LOJËRA ME TREN

(for Ian)

Një vend ku orari i trenave është top secret.

Një vend ku trenat kontrollohen prej udhëtarëve, të cilët vendosin me votë se ku duhet të shkojë treni dhe sa do të zgjatë udhëtimi.

Një vend ku Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave udhëton zakonisht me deve.

Një vend ku, për të përshkruar neurozën e atyre që kanë frikë nga trenat, mjekët përdorin termin siderodromophobia.

Një vend ku çdo treni i kërkohet, me ligj, të ketë mjekun e vet.

Një vend ku trenat janë lejuar të udhëtojnë në autostradë.

Një vend – detyrimisht socialist – ku një makinist treni vendos të tejkalojë planin, duke i përshkuar distancat më shpejt. Trenat e tij arrijnë më herët. Makinisti tani punon për vitin 2021. Udhëtarët që qarkullojnë me këta trena, i përkasin së ardhmes; dhe nëse duhet të kthehen në të tashmen, duhet të humbin kohë në trena që rregullisht vonohen.

Një vend ku me tren nuk udhëtojnë qytetarët, por institucionet.

Një vend ku trenat i mbajnë të lidhur me zinxhir.

Një vend ku orarin e trenave e kanë zëvendësuar me informacion turistik për secilin qytet dhe lokalitet ku ndalojnë trenat.

Një vend ku lokomotivat i kanë pajisur me timon, meqë makinistët i quajnë, në gjuhën lokale, timonierë.

Një vend – mbase maoist – ku trenat kanë rrethuar qytetin dhe i bëjnë presion.

Një vend – me gjasë arkipelag – ku tragetet mbërrijnë në porte dhe përshkojnë pastaj distanca të shkurtra me tren, për t’i çuar pasagjerët në destinacion.

Një vend ku trenat e vjetër përdoren për të transportuar moshat e thyera.

Një vend ku trenat ndalojnë herë pas here rrugës, që udhëtarët të plaçkitin fshatrat përreth.

Një vend ku shinat janë diçka që shitet për skrap.

Një vend ku dritaret e vagonëve të trenave i kanë zëvendësuar me flat screens, ku shfaqen pamje të filmuara live nga peizazhi.

Një vend ku trenat futin ujë.

Një vend ku banorët janë mësuar t’i sinkronizojnë orët me mbërritjen dhe nisjen e trenave.

Një vend ku trenin e vetëm tani nuk e pranojnë në asnjë stacion – pse ligjvënësit nuk po merren dot vesh për statusin e hekurudhave.

Një vend ku trenave ua ndërrojnë rrotat e vagonave në udhë e sipër.

Një vend që nuk e lagu kurrë hekurudha.

Një vend ku e kanë traditë të zhvillojnë gara trenash, që përshkojnë distanca të njëjta, në vija hekurudhore të ndryshme. Humbësit shpesh bëjnë me faj kurbaturën e Tokës.

Një vend ku trenat i përdorin për të karantinuar të sëmurët me murtajë.

Një vend ku çdo tren e ka një vagon burg.

Një vend për të cilin nuk dihet asgjë, përveç konfiguracionit të rrjetit hekurudhor.

Një vend ku fjalën hekurudhë nuk e kanë krijuar dot akoma.

Një vend ku hekurudhat kalojnë përmes zonash ende të paeksploruara dhe ku trenave u dihet nisja, jo mbërritja.

Një vend ku hekurudhat kalojnë përmes zonash ku nuk veprojnë ligjet e njohura të fizikës.

Një vend ku dy trena që nisen nga qytetet A dhe B nuk takohen në pikën C, por në pikën D, çfarë u nxjerr kokëçarje të mëdha autorëve të teksteve të fizikës.

Një vend ku udhëtarët u hipin trenave vetëm për t’u larguar nga diku; dhe ku gjuha lokale nuk e lejon konceptin e mbërritjes.

Një vend ku urat e rrëgjuara hekurudhore ua paraqitin turistëve si rrënoja të ujësjellësve romakë.

Një vend ku trenat ecin së prapthi.

Një vend ku qëllon që trenave t’ua presin rrugën lopët. Trenat kësisoj të penguar, shpesh qëllon të transportojnë lopë.

Një vend ku mallrat e shtrenjta transportohen me trena udhëtarësh; sikurse transportohen udhëtarët e lirë me trena mallrash.

Një vend ku biletat e trenave nuk arrijnë të shiten.

Një vend ku kaq janë amortizuar hekurudhat, sa trenat qarkullojnë vetëm kur është për t’u xhiruar ndonjë film. Në këta trena, rolet e udhëtarëve u besohen të burgosurve ordinerë, përkundrejt një uljeje të dënimit.

Një vend ku qytetarët që kapen duke udhëtuar me tren pa biletë, i lidhin menjëherë pas shinave.

Një vend ku hekurudhat janë ndërtuar të gjitha përgjysmë. Treni arrin deri atje ku mbarojnë shinat dhe pastaj makinisti u kërkon të falur udhëtarëve, para se t’i lërë në mëshirën e furgonave.

Një vend ku trenat spërdridhen si gjarpërinjtë.

Një vend ku trenat dhe hekurudhat i ka nën jurisdiksion Ministria e Kulturës.

Një vend ku trenat udhëtojnë vetëm natën.

Një vend ku orët për nisjen dhe ndalimin e trenave transmetohen sipas një videoloje të menaxhimit hekurudhor që luan me pasion, në zyrën e vet, diktatori.

Një vend ku qeveria kërkon që të përdoren vetëm lokomotivat me avull, sepse ashtu ngashënjehen turistët.

Një vend ku hekurudhat janë braktisur prej vitesh. Kur të rinjtë pyesin se çfarë është traseja që buthton tek-tuk në fushëtira, u thuhet: “janë linja të tensionit të lartë që i pat ndërtuar Italia.”

Një vend ku mosmarrëveshjet për oraret e trenave mund të rrëzojnë, dhe në fakt kanë rrëzuar më shumë se një herë, qeverinë.

Një vend ku trenat janë elektrikë, por pasagjerët punojnë me naftë.

Një vend ku qytetërimi lulëzon në të dy anët e shinave të trenit dhe gjithë popullsia aktive është punësuar nga Korporata e Hekurudhave.

Një vend ku banorët hipin në tren siç shkonin dikur në kinema. Presin biletat, hyjnë në vagona, blejnë kokoshka dhe pije të gazuara, ulen pranë dritareve dhe presin zërin nga altoparlanti që t’u thotë: “Tani fikni telefonat celularë.”

Një vend ku vagonët e vjetër të trenave u dhurohen shkollave, për t’i përdorur si klasa, sipas klasave.

Një vend ku tërmeti i fundit i shkurtoi të gjitha distancat hekurudhore mes qyteteve të mëdha.

Një vend ku treni që transportonte Mussolini-n e kapur rob, nuk mbërriti dot në orar.

Një vend ku janë ngritur dhe funksionojnë prej kohësh restorante dhe qendra tregtare të llojit drive-in për trenat e pasagjerëve.

Një vend ku trenin e vënë të qarkullojë nja dy herë ashtu kot, mes lokaliteteve A dhe B, para se ta çojnë për konkurrim në Oscar-ët hekurudhorë.

Një vend ku spitali i vetëm gjendet në një tren që zhvendoset, brenda ditës, nga një qytet në tjetrin; dhe ku njerëzit janë mësuar që të sëmuren me orar.

Një vend ku vetëm oligarkët mund ta përballojnë udhëtimin me tren.

Një vend ku trenat nisen me urdhër.

Një vend ku udhëtarët nuk kanë nevojë të blejnë biletë, për të udhëtuar me tren; por u duhet të paguajnë për përdorimin e stacionit.

Një vend ku përplasja e trenave ndalohet me ligj.

Një vend ku hekurudhat i ndërtojnë për të bashkuar stacionet hekurudhore.

Një vend ku njerëzit çdo ditë mblidhen në stacion për të parë si mbërrijnë trenat; disa edhe për të parë pse mbërrijnë trenat.

Një vend ku turistët vijnë me avion për të udhëtuar me tren.

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: