Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

DECONSTRUCTING ÇETI

Kjo e sotmja është tre në një:

  • Mbi rifeudalizimin e Shqipërisë, ilustruar me rastin e Çet Kastratit.
  • Mbi penetrimin rus dhe mungesën e argëtimit digjital në shqip; ilustruar me rastin e Буба.
  • Politika e jashtme në kaos; ilustruar me një pjesë nga libri i John Bolton, “Atje ku ndodhi”.

I. Deconstructing Çeti

Historikisht në Shqipëri, si vend i vogël, udhëheqësit e kanë përqendruar besimin e tyre vetëm në një grup shumë të vogël individësh. Këta, që sipas Mesquita[1] janë thelbësorët (essentials), në një vend demokratik janë më të shumtë në numër sesa në vendet autokratike. Kjo për natyrën e mekanizmave demokratike të zgjedhjes së udhëheqjes, ku rëndësi kanë si zgjedhësit nominalë (nominal selectorate), edhe ata zgjedhësit e vërtetë (influentials, ose real selectorate). Udhëheqësit vetëm i duhet të prishë balancën ndërmjet essentials duke i kontrolluar orekset dhe kërcënuar ata me sanksione në rast tradhtie. Kështu që, megjithëse këta ushqehen e majmen rregullisht nga udhëheqësi, rreziku që mund të zëvendësohen duhet të jetë i qartë. Por, mundësitë e pakta financiare dhe konfliktet e ashpra ndërmjet konkurrentëve nuk krijojnë shumë hapësira për udhëheqjen. Udhëheqja mund të zgjedhë vetëm ndër një numër shumë të kufizuar individësh, çfarë e bën grupin e essentials edhe më të vogël.

Sipas disa autorëve, para vitit 1945, Shqipëria kishte 5 familje të mëdha pronare tokash.[2] Këta zotëronin rreth 50 përqind të tokës së punueshme (rreth një milion hektarë). Krahasimisht, sot shpenzimet e buxhetit të shtetit (rreth 70% për 2015-2019) për naftën ndahen ndër pesë kompani kryesore, ku kompania e Shefqet Kastratit merr pjesën më të madhe (50% për 2015-2019).  Këtij populli i këndon:

… në një vend ku kapitalizmi dhe kapitalistët paragjykohen, luftohen, përçmohen, anatemohen pa fund në një mjedis agresiv, punist, të paemancipuar. Shefqet Kastrati dhe grupi i tij “Kastrati Group”, ia kanë dalë të bëhen ikonë e kapitalizmit shqiptar, por rezultati edhe pse është tmerrësisht i rëndësishëm, madje më i rëndësishmi, nuk shijon, nuk mjafton po të mos kemi parasysh personalitetin e jashtëzakonshëm të zemrës së kësaj sipërmarrjeje, pronarit të saj Shefqet Kastrati. (H. Çili, Gazeta Mapo, 23.05.2017)

Nëse do e analizonim këtë periudhë si një fazë ri-feudalizimi të Shqipërisë, Çeti konceptohet nga H. Çili në kuadrin e asaj që cilësohet Benevolent Feudalism, [3]  si dikur aristokratët në Evropë. Me termin ri-feudalizim (njohur edhe me new gilded age, apo në marrëdhëniet ndërkombëtare me new medievialism) studiuesit emërtojnë dy dukuri sociologjike që shfaqen në sistemin ekonomik dhe në hapësirën publike. (1) Në ekonomi paraqitet me privatizimin e qeverisë dhe përqendrimin e pushtetit ekonomik në një grusht individësh, ndryshe e njohim me termin oligarkia në diskutimet e Fatos Lubonjës.; (2) Në hapësirën publike, me praninë e Public Relations e mekanizmave të marketingut që transferohen nga kompanitë private në hapësirën publike, e cila nga një vend debati shndërrohet në skenë ku shfaqet prestigji i disa individëve apo autoriteti i tyre i mbinatyrshëm.[4] (Kujtojmë këtu diskutimet mbi prezantimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, E. Veliaj, në Facebook nga A. Vehbiu dhe A. Shahini).

Projekti i radhës është një klasifikim automatik (me machine learning) i fytyrave të politikanëve dhe oligarkëve. Të shohim nëse algoritmi do të jetë në gjendje ti identifikojë, pasi sipas një studimi të fundit, politikanët e korruptuar janë rrondokopë dhe mbi peshë.

shperndarja e shpenzimeve per naften nga buxheti i shtetit 2015-2019

II. Buba

Unë e kam thuajse të pamundur të gjej diç të përshtatshme për fëmijë në gjuhën shqipe në YouTube. Ka disa kanale që transmetojnë video për fëmijë në shqip, por janë të një cilësie jashtëzakonisht të shëmtuar. Algoritmi i YouTube me nxjerr ca zëra që nga dialekti tingëllojnë nga Kosova, por nga timbri i ngjajnë më shumë gomerëve (Bleta!), shoqëruar kryesisht nga disa vizatime që të kallin krupën. Festivalet e fëmijëve të regjistruara janë kryer me kamera telefonash dhe këngët janë gjithashtu makabre. Festivalet e Radio-Televizionit Shqiptar nuk shfaqen gjëkundi.

Shyqyr që ka Super Simple Songs, apo Sesame Street, Zouzounia (Zoogies), dhe Kinderlieder zum Mitsingen und Bewegen, edhe pse shqipen duhet ta mësojë gjëkundi tjetër, se përndryshe në kohën e pandemisë do kishim luajtur mendsh. Ndërsa filma me kartona interesante dhe (le të gënjejmë pak veten: ) edukativ ka edhe Netflix (Dinotrux!!!). Edhe pse aktualisht familja ime gjendet në diktatin e imperializmit kulturor amerikan, kam idenë se rusët janë në revansh. Janë dy seri shumë tërheqëse në Netflix, edhe në Youtube: Masha and the Bear, dhe Buba.

Jo për paranojë, por me siguri Buba (dikush në IMDB e karakterizonte krijesë post-Chernobyl) ka mesazhe të fshehura për agjentët e përgjumur (?sleepers), dhe në kuadër të masave vepruese (aktivnye meropriyatiya). Më duhet vetëm ti zbërthejë.

Ndërkohë lexoj përrallat e mia.

1. Jastiku magjik: Një natë Z. nuk e zinte gjumi nga zukatja e një mize dhe zhurma e madhe e një zetori. Po ashtu edhe natën e dytë, të tretë, të katërt e të pestë. Shkoi të nesërmen e ditës së gjashtë te një plak i moçëm dhe e pyeti: kam ditën e parë, të dytë, të tretë, të katërt e të pestë që nuk fle. Pasi e mati mirë me sy, shtatë pash mjekra e dy pashë shtati i tha: Për këtë të duhet jastëku magjik, ai vendos në gjumë gjithkënd që e mbështet kokën aty. Por jastëkun magjik e ka një ciklop. Ti duhet t’ia marrësh atij me forcë a dredhi, se me hir ai nuk ta jep ty. Shkon babai e kapërcen male, kodra e dete të gjejë ciklopin e ti marrë jastëkun magjik. Më në fund e gjen pas shumë peripecish (mund të tregohen në varësi të kohës). Por kur shkon dëgjon ulërimat e ngashërimet e ciklopit. Ai i tregoni se ai gjithashtu kishte plot një javë që nuk flinte gjumë. Jastëkun magjik ja kishte vjedhur Odiseja. Niset babai dhe e gjen Odisenë në një ishull. Ai i rrëmben jastëkun magjik Odisesë në kohën kur ai ishte duke fjetur mbi gjoksin e bashkëshortes. Por jastëku nuk po vinte. Prit Z. babanë, e hiq. Atë e kishte zënë gjumi rrugës. Z. nis me të shpejtë një pëllumb lajmëtar që ta zgjojë e të sjell shpejt jastëkun magjik. Babai vjen, e ja ku është me jastëkun magjik! Vendos kokën, dreqi ta hajë, e fli tani.

2. Go the Fuck to Sleep (Adam Mansbach[5])

Macet prehen pranë kotelkave
Me delet dremisin edhe qingjat
Në krevat je ti ngrohtë e ngrohtë
Ik pirdhu tani, e kyçi ata kokërdhokë.

 

III. John Bolton dhe katrahura.

Libri i J. Bolton[6] ja këshilloj çdo studiuesi të shkencave politikave. Unë besoj se është një prej vëzhgimeve më interesante të administratës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dhe jo vetëm të Trump. Këtu kemi rast të shohim se si parakalojnë realizmi politik, kaosi i D. Trump, dhe tradita administrative të një perandorie.

Rasti i Shqipërisë ilustron disa aspekte: rrëmujën brenda Shtëpisë së Bardhë, konfuzionin që ka shkaktuar Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare, përplasjen ndërmjet administratës perandorake dhe skifterëve të realizmit politik, e mbi të gjitha idiotizmin që ka kapluar politikën e jashtme shqiptare.

Në kapitullin e pestë të librit flitet për një mbledhje të NATO-s ku Trump, komplet jashtë kontekstit dhe kuvendit, ngre çështje ekonomike duke dashur ti përziejë çështjet e sigurisë me ato ekonomike. Thotë Bolton se gjatë diskutimit mbi përqindjet e buxhetit që vendet e NATOs duhet të paguajnë për mbrojtjen, duke i falur vendet e vogla si Shqipëria (në 2018 rreth 1.2 % nga 2%, dhe në ulje prej 2008), Trump iu drejtua problemit të tarifave të BE-së. BE-ja, sipas Trump, nuk po lejonte mallrat e SHBA-së. Këtë çështje e kishte ngritur vetëm Shqipëria në gostinë e mbrëmjes.

Përse Shqipëria duhet të ngrinte një çështje ekonomike, që nuk i takon asaj për më tepër (jo në BE), në një gosti? Ose ishin instruktuar nga grupi i diletantëve përreth dhëndërrit dhe bashkëshortes së Trump, sikur i quan Bolton nëpunësit që punojnë për këta (e këtu gishti shkon edhe tek ambasadorja e SHBA-së në Tiranë). Ose në ministrinë e jashtme janë të vëmendshëm mbi interesat e Trump e nuk humbin kohë ti përmendin me servilizëm edhe atje ku nuk i takon. Për më tepër gjatë gostisë, ku zyrtarët bisedojnë ndër të tjera edhe për ngjyrën e mishit dhe shijen e makaronave. Dikush do të mendoj se kryeministri, të cilit Bolton nuk denjon ti njohë emrin, po merret me diplomaci ekonomike, që e ka shumë për zemër. E nuk mund të presim që të vejë si Isa Boletini, me çitjane e jatagan nën brez. Edhe pse për gostinë këto do të ishin më të përshtatshme nëse kishte ndërmend të luante karagjozin.

 


[1] Bueno, de M. B. Dictator’s Handbook, The: Why Bad Behavior Is Almost Always Good Politics. New York: The Perseus Books Group, 2012.

[2] Ruß, Wolfgang. Der Entwicklungsweg Albaniens: Ein Beitrag Zum Konzept Autozentrierter Entwicklung. Transfines. Meisenheim am Glan u.a.: Hain, 1979.

[3] Kaltmeier, Olaf. “Invidious Comparison and the New Global Leisure Class: On the Refeudalization of Consumption in the Old and New Gilded Age.” In FIAR: Forum for Inter-American Research, vol. 12, no. 1. 2019.

[4] Habermas, Strukturwandel der Öffentlichkeit, Frankfurt am Main: Suhrkamp, 1962 (1990).

[5] Mansbach, Adam, and Ricardo Cortés. Go the Fuck to Sleep. New York: Akashic Books, 2011.

[6] Bolton, John. The Room Where It Happened. a White House Memoir. New York: Simon & Schuster Inc, 2020

 

Shënim: Të dhënat për shpenzimet e buxhetit i gjeni këtu, pasi opendata.al nuk lejonte të merreshin të dhënat. Ato janë shkarkuar nga tabelat excel te Ministria e Financave.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin