MENDIME TË PAKREHURA (XXXVIII)

(nga Stanislaw Lec*)

Si gjeni që ishte, kish tepër talent.

Kur ke turp nga humbja, përpiqu të fitosh.

Mos u habitni kur, pasi të keni kaluar pragun e ferrit, të gjeni para vetes një shkallë që ngjitet lart.

Kujdes: kur mbaron komedia, bufonët kanë shumë kohë për të vrarë.

Ndoshta edhe lumturia fshihet pas një pseudonimi?

Kur njerëzit i kap paniku, ajo që vrapon më ngadalë është koha.

Era e historisë? Është valëvitja e flamujve.

Adami dhe Eva filluan prodhimin në masë të trupit të njeriut; Kaini dhe Abeli atë të shpirtit.

Nga lufta e mendimit lind paqja e njeriut.

Liri, barazi, vëllazëri – si të arrish te foljet?

Jemi gjithnjë në kufi të marrëzisë. Të çmendurit dhe të saktët nuk reshtin së zhvendosuri gurët e kufirit…

Budallenjtë nuk janë dhe aq budallenj: janë gjithnjë shumicë.

Sikur Krijimi i botës të bëhej me shpenzime të shtetit, sa material do të ish shpërdoruar!

Fjalët e mia përçojnë aluzione? Po heshtja?

Hebrenjtë e kanë fajin për gjithçka. Ishte Zoti i tyre që na krijoi të gjithëve.

Si e kuptova që ishte grua? Nga vetja.

Shkova sërish në Vjenë. Sa shumë që kam ndryshuar!

Si bëhet artificiale bota! Nga kurora me gjemba te teli me gjemba.

Përgjigjja nuk varet kurrë nga pyetja, por nga njeriu.

Fjala përmbledh gjithçka, edhe kuptimin e vet të rremë.

Edhe shpirti i njeriut do të mund të ngrihet në këmbët e pasme.

I pashë të shqyenin viçin e florinjtë me dhëmbët e florinjtë.

Ishte i famshëm për çfarë? Për etjen për lavdi.

E vështirë nuk është të fitosh një betejë, por që të mos jesh mizor, në banketin e fitimtarëve.

Ka të ngjarë që edhe padrejtësia të jetë ndarë në mënyrë të padrejtë.

Racionalizim i censurës: të anulosh jo tekstin kritik, por ngjarjet që i paraprijnë.

Variantet e të njëjtit mendim janë ndonjëherë më larg nga njëri-tjetri se dy persona krejt të huaj për shoku-shokun.

Na është dhënë vetëdija e pritjes së vdekjes, por na është mohuar vetëdija e pritjes së lindjes!

Edhe eunukët do të donin ta nisnin nga veza.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

2 Komente

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: