Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjekësi

SËMUNDJA NË PUBLIK

Sot, kur shumëkund anembanë botës të ndalon policia, po të ecësh në rrugë pa maskë, pothuajse e kemi harruar se vetëm pak muaj më parë, mbase në të njëjtat qytete, të shihnin shtrembër po të ecje në rrugë me maskë (burka, balaklava, maska Guy Fawkes, dhe marifete të tjera): me arsyetimin se hapësira publike themelohet mbi të parët e Tjetrit në fytyrë, vajtje-ardhje.

Detyrimi për të mbajtur maskë vjen bashkë me shtrëngime të tjera – si ndalimin e qarkullimit dhe të grumbullimeve të më shumë se X vetëve: jeta sociale është vënë në pauzë. Të njëjtat rrethana fizike që mundësojnë shkëmbimet e ideve, afeksioneve dhe riprodhimin e marrëdhënieve ndërpersonale, po shihen tani si vatrat ku shkëmbehet dhe riprodhohet virusi. Ti që më dhuron idetë e tua, mund të më dhurosh edhe infeksionin. Siç do ta thoshte R. Qosja: “Vdekja më vjen prej një fryme të tillë.”

Një imazh që më ka ardhur shpesh: një sallë koncerti, ku një pianist – të themi Keith Jarrett – gatitet të fillojë koncertin e radhës. Njerëzit kollen. Tek-tuk, por kollen. Keith Jarrett sheh gjithë inat nga personi që supozohet se është kollur. Ja edhe një kollë tjetër. Publikun e lajmërojnë me shumë mirësjellje që t’i fikin reflekset e të kolliturit. Rivendoset heshtja. Por ja, sërish një kollë shpërthen, e papërmbajtshme gjetiu; dhe pastaj një teshtimë në kontrapunkt. Zemëratë e përgjithshme. Keith Jarrett e anulon koncertin…

Imazh i normalitetit të humbur. Sot kolla në publik ndalohet me ligj – sikurse ndalohet edhe koncerti jazz, përveçse ne YouTube; Keith Jarrett e kalon ditën duke dizinfektuar, me tequila, tastet e pianos së vet private. Hapësira publike brenda dhe jashtë tashmë ka marrë atributet e një vendi njëkohësisht steril dhe të ndotur; barasvlera biologjike e një fushe të virgjër, por me mina. Kur eci në lagjen time të shkretuar, në Brooklyn, pa dashur pres të shoh, te dyert e shtëpive, ndonjë njoftim nga autoriteti i shëndetit publik, se shtëpia është “prekur” tashmë…

Sëmundja bën kërdinë, por kërdinë lejohet ta rrëfejnë vetëm mediat (me mjekë dhe infermierë që zhvendosen si astronautët në stacionet orbitale të koronës): asnjë shenje të virusit nuk i lejohet shfaqja në publik. E njëjta rrugë ku çajnë asfaltin orë e minutë ambulancat me sirenat ndezur, duhet të mbetet pasqyrë ideale e shëndetit. Njerëzit shkruajnë deri edhe letra për t’u ankuar pse, bashkëqytetarët e tyre dhe bashkëmëhallësit, hedhin në tokë maska dhe doreza të përdorura. I vetmi vend, përtej lazaretit (jo Lazaratit!), ku të lejohet të jesh i sëmurë për qejfin tënd është shtëpia: ose vendi ku të kanë urdhëruar përndryshe të mbyllesh, për të mos u sëmurur. Të thuash se shteti po na kërkon ta luajmë dramën e përditshmërisë në votrat tona – që nuk ishin as gati, për këtë farë fisnikërimi aksidental. Por të paktën, nga shtëpia, mund të hysh tek hapësira e re publike: rrjetet sociale, tashmë të krimbura nga viruse të tjera.

Nuk di të them nëse ka ndonjë lidhje mes pranisë individuale që na shtohet e na forcohet në virtualitet, dhe zhdukjes së identitetit në rrugë. Sot e ke më të lehtë të jesh anonim përjashta, duke u mbuluar me maskë, se në Facebook; pa përmendur pastaj që në Facebook mundesh ende “të luash” me Tjetrin dhe të shkëmbesh me të “sëmundje” (p.sh. meme, video, thënie të urta profetësh).

Tek e fundit, kjo karantinë po na mëson edhe sa thelbësore paska qenë, për të gjithë ne si njerëz, aftësia për t’ia ngjitur diçka tonën Tjetrit: vërtet, një shije, një mendim, një dyshim, një neveri, një adhurim; por edhe një bakter. Vallë dyshon më kush sot, se ata që jetojnë bashkë vijnë e bëhen të ngjashëm mes tyre edhe ngaqë bashkëndajnë, në rrjedhë të kohës, të njëjtën florë bakteriale? Çfarë është puthja në buzë, tek e fundit, në mos një shkëmbim i vrullshëm, masiv, dramatik i baktereve të gojës? I love you, baby; here’s my viral load for you.

Pa folur pastaj për të shëruarit. Sepse ti mund të jesh i infektuar dhe të mos e dish; sikurse mund ta kesh kaluar sëmundjen, dhe të mos e dish; ose të kujtosh se e ke kaluar, por në fakt po e shpërndan virusin akoma, si ata kalamajtë e palodhur flluskat e sapunit në park. E vetmja gjë që nuk të lejohet, është të jesh sëmurë nga një flamë tjetër. Është turp të shkosh në spital, thjesht ngaqë të ka mbërthyer gripi. Ose ngaqë të ka mbledhur ujë gjuri. Ose kur po të shpërthen hemorroidi. Shteti i ka ndaluar tashmë disa sëmundje nga më kryesoret, për të mirën e përgjithshme. Për të njëjtën arsye, shteti nuk të lejon më as të deklarohesh i shëruar: përditë dëgjon dhe lexon për “të shëruarit” që vazhdojnë të jenë të sëmurë, sikurse lexon për të sëmurët pa simptoma. Brenda kësaj emergjence epidemiologjike, kufijtë mes infektimit dhe shërimit mbeten fluidë, të papërcaktueshëm: derisa nuk kanë ardhur “ata” që të na shpëtojnë të gjithëve me vaksinën.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. I shtive ndermend hajduteve te bankave, kercenojne se do te kollasin e me maska … Schrödingers Katze pastaj se cfare ngjet

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin