Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Shah

TRUMP-OWSKY

Tregon mjeshtri i madh amerikan i shahut, Pal Benko, se në vitin 1994, kur një matç i kandidatëve për titullin botëror në shah, midis Kramnik-ut dhe Kamsky-t po mbahej në Trump Tower, në NYC, presidenti i ardhshëm i ShBA Donald Trump dha një pritje për mysafirët, i shoqëruar nga sekretarja e tij dhe një modele e bukur. Gjendej aty edhe Pal Benko-ja, që e prezantuan si “Mjeshtri i madh i shahut, Pal Benko.” Trump-i u kthye nga sekretarja e vet dhe e pyeti: “Si thua ti, a mund të bëhesha edhe unë mjeshtër i madh, sikur të merresha nja dy vjet me shah?” Nuk u besova veshëve, kujton shahisti i njohur amerikan, tani 88 vjeç. “Për ashtu, duhej të lindnit nga e para,” vërejti ai. “Nuk kam dëgjuar kurrë për njeri që ta ketë nisur shahun pas moshës 20 vjeç dhe të jetë bërë mjeshtër i madh.” Përfundon Benkoja: “Me gjasë, ai nuk e kish idenë se çfarë përpjekjesh serioze bëhen, për të fituar titujt në shah. Një gjë nuk diskutohet: po ta kish nisur jetën me shahun, nuk do të ish bërë kurrë miliarder.”

Nuk di të them nëse dikush duhet të ketë imagjinatë galaktike, apo të mos ketë imagjinatë fare, që ta mendojë, qoftë edhe si mundësi teorike, se mund t’i kushtohet shahut një ose dy vjet, për t’u bërë mjeshtër i madh, Großmeister, kampion mes kampionëve. Për ta thënë me Benkon, një gjë nuk diskutohet: ambicia mund të mos mjaftojë që të bëhesh shahist i madh, por është më se e mjaftueshme, për t’u bërë President i Shteteve të Bashkuara. E megjithatë, të paktë janë ata shahistë të mëdhenj që i janë kushtuar politikës të nivelit të lartë: më vjen në mendje Kasparovi, të cilit ambicia kozmike nuk i ka munguar kurrë, por që në politikë nuk ka arritur dot çfarë pat arritur në shah (por këtu fajin e ka, detyrimisht, Putini).

Natyrisht, Trump-i ka akoma kohë, që ta provojë dorën me shahun; sidomos në qoftë se Kasparovi arrin të bëhet mjeshtër i madh i politikës në Rusi. Vështirë të thuhet nëse kjo do të ketë ndikim të mirë apo të keq në historinë botërore; vështirë të thuhet edhe thjesht nëse kjo do të ketë ndikim në historinë botërore, të politikës qoftë a të shahut.

Ironikisht, të nesërmen e ditës kur Trump-i fitoi zgjedhjet presidenciale në ShBA, kampioni i botës në shah, Magnus Carlsen e luajti ndeshjen e parë të matçit për titullin botëror, kundër rusit Karjakin, duke zgjedhur një hapje të njohur si “Sulmi Trompowsky”, e cila nuk ndeshet shpesh në nivelet më të larta. Duke komentuar për këtë hapje të pazakontë, e cila nga shumëkush u konsiderua si një shkelje syri ndaj Trump-it vetë, Dan Mangan i CNBC vërejti se kjo hapje tashmë e ripagëzuar si Trump-owsky Attack, simbolizonte, njëfarësoj, “refuzimin e vetë Trump-it për të luajtur sipas rregullave të pranuara të politikës.”

Ky homazh i papritur ndaj një presidenti me ambicie shahistike të mirëfillta, edhe pse tashmë të narkotizuara, i kapi në befasi shumë dashamirës të shahut në ShBA, ende të irrituar me një deklaratë të presidentit të ardhshëm, pak javë më parë, se “është e vështirë të prishësh marrëveshjet tregtare shumëpalëshe, meqë ka shumë palë të përfshira… është si të duash të jesh një mjeshtër i madh i shahut (grand chess master, [sic!]). Dhe ne nuk kemi të tillë.” Në fakt, ShBA numëron 90 mjeshtra të mëdhenj të shahut; por Trump-i me atë “ne nuk kemi të tillë (we don’t have any of them)” u referohej politikanëve.

6 Komente

  1. Mjeshtri i madh i shahut e paska marre seriozisht , aq sa ka gjetur hapesire per argumentim kunder nje vaniteti rrethanor te Trump-it. Njeriu edhe sikur te doje nuk behet dot as mjeshter vaniteti per dy vjet.
    Ka dicka qe nuk shkon ne propaganden anti-Trump, mos te hape gojen se cdo gje shkon drejt ekstremizimit me te skajshem.
    Me duhej te merresha me dicka rreth Kejnesit dhe ekonomise si shkence morale e hasa normalisht Krugman-in si neokejnesian nga me te famshmit. Meqe e di qe shkruan tek NYTimes prej vitesh, po s’me ka pase pelqyer, thashe po i lexoj edhe njehere si i perkthen moralisht principet kejnesiane, per ne popullin e thjeshte qe s’kemi pretendime rreth ekonomise si shkence jomorale.

    Rasti e do qe te lidhet me Trampin e artikull pas artikulli fillova te behesha trampist, derisa thashe boll tek artikulli i 19 dhjetorit ”How Republics End”, se ishte kulmi i spekullimit politik,thashe te keqen e Andrea Stefanit kunder Berishes. Po Andrea Stefani nuk ishte cmim nobel si Krugmani? Te bjere ne nivelin e Andrea Stefanit nje cmim nobel e profesor i Princetonit ? I dhashe dum qe ka nje gje qe nuk shkon tek antitrampizmi.

    Ngela edhe i zhgenjyer nga antitrumpizmi i Krugmanit tek argumenti ekonomik ”And the Trade War Came”. Meqe eshte sterfolur me argumente nga me te ndryshmet, ne nje kohe qe lufta e tregtise ka qene eshte e do te jete, se s’ka vend ne bote ku nuk ekziston asnje barriere ndaj tregtise se lire, qofte me dogana, kuota, subvencione etj, thashe Krugmani do i vere pikat mbi i, persa i perket demeve qe do i vijne Amerikes. Pasi heq gjethet e artikullit mberrij tek thelbi i problemit te Amerikes, sipas Krugmanit;

    – …. China is also a huge player, and the European Union is bigger still. They will respond in kind, targeting vulnerable U.S. sectors like aircraft and agriculture.”

    Krugmani po thote qe agrikultura dhe industria e ndertimit te avioneve jane sektore te dobet. Prisja ndonje industri te ndertimit te makinave, se qarkullon miti qe nqs Amerika lejon tregtine e lire, mbytet nga makinat gjermane e japoneze.
    Po nqs eshte e vertete qe agrikultura te jete sektor i dobet, ne nje kohe qe Amerika ka potencialin me te madh agrikulturor ne planet, vendi i pare per toke bujqesore, atehere jo vetem qe s’ka pse trembet nga Kina e BE-ja, po erdhi ora qe te behet dicka, edhe sikur nepermjet nje lufte tregtare, qe ne afatgjate e fiton vendi me potencialin me te madh agrikulturor, pra Amerika.
    Po e njejta gje me sektorin e ndertimit te avioneve, teknologjia amerikane ne kete sektor ka kohe qe eshte ne pararoje, nqs ka nje problem nuk eshte as teknologjik as kapitali, e nqs i ke te dyja, nje lufte tregtare ne afatgjate e ke te fituar.
    Me c’del nga Krugmani, Amerika paska nevoje t’i futet punes ne prodhim agrar dhe industrial, se qenka dobet ne konkurrueshmeri,
    Atehere Trampi paska te drejte, qe thote le t’i futemi punes, te prodhojme e t’i shporrim mallrat e huaja. Amerika paska fjetur gjate gjume ne sektoret e vet qe duhet te ishin me te fortet, agrikultura e ndertimi i avioneve.

    Ose Krugmani ia fut kot, ne kete rast antitrampizem skandaloz.

    1. Më duket se meraku i Krugman nuk është aq dështimi, se sa “rreziku” i suksesit të Trump-it dhe ekipit të tij me politikat e tyre ekonomike :). Nuk them se suksesi është i garantuar, aspak, por po aq jorealiste janë dhe skenarët e katastrofave apo të kiametit ekonomik, që pikturojnë Krugman & Co. Fundja, politikat e Krugman-it dhe të tjerëve i provuan SHBA-të dhe Perëndimi gjatë dy dekadave të kaluara dhe rezultatin e pamë dhe e shohim…

      Meqë ra fjala, SHBA-të i kishin në fuqi politikat proteksioniste për mbi 150 vite, nga fillimi i shekullit të 19, deri në vitet 1950-’60. Superfuqi ato u bënë edhe në saj të politikave ekonomike proteksioniste, që mundësuan ngritjen e industrisë amerikane, duke e mbrojtur atë nga konkurrenca e industrisë britanike dhe asaj evropiane. Po ashtu eci dhe ngritja industriale-ekonomike e Gjermanisë, Francës dhe më vonë e Japonisë, Koresë së Jugut dhe, këto 30 vitet e fundit, e Kinës. Pa politikat mbrojtëse dhe pa industrializimin, si pasojë e tyre, ekonomia amerikane sot do të ishte pak a shumë si ajo e Argjentinës apo Brazilit: me minerale, blegtori, agrokulturë dhe shërbime.

      1. Te them te verteten prisja qe argumentin ekonomik te luftes tregtare Krugmani ta kish me te sofistikuar sesa argumentet e tjera, por vete fakti qe tregtia e lire paska demtuar dy sektoret ku Amerika duhet te jete e padiskutueshme, eshte shqetesues ne vetvete.
        Per National System te Hamiltonit e ke fjalen, po shume dakort ne te gjitha.
        Argumenti aktual per Ameriken megjithate mund te jepet me mire ne nje shembull tjeter, sepse Amerika nuk ishte superfuqia atehere, dmth National system si model duhet ta ndjekin vendet ne zhvillim per t’u zhvilluar, por nuk eshte aq shembull perfekt per superfuqine e botes.

        Shembulli ne kete drejtim eshte Anglia e shek 19, asokohe superfuqia ekonomike dhe politike. Anglia deri diku nga 1820 kishte modelin merkantilist, me proteksionionizem barriera, colbertizem etj pak a shume si gjithe shtetet e asaj kohe.

        Pastaj vendosi te ndryshoje e futi konceptin e tregtise se lire, Smith, Ricardo etj, Ne fillim funksionoi per disa dekada, po pastaj Anglia ngeli prapa ne dege te ndryshme industriale, e ne fund te shekullit ia mori edhe Amerika edhe Gjermania, te cilat nuk e praktikonin tregtine e lire.
        Per nga popullsia qytetare e kohes Anglia ishte e krahasueshme me Ameriken dhe kishte me shume qytetare sesa Gjermania, dmth si fuqi punetore industriale e kam fjalen, pra ngelja prapa nuk ishte pasoje e numrit te te punesuarve por e modelit ekonomik.

        Anglia ngelej superfuqia financiare e botes, por kishte humbur primatin industrial.
        Ne te njejten situate duket se gjendet sot Amerika, superfuqia e padiskutueshme financiare e botes, por nga vellimi industrial Kina ia kalon me dyfish, ndersa nga ai i pergjithshem sapo e ka kaluar e do e thelloje avantazhin me shpejtesi.

        Pushteti kalon nga paraja, por lufta moderne kalon me se pari nga industria, dmth nga pikepamja konvenciale e Luftes, Amerika gjendet prapa.

        Kapercime te tilla tensionojne status quo.ne boterore, keshtu qe me shume sesa deshtimi i Trampit, duhet deshiruar qe Amerika te mbaje ritmet e Kines,mundesisht edhe ato industriale, qe gjendja ne bote te mos ndryshoje.
        Nqs Amerika ngel gjithnje e me prapa ndaj Kines, si ngeli 100 vjet me pare Anglia pas Gjermanise, brenda 10-15 vjetesh gjendja ka per t’u bere shume e ndere.

        Nqs lufta tregtare zhvillohet dhe ul ritmet e Kines, kjo eshte me e deshirueshme sesa pas 10-15 vjetesh te kemi nje Kine qe ka dyfishin e prodhimit amerikan dhe 4 fishin e prodhimit industrial.

        Amerika duhet te ece me shpejt ose te kape per xhakete Kinen qe ta ndale. Ekonomia e Amerikes eshte ceshtje e paqes boterore dhe une si shqiptar me interes te drejtperdrejte qe Amerika te ngelet per nje kohe sa me te gjate kjo qe eshte, shoh me teper te rendesishme nje Amerike qe konfirmon rolin e saj ne Bote sesa nje Amerike qe merret me hallet e afro-amerikaneve apo hispanikeve.

        Pranoj edhe se Trampi deri me tash eshte paraqitur si nje person joserioz per rolin qe pretendon te marre persiper. Nje miliarder si Trampi duket me shume si njeri i kazinove sesa i rikonfirmimit te peshes se Amerikes ne bote.
        Me Fatos Nanon do i hahej shume muhabeti.

        1. Për Alexander Hamilton-in sigurisht, që krijoi fundamentet teorike dhe praktike të „National System“, për mendimin tim, një nga shkollat e pakta ekonomike të suksesshme në praktikë dhe jo vetëm në një vend të veçantë dhe në një kohë të caktuar, por në vende dhe në kohë të ndryshme: në fillim në SHBA, më pas sistemi u kopjua dhe u përsos nga gjermanët (Friedrich List në lëmin teorik, ndërsa Bismarku e zbatoi në praktikë), më pas nga japonezët dhe sot nga Kina, në variantin turbo.

          Model pothuajse universal për industrializimin e vendeve në zhvillim edhe sot, por natyrisht pa kuptim që të zbatohet në një vend të industrializuar, si SHBA-te e sotme; çka nuk do të thotë që Amerika të mos mbrohet nga metodat merkantiliste të vendeve të tjera – siç duan të bëjnë Trump dhe ekipi i tij – sidomos kur ato zbatohen në një shkallë masive dhe me një agresivitet të tillë, siç bën Kina këtu e 30 vite me radhë.

          Ndërsa për karakterin e Trump-it nuk kam çfarë të shtoj: ty të kujton Nanon (bashkë ata do të shkonin si Baka me Zekën!), ndërsa mua, kur flet, ai më nxjerr “mallin” e Berishës 😀 . Ndoshta duhet t’i përmbahemi dhe ne motos: “Take Trump seriously but not literally”; të paktën për 100 ditët e para…

          1. Tani qe permende edhe List-in, do te jap voten :d
            Shaka, por jo edhe aq shume, ne kuptimin qe do ia jepja voten nje partie ne Shqiperi ku ndokush do permendte Listin, ‘babain ekonomik’ te Gjermanise dhe jo vetem.
            Ceshtja nuk eshte edhe aq tek ekonomia si zbatim formulash,grafiqesh,bilancesh, jo Kejnesi, jo Fridmani, keto jane pune ekonomistesh.

            Ceshtja eshte tek principi baze i zhvillimit ne nje bote shtetkombesh. Smith e Ricardo, nuk e kishin kapur ende realitetin e shtetkombit, Hamiltoni megjithese bashkekohes e kish kapur, ky ishte edhe njefaresoj fati i Amerikes qe si the edhe ti nuk perfundoi si Brazili.
            Nqs do kishte ndjekur Smithin me tregtine e lire dhe Ricardon me avantazhin konkurues, Amerika do ish nje bisht agrar dhe lendesh te para per Angline dhe Francen, si gjithe Amerika Latine.

            Listi ka meriten qe krijoi nje mendim realist ne ekonomi, kjo eshte bota e shtet-kombeve, njesia e referimit eshte shteti.

            Persa i perket Trump-it, une ne fakt dalloj mes individit Trump dhe trampizmit. Me trampizmin pajtohem ne shume pika, me individin Trump jo, biles nuk arrij te kuptoj pse gjera kaq te rendesishme u lane ne doren e nje individi si Trump. Ka nje teori qe duhej nje tip si Trampi qe nese ca gjera nuk shkojne si duhet, t’i vishen karakterit te tij, dmth te sherbeje si tip mburoje per ekseset e sjelljes amerikane.
            Gjithsesi, eshte si eshte tha, kjo pune u bitis, te pakten ka thene ca gjera qe amerikanet i kane bere dhe dine t’i bejne, nuk jane utopi si ato te Obames. Ceshtja ngelet nese amerikane duan t’i bejne serisht.

            1. Tamam ashtu! Jam i sigurt që të gjithë presidentët kinez, nga Deng Xiaoping e më pas, e mbajnë te koka e krevatit një kopje të “Das nationale System der politischen Ökonomie”, veprës kryesore të List. : )

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin