Nga temat e larmishme të dijes që merret me historinë dhe pre-historinë e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, dy janë ato që tërheqin veçanërisht vëmendjen e jo-specialistëve: autoktonia dhe prejardhja e shqipes nga ilirishtja. Autoktonia ka të bëjë më shumë me gjeografinë, me “tokën” – në greqishten e vjetër, fjala ka kuptimin “që nga mbirë nga dheu”; ndërsa hipoteza e prejardhjes ilire u jep shqiptarëve një identitet edhe në lashtësi. Për një numër dijetarësh, temat e autoktonisë dhe të prejardhjes ilire janë të lidhura mes tyre – meqë autoktonia do ta konfirmonte, qoftë edhe tërthorazi, që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, sa kohë që trojet ku jetojnë shqiptarët sot kanë qenë populluar, në masë të madhe, prej ilirëve.[1]
Të dy argumentet janë problematike. Për autoktoninë, harrohet shpesh natyra e saj relative (Çabej), për hir të besimit se “ne këtu kemi qenë në jetë të jetëve”; më tej akoma, nuk bëhet dallim mes vijueshmërisë biologjike, vijueshmërisë kulturore-materiale dhe vijueshmërisë gjuhësore. E megjithatë, të dhënat e gjenetikës së popullatave tregojnë se karakteristikat gjenetike të shqiptarëve të sotëm janë më “autoktone” se gjuha shqipe, e cila është gjuhë e familjes indo-europiane dhe dikur ka ardhur në Ballkan[2]. Ky pështjellim ndodh ngaqë shumë prej nesh refuzojnë të marrin parasysh ndërrimin e gjuhës, ose atë që ndodh kur i njëjti popull (biologjikisht) e lë një gjuhë dhe fillon të flasë një tjetër, për arsye jashtë-gjuhësore. Me të dhënat që ka sot dija për Ballkanin pre-historik, paraardhësit e shqiptarëve më shumë se sa erdhën së bashku me shqipen, e adoptuan këtë gjuhë, për shkak zhvillimesh demografike, sociologjike dhe politike. Me fjalë të tjera, autoktonia e njerëzve (e “racës”, siç e quanin dikur) nuk bën të ngatërrohet me atë të gjuhës.
Argumenti i dytë, ai i prejardhjes ilire, nuk ka në fakt arsye pse të njëjtësohet me të parin, edhe kur bëhet fjalë për paraardhësit e shqiptarëve si popull, edhe kur bëhet fjalë për shqipen në lashtësi. Në Ballkan, përveç fiseve helene, kanë jetuar edhe popuj të tjerë, të gjithë sot jo shumë të njohur, ngaqë nuk e kanë përdorur shkrimin: ilirët dhe trakët, por mbase edhe dako-mizët, maqedonasit e lashtë (pa lidhje me këta të tanishmit, që janë sllavë), paeonët, epirotët – nëse do t’u besojmë atyre që i mbajnë këta si të ndryshëm nga ilirët dhe nga trakët – e kështu me radhë. Madje jo vetëm në Ballkan, por edhe në trojet ku flitet sot shqipja kanë jetuar, në lashtësi, jo vetëm fise ilire, por edhe fise të tjera – të identifikuar herë si trakë, herë si epirotë. Në parim, cilido prej këtyre fiseve mund të ketë “mbijetuar” në shqiptarët e sotëm.
Nga ana tjetër, meqë gjuhët e lashta të Ballkanit nuk njihen, atëherë hipoteza e shqipes si vazhdim i ndonjërës prej tyre nuk është gjuhësisht shkencore – meqë bazohet në një premisë të panjohur. Dija mund ta klasifikojë shqipen si gjuhë indoeuropiane, në bazë të krahasimeve me gjuhë të tjera të kësaj familjeje; por nuk thotë dot gjë për lidhjet e shqipes me ilirishten, sa kohë që të dhënat për këtë të fundit mungojnë. Edhe mesapishtja, një gjuhë e gjykuar si dialekt i ilirishtes, që ka lënë disa mbishkrime në Puglia, nuk ndihmon shumë – aq më tepër kur përkatësia e saj në grupin ilir mbetet e diskutueshme[3]. Kohët e fundit, J. Matzinger ka formuluar dhe mbrojtur hipotezën se shqipja është vazhdim jo i ilirishtes, as i trakishtes, por i një gjuhe tjetër, përndryshe të panjohur, të Ballkanit.[4] Kjo hipotezë më shumë e shton pështjellimin, duke futur një të panjohur të re në ekuacion.
Tani, edhe sikur ta marrim për një moment të mirëqenë hipotezën ilire, kjo nuk do ta mbështeste vetvetiu argumentin e autoktonisë, sa kohë që ilirët ishin të shtrirë në krejt Ballkanin perëndimor dhe qendror, në një territor shumë më të gjerë se ai ku flitet sot shqipja. Është krejtësisht e mundshme që shqipja të jetë vazhdim i një dialekti ilir të folur fillimisht në një zonë tjetër të Ballkanit – p.sh. në Panoni, në Dalmaci ose gjetiu – dhe që më pas të jetë zhvendosur drejt jugut bashkë me folësit përkatës, për t’u mbrojtur – të themi – prej sllavëve: kjo hipotezë, gjithë duke mbetur brenda kornizës së prejardhjes ilire, do ta rrëzonte autoktoninë.[5]
Edhe e kundërta qëndron: shqipja mund të ishte vazhdimi i një dialekti trak, që në lashtësi flitej diku në trojet ku jetojnë sot shqiptarët – meqë dallimi që bënin grekët e lashtë mes “ilirëve” dhe “trakëve” nuk është gjeografik, por kulturor. Në këtë rast, do të kishim autoktoni, por me refuzim të prejardhjes ilire. Një gjë duhet mbajtur parasysh: shqipja dhe folësit e saj, u gjendën – pas kontaktit të Ballkanit Perëndimor me Romën – para një trysnie të fortë për t’u romanizuar, qoftë edhe ngaqë Roma solli shumë kolonë latinisht-folës në trojet ku flitet sot shqipja dhe gjetiu. Do të supozojmë, me arsye, se shqipja dhe folësit e saj mbijetuan në një ose disa zona relativisht të mbrojtura ndaj asimilimit latin, të cilat me gjasë kanë qenë më shumë në brendësi të Ballkanit se afër vijës bregdetare, dhe më shumë në zonat malore se në ato fushore.
Sikur të mos mjaftonte trysnia nga latiniteti, shqipes iu desh të përballonte edhe trysninë nga dyndjet e popujve “barbarë” në Ballkan, pas shekullit V të erës sonë, prej të cilëve sllavët ishin ata që lanë gjurmë të mëdha edhe në toponimi, edhe në kulturë. Sërish, është e arsyeshme të supozohet se stërgyshët e shqiptarëve të sotëm mbijetuan, në ato kohë të turbullta, (duke u tërhequr) në zona që ishin relativisht të mbrojtura ndaj dyndjeve sllave, sikurse mund të supozohen zona të tjera ku shqiptarët dhe sllavët bashkëjetuan dhe u asimiluan ndërsjellazi. Sërish, analizat gjenetike deri më tash i kanë nxjerrë shqiptarët e sotëm me një identitet gjenetik të spikatur[6], çfarë do të konfirmonte – tërthorazi – hipotezën e autoktonisë (relative), sa i përket përbërjes gjenetike ose “gjakut”; sikurse do të konfirmonte se shqiptarët nuk duket të kenë asimiluar masivisht, në histori, popuj të tjerë dhe t’i kenë bërë këta të ndërrojnë gjuhë për të përqafuar shqipen (e kundërta do të ketë ndodhur gjerësisht: njerëz dhe fise dikur shqipfolëse janë asimiluar dhe kanë ndërruar gjuhë). Por këto të dhëna, për aq sa vlejnë, nuk kanë shumë të bëjnë me historinë dhe para-historinë e shqipes.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Një përmbledhje të përditësuar të këtyre problematikave madhore në albanologji do ta gjeni edhe te shkrimi tani vonë, i Bardhyl Demirajt, Vendbanimet shqiptare në Mesjetën e hershme, botuar në Peizazhe të fjalës, më 23 shkurt 2021. Te ky shkrim i Demirajt do të gjeni të referuar mirë edhe literaturën përkatëse, që e kam lënë pa përmendur në shkrimin tim të tanishëm.
[2] Alternativa do të ishte Ballkani si djep i gjuhëve indoeuropiane. E kanë propozuar si hipotezë, por nuk ka pasur shumë sukses.
[3] Lexoni edhe diskutimin tim këtu: Mesapët jetimë, botuar në PTF, më 6 gusht 2017. Aty do të gjeni edhe referencat për të dhënat dhe hipotezat e fundit rreth mesapëve dhe gjuhës së tyre.
[4] Lexoni edhe parashtresën time këtu: Protoshqipja në Ballkan dhe Protoshqipja në Ballkan (II), botuar në PTF, në 16 dhe 18 tetor 2012. Hipoteza e Matzinger-it mund të lexohet, në shqip, te vëllimi Historia e Shqiptarëve. Gjendja dhe perspektiva e studimit (Botimet Përpjekja, 2012).
[5] Këtu nuk është vendi të ndalem në mundësinë që ilirët e Ballkanit të mos kenë qenë etnikisht dhe gjuhësisht homogjenë, por të kenë folur gjuhë të ndryshme madje pa lidhje të ngushtë mes tyre, siç është përpjekur ta provojë Katiçiç dhe të tjerë, me hipotezën e zonave onomastike. Me ç’rast, dardanët dhe dalmatët do të ishin po aq të ndryshëm gjuhësisht mes tyre, sa edhe – të themi – dasaretët (fis ilir) nga besët (fis trak). Kjo hipotezë e problematizon edhe më tej hipotezën ilire për shqipen dhe shqiptarët. Në mënyrë të ngjashme, edhe dako-mizët dikur konsideroheshin si trakë, ndërsa sot shumë autorë i ndajnë. Edhe më intriguese është hipoteza që i sheh dialektet ilire dhe ato trake si pjesë të një Sprachbund paleoballkanike, duke i shpjeguar afërsitë e tyre jo gjenetikisht, por nëpërmjet kontaktit. Madje edhe marrëdhëniet mes vetë fiseve të shumta ilire mund t’i detyrohen më shumë kontaktit, se prejardhjes së përbashkët. Shumë autorë bashkëkohorë kanë vërejtur se indoeuropianistika klasike u ka dhënë përparësi të papërligjshme lidhjeve gjenetike mes gjuhëve, duke nënvlerësuar lidhjet e tipit Sprachbund.
[6] Disa të dhëna janë përmbledhur këtu, por mbeten të pamjaftueshme, sa u përket shqiptarëve. Mbani parasysh se forumet në atë sajt janë kapur nga llafazanët dhe trollët.