një çifligu.

Duke eliminuar faktorin ekonomik, e vetmja mënyrë për të bërë karrierë ishte kooptimi ideo-politik.

Rrafshimi i diferencave në pagat, kryesisht nëpërmjet uljes së pagave të larta, mori hov në vitet 1960, në kontekstin e “revolucionarizimit të jetës së vendit”, luftës kundër burokratizmit, heqjes së gradave në ushtri.

Ashtu edhe u shfaq si risi, në krahasim me modelin stalinist, të cilin regjimi i Hoxhës e kish ndjekur deri atëherë. Në Bashkimin Sovjetik gjithnjë kish pasur diferenca dramatike, mes pagave të “kuadrove” dhe atyre të popullit të thjeshtë.

Me gjasë, ky lloj barazitizmi i detyrohej ndikimit të revolucionit kulturor kinez; të paktën ashtu u perceptua, në popull.

Sulmi “zyrtar” kundër pagave të larta, i paketuar edhe si sulm kundër privilegjit dhe pabarazisë, nuk do të pritej mirë nga kuadrot dhe elitat profesioniste, por kjo shtresë ishte vënë tashmë në shënjestër të revolucionit antiburokratik të Hoxhës.

Me gjasë, pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, ky nuk u zinte më besë specialistëve dhe menaxherëve të shkolluar në Universitetet e Lindjes, kulturës së tyre profesionale dhe identitetit të tyre si shtresë teknokratësh; i shihte potencialisht si armiq të klikës që sundonte Shqipërinë dhe që vinte nga Lufta.

Përkundrazi, “populli” uljen e diferencës në paga dhe shkurtimin e pagave të larta do ta përshëndeste, si në favor të “njeriut të thjeshtë”, kundër borgjezimit të elitës drejtuese.

Vitet 1960 ishin edhe vitet kur përfundoi kolektivizimi i bujqësisë (megjithë transformimin që i solli kjo institucionit të pronës në fshat), por edhe kolektivizimi i tregut me pakicë në qytetet; njëkohësisht, profesioneve të lira iu ndalua që të ushtronin aktivitet privat.

Andej e tutje, të gjithë do të “firmosnin në borderonë” e shtetit dhe do të paguheshin prej tij; çfarë edhe e sanksionoi pagën si masë unike të vlerës materiale (ekonomike) të individit punonjës. Në kuptimin që një individ çfarëdo do të vlerësohej tashmë nga (1) numerikisht nga rroga që merrte dhe (2) shoqërisht nga kapitali politik (biografia).

Ky sistem do të shërbente kështu edhe si kafaz për qytetarin, duke ia kufizuar në maksimum lirinë vetjake; dhe duke ia mohuar deri edhe zgjedhjen për të mos punuar.

(Ata që nuk punonin filluan të konsideroheshin si “parazitë” dhe të dënoheshin penalisht.)

Duke i mëshuar barazisë dhe duke u hequr sikur po i konformohej filozofisë së vulgut të tipit “ça ke ti që të jesh më i mirë se unë”, regjimi mbulonte edhe rrëgjimin dhe zhdukjen progresive të lirive individuale elementare, në emër të së ashtuquajturës vijë e masave.

Ironikisht, shumë filluan ta përjetojnë barazitizmin si liri. Disa ashtu e kujtojnë edhe sot (“ishim të gjithë njëlloj”)!

Nga vitet 1970 deri në fund të viteve 1980, u rritën breza për të cilët paga nuk ishte më incentiv absolut për karrierë dhe as siguronte privilegje, në krahasim me favoret që vinin prej afrisë me elitat politike dhe sidomos me mundësitë për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Një shofer ambasade, me pagë relativisht të ulët, kishte privilegjin e super-lakmuar për t’u pasuruar shpejt me të mira materiale, thjesht ngaqë jetonte “jashtë”.

Sa më lart, edhe pse trajtuar thjesht dhe detyrimisht në vija të trasha, dëshmon se gjatë totalitarizmit paga, si masë monetare e punësimit, u shndërrua në simbol të marrëdhënies së qytetarit me shtetin, duke qenë ky punësuesi unik; dhe për pasojë, erdhi duke i humbur lidhjet me vlerat e krijuara nga puna përkatëse, për t’u shndërruar në një lloj pensioni ushqimor, që shteti gardian ua paguante bujtësve të burgut ky i mbante qytetarët.

Në rrjedhë të viteve dhe të dekadave, ky përçudnim i sistemit të marrëdhënieve të punës e dëmtoi edhe vetë institucionin e pagës, përtej raportit të qytetarit me shtetin; dhe me gjasë këto dëme ende nuk janë shlyer.

Si edhe në raste të tjera, dëme të tilla në institucionet ekonomike bazë provokojnë regres, drejt sistemesh më primitive; regres që, në rastin e pagës, mund të jetë manifestuar si një kthim te mercenarizmi, ose gatishmëria për të shitur deri edhe kapitalin moral, e maskuar si “meritokraci”, edhe pse individi nuk shet aq aftësitë profesionale, sa besnikërinë. Tjetërkund, dëme të ngjashme në një institucion tjetër bazë si prona private po manifestohen tani si vullnet ekstrem për të krijuar prona (veçanërisht të patundshme) nëpërmjet pagave artificialisht të larta që siguron kapitali politik (temë për shkrim tjetër).

Mercenarizmi ka rrënjë të thella në psiken kolektive të shqiptarit – por nuk është, as mund të jetë objekt i kësaj trajtese kaq të shkurtër. Mjafton të themi se kthimi i kësaj patologjie, në trajtën e një sistemi jo-logjik dhe të pajustifikueshëm pagash të elitave, do të shpjegohet edhe me masakrimin që iu bë pagës vetë, si mekanizëm ekonomik, në sistemin e mëparshëm.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në media. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin