Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë

FTESË PËR INTERPRETIM

Qarkulloi javën që shkoi një dokument, i cilësuar si ftesë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për çeljen e kremtimeve “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit” me rastin e “550-vjetorit të kalimit në amëshim të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.”

Edhe pse ftesa tingëllonte si hoax ose të paktën si spoof, nuk kam parë deri më sot asnjë përgënjeshtrim për të; përkundrazi, ma kanë konfirmuar privatisht si të mirëqenë dhe kam lexuar edhe disa shënime gjuhësore për të në shtyp dhe në Internet (nga Ilir Seci), të cilat vënë në dukje shqipen e jashtëzakonshme me të cilën është përpiluar ky dokument pas gjase “zyrtar.”

 

Dhe meqë bëhet fjalë për një event përurimor të çfarë është shpallur si “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, toni i ftesës njëkohësisht paralajmëron e konfirmon edhe frymën me të cilën do të kremtohet viti në fjalë.

I paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm sa ishte gjallë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftëtari, shtetari dhe arbërori urëlidhës mes dritëhijes mesjetare dhe humanizmit të ndriçuar europian […]

Quhet në këtë dokument Skënderbeu, me tre epitete anaforike, i paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm të cilat zakonisht shënjojnë atribute mistike të Hyut, të paktën brenda ligjërimit fetar.

Këtij ligjërimi i përket edhe vazhdimi i tekstit të mësipërm:

u tjetërsua 550 vjet më parë, prej një trupi vdektar, në një imago mundi të përveçëm, në një ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive, në një Yll të shëndrritshëm mëngjesi diktues të drejtimit të duhur të ardhmërisë së Shqiptarëve.

Ku vdekja e Skënderbeut, event natyral, përshkruhet si “tjetërsim prej një trupi vdektar në këtë imago mundi të përveçëm”, dhe njëherazi “ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese…” madje “Yll të shëndrritshëm mëngjesi diktues të drejtimit të duhur të ardhmërisë së Shqiptarëve.”

Katastrofat drejtshkrimore të këtij paragrafi (dhe të ftesës në përgjithësi) i kanë vënë në dukje; ato marrin rëndësi edhe në kontekstin diskursiv ku shfaqen – meqë janë të barasvlershme me njolla Maalox-i ose salce Alfredo mbi “kostumin e errët, veshjet kombëtare ose tailleur-in për Zonjat”, që porosit ftesa për pjesëmarrësit. Këtu madje përfshihet edhe përdorimi i lirshëm, madje i shkujdesur, i shkronjës së madhe, si të ishte kjo një lloj papijoni, shamie te xhepi i xhaketës, pochette – për t’ia shtuar eventit dhe ftesës vetë elegancën dhe sharmin.

Por edhe më hutesë te lexuesi përndjell artikulimi mistik i frazës, ku një imago mundi, e huazuar drejt e nga esetë e Moikom Zeqos dhe i shndërruar në “ikonë gjalluese”, heq dorë nga pashfaqshmëria dhe merr trajtat e Yllit të Mëngjesit (të cilësuar madje si “i shndritshëm” – por kujt do t’i japim vallë llogari për pleonazmat?), i cili tregon “drejtimin e duhur të ardhmërisë së shqiptarëve”, pa çka se Ylli i Mëngjesit, ose Afërdita (Venusi), paralajmëron lindjen e diellit dhe, sikurse e di çdokush që e ka përdorur ndonjëherë për të gjetur drejtimin e duhur, shfaqet në Lindje, jo në Perëndim.

Sikurse ngjall kuriozitet këmbëngulja, e tekst-hartuesit, për ta shmangur vetë konceptin e vdekjes, pa çka se pikërisht po kremtohet datëvdekja e Skënderbeut, dhe për ta zëvendësuar herë me “tjetërsimin në imago mundi” dhe herë tjetër me “kalimin në am(ë)shim”, çfarë më tingëllon si ligjërim bizar, kur vjen nga goja e kryeministrit të një shteti laik, i cili vihet ta ngrejë diskursin e vet mbi themele jo thjesht fetare, por edhe mistike të krishtera.

Më tej akoma, këto cilësi që i mvishen Skënderbeut, i paarritshëm, i papërkufizueshëm dhe i pashfaqshëm, janë karakteristikë e diskursit sakral të krishterë (por jo vetëm), që përdoret për të përshkruar Zotin dhe ku mohimi (me anë të parashtesës pa-) shërben si shteg drejt afirmimit të së kundërtës: i paarritshëm është ai që gjendet gjithnjë me ne, i papërkufizueshëm ai që na rrethon, i pashfaqshëm ai që u shfaqet të gjithëve.[1]

Të njëjtin princip artikulimi e ndesh në diskursin gnostik dhe masonik; kureshtarët mund të shfletojnë këtë burim.

Si në një rast, ashtu edhe në një tjetrin, ftesa e kryeministrit për një event ceremonial rreth Gjergj Kastriotit përdor një diskurs jo vetëm religjioz, por edhe mistik; dhe e bën këtë të paktën me pretendimin për të krijuar një atmosferë solemne, prej stili të lartë (lofty) me pretendime sublime. Për fat të keq, kushdo që e ka hartuar tekstin, nuk ka gjetur dot rrugë tjetër për ta arritur efektin e dëshiruar, përveçse duke iu kthyer këtij stili diskursiv, i cili – dashur pa dashur – bën që kremtimi i përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe vetë viti jubilar i Skënderbeut të marrin ngjyrat e një eventi religjioz; dhe ku religjioni nuk mund veçse të jetë kombëtarizmi, me Skënderbeun në qendër si Messiah.

Por a do të ishte kjo mënyra “e duhur” për të folur sot për Skënderbeun; dhe sidomos, për t’i folur kështu një publiku gjysmë të analfabetizuar, si ky i tanishmi; që nuk i ka më mjetet për të komunikuar me realitetin? Sepse, sikur të mos mjaftonte kitsch-i retorik dhe ekzaltimi prej hartimi gjimnazi, kjo shkarje drejt patetikes, kjo dëshirë për t’i ftuar ndjekësit e tu të bien në gjunjë si besimtarët në kishë, shënjon – të paktën për mua – edhe orvatjen për ta nxjerrë përkujtimin e një përvjetori historik nga konteksti i racionales dhe për ta mbajtur me zor në kontekstin artificial të pompozitetit; a thua se një 550-vjetor vdekjeje, i kremtuar me të madhe por gati arbitrarisht, do të meritonte më shumë lavdi se personazhi historik vdekja e të cilit po përkujtohet!

Për t’u vërejtur, tek teksti i ftesës, edhe këmbëngulja diskursive te “drita”, nëpërmjet fjalëve si dritëhije, i ndriçuar, i shndritshëm dhe Ylli i Mëngjesit[2], e cila e shpie lexuesin e iniciuar te një këndvështrim gnosticist i njeriut, në mos i heroit Skënderbe. Dija ime tejet e kufizuar në këtë lëmë nuk më lejon të shtyhem më tutje. Megjithatë, sa i përket simbolikës mistike të Yllit të Mëngjesit, po mjaftohem të vërej se në Bibël vetë Jesui e quan veten “Yll të shndritshëm të mëngjesit” (Zbulesa 22:16)[3]; sikurse edhe Luciferit – vëreni këtu sërish lidhjen me dritën – i drejtohen me fjalët “yll i mëngjesit, bir i agimit.” Të njëjtit grup i përket edhe Prometeu (si ai që u solli njerëzve zjarrin). Madje Lucifer në disa gjuhë është një nga emrat e planetit Venus, kur ky shfaqet në qiell si Ylli i Mëngjesit.[4]

Por le të mos e ngatërrojmë interpretimin që mund t’i bëhet ftesës – dhe që ia kam bërë unë më lart – me synimet e kujt e ka hartuar dhe të institucionit që e ka bërë publike. Atje ku të tjerët mund të nguten dhe të flasin për synime, unë do të mjaftohem të flas vetëm për efekte; sepse teksti është ai që është, konotacionet dhe referencat intertekstuale janë ato që janë, dhe një kategori përdoruesish do t’i bëjë inferencat dashur pa dashur. Çështja që mbetet për t’u sqaruar – por jo këtu – është sa i vetëdijshëm është institucioni hartues dhe lëshues i këtij dokumenti për këto efekte, të cilat nuk më duken të përshtatshme për një ritual të religjionit civil, siç është ky i vitit jubilar të Skënderbeut.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Lutemi mos e vidhni.


[1] Madje “kjo mënyrë për ta përkufizuar Zotin nëpërmjet mohimit tregon se superioriteti i Zotit në aspekte të ndryshme është i tillë që t’i kundërvihet normalitetit të zotërimit të tyre; ose, i tillë që të marrë pamjen e mungesës.” (Pseudo-Dionysius, I nomi divini, Edizioni Studio Domenicano, 2010). Shih edhe këtu.

[2] Semantika interpretative këtu do të fliste për izotopi të dritës.

[3] ‘Unë, Jezui, dërgova engjëllin tim që t’ju jepja dëshmi lidhur me këto gjëra për kongregacionet. Unë jam rrënja dhe pasardhës i Davidit, si dhe ylli i shndritshëm i mëngjesit.’

[4] Lucifer vjen nga latinishtja, dhe ka kuptimin “dritë-sjellës”; çfarë mendohet të jetë përkthim i greqishtes Phosphoros, e cila përkthen hebraishten Helel ben Shahar, me gjasë si pasojë e një gabimi filologjik. Gjithsesi, sot emri i Luciferit si “dritë-sjellës” ose “Ylli i Mëngjesit” besohet se i referohet shkëlqimit të tij të dikurshëm si më i madhi i ëngjëjve.

9 Komente

  1. Metaforikish , ne rrugetimin historik te shqiptareve , nga pasvdekja e tij e deri ne periudhen e Rilindjes, Skenderbeu me bemat e tij ashtu ka qene, imazh dhe ikone, Ylli Mengjesit, Mesia, Ndriçues, Fryme , Religjion laik, Simbol perbashkues i shqiptareve, Udha, Drita dhe e Verteta e tyre.
    Te gjitha metaforat, pertej tonit ekzaltues, tejkalojne vdekjen si fundin fizik dhe i meshojne perkujtimit si Fryme, Simbol dhe Imazh.
    Gjuha biblike metaforike eshte bere kaq e pashqitshme nga ligjerimi laik dhe kaq e pranishme ne diskursin modern, sa askush nuk e ve ne dyshim kete nderkallje veçse si çeshtje stilistike.
    Epoka e HTCH nuk duhet te na sterilizoje kaq shume shpirtin dhe gjuhen te na i ktheje ne komuunikim te ftohte burokratik.

    1. “Gjuha biblike metaforike eshte bere kaq e pashqitshme nga ligjerimi laik…”.
      Pika.s,shkurt e qarte,keni thene nje te vertete te thjeshte.
      Kam pershtypjen,se ne nenvetedijen e zotit Vehbiu,ashtu si edhe te shume intelektualeve te tjere,kur shkruajne per Skenderbeun,eshte kompleksi i te ashtuquajtures “ndjeshmeri myslimane” te asaj pjese te shqiptareve qe kontestojne figuren e heroit.
      Kjo shpjegon edhe kujdesin e tepert (e tepert,sepse edhe per pjesen me te madhe te shqiptareve me origjine myslimane,kjo gjuhe eshte krejt e natyrshme) per nje qasje sa me laike ndaj figures se heroit.Perndryshe,per nje intelektual perendimor,sado laik a afetar,madje edhe ateist qofte ai,metafora te tilla do te ishin krejt te natyrshme.
      Me kete rast,do te doja te ftoja intelektualet shqiptare,te hiqnin dore nga kjo perkujdesje e panevojshme.

      1. Timur, nuk di se kompleksi i cilës ndjeshmëri po të mundon ty në këtë koment, por dua të të siguroj që të mos ligështohesh – sepse për këto gjëra ka zgjidhje.

        Por kur shkruan se:

        per nje intelektual perendimor, sado laik a afetar, madje edhe ateist qofte ai, metafora te tilla do te ishin krejt te natyrshme.

        Kam frikë se je duke lëvizur pa hartë. Laicizmi nuk është shpikje e “myslimanëve shqiptarë”; dhe sa për metaforat “biblike”, ato i gjen rëndom edhe në tekstet e shenjta të Islamit.

        Dua të them që paranoja nuk të lejon të kuptosh se ka edhe nga ata, si unë, që e marrin laicizmin seriozisht dhe kujdesen edhe për diskursin laik.

        Nuk të bëj me faj: të mungon eksperienca me Perëndimin.

        1. Shume e sakte pergjigjeja mbi konteksin e nxitur pa arsye ndaj myslimanizmit, sepse nuk ka asnje lidhje ne topikun qe po diskutohet…madje mua me duket si nje pengese per te ditur me shume rreth menyres se shkrimit te nje lajmerimi eventi qe permban 550 vite histori njerezore.

        2. “Laicizmi nuk eshte shpikje e myslimaneve shqiptare;dhe sa per metaforat biblike,ato i gjen rendom edhe ne tekstet e shenjta te Islamit”.
          Padyshim,qe laicizmi nuk eshte shpikje e myslimaneve shqiptare(kush po thote te kunderten?!).
          Padyshim,qe metaforat biblike i gjen edhe ne tekstet e shenjta te Islamit.Madje,kjo vihet re edhe ne fjalen e kreut te Bashkesise Fetare Islame te Maqedonise,me rastin e dekorimit te tij nga Presidenti Meta me “Urdherin e Kaloresit te Skenderbeut”,ku e vlereson Skenderbeun si “Yllin e karvanit legjendar” … i njejti “Yll” per te cilin flet edhe katoliku Rama!
          Ja pra,qe nje mysliman 24 karatesh dhe nje katolik(jo edhe aq) na perdorkeshin te njejten gjuhe kur eshte fjala per Skenderbeun,dhe e cila gjuha ju ka shqetesuar juve,i nderuar zoti Vehbiu,se po cenon laicitetin!
          Megjithekete,per mendimin tim, pavaresisht se metaforat i gjen ne dy tekstet e shenjta,dallimi mes tyre,edhe pse mund te jete i paperfillshem ne rrafshin thjeshte gjuhesor,ne ate kulturor,perkundrazi,ky dallim eshte imadh;aq i madh,sa c’eshte ai mes dy qyteterimeve.
          Gjithe duke qene dakord me ju,ju ftoj,i nderuar zoteri Vehbiu,te bejme kujdes qe te mos biem ne purizem.

  2. Pa dyshim kush e ka shkruar ka dashur të përcjellë nddonjë mesazh “ezoterik”, megjithëse i vetmi mesazh që kuptojmë ne profanët, është se ai vetë i përket një urdhëri masonësh. Më tej nëntekstin vetëm të inicuarit mund ta kuptojnë me siguri.
    Thuhet se Masonëria është një univers simbolesh, dhe masonët e kanë me dëshirë ti afishojnë këto, haptas ose në mënyrë gjysëm të fshehur. Në Shqipëri ndesh jo rrallë në simbole që mund të jenë të tyret: forma e piramidës që ka sheshi kryesor në Tiranë është masonike, pastaj ylli pesëcepësh kokëposhtë, siç është po ashtu ylli i Davidit. Për rastësi, është edhe shqiponja dykrenare! Flamuri i Skënderbeut me yllin e Balshajve dhe shqiponjën dykrenare ka pasur dy simbole masone përpara se vetë masonërt të ekzistonin. Natyrisht bëhet fjalë për imazhe heraldike mjaft të përhapura të cilat krijuesit e lloxhave të para i kanë përdorur për ti dhënë shoqërive të tyre një dukje lashtësie dhe ezoterizmi dhe të cilat iu’a kanë bashkëngjitur miteve të tyre të origjinës prej ndërtuesve të Antikitetit. Në realitetin historik Skënderbeu nuk mund tê ketë ndonjë lidhje me masonët, llozhat janë krijuar më së largëti në shekullin XVII – por ndoshta ka – ose i kanë gjetur së fundmi – ndonjë lidhje me historinë legjendare masone. Metafora “Ylli I mëngjesit” përdoret për drejtuesit e llozhave, ndaj nuk e paskan përfytyruar si mason tê thjeshtë, por shumë më lart
    Po ashtu për tu përmenddur, në tekstin e ftesës është interesant togfjalëshi “një ikonë gjithëpërfshirëse gjalluese të arteve, mjeshtërive dhe urtësive”. Të lihet përshtypja se po flitet më tepër për ndonjë murator apo arkitekt të suksesshëm sesa për Skënderbeun, që njihet si drejtues dhe strateg ushtarak. Kështu siç po shkojnë punët, kush e di së shpejti do kemi ndonjë skulpturë apo pikturë të Skëndërbeut me çekan dhe misri duke përforcuar muret mbrojtëse tê Krujës 

  3. E vërteta është që ky është kapaciteti në njerëz që kemi dhe kush e ka aprovuar nuk ka shkuar përtej impaktit fillestar. Autori është lehtësisht i identifikueshëm.

  4. Qe Skenderbeu ta mbaje Corapekuqin ne pushtet, duhen bere ca aktivitete, lojera,”circenses”si i thonin ne Romen e lashte. Ta zeme ne futboll, basketboll, volleboll e sportet e grupit, Trofeu Skenderbeu, me skuadra nga Shqiperia e Kosova. Po keshtu ne atletike, not, peshengritje e sportet e tjera individuale. Artistet te stimulohen me konkursin Skenderbeu e keshtu me radhe.
    Kjo metode po, i kenaq njerezit, po keshtu me llogje e me evente shiksish, nuk te mban Skenderbeu ne pushtet, te iken dem viti jubilar, si i thone o eshte i popullit dhe jepja popullit o eshte i nje takemi dhe i ngelet atij takemi.
    Ky do te mashtroje ”Skenderbeun” me ca llogje. Sa ”ka pare” Skenderbeu, qe kane dashur te marrin fuqi nga fuqia e tij me ane te llogjeve aq te mira qofshin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin