SHTETI NËPËR FJALË

nga Nebi Bardhoshi

Le t’i shpjegojmë disa gjëra lidhur me revoltën e Kukësit për Rrugën e Kombit, duke filluar me fjalorin politik që u përdor e ripërdor në diskursin publik të këtyre ditëve, si një ndër treguesit kryesorë të lojës politike. Kjo ese shpreh ndërthurjen mes një projekti kërkimor në lëmin e antropologjisë së shtetit të titulluar “Shteti në skaje” dhe reflektimeve mbi aktualitetin. Duke pasur në mendje këtë ndërthurje, eseja mund të quhej fare mire “Shteti në fjalë ose shteti nëpër fjalë”. Termat kyçe sikurse kuptimet kulturore e politike do të vërtiten mbi pronën private, oligarkinë, padrejtësinë, të drejtën, ligjin, ekonominë politike, politikën dhe shoqërinë e munguar.

Shqetësimi kryesor i qeverisë dhe atyre pranë qeverisë për revoltën e qytetarëve më 31 mars në Kukës, ku këta të fundit dogjën kabinat e pagesës si përgjigje ndaj taksës në Rrugën e Kombit, ishte se po sulmohet prona private dhe bashkë me të, ideja e sipërmarrjes së lirë. Ja tek gjendemi sërish në një prej temave qendrore të modernitetit dhe po aq te shenjuesi kryesor i (keq)përdorur në politikën shqiptare gjatë dhe pas rënies së diktaturës komuniste. Prona private ishte shenjues për epokën e diktaturës pasi pritej se zhdukja e saj do të sillte zhdukjen e klasave dhe për rrjedhojë edhe drejtësinë shoqërore. Ajo konsiderohej shkaku i një sërë “mbeturinash kulturore”. Ekonomia politike e diktaturës e kishte shumë përzemër etnografinë e mbeturinave kulturore, madje vënia në pah ose thënë ndryshe  shquarja e tyre në trupin e kulturës popullore, ishte një nga “shpirtrat” kryesorë të ekonomisë politike të diktaturës së proletariatit asokohe në Shqipëri. Për ta përmbledhur, sipas moralit shtetëror komunist: “prona private ishte nëna e gjithë të këqijave”.[1]

Fill pas rënies së komunizmit, prona private është marrë sërish si shenjues kryesor për të klasifikuar identitetet politike. Për të mos shkuar gjatë e thellë në kohë, mbrojtja e pronës private është tashmë një tjetër tregues kryesor në politikbërje. Le të ndalemi te rasti konkret: a ka bazë shqetësimi i qeveritarëve të Tiranës dhe kujtdo pranë tyre, kur djegjen e pikës ku paguhet taksa rrugore e paraqesin si cenim të pronës private? Pas aktit të djegjes së kësaj të ashtuquajture pronë private, morëm vesh nga qeveria se koncensionari jo vetëm që e kishte të garantuar në mënyrë kontraktuale dëmshpërblimin nga shteti, por mësuam se edhe nëse nuk do të kishte fitim – ta zëmë se do të kishte rezistencë ndaj përdorimit të saj, ose pamundësi përdorimi të saj për shkak të çmimit të taksës – qeveria do t’ia kompensonte fitimin nga buxheti i shtetit. Për pasojë, prona private këtu as që preket, sepse qeveria e ka garantuar atë pikë për pikë, jo bazuar mbi parimin e garancisë së pronës private si kusht të atij që do t’i referoheshim si shtet i së drejtës, por si një akt privilegjues. Çka nuk zihet në gojë ose anashkalohet, është sfida e drejtpërdrejtë ndaj autoritetit dhe legjitimitetit të qeverisë që kjo revoltë ka ngjallur.

Argumenti se u sulmua prona private ishte një hile, një keqpërdorim i konceptit pronë private dhe nuk kishte të bënte me identifikimin e shtetit të së drejtës, por me një lloj shteti ligjor me palë të privilegjuar në kontratë. Me gjasë edhe këto ditë që trau nuk ekziston, kompania gëzon të gjitha atributet ligjore për të marrë fitimin e përllogaritur. Pra, ne paguajmë si shoqëri!

Një tjetër shqetësim ka qenë të quajturit e sipërmarrësve “oligarkë”. Termi “oligarkë” zëvendëson termin “sipërmarrës” në ato raste kur qeveria favorizon një grup të vogël biznesmenësh. Nëse kjo qëndron, atëherë s’ka asrsye pse dikush të fyhet. Përfaqësues të “sipërmarrjes” dhe përfaqësues të qeverisë janë gjithnjë të gatshëm të shpjegojnë se nëse sulmon sipërmarrjen paskësh sulmuar tregun, aftësinë ekonomike të vendit, modelet e suksesit, etj. Kjo do të ishte e vërtetë nëse sipërmarrja do të ishte e tillë. Pra, nëse ajo do të merrte përsipër dhe ajo që kërkohet të merret përsipër është risku. Në rastin kur kemi të bëjmë me një sipërmarrës që e ka të garantuar fitimin nga qeveria në çdo rrethanë, ku qëndron atëherë sensi i sipërmarrjes? Po kur këtë garanci e jep një qeveri e cila s’ka kapacitete të financojë vetë sektorin që e ka dhënë me konçension, si e gjen ajo aftësinë për të përballuar çdo risk financiar? Kompensimi nuk do të bëhej vetëm për shpenzimet që kompania do të realizonte; qeveria do të garantonte edhe “fitimin e munguar” dhe në këtë rast, çuditërisht, fitimi ishte tejet i madh. Dikush me të drejtë mund të thotë se kjo ka ndodhur dhe me parë. Faktikisht, me bindje mund të themi se kjo gjë është shndërruar thuajse në një rutinë të shtetit post-komunist gjatë këtyre 27 viteve dhe kjo prirje ka ardhur veçse duke u theksuar gjithnjë e më shumë. Ekuacioni politik është krejt i thjeshtë: bjerrja e legjitimitetit politik kërkohet të përmbushet nëpërmjet aleancës me një grup biznesmenësh ose biznemenët ia dalin të rrokin fijet kryesore të financave të shtetit. Kjo aleancë, qeveri plus disa biznesmenë, shkakton mirëfilli oligarkinë, pasi në mungesë të njërit nuk mund të kemi tjetrin.

Megjithatë, vërtetë shqetësuese është  “fryma e ligjit” në kohën në të cilën jetojmë. Kjo frymë bazohet fort te përfaqësimi i grupeve të interesit. Ligjet vjetërohen shpejt. Sapo konstatohet një dështim i qeverisë, përfaqësuesit e saj na thonë se nevojitet krijimi i një ligji të ri. Veç mplakjes së shpejtë, ligjet e kohës sonë janë thelbi i një ekonomie politike e cila sendërton ekonominë e privilegjeve, të bazuar në frymën e ligjeve për një person apo ligjeve krejt të privatizuara. Në këtë rast, duhet treguar shumë kujdes pasi në pamje të parë krijohet përshtypja sikur ligjet ndërtohen vërtetë mbi një betejë mes grupeve të interesit, por në fakt nuk ndodh kështu. Ka më shumë të ngjarë që loja e grupeve të interesit tashmë të jetë shndërruar thjesht në një teknikë të njerëzve me shumë pushtet, me qëllim krjimin e iluzionit sikur ligji të ishte konceptuar mbi këtë garë. Në fakt ligji, sidomos ai në sektorë të rëndësishëm ekonomikë, ka një koherencë e cila shpreh lidhjen e një grupi të vogël biznesmenësh me qeverinë. Çfarë efektesh sjell një qeverisje e tillë? E thjeshtë: kapitali përqendrohet në shumë pak duar dhe ekonomia shkon drejt kolapsit. Kush ka interes për një referencë teorike mbi këtë çështje, mund t’i drejtohet librit “Pse dështojnë kombet: Origjina e pushtetit, prosperitetit dhe varfërisë”[2]. Kjo ekonomi mbytëse dhe karakterizohet nga institucione të mbyllura dhe mungesa e kreativitetit ku vetëm shitet e blihet por nuk krijohet.

Kjo përshfaqet në jetën e përditshme nëpërmjet pranisë së vazhdueshme të padrejtësisë që mund të ketë formë e zonave ekskluzive të banimit ku fqinjët do të ishin qeveritarët, pronarët e kompanive dhe pronave ose medias; gazetarët e njohur; kompanitë me një pronar që shfaqet materialisht kudo; kompanitë që blejnë ligje dhe privilegje  e i mplakin shpejt këto ligje kur nuk iu duhen më; njerëz që emigrojnë nga varfëria… Kukësi është rasti tipik, e do të thosha paradigmatik. Kjo klasë e re mbrohet me gjuhën e sipërmarrjes, me gjuhën e tregut dhe lirisë, por ndërkohë nuk shfaq asnjë shenjë të frymës a etikës së sipërmarrjes, pra të marrjes përsipër vërtetë të riskut. Gjuha e reformave apo thënë troç ideologjia e reformave, shërben për ta pajtuar shtetin e dështuar ose të kapur me termat e ekonomisë së tregut, duke na dhënë si finalitet Europën. Kjo gjuhë nxitet dhe mbrohet nga qeveria e njëkohësisht iu kujtohet njerëzve që të mos bëjnë gabimin e sistemit komunist duke i dalë kundër këtij realiteti. Kush e bën këtë do të akuzohet se urren tregun, lirinë, demokracinë madje dhe vetë Europën. E ja ku kthehemi dhe njëherë te përdorimi i diskursit mbi pronën. Sakaq, përgjegjësia e qeverisë për të ruajtuar e maksimizuar të mirën publike, nuk përmendet askund.

Gjithsesi, çfarë ka të re në skenën politike sot? Disa njerëz nuk durojnë më. Madje, të vënë flakën! Flaka djeg fizikisht një “pronë private” teksa në thelb është vënie e flakës ndaj padrejtësisë shtetërore. Qytetari është aq i sinqertë në revoltën e vet sa nuk druhet të vërë as maskë apo ndonjë cohë për të mbuluar fytyrën. Ai nuk do t’ia dijë për tymin që lëshon djegja e vendpagesës. Madje, nuk ruhet as nga flaka! Dikush kujdeset me vendosmërinë e nxitur nga padrejtësia që të shtojë edhe disa kartona brenda kabinës së pagesës pasi kërkon që zjarri ta përpijë atë plotësisht, deri në fund, deri sa ta bëjë shkrumb e hi! Dhe këtë gjë e bën hapur fare. Me durim, ai orvatet ta shkrumbojë padrejtësinë fund e krye! Nuk vrapon që t’i ikë policisë. Përpara cilësdo akuze që këta njerëz mund t’i shpien, një gjë është e qartë: ata nuk bëjnë asnjë përpjekje për të fshehur identitetin e tyre. E pavarësisht këtij imazhi, kjo nuk e shpjegon pakujdesin e tyre për t’iu përshfaqur plotësisht dhunës së shtetit. Kjo sjellje vërehet vetëm tek ata që janë lodhur deri në skaj ose për t’u shprehur me fjalët e një burri të intervistuar teksa zjarri kishte nisur të shuhej: “Nëse do të rindërtohen, këtu do të jemi prapë. S’kemi ku shkojmë, ka shku thika deri në koc!”. Personalisht, do ta kisha frikë një shoqëri që s’ka ku shkon më. Një shoqërie së cilës i ka arritur varfëria deri në koc, nuk ndalon më. Do i druhesha një bashkësie e cila e ndjen vetën më të respektuar si një emigrant (ilegal) se sa shtetas në vendin e vet.

Ndërkaq, ka ndodhur dhe një ndryshim ligjërimor që prek gjuhën politike. Shoqëria është asgjësuar si koncept; ka kohë që nuk përdorët më në diskursin mediatik e politik. Në vend të saj përdoret thjesht një term banal siç është termi “publik”. Vini re, aty ku termi me rrënjë të përbashkët “publike” mund të shfaqej, të themi në trajtën e së mirës publike, një gjë e tillë nuk ndodh ose ndodh shumë rrallë. Pra, kemi publik, por jo të mirë publike! Në shoqërinë e menduar si “publik” e që i ka vënë flakën padrejtësisë, qoftë për një moment të vetëm dhe kërkon ta ruajë autorësinë e këtij akti, ia beh opozita. Opozita rrëmben gjuhën e drejtësisë. Madje, të drejtësisë popullore e populiste. Ndonjëherë, shfaqet një gjuhë opozitare moraliste që e rrëmben të drejtën, përkundrejt qeverisë që rrëmben ligjin apo legalitetin e ekonomisë së privilegjeve. Nëse dikush do t’i pyeste se pse e bëjnë një gjë të tillë, ata s’do të hezitonin të na kujtonin detyrën e opozitës për t’u marrë me çështje të kësaj natyre. Por nëse do të ngrinim në pikëpyetje refuzimin e opozitës për të reformuar vetveten në mënyrë që fjala e saj të ishte legjitime e të zinte vend, gjasat do të ishin që në vend të përgjigjes të merrnim një rrudhje justifikuese supesh.

Në raport më kohën, rezulton se opozita ka mbetur pas dhe duke qenë e papërgatitur, përfundon në mos grabitëse, së paku në administratore të një revolte, sipas të gjitha gjasave duke e degraduar këtë të fundit për hesape pushteti. Pra, e kap shoqërinë, dhe turravrap e shndërron atë në “publik”. Nga ana tjetër, qeveria përpiqet të shfaqet si e ngutur në vendimmarje ose e përdor këtë si alibi. Kësisoj, qeveria kthehet gjithashtu në administratore të revoltave reale e potenciale. Ajo e zapton “shoqërinë” njëlloj dhe e shndërron atë në “publik”. Ndodhemi kështu para efektit të dytë të oligarkisë, të kapjes së shoqërisë, pra jo vetëm të shtetit. Gjuha për shtetin e së drejtës zë vend vetëm kur folësi është në opozitë, ndërsa ai që është në pushtet flet për shtetin ligjor. Por kapja e shoqërisë, është në fakt një kapje më e thellë se sa e shtetit, është tentativë për kapjen e politikës. Kjo është një tentativë tejet agresive sepse tendeca për të kapur politikën i përngjan tendencës për të kapur gjuhën. Të dyja palët përpiqen që ta lënë shoqërinë pa fjalë dhe ta shndërrojnë atë në publik televiziv.  Kjo ndodh për faktin se partitë politike nuk rreken për nga kreativiteti, por thjesht kërkojnë që oligarkët ta konsiderojnë secilën prej tyre faktor dhe efekti i shkaktuar nga mungesa e kreativitetit në politikë, inkurajon vijimin e mungesës së kreativitetit në ekonomi. Të dy flukset, ata në pushtet dhe ata në opozitë, kërkojnë ta fusin të gjithë shoqërinë në mes, ta ndajnë atë më dysh, ta tkurrin dhe zhvatin.

Kjo është ekonomia politike dominante e tranzicionit. Rezultati është rritja e padrejtësisë, reduktimi i lirisë dhe shkretimi i hapësirave të kreativitetit. Shteti është kthyer vetëm në një gjë prej të cilit duhet të druhesh.

(c) 2018, autori.


 

[1] Bardhoshi Nebi; Lelaj Olsi; “Etnografia në situatën dikatoriale: Dija etnografike, shteti dhe holokausti ynë” (në botim).

[2] Pse dështojnë kombet: Origjina e pushtetit, prosperitetit dhe varfërisë, Acemoglu Daron; Robinson A. James; përkth. Florim Canolli, CUNEUS, Prishtinë.

6 Komente

  1. Nga kjo ese e cila është vërtet shumë e arritur, po dua të vë në pah këtë pasazh:

    Opozita rrëmben gjuhën e drejtësisë. Madje, të drejtësisë popullore e populiste. Ndonjëherë, shfaqet një gjuhë opozitare moraliste që e rrëmben të drejtën, përkundrejt qeverisë që rrëmben ligjin apo legalitetin e ekonomisë së privilegjeve.

    Më duket intelektualisht pjellor projektimi i dikotomisë e drejtë/ligj mbi dikotominë tjetër opozitë/qeveri. Siç është shpjeguar edhe në tekst, pushteti e përdor ligjin si ta kishte instrument të vetin, çfarë e “detyron” opozitën t’i kundërvihet jo vetëm pushtetit, por edhe ligjit. Besoj se kjo lidhet edhe me zhvlerësimin e pushtetit legjislativ, në kuptimin që Parlamenti funksionon tani si kancelari e PS-së dhe, veçanërisht, e ekzekutivit. Madje edhe në ato raste kur bëhet fjalë për ligje të kaluara në kohën kur pushtetin legjislativ e zotëronte opozita e sotme, ose edhe për kushtetutën. Homo politicus në Shqipëri nuk është në gjendje ta perceptojë legjislativin si pushtet të pavarur nga ekzekutivi dhe kjo i përfton pastaj patologjitë e tjera, përfshi edhe në reduktimin e strategjive opozitare tek një dëshirë e tipit “Rama ik!”

  2. Shoqeria shqiptare po jeton ne kohen e shembjes se idhullit apo Hyut me emrin ”Privat”.
    Privat nuk barazohet me efiçencen por me vjedhjen. Jemi ne kohen kur shteti vjedh e privati grabit, keshtu edhe pasurite e medha , te cilat domosdo mund te ndertohen vetem me fonde publike, por edhe pasurite natyrore, te cilat nga vete natyra u takojne te gjitheve, nuk po dime me se kujt t’ia besojme.

    Ne nje ane kemi administraten shteterore ku korrupsioni ia demton si gjithnje efiçencen, m’ane tjeter kemi privatin i cili e ka mendjen vetem tek grabitja, nga dita e pare deri tek e fundit qe merr persiper administrimin e nje prone te perbashket.

    Dilema ne vetvete nuk eshte e re, por per shoqerine shqiptare duket si e re. Ne te dyja rastet, si administata shteterore si ajo private, duket se perfundimi eshte gjithnje i njejti, kolapsi financiar i sipermarrjeve te medha dhe marrja me qafe e punetoreve, klienteve dhe publikut ne teresi.
    Privati i madh nuk ha vetem pronen publike, por ha edhe privatin e vogel, gje qe shton varferine, sepse fitimi mblidhet gjithnje e ne me pak duar.

    Ndersa Rama me oligarket dhe rilindistet e vet, po bejne kerdine ku te mundin, opozita eshte shume larg te dhenit nje zgjidhje per dilemen ne fjale.

    Ne 2013 Rama bertiste lart e poshte, asnje koncesion, do rishikojme edhe te vjetrat, do te qeverisim per 95% te popullsise, do hapim 300 mije vende pune etj, me pak fjale dukej se oligarkeve do u vinte fundi i merituar dhe shteti do e zgjidhte dilemen nepermjet nje modeli te ri administrativ, duke i dhene keshtu besim shtetit.
    Pastaj beri krejt te kunderten e asaj qe tha dhe rezultatet i shohim.

    Por opozita e sotme, nuk ka asnje pergjigje per dilemen. Do rikthejme taksen e sheshte thote, sikur dilema te jete lloji i takses. Opozita nuk ia ka fare idene, eshte totalisht jashte realitetit, prandaj edhe mbeshtetja per te nuk ka si te rritet. Ka nje mase te madhe opozitare, por opozita nuk e perfaqeson dot, sepse eshte e papergjegjshme.

    Dilema eshte ajo qe eshte, kush do t’i administroje pasurite e medha dhe investimet e medha, shteti apo privati ? Te dyja palet vjedhin sa shemben prandaj shkojne drejt borxheve gjigande dhe kolapsit financiar.

    O do te fitojne oligarket o do te fitoje nje statalizem i riperterire ose thjesht i ripropozuar. Me siguri qe opozita politike me keto mend qe ka nuk fiton asgje. Ndoshta edhe s’ka si te kete mend te tjera, perderisa politika duket te jete kthyer ne loje oligarkesh. Ne, rrime fryme syte, si pothuaj gjithnje. Shyqyr Kukesi, bravo Kukesi qe na kujton se si mund te jemi ne loje.

  3. Protesta e Kukësit e kishte qëllim dhe synimin të mirëpërcaktuar, dhe nuk ka lënë vënd për mëdyshje. Problemi për këto qytetatrë ishte taksa e rrugës, qartë dhe thjesht.

    Kurse reagimi i pushtetit, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe i elitës së Tiranës pas protestes më shumë se dëshmi se çfarë përfaqson kjo “revoltë”, është në të vërtet dëshmi se çfarë përfaqson kjo elitë dhe ky pushtet.

    Duke bërë lidhjen e shkurtër midis shqetësimeve elementare të qytetarëve me vetë ekzistencën dhe stabilitetin e shtetit, vëndit, dhe kombit, këto e dëshmojnë veten si karikuaturë e një pushtetit toltalitar. Në kuptimin që politika, shteti, biznesi, dhe mediat nuk janë më në gjëndje të kryejnë rolet e tyre në mënyrë të pavarur për të shmangur efektin domino që kriza të volgla si këto krijojnë në shoqëri.

    Është dëshpëruese që pas njëzetëeshtatë vjetësh, të shohësh që kjo elitë dhe ky pushtet nuk ka mësuar asgjë, as në politikë as në menaxhim.

    Megjithatë, frika është se shumë shpëjtë kriza ekonomike që po pllakos si pasojë e kësaj paaftësie dhe injorance totale, do e bëjë edhe pushetin totalitar shumë më aktivë dhe të prekshëm për qytetarët. Diagnoza ka kohë që i është bërë, dhe simptomat janë të qarta. Ndaj Venezuela dhe Zimbabve të vijnë në mëndje.

    1. Paria e Tiranes nuk e çan shume koken, persa kohe qe Tirana ngel qytet me qasje burokratike. Ne fakt edhe sheshin Skenderbej qe u duk sikur do behej zemra politike e kthyen ne nje katror betoni te rrethuar me pyll, keshtu qe e mbyten çdo perpjekje per ta kthyer Tiranen nga kryeqytet burokratik ne kryeqytet politik.
      Burokracia nuk ka ndonje interes te mirefillte politik, i mjafton stabiliteti qe te kete mekanizma te qarta sesi te riprodhohet. Diktature, autokraci, oligarki, demokraci jane vetem fjale per te, rendesi ka qe te jene disa mijera vende pune, ku te riprodhohet kategoria.

      Do e rregullojme, tha Ahmetaj, edhe taksen do e veme edhe per kuksianet do mendojme. Sepse kur u be te shtunen protesta e te ashtuquajtures shoqeri civile, ne fakt ishte nje shoqate me lidhje LSI-PD, qe operoi e vetme. Shoqeria civile e kishte mendjen tjeterkund per te organizuar diçka serioze dhe realisht qytetare, sepse dita ishte e bukur dhe plot diell, keshtu qe mund te dilje xhiro perreth Tiranes ose ne bregdet, sesa te rrije kot ne pike te diellit para kryeministrise.

      Mendoj se problematika e opozites eshte me e rendesishme sesa qasjet autoritare te pushtetit, sepse nje opozite e forte dhe me mbeshtetje te gjere eshte gjithnje garanci kunder qasjeve autoritare te pushtetit. Cdo opozite e dobet nxit pushtetaret te abuzojne. Pa zgjidhur problematiken e opozites nuk e zgjidh dot problematiken e pushtetit.

  4. Nga N.B.: “Kjo ekonomi mbytëse dhe karakterizohet nga institucione të mbyllura dhe mungesa e kreativitetit ku vetëm shitet e blihet por nuk krijohet.”
    Kjo fjali i ka thene te gjitha.

  5. […] efekti i shkaktuar nga mungesa e kreativitetit në politikë, inkurajon vijimin e mungesës së kreativitetit në ekonomi.

    Vëzhgim shumë i saktë ky, se nuk mund të rregullohet ekonomia pa u rregulluar më parë politika. Ekonomia politike e tranzicionit shqiptar – modeli neoliberal vulgar – i ka bërë ditët e perëndisë prej kohësh dhe tani ekziston vetëm për inerci dhe sa për të shkallmuar dhe atë pak pronë publike dhe pasuri kombëtare të mbetur, në mungesë të një klase të aftë politike për ta hedhur neoliberalizmin te plehrat dhe për ta zëvendësuar me një model të ri zhvillimi ekonomik. Qarkullimi i klasës politike dhe riorganizimi i sistemit politik të vendit janë kushte paraprake për riorientimin dhe ringritjen e ekonomisë shqiptare.

    Fakti që ky qarkullim i elitave nuk është bërë në këto 27 vjet, por edhe mungesa e opozitës serioze jashtë sistemit aktual politik (ku janë Five Stars apo Indignados shqiptare?), nuk premton asgjë të mirë dhe të bën të pyesësh se sa i madh është dëmi i tranzicionit dhe neoliberalizmit mbi shoqërinë shqiptare? Janë vetëm politikanët dhe oligarkia që e duan shoqërinë të ekzistoj vetëm si publik dhe që e trajtojnë atë si të tillë, apo ka ndodhur tashmë në një masë të konsiderueshme transformimi i saj në publik, sipas idealit neoliberal të Margaret Thatcher “[…] there’s no such thing as society. There are individual men and women and there are families”? Apatia dhe entropia sociale në shoqërinë e sotme shqiptare bëhen të kuptueshme po të mendosh goditjet ajo që ka marrë në këto 70 vitet e fundit: që nga lufta e klasave, ndalimi i fesë, izolimi absurd dhe mizerja e komunizmit, te shkatërrimet e viteve ’90, papunësia endemike, emigracioni gërryes, korrupsioni dhe kriminalizimi i politikës, biznesit dhe drejtësisë, kanabizimi i vendit, tkurrja e shtetit deri në atë pikë sa edhe funksionet bazë mezi i kryen etj. Dalja nga qorrsokaku i tranzicionit fillon me “shpëtimin” e shoqërisë njëherë, që të ndryshoj pastaj edhe klasa politike, edhe të rimodelohet konstrukti politik dhe ekonomik i vendit; se si mund të bëhet kjo, besoj, është “the million dollar question”.:)

    Ndërsa për gjuhën thuhet se “ku dhemb dhëmbi, vete gjuha”. Kështu dhe gjuha e politikanëve dhe e oligarkëve: “mos shkelni ligjin” thonë të parët, por me ligj nënkuptojnë pushtetin e tyre, sepse vetë s’e kanë për gjë që ligjin ta bëjnë llastik e ta këpusin fare sa herë u vjen përmbarë; të dytët – oligarkët që duan të quhen sipërmarrës edhe pse përsipër nuk marrin gjë tjetër, përveç ndarjes së rentave me pushtetarët – bërtasin “mos cëno pronën private” por harrojnë zhvatjen që i bën pronës publike, pasurive kombëtare dhe parave të shqiptarëve këto 27 vjet.

    Revolta e Kukësit duhet të ishte një krismë pas veshit si për klasën politike shqiptare, ashtu dhe për oligarkët e vendit. Them “duhet të ishte” sepse reagimi i tyre pas protestës, me temat e tjera të nxehta të javëve të fundit – reforma skandaloze e ndihmës sociale, futja e biznesit të vogël në TVSH nën duartrokitjet e biznesit të madh, intrasigjenca me Teatrin Kombëtar – tregon që ata ose janë shurdhuar fare, ose shpresojnë se edhe kësaj radhe do e hedhin lumin pa u lagur, si më parë. Vetëm se edhe me durimin është si me llastikun: tendoset dhe ai deri në një kufi, pastaj vjen dita kur këputet.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: