Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Emigracion / Politikë

UH, EVROPË!

nga Gjilpëra

Lexoj në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung[1] për një plan të disa vendeve evropiane se si Evropa mund të zgjidhë krizën e refugjatëve me të cilën ajo po përballet prej disa vitesh. Kryeministri danez Rasmussen iu drejtua bashkëkombësve të tij disa ditë më parë me një fjalim parimor, në të cilin ai foli për atdheun e vet, për kushtetutën shekullore dhe për vlerat kulturore dhe morale të qytetarëve danezë, vlera këto që, sipas tij, janë të rrezikuara nga jashtë (nga Amerika, Rusia), por edhe nga brenda shoqërisë daneze, nga emigrantët me rrënjë jo-perëndimore, të cilët as i quajnë të tyret këto vlera dhe as i respektojnë ato. Pikërisht për këto arsye ai i quajti politikat e emigracionit si të domosdoshme për të mbrojtur komunitetin dhe identitetin danez.

Në deklaratën e tij zoti Rasmussen paska shpallur edhe se si qeveria e tij – bashkë me ato të disa vendeve të tjera evropiane – ka menduar t’i japin dum kësaj pune me një regjim të ri azili për Evropën: duke ngritur qendra të pritjes dhe të dëbimit të emigrantëve të cilëve u është refuzuar statusi i refugjatëve nga vendet e BE-së, qendra këto që nuk do të jenë në vendet e Bashkimit Evropian, por në vende të tjera evropiane, jo-atraktive për refugjatët dhe për trafikantët e tyre. Këto vende pastaj do të (dëm)shpërblehen nga BE-ja ose nga vendet anëtare të saj.

Nëse, për shembull, një emigranti të paligjshëm në Danimarkë i është refuzuar statusi i refugjatit nga shteti danez, atëherë ky emigrant nuk do të lejohet më që të qëndrojë në Danimarkë – siç ndodh në shumë raste sot pasi procedurat e kthimit shpesh zgjasin me muaj dhe me vite dhe në shumë raste nuk përfundojnë fare me sukses – por ai do të transferohet në një nga qendrat përmbledhëse në vendet evropiane jo-atraktive, ku ai do të pres kthimin në shtetin e vet. Po ashtu, nëse një emigrant ilegal dëshiron të kërkojë azil në një nga vendet e BE-së, atij nuk do t’i lejohet të qëndrojë në BE, por do t’i duhet të bëjë kërkesën për azil në një nga këto qendra dhe të presë aty deri në miratimin apo refuzimin e kërkesës së tij.

Plani për regjimin e ri të azilit, shkruan gazeta, është duke u diskutuar me disa shtete të tjera evropiane, me qeveritë e të cilave, sipas kryeministrit danez, ata janë “të një mendjeje”. Holanda dhe sidomos Austria u përmendën si aleate të Danimarkës në këtë çështje; Gjermania është informuar po ashtu, por nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këtë nismë. Kancelari austriak Kurz po ashtu ka konfirmuar një iniciativë të disa vendeve të BE-së për politikat e azilit, madje ministri i tij i rendit u shpreh për një ndryshim të krejt modelit të deritanishëm të sistemit (Paradigmenwechsel).

Rasmussen-i nuk përmendi konkretisht se cilat do të jenë këto vende evropiane që do të kenë “fatin e madh” që të ngrenë qendra brenda territorit të tyre për të mbledhur emigrantët e padëshiruar dhe të refuzuar nga BE-ja, por ne mund ta marrim me mend që ai s’do të ketë pasur në mendje as Zvicrën, as Norvegjinë dhe as Vatikanin kur foli për vende evropiane jo-atraktive. Me shumë gjasa, me këto vende “të nëmura” bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainën.

Vendet e BE-së, siç duket, të paafta për një kompromis mbi shpërndarjen e emigrantëve, të lodhura nga diskutimet pa fund dhe, më kryesorja, pa dëshirën e mirë dhe vullnetin e duhur për të zgjidhur mes tyre problemet me emigracionin e paligjshëm (shiko dështimin e të ashtuquajturit “sistemi Dublin” dhe i “sistemit të kuotave”) janë drejtuar tashmë drejt një zgjidhjeje të pamoralshme, të stilit neokolonial, për ta eksportuar problemin e tyre drejt vendeve më të varfra të Evropës, atyre vendeve që po presin anëtarësimin jashtë derës së BE-së dhe që e kanë të vështirë për të kundërshtuar, në vende ku elitat përkatëse janë gati – sa nga servilizmi aq dhe nga paaftësia dhe korrupsioni – që interesat kombëtare t’i bëjnë kurban për një premtim apo një shpërblim nga BE-ja.

Për ta theksuar dhe një herë: këtu bëhet fjalë për emigrantë synimi i të cilëve janë vendet e Bashkimit Evropian dhe jo Shqipëria, Serbia, Kosova apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, këtu flitet edhe për emigrantë që kanë mbërritur prej kohësh në vendet e BE-së si Danimarka, Gjermania apo Austria dhe të cilëve u është refuzuar statusi i refugjatit aty, por që për arsye të ndryshme nuk mund apo nuk duan të largohen prej andej me dëshirë[2].

Natyrisht që Shqipëria, si vend origjine i shumë emigrantëve në këto tre dekadat e fundit, ka përgjegjësinë e vet morale që aty ku mundet dhe me aq sa mundet për kapacitetet e saj administrative dhe financiare, të jetë mikpritëse ndaj refugjatëve që kërkojnë strehim dhe ndihmë në Shqipëri. Por qeveria shqiptare nuk ka asnjë detyrim – as ligjor dhe as moral – para vendeve shumë më të pasura dhe më të organizuara të Evropës që ta kthejë Shqipërinë në një bazë grumbullimi për emigrantët të padëshiruar nga vendet e BE-së, nëse kjo gjë i kërkohet qeverisë prej këtyre vendeve. Për më tepër, me një veprim të tillë qeveria shqiptare nuk u bën nder këtyre emigrantëve duke i sjellë ata në Shqipëri, por përkundrazi, i dëmton ata: qëllimi i këtyre emigrantëve nuk janë kampet e Ballkanit por vendet e Bashkimit Evropian.

Në katër vitet e shkuara mbi 1.8 milionë persona kërkuan azil në Evropë[3], refugjatë dhe emigrantë ekonomik nga Lindja e Mesme, nga Afrika por dhe vende më të largëta si Afganistani (mes tyre dhe disa dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, për turpin e qeverisë shqiptare!). Shumë prej tyre ndërkohë u është refuzuar kërkesa për azil në BE dhe u duhet të kthehen në vendet e origjinës. Po ashtu janë me qindra mijëra emigrantë të tjerë – vlerësimet shkojnë në disa milionë[4] – që aktualisht presin në Afrikën e Veriut për të kaluar Mesdheun për në Evropë, për të mos folur pastaj për rrezikun e rritur nga gjendja e tensionuar ne Lindjen e Mesme që nuk përjashton vatra të reja krizash me valë të reja refugjatësh, si ajo e para pak viteve nga Siria.

Kemi të bëjmë pra me përmasa të konsiderueshme të problemit të emigracionit në Evropë, dimensione këto që me shumë gjasa do të rriten edhe më tej në vitet dhe dekadat që vijnë.

Javën që shkoi kryeministri Rama u takua me kancelarin Kurz në Vjenë ku, sipas lajmeve, tema tjetër kryesore e bisedimeve, përveç hapjes apo refuzimit të negociatave të Shqipërisë për pranimin në BE, ishte tema e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë nga Ballkani Perëndimor për në BE. Ne nuk e dimë nëse aty u diskutua apo jo edhe për qendrat e pritjes dhe dëbimit së emigrantëve, që u përmendën më pas nga kryeministri danez, dhe nëse ka pasur apo jo një propozim drejt qeverisë shqiptare (dhe reagimin e Ramës ndaj tij, nëse ka pasur).

Sidoqoftë, për qeverinë, për opozitën dhe shtetin shqiptar është e këshillueshme në këto rrethana vigjilencë maksimale ndaj çdo propozimi që mund t’u bëhet në drejtim të ngritjes së qendrave për grumbullimin në Shqipëri të emigrantëve të padëshiruar të BE-së sot, apo të atyre që mund të synojnë Evropën nesër. Shqipëria, si një nga vendet më të varfra të Evropës, me kapacitete shumë të kufizuara administrative dhe financiare, me një ekonomi rudimentare që vuan nga papunësia kronike dhe zhvillimi anemik, me probleme masive me sistemin e drejtësisë dhe sidomos me sigurinë publike (mendo lulëzimin e trafikut ilegal të njerëzve drejt Evropës nëse në Shqipëri grumbullohen me mijëra emigrantë që synojnë Evropën) nuk plotëson asnjë premisë – po asnjë fare ama! – për të marrë përsipër një rol të tillë në zgjidhjen e një problemi i cili, për më tepër, nuk është fare problemi i saj.

E fundit, por më e rëndësishmja: për një vend të vogël si Shqipëria dhe në situatën ku gjendet sot shoqëria shqiptare, pas tre dekadash tranzicioni rraskapitës për vendin dhe shkërmoqës për kohezionin social, kur vendi ka humbur më shumë se një të tretën e popullsisë në emigracion dhe ku shumë prej shqiptarëve që jetojnë sot në Shqipëri veç presin momentin për t’u larguar edhe ata, kur problemi demografik i rënies së popullsisë po merr përmasa serioze, në këto rrethana pranimi i qendrave të emigrantëve në Shqipëri do të ishte me pasoja të paparashikueshme, që mund të zgjasin me dekada, për bashkëjetesën sociale, për ekuilibrat delikate fetare në vend dhe në përgjithësi për kohezionin e shoqërisë shqiptare.

Ashtu si Rasmussen-i i jep prioritet mbrojtjes së komunitetit dhe identitetit danez në politikat e emigracionit, ashtu dhe qeveria shqiptare duhet të udhëhiqet nga parimi i mbrojtjes së komunitetit dhe identitetit shqiptar në politikat e saj.

Prandaj, nëse në ditët dhe javët që vijnë Shqipërisë i kërkohet të pranojë ngritjen e qendrave të refugjatëve në vend, përgjigjja e qeverisë shqiptare duhet të jetë vetëm një JO e shëndoshë!

(c) 2018, Autori.


[1] FAZ, 07.06.2018: Wie Dänemark unattraktiv für Asylbewerber werden will

http://www.faz.net/aktuell/politik/ausland/migrationspolitik-wie-daenemark-unattraktiv-fuer-asylbewerber-werden-will-15627389.html

[2] Vetëm në Gjermani ka 229 mijë emigrantë të cilëve u është refuzuar statusi i azilantit dhe që duhet të largohen nga vendi; FAZ, 10.03.2018: Aufenthalt gefährlicher Ausländer konsequent beenden

http://www.faz.net/aktuell/politik/behoerden-mit-abschiebungen-von-asylbewerbern-ueberfordert-15486225.html

[3] UNHCR, 08.06.2018, Mediterranean Situation

https://data2.unhcr.org/en/situations/mediterranean

[4] DIE WELT, 23.05.2017: Bis zu 6,6 Millionen Flüchtlinge warten auf Fahrt nach Europa

https://www.welt.de/politik/deutschland/article164827505/Bis-zu-6-6-Millionen-Fluechtlinge-warten-auf-Fahrt-nach-Europa.html

45 Komente

  1. Ka harruar Rassmusen,se si Vikinget e tij,pikerisht Danezet me te zellshmit,dogjen kisha,shkaterruan, grabiten, perdhunuan,skalleruan popullsine e Britanise se Madhe.Plot treqind vjet apo”Dark Age”, deri me ardhjen e fiseve gjermanike, te latinizuara; Normanet,qe me ne fund UK gjeti paqen deri,ne murtajen Bubonike,ku te gjitha vendet Europiane,u njesuan perpara murtajes shfarosese,te mesit te shekullit te Xlll.Shkaktaret asokohe ishin hebrenjte e gjore,ndaj te cileve nisi kryqzata.Sot jane vendet e Ballkanit Perendimor,qe perdoren si kampe,kur per nje çerek shekulli u benë,ledhi mbrojtes i vlerave Europiane,kunder pushtimit Osman,ku vegjetuan 500 vjet te harruar nga Europa.

  2. Ideja e “qendrave të pritjes dhe të dëbimit të emigrantëve” duket si e huazuar nga Hungaria dhe e aplikuar në nivel makro për Europën.

    Në Hungari psh, është ngritur një kamp që quhet “i hapur” në Vamosszabadi, pranë kufirit me Austrinë, ku dërgohen emigrantët e mbërritur nga zonat e tranzitit. Kampi kuptohet që është i hapur vetëm në një drejtim: për t’u larguar prej tij, pra për t’u larguar nga Hungaria.

    Emigrantët duhet të qëndrojnë aty për gjatë gjithë kohës që zgjasin procedurat për shqyrtimin e kërkesave të tyre për qëndrim, kohë që duhet thënë se është e gjatë, aq sa shumë prej tyre zgjedhin të ikin prej aty edhe pa i marrë përgjigjet e aplikimeve. Kampi ka ç’inkurajuar emigrantë të tjerë që ta shohin si destinacion Hungarinë, duke ulur fluksin e mbërritjes së tyre në shifra tepër minimale dhe shërben gjithashtu për largimin e jo vetëm atyre që s’plotësojnë kushtet, por edhe të të tjerëve që u soset durimi.

    Nëse do ta mendonim për një çast Europën si një lloj Hungarie të madhe me Shqipërinë në periferi të saj (analogji aspak e përshtatshme për një sërë faktorësh socialë, politikë dhe ekonomikë dhe të tjerë që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë), ideja e ngritjes së kampeve pritëse për refugjatët brenda territorit tonë do të ishte aq e pagjasë dhe infantile, sa të kthehej në një bumerang të rrezikshëm jo thjesht për Shqipërinë, por për vetë Europën.

    1. “ideja e ngritjes së kampeve pritëse për refugjatët brenda territorit tonë do të ishte aq e pagjasë dhe infantile, sa të kthehej në një bumerang të rrezikshëm jo thjesht për Shqipërinë, por për vetë Europën”

      Kjo më duket si “wishful thinking”. Nëse Shqipëria, për të ngritur ekonominë e vet perceptohet si vend që eksporton kriminalitet në Europë, atëherë përse është infantile ideja e anasjelltë e importimit të problemeve të emigracionit ilegal nga Europa në Shqipëri kundrejt pagesës?

      Përkundrazi, duket mëse e llogjikshme. Shqipëria ka kohë që dominon tregun e paligjshmërisë, duke u angazhuar edhe në nivelet më të larta shtetërore në këtë treg. Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, politika shqiptare ka demonstruar se politikat e veta, të ligjshme dhe të paligjshme, i kalojnë të pakontestuara nga elektorati. Pra është dëshmuar si administrator perfekt.

      Pastaj, ç’ndryshim ka droga nga emigracioni? Të dyja derdhin para në xhepat e shpuar të shtetit Shqiptar. Ndoshta, i vetmi ndryshim është se e para na i stimulon instinktet e trimërisë, zgjuarsisë, dhe vetëvlerësimit që shoqëron ideja se po ua hedh të tjerëve (Europës) dhe Ligjit (we get high), kurse e dyta (emigracioni) na demoralizon sepse na flet për një të vërtetë të hidhur, që tregon se ne nuk jemi të ndryshëm nga këto emigrantë, nuk jemi dhe as na shohin si rracë superiore (ariane). Ose akoma më keq që jemi hipokritë në vlerat që përqafojmë.

      Një idiomë anglisht thotë “You can’t have your cake and eat it too”.

      1. Ideja e “qendrave të pritjes dhe të dëbimit të emigrantëve” duket si e huazuar nga Hungaria dhe e aplikuar në nivel makro për Europën.

        Jo vetëm në nivel makro por dhe në variantin turbo, sepse në regjimin e ri i azilit që qarkullon si ide, nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantët që duan të kalojnë nga Ballkani Perëndimor drejt Evropës (skandaloze kjo në vetvete po të mendosh se Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vende të BE-së, pra emigrantët për të ardhur aty duhet të kenë kaluar më parë nga një vend i BE-së, Greqi, Bullgari, Rumani, ku është detyra e tyre që të ruajnë kufijtë e vetë), por bëhet fjalë edhe për emigrantët që janë ndërkohë në Evropë dhe që janë duke pritur rezultatin e aplikimit për azil, ose u është refuzuar kërkesa por nuk munden ose nuk duan të largohen në vendet e origjinës.

        Shpresoj që klasa politike shqiptare kësaj here – të paktën kësaj here! – të njoh limitet e shtetit shqiptar por edhe caqet e veta, të kuptoj dimensionet dhe pasojat mbi shoqërinë dhe vendin të çdo vendimi për kampe emigrantësh në Shqipëri dhe ta refuzoj kategorikisht një kërkesë të tillë, nëse i kërkohet.

        Për mendimin tim, ajo që duhet të bëj Shqipëria – si çdo shtet normal – është që të ruaj kufijtë e vetë: nëse ka refugjatë që vijnë dhe që duan të strehohen në Shqipëri (p.sh. familjarë me fëmijë), ata duhet pranohen dhe të ndihmohen për strehim, ushqim, punë, shkollim etj., në numra të kufizuara sigurisht, në përputhje me kapacitetet modeste që ka Shqipëria. Ndërsa emigrantët që vetëm duan të kalojnë tranzit nga Shqipëria nuk duhet të lejohen; ata duhet të kthehen në kufi në vendin nga hynë (Greqi, Maqedoni). Por Shqipëria nuk ka asnjë arsye që të importoj emigrantët që nuk do BE-ja, e aq më pak të lejoj kampe “pritjeje dhe dëbimi” në territorin e vet. Kjo do të ishte gafë. GAFË!

        Një ide për trajtimin racist, madje jo-human të emigrantëve, në kampet e Hungarisë mund të merret nga shkrimi i agjensisë Bloomberg: “Hungary Is Winning Its War on Muslim Immigrants”:

        https://www.bloomberg.com/view/articles/2018-04-13/hungary-is-winning-its-war-on-muslim-immigrants

        Dhe të mendosh që Hungaria është në BE…

        1. Per ate pune,mur beri edhe Maqedonia, per t’u mbrojtur emigrantet qe vinin nga Greqia, dmth nje vend qe nuk eshte ne BE, ben mur kunder BE-se.

          Tensioni eshte i madh, sepse ne Lindjen e Mesme, me çmontimin e autokracive nacionaliste apo falimentimin e plote te kemalizmit, si koncept i nje shtet kombi modern per te gjithe myslymanet, pa dallime sektare, qofte nga Bushi ne Irak, qofte ne kohen e Obames gjate pseudo-Pranverave arabe, aty nuk ka as edhe nje shprese te vogel per ndofare stabiliteti.

          Kjo do te thote qe per dekada do te vazhdojne te vijne emigrante dhe sa me mire i trajton aq me shume te tjere do te nxiten te vijne.

          Ti shiko si jane ndezur konfliktet mes suniteve dhe shiiteve, ne Irak, Siri dhe Jemen, ku Irani financon vazhdimisht shitet, kurse Arabia sunitet, pa llogaritur pranine e sekteve te ndryshme islame. Afganistani ka te njejtin problem.

          Aty duhet çmontuar si Irani si Arabia Saudite dhe duhet ristimuluar nje forme e re kemalizmi, diçka qe aktualisht e ka bere vetem Egjipti, ku Gjenerali President mori 97% te votave ne zgjedhjet e fundit.

          Ketej poshte eshte Libia, e cila u çmontua nga sulmi francez qe detyroi Ameriken te mos humbte fare surratin qe te bashkepunonte me Francen. Aty luftera fetare e tribale perzien bashke e s’merr vesh i pari te dytin.

          Pra gjendja nuk eshte e tille, qe te thuash ok, ja po bej si po bej me 2 milione 3 apo 6 milione, po rajonet e origjines do stabilizohen se shpejti dhe nuk do te kete me fluks. Gjendja ne ish territoret e Kalifatit arab, nga Magrebi ne Afganistan eshte pa zgjidhje dhe me ate Iran e ate Arabi Saudite, asnje zgjidhje nuk eshte e propozueshme.

          Nqs Amerika bombaron Iranin, atehere me ndihmen e Arabise sunitet do vene poshte gjithe shitet, pra as kjo nuk eshte ndonje zgjidhje afatgjate. Nje bombardim i Iranit do vendoste nje paqe sunite, qe do te ishte serisht shume e brishte. Arabia eshte e pabombardueshme per arsye te kuptueshme.

          Nqs Amerika e stabilizon me bombardime dhe mbeshtetje diktaturash ushtarake, do thone shumica e Perendimoreve, Trampi kriminel, Trampi diktator, Trampi fashist, keshtu edhe Trampi ashtu si edhe Obama, nuk e ve shume ujin ne zjarr.

          Ne kete kontekst edhe vendet e BE-se jane te gjitha, pa asnje perjashtim me parimin, ”hajdeni ne Europe, po jo ne shtetin tim”, loja eshte me te ngecur e ”si salvi chi puo”.

          Eshte poshtersi nga ana e Danimarkes dhe Austrise, qe duan te fusin Shqiperine ne loje, po duhet te shqetesohemi vetem nese flasin kelyshat e Frances dhe Gjermanise, dmth Hollanda ne veçanti dhe Belgjika, atehere po flet Franko-Gjermania.

      2. L.A., Shqipëria eksporton jo vetëm drogë dhe kriminalitet, por mbi të gjitha–për sa ka lidhje me këtë temë–emigrantë. Të paligjshëm. Të pashpresë. Të lodhur nga mungesa e perspektivës në vendin e tyre.

        Shqipëria ka shumë mungesa, por në këtë rast, ajo që të bie në sy është mungesa e ideve të “disa vendeve evropiane se si Evropa mund të zgjidhë krizën e refugjatëve me të cilën ajo po përballet prej disa vitesh”, siç shkruan Gjilpëra.

        Është fëminore të kërkojnë rrugëdalje duke ia postuar problemet e pazgjidhura një vendi problematik si i yni dhe kjo për fat të keq dëshmon jo për forcën e bashkimit, po për pafuqinë e BE-së për t’u përballur pa hipokrizi me disa prej vendimeve të veta që tani po duket se i rezultojnë të gabuara.

        Dhe po, shqiptarët janë tepër të zënë me varfërinë e dëshpërimin e tyre për të protestuar në përgjithësi, por kjo nuk do të thotë se s’u ka mbetur aq forcë sa për t’i dhënë të shtymën kujtdo qeverie që e gudulis ideja e të futurit në Europë duke pranuar ish-terroristë të penduar.

        Është fare e thjeshtë: Nëse nuk mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë për një jetë më të mirë, këta njerëz të lodhur e të dëshpëruar do të reagojnë më në fund që të mos u rrezikohet jeta dhe e ardhmja nga minat me sahat të importuara nga qeveri që vetëm të tyret nuk mund të jenë.

        1. Janë dy gjëra të ndryshme – qendra për trajtimin e terroristëve të penduar (të cilën Rama e ka përgënjeshtruar) dhe kjo tjetra, e grumbullimit të refugjatëve në një vend të Europës por që nuk bën pjesë në BE. Kjo e dyta nuk është përgënjeshtruar.

          Dhe është më serioze, për shumë arsye. Bashkimi Europian rrezikon shpërbërjen edhe për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me refugjatët nga Lindja e Mesme. Shqipëria i plotëson kushtet, sepse ka edhe portet ku mund të ankorohen anijet e refuzuara nga vendet e BE-së.

          Qeveria në Tiranë mund të joshet nga premtimet financiare a garanci të tjera dhe ashtu të shkaktojë një katastrofë humanitare – edhe për qytetarët e vet, edhe për refugjatët.

          BE-ja mund të sugjerojë Shqipërinë jo se ka ndonjë inat me ne, por sepse në territorin shqiptar nuk veprojnë ligjet e Bashkimit Europian. Ky është tundim tepër i fortë për t’u rezistuar – në daç për armët kimike, në daç për plehrat, në daç për mbetjet e rrezikshme…

          Është thënë që Shqipëria eksporton drejt Europës paligjshmëri (kriminalitet, drogë, parazitizëm). Europa po na shpërblen tani duke na sjellë këtu “mbetjet” e veta (italisht: rifiuti). E kam shkruar para shumë vitesh – komunikimi ynë me Perëndimin, edhe para edhe pas 1990-ës, priret të konsumohet në nivelin ekskremental.

          Nëse ka refugjatë që dëshirojnë të vendosen në Shqipëri, është detyrim i shtetit shqiptar që të kujdeset për ta dhe t’i strehojë, rast për rast. Por Shqipëria kurrë nuk duhet të pranojë të kthehet në një dumpster për Bashkimin Europian, ose si vend ku Europa të konsumojë mëkatet e veta në pafajësi.

  3. Ideja e kthimit te Shqiperise ne kazanin e plehrave te Europes nuk eshte aspak e re dhe nuk eshte ide pa perkrahje ne Shqiperi. Mira Kazani ne nje shkrim, i tregoi shoqerise shqiptare edhe shkopin e moralit europianist, por edhe karroten europiane me nje reference jo aq te fshehur ndaj çekut te bardhe Pashkoist (fiksimi i shqiptareve, edhe pse çeku ka kohe qe eshte zevendesuar nga trasfertat bankare). Pas shkopit vjen karrota si ilaç, veçse ne forme suposte.
    E vetmja gje qe çalon edhe per europianistin me te thekur shqiptar eshte se nqs hapen, keto kampe do te jene deshmi qe nuk jemi ne rrugen per ne Europe dhe vetem heqja e tyre do te supozonte hapjen e rruges per ne Europe, pasi propozimi nuk vjen bashke me hyrjen ne BE, por me faktin qe nuk je per ne BE.

    Kete duket se Mira Kazani me mbeshtetesit e saj hipotetike nuk e rrokin dot, o se shpresojne te kapin ndonje llokme, ose se jane teper idiote per te mbledhur 2+2.

    Gjithsesi kryefyelli yne i mohoi kategorikisht si muhabete kazani, gje qe nuk jep ndonje garanci te madhe se avionet e droges i quajti mushkonja myzeqeje, por te pakten na jep mundesi te ruajme shpresen edhe per ca kohe.

    Mund edhe te na dale qari duke i vendosur tek Plepat ne Durres, se atje njesoj plazhi eshte prishur, te pakten ato pallatet te mos ngelin bosh.
    Ose mund te kerkojme qe bashke me leket, te na jepet edhe mundesia qe emigranteve t’u mundesojme pune vullnetare (qe te mos rrine kot gjithe diten, te dhjamosen e te marrin semundje te gjakut e zemres) , keshtu ndertojme gjekundi ndonje hidrocentral apo rrugen e Arberit. Ceshtje negociatash eshte, pastaj puna te ben te lire.

    1. Mira Kazani?! Me siguri qe edhe ‘z’ ketu vjen nga nje ‘zh’ indo-dardane. Sa keq qe s’me kishte shkuar me pare ndermend…

  4. “Është thënë që Shqipëria eksporton drejt Europës paligjshmëri (kriminalitet, drogë, parazitizëm)”.

    Shqipëria gjithashtu eksporton artistë, shkencëtarë dhe biznesmenë të suksesshëm. Edhe njerëz të ndershëm që e kanë ndërtuar jetën me sakrifica dhe punë.

    1. Pa dyshim. Por kjo nuk përbën ndonjë problem për Europën, përkundrazi (ashtu duhet kuptuar ajo “është thënë”, me të cilën e nisja frazën). Është hemorragjia dhe agonia jonë kronike.

  5. Teuta,

    Kur vjen puna për tu përballuar me probleme që shqetësojnë shoqërinë – si ato ekonomike, urbane, cilësisë së jetës, infrastrukturës, plehrave, krimit, taksat etj. – psikologjia e individëve me “njëmijë e një probleme” si ajo e shqiptarëve është e kushtëzuar nga dy gjëra: struktura sociopolitike, dhe kokëfortësia e statistikave. Këto të fundit reflektohen në shprehjen kuptimplotë që “ç’më duhet mua të protestojë kur kam vetë njëmijë e një probleme?”, kurse për mënyrën se si e sheh Europa vlen shprehja “këta kanë njëmijë e një probleme – çfarë bëri një problemë më shumë ose më pak?”. Para mënyra se si na sheh Europa përputhet me realitetin, ndonëse në mënyrë perverse.

    Emigracioni në një vënd europian ka pasoja dytësore të panumërta në ekonomi, politikë, ligj, kulturë, shëndetësi. Kurse në Shqipëri gjëndja sociale për shumicën është “rock bottom” dhe nuk ka për t’u ndikuar nga emigrantët, përsa kohë kostot e këtyre të fundit pretendohet se do t’i përballojë Europa. Kurse politika dhe ligji nuk ekziston. Nga pikëpamja institucionale, Shqipëria është praktikisht në diktaturë. Kush nuk e sheh këtë, nuk ka kuptuar asgjë se cfarë ka ndodhur këto pesë vjetë.

    Por këtë të fundit nuk e mëson dot nga media dhe nga elita e Tiranës, sepse gjithcka është në rregull me ata përsa kohë Shqiptarëve u ofrohet liria e “Etheve të Gushtit”.

    Për ta vërtetuar këtë shko pyet atë qyetatrin nga Kukësi që i ra infrakt në burg, familja e të cilit nuk donte të fliste me asnjë media nga frika se do përfundonin të gjithë brenda. ( Vë re se ky kishte protestuar për dicka shumë më jetike se sa problemi i emigrantëve.)

    Se sa forcë u ka mbetur shqiptarëve, koha ka për ta treguar, por le të jemi të sinqertë me veten se shënjat nuk janë të mira.

    1. L.A. si te duket propozimi qe te hiqen shqiptaret nga Shqiperia, e t’u shperndahen vendeve te BE-se, ne kembim vendet e BE-se e popullojne Shqiperine me disa milione ilegale dhe kane vend per kampe edhe per nja 20-30 milione te tjere qe do vijne ne dekadat e ardhshme.
      Kurba oferte-kerkese dhe ligji i Say-t qe thote se eshte oferta qe krijon kerkesen, me duket se e konfirmojne propozimin si brenda kanoneve liberale. Kuptohet qe ligji i Rikardos per rendimentet renese/diminishing returns, do i vere nje limit mbajtjes efiçente te nje numri me te madh se 30 milione emigrante, çka do te kerkoje ne te ardhmen nje zbatim rigoroz edhe ne Kosove.
      Nderkohe Rama do te rikthehet ne provues makaronash ne Paris, kurse Saliun do e marrin anglezet qe ta shpallin Mbret te Anglise.

      1. Hyllin,

        E vlerësoj sensin e humorit, por në fakt unë e kisha shumë seriozisht.

        Ajo që po them ka të bëj me një sens realist (as të majtë dhe as të djathtë) që sipas të cilit e gjykoj se si për çdo gjë që kemi përjetuar më parë edhe kësaj radhe qytetari shqiptar nuk do pyetet, por edhe nëse do ketë ndonjë revoltë, qytetatre do jenë të fundit që do konsiderohen, pasi vendimet të jenë modifikuar në varësi të një fushate manipuluese. Këtë skenar tipik e ka dëshmuar koha (shih revoltën e Kukësit), ndaj nuk është paranojë.

        Ndërkohë në mardhëniet me Europën, ndryshe nga shumë diskutantë këtu, unë nuk mendoj se ne kemi ndonjë argument të epërm moral. Shih titullin e shkrimit, apo shprehjen e A.V.-së që e karakterizon “si vend ku Europa të konsumojë mëkatet e veta në pafajësi.” A thua se Shqipëria nuk ka kontribuar fare në këtë mesele!

        Përkundrazi, në këto njëzetë e tetë vjetë Shqipëria nuk ka marrë asnjëherë një pozición etik (nuk po them moral) ndaj Europës në marrdhëniet ndërkombëtare. Sepse nuk mund të marrësh njëherësh pozicionin e lypësit dhe të kërcënuesit, të moralistit dhe të batakçiut, të injorantit dhe të mësuesit.

        Edhe politika e jashtme, si çdo lloj loje duhet të luhet me etikë. Nëse nuk është etike, loja mbaron shumë shpejt.

        Politikanëve shqiptarë u ka mbaruar loja. Sepse nuk mund të luash edhe me perëndimin, edhe me lindjen; nuk mund të luash edhe me fondet që vijnë nga Kolumbia, edhe me ato që vijnë nga Brukseli; nuk mund të luash edhe me radikalizmin myslyman, edhe me sionizmin izraelit; nuk mund të luash edhe me Amerikën, edhe me Turqinë.

        Rama pasi doli lart e poshtë duke kërcënuar Europën me ofertën e lindjes dhe radikalizmit, nuk ka më të drejtën morale të thotë JO kur i kërkohet të sakrifikoj dhe mbaj mbi shpatulla barrën që shkatojnë këto kërcënime për Europën dhe në emër të Europës.

        Ne mund të dalim dhe themi se Rama nuk është i yni, por më duket se është tepër vonë, në mos edhe e pamundur në kushtet kur institucionet janë kthyer në vitin zero, dhe kur Rama është i vetmi institucion. Për tw mos përmendur se nuk ka shumë arsye të besohet se Europa do smbrapset, duke ditur seriozitetin e problematikës.

        1. Ndërkohë në mardhëniet me Europën, ndryshe nga shumë diskutantë këtu, unë nuk mendoj se ne kemi ndonjë argument të epërm moral. Shih titullin e shkrimit, apo shprehjen e A.V.-së që e karakterizon “si vend ku Europa të konsumojë mëkatet e veta në pafajësi.” A thua se Shqipëria nuk ka kontribuar fare në këtë mesele!

          L.A.,
          e mirëkuptoj argumentin tënd. Megjithatë, fakti që ne si shqiptarë nuk kemi ndonjë pozitë të lartë morale në marrëdhëniet me Evropën nuk e bën më pak imorale idenë e atyre x qeverive evropiane për t’ia plasur Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor emigrantët e padëshirueshëm në shtëpinë e tyre. Morali i njerës palë nuk mund të relativizohet nga imoraliteti i palës tjetër. Prandaj edhe titulli i shkrimit, që e zgjodha i ndërgjegjshëm për ngarkesën që ka, si protestë ndaj këtij imoraliteti të këtyre qeverive.
          (PS. Nëse qeveria shqiptare vendos t’i jap përgjigje pozitive ndonjë kërkese të BE-së për kampe emigrantësh në Shqipëri, kam menduar që ta zëvendësoj titullin me: “NE, BUDALLENJTË E EVROPËS!”)

  6. Edhe une duke pare seriozitetin e problematikes po shoh per zgjidhje, po zgjidhje serioze nuk po shoh. Ja psh, Italia thote do largoj 500 mije, po jane edhe 150 mije cdo vit. Ne 27 vendet e BE-se behen shume milione. Nje zgjidhje afatshkurter, derisa te perfundoje ndertimi I kampeve ne gjithe Bregdetin shqiptar nga Saranda ne Velipoje, do te ishte perpos pallateve ne zonen e Plepave( perfshire Golem, Mali I Robit, Qerret) edhe qe shtepite bosh te emigranteve shqiptare t’u jepeshin emigranteve afro-aziatike, ndersa shtepite e emigranteve qe kane vetem prinderit pleq, t’u shtoheshin familje emigrantesh jo shume numerike. Tek parku i liqenit ne Tirane, mund te behet nje tendopoli per emigrantet me azme dhe per ata qe vijne nga vende me shume pyje. Keshtu heperhe zgjidhim problemet e para, per edhe mbushur Shqiperine e cila ne gjendjen civile ka 4,5 milione te regjistruar, pra kemi vende per 1,7 milione emigrante. Por nuk duhet harruar se keta shtojne bazen konsumatore ne Shqiperi, keshtu qe nevojat e konsumit do shtojne nevojat per investime private, krahu i lire I punes do nxise investimet e huaja, si e shikon u be Shqiperia. Nqs s’te duket zgjidhje serioze, po pres nje propozim serioz dhe realist per vendosjen e milionave emigranteve te BE-se ne Shqiperi.

    1. Përpara kësaj deklarate ky tip nuk ka qenë zv. ministër. Është bërë më pas. Ose ndoshta është bërë pikërisht përgjatë kohës që shqiptonte deklaratën :-). Ndërkohë që jepte diçka nga vetja po ashtu edhe merrte postin.

      1. Sot ata të MPB-së kishin nxjerrë një si tip përgënjeshtrimi – por që m’u duk se i ngatërronte punët edhe më shumë. Si gjithnjë në këto raste, fjalët e zotërisë “i kishin nxjerrë nga konteksti”. Të thuash se kur një gazetar të pyet për kapacitetet e pritjes së refugjatëve, në një moment kur në BE diskutohet se ç’të bëhet me flukset, thjesht po kërkon të mësojë diçka për historinë e Luftës së Kosovës. Të thuash se Europa ka ndërmend të dërgojë specialistë tek ne për të mësuar nga përvoja shqiptare e absorbimit të refugjatëve të atyre kohëve…

        1. Po, e drejtë, për më tepër që konteksti është pikërisht çështja e refugjatëve dhe jo ngjarje të ndodhura përpara 20 viteve. Por kushedi sesi po e testojnë opinionin, apo, akoma më keq, sesi po e përgatisin për ta kapërdirë edhe këtë kafshatë të rradhës.

        2. Po patjetër që fjalët janë “nxjerrë nga konteksti”, se zv/ministri shqiptar jetoka në Hënë, në faqen e mbasme madje, andej nga nuk shihet Toka fare, dhe s’ka nga ta dijë se ku i rreh çekani i gazetares gjermane, kur e pyet për kapacitetet pritëse për refugjatë që ka Shqipëria.

          Ja si e jep ZDF-i (në thonjëza, sipas reportazhit, janë fjalët e Zv/ministrit):

          Por sipas qeverisë së Austrisë, në Shqipëri mund të ngrihet qendra pritëse e refugjatëve për gjithë Evropën. Qeveria e Shqipërisë nuk duket të jetë kundër, duke shpresuar për ndihma financiare dhe për një hyrje të shpejtë në BE. “Ne kemi treguar gjatë luftën e Kosovës që në rast emergjence mund të presim 600,000 njerëz, pra Shqipëria patjetër që është në gjendje për këtë.”

          Aber geht es nach Österreichs Regierung, könnte in Albanien das Flüchtlingsaufnahmezentrum für die ganze EU entstehen. Albaniens Regierung scheint nicht abgeneigt, man hofft auf Finanzhilfen und auf einen schnellen EU-Beitritt. “Wir haben schon im Kosovo-Krieg gezeigt, dass wir im Notfall 600,000 Menschen aufnehmen können, also Albanien wäre auf jeden Fall dazu in der Lage”.

          Në këtë formë nuk ka shteg për interpretim tjetër, përveçse “ne jemi në gjendje, po të na kërkohet kjo gjë”, por nuk përjashtohet që ZDF-i të ketë bërë bashkë në reportazh dy gjëra të shkëputura, sa kohë që nuk kemi intervistën në origjinal. Por që zv/ministri bie brenda me pyetjen e gazetares dhe fillon e flet për kapacitete pritëse në shifra bombastike – 600 mijë ose 20% e popullisisë së Shqipërisë! – kjo flet veç për cilësinë e stafit rilindas të vënë në krye të punëve. Mendo sikur zv/ministri gjerman të fliste për kapacitete hipotetike pritëse të Gjermanisë për 16 milionë refugjatë, sa 20% e popullsisë gjermane, ose ai italian për 12 milionë refugjatë – as 24 orë nuk do i kishin bërë më në karriget e tyre.

          Por sa pa ditur se çfarë është thënë tamam para dhe pas mikrofonave, le të besojmë që zv/ministrin e kanë “nxjerrë nga konteksti”. Nuk përjashtohet mundësia që MPB të kishte marrë ndonjë udhëzim nga lart për t’u përgatitur “për situatën”, derisa ata lart ndryshuan mendje prapë ose vendosën t’i mbyllnin punët pas skenës njëherë, pastaj të dalin e të na japin me sihariqin (nuk di pse kjo më kujton një stil të njohur punësh në Tiranë…)

          1. Me sa duket shpresa e fundi e Ramës për të mos marrë një përgjigje dërrmuese nga Brukseli për negociatat është të “vetëofrohet”, siç raporton Deutche Welle.

            Shqipëria prodhon vetë emigrantë dhe azilkërkues, ndaj nuk ka kuptim të strehosh ato të të tjerëve, kur nuk kujdesesh dot për të vetët.

            Rama vërtet ka marrë vota për të qeverisur, por nuk i ka marrë për të ndryshuar përberjen demografike dhe etnike të vëndit. Ky i fundit nuk është tagri i Ramës. Ndërsa misionin e parë, atë të qeverisjes duket se e ka braktisur. Kjo qeveri përfundimisht e ka mbaruar misionin e vet, nëse ka patur ndonjëherë një të tillë.

            Sa e korruptuar dhe pa energji duhet të jëtë elita në Shqipëri, që edhe një sitauatë e tillë absurde nuk e trondit?

      2. “Tipi” është në krye të detyrës dhe thjesht ka përcjellë ato që i kanë thënë të thotë.

        1. Qe te kuptosh vendimet e qeverise shqiptare dhe te liderit te saj absolut, eshte e nevojshme te mbash afer nje Psikolog.
          Lexoni c’shkruan E. Rama ne broshuren “Refleksione” (fq. 100-101) per menyren si ndjehej gjate nje mitingu ne dhjetorin e larget te vitit 1990:

          “Pulsi me rrihte cmendurisht e, ndersa shihja radhet e para te mbushura me “alabake” te ushqyer keq, te skuqur dhe te dehur, urreja. Urreja cdo gje qe nuk ishte pis. Urreja fytyren e pudrosur te Enver Hoxhes, qe me fanitej si e vizatuar me shkumes mbi pallton time te zeze, copat e shtrenjta te kostumeve “Yves Saint-Laurent” qe shkelqenin neper tabelat e emulacioneve, guret e mermerte te Pallatit te Kongreseve, urreja edhe vete qiellin blu te asaj mbasditeje dimri qe me dukej se e bente edhe me te llumte grupin e njerezve qe kisha perpara, qe kur hapte gojen per te klithur “edhe ne si gjithe Europa”, ekspozonte ca dhembe te ndryshkur, mes te cileve shquheshin gropat e zeza te dhembeve te rene ose te thyer nga policia.

          Isha krejt i mpire dhe mezi e shtypja nje ze qe donte te leshonte thirrjen per lufte, nje lufte shkaterrimtare ku asnjeri prej nesh te mos dilte i gjalle, per nje lufte qe ta zhdukte pergjithmone kete vuajtje qe prej shekujsh rronte ne zemer te Europes si fara e nje mallkimi, e hedhur nga kushedi se c’lartesi e qiellit. Krejt jashte kontrollit te vetes, se per kontroll te tekstit as qe behej me fjale, klitha me zerin qe po me ngjirej: “Ne do ta marrim pushtetin”, pa e ditur as vete se kush ishim “ne” dhe se c’donim te benim pastaj me ate pushtet.”

          Ky ishte manifesti i qarte i e. r. qe ne fillimet e kahershme te tij, njerez…

  7. I mbylli diskutimet Ardiani tek “Frytet e Së Keqes”, por nuk po më rrihet pa e vazhduar këtu. Hyllini thotë:

    Ta beje gjumin rehat Lubonja se u shqye majtas-djathtas duke kerkuar qe Shqiperia te mos hyje ne Europe, se qenka vendosur qe jemi vend afro-aziatik.

    Bravo Hyllin, e ke kapur shumë mirë. Lubonja është armiku i popullit. Nuk është Rama që kërkon t’i blejë negociatat duke ofruar kampe refugjatësh. Shih linkun e Ardianit se çfarë propagandon qeveria Rama që po na fut në Europë. Zëvëndësministri Ramës thotë se Shqipëria mund të mbaj 600 mijë refugjat. Po aq sa janë larguar shqiptarë që kur ka ardhur Rama në fuqi.

    Kurse ju i veshni Lubonjës gjëra që nuk i ka thënë kurrë, pra që “Shqipëria është vend afro-aziatik”. Nuk e di se çfarë halli të madh mund të ketë dikush që të flasi siç flisni ju.

  8. Ardian, jam kurioz te di pse dy linqet e mij per nazifashizmin dhe Hitlerin e ke quajtur jashte teme me ankesen ne shumes qe e kemi prishur temen (prendaj mbyllur) dhe qe duhet te vazhdoja te diskutoj me kete teme?
    Ketu jam jasht teme, per te mos thene qe ne keto lloj temash nuk pjesmarr kurre vetem se jasht teme.

    1. Nuk kisha gjë me atë koment. Por komentet që pasuan (të Hyllinit) i përkisnin kësaj temës tjetër. E kuptoj që lidhje mes temave gjithnjë mund të gjenden, por unë si moderator nuk mund t’ia lejoj vetes të jem shumë i hollë: se pastaj më kthehet hapësira e komenteve në chat room. Ndërsa si autor i shkrimit, më vjen keq kur komentuesit ma injorojnë.

  9. Gjermania e ka kapacitetin t’i mbaje 16 milione emigrante, nqs gjysma, 8 milione, jane ne moshe pune e gjysma femije. E ka papunesine 4%, fuqine punetore 46 milione, shtimi i fuqise punetore me 8 milione do e rriste papunesine nga 4% ne rreth 20%, nje perqindje papunesie si ajo e Spanjes ne vitet e fundit, qe gjithsesi do te ishte me pak sesa papunesia e Greqise. Po te llogarisim qe vendet nordike dhe Hollanda e kane papunesine te ulet sa Gjermania, mund t’i lehtesojne punen Gjermanise.

  10. Po shikoja qe Cekia me papunesi 2.8 % dhe Zvicra me papunesi 3% kane kapacitete te medha per te ndihmuar Gjermanine ne mbajtjen e 16 milione emigranteve.

  11. Sa per informacion: pardje apo para tre ditesh, tek lajmet e nje stacioni gjerman (nuk po me kujtohet nese ZDF apo RTL) u prek problemi i emigracionit nga Greqia-Shqiperia-Mali i Zi-Bosnja-Kroacia-Austri-Gjermani. U fol edhe per kampe ndalim-perqendrimi te emigranteve, ku foli edhe nje zevendes-minister shqiptar (me duket i brendshem), i cili POHOI SE SHQIPERIA I KA KAPACITETET PER TE MBAJTUR EMIGRANTET NE KAMPE NDALIMI. Pra ky problem duhet te jete biseduar me qeverine shqiptare (kupto: Rama) dhe ky, per shkak te borxhit qe ka, duhet te kete rene dakort.

  12. L.A., po shkëpus nga intervista e Deutsche Welle me deputetin gjerman Wadephul (theksimi im):

    DW: Ka për momentin diskutime, dhe këtu është i kërkuar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, se Shqipëria mund të angazhohej duke ngritur qendra pranimi refugjatësh për azikërkuesit e refuzuar apo si stacion i ndërmjetëm për refugjatët në kontekstin e Frontex-it. Si e shikoni rrugën që po ndiqet?

    Wadephul: Unë e shoh si një propozim interesant që më ka habitur, por mendoj se është një propozim i mirë, që duhet parë, kjo është një ofertë që mundësisht duhet edhe të realizohet. Ne e dimë se Shqipëria është treguar mjaft mikpritëse edhe në krizën e atëhershme në Kosovë, atëherë ishte një situatë tjetër, se bëhej fjalë për vëllezër e motra nga Kosova që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të njëjtën kulturë. Në këtë rast do të ishte ndryshe, por si e thashë ky është një sinjal i mirë që duhet ndjekur.

    Habia e deputetit gjerman për propozimin e qeverisë shqiptare i thotë të gjitha. Gjermani nuk u beson dot veshëve të vet kur dëgjon ofertën e qeveritarëve shqiptarë – aq idiote dhe e pabesueshme është – por kur ata ia ofrojnë vet, pse ta refuzojë ai?! Do të na qeshin dhe mizat me këta politikanë që, siç thoshte Konica, “kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, në mes të talljes së përgjithshme”.

    Rilindasit 150 vjet më parë e nxorrën Shqipërinë nga gropa, “rilindasit” e sotëm po bëjnë çmos ta fusin prapë në gropë.

      1. Nga ana tjetër, Mentor Nazarko te “Panorama” (Kur sirianët ishim ne), duke numëruar “benefitet që burojnë nëse pranohet eventualisht kjo kërkesë” (për të ngritur kampe refugjatësh në Shqipëri), sjell si benefitin e pestë:

        Dhe së fundmi, në një këndvështrim disi më pragmatist, këta njerëz, që do të vendosen në Shqipëri, do të kërkojnë të shkojnë drejt Perëndimit. Ata do të treten si kripa në ujë, kjo falë edhe ndërhyrjes së mafies shqiptare, e cila do të gjejë rrugë poroze për t’i trafikuar ata. Prapë do prodhojë para shtesë.

        (Theksimi im, A.V.)

        1. Ndoshta refugjatët hipotetikë mund të ndikojnë pozitivisht edhe në tregun e brendshëm të hashashit, duke blerë produkt dhe rritur qarkullimin monetar. Një benefit i shtatë do të kish të bënte me prostitucionin, meqë shumë nga këta refugjatë janë meshkuj të pashoqëruar. Ka edhe një mundësi të vogël, por jo zero, që refugjatët të përdoren për të rehabilituar kanalin Levan-Fier.

        2. Shkrimi i Nazarkos, i veshur me petkun e “empatisë” njerzore, dhe “reciprocitetit” në marrdhëniet me Europën, jo vetëm që merret vetëm me benefitet (përfitimet) dhe aspak me anët negative të fenomenit, por edhe ato çështje që çdo mëndje normale dhe me pak sens moral do t’i kishte karakterizuar si fenomene negative, sic është aktivizimi i mafies, i trajton si pozitive.

          Ajo që konfirmon ky shkrim është se një pjesë e “elitës” së Tiranës është vënë tashmë hapur në shërbim të mafies, përfundim llogjik i dominimit që ka jashtëligjshmëria në ekonomi, në politikë dhe në krejtë jetën e vendit.

        3. Nazarko ne kete shkrim me kujtoi anekdoten per Maria Antonieten ne prag te revolucionit freng. Kur mori vesh qe populli protestonte se s’kishte buke, tha, nqs s’kane buke le te hane petulla. Dyshoj se Nazarko din se cfare ndodh realisht ne pjesen e Shqiperise qe gjendet jashte unazes se Tiranes ( unazes “historike”).

      2. Lajmi eshte i vertete edhe pse kryeministri u terhoq pas nderhyrjes se ministrit te Jashtem Bushati.
        Kryeministri nuk e dinte se ne Shqiperi ka nje kamp refugjatesh ne Babrru.

        1. E dhanë lajmin agjenci që nuk merren me fake news dhe që i kontrollojnë burimet e tyre. Disa portale të afërta me opozitën kanë shkruar budallallëqe. Por kjo nuk i bën lajmet për kampet të rreme.

        2. Kryeministri nuk e dinte se ne Shqiperi ka nje kamp refugjatesh ne Babrru.

          E vetmja gjë që nuk di kryeministri, është të qënurit kryeministër i Shqipërisë. Ky nuk është as i Europës, as i Ballkanit ,as i Turqisë, as i Azisë.

          Përndryshe, nëse dikush duhet të plotësoj këtë rol, më mirë t’ia lëmë Europës të na sjellë një kryeministër, Francez, Hollandez, a Gjerman.

    1. Ndërkohë i pyetur nga DW ministri Xhafa e mohon të ketë kërkuar një gjë të tillë, pra hapjen e kampeve.

      Por duke qënë se prezenca e emigrantëve në Shqipëri tashmë është fakt, gjasat janë që mohimi është një gënjeshtër. Emigrantë afganë janë parë sot të grumbulluar para bashkisë së Tiranës në kërkim të “kampeve” dhe janë marrë (larguar) më vonë nga policia.

      Këta vërtet e kanë humbur keq fillin, se nuk është e qartë se sa do vazhdojnë më këto gënjeshtra.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë