NË VEND TË HYRJES

[Dje prezantuam, në Tiranë, “Ndërhyrjet e zotit Shyti”, gjatë një takimi ku folën Adi Krasta, Ilir Baçi dhe Artan Puto; dhe ku Arlinda Dudaj dhe unë lexuam diçka nga libri.

Ishte edhe një rast i mirë, për mua dhe besoj edhe për të tjerët e pranishëm, për t’u takuar dhe kaluar një të shtunë paradite së bashku.

Me këtë rast, kisha përgatitur disa copëza të shkurtra me të njëjtën temë si kapitujt e librit, por që nuk janë përfshirë te “Ndërhyrjet”. Të shkruara posaçërisht për prezantimin, ato u afishuan në mjediset e kopshtit ku u mblodhëm; po i shtoj tani në vijim, në formë antipaste për të gjithë ata që janë kureshtarë për librin.]

*             *             *

U fut me vrull në lokal Shpëtim L., një provokator i njohur, dhe i tha zotit Shyti: “A jeni ju gati, z. Shyti, që ta jepni jetën për atdheun?” Z. Shyti i hodhi këtij një vështrim zhbirues në mos përbuzës, dhe pastaj shtoi: “Më lër ta mbaroj këtë të shkretë espresso.” Më pas gazetat shkruan se z. Shyti nuk e jepte jetën për atdheun, pa mbaruar më parë kafenë; por nuk e kishin mirë, sepse nuk ishin bona fide; sikurse e shpjegoi edhe vetë i zoti i punës, në privat dhe në publik, ai vetëm sa kish thënë se donte që ta mbaronte espresson, para se t’i përgjigjej pyetjes së vështirë të Shpëtimit; dhe jo se i jepte përparësi kafesë, para mundësisë ose edhe vetë shansit të rrallë për t’u flijuar për atdheun. Çfarë e la, në analizë të fundit, pyetjen e provokatorit Shpëtim L. gjithsesi pa përgjigje.

*             *             *

Doli në ekran Egla, zëdhënësja e Partisë Popullore, një vajzë aq e hijshme sa disa prej nesh e kishin gjithnjë të vështirë të përqendroheshin në ato që thoshte; por magjepsjen na e ndërpreu këtë herë zoti Shyti i cili tha se nuk e kuptonte pse e quanin atë rol a profesion zëdhënës, a thua se personi në fjalë ia jepte vërtet zërin Partisë Popullore, pa çka se dihej që zërin Partisë Popullore ia jepte kryetari i saj, Dragushi; dhe se Egla, e shumta, ishte zgjedhur për t’ia dhënë asaj partie fytyrën.

*             *             *

Pashë në ëndërr, tha z. Shyti, sikur më kish humbur fjalëkalimi; dhe kur të gjithë kishin kapërcyer në anën tjetër, unë kisha mbetur këndej, i pështjelluar dhe pa shpresë, teksa provoja kombinime të ndryshme në tastierë, njëri më gabim se tjetri, nëse fjalëkalimet e gabuara mund të krahasohen përnjëmend mes tyre. Ata që ndërkohë e kishin hedhur lumin, më bënin shenja e më jepnin zemër; roja i armatosur gjer në dhëmbë por gjithsesi miqësor, më ngushëllonte se kjo u kish ndodhur më parë edhe të tjerëve, që pastaj e kishin mbledhur veten dhe e kishin kujtuar kombinimin e duhur; ekrani që kisha përbri më lajmëronte që më kishin mbetur edhe n-1 orvatje. Dhe aty për aty më shkoi në mendje që, në pamundësi për të vepruar ndryshe, të zgjidhja që ta refuzoja kalimin, haptazi dhe me zë të lartë; madje të shpallja me të madhe se unë, zoti Shyti, kisha vendosur solemnisht të mos u bashkohesha të tjerëve, deleve, ripërtypësve, grigjës së verbër, vullnetit të shumicës. Vërtet do të vdisja si qeni, por ama jo ngaqë nuk më kujtohej ajo fjalë, a numër, a turli shenjash kuturu, që përndryshe do të ma kishin shpëtuar kokën. Po pastaj çfarë ndodhi, pyetëm ne…

*             *             *

Kam një djalë në lagje, tha z. Shyti; Titi e thërresim të gjithë, edhe pse emrin e ka Shpend dhe thonë që i ati ka dashur ta quajë Jonuz. Djalë më i drejtë nuk bëhet. Ndesha në të një ditë që ecte në rrugë si i ndërkryer dhe e ndala nga mënga për ta pyetur se për ku ishte nisur: më tha se po shkonte të protestonte. Tek Liqeni? Jo, më tha, nuk dinte gjë për këtë të Liqenit. Te themelet e Kullës? Cilës kullë, më pyeti. Te shtëpia e të madhit Mehdi, që po e lyen Ministria e Kulturës me kallaj? Jo, mua nuk më pëlqen Mehdiu, më tha. Epo për çfarë do të protestosh, e pyeta, tha z. Shyti. Ende nuk e di, m’u përgjigj, por do të më vijë ndonjë gjë ndërmend në rrugë e sipër. Dhe nëse nuk gjej arsye për çfarë, atëherë do të protestoj kundër vetes dhe atyre që më paskan shpëlarë trutë. Do t’i isha bashkëngjitur, vazhdoi z. Shyti, por pata frikë se mos ashtu i jepja shkas të protestonte kundër meje që po ia prishja ekskluzivën.

*             *             *

Pse nuk provoni që t’i shihni këto talk shows me volumin e zërit të ulur në zero, tha z. Shyti duke eksploruar me gjuhë dhe me buzë një objekt që kish gjetur në kafe; unë ka muaj që po e eksperimentoj këtë, me rezultate që, besoj, i keni parë të gjithë. Jo, thamë ne, nuk kemi parë gjë. Fjalët që shkëmbehen gjatë debateve, vazhdoi z. Shyti, nuk komunikojnë ndonjë gjë të madhe, përtej atyre që dihen; për të kuptuar se për çfarë po kacafyten të ftuarit, mjafton t’ua shohësh fytyrat, grimasat, ngritjet e vetullave, reagimet teatrale, pantomimën, gjestet me duar dhe me këmbë, cërkat e pështymës që fluturojnë në ajër si shrapnel, lëvizjet prej dirigjenti të drejtuesit të emisionit. Heshtja e bën pamjen shumë të zhurmshme, përfundoi ai, duke rrufitur kafenë e mbetur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: