MBLIDHET NË GUSHT QEVERIA

Duhet të gjejmë patjetër pará, tha Kryeministri, ose ky shtet falimenton javën e ardhshme. S’kemi fonde as për t’ia paguar rrogat njëri-tjetrit, në një kohë që, siç e dini, demarshet për ta dhënë këtë qeveri me koncesion nuk po japin rezultatet e pritura.

Ka ardhur koha që të fillojmë gërmimet, tha Ministri i Ndërtimit. Diçka do të dalë nga dheu herët a vonë, që të na shpëtojë të gjithëve. Edhe po nuk gjetëm ndonjë thesar të avarëve a të trakasve, të paktën do t’i kemi gropat gati, për themele të mundshme.

Po të jetë për gërmime, tha Kryeministri, le të synojmë më mirë lartësitë, qiellin. Gërmimet janë vetvetiu të shëmtuara. Përkundrazi, po të ndërtojmë kulla, problemet të para nga lart do të duken më të vogla, sepse do të relativizohen.

Aq më tepër që populli ynë gjithnjë i ka pasur pikë të dobët kullat, tha Ministri i Trashëgimisë Kulturore. ‘Pikë të dobët’, në kuptimin ‘pikë të fortë.’

Unë propozoj që të legalizojmë sa më parë eutanazinë ose vetëvrasjen e asistuar, tha Ministri i Shëndetësisë. Do të dynden klientë të kamur nga gjithë bota, gati të paguajnë, për të ndërruar jetë me dinjitet. Veçanërisht i pashfrytëzuar mbetet tregu i personave të interesuar nga vendet e Gjirit Persik, të cilëve nuk u pëlqen të shkojnë për të vdekur në Zvicër a në Belgjikë, për arsye të diferencave fetare dhe/ose kulturore.

Ore, le t’i vëmë akcizë pornografisë në mass mediat, tha Ministri i Propagandës: 10 USD për një palë cica me thithka, 20 USD për të pasme femrash, 30 USD për të pasme meshkujsh, 50 USD për lakuriqësi ballore të plotë, për të dy sekset, 100 USD për foto të politikanëve të përqafuar me fëmijë.

Akciza të nxjerr nga kriza! – u tall Kryeministri.

Të monopolizojmë përgatitjen dhe tregtimin e kafesë espresso brenda vendit, tha Ministri i Kohës së Lirë.

Të kriminalizojmë si shpifës të gjithë ata që shajnë qeverinë, tha Ministri i Brendshëm dhe t’i çojmë në gjyq, ku të detyrohen pastaj ta zhdëmtojnë ekzekutivin me hard cash.

Edhe më mirë akoma, le t’u kërkojmë një paradhënie të gjithë atyre që kanë ndërmend të na shajnë, tha Ministri i Inovacionit. Madje le të krijojmë një bursë shkëmbimi të krediteve për sharje, ku e drejta për të folur mbarë e mbrapsht të shitet e të blihet me çmime variabël.

Të shtetëzojmë shoqërinë civile, tha Ministri i Ekonomisë.

Si kemi thënë? Që fjala ‘shtetëzim’ nuk do të dëgjohet kurrë në këtë sallë, tha Kryeministri. Ashtu, pra.

Më fal, tha Ministri i Ekonomisë. Kisha parasysh dhënien me koncesion. Për 99.99 vjet.

Diçka mund të nxjerrim edhe po të organizojmë Olimpiadën e Sporteve Jo-Olimpike, tha Ministri i Sporteve – në bashkëpunim me organizma ndërkombëtarë që promovojnë shërbime të pa-institucionalizuara të basteve. Jo për gjë, por tani do të kemi edhe stadiumin e ri për të mbushur.

Të taksojmë rrotën e katërt të çdo automjeti, tha Ministri i Transportit.

We need to breed and grow very smart people and then place them on the market, tha Ministri i Rinisë, që në mbledhjet e qeverisë fliste gjithnjë anglisht, ngaqë e kishin urdhëruar ose kushedi ngaqë ashtu i vinte për mbarë.

Të nxitim kryqëzimin dhe mbarështimin masiv të dhive ekzotike, tha Ministri i Bujqësisë – si dhia shkurtabiqe, dhia e kalit dhe dhia bajmake. Në Europë ka kërkesë të madhe për këtë kafshë mike; dhe ne, si Shqipëri, kemi avantazhin që të njihemi botërisht si p**ka dhie.

Po vetëm me p**ka dhish nuk bëhet kjo punë, tha Kryeministri; duhen edhe cjepër. E ke menduar se ku do t’i gjesh cjepërit?

Jua gjej unë cjepërit, tha Ministri i Marrëdhënieve me Parlamentin; veç hapni gojën dhe kërkoni.

Edhe një cjap i vetëm mjafton, tha Ministri Sekretar i Shtetit; me kusht që të jetë i motivuar mirë.

Andej nga anët tona cjapit të patredhur i thonë përç, tha Ministri i Rivitalizimit të Shqipes.

Më dëgjoni edhe mua, tha Ministri i Kulturës, dhe boll folët si hamejtë e portit. Publiku gjithnjë i ndjek bëmat tona si qeveri me interes të madh: po sikur të japim shfaqje, çdo natë, të gjithë bashkë, në sheshet kryesore të qyteteve të mëdha të vendit?  Diçka si: Our Government Got Talent?

Po të jetë për shfaqje për publikun, ne mund të fillojmë të xhirojmë filma ose të merremi me pikturë, dhe pastaj t’ua shesim veprat tona institucioneve dhe koleksionistëve më të njohur, tha Ministri i Tregtisë së Jashtme. Ja, unë i kam bërë disa vizatime tashmë, vetëm duke ju dëgjuar ju kur flisni; më kontaktoni, po të doni që t’jua tregoj.

Më mirë akoma, le ta bëjmë me pagesë miqësinë me ne në Facebook dhe në Twitter, tha Ministri i Teknologjisë dhe i Rrjeteve Sociale. Ju zoti Kryeministër keni mbi 100,000 ndjekës: sikur secili prej tyre të paguante qoftë edhe nga një dollar në ditë, ja ku e zgjidhëm edhe problemin e buxhetit.

Po sikur t’i nxitim disa nga nënat dhe motrat dhe gratë tona që të japin mitrat me qira? – propozoi pak me ndrojtje Ministri i Mirëqenies Sociale. I kanë që i kanë, nuk po i përdorin në kapacitet të plotë, po pse vallë?

Kjo e mitrave na nxjerr probleme me partnerët, prandaj unë sërish do t’i kthehem biznesit të vdekjes, tha Ministri i Shëndetësisë: në Europë, që sa vjen dhe plaket, ka mungesë kritike hapësirash të lira për varreza të reja publike. Po sikur ta shndërronim Shqipërinë në varrezën zyrtare të Bashkimit Europian? Ashtu edhe vende pune do të hapeshin me burí, sepse këta europianët duan hyzmet edhe pasi të kenë ndërruar jetë.

Po të jetë për varrezë, ndoshta më shumë fitim do të nxirrnim nga një varrezë e përbashkët e makinave të dala jashtë përdorimit, tha Ministri i Industrisë dhe i Mbetjeve. Ose e lokomotivave të amortizuara.

Ose e super-jahteve të vjetra, tha Ministri i Marinës Tregtare.

Ose e televizorëve me tub katodik, tha Ministri i Mjedisit.

Ose e ideve të vjetra por ende të padala boje, tha Ministri i Universiteteve.

Më dëgjoni edhe mua, tha Ministri i Drejtësisë: po sikur të modifikojmë Kodin Penal dhe të zëvendësojmë burgun me gjoba gjithfarësh? Ashtu mund t’u sekuestrojmë pasuritë të gjithë atyre që shkelin ligjin – në mënyrë përpjesëtimore. Vrave? Paguaj 100,000 USD, ose ta morëm lokalin. E përfytyroni dot përfitimin që do të nxjerrim, duke monetizuar Kanunin?

Po sikur të emetojmë në masë pulla poste të rralla? – tha Ministri i Postë-Telegrafës. Duke futur atje qëllimisht gabime ose difekte! Filatelistët do të luajnë mendsh pas tyre dhe do të paguajnë miliona, për t’i hedhur në dorë…

Le të konsiderojmë, zotërinj, zgjidhje tashmë të provuara nga historia, tha Ministri i Mbrojtjes: për shembull, le të sulmojmë dhe të pushtojmë një vend tjetër, të vogël por të pasur, për shembull Monaco-n ose Maltën. Ne jemi anëtarë të NATO-s tani dhe gëzojmë mundësi ushtarake të pashembullta.

Ta pushtojmë pa gjak, pastaj t’ia japim rusit me qira, tha Ministri i Jashtëm. Rusi vdes të vërë pak këmbë në Mesdhe. Vdes, jua garantoj unë.

Vetëm ti nuk ke folur akoma, i tha Kryeministri Ministrit të Financave. Çfarë bluan vetmevete?

Propozime, propozime, tha Ministri i Financave. Por unë i mbetem idesë se duhet të fillojmë të printojmë pará. Dhe jo vetëm lekë, por edhe valutë: dollarë, euro, shekelë. Nuk ka kënaqësi më të madhe, se të mbash në dorë një bankënotë të re fringo, që kundërmon erë bojë tipografike: të jep më shumë liri se Deklarata Universale e Të Drejtave të Njeriut.

Le të presim, pra, kartëmonedha, tha Kryeministri. E patën thënë mirë Rilindësit qëmoti: këtij vendi do t’i vijë shpëtimi nga letra e shkruar.

Vendimi hyri në fuqi menjëherë.

3 Komente

  1. Kjo mbledhje tregon edhe nje here, sikur te ishte e nevojshme, se sa e paafte eshte qeveria.

    Po si nuk i shkoi ne mendje njerit prej ministrave, ne mos kryeministrit, qe zgjidhja me optimale per prosperitetin e kombit do ishte kultivimi i kesulkuqeve ne mbare vendin ! Cmendet evropa per kete lloj tregu sot.

    Fusha e gerxhe kemi sa te duash, diell po e po, edhe me uje s’jemi keq.

    Vend i begate, tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin