Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

PËRRALLË NGA E KALUARA

Sa herë qe frekuentoj Bibliotekën Kombëtare më duket sikur hyj në një azil pleqsh — sallat janë përgjithësisht të mbushura me pensionistë, të cilët i sheh tek shfletojnë dhe komentojnë me nostalgji dhe zhurmë “Zërin e popullit”; ose sikur jam në një stacion treni, meqë vazhdimisht ka njerëz që enden turravrap sa nga njëri cep i sallës në tjetrin, mundësisht duke u shkëmbyer me zë të lartë. Gjithashtu, punonjëset e bibliotekës me takat e tyre të frikshme, duket sikur e bëjnë gropë parketin sa herë që i ngjeshin këpucër me kryeneçësi dhe pa e vrarë mendjen që ka edhe nga ata të cilët duan të punojnë. Por edhe në mungofshin takat e tyre, tingulli i pandërprerë dhe i vazhdueshëm i telefonit të biçim bibliotekares, të rreh porsi një tik nervor i pakontrollueshëm në vesh. Pa pushim.

Pas mbi treҫerek ore kacafytjesh, kur u kërkon vazhdimisht punonjëseve apo atyre që e frekuentojnë bibliotekën të mbajnë qetësi; kur provon të bësh sikur zhurma nuk ekziston; ose kur me shpresë ndërron sallën (poshtë e lart e lart e poshtë), e gjen veten me sytë ngulur te kapela e republikës së xhaxhos që rri rri e çoç i vjen ndonjë gjë ndërmend, të cilën e sheh të nevojshme, të ngutshme madje, ta ndajë me të pranishmit përkarshi. Mund të mos mësosh shumë nga materialet që ke hapur për të studiuar, por me siguri mund të mësosh diҫka që nuk e ke ditur mbi jetën e një brezi gati të shkuar, gjatë periudhës së diktaturës në vend. Kjo është afërmendsh interesante dhe e këndshme, por jo kur ndodh nën kushte të imponuara nga një mjedis që i përngjan gjithҫkaje, përveҫse një biblioteke.

Biblioteka Kombëtare është si një objekt që ka ngecur në kohë. Shkallët, raftet, karriget, madje edhe vetë punonjësit e bibliotekës duket sikur kanë mbetur në vitin ’76. Ndërsa je duke lexuar, të bëhet se nga çasti në çast, ndonjë zyrtar i Komitetit Qendror do të hyjë në sallë për inspektim… Në fakt, mua do të më pëlqente që të mos prishej interieri i bibliotekës; të ruhej pak a shumë siç është, por ama të rregullohej në mënyrë të atillë, që kjo e fundit të bëhet e dobishme dhe e rehatshme për gjithkënd. Se ç’ka një gjë romantike vjetërsia e saj. E jo vetëm kaq, por në tërësinë e vet, kjo bibliotekë mbart vlera historike dhe kulturore.

Do të doja që biblioteka e qytetit tim të ishte e shtruar me parket ose pllaka të reja; të kishte më shumë hapësira leximi me tavolina individuale dhe të përbashkëta; të kishte një sistem Wi-Fi ku për të hyrë në Internet të mos të të duhej të zbrisje tek i ashtuquajturi Këndi Amerikan i Bibliotekës… Do të doja që sallat të ishin të mbushura me rafte të mëdha librash gjithëfarëlloji, të rinj e të vjetër, në shqip dhe gjuhë të huaj; me revista dhe katalogë; do të doja që ҫdo mjedis të kishte ajër të kondicionuar, në mënyrë që gjatë verës të mos alivanosesh nga vapa dhe gjatë dimrit të mos thahesh së ftohti. Do të doja që ndriçimi nëpër salla të ishte më i fortë, me llambushka të verdha që nuk t’i vrasin sytë, madje me nga një llambë të vogëlth për tavolinë; do të doja që dritaret e vjetra ta ruanin estetikën e tyre por ama të zëvendësoheshin me xham më të përshtatshëm, në mënyrë që zhurmat e rrugës përkarshi të mos depërtonin brenda; do të doja që kartat e anëtarësimit të ishin elektronike dhe t’i mundësonin çdo mbajtësi hyrjen në bibliotekë kurdoherë (brenda orarit të caktuar). Do të doja që biblioteka të ofronte kompjuterë të përdorshëm brenda mjediseve të saj. Do të doja pra një bibliotekë ku të mund të kaloja orë e orë të tëra; një bibliotekë normale në një qytet sadopak të tillë.

Një mikesha ime që jeton në Bruksel po më tregonte përpara disa ditësh fotografi nga biblioteka e lagjes së saj atje. Një bibliotekë e vogëlth dhe modeste, por e këndshme dhe në dukje kaq e rehatshme sa të mundësonte gjithçka mund të kesh nevojë në një bibliotekë. Sikur biblioteka jonë kombëtare t’i përngjante sadopak bibliotekës të asaj lagjes në Bruksel, duke ruajtur veçantinë që e karakterizon Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, edhe vetë qyteti im do të dukej më i bukur, më ftues, më dashamirës.

5 Komente

  1. Meqense e kam per zemer BKT me lejoni te shtoj qe bibloteka jone ka ngelur edhe me vlera komuniste. Sapo hyne ke rojen qe te shikon venger e te pyet ku vete. Pas nje dialogu kartezian me nenpunsine ku te duhet ta bindesh qe nje kafe librari nuk eshte biblioteke et ti do te vish ne biblioteke), dhe pas oreve te gjata ne njesin bashkiake (mos te harrojme qe vetem banoret e Tiranes kan te drejte te regjistrohen, mbrapashtesa kombetare eshte fiktive ) per te marre nje vertetim banimi duhet edhe te perballesh me nje nenpunese tjeter ku te pyet : Po çfare librash do lexosh? Po pse vjen ketu? Nuk ke kushte te studiosh ne shtepi? etj, etj… Pasi me ne funde ke te drejte te ulesh te punosh, pas dy oresh, te kap temerri kur mendon W.C… pa sapune e leter higjenike po vetem ere…(sa per kureshtje kete vere ne gjithe muajin korrik ka patur vetem 2dite sapune). E sigurisht kushtet prehistorike No wifi No libra No studime bashkekohore…
    E vetmja ane pozitive, kur TOB ka prova, degjohen ariet ne sallen e katit te dyte…dhe here pas here dikush te kerkon, me miresjellje, ti regjistrosh nje numer telefoni : Shpresa Akademi 🙂

  2. Shkrim i shkelqeyer! Plot me thjeshtesi, miresi dhe vullnet per te bukuren, te miren dhe esencialen per nje te ri: ambjentin edukues perreth

  3. Me verte ai sistemi i shemtuar i kerkesave per huazim te librave. Ndenji 10 vjet ne BK burri i botes, kjo tjetra po ngrys ditet atje, e nuk merren me digjitalizimin e atij fondi. Mjafton ti ngjisesh nje cope leter cdo libri. E kishin bere 100 praktikante ne nje muaj.

    Mos flasesh per sallen e leximit. Mendojne se fondi aty eshte sekret kombetar. Une kam tre vjet qe kerkoj te publikohet rregullorja, edhe ajo eshte sekret.

    Ajo zhurma e tumerrshme nga rruga, pse nuk duan te investojne ne nje sistem te mire ajrimi. Haleja, sic e permendi dhe dikush ketu, te ben te percmosh moshen e trete e hallet e tyre me prostatin apo kolitin.

  4. Shkrim i thjeshte dhe i bukur, ashtu sic perjetimet ne Bibl. Komb. jane e kunderta e ketij pershkrimi gati letrar. Perjetimet e mia aty gjithnje kane qene nje fare lufte per te marre libra, por perjetimet e viteve te fundit kane qene me mizoret, duke filluar -vertet- qysh nga dera me rojen, e deri tek mosmarrja e as edhe nje libri, inkluzive ketu ironite dhe sorollatja kot me se koti! Dhe te mendosh, qe me ata pak vizitore terheqes librash, zonjkat e bibliotekes duhet te gezoheshin ndaj cdo vizitori! Perkundrazi, cdo terheqes librash eshte nje armik i qetesise se tyre.

  5. Ai burri ndenji 16 vite ne fakt dhe teksa vete poston lloj-lloj materialesht te “zbuluara” ne cilesine e drejtuesit, biblioteka kombetare eshte shnderruar ne varreze librash e fondesh, e maksimumi ne muze ku ekspozohen me sloganin “edhe kete e kemi”, por s’e japim. Problemi eshte ne mendesi. Ajo biblioteke, pike se pari, nuk eshte kombetare sepse nje banore i Lezhes, bie fjala, nuk ka mundesi te huazoje, por duhet te regjistrohet cdo dite, per ironi me karten e identitetit te shtetit shqiptar: edhe shqiptar edhe i huaj. E nese nje liber e gjen sot, neser, sa vjen boti serish me autobuz, ka dale ndonje drejtor ose mik i tij qe e skanon librin per qejf, dhe qytetari i huaj ngelet te beje xhiro neper Tirane, meqenese ka ardhur. Ajo copa e mishit te salla Gjermane e leximit nuk te le te besh as fotokopje e as foto. Ka ngelur diku mes Gjermanise Lindore e katundit prusian ku lindi Bismarku ne 1815. Pret 45 nje liber qe mbase ka humbur qe ne 1963, por s’i plas kujt ta shenoje apo ta gjurmoje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin