Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi / Lexim

SHKRIMTARË QË NJIHEN

Një ditë vura re diçka që e paskësha pasur prej kohësh mu përpara hundës: njihja shumë më tepër shkrimtarë bashkëkohorë në Shqipëri, se ç’u kisha lexuar veprat. Me atë “njihja”, dua të them që ua dija emrat dhe ua kisha mësuar fytyrat, madje me disa prej tyre ishim edhe miq ose të paktën kishim bashkëpunuar a kishim shkëmbyer qoka; por edhe ua kisha lexuar statuset në Facebook dhe kisha dëgjuar për historitë e tyre personale, çmimet që kishin fituar, polemikat ku ishin përfshirë; dhe kisha marrë vesh për udhëtimet e tyre, pjesëmarrjet në panaire libri dhe festivale letrare brenda dhe jashtë “hapësirës shqiptare”, veprat që ua kishin përkthyer në gjuhë të tjera dhe vlerësimet që ishin dhënë për to; sikurse edhe dija gjithfarë hollësish pikante për jetën e tyre, përfshi edhe persekutimin e tyre politik nga regjimi totalitar, burgun, censurën; ose e kundërta, skandalet seksuale, kacafytjet live në TV, letrat e hapura që kish nënshkruar, akuzat e ndërsjellta për favoritizëm, plagjiaturë, madje edhe shitje ndaj pushtetit dhe/ose armikut. Ky thesar informacioni as që mund të krahasohet me çfarë kam lexuar prej veprave të tyre – edhe pse e mbaj veten për leximtar dhe, herë pas here, qëmtoj me dëshirë ndonjë gjë edhe nga letërsia shqipe bashkëkohore, sikurse edhe blej rregullisht libra nga autorë të sotëm shqip, gjatë udhëtimeve të shpeshta në Tiranë. Dhe duke gjykuar nga ky disnivel, nga kjo humnerë midis çfarë di për shkrimtarët e sotëm dhe çfarë di, përkundrazi, për efektet anësore të shkrimtarisë së tyre, nuk mundem veçse të nxjerr përfundimin se, për hapësirën kulturore publike sot në Shqipëri, figura e shkrimtarit[1] është shkëputur nga ajo e veprës së tij letrare. Çfarë është e vërtetë edhe për ndonjë shkrimtar të brezit të mëparshëm, të lexuar dhe të studiuar nga nxënësit e shkollës, të adhuruar nga institucionet dhe nga patriotët profesionistë; sepse edhe ky tundohet të veprojë, në skenën publike, në autonomi të plotë nga vepra që ka shkruar. Duket sikur, për opinionin publik, letërsia bashkëkohore vlen vetëm si platformë, për t’i sjellë të gjitha këto personazhe në vëmendje të publikut, deri në atë shkallë, sa fytyrat e tyre të njihen më mirë se veprat e tyre; në kuptimin që veprat dhe arritjet mirëfilli letrare u kanë shërbyer këtyre si një lloj fushate elektorale për të fituar zemrat dhe mendjet e publikut. Madje edhe në veprimtaritë e shumta të institucioneve publike, kinse në mbështetje të letërsisë, të gjithë këta shkrimtarë thirren në skenë jo në funksion të veprës së tyre (që ndonjëherë nuk ua kanë lexuar as anëtarët e jurive që u kanë dhënë çmimet e mëdha duke i sanksionuar kulturorisht), por si përfaqësues a bedelë të idealit platonik të “shkrimtarit”; kur nuk thirren, paradoksalisht, për t’u pyetur se çfarë lexojnë, si lexojnë dhe pse lexojnë – në bazë të një presupozimi infantil se shkrimtari i mirë u dashka të jetë edhe lexues shembullor. Shkrimtarët trajtohen kështu, të paktën në publik, si depozitarë të kulturës – diçka midis rapsodit, guru-s dhe mësuesit – prania e të cilëve në fokus legjitimon politikat kulturore të pushtetit ose snobizmin a interesat partikulare të privatëve. Sa për veprën e tyre, kjo trajtohet si të ishte opsionale ose aksesoriale, e përshtatshme për të shërbyer si sfond; madje më mirë akoma, si ato platformat që vendosin disa të shkurtër në këpucë, për t’u dukur pak më të gjatë dhe për të rënë në sy; sepse për veprën zakonisht flitet rrallë dhe sipërfaqshëm, në mënyrë herë deskriptive dhe herë kaotike; dhe, çfarë është edhe më shqetësuese, pakkush kujtohet t’i vendosë veprat e një shkrimtari në lidhje mes tyre, për të krijuar të paktën një profil të shkrimtarisë së tij në rrjedhë të viteve dhe për të zbuluar këndvështrimin e tij, gjakimin e tij estetik dhe etik, rritjen e tij nga një vepër në tjetrën, raportin e tij me shkrimtarë të tjerë bashkëkohorë. Edhe në bisedat, intervistat dhe takimet me shkrimtarët, vepra e tyre mbetet zakonisht tabu, sepse të gjitha palët, përfshi këtu edhe shkrimtarët vetë, e kanë të qartë se nuk mund të flasin gjatë dhe as të thellohen në diçka që publiku nuk e njeh. Si të thuash, shkrimtarët e sotëm kanë aq krijimtari të botuar sa ta kenë merituar titullin e shkrimtarit, por jo aq krijimtari të lexuar, sa të identifikohen me veprën e tyre. Kritika e sotme pop, e dominuar nga qasja mass-mediatike ndaj çdo produkti, dukurie dhe personazhi kulturor, nuk ka as vend, as kohë dhe as kompetencën e duhur për t’u marrë me veprën. Përkundrazi, i ka zëvendësuar veprat me autorët, sepse autorët – të identifikuar pak si tepër lehtë me personat përkatës, në thelb, me selfie-t e veta – mund të përfshihen më lehtë në karuselin e mediave, për të luajtur vetveten, në pavarësi shpesh totale nga çfarë kanë shkruar. Vetë mediat pop, që i thërrasin në skenë dhe ia tregojnë publikun, e kanë më të lehtë t’i trajtojnë veçmas nga çfarë kanë shkruar. Dhe sa shumë flitet për këta shkrimtarë dhe fatet e veprave të tyre – u botua, fitoi këtë ose atë çmim, u përkthye në këtë ose atë gjuhë – aq më e panevojshme bëhet letërsia bashkëkohore, për funksionimin e makinës kulturore mass-mediatike, nën bekimin edhe të institucioneve; meqë këto të fundit e kanë më të lehtë t’i shpien shkrimtarët poshtë e lart nëpër aktivitete, t’i ulin në tryeza, t’u japin ndonjë kacidhe tek-tuk dhe t’i shëtitin rrugëve si të ishin statujka procesionesh; prania e shkrimtarëve në vëmendjen publike, madje edhe e subvencionuar nga shteti, konfirmon se politikat kulturore po funksionojnë. Kësisoj, nëse edhe vetëm një gjysmë shekulli më parë flitej gjerësisht, të paktën në Perëndim, për “vdekjen e autorit”, sot na duhet të flasim, të paktën për realitete periferike si yni, edhe për “vdekjen e veprës” – krahas aktivizimit të një figure surrogato, të një dordoleci të modeluar sipas “autorit”, por që me autorin nuk ka shumë lidhje përtej atyre juridike dhe anagrafike; meqë autori, me përkufizim, nuk është ai tipi që ulet te stenda e shtëpisë së vet botuese në panair, për të autografuar librat e tij, por ajo kryefjalë semiotike, që siguron njësinë dinamike të veprës letrare të botuar nën emrin e tij; sikurse nuk është zëri i atij tipit që i flet publikut të mbledhur për t’ia festuar datëlindjen, por zëri i brendshëm, i çtrupëzuar, që ia rrëfen veprën lexuesit, gjatë magjisë së leximit. Me autorin dhe veprën tashmë të nxjerrë jashtë loje, dhe me lexuesin në reanimacion, letërsia rrezikon të mos flasë më, përveçse në funksion të ndonjë vlere a të ndonjë synimi jashtë-letrar.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Këtu dhe më poshtë do të përdor gjithnjë formën mashkullore “shkrimtari”, për t’iu referuar shkrimtarëve të së dy gjinive. Është një konvencion i shqipes, të cilin po e ndjek për arsye praktike. Përndryshe, jo vetëm numri i shkrimtareve gra dhe vajza vjen e rritet dita-ditës, por edhe disa nga prurjet e këtyre janë të dorës së parë dhe meritojnë shumë më tepër vëmendje, nga ç’u jep opinioni publik, institucionet dhe… gramatika.

1 Koment

  1. Une shoh me shqetesimin edhe qe vendin e autorit (veçanerisht te librit ne gjuhe te huaj) na e merr edhe ndonje perkthyes, qe “krekoset” si autor, promovon librin si ta kish te vetin, ftohet ne media dhe intervistohet me pyetje sikur te ishte autori.
    Dhe shoh me bezdi kur vendin e autorit dhe te perkthyesit e uzurpon shpesh botuesi/botuesja, qe flet per vepren qe ka botuar pa e lexuar fare (po edhe nese e lexon, ç’pune ka botuesi?), per autorin, pa i permendur te pakten nje vlere artistike.
    Dhe keta botues po “sulmojne” shkollat, universitetet, dmth bejne promovime, grumbullojne nxenes, studente, madje edhe pedagoge, dhe ne koken e te rinjve po ngaterrohen gjerat kaq keq, se nuk po kuptojne vertet çfare eshte autori, perkthyesi, botuesi, libri, lexuesi me ze (nga ata te pushtetit) qe lexon me fushata, lexuesin e copave te tekstit, se librat i gjen edhe me copa sot etj.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading