Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjekësi / Shkencë

FETUS

Slowly learnin’ that life is okay…
a-ha, Take on Me

 

Notën më të ulët në fakultet, që ishte edhe minimumi për të kaluar, pra 5, e kam marrë në lëndën e histologji-embriologjisë. Dhe vite më vonë, ndoshta ngaqë jam një çikë kundërpedal, për doktoratën time në neonatologji m’u desh të hulumtoj e mbledh njohuri të imta pikërisht mbi jetën embrionale e fetale të njeriut (plus… të miut, rattus norvegicus). Me këtë rast mësova plot gjëra interesante që, nuk e di a e keni provuar, janë pikërisht ato pa ndonjë vlerë praktike. Diçka syresh po dashkam të rrëfej tani! Për shembull, si jeton e ç’përjeton një fetus, ashtu i zhytur në lëngun amniotik, përbrenda qeses amniotike, brenda placentës, në mitrën e mëmës?

Ovuli i pllenuar (zigota) bëhet embrion, i cili shndërrohet në fetus diku aty nga java e 10 e shtatzënësisë. Fjala “shndërrim” është pak e tepruar, se kalimi bëhet gradualisht: le të themi që embrioni konsiderohet fetus[1] kur sistemet dhe organet janë krijuar tashmë, mbetet vetëm që të përsosen. Zhvillimi i fetusit është tejet i përshpejtuar, gjë që pas lindjes nuk do të ndodhë më. Aq është e vërtetë sa llogaritë në jetën brendamitrore bëhen me ditë, maksimumi me javë, jo si pas lindjes, që bëhen me muaj e vite.

Kurse placenta është një organ, i përkohshëm, i vetmi organ i përkohshëm i njeriut (nënës): ajo e heq atë qafe kur s’i nevojitet më; e nxjerr bashkë me të porsalindurin gjatë procesit të lindjes (nënat, normalisht, në fillim nxjerrin në dritë të porsalindurin, pastaj placentën). Placenta, me anë të kordonit umbelikal (litarthit kërthizor), krijon lidhjen midis nënës dhe fetusit, me të gjitha shkëmbimet metabolike që ndodhin midis tyre: oksigjen, lëndë ushqyese dhe, në drejtim të kundërt, mbetje të metabolizmit (dyoksid karboni, mbetje të azotuara…) pa përzierje të gjakut të mëmës me atë të fetusit. Për kulturën perëndimore placenta është diçka me pamje të shëmtuar që, pasi ekzaminohet me kujdes nga obstetrit, flaket në djegës (term i mësuar nga Dr. Berisha). Pjesa dërrmuese e sisorëve e ha placentën pas lindjes (nëna e ha). Ngjall kërshëri fakti që njeriu është ndër të paktët që nuk e bën këtë. Por kohët e fundit ka filluar edhe kjo punë. Quhet “placentofagi”. Si modë, e ka zanafillën në vitet shtatëdhjetë, në SHBA natyrisht. Ka gra që e hanë ashtu siç është, të pagatuar e tërë gjak, që u rrjedh pastaj anash gojës, si të jenë vampire; disa, me më tepër klas, kafshojnë një copëz të vogël e pjesën tjetër ia japin foshnjes ta thithë. Ama, kryesisht, përgatisin me placentën gjellë të shijshme, bonjëri të vërteta për të lëpirë gishtat (i imagjinoj shulakë dhe me manikyrë): ragù, qofte, biftek placente, por edhe salsiçe e hamburger, bile, edhe “petanik” – pra, gjëra brenda perimetrit të mirëshijshmërisë amerikane. Ka që e mbajnë në frigorifer, në ngrirës, ose që e thajnë për ta ngjëruar me nge më vonë, nesër, vitin tjetër. Por ka edhe që e ziejnë për ta bërë supë që, marr me mend, ia shpërndajnë pastaj të ftuarve nëpër fajanca farfuritëse me garuzhde dikensiane. Në rrjet mund të gjeni sa të duash receta për gatimin e placentës. Nga njerëzit zulmëmëdhenj të Amerikës që pranon ta ketë ngënë placentën e vet (por, saje klasit të saj të lartë, vetëm në formë hapesh) është njëra nga motrat Kardashian (mos më pyesni cila, se nuk jam në gjendje ta ftilloj çështjen e motrave Kardashian).

Ndërkaq fetusi, dalëngadalë, e përgatit veten për të bërë kalimin e madh, lindjen, por ama, si ajo krisalida në kukule, sa kohë është ende brenda mitrës s’është akoma gati të ngrihet fluturim kah një tjetër botë, thellësisht e ndryshme, pafundësisht e gjerë. Gjatë zhvillimit brendamitror fetusi rron në qesen amniotike, të mbushur me lëng amniotik që i lejon not e lëvizje pak a shumë të çlira, dhe ku forca e rëndesës barazpeshohet disi nga ajo e Arkimedit. Fillimisht lëngu amniotik është i kthjellët, me një si ngjyrë të zbehtë kashte. Në fazat e para të shtatzënësisë i ngjan në përmbajtje dializatit të serumit amtar dhe një pjesë e tij përftohet nga uji i mbartur tejetej shkojëzave të lëkurës fetale, tepër e hollë dhe e përshkueshme. Me rritjen e fetusit, pastaj, përmbajtja ndryshon: përqendrimi dhe osmolariteti i natriumit bien dukshëm, teksa rriten urea, acidi urik dhe kreatinina. Lëngu amniotik mbart gjithashtu hormone steroide dhe proteina. Duke filluar nga java e 16, një numër i konsiderueshëm qelizash fillojnë të zhvoshken nga amnioni, lëkura e fetusit, pema trakeobronkiale; lëngu fillon avash-avash të përmbajë edhe urinë fetale, lëng të prejardhur nga mushkëritë, sekrecione goje e hunde, sekrecione të mëlçisë, zorrëve, pankreasit. Të gjitha këto… sikur e turbullojnë ca. Meqë, siç do ta shpjegoj më poshtë, normalisht fetusi e gëlltit lëngun amniotik dhe pastaj e urinon, për ta ruajtur atë gjithnjë në sasi të mjaftueshme që t’i shërbejë për notim, nga fundi i shtatzënësisë lëngu amniotik është praktikisht i përbërë vetëm nga urina.

Mënyra më e mirë për studimin e fetusit: e thjeshtë, e sigurt dhe joinvazive, janë ultratingujt (ekografia). Shumë rezultate janë arritur edhe me studimin e fëmijëve prematurë të rëndë (lindur përpara javës së 28). Prematurët mbahen nën kontroll të vazhduar nga neonatologët dhe parametrat e tyre jetësorë, analizat e gjakut, urinës ose funksionet e tjera kontrollohen drejtpërdrejt përditë. Thuhet që prematurët i qëndrojnë “besnikë fetalitetit të tyre”, pra zhvillohen e maturohen si të ishin fetuse.

*

Sistemi kardiovaskular duhet të ndërmarrë një sërë përshtatjesh strukturore, fiziologjike dhe funksionale që të bëjë të mundur mbijetesën e fetusit në një mjedis hipoksik (me nivel të ulët oksigjeni), thelbësisht i ndryshëm nga mjedisi i hapur ku ne jetojmë. Duhet, pra, që gjakun e oksigjenuar që i vjen nga placenta ta dërgojë në mënyrë të privilegjuar në tru, duke shmangur të ashtuquajturin qarkullim të vogël të gjakut (meqë mushkëritë hëpërhë nuk e kryejnë dot oksigjenimin). Pas lindjes, normalisht, ana e djathtë e zemrës nuk komunikon me të majtën. Kështu, gjaku i varfër me oksigjen dhe i pasur me dyoksid karboni mbërrin në zemrën e djathtë, që e dërgon në mushkëri, për të lënë aty dyoksidin e karbonit dhe për t’u pasuruar me oksigjen. Vetëm paskëtaj gjaku kthehet në anën e majtë të zemrës (këtu përfundon, normalisht, qarkullimi i vogël i gjakut) për t’u shpërndarë, fillimisht në aortë e në krejt organizmin. Te fetusi, ana e djathtë e zemrës komunikon me të majtën me anë të dy shunt-eve (kalesave). Një shunt i tretë (që më poshtë do ta ndeshim të parin) ndodhet në nivelin e mëlçisë. Të treja mbyllen orët e para pas lindjes.

Qarkullimi i gjakut te fetusi, me pak fjalë, zhvillohet kështu: gjaku amtar i pasur me oksigjen hyn në placentë dhe, nëpërmjet barrierës placentare, shkëmben oksigjenin me gjakun fetal. Ky, i pasuruar kësisoj me oksigjen dhe duke lënë pas skoriet organike, hyn në fetus me anë të venës umbelikale[2]. Kur i afrohet mëlçisë, pjesa më e madhe kalon nëpërmjet duktusit venoz, i Aranzio-s (nga Giulio Cesare Aranzio, që e përshkroi i pari më 1564 – shunt-i i parë) drejtpërdrejt në venën kava të poshtme duke e anashkaluar mëlçinë. Kjo bëhet e mundshme sepse, gjatë shtazënësisë, mëlçia nuk ka pse kryen funksionin e saj si filtër dhe metabolizues i gjakut, që vjen bajagi në rregull nga placenta. Një pjesë e vogël, megjithatë, hyn nëpër sinuzoidët hepatikë dhe përziehet me gjakun e qarkullimit portal. Një mekanizëm sfinkteri që gjendet në duktusin venoz, rregullon fluksin e gjakut umbelikal që duhet të kalojë në mëlçi.

Vazhdojmë më tej: pas një rruge të shkurtër nëpër venën kava të poshtme, gjaku hyn në veshin (atriumin) e djathtë; që këtu valvula e venës kava të poshtme e drejton në foramen ovale, i Bottali-t, (shunt-i i dytë) një birë që bën të komunikueshme dy veshët (atriumet); pjesa më e madhe e gjakut hidhet kësisoj majtas. Një pjesë e vogël, ama, ngec, nuk arrin të kalojë dhe mbetet në veshin (atriumin) e djathtë, duke u përzier me gjakun që vjen nga koka dhe krahët me anë të venës kava të sipërme. Ndërkohë, gjaku që thamë se ka hyrë në veshin e majtë zbret në barkushen e majtë dhe, i pompuar nga ajo, në aortë. Duke qenë se arteriet koronare dhe karotidet komune janë degët e para që dalin nga aorta (nga pjesa ngjitëse e aortës), muskulatura e zemrës dhe truri janë indet më mirë të oksigjenuara. Nga ana tjetër e zemrës, ai pak gjak që mbeti djathtas bashkë me atë që, siç thamë, vinte nga koka dhe krahët, zbresin në barkushen e djathtë e prej aty pompohen në trungun e arteries pulmonare. Duke qenë që rezistenca e vazave pulmonare gjatë jetës fetale është shumë e lartë, pjesa dërrmuese e këtij gjaku s’ka nga shkon tjetër pos në atë që quhet duktusi arterioz, i përshkruar edhe ky për herë të parë nga Leonardo Botalli, në një vepër postume botuar shtatëdhjetë e tre vjet pas vdekjes, më 1660 (shunt-i i tretë): një gyp lidhës arterioz që gjatë jetës fetale dhe orëve të para pas lindjes garanton fluksin e gjakut midis arteries pulmonare dhe aortës zbritëse, ku përziehet me gjakun që vjen nga harku i aortës. Në lindje mushkëritë hapen dhe rezistenca bie; ndërkohë që rriten rezistencat e sistemit dhe fluksi kështu invertohet.

Nga harku i aortës rryma e gjakut rrjedh drejt placentës me anë të dy arterieve umbelikale. Pra, ta përmbledhim, përgjatë udhës nëpër organizmin e fetusit, gjaku i placentës, me një përmbajtje të lartë oksigjeni, që vjen me venën umbelikale, e ul gradualisht nivelin e vet të oksigjenit duke u përzier hap pas hapi me gjakun venoz. Në përshkallëzime të ndryshme kjo ndodh: 1) në mëlçi, duke u përzier me një sasi të vogël gjaku të sistemit të venës porta; 2) në venën kava të poshtme, që sjell gjak venoz prej gjymtyrëve të poshtme, legenit, veshkave; 3) në veshin (atriumin) e majtë, ku mbërrin gjaku i mushkërive; 4) në aortën zbritëse nga derdhja aty e duktusit arterioz të Botalli-t.

Mushkëritë, siç thamë, natyrisht, nuk marrin frymë. Dhe dihet që në jetën e tokësorëve lëngu, cilido, është armik i mushkërive. Prandaj edhe epiteli i mushkërive prodhon një si lëndë veshtullore (quhet surfaktant) e cila luan rolin e një cipëze: mbush dalëngadalë hapësirat ajrore duke i mbajtur alveolat të shtendosura. Përndryshe, mushkëritë s’do të ishin të zonjat të maturonin, të zgjeroheshin. Dhe, duke qenë se lëngu amniotik ka dendësi më të ulët, surfaktanti ia pengon depërtimin nëpër alveola, ndonëse një farë shkëmbimi lëngjesh gjithsesi bëhet i nevojshëm për të shmangur që mushkëritë të jenë tepër “të ngjitshme”. Lëvizjet “frymëmarrëse” të mushkërive ndihmojnë këtë përkëmbim dhe përtëritje; quhen “lëvizje paradoksale” sepse, ndryshe nga ç’ndodh në qiell të hapur, shoqërohen me një shtyrje të fuqishme për jashtë (protruzion) të barkut. Kjo “marrje frymë” sa për të thënë bëhet përjashtimisht me hundë dhe është e rëndësishme për koordinimin me thëthitjen dhe gëlltitjen: një si punë “stërvitjeje” për periudhën kur bebushi i ardhshëm do të pijë qumësht gjiri (ose biberoni) dhe duhet ta bëjë këtë pa e ndërprerë frymëmarrjen.

Edhe në fytyrën e fetusit gjithçka është një parapërgatitje për thëthitjen që ka për t’i bërë qumështit pas lindjes: goja është thuajse e gjitha e zënë nga gjuha – shumë më e gjerë dhe e trashë në krahasim me gjuhën e fazave të mëvonshme të rritjes. Për më tepër, fetusit i formohen edhe një sërë jastëçkash dhjamore në faqka, të quajtura “ventuza thithëse” (sucking pads): japin qëndrueshmëri dhe forcë gjatë thëthitjes. Është një zotësi që vjen duke u zbehur dalëngadalë, se fëmijët duhet të zhvillojnë kompetenca të tjera: në të folur, kafshim, përtypje…

Gëlltitja si akt përsoset, bile-bile, përpara aftësisë thëthitëse. Gëlltitja nuk është aspak një akt i thjeshtë: njëzet e gjashtë muskuj dhe gjashtë nerva janë të përfshirë. Natyrisht, fetusi nuk ka ç’të gëlltitë tjetër pos lëngut amniotik. Këtë bën. Lëngu kalon sfinkterin e sipërm të ezofagut dhe mbush faringun. Në këtë pikë sfinkteri (quhet edhe sfinkter krikofaringeal) tkurret dhe ia ndalon lëngut të kthehet nga faringu në gojë. Kështu lëngu pastaj zbret për në stomak, pasi kalon edhe sfinkterin ezofageal të poshtëm, që pengon refluksin nga stomaku. Njëkohësisht edhe laringu mbyllet, në mënyrë që lëngu amniotik të mos hyjë në mushkëri. Kësisoj, lëngu amniotik luan rol të rëndësishëm në maturimin e zorrëve, në shtendosjen e tyre dhe për t’ua ruajtur kalueshmërinë. Thëthitja dhe gëlltitja e fetusit “e stërvitin” të porsalindurin e ardhshëm të kryejë lëvizjet e duhura dhe të koordinohet drejt kur të kapë thimthin ose biberonin për të shtrydhur qumështin dhe të bashkërendojë mrekullisht këto tre akte: thëthitje-gëlltitje-frymëmarrje.

Diku nga java e 23 zorrët mund të quhen aq të pjekura sa të fillojnë të përthithin dhe, si pasojë, të prodhojnë jashtëqitjet e para, që quhen mekonium (përmban pigmente tëmthi, qeliza, copa lëkure…) dhe kanë pamjen e një lënde të ngjitshme me ngjyrë të zezë në të gjelbër. Fetusi ama, normalisht nuk jashtëqit: mekoniumi mbetet në zorrë gjatë gjithë shtatzënësisë dhe jashtëqitet nga bebja në 24 orët e para pas lindjes. Jashtëqitja sado e vogël e mekoniumit që ndot lëngun amniotik është një shenjë vuajtjeje fetale që i vë mjekët në alarm.

*

Është e pamundur të dimë se çfarë mendon fetusi dhe, bile, a mendon apo jo. Sinjale trunore të copëzuara, të dobëta dhe të vagëta çoku regjistrohen ndonjëherë, megjithatë, sidomos në periudhat e hershme, të ashtuquajturat “valë trunore” nuk dëshmojnë për funksione trunore sipërane, por vetëm për një aktivitet të pavijueshëm, të papërcaktuar e të copëzuar. Këto pak valë janë, gjithsesi, ndryshe nga ato të së porsalindurit dhe fillojnë e kapen vetëm nga fundi i shtatzënësisë. Se çfarë ndjen fetusi mund vetëm të deduktohet nga lëvizjet që kryen kur stimulohet dhe, në stadet e avancuara të shtatzënësisë, nga përshpejtimi apo ngadalësimi i rrahjeve të zemrës (ndryshimi i frekuencës) pas një stimulimi çfarëdo. Përpara javës së 22-24 fetusi nuk e ndryshon frekuencën e rrahjeve. Sado lëvizje prej zevzeku të kryejë, zemra i rreh po njëlloj. E ashtuquajtura “ndryshueshmëri kardiake” (heart rate variability) nuk ka filluar akoma.

Fetusi rri gjatë gjithë kohës në një si gjendje përgjumjeje, nanurisjeje: zgjohet për fare pak (punë sekondash) dhe kemi të bëjmë, deri aty nga java e 34-36, me një dukuri tejet të rrallë. E quajmë që zgjohet se hap nga pak sytë. Pjesën tjetër e kohës – pjesën dërrmuese – kemi ciklin prehje/aktivitet. Nga java e 27-29 ciklet e prehjes shtrihen në mënyrë progresive dhe zgjasin rreth 15-28 minuta (ndërkohë që në javët e 17-20 kishin zgjatur aty te 6-8 minutat). Për gjumë të vërtetë (me fazat e tij aktive dhe pasive) mund të flasim vetëm duke filluar nga java e 36.

Fetusi fillon të lëvizë rreth javës së 7-8 (jemi ende në fazën embrionale). Në ato fillime, lëviz me ndërprerje, por me të gjithë trupin dhe stuhishëm, për të rënë sakaq menjëherë në qetësi. Gjatë fazave të para të zhvillimit, ciklet aktivitet/prehje përkëmbehen shpesh dhe vazhdimisht (çdo 3-5 minuta). Këto “lëvizje të gjeneralizuara” janë tejet të copëzuara dhe të dendura. Teksa shtatzënësia bën përpara, lëvizjet e gjeneralizuara nis e rrallohen, bëhen më pak të copëzuara dhe zgjasin më shumë. Nga java e 30-32 prehja midis një lëvizjeje të gjeneralizuar dhe tjetrës mund të shkojë edhe njëzet minuta e, më vonë, deri gjysmë ore e më tej. Këto lëvizje nuk janë të vullnetshme, por të provokuara nga struktura të veçanta trunore me rolin e një pacemaker-i, që i “shkrep”. Episode tejet të shkurtër zgjimi (për pak sekonda) janë një arritje e vonë në shtatzënësi, kurse gjendjet e hiperaktivitetit të provokuara nga ankthi i takojnë vetëm jetës pas lindjes. Ndaj mund të themi që lëvizjet e gjeneralizuara nuk kanë të bëjnë fare me emocionet apo me ndonjëfarë vetëdijeje. Këto lëvizje luajnë një rol vendimtar në formimin dhe mbrujtjen e sistemit skeletor-muskulor, që është në shndërrim të plotë gjatë shtatzënësisë: formohen dhe diferencohen eshtrat, muskujt, tejzat, kërcet… dhe, si për çdo gjë tjetër, nuk mjafton vetëm gjenetika, duhet edhe praktikë. Një tjetër funksion i lëvizjeve të gjeneralizuara, sado qesharak të ngjajë, është që të parandalojë ngjitjen e lëkurës së fetusit te muret e mitrës. Lëkura e fetusit është tmerrësisht delikate. Më mirë se të gjithë këtë e dinë mjeket e infermieret neonatologe, që një leukoplast duhet të mendohen mirë për ta ngjitur mbi lëkurën e fëmijëve prematurë.

Vonë në jetën brendamitrore hyjnë në lojë ato që quhen “lëvizje të lokalizuara”, të cilat synojnë (në mënyrë të pavetëdijshme) një objektiv të caktuar. Në përgjithësi bëhen me duar. Duart janë mjeti kryesor i fetusit për t’u njohur me trupin e vet dhe për të arritur të ketë njëfarësoj ndjesinë e ç’është e ç’nuk është Vetvete. Kështu, sidomos duke filluar nga java e 30, fetusi fillon të prekë veten dhe pastaj mjedisin rrotull: në mënyrë të veçantë gojën dhe fytyrën (mbas javës së 38, kur i janë rritur mirë thonjtë, i ndodh shpesh të gërvishtet në faqe); fërkon sytë, kruan ballin. Prek gjithashtu këmbët, kofshët, gjunjtë, organin gjenital. Interesante, por kafkën nuk e prek thuajse kurrë. Kafka e fetusit ka fare pak fibra nervore ndjesore: një si punë anestezie natyrale për kur të lindë, meqë koka do të shtyhet e shtypet nëpër kanalin vaginal. Se gjatë procesit të lindjes fetusi nuk rri aspak pasiv, por merr pjesë në të sidomos me lëvizjet e kokës (përkulje dhe rrotullim), që udhëheqin kësisoj trupin nëpër kanal. Përsëri duke filluar nga java e 30, fetusi fillon të prekë shpesh e me kujdes edhe mjedisin rrotull: placentën, kordonin, muret e mitrës; me pëllëmbën të hapur krejt dhe duke e mbështetur mirë.

Brofjet (këtu po i shpik në shqip termat, por në anglisht është: startles), hedhje të menjëhershme përpjetë si punë shoku, me një kohëzgjatje që nuk e kalon sekondën, janë një dukuri shumë e shpeshtë sidomos në fazat e para të shtatzënësisë (në javën e 8-9 të jetës – në këtë rast embrionale – janë dukuria mbizotëruese që vërehet). E kanë zanafillën nga trungu cerebral dhe janë kësisoj pa domethënie psikologjike apo emotive. Kulmin e mbërrijnë javën e 13, duke u bërë pastaj gjithnjë e më të rralla, që t’ua lënë vendin lëvizjeve të lokalizuara. Në fillimet e shtatzënësisë, “brofjet” shërbejnë për t’u dhënë zanafillën lëvizjeve të gjeneralizuara.

*

Përpara javës së 14-16 fytyra e fetusit është gjithnjë statike dhe e patradhtueshme; buzëqeshja është shprehja e parë e fytyrës që vihet re, me raste, duke filluar nga java e 15-16. Paskëtaj, fetusi fillon të buzëqeshë gjithnjë e më shpesh, por kjo ndodh gjithmonë gjatë prehjes. Nga gjysma e shtatzënësisë e prapa shprehjet e fytyrës fillojnë të jenë jo vetëm buzëqeshja, por edhe ato që përfshijnë të ashtuquajturat “emocione negative”. Për shembull, vihen re disa shprehje të fytyrës që kanë karakteristikat e të qarës, por këto “të qara” zgjasin fare pak (siç ndodh edhe me ngërdheshjet e buzëqeshjet e të porsalindurit). Një “e qarë” me dënesë s’bën vaki kurrë. Fillon edhe të nxjerrë gjuhën, sikur do të tallet. Por duhet thënë që shprehjet e fytyrës te fetusi nuk kanë synim komunikimin: tek pullë, fetusi nuk ka me kë komunikon[3]; ama, përgatitet për të komunikuar që ç’ke me të pas lindjes, për të zotëruar gjithë gamën e shprehive, aq të rëndësishme për komunikimin e nevojave të veta të mëvonshme foshnjërore (nuk di të flasë).

Dëgjimi (perceptimi i tingujve/zhurmave) është, ndër shqisat, më e lehta për t’u hulumtuar dhe si e tillë është studiuar fort mirë. Vetë tingulli, po të mos jetë shumë i fortë, është shembulli më i mirë i një stimulimi të padëmshëm që jep informacion mbi zhvillimin e shqisës së të dëgjuarit te fetusi. Mjafton të vendosësh një burim zanor çfarëdo mbi barkun e gruas shtatzënë dhe të ndjekësh reagimin e fetusit me ekografi. Përgjigjet e para fetale: pulitje sysh (blinking) e shoqëruar menjëherë me brofjeje (startles) vihen re rreth javës së 24-25, por janë rastësore. Pak më vonë dhe përgjigjet bëhen të qëndrueshme; nga fundi i shtatzënësisë pastaj, aty nga java e 40, fetusi është në gjendje t’i përgjigjet edhe stimujve mjaft të dobët (deri në 13,5 decibel), gjë që tregon që sistemi i tij i dëgjimit është maturuar. S’ka ngelur muzikë pa ia vënë ta dëgjojë fetusi, por parapëlqimi i tij mbetet për muzikën e Bach-ut, Mozart-it (në përgjithësi muzikën klasike), ninullat, muzikën e soap opera-ve, e me radhë…

Fetusin e zë shpesh lemza dhe gogësin shumë, por roli (domethënia funksionale) e këtyre “Muzave trupore” mbeten ende të pakuptuara. Megjithatë, pavarësisht se janë dukuri të ndryshme, disa studiues i kanë lidhur me njëra-tjetrën duke i cilësuar si një lloj frymëmarrjeje “primitive”, “urgjence”. Shtatzënat, kur fillojnë t’i ndjejnë lëvizjet fetale vjen një moment që arrijnë ta perceptojnë kur fetusin e zë lemza. Lemza, duke shtrirë dhe nderë muskujt e krejt diafragmës, i ndih “frymëmarrjes” fetale dhe e përgatit për ato të paslindjes. Kurse gogësima është e gjitha e mbështjellë me mjegull. Por, derisa fetusi gogësin shpesh, një domethënie duhet ta ketë.

E lindur, foshnja katapultohet në një botë fizike-shoqërore thelbësisht të ndryshme, që lyp të tjera kompetenca. Forca e rëndesës ka ndikim në çdo lëvizje, i duhet të marrë frymë me mushkëritë e veta, ushqimi nuk i vjen më nga placenta, por duhet ta kërkojë e ta “rrëmbejë” (si të mundet). Fillon kjo botë. E vetmja.

(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përfytyruar me


Bibliografi minimale

Cheryl Mei Jun Tan & Adam James Lewandowski. The Transitional Heart: From Early Embryonic and Fetal Development to Neonatal Life. Fetal Diagnostic Therapy, 47:73-86, 2020.

Jan Langman. Medical Embryology. Baltimore: The Williams and Wilkins Company, 1972.

Julie B. Lindower. Water balance in the fetus and neonate. Seminars in Fetal & Neonatal Medicine, 22:71-5, 2017.

Alessandra Piontelli. Il culto del feto. Come è cambiata l’immagine della maternità. Milano: Raffaello Cortina Editore, 2020.


[1] Fetusi NUK është akoma fëmijë. Do të bëhet i porsalindur dhe pastaj fëmijë (foshnjë, beb) vetëm pas lindjes.

[2] Venat janë ato enë gjaku që e mbartin gjakun (cilindolloj gjaku) nga periferia në zemër (drejtim qendërsynues); kurse arteriet bëjnë të kundërtën: e mbartin gjakun nga zemra në periferi (drejtimi qendërikës). Nuk është e thënë, pra, që arteriet të mbartin gjithmonë gjak të pasur me oksigjen dhe venat gjithmonë gjak të varfër me oksigjen dhe të pasur me dyoksid karboni: në qarkullimin e vogël, për shembull, atë që është përgjegjës për dërgimin e gjakut në mushkëri (për t’u pasuruar me oksigjen dhe për t’u kthyer në zemër si i tillë) është krejt e kundërta: arteriet kanë gjak të pasur me dyoksid karboni dhe venat të pasur me oksigjen. Kështu edhe te fetusi.

[3] Nuk marr parasysh binjakët, por, sa për të pasur një ide të numrave: lindjet binjake zënë afërsisht 1-2% të lindjeve në përgjithësi, por vetëm 1% e këtyre binjakëve janë monoamniotikë (me të njëjtën qese amniotike – të vetmit vërtet në kontakt mes tyre). Përndryshe, binjakët e tjerë zhvillohen me placentë më vete, ose (vetëm) me qese amniotike më vete, pra, tekefundit, edhe ata janë të ndarë).

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin